Home Blog Page 8103

Hoxhaj: Njohja e Kosovës nga Vatikani nuk do të vonohet

0

Enver Hoxhaj14-20Ministri i Jashtëm në largim Enver Hoxhaj ka thënë se vizita e Papës në Shqipëri është një njohje e trashëgimisë së krishterë evropiane. Hoxhaj ka rikujtuar vizitat e tij në Vatikan duke thënë se njohja e Kosovës nuk do të vonohet.

Më poshtë mund të lexoni postimin e Hoxhajt në Facebook.

Vizita e Atit të Shenjtë Papa Francesku në Shqipëri është një ngjarje kthese dhe moment i së vërtetës për atë se si Vatikani i sheh shqiptarët në Ballkan. Eshtë njohje për trashëgiminë krishtere e europiane. Vlerësim për Shqipërinë si vend të harmonisë, bashkëjetesës dhe tolereancës fetare. Kosova i është mirënjohëse Selisë së Shenjtë për mbështetjen e palëkundur gjatë historisë dhe në periudha më të vështira të sundimit otoman, regjimeve serbe dhe Jugollsavisë. Ne i jemi falendërues për bashkëpunimin institucional që ka sot Republika jonë me Selinë e Shenjtë. Disa here kam qëndruar në Vatikan ku kam takuar Ministrin e Shtetit për Marrëdhënie me Shtete, Monsinjor Mamberti dhe njohja e Kosovës nuk do të vonohet! EHoxhaj

Kurrikula e re edhe ne 82 shkolla

0

Gjimnazi Gjon BuzukuPilotimi i Kurrikulës së re të arsimit parauniversitar, i cili ka filluar vitin e kaluar në dhjetë shkolla, këtë vit shkollor ka filluar të pilotohet edhe në 82 shkolla të tjera.

Ndërsa pilotimi është refuzuar nga shkollat e nacionalitetit serb. Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, thonë se gjatë pilotimit, vështirësitë që kanë hasur janë: gjuha e dytë e huaj si dhe gjuha angleze.

Ushtruesi i detyrës së udhëheqësit të Divizionit të Plan Programeve dhe Teksteve Shkollore në Ministrinë e Arsimit, Rexhep Kastrati, tha për Radio Kosovën, se me gjithë ftesën e bërë të gjitha shkollave të Kosovës për përfshirjen në pilotimin e Kurrikulës, këtë ftesë e kanë refuzuar shkollat e komunitetit serb.

Ai tha se nga 114 shkolla sa janë paraparë që do të përfshihen në pilotim, tani janë 82 si dhe dhjetë shkolla të cilat patën filluar pilotimin nga viti i kaluar. Ai tha se procesi është duke shkuar mirë, por janë disa vështirësi që duhet të zgjidhen.

“Vështirësi është gjuha e dytë e huaj nga klasa e gjashtë, një vështirësi tjetër është edhe mësimi i gjuhës angleze nga klasa parafillore. Në çdo klasë e kanë nga një orë mësimore gjuhë angleze. Nëse nuk ka mundësi me u mbajt në klasën parafillore, atëherë duhet të fillojë në klasën e parë, por me dy orë mësimore gjuhë anglezë, pra fondi i orëve nuk guxon të ndryshojë” ka thënë Kastrati.

Koordinator i shkollës së mesme teknike “28 Nëntori” në Prishtinë, Zijadin Ibrahimi, tha se pilotimi i Kurrikulës në këtë shkollë ka filluar vitin e kaluar. Të gjithë mësimdhënësit e shkollës janë përfshirë në hartimin e plan programeve dhe shqyrtimin e kurrikulës, tha Ibrahimi.

“Nga shkolla jonë janë 3 kryetrajnerë, janë 6 trajnerë të kyçur në procesin e trajnimit të mësimdhënësve dhe të gjithë punojnë. Jemi model, sepse jemi një nga dy shkollat profesionale në nivel të Kosovës, që jemi në vitin e dytë” ka thënë Ibrahimi.

