13.5 C
Prizren
E shtunë, 9 Maj, 2026
Home Blog Page 8672

Sejdiu: Shumëkush e keqpërdori emrin e familjes Rugova

0

FatmirSejdiu-ldkKryetari i nderit i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një prononcim për Telegrafin tha se shpesh herë është keqpërdorur emri i familjes së ish – presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Sejdiu thotë se “kjo familje emblematike meriton respekt dhe që unë çdoherë jam munduar ta nderoj dhe t’ia jap vendin që i takon”.

Ndërsa, sa i përket Ukë Rugovës, djalit të ish presidentit Rugova, Sejdiu ka theksuar se, “dëshiron të besojë në pafajësinë e tij”, duke shtuar se “ligji është mbi të gjithë, pavarësisht kushdo që është në bankën e të akuzuarve”.

“Shumë njerëz, duke e fshehur prapa emrit të familjes Rugova, sot gëzojnë pozita të rëndësishme, madje për këtë kanë ndikuar një sërë faktorësh. Formimi i ‘Listës Dr. Ibrahim Rugova’ është histori në vete në gjithë këtë tregim”, ka thënë Sejdiu për Telegrafin.

Ndryshe, njëri prej themeluesve të “Listës Dr. Ibrahim Rugova”, Dardan Gashi, ka thënë se heshtja e LDK-së ndaj arrestimit të Ukë Rugovës, tregon se kjo parti e ka harruar familjen Rugova. Mirëpo, i menjëhershëm ka qenë reagimi i partisë së Mustafës, e cila e ka quajtur Ministrin e Ambientit, shërbëtor të PDK-së dhe Hashim Thaçit.

Thaçi për Tribunalin: Drejësia ndërkombëtare është në Kosovë

0

Thaci7-03(E plotësuar) Kryeministri Hashim Thaçi pohoi në mënyrë të prerë se nuk bëhet fjalë për krijimin e një tribunali ndërkombëtarë jashtë Kosovës, për të gjykuar krimet e supozuara. Sipas tij, bashkësia dhe drejtësia ndërkombëtare janë në Kosovë në formën e EULEX-it. Gjithashtu,Thaçi, potencoi se drejtësia në Kosovë, institucionet e saja të krijuara nga ndërkombëtarët dhe vendorët janë më se të mjaftushme.

Kryeministri Thaçi tha se deklarata e Lunaçek që Kosova nuk i plotëson kushtet për liberalizimin e vizave, ka qenë e gabuar dhe këtë e ka kuptuar edhe ajo dhe është munduar ta përmisojë. Sipas kryeministrit, Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kushtet.

“Unë pres që liberalizimi i vizave të ndodhë këtë vit”, tha Thaçi.

Lidhur me qeverisjen e ardhshme, kryeministri u shpreh i sigurtë që PDK-ja do të fitojë zgjedhjet. Sipas tij, do bëhet një kualicion i fuqishëm me partnerë respektiv.

“Jemi dakorduar me të gjitha partitë që të kemi zgjedhje të koordinuara. Gjatë ditëve të ardhshme do të takohemi për të caktuar datën. Është e rëndësishme që të kemi zgjedhjet e mira në mënyrë që institucionet që dalin të jenë në rregull. Askush nuk e ka monopolin për të caktuar datën. Do të dalim së bashku. Unë respektoj opinionin e shumicës”, tha kryeministri Thaçi, i pyetur për datën e zgjedhjeve.

5 milionë euro për fëmijët e sëmurë janë gati

“Shpesheherë Presiedenca, Parlamenti, në mënyrë të heshtur kanë rritur pagat duke pasur një konsensus mes veti, ndërkohë që kur u rritën pagat e punëtorëve patën reagime”, tha kryeministri Thaçi, duke thënë që ka qenë i lumtur që këto fonde pati mundësi ti orjentojë drejt krijimit të një fondi për fëmijët e sëmurë nga kanceri, leukemia. Sipas tij, institucionet mund ti shfrytëzojnë paratë menjëherë.

Këto deklarata kryeministri i dha në një intervistë që është duke u zhvilluar aktualisht në emisionin Interivstë, në RTK.

“Ajo çfarë dëshirojë të theksojë është se çdo gjë ka qenë e planifikuar nga ekspertët me përjashtim të zhurmës elektorale. Është krejt e panevojshme sepse qytetarët, pensionistët, punëtorët janë të të gjitha partive politike. Është rritja e dytë në mandatin tim dhe përfshin të gjitha strukturat”, ka thënë kryeministri, duke i numëruar të gjithë ata që kanë përfituar rritjen e rrogës.

