Home Blog Page 8081

Po përdoren droga shumë të rrezikshme

0

Droga pluhur14-27Në Kosovë kanë filluar të përdoren disa droga të reja kimike shumë të rrezikshme për shëndetin e njeriut. Përbërja e tyre variron nga substancat e përdorura në industri e deri te materialet për mirëmbajtje sanitare.

Rreth 1,200 persona në Kosovë janë përdorues të substancës narkotike të llojit heroinë, që njihet si njëra nga drogat më të dëmshme.

Drejtues të qendrës mediko-psikoterapeutike “Labyrinth” thonë se nuk ka rritje të përdorimit të kësaj droge, transmeton RTK.

Për udhëheqësin e kësaj qendre Safet Blakaj shqetësuese është futja në treg e llojeve të reja të drogave kimike që krijohen nga substancat të cilat përdoren në industri si dhe materiale për mirëmbajtje sanitare.

Në Evropë tashmë ekzistojnë 300 lloje të drogave kimike e disa prej tyre përdorën edhe në Kosovë tash e dy vjet, të cilat sipas Blakajt po përhapen shumë shpejt.

Këto lloje të drogave kimike janë substanca GHB e cila është akronim i formulës (Gama Hidor Galbulin) e që përmban elemente kimike siç janë zbardhuesit dhe pastruesit e ndryshëm të automjeteve.

Çmimi i këtyre drogave të reja është edhe më i lirë se sa marihuana.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës thonë se kanë informacione për llojet e reja të drogës që përdorën në Kosovës, mirëpo deri më tani nuk kanë trajtuar asnjë rast.

Suharekë: Delet preken nga sëmundja “gjuha e kaltër”

0

Delet ne suharekGjithë verën e kishte kaluar me dele në bjeshkë. Por, vetëm 10 ditë më pas Jahir Kurtishajt nga fshati Grejkoc i Suharekës i kanë ngordhur 7 dhe i janë sëmurë mbi 30 dele.

Me “gjuhën e kaltër”, siç njihet ndryshe sëmundja që po mbyt delet, Kurtishaj nuk ishte përballur asnjëherë. Por, edhe pse po ndjek udhëzimet e veterinerëve, ai nuk beson se delet e sëmura do t””i shërohen.

“Pas 10 dite që kam zbrit nga bjeshka është paraqit sëmundja. Nuk e kam ditë, por pas kontaktimit të fermerëve tjetër më kanë treguar se sëmundja është përhapur”, ka theksuar fermeri Jahir Kurtishaj.

“Katastrofë, sen nuk po hanë, tri katër ditë edhe po shkon delja”.

Edhe Sylejman Hasani nga një fshat afër Grejkocit, është duke u përballur me delet e prekura nga e njëjta sëmundje. Atij i kanë ngordhur 35 krerë delesh, ndërsa 10 të tjera i ka të sëmura. Hasani ka rreth 200 krerë delesh dhe druan se mund t””i sëmuren edhe ato.

“Deri tash 35 dele më kanë ngordhur, po i varrosi se po më thonë që as qentë mos t’i hanë, nëse më ngordhin kam mi qu para ministrisë në Prishtinë. Drejtori i pa, e më tha që nuk është rrezik për njerëzit”, ka thënë Sylejman Hasani, fermer nga fshati Baqevc.

Sëmundja nga “gjuha e kaltër”, ka shqetësuar zyrtarët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Ata thonë se kanë marrë veprimet e nevojshme për ta tejkaluar këtë sëmundje.

“Në të gjitha rastet fermerët vizitohen dhe këshillohen për veprimet të cilat duhet t””i ndërmarrin ndaj kafshëve që dyshohen si të prekura”, ka thënë Valdet Gjinovci, kryeshef i AUV-it.

E në prag të festës së Kurban Bajramit, Gjinovci ka apeluar të shitësit e kurbaneve që në asnjë mënyrë të mos i shesin ato pa kontrollin e veterinerëve.

“Për t’u realizuar shitja duhet të bëhet kontrolli para therjes. Apeli për konsumatorët është që delet që i ka prekur sëmundja të mos blihen dhe të konsultohet me veterinarin”, ka shtuar Gjinovci.

“Si çdo fermer edhe unë kam prit që për Bajram do të tregtoj diçka, por shëndeti i njeriut nuk krahasohet me jetën e njeriut. Natyrisht që kemi humbje por nuk duhet t’i shesim. Unë nuk jam i interesuar t””i shesë në këtë gjendje”, ka thënë fermeri Jahir Kurtishaj.

Në Agjencinë e Veterinarisë thonë se deri tani kjo sëmundje nuk mund të parandalohet, por vetëm të mjekohet. Që nga shfaqja “gjuhës së kaltër” në Kosovë deri tani kanë ngordhur mbi 170 krerë dele../rtk/

Begaj, inspektoi punimet në katër rrugë

0

Terpeze-begajKryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm, Urim Kastrati, kanë inspektuar punimet në asfaltimin e katër rrugëve në Komunën e Malishevës, përkatësisht tri rrugë në Tërpezë dhe një rrugë Turjakë, ku aktualisht janë duke u asfaltuar këto rrugë.