Ndërkohë, sipas Kastratit zbatimi i plotë i Kurrikulës në të gjitha shkollat e vendit është menduar të fillojë në vitin 2015/2016. Por kjo, siç tha, varet nga procesi i pilotimit si dhe nga përkrahja e Bashkimit Evropian përmes projektit të binjakëzimit, që do të ndihmojë në pajisjen e shkollave me mjete mësimore, që janë të domosdoshme për zbatimin e Kurrikulës. Kurrikula e re përmban reformimin e planeve dhe programeve, procesin e mësimdhënies, tekstet shkollore, vlerësimin e nxënësve si dhe kualifikimin e mësimdhënësve.

Sot në Minhen nis festivali i birrës “Oktoberfest”

0

Oktoberfest-minhenFestivali i birrës dhe i folklorit nis sot në Minhen të Gjermanisë. Vitin e kaluar atë e kanë vizituar 6.4 milionë turistë.

Ky festival është një nga eventet më të mëdha të këtij lloji në Gjermani dhe është rast i mirë për adhuruesit e birrës.

LISBA: Paraburgimi i Ramiqit, persekutuese dhe jodemokratike

0

FuadRamiqi-LIBLISBA, vazhdimin e paraburgimit për Fuad Ramiqin dhe imamët e Bashkësisë Islame të Kosovës i sheh si një vendim që synon të terrorizojë, tremb dhe poshtërojë imamët dhe opozitën politike në Kosovë.

Sipas tyre ky vendim është jodemokratik dhe diskrediton regjimin e sotëm kosovar.

LISBA dëshiron ta njoftoj opinionin e gjerë, se rasti i montuar kundër Fuad Ramiqit dhe imamëve të BIK-ut është antiligjore dhe persekutuese, ky konkludim është bërë edhe nga vetë analistët dhe avokatët, të cilët mbrojnë Fuad Ramiqin dhe imamët.

“Imamët dhe Fuad Ramiqi njihen në Kosovë nga popullata e vendit dhe ajo ndërkombëtare, ata gjithmonë i kanë shërbyer këtij vendi për të mirë e popullit, duke luftuar dhe dënuar çdo cenim të ligjit në Kosovë. Arrestimi i Fuad Ramiqit për shkak të një deklarate e cila është bërë gjatë një debati publik, është cenim i të drejtave të njeriut. Fuad Ramiqi është politikani i parë opozitar që është arrestuar, deklarimi i tij është deklaratë e mendimit dhe shprehjes së lirë në mënyrë demokratike. Cenimi i shprehjes së lirë është antiligjore, antikushtetuese. Poashtu, shprehja e mendimit të lirë mbrohet edhe nga Konventa Evropiane për të drejtat e Njeriut, nga Karta Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat janë të zbatueshme në Kosovë”, thuhet në një deklaratë për shtyp nga LISBA.

Sipas LISBA-së duke u nisur nga këto konventa dha karta, Fuad Ramiqi i cili është pjesë e politikës opozitare dhe imamët, duhen të mbrohen nga KMDLNJ dhe Obduspersoni i Kosovës.

LISBA beson në pafajësinë e Fuad Ramiqit dhe të imamëve, dhe konsideron se këto akuza janë shpifje të montuara nga qëllim këqinjtë dhe njerëz që nuk ia duan të mirën vendit tonë. Hoxhallarët ishin dhe do të jenë shtylla e ekzistimit të popullit tonë.

Lirohen 49 pengjet turke, u rrëmbyen nga IS në qershor

0

pengjetKryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, ka bërë të ditur se 49 pengjet turke, të rrëmbyera nga militantët e Shtetit Islamik (IS) në qytetin Mosul të Irakut, janë kthyer në Turqi.