“Nuk mund të rriten pagat çdo muaj, është rritur performansa, kursimet në mënyrë që të mos ketë reagime nga FMN-ja dhe ju e shihni se nuk ka pasur asnjë reagim nga këto institucione”, tha tutje kryeministri.

Përurohet libri i Rifat Ismajlit

0

Prishtine-SkenderbeuNë Prishtinë është përuruar libri “Udhët e një jete” i autorit Rifat Ismaili. Ky libër është një përpjekje për ta pasqyruar karakterin e Isa Boletinit, i cili është paraqitur si i pandryshueshëm.

Libri “Udhët e një jete” i autorit Rifat Ismaili, i cili u promovua sot u vlerësua përpjekje artistike për të pasuruar siç u tha letërsinë shqipe qëllimore.

Autori i librit, Rifat Ismaili, tha se është munduar që përmes këtij libri të sjellë karakterin e Isa Boletinit i cili është paraqitur si i pandryshueshëm. Sipas tij, i gjithë rrëfimi sillet rreth temës së fatit tragjik shqiptar.

Rifat Ismaili ka botuar edhe nëntë vepra të tjera si “Aspekte të prozës sonë”, “Udha e korbave”, “Arkivoli në shi” e të tjera.

Fati i Ramadan Mujës në dorën e Ministrisë së Pushtetit Lokal

0

Ramadan Muja 2

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, tha se Muja ka qenë shembull i qeverisjes në këtë komunë.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Berat Buzhala, thotë se komuna nuk duhet lejuar që për shkak të hapjes së vendeve të punës t’ia japë në shfrytëzim pronën komunale një krimineli, i cili mund të investojë në atë pronë.

“Ti mundesh një mafiozi me i kriju mundësi e ai me hapë vende të punës këtu e edhe ti vazhdimisht me u thirr që na i shtinim 100 veta në punë”, tha Buzhala.

Por Buzhala tha thotë se nëse shkohet në zgjedhje të reja në Prizren, PDK nuk do të fitonte.

Nga ana e tij, zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, tha se Muja ka qenë shembull i qeverisjes në këtë komunë.

Ai tha se, po e presin vendimin e Ministrisë së Pushtetit Lokal për interpretimin e vendimit të Ramadan Mujës për pezullimin e postit të kryetarit të Prizrenit.

Por Berisha, nuk tha se cilët hapa do t’i ndjek PDK në këtë komunë, nëse MAPL, thotë se vendimi i Mujës, nuk ka bazë ligjore.

Ndërkohë, pas rrethanave të krijuara në Prizren, tashmë ish-nënkryetari i Prizrenit Ruzhdi Rexha dha dorëheqje nga kjo pozitë.

“Unë thjesht nuk kam mujtë, ndërgjegjja ime nuk ka lejon që të vazhdoj më tepër që të jem pjesë e atij subjekti politik”, tha Rexha, në emisionin “Jeta në Kosovë” në RTK.

Fondacioni i partisë së Merkelit kritikon ashpër qeverisjen e PDK-së

0

Thaci Merkel(E plotësuar)Fondacioni politik gjerman “Konrad Adenauer” i Partisë Kristiandemokrate të Gjermanisë (CDU), parti kjo në pushtet ka realizuar një analizë për Kosovën të titulluar: Kosova në përgatitje të zgjedhjeve parlamentare. Analiza është realizuar nga analistja Anja Czymmeck.

Analiza e plotë për skenën politike të Kosovës para zgjedhjeve të reja parlamentare:

Vitin e kaluar, më 19. 04. 2013 është arritur një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, e cila ka kontribuar për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe e cila njëkohësisht shtron rrugën evropiane. Se si do të zhvillohet ky proces i dialogut këtë vit, që në fakt kushtëzohet nga jetësimi në praktikë i marrëveshjeve të arritura, kjo do të varet shumë nga rezultati dhe konstituimi i parlamenteve dhe qeverive në të dyja vendet, që do të dalin nga zgjedhjet e reja që mbahen këtë vit.

Më 17 .03.2014 u mbajtën zgjedhjet në Serbi nga të cilat partia përparimtare e Aleksandër Vuçiqit prin me një rezultat absolut shumicë. Njeriu i fortë, Vuçiq dhe partia e tij pritet të vazhdojë kursin evropian drejt BE që i ka dhënë vendit edhe statusin e kandidatit.