Begaj dhe Kastrati, janë ndarë të kënaqur me ecurinë e punimeve në rregullimin e këtyre rrugëve dhe në asfaltimin e tyre, ndërsa rregullimi i infrastrukturës së përgjithshme vazhdon të mbetet prioritet i qeverisë komunale dhe në të njëjtën kohë përmbushje e premtimeve për rregullimin e rrugëve dhe investimeve tjera të nevojshme, në ato vende ku asnjëherë nuk i kanë ndier investimet e shtetit, për rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Nga ana tjetër, banorët e këtyre dy fshatrave, e kanë falënderuar kryetarin Begaj, jo vetëm për rregullimin e rrugëve, por edhe për përkrahjen që po ju ofron banorëve të këtyre fshatrave dhe në veçanti të këtyre lagjeve, të cilat deri më tani kanë pasur probleme në lëvizjen e tyre, për shkak të rrugës.

Përderisa në Tërpezë është shtruar rruga për lagjen e Muhaxherëve dhe në dy lagje tjera brenda fshatit, në Turjakë është duke u asfaltuar rruga e lagjes së Berishëve, të cilët po ashtu, deri më sot, kanë pasur problem në qarkullimin e tyre, pasi rruga ka qenë në gjendje të rëndë dhe gati e pakalueshme për makina.

Rrëfimi i poetes: Jam zotëruesja e çelësit tim

0

Rita Petro, poeteRita Petro ka shkuar para… këtë e shpreh hapur dhe poezia e saj, që thyen tabu, por këtë e ka thënë edhe kritika: “… një rast ky atipik për letrat shqipe, kur thelbi i poezisë së një autori përputhet me thelbin e qenies së tij”. Por sa e lehtë është të shkruash poezi erotike pa u ndier e paragjykuar në Shqipëri? “Me siguri do jem paragjykuar, por nuk e kam ndier, pasi nuk jam marrë asnjëherë me këtë gjë. Poezia shkruhet në vetën e parë, nuk është si proza që t’i mbulon “horrllëqet” me vetën e tretë. Nëse do vërtet të jesh poet i suksesshëm ka vetëm një rrugë, të sfidosh realitetin mbytës që vjen nga shoqëria përreth, por mbi të gjitha egoizmin e njerëzve me të cilët ti jeton… ata janë armiqtë më të mëdhenj të lirisë tënde… ata janë të parët që ushqejnë autocensurën tënde”. Kështu shprehet poetja Rita Petro, në një intervistë për “Shekulli”-n. Ajo tregon detaje nga fëmijëria e saj, lidhja e saj me prindërit, liria dhe poezitë e ruajtura në sirtar, por edhe marrëdhënia e saj me vajzën, Sofianën dhe bashkëjetesa me Latif Ajrullain.

Si ka qenë fëmijëria juaj Rita? E lumtur, e lirë, e frikësuar? Diçka që të është fiksuar prej saj?

Sot mendoj se padyshim kam kaluar një fëmijëri të lumtur, me prindër që na kanë mësuar mua dhe motrës sime të çmojmë dashurinë e miqësinë dhe të vlerësojmë punën dhe njerëzit e punës. Kur isha e vogël mendoja se më mungonte liria. Prindërit e mi, veçanërisht babai ishte natyrë e rreptë, për sa i përket disiplinës dhe mua kjo disiplinë më dukej si mungesë lirie, ndërsa ime motër as që shqetësohej fare nga kjo. I kisha zili familjet fqinje me shumë fëmijë, të cilët nuk hanin e nuk flinin me orar. Më e sigurt ndihesha kur mbyllesha në banjë e bisedoja gjatë me zë me personazhet e trilluara në kokën time. Por, tamam ndjesinë e lirisë mendoj se e kam përjetuar për herë të parë ditën kur vdiq gjyshja. Në fakt e doja shumë, pavarësisht se në atë moshë nuk e kupton se do më shumë akulloren, mamin apo qenin. Pikërisht atë ditë në atë atmosferë zymtie që kishte rënë për herë të parë në shtëpinë tonë, unë ndjeva një ngazëllim djallëzor: “Më në fund më takonte mua çelësi i shtëpisë…unë do ta varja atë në qafë dhe nëse do ta kyçja veten apo do ta nxirrja jashtë për të luajtur, ishte në dorën time, sigurisht deri çastin kur prindërit do të ktheheshin nga puna. Më vonë në adoleshencën e hershme ndihesha vajza më e lumtur në botë kur babai ikte me shërbim. Nëse do të më pyesje tani se kaq gardian burgu paska qenë babai yt? Do të përgjigjesha: “Jo aspak, vetëm mungesa e hijes së pushtetit të tij në shtëpi më jepte ndjesi lirie…pa le kur iknin ndonjëherë në ndonjë qytet tjetër me mamanë…kënaqësia ishte e pafund. E pra, mjafton të hapje krahët as i majti, as i djathti nuk cekte as te njëri as te tjetri prind. Ndihesha e lirë…”.

E ke ende sot në qafë këtë çelës?

S’e kam hequr asnjëherë nga qafa…ha ha ha… e burgos apo e çliroj veten kur dua unë dhe jo kur do babai, i dashuri, bashkëshorti, shefi, kryeministri apo Zoti vetë, që mendon se ka në dorë çelësin tim.