Davutoglu ka konfirmuar se të gjithë ata janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Grupi është rrëmbyer në muajin qershor, kur militantët e Shtetit Islamik kanë marrë kontrollin e Mosulit dhe, rrjedhimisht, kanë uzurpuar konsullatën turke në këtë qytet.

Mes pengjeve ndodhej edhe konsulli i përgjithshëm, Ozturk Yilmaz, diplomatë të tjerë, ushtarë dhe fëmijë.

Davutoglu nuk ka dhënë detaje për rrethanat e lirimit të tyre, por ka thënë se pengjet janë liruar përmes “metodave” të agjencisë së inteligjencës.

Nga Prizreni me dashuri

0

ura e gurit ne prizrenNë urat e gurta të Prizrenit, Simon Shiroka ndiente mbrëmjeve historinë që vinte nga dritat lart në kala. Buzëmbrëmjet janë gjithnjë të bukura në këtë qytet, ku magjia e së verdhës së diellit teksa humb tej në qiell, lëviz dalëngadalë. Mjeshtri shijonte gjithnjë këtë pamje, që i dukej e pazëvendësueshme, të cilën nuk mund ta kishte asnjë qytet tjetër. Ndoshta se qytetin tënd, i cili mbart kujtimet e kohëve të shkuara, nuk mund ta krahasosh asnjëherë me një qytet tjetër. Ndaj ai i donte mbrëmjet me shëtitjen e zakonshme bri urave.. . Kur e la qytetin e lindjes për të udhëtuar drejt Beogradit për studime, ai shpesh mendonte se ç’ndodhte atje. Në mendje sillte shëtitjen që mbaronte në derën e drunjtë të banesës së tij, dhe orët në studio teksa i jepte jetë imagjinatës. Gjithçka ndryshonte për Simon Shirokën teksa futej në studio.

Ai ishte i bindur se përtej çdo objekti, çdo ngjarjeje në jetën e qytetit të tij, apo njerëzve që njihte, kishte një histori. Arti nuk mund të jetë gjë tjetër veç një histori, mendonte në ato vite djaloshi, kur ende nuk i kishte hapur librat e mëdhenj të historisë së artit. Studimet në Beograd do të ndryshonin përfundimisht shijet artistike të djaloshit të ri, duke ushqyer më shumë talentin e lindur. Kthimi në Prishtinë pas studimeve dhe angazhimi me jetën kulturore të kohës, do ta bënin Shirokën një prej protagonistëve më të mirë të artit Kosovar të 50 viteve të fundit. Teksa sheh punët e lëna prej tij sot, ai është historia e vetë Kosovës. Burri i veshur me pantallona të zakonshme dhe xhaketë të thjeshtë, ishte po aq bashkëkohor sa dhe bashkëkohësit e tij në Europë.

Punët e tij mund të rrinin mirë në çdo Galeri arti. Pas prezantimit që koleksioni i punëve të tij pati në Galerinë e Arteve në Prishtinë, nën kurimin e drejtorit të kësaj Galerie, Erzen Shkokolli, ky koleksion vjen sot në Tiranë, për t’u prezantuar për publikun në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Ekspozita “Simon Shiroka – Retrospektivë” hapet sot për publikun, nën kurimin e Shkokollit dhe veprat e ekspozuara do të jenë pjesë e koleksionit privat të familjes Shiroka. Me trishtimin e ikjes së tij, Antoneta, e shoqja, ka dhënë një ndihmesë të madhe në përzgjedhjen e punëve. Gruaja që i qëndroi gjithë jetën pranë, e dinte se cilat prej tyre kishin më shumë domethënie për artistin. Asaj i duket sikur sheh ende gëzimin e tij pas çdo vepre.