Edhe në Kosovë përgatitjet për zgjedhjet e reja parlamentare janë në vlug. Ndonëse ende nuk është përmbyllur plotësisht reforma zgjedhore dhe nuk është sqaruar ende se çfarë do të ndodh me vendet e rezervuara të minoriteteve në parlamentin e Kosovës, partitë më të mëdha parlamentare janë marrë vesh që zgjedhjet e radhës të mbahen kah mesi i qershorit. Dhe është pikërisht kjo marrëveshje e bërë në prapavijë midis partive politike që ka bërë Kosovën të përgatitet për zgjedhje. Rezultati i zgjedhjeve në Serbi si dhe diskutimet që po zhvillohen për ngritjen e një Tribunali ndërkombëtar për hetimin e krimeve të supozuara se janë kryer gjoja nga pjesëtarët të UÇK-së, do luajë një rol në skenën politike të Kosovës.

Themelimi i një Tribunali të tillë po refuzohet nga shumica e parlamentarëve në Kuvendin e Kosovës me arsyetimin e UÇK-ja ka qenë ushtri çlirimtare dhe jo grupe terroriste. Shumica e deputetëve të Parlamentit të Kosovës e konsiderojnë të padrejtë që ish pjesëtarët e UÇK-së të akuzohen jashtë Kosovës dhe frikësohen se kjo do ti shkaktonte dëme të pariparueshme imazhit të vendit.

Faktorët e brendshëm që kanë kontribuar për mbajtjen e zgjedhjeve në mes të qershorit, mes tjerash është situata e brishtë e krijuar brenda PDK-së e cila udhëheq me qeverinë. Aktualisht kjo parti ka vështirësi të vazhdueshme për të krijuar shumicën në parlament për shkak të përçarjeve dhe zënkave midis anëtarëve prominent të të parisë si janë kryetari i parlamentit Jakup Krasniqi dhe ish ministri i transportit Fatmir Limaj, gjë që ka dobësuar partinë në mënyrë ekstreme.

Në Kosovë ekziston besimi megjithatë se përkundër disa problemeve në veri të vendit, zgjedhjet komunale që u mbajtën më 2013 do të kenë një efekt pozitiv në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe se këto zgjedhje do të jenë më të mira se zgjedhjet parlamentare të vitit 2010, të cilat, sipas vlerësimeve ndërkombëtare ishin përcjellë nga mashtrimet dhe manipulimet e votës.

Kosova nuk i ka kryer detyrat e shtëpisë për sa i përket reformës zgjedhore. Kjo çështje është evidencuar edhe si sfidë nga raporti i progresit i BE-së për vitin 2013, ku thuhet se kryerja e reformës zgjedhore do të garantonte mbajtjen e zgjedhjeve sipas standardeve evropiane. Për një reformë të re nuk ka kohë por pas zgjedhjeve kjo çështje do të duhej të ishte prioriteti kryesor i Kosovës. Është me shumë rëndësi që Bashkësia Ndërkombëtare ashtu si në zgjedhjet komunale të tregojë një prezencë të fuqishme monitoruese në Kosovë, në mënyrë që të mos ketë vend për manipulim të zgjedhjeve.

Një problem tjetër që ka mbetur i pazgjidhur është çështja e ulëseve të rezervuara për minoritetet në Parlamentin e Kosovës. Në Parlamentin e Kosovës prej 120 vendeve, 20 janë të rezervuara për minorite (dhjetë për serbë dhe dhjetë për minoritete të tjera). Përveç kësaj, minoritetet mund të fitojnë mandate shtesë edhe në zgjedhjet e drejtpërdrejta. Aktualisht ka një debat për çështjen e vendeve të rezervuara. Përfaqësuesit e minoriteteve në anën tjetër po kërkojnë ti mbajnë këto vende dhe thonë se mbajtja e vendeve të rezervuara do të ishte një dëshmi se ata janë të dëshiruar në institucionet e Kosovës.