I mban mend shkrimet e para, poezinë e parë?

Nuk më ka mbetur në mendje, vetëm e di se fillimisht kur kam shkuar në shkollën 9-vjeçare bëja poezi dhe hartime me porosi. Veçanërisht më vinin të shkruaja skenarët e aktiviteteve festive. Me siguri i kam bërë sipas shijeve të tyre. I vetmi vend ku shkruaja gjëra të çuditshme ishte ditari im. Një shoqja ime, kujdestarja e klasës ma mori fshehurazi dhe ia dha mësueses. Skandal u quajt ditari im, ku unë përfytyroja se si me puthte një djalë sportist që kalonte poshtë dritares sime çdo mëngjes. U ndjeva shumë e turpëruar nga kjo, e veçanërisht e mërzitur, se mamaja kishte bërë posaçërisht një foto dhe nuk ia vunë tek tabela e prindërve me fëmijë të dalluar. Në gjimnaz pata fat më të madh…, nisa të shkruaja një roman dashurie me shumë episode dhe të gjithë dorëshkrimin tim e kalonin dorë më dorë, kur ishim në aksion apo stërvitje ushtarake. Problemi më i madh ishte fundi i romanit, do ndaheshin apo do bashkoheshin të dashuruarit. Kisha shumë presion për t’i bashkuar dhe pas shumë peripecive romani im i kënaqi të gjithë me fundin e tij të lumtur. Poezi kam shkruar që në gjimnaz, por poezi vërtet me një frymë tjetër nisa të shkruaja në kohën e fakultetit. Por, gjithnjë kam menduar se poezitë e mia ishin poezi sirtari. Se në atë kohë vargjet me komunikim intim me lexuesin të gjithë poetët i mbanin në sirtar. Mbaj mend që kam shkruar një poezi “Ringjallja ime” (as e di ku e kam sot), ku unë e shihja veten lakuriq në rrugë, të goditur nga të gjithë, të kryqëzuar si Krishti, por pas kësaj të ringjallur me një dritë shkëlqimtare që s’e kisha patur kurrë më parë. Dhe befasia më e madhe ka qenë kur rastësisht në kompjuterin e vajzës lexoj një poezi me titull: “Dola lakuriq në rrugë…pak a shumë i njëjti imazh”.

“Sikur një aparat do na skanonte mendjen, asnjë çift nuk do kishte jetëgjatës

Meqë e përmendët vajzën, a mund të thoni diçka për marrëdhënien tuaj?

Vajza ime është fryt i një martese të ardhur nga lidhja ime e dashurisë me ishbashkëshortin tim. Sofiana është rritur me shumë dashuri e përkujdesje. Një fëmijë e kupton intuitivisht kur prindërit e duan njëri-tjetrin, po kështu edhe gjyshja apo gjyshi që jeton me ta duhen, ndihmohen dhe respektohen. Kjo është shumë e rëndësishme dhe ndikon mjaft pozitivisht te fëmija. Nga ana tjetër, unë s’kam qenë asnjëherë një mama që i merr frymën fëmijës dhe e bën atë të lidhur varësisht ndaj “fustanit” të saj, përkundrazi e kam shtyrë atë gjithnjë të dojë gjyshërit, tezen, kushërirat e kushërinjtë, shtojmë këtu dhe shokët e shoqet rreth saj. Këtë gjë sigurisht e kam bërë në mënyrë shumë intuitive, por m’u kthye për mirë se i dhashë liri vetes sime në drejtim të ambicieve profesionale, por dhe në ato shpirtëroret. Kështu që divorci asnjëherë nuk ka qenë për Sofianën një gogol, që ne prindërit i frikësojmë fëmijët, përkundrazi ka vazhduar të rritet me po atë dashuri, në mos më shumë, si në vitet e para të fëmijërisë. Prindërit nuk e kuptojnë se sa egoistë bëhen kur përgjigjet për problemet në jetën e tyre i gjejnë shpejt e shpejt te jetët e fëmijëve të tyre. Kjo liri që unë i dhashë vajzës sigurisht, që ka dhe pjesën e vështirë, se shumë gjëra nuk i ke nën kontroll. Shpesh ajo ka një gjykim të rreptë për disa sjellje të miat apo të babait të saj dhe e shpreh hapur këtë. Nga brenda ndiej një ngazëllim, se nëse nuk i mësojmë fëmijët të kenë guxim të kundërshtojnë vullnetin e prindërve, atëherë ata nuk do ta ngrenë asnjëherë zërin në jetë dhe do të rriten të nënshtruar.

Sa e rëndësishme është dashuria në jetën tuaj?