Shkëlqimin e syve poshtë syzeve, teksa mbyllte derën e studios për t’iu bashkuar familjes. Gratë e artistëve ndonjëherë janë kritiket dhe biografet më të mirë të tyre. Artisti Simon Shiroka (1927-1994), i lindur në Prizren, është mjeshtër i madh i artit të realizuar në teknikën e filigramit. Akademiku Eqrem Basha shkruan se nga tradita popullore, Shiroka nuk mori vetëm mjeshtërinë e përpunimit të argjendit dhe materialeve të tjera fisnike, por edhe figuracionin, ornamentikën popullore, etnografinë, por edhe psikologjinë dhe besimin e njeriut tonë. Nuk është vetëm totemia, folklori, mistika dhe ornamentika e shpirtit të kësaj treve dhe këtij populli ajo që e dallon krijimtarinë e tij artistike, por edhe një shpirt i veçantë i artistit, që me dashuri dhe fanatizëm të pazakonshëm digjej dhe jetonte për të.

Për Shkokollin, Shiroka me veprat e tij artistike ka lënë gjurmë të thella në artin kosovar dhe më gjerë. “Ato janë një moment i rëndësishëm në të cilat gjenerata e re e artistëve njoftohet me punën e gjeneratës së kaluar të skenës së artit në Kosovë. Puna e artistit Simon Shiroka shihet si një praktikë e artistëve të tashëm botërorë, ku për krijimin e një pune të artit përfshihet një numër i madh mjeshtërish të disiplinave të ndryshme. Shiroka ka shfrytëzuar emancipimin e tij vizual për të komisionuar punët e tij të përmasave të mëdha të mjeshtërve të shumtë të artit të filigranit”, thotë Shkokolli. Për të, kurimi i veprave të Shirokës ka qenë një përvojë e rrallë.

Punët e përzgjedhura nga koleksioni reflektojnë krijimtarinë e tij në vitet ‘60-‘90. Aty përfshihen rozeta, grafikë, skulpturë e teknikës së kombinuar si dhe vizatimet e fundit të artistit, që shënojnë kohën kur ai nuk mund të punonte më punë fizike, pak para vdekjes së tij në vitin 1994. Teksa sheh punët e Shirokës njihesh me një sjellje multidisiplinore e cila, përveç shtrirjes në etapa të ndryshme të krijimtarisë së artistit, sjell po ashtu punë të papara më herët në publik. Ai mori mjeshtërinë nga filigranistët më të shquar prizrenas.

Përveç punës së zakonshme, ai ushqeu edhe një ambicie të madhe për artin me filigran. Pastaj vazhdoi ushtrimin dhe shkollimin e mëtejmë së pari në Beograd e pastaj në Zagreb, për t’u kthyer në Prishtinë dhe për të nisur një veprimtari tepër të pasur aplikative dhe artistike. Gjatë karrierës së tij, Shiroka ka pasur një numër të madh të ekspozitave personale dhe kolektive në Kosovë dhe në shumë vende të tjera, si Paris, Londër, Itali, Turqi, Çekosllovaki, etj. Është interesante të shohësh konceptet e veprave të tij, teksa gjen ndjesi njerëzore dhe në format që i jep një monedhe. Në figurat femërore nuk mungojnë punimet e arit, si për t’i dhënë gruas veshjen më të bukur mbi trupin e saj. Së shpejti, Galeria e Arteve të Kosovës, në bashkëpunim me familjen e artistit, do të botojë një monografi për jetën e artistit

Donat Kurti – 34 fletoret e burgut

0

Donat-Kurti-200x200Në një kasolle të varfër bri kallamishteve, pranë stacionit të trenit në Shkodër, Atë Donat Kurti kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij. Kur zhurma e trenit ndihej nga larg, ai merrte në prehër ditarin dhe ulej të shkruante. I dashuruar pas librave, Atë Donati mundohej t’i bënte shkronjat si të një makine shkrimi, dhe në fletët e bardha të mos linte gjurmë gabimesh. “Ajo që asht karakteristikë asht se me sa qartsi e ka shkru. Ky ditar asht një tipik që mund të studiohet. Shihet se si ka shkru pa gabime. Në 100 faqe nuk gjen asnji gabim. Do t’thot se edhe n’ato kushte At Donat Kurti i ka dominu emocionet”, thotë Atë Vitor Demaj, teksa mban në duar dorëshkrimin e pacenuar nga vitet. Në Bibliotekën “Gjergj Fishta”, shumë pranë Kishës së Françeskanëve në Shkodër, ky dorëshkrim është një tjetër thesar i mbetur në arkivat e françeskanëve. “Rruga e plepave”, lexohet në faqen e parë, teksa sheh shkrimin e rrumbullakosur dhe aq të qartë.