Në anën tjetër ka një kundërshtim në radhët e partive shqiptare që thonë se minoritet përbëjnë më pak se dhjetë për qind të popullatës se Kosovës, ndërsa me Kushtetutë atyre u sigurohet 17 për qind të vendeve në Parlament. Gjithashtu ekziston frika se përmes një mobilizimi të serbëve në zgjedhjet e drejtpërdrejta, duke pasur parasysh edhe vendet e rezervuara, minoritet mund të marrin shumë fuqi politike në Parlament dhe mund të rrezikojë demokracinë edhe ashtu të brishtë në Kosovë.
Përfaqësuesit e minoriteteve në Parlament ndërkaq, me qëllim të ushtrimit të presionit për të mbajtur vendet e rezervuara kanë kushtëzuar votimin e tyre për vendimin e shndërrimit të FSK-së në ushtri të ardhshme të Kosovës.
Për më tepër në zgjedhjet e reja parlamentare do të tregohet nëse integrimi i i veriut dhe shpërbërja e strukturave paralele serbe ka qene një proces i suksesshëm dhe nëse minoriteti në veri është integruar vërtetë në strukturat shtetërore të Kosovës.

PDK
Partia qeverisëse e kryeministrit Thaçi në zgjedhjet e fundit lokale humbi disa komuna, po ajo ia doli megjithatë të mbetej paria më e madhe në vend. PDK në zgjedhjet e radhës shpreson të marrë votën e elektoratit besnik, por jo edhe të atyre që janë të pakënaqur me gjendjen e keqe ekonomike, papunësinë dhe korrupsionin. Partia qeverisëse PDK, për shkak të përçarjeve të shkaktuara brenda saj nga kryeparlamentari Krasniqi dhe ish ministri i komunikacionit Limaj, ka qenë objekt i shumë titujve negativ në media. Të dy politikanët tani kanë themeluar partinë e tyre me emrin NISMA (Nisma për Kosovën), e cila mund t’i sjellë vështirësi PDK-së, sepse do të marrë nga elektorati i saj. Kryeministri Thaçi njëherazi kryetar i partisë, po përpiqet që këtë trend negativ të tejkalojë me një paralajmërim popullor për rritjen e pagave për 25 për qind, gjë që nuk e është e qartë se si do të financohet.

LDK
LDK në zgjedhjet e fundit komunale ka humbur Prishtinën, kryeqytetin e vendit, por ka fituar në disa prej komunave të rëndësishme, duke u etabluar si forca e dytë në vend. Kryetari i kësaj partie Isa Mustafa ka shfaqur shpresën për fitore në zgjedhjet parlamentare dhe pret të marrë përgjegjësinë e qeverisjes.
Se me çfarë koalicioni mund ta arrijë ai këtë, ende nuk është e qartë, sepse përditë ka zëra dhe thashetheme të reja. Pas ndarjes nga kjo parti të një krahu që themeloi LDD në vitin 2006, që quan në humbjen e kësaj partie në zgjedhjet e vitit 2007, kryetarit të kësaj partie Isa Mustafa i ka shkuar për dore të rregullojë strukturat brenda partisë dhe të anëtarësojë LDK-në në Partinë Popullore Evropiane (EVP) ku në vitin 2012 LDK është pranuar në cilësinë e partisë vëzhguese.
Nëse atij dhe LDK-së di ti shkojë për dorë që në zgjedhjet e radhës të kapitalizojë dobësitë e shfaqura në PDK para së gjitha për shkak të Nismës, duke mobilizuar elektoratin e LDK-së, se PDK-ja ka qeverisur gjatë – atëherë mbase kjo mund ta ndihmojë suksesin e LDK-së në këto zgjedhje.

AAK
Kjo parti jeton nga personaliteti karizmatik i ish kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili momentalisht duket ende i pavendosur nëse do ta mbështesë Thaçin dhe PDK-në, apo do ta luftojë atë. AAK në zgjedhjet e fundit komunale mund të konsiderohet se ka rritur votën e saj elektorale, por megjithatë, ajo ka humbur disa komuna kryesore. Në fund kjo parti mbase mund të dalë si një forcë kyçe për koalicion qeverisës

Vetëvendosje
Në zgjedhjet e fundit komunale me zgjedhjen e Shpend Ahmetit kryetar i komunës së Prishtinës VV ka arritur një sukses të konsiderueshëm. Por asaj tani i ka mbetur të dëshmohet nëse di të qeverisë mirë dhe të dëshmohet si një parti e etabluar. Vota e Prishtinës do të jetë vendimtare për VV në zgjedhjet parlamentare, pasi në zgjedhjet komunale kjo parti ra nga 13 për qind në 8 për qind. Ajo duket se po tërhiqet vazhdimisht midis rrymave përparimtare dhe pikëpamjeve nacionaliste ekstreme . VV aktualisht po sulmon në të njëjtën masë si qeverinë ashtu edhe opozitën. Me gjasë kjo parti do të luftojë për vend të tretë me AAK-në në zgjedhjet parlamentare