Për mua dashuria është dhe do të jetë kuptimi i ekzistencës njerëzore, që gjithë jetën ia vlen të luftosh për të. Këtë ndjenjë të fuqishme e kemi brenda vetes dhe materializohet te një person. I gjithë humori ynë i jetës së përditshme varet nga ky “diktator” që ne e duam aq shumë, madje më shumë edhe se njerëzit tanë të shtrenjtë të familjes, ndonëse mund të kemi dhe vetëm një javë, që kemi rënë në dashuri me të. Nuk është turp dhe sakrilegj të thuash se ne gratë kur dashurojmë vërtet, e hipim menjëherë të dashurin në top listën e njerëzve më të dashur, madje aty ku ndodhen fëmijët tanë… E gjitha kjo përligjet me këtë shprehje magjike: “Kam rënë brenda!” Lum për ata që e përjetojnë këtë ndjenjë dhe që e lenë veten të lirë t’i shkojnë deri në fund, pavarësisht se një xhungël i pret përpara e ata i duhet të mbijetojnë në të fshehtat e mrekullueshme e misterioze të këtij pylli, por që është dhe mjaft i frikshëm e i rrezikshëm. Shumica e grave, por dhe e burrave, i ikën kësaj ndjenje që në çastin kur e ndien se po rrezikohet “paqja” baras komoditeti, që kanë krijuar në jetën e tyre. Të tjerët s’kanë nevojë t’i ikin se, s’kanë asnjë prirje drejt këtij përjetimi dhe vetëm të guximshmit ia dalin dhe ia ndiejnë lezetin kësaj ndjenje.

Për hir të kësaj dashurie ju sot bashkëjetoni me njeriun që keni rënë në dashuri para 15 vjetësh, Latif Ajrullai. Si shkon kjo lidhje me njeriun që i përket fushës së shkencave natyrore. Pse keni bërë këtë zgjidhje?

Sepse ai e ka tharmin artistik brenda vetes…dhe jo vetëm atë, por dhe guximin e burrit në moshë për të thyer tabu për hir të dashurisë. Sa për bashkëjetesën është një zgjedhje mjaft e mirë për kushtet ku ndodhemi unë dhe Latifi. Secili nga ne ka detyrimet e tij familjare që i kryejmë pavarësisht nga njëri-tjetri. Nga ana tjetër, ne e kemi kuptuar të dy se nëse do që të të funksionojë një lidhje afatgjatë, respektimi i lirisë së partnerit është kryesorja. Gjithnjë e kam patur inat shprehjen: “Ky i imi” apo “Kjo e imja”. Ne s’jemi të askujt përveç vetes. Sikur një aparat do të skanonte mendjen tonë e të na e lexonte partneri, asnjë çift nuk do kishte jetëgjatësi. E pra, duam apo s’duam nëse na burgosin partnerët brenda mureve të moralit të familjes, askush të mos harrojë se mendjen nuk e burgosin dot. Dhe nëse me mendje ti mendon kënaqësi të pafundme jashtë atyre mureve, atë ndjesi masturbuese askush nuk ta burgos dot. Ajri brenda shtëpisë, sado e mobiluar bukur të jetë bëhet mbytës… e …ajri që thithim jashtë na i mbush mushkëritë plot e na bën njerëz më të mirë, më të shëndetshëm a pa dëshira perverse.

Poezia nuk është si proza që t’i mbulon “horrllëqet”

Cila është çmenduria më e madhe që ke bërë?

Në kohën e dashurisë me Latifin i kam mbyllur atij sytë dhe kemi zbritur për disa minuta nga Kodra e Diellit në Tetovë.

Nuk u trembët?

Sigurisht… Unë pas çdo kthese bërtisja, ndërsa Latifi në romanin e tij, “Kufiri” kushtuar dashurisë sonë, ka shkruar: “…M’u lagën pantallonat, por nuk e jepja veten se doja të tregohesha burrë!”

Cili është hobi juaj?

Noti Freestyle, është njëlloj si në jetë… të dish të mbash ritmin, të kesh nën kontroll frymëmarrjen, t’ia dorëzosh trupin kënaqësisë.

Kë do të cilësonit si momentin më të vështirë në jetën tuaj?

Kur jam larguar nga shtëpia me vajzën ende të vogël, pa lekë dhe me një punë që sapo ishte në hapat e parë. Isha në udhëkryq: Të shkoja prapa e të kthehesha në shtëpinë e prindërve. Të shkoja majtas në shtëpinë që e braktisa; të shkoja djathtas dhe të martohesha me njeriun që doja; të shkoja para duke vazhduar të isha një luftëtare e dashuruar.

Dhe përgjigjja është e qartë… ju Rita shkuat para… këtë e shpreh hapur dhe poezia juaj, që thyen tabu. Siç ka thënë kritika: “… një rast ky atipik për letrat shqipe, kur thelbi i poezisë së një autori përputhet me thelbin e qenies së tij”. A jeni ndier e paragjykuar ?