Një ditar është gjithnjë intim dhe Atë Vitorio me mënyrën sesi e mban në duar, duket se do të mbrojë privatësinë. Por Atë Donat Kurti, nuk ka lënë vetëm rrëfime zemre. Në këtë ditar të shkruar në formën e një tregimi të gjatë, ai ka shkruar historinë e vuajtjeve gjatë regjimit komunist, kujtimet e një kohe të artë para vitit 1945, studimet në Romë, bisedat me Idromenon. Janë rreth 34 dorëshkrime që ai mori me vete në çantën prej lecke, ditën kur doli nga burgu. Të shkruara me kujdesin e një mjeshtri, ato libra ishin gjitha jeta e tij.

“Gjëja më e bukur që më ka mbetur në mendje nga koha e fëmijërisë, ishte festa e 28 Nëntorit, kur dera e shtëpisë atërore dhe të tjerat përreth zbukuroheshin me shermashek e lule shimshiri, ndërsa banorët e lagjes, duke mbajtur në ballë flamurin kombëtar, dilnin me kandila të ndezur e brohorisnin për Festën e Pavarësisë”, shkruante ai në një nga shënimet e tij. Lidhja me shkrimin ka qenë një pasion i hershëm për Atë Donatin. Kur ishte student në Romë, ai përpiqej ta mbante e ushqente këtë ndjesi përmes letrave që i niste drejt Shkodrës. Ditari që Françeskanët do ta botojnë së shpejti pas transkriptimit nuk është i vetmi i lënë në dorëshkrim prej Atë Donatit. Në vitin 2005, u botua një tjetër dorëshkrim i tij “Zakone e Doke shqiptare në vjetin 2010”. Dorëshkrimi i mbledhun në disa fletore të ngjitura bashkë u përfundua nga ai së shkruari në vitin 1967. “Mjerisht, në përpilimin e kësaj pune, unë s’kam pasë mundsí me shfrytzue as rivistën ‘Hylli i Dritës’, as rivistat a librat, qi flasin mbí zakone e mbí jetë të popullit shqyptár. Unë kam rëndue shka kam pasë rasë me mbledhë personalisht, tuj jetue, e mâ teper tuj ndêjë me malsorë. Si hulumtues e hetues, shpesh i mërzitshëm jam kujdesë me i çue çashtjet deri në fund, pá lânë gjâ mangut, e me i paraqitë me besnikí ashtû si i kam ndie, tuj bâ deri dikû edhe krahasime ndërmjet krahinave të ndryshme” , shkruante Atë Donati në parathënien e kësaj vepre. Udhëtimet në Veriun e Shqipërisë, ishin për Atë Donatin një kohë të cilën donte ta kthente shpesh. Gjithë këtë eksperiencë më pas, në vitet e internimit, ai përpiqej ta hidhte në letër për të nxjerrë vlerat e zakoneve tona. Studimi ishte një fushë ku Atë Donati ka një kontribut të jashtëzakonshëm.