AKR
Partia e ish presidentit që në detyrë ishte për një kohë shumë të shkurtë Behxhet Pacolli në zgjedhjet komunale ka shënuar sukses në komunat Gjakove dhe Mitrovicë. Megjithatë, do të jetë shumë vështirë që ajo të tejkalojë pengesën prej 5 për qind që të hyjë në Parlamentin e Kosovës.
Të gjitha partitë politike në Kosovë kanë kaluar tashmë në modusin e përgatitjes për zgjedhjet e reja parlamentare dhe retorika elektorale po bëhet përditë më e ashpër. Se kush me kë do të bëjë koalicion ende mbetet e hapur. Mbetet të shpresohet se në parlamentin e ri dhe në qeverinë e re të Kosovës do të fitojë dhe do të përfaqësohen forcat politike që do të vazhdojnë kursin e dialogut me Serbinë dhe të procesit të Stabilizm asociimit, gjithashtu forca që do të angazhohen për liberalizimin e vizave dhe që seriozisht do të angazhoheshin për tejkalimin e problemeve me të cilat po ballafaqohet vendi.

Buja: Fakulteti i Edukimit, shtyllë e gjithë Universitetit Publik

0

Buja-trajnimi mesimdhenesveMinistri i Arsimit, Ramë Buja, mori pjesë sot në ceremoninë përmbyllëse të projektit “Trajnimi i Mësimdhënësve, Ngritja e Kapaciteteve për Komunat dhe Drejtorët e Shkollave”, i cili është financuar nga Bashkimi Evropian.

Buja theksoi se sukseset në reformimin e Fakultetit të Edukimit dhe trajnimit të mësimdhënësve janë inkurajuese, ndërkaq shtoi se Fakulteti i Edukimit është shtylla e gjithë Universitetit Publik “Hasan Prishtina” dhe më gjerë.

Duke folur për rëndësinë e projektit“Trajnimi i Mësimdhënësve, Ngritja e Kapaciteteve për Komunat dhe Drejtorët e Shkollave”, ministri Buja vlerësoi se projekti është realizuar me sukses dhe në funksion të realizmit të synimeve të Ministrisë së Arsimit, sa i përket ngritjes së cilësisë dhe reformimit të Fakultetit të Edukimit.

Ndërsa, Christof Stock, udhëheqës i sektorit për bashkëpunim në Zyrën e BE-së, tha se ky projekt ka qenë një shembull i mirë i bashkëpunimit në mes të përfituesve siç janë: Ministria e Arsimit, Fakulteti i Edukimit, komunat, shkollat dhe partnerëve donatorë, GIZ dhe USAID, ndërkaq është shprehur i gatshëm që të vazhdohet ky nivel i bashkëpunimit dhe me projekte të tjera të ngjashme, në funksion të ngritjes së cilësisë në arsim.

Dekani i Fakultetit të Edukimit, Ethem Çeku, nga ana e tij tha se, Fakulteti i Edukimit po e merr rolin që i takon, në zhvillimin e mësimdhënësve në sistemin parauniversitar.

“Shota” mori çmimin e parë në Agrigento të Italisë

0

SHKA ShotaAnsambli “Shota” ka fituar vendin e parë në edicionin e 59-të të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit në Agrigento të Sicilisë në Itali, i cili u mbajt prej 11 deri më 17 mars.

Trupa artistike e valltarëve nga Kosova ngadhënjeu në këtë festival në mesin e 13 ansambleve nga vendet e ndryshme të botës. Pas ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve, në këtë kategori u renditën Meksika dhe Serbia që ndanë vendin e dytë dhe Hungaria në vendin e tretë.

“Shota” ishte në konkurrencë me Ansamblin profesionist të Transilvanisë (Rumani) për çmimin kryesor të festivalit “Tempulli i artë”, që përfshinë ansamblin më komplet në të gjitha kategoritë e vlerësimit vallëzim, orkestër, defile, kostumografi…

“Duhet cekur se ansambli rumun fitoi në këtë garë me një diferencë prej 6 pikësh nga 500 të mundshme edhe për faktin se ishte në numër më të madh, në ndërkohë që ansambli ynë udhëtoi me përbërje të reduktuar pas limitimit ad-hoc të numrit nga ana e organizatorit”, thuhet në njoftimin për media të Ansamblit “Shota”.