Me siguri do jem paragjykuar, por nuk e kam ndier, pasi nuk jam marrë asnjëherë me këtë gjë. Poezia shkruhet në vetën e parë, nuk është si proza që t’i mbulon “horrllëqet” me vetën e tretë. Dhe nëse do vërtet të jesh poet i suksesshëm ka vetëm një rrugë, të sfidosh realitetin mbytës që vjen nga shoqëria përreth, por mbi të gjitha egoizmin e njerëzve me të cilët ti jeton… ata janë armiqtë më të mëdhenj të lirisë tënde… ata janë të parët që ushqejnë autocensurën tënde. Dhe unë ia kam dalë kësaj. Të marrim për shembull, dukurinë e besës që unë e kam trajtuar si antimit në poezinë “Besa”. Kjo Besë u kthye në antibesë, nga “Shpirt” u kthye në “Mish” të huaj brenda trupit tim. Dhe pasi mjekët më këshilluan ta hiqja, unë e hoqa, po në trup më mbeti vraga e plagës. Po a mundet një trup pa asnjë shenjë plage ta ketë kryer si duhet detyrën e vet para Zotit kur të shkojë në jetën tjetër? A nuk janë plagët tona shenja se kemi luftuar e guxuar në këtë jetë…dhe përsëri nuk janë ato shenjë më e sigurt se, kjo botë do ndryshojë duke u ricikluar në rritje e jo duke u rrotulluar brenda kufijve e dogmave që e mbysin?

E keni patur të vështirë të mos ngatërroni biznesin tuaj të botimeve dhe të qenit autore e një numri të madh tekstesh shkollore me qenien tuaj si poete. Janë diametralisht të kundërta.

E vërtetë, por as vetë nuk e di se si harmonizohen ato aq bukur në jetën time, saqë jo vetëm nuk më ngatërrohen nëpër këmbë, por harmonizohen në mënyrë perfekte. Të shkruash një tekst të mirë shkollor dhe të jesh e suksesshme në këtë fushë të duhet të punosh nën trysninë e kufijve si programi, kërkesat, aftësitë e nxënësve, të mësuesve, mentaliteti i prindërve etj., etj. Po unë jam munduar brenda këtyre kufijve t’i jap frymën time poetike kësaj pune. Profesionalizmi dhe dashuria me të cilën e kryen një punë janë faktorët kryesorë në suksesin e saj. Po kështu pjesa logjike dhe pragmatiste e biznesit ma bën poezinë time të prekshme, të realët.

Ju u keni premtuar lexuesve se vini me një libër të ri. A ju ka mbetur ende gjë pa thënë e që e keni zbuluar nga brendësia e instinkteve?

Nuk e besoja se, kisha ende për të zbuluar dhe kur e kuptova këtë u ndjeva vërtet shumë e lumtur… e ripërtërirë, e rinuar dhe plot adrenalinë. Për të mos zbuluar ndonjë gjë më shumë, po ju them se libri shkon përtej historisë së Evës dhe Adamit dhe rrotullohet rreth legjendës së vëllait e të motrës, por tashmë jo sipas biblës e legjendave, por sipas “qejfit” tim poetik.

Aksidenti i mer jetën fëmijës 11-muajsh

0

Policia-shqiperiNjë aksident rrugor ka ndodhur në aksin Lezhë-Shkodër, gjatë pasdites ndërsa mësohet se ka mbetur i vdekur një fëmijë 11-muajsh.

Aksidenti i rëndë ka ndodhur pranë fshatit Mabë, rreth orës 18:35, kur një automjet ka dalë nga rruga. Fëmija ka humbur menjëherë jetën si pasojë e aksidentit, ndërsa ka mbetur e plagosur e ëma e tij, Blerina Ndoca, 23 vjeç nga Puka, e cila drejtonte automjetin tip “Fiat” me targa AA 418 IS.

Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit, ndërkohë policia e cila ka mbërritur në vendngjarje po heton për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Çfarë zgjidhje do të ofrojë Presidentja pas kthimit nga SHBA’ja?

0

Lideret te JahjagaPresidentja Atifete Jahjaga, e cila ende ndodhet në SHBA, ka paralajmëruar se posa të kthehet në Kosovës do të rinisë takimet me liderët e partive politike për të gjetur një zgjidhje për tejkalimin e bllokadës politike.

Megjithëkëtë, partitë politike vazhdojnë të mbesin në pozicione të tjera. PDK nuk po e lëshon pozitën e Kryeparlamentarit pavarësisht se nuk i ka numrat e mjaftueshëm në Kuvend e partitë e Bllokut nuk po e votojnë kandidaturën e Partisë së Hashim Thaçit për Kryetar Kuvendi.

Në këtë situatë, liderët e partive po e presin ndërhyrjen e Presidentes, e cila ka nisur raundin e parë të takimeve, sa ishte në Kosovë.

Mirëpo, para kthimit në Kosovë të Jahjagës, Zyra e saj, është përkujdesur të tregojë se Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka dhënë mbështetje për të gjetur zgjidhje për zhbllokimin e situatës politike.

Mirëpo, edhe aty është theksuar se zgjidhja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ndihmëssekretarja Nuland e siguroi Presidenten Jahjaga se ajo e ka mbështetjen e plotë të qeverisë amerikane në përpjekjet e saj që me liderët e partive politike të Kosovës të gjejë mënyrën për të ecur përpara në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në takimin e parë me partitë politike, Presidentja nuk ka ofruar ndonjë zgjidhje se si të dilet nga kjo situatë.

Njëri prej opsioneve është përmendur se Presidentja do të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese interpretim të pikës 127 të vendimit të Gjykatës lidhur me konstituimin e Kuvendit, ku thuhet se deputetët duhet të gjejnë zgjidhje për votimin e Kryeparlamentarit.