Profesor Eqrem Çabej do të shkruante gjatë për vlerat e studimeve të tij. Dhe atëherë kur gjithçka iu ndalua, ai në atë kasolle të vogël përpiqej t’i jepte jetë kujtesës duke shkruar në fletoret e pafundme që la pas. Historia e Atë Donat Kurtit, është historia e trishtë e klerit katolik në Shqipëri. Ishte 25 vjeç kur veshi rrobën e priftit françeskan. Ishte viti 1927 kur ai kthehet nga studimet në Romë, sërish në Shkodër, ku emërohet mësues në gjimnazin “Illyricum” të fretërve. Dy vjet më vonë ai do të ishte nëndrejtor në këtë shkollë, ku drejtor ishte filozofi Atë Anton Harapi. Bisedat me Harapin do të kishin ndikim te mësuesi i ri që kërkonte të thellohej në rrugën e dijes. Në vitin 1946, Atë Donat Kurti ishte drejtor i gjimnazit të fretërve “Illyricum” të Shkodrës.

Ai kishte një kulturë të gjerë. Zotëronte mirë greqishten e vjetër, latinishten, gjermanishten e anglishten. Në burg mësoi edhe rusishten. Për nevojat e shkollës përktheu ose punoi mjaft libra me vlerë, si: “Gramatika latine”, pjesa I, Morfologji (nga Dr. A. Shcheindler, 1933); “Sintaksi i gjuhës latine”, I, 1939, (po nga dr. A. Shcheindler); “Vepra kulturore e elementit katolik në Shqipëri”, botim i së përkohshmes “Hylli i Dritës“, duke filluar nga nr. 3, 1933 etj., si dhe mjaft studime për probleme folklorike, gjuhësore, historike, fetare etj. Kur nisi lufta ndaj fesë, Atë Donati ishte ndër të parët që u arrestua më 1946. “Prej jush unë nuk pres kurrnji të mirë, edhe pse deri më sot nuk i kam bâ kurrkuj keq. Mue nuk më bân përshtypj as vdekja as burgu, por më vjen keq se më mbeti puna pergjysë. Të gjithë jetën teme, të gjithë talentin tem e kam shkrî vetëm për me i sherbye popullit shqiptar, pa marrë parasyshë sakrificat e privacjonet”, do të shprehej Atë Donati para trupit gjykues në pritje të pretencës. Akuza ndaj Atë Donatit ishte për konspiracion ndaj pushtetit komunist. “Arma ime asht penda me të cilën kam mbledhë e botue kangët ma të bukura të trimnisë së popullit: Visaret e Kombit. Kam mbledhë e botue dy vllime me Prralla Kombëtare. Ato nuk janë thjeshtë prralla, por aty paraqitet tanë urtia, filozofia e zgjuetsia e popullit tonë që t’u mësojë fëmijëve ma lehtë ushtrimin e virtyteve dhe luftimin e veseve. Po të më jepni vdekjen, të gjitha punët mbeten përgjysë, ndërsa po të më dënoni me burg, un u kërkoj të lejoni vazhdimin e punës sime të deritanishme vetëm për të mirën e popullit shqiptar!”, do të shprehej Atë Donati, sipas kujtimeve të Atë Zef Pllumit. E vetmja dëshirë e tij ishte të vazhdonte punën në kërkim të mbledhjes së përrallave dhe pasionit për shkrimin. Kurti u dënua me vdekje, pastaj me burgim të përjetshëm.

Kur po e nisnin për në vendet e shfarosjes, e pa e ëma e tij e sëmurë, e cila, ashtu e djegur nga malli, u lëshua për t’ia puthur ato duar të prangosura. Por xhelati nuk do ta linte nënën t’ia puthte duart, dhe Atë Donati nuk do ta harronte asnjëherë atë moment. Pas atij çasti, për 15 vjet të tjera, nuk do ta shihte më nënën e tij… Njohu me radhë burgjet e kampet famëzeza të Bedenit, Maliqit, Orman-Pojanit, duke punuar gjer në brez në baltat vdekjeprurëse. U bë tërë plagë, aq sa, kur shkonte motra fisnike Luçije Toska (Kurti) për ta parë, ai, edhe me ato pak minuta takimi, mezi qëndronte në këmbë. I bëri lutje Mehmet Shehut për ta larguar nga ato vende ferri. Dhe lutja iu mor parasysh, duke e dërguar si për më mirë në burgun e Burrelit… aty ku dhe kaloi pjesën më të madhe të dënimit. Atë Donati vuajti shumë, ngase mbi të rëndonte një faj “i madh”. Akuza ishte sa tragjike, aq edhe qesharake: kishte futur armët në kishë! Ai edhe pse ishte në burg vazhdoi punën shkencore, nga e cila e ndau vetëm vdekja.