Kjo ishte pjesëmarrja e dytë e Ansamblit “Shota” në këtë festival. Në pjesëmarrjen paraprake, në vitin 2007, ky ansambël ishte shpërblyer me vendin e tretë.

Viktimat e dhunës seksuale përfshihen në projektligj

0

KuvendiKosoves5-27Me 69 vota për, 9 vota kundër dhe një abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre.

Megjithatë, për disa nga deputetët mbetet diskutabile çështja financiare në zbatimin e këtij projektligji.

Për Time Kadrija, deputete e AAK-së, ky projektligj është i mirëseardhur pasi këtu janë përfshirë edhe femrat e dhunuara gjatë luftës.

“Me këtë projektligj po mendojmë që në një farë forme është një shpresë për të gjitha ato gra që do të trajtohen në mënyrë institucionale të cilat do të kenë edhe beneficione materiale edhe beneficione të tjera. Janë të përfshira të gjitha ajo çka është debatuar në seancë është për një kategori të viktimave civile dhe ky projektligj ka qenë në plotësim- ndryshim. Dhe plotësim- ndryshimi ka ardhur për përfshirjen e femrave të dhunuara, ndërsa, edhe viktimat civile të cilat u debatuan sot kategoritë e tjera janë të përfshira në ligjin bazë”, ka thënë Kadrija.

Ndërsa, për deputeten e LDK-së, Alma Lama në këtë projektligj e keqja është që nuk është miratuar buxhet i cili do t’i vinte në ndihmë sado pak këtyre viktimave.

Ajo ka thënë se Komisioni për Shëndetësi ka propozuar që për këtë kategori të ndahen rreth 74 milionë euro.

“Pas më shumë se një viti kur është bërë leximi i parë i këtij projektligji tash më sot ia dolëm që të miratohet më shumë vonesë në këtë projektligj janë përfshirë viktimat e dhunës seksuale, mirëpo, e keqja është që nuk është miratuar buxhet i cili do t’i vinte në ndihmë sado pak këtyre viktimave”, ka thënë Lama.

Ndryshe, Kadrija, ka thënë se sipas disa shifrave thuhet se janë diku rreth 20 mijë gra të dhunuara gjatë luftës, mirëpo, sipas saj nuk ka shifra zyrtare. Ajo tha se në ligjin që është miratuar është lënë një hapësirë kohore rreth 4 vjet që femrat kanë mundësi të lajmërohen.

Kadrija i ka ftuar viktimat e dhunuara seksualisht gjatë luftës që të aplikojnë për beneficione pasi sipas saj nuk është turp ajo çfarë u ka ndodhur.

Kastrati: AAK nuk përzihet në vendimet e Mujës

0

Fatmir kastarti AAKAleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) në Prizren, nuk ka ndonjë qëndrim rreth dënimit të kryetarit të Komunës, Ramadan Muja. Kryetari i Degës së AAK-së, Fatmir Kastrati thotë se AAK-ja nuk përzihet në punën e kryetarit Muja.

“Ne nuk përzihemi në punën e Mujës. Është çështje individuale e tij se si reflekton”, thotë Kastrati për “PrizrenPress”.

Koalicioni AAK-LDD,pas zgjedhjeve të fundit lokale, bashkëqeverisin me PDK-në në Prizren.Ky koalicion në balotazhin e 1 dhjetorit të vitit të kaluar ka mbështetur kandidatin e PDK-së, Ramadan Muja.

Kastrati tregon se përkundër zhvillimeve të fundit koalicioni AAK-LDD me PDK-në është stabil.

“Ne jemi në koalicion me PDK-në dhe bashkëqeverisja në Ekzekutiv është duke shkuar mirë”, thotë Kastrati./PrizrenPress.com/

Adios Ramadan! Shkelës ligji dhe i vet-përqeshur!

0

AstritGashi-gazetarShkruan: Astrit Gashi

Ramadan Muja i Prizrenit, nuk më ngjanë se ka probleme vetëm me ligjin- të cilin e shkeli dhe për këtë e dënoi gjykata- por ai sot tregoi se ka problem edhe me “common sense” pra me logjikën e shëndoshë.”Plaku i artë” i PDK-së për Prizrenin, të martën, vendosi që ta “pezulloj” veten nga detyra e kryetarit të Prizrenit.