Po ashtu është përmendur se nëse bllokada vazhdon, atëherë Presidentja do të nis procedurat për dekretimin e mandatarit për formimin e Qeverisë. Nëse partitë do të dështonin të konstituonin Kuvendin dhe votonin Qeverisë atëherë vendi do të shkonte në zgjedhje të reja.

Tribunali do burgim të përjetshëm për Karaxhiqin

0

Radovan KaraxhiqProkuroria e Tribunalit të Hagës ka vlerësuar se ish-presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, do të duhej të dënohej me burgim të përjetshëm nëse gjykohet për pjesën më të madhe të krimeve.

Në një deklaratë të shkruar, prokuroria e quajtur Karaxhiqin udhëheqës politik dhe ushtarak të serbëve të Bosnjës dhe forcave të tyre gjatë luftës të viteve 1992-95.

Në Tribunalin e Hagës, të hënën më 29 shtator, fillon procesi i deklarimeve përfundimtare në gjykimin e Karaxhiqit, proces që ka filluar më 26 maj të vitit 2009. Karaxhiqi, aktualisht 69 vjeç, akuzohet për gjenocid në Srebrenicë kundër myslimanëve dhe kroatëve, dhe jo vetëm në Srebrenicë, por në tërë Bosnjën.

Pas shpalljes të ashtuquajturës Republika e popullit serb në Bosnjë dhe Hercegovinë, më 9 janar të vitit 1992, Karaxhiq u emërua kryetari i parë.

Ismail Kadare: Kur doja të arratisesha në Pragën e vitit 1962

0

IsmailKadare6-30Librin tim të parë, “Lirika”, e botova më 1954, kur isha në klasën e tretë të gjimnazit, në moshën shtatëmbëdhjetëvje-çare. Ai tërhoqi vëmendjen e kritikës, por ishte libri i dytë, “Ëndërrimet”, botuar më 1957, kur isha student, që fitoi çmimin më të lartë të vendit, duke më bërë të njohur kudo.

Më 1961 pata përkitjen e parë të drejtpërdrejtë me diktaturën. Miku im D.Siliqi, që ishte në atë kohë drejtor i së vetmes shtëpi botuese të vendit, më thirri një ditë me ngut për të më thënë të kisha kujdes nga shkrimtari Z., i cili, siç i kishte pohuar vetë D. Siliqit, ishte ngarkuar nga Sigurimi të lexonte-dëgjonte dorëshkrim-incizimin e romanit tim “Qyteti pa reklama”. Hiq ndonjë fletë të rrezikshme, më tha D. Siliqi, ose shto aty-këtu ndonjë frazë, si për shembull, “Rroftë partia”.

Po ti e di se gjysma e romanit është me prostituta, i thashë. Ku ka vend për partinë aty? S’ka gjë, tha D. S. Ata janë aq hajvanë, saqë edhe në gojën e një prostitute do t’i kënaqte emri i saj. Madje, mund t’u dukej shumë prekëse.

Ne qeshëm një copë herë, duke përfytyruar çastet kur mund të përmendej emri i shenjtë, dhe kështu, duke qeshur e duke u tallur mendjelehtësisht, kujtuam se po ia hidhnim diktaturës.

Po atë vit, si dy donkishotë të vërtetë, unë e paraqita dhe ai e botoi, nën përgjegjësinë e vet, pa ia treguar askujt, librin me vjersha dhe poema “Shekulli im”, që ishte ndër librat më të lirë e më skandalozë të kohës.

Isha 25 vjeç. Midis këtij libri dhe romanit për gjeneralin e ushtrisë së vdekur, që bëhesha gati ta shkruaja, u tendos befas një ndërprerje, një truall i shkretë hënor, nga ata që mund t’i shikojmë vetëm në halucinacione, në mes të të cilit unë ngriva ca çaste (ca muaj, ndoshta stinë), ngaqë ndjeva se diçka e re, e rrezikshme po i afrohej jetës sime. Ishte fëshfërima e mantelit të shkrimtarit të shquar. Manteli i rëndë i shkrimtarit kombëtar nën diktaturë.

Po ecja drejt qendrës së tempullit. Atje ku ndodhej kthina më e fshehtë e urdhrit. Thelbi i tij. Pamjet atje ishin të frikshme, ikonat skuqnin si të gjalla dhe gjaku derdhej prej tyre çurg.

Ç’do të kërkohej prej meje? Ç’taksë do të paguaja për të larë mëkatin? Ndonëse ende turbull, përpara meje shihja arenën ku do të zbrisja për t’u përleshur me bishat, ndërsa publiku do të gumëzhinte përreth, shpeshherë me gishtin e madh poshtë, dhe midis tyre tirani (tirani shkrimtar i mesëm!), që do të vendoste fatin tim.

Ishte vera e vitit 1962. Po bëhesha gati të udhëtoja për në Finlandë. Një javë para nisjes takova shokun tim, poetin Dhori Qiriazi.
Dëgjo, i thashë, unë do të arratisem. Nuk i duroj dot mbledhjet. Nuk e duroj dot stërvitjen ushtarake. E sidomos s’duroj dot të më qethin flokët.

Ai më dëgjoi i qetë. Shumë mirë do të bësh, m’u përgjigj. Pas teje, edhe unë do të gjej nja dy bomba dhe do të përpiqem të kapërcej kufirin në malet e Kolonjës. Pastaj takohemi atje.

Asnjë fjalë për politikën, ndonëse kishim vite që nuk i fshihnim asgjë njëri-tjetrit. Një herë desha t’i them: Po ti për ç’arsye do të vish atje? Ti e duron stërvitjen ushtarake dhe për flokët nuk të bëhet vonë. Por as unë, as ai nuk shqiptuam formulën e shenjtë. Formulën e fshehtë që shpjegonte arsyen e vërtetë të ikjes sonë. Pa atë deshifrim, kjo ikje ngjante qesharake, donkishoteske, një bredhje aventurierësh dhe asgjë tjetër.

Ndonëse nja dhjetë herë i përmenda flokët, edhe unë e dija, edhe ai e dinte, se qethja e flokëve s’mund të ishte një shkak për të lënë atdheun. Shkaku i vërtetë, ai që s’donte të shfaqej, siç ndodh shpesh me shkaqet e rënda, nxinte thellë, shumë thellë në ndërgjegjen time. E ai shkak lidhej me pasionin më të madh të jetës sime, letërsinë. Unë doja ta braktisja letërsinë përgjithmonë. Të ikja sa më larg prej saj, në stepat e sllavëve, atje ku ajo s’do të më gjente kurrë. Të ikja prej fatalitetit të shkrimtarit të shquar nën diktaturë, atij që shpesh cilësohej “shkrimtar kombëtar”. Të kthehesha prapë në një djalë që pëlqente modën, pulovrat dhe pardesytë e bukura dhe që e fshihte prej kujtdo që kishte qenë dikur shkrimtar. (A nuk e kisha pasur këtë tundim, a nuk e kisha bërë këtë gjatë krizës moskovite?)

Kështu, gjatë udhës së kthimit, e braktisa delegacionin atë ditë gushti në Pragë dhe zura një dhomë në një hotel pranë Sheshit Vanceslav. Në valixhe kisha dy pulovra dhe një pardesy të bukur finlandeze, megjithatë, dhoma nisi të më dukej përherë e më e ngushtë. Shpresoj ta shoh ndonjë ditë prapë atë dhomë hoteli që atëherë më ngjau si një varr, çka m’u duk edhe si shkak që ndërrova mendje, në po atë mënyrë që qethja e flokëve më qe dukur si shkak për arratisjen. Por, si në rastin e ikjes, si në atë të pendimit, shkaku ishte gjetkë. Nuk e durova dot, me sa duket, ndarjen me letërsinë. Nga ajo shuarje e qetë në stepa, pranova arenën plot ulërima dhe mantelin që do të m’i kërruste supet.

Dhe ashtu, si mëkatari që nuk i bën dot ballë tundimit, me avionin e linjës Pragë-Tiranë, u ktheva që të pranoja kurorën e mallkuar.

Uh, u ktheve? Thashë se u arratise. Shyqyr, o Zot, shyqyr, o Zot. Tërë natën s’më ka zënë gjumi. Me këto fjalë më priti ime më. Mjaft me marrëzira, thashë dhe u mbylla në dhomën time.
Erdhën tezet të më takonin (për çudi, ato që përherë e për gjithçka kishin dyshime ndaj meje, këtë herë as që iu kishte shkuar mendja për keq). Erdhi im ungj, që, si zakonisht, më pyeti si i kisha punët me partinë.

Kujtoja se s’do të ktheheshe, më tha D. Siliqi. Të them të drejtën, gjatë gjithë kohës që ishe jashtë, madje përpara se të niseshe, vuaja nga mëdyshja se si ishte më mirë: të ktheheshe apo jo. Ndaj dhe kur u nise s’të thashë asgjë.
Ia tregova atëherë aventurën e Pragës dhe ai më përqafoi. Ndoshta është më mirë që erdhe, thoshte herë pas here, si të fliste me vete.

Ndërsa Dhori Qiriazi, miku im i shtrenjtë, që e shihja rrallë, ngaqë banonte në Kolonjën e largët, nuk më tha asgjë kur u takuam. Sa herë që shiheshim, vështroja fytyrën e tij fisnike dhe mendoja se bombat, që ndoshta i kishte gjetur tani, po plakeshin si çdo gjë tjetër në bodrumin e shtëpisë së tij, dhe ai vetë, një nga poetët më të mirë të vendit, po mbytej nga diktatura qetësisht./Ismail Kadare/

Zërat e LDK-së për Isën kryeministër, test për Bllokun

0

Isa-Ramushi-FatmiriMë shumë se tre muaj nga arritja e marrëveshjes LDK-AAK-Nisma ku posti i kryeministrit i ishte ndarë Ramush Haradinajt, në LDK ka filluar të ndryshojë mendimi për këtë marrëveshje.

Zyrtarë të LDK-së e shohin të nevojshëm ridizajnimin e marrëveshjes dhe bartjen e mandatit për kryeministër tek Isa Mustafa. Analistët politikë thonë se ky është test për partitë e Bllokut karshi kauzës së tyre për heqjen e PDK-së nga pushteti.