I madh e i vogël u quan të thonë se kjo është shkelje e ligjit, në mesin e tyre përmes një zyrtari të lartë u shpreh për Gazetën Blic (www.gazetablic.com) edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, që tha se ligji u shkel.

Nuk ka asnjë dyshim se me ligj një udhëheqës, një i emëruar ka vetëm dy opsione: dorëheqjen ose shkarkimin.

Meqenëse ligji nuk është një shpikje jashtëplanetare, provizionet e tij bazohen ndër tjerash në “common sense”.

Pra ne diçka që bënë, që është e bëshme, që ka rrjedhë e ka arsyetim- në diçka që është thjeshtë normale dhe e zakonshme, e logjikshme- pra tokësore dhe jo diçka laboratorike.

Muja i Prizrenit, i zënë në mes nga Thaçi që i kërkoi të mos tërhiqej nga kryetari dhe frika se mund të detyrohet nga protestat qytetare që të lë postin, gjeti një gjysme zgjidhje- tha po e pezulloj postin e kryetarit.

Po çfarë veprimi i pa logjikshëm ishte ky “pezullimi” se! Nuk mundet askush të ja pezulloj postin vetes për një kohë të caktuar. Po të ekzistonte kjo mundësi jam i bindur që shumëkush, përfshirë edhe Thaçin do ta pezullonte detyrën e kryeministrit për ndonjë javë e muaj- dhe thjeshtë të ikte diku për pushime. Apo ta zëmë edhe kolegu im Arben Ahmeti, ishte për nja 1 muaj nga detyra e redaktorit përgjegjës të Tribunës, edhe ish dal në protesta kundër Mujës në Prizren, ta zëmë. Plus që rroga i kish ecë.

Pra “common sense” apo logjika e shëndoshë se rrokë që të “vet-pezullohesh” aq sa nuk e rrokë as që të “ vet-përjashtohesh”.

Njeriu për veten e tij mund të vendos vetëm të shkoj, pra të dorë-hiqet. Për pezullim ashtu si edhe për përjashtim, atëherë kur e lejon ligji- mund të vendos vetëm dikush tjetër.

Muja e ka duplifikuar veten!

Këtë punën e “pezullimeve” e mbajë mend si një shpikje të UNMIK-ut. Por as edhe te ata ajo nuk vlente për zyrtarë politik e të emëruar, por kryesisht për disa drejtorë e punëtorë të Ndërmarrjeve Publike, që prokuroria kishte nisur hetime, jo gjykim dhe për të cilët besohej se ndjekja nuk ishte konfirmuar dhe gjykohej e padrejtë. Këtyre për me u përshtatë me qeverisjen moderne të korporatave, vendosej tu pezullohej detyra deri në përfundim të hetimeve.

Gatë pezullimit ata herë paguheshin e herë jo. Por sapo që të konfirmohej akuza, të mos flasim për vendime gjyqësore- pezullimi ndërpritej, ndërsa përjashtimi ishte punë e kryer.

Ramadan Muja, thjeshtë nuk është dashtë me ra kaq poshtë edhe personalisht. U dashtë me bë atë që do të detyrohet ta bëjë, pra të dorë-hiqet.

Si përkujtim as ish- rektori Ibrahim Gashi nuk donte të dorë-hiqej- dhe atij Kryeministri i kërkonte të rrinte…por vetëm deri në një moment.

E di që Prizreni për Thaçin është si Jerusalemi- prandaj edhe donte ta mbante me çdo kusht Mujën- edhe të vet-përqeshur. Për ta mbajtur Jerusalemin e ka.

Por, nuk e besoj që Prizreni do të ulë kokën dhe do të pranoj që në krye të qytetit ta ketë një të dënuar nga Gjykata. Ta mbajë sot në krye të tij, atë që pikërisht për shkak të gjykimit nuk është dashur ta zgjedhë pikësëpari.

Në Kosovë, kemi pranuar e kemi duruar shumëçka mund të thotë ndonjëri- por, Prizreni nuk e ka për obligim me na përcjellë.

Adios Ramadan Muja!

Në histori ke me hy jo vetëm si shkelës I ligjit- por ndoshta edhe si i “vet-pezulluari” i parë dhe i vetëm i politikës kosovare./Gazeta Blic/