Zërat brenda LDK-së që kërkojnë që Isa Mustafa ta marrë postin e kryeministrit, nga analistët politikë shihen si një zë i arsyeshëm që përkon me realitetin që kanë nxjerrë zgjedhjet e 8 qershorit. Analisti Armend Muja thotë se është e natyrshme që në këtë drejtim zërat brenda LDK-së të rriten.

“Unë nuk e shoh këtë as si anomali as si përçarje, përkundrazi e shoh vetëm një përpjekje të elektoratit të LDK-së për të propozuar atë që në realitet i takon, sepse ka qenë mandati i sovranit në këtë rast”, ka theksuar për Radio Kosovën, Armend Muja.

Zyrtarë të LDK-së ditëve të fundit kanë shprehur qëndrime të ndryshme karshi marrëveshjes së Bllokut, duke kërkuar që për shkak të rrethanave kjo marrëveshje të ridizajnohet dhe posti i kryeministrit t’i jepet LDK-së.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili është i nominuar i Bllokut për kryeministër, i ka konsideruar si ‘llafe të qarshisë’ deklaratat e tilla. Haradinaj këmbëngul që marrëveshja e Bllokut është serioze dhe se s’ka kujt t’ia dorëzojë kandidaturën për kryeministër.

“Nuk dimë kujt t’ia dorëzojmë, për shkak se ne kemi një marrëveshje edhe me Isa Mustafën, me LDK-në, edhe me Nismën, me Vetëvendosjen. Besomëni është një marrëveshje e qëndrueshme, serioze. Këto pyetjet e qarshisë, ne nuk i përfillim. Pra kemi të bëjmë me diçka shumë më serioze”, ka thënë Ramush Haradinaj.

Deklaratat që vijnë nga zyrtarët e LDK-së për ridizajnim të marrëveshjes, sipas analistit Armend Muja, nuk do të kalojnë pa ndonjë përçarje, por ai thotë se ky është një test sidomos për partitë e vogla të bllokut, që të tregojnë kredibilitetin e kauzës së tyre për ta hequr PDK-në nga pushteti.

“Nëse kauza ka rëndësi kryesore, atëherë unë besoj që këto rokadat administrative nuk do të duhej të çonin peshë. Po, si rëndom në aspektet politike, oportuniteti politik është i madh dhe unë besoj se gjithsesi kjo nuk do të shkojë pa disa përçarje të vogla në Bllok”, ka theksuar Muja.

Ndryshe, i pari që ka kërkuar ridizajnim të marrëveshjes së Bllokut, është Arben Gashi i cili thotë se kryeministri duhet t’i takojë LDK-së. Deklarata e tij, nuk ka kaluar pa efekt edhe tek disa zyrtarë të tjerë të kësaj partie, të cilët kanë shprehur mbështetje, qoftë për propozimin që Isa Mustafa të bëhet kryeministër, qoftë për të drejtën e Gashit për të shprehur mendimin e lirë, për të cilin ka pasur edhe kritika brenda LDK-së.

Blloku nuk do ta voton kandidatin e PDK-së për kryeparlamentar

0

Mustafa-Haradinaj ne kuvendKoalicioni LDK- AAK- Nisma dhe Vetëvendosje nuk do të votojnë kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Kuvendit. Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani i ka thënë Gazetës Blic se jo vetëm AAK-ja, por as tri partitë tjera shqiptare, LDK, VV e Nisma nuk do të votojnë për kandidatin e PDK-së.

“Asnjëherë partitë shqiptare, përpos PDK-së nuk do të votojnë kandidatin e PDK-së. Katër partitë shqiptare, në partneritet me komunitetet minoritare përbëjnë shumicën në Parlament. Ku bashkim i madh i shqiptarëve kundër të keqes po ndodh për herë të parë në historinë e pasluftës në Kosovë”, ka thënë Ramadani.

Ai shprehet i bindur se Blloku do të arrij ta zgjedh kryetarin e Kuvendit nga radhët e veta, ndonëse nuk ka dhënë ndonjë plan se si do ta zgjedhin.

“Ku bashkim i madh i shqiptarëve kundër të keqes po ndodh për herë të parë në historinë e pasluftës në Kosovë. Bashkimi i politikanëve shqiptarë do të rezultojë me fitore të madhe të të mirës kundër të keqes, të parimeve kundër paparimësisë, të vizionit kundër improvizimit”, ka thënë ai.

Ramdani ka thënë se PDK është në panic nga frika e madhe e përballjes me ligjin, dhe po bëjnë sipas tij, çmos që ta bllokojnë shumicën.

“Por, do të dështojnë në këtë bllokadë dhe do të përballen me ligjin për krim dhe korrpusion”, ka thënë ai.
Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se PDK ka plan që me 2 tetor ta zgjedh kryetarin e Kuvendit nga radhët e veta. Megjithatë, as Hoxhaj nuk ka dhënë detaje se si do të arrijnë ta zgjedhin, pa pasur 61 vota.
PDK para disa ditësh kishte provuar që të zgjedh Arsim Bajramin në krye të Kuvendit, mirëpo dështoi, sepse nuk arriti që të siguroj më shumë se 44 vota.