Atje ai njihej me të burgosur të krahinave të ndryshme të Shqipërisë, dhe mblidhte fraza gjuhësore që përdornin ndër ato krahina. I shkruante ndër fletore dhe pregatiste “Fjalorin Frazeologjik të Gjuhës Shqipe”. Ky fjalor kishte 45,000 fraza. Është i shkruar në dy kopje me dorë, një për Universitetin, dhe një do ta merrte me vete kur të lirohej. Kjo punë nuk ishte ilegale mbasi dihej edhe nga komanda e burgut të Burrelit. Ditën që është liruar, komandanti i burgut ia ka mbajtë në zyrën e tij edhe kopjen që kishte të veten Atë Donati, duke i thënë: “Meqë janë shumë fletore dhe nuk i lexojmë dot tani, këto do t’i merrni pasi të kontrollohën nga ana e jonë.

Do të ua dërgojmë në Degën e Punëve të Mbrendshme të Shkodrës, nuk ua humbim, por, është një formalitet që do të bëhet, mbasi kështu kemi urdhër nga lart”. Zgjeroi vëllimin e tretë të “Përrallave popullore”, përfundoi veprën “Thaça ose mënyra të thanunit në gjuhën shqipe”, ku janë përfshirë rreth 12,000 njësi frazeologjike dhe proverba nga e folmja e Shkodrës, shkroi pjesë “Nga kanuni i Skënderbeut”, vëllimet me tregime “Mësimet e nanës”, “Në rrugën e plepave”, “Kah gurrat e jetës”, përmbledhjen me poezi “Lule më lule” etj. Janë rreth 34 vepra të mëdha e të vogla që la në dorëshkrim, sot pronë e provincës françeskane. Ky dijetar i shquar i ngrysi ditët e fundit të jetës së tij në një vetmi të plotë dhe në një varfëri të frikshme. Një ish–student i tij tregon: “E pashë profesorin tim të nderuar në radhën e bukës. Po numëronte ngadalë, si nën zë, sa për të blerë një gjysmë buke të zezë. Shitësja i foli si me përbuzje: Ti, plako, shpejto. Nuk ta kemi ngenë të të presim gjer sa t’i numërosh lekët. Atë Donati uli kokën dhe doli i menduar. E ku ta dinte ajo shitëse injorante se ai plak i munduar dhe i varfër ishte një nga dijetarët më të mëdhenj të këtij kombi”.

Thaçi e përshëndet vizitën e Papës

0

thaci me papenKryeministri në detyrë dhe lideri i PDK-së, Hashim Thaçi ka përshëndetur vizitën e Papës në Tiranë, e cila nis nesër me takime me zyrtarët më të lartë shtetëror të Shqipërisë.
Lexojeni të plotë postimin e Thaçit në Facebook:

“E përshëndes vizitën historike të Papës Françesku në Shqipëri dhe të shpreh mirënjohjen për faktin që ai zgjodhi ta bëj vizitën e tij të parë në Tiranë. Vizita e tij nxjerr në pah modelin unik të bashkëjetesës fetare të shqiptarëve, i cili duhet të shërbejë si shembull për gjithë botën.

Kjo ngjarje dëshmon gjithashtu përcaktimin e popullit tonë për t’u orientuar strategjikisht drejt Perëndimit. Me këtë rast i dërgoj urimet më të perzemërta të gjithë besimtarëve të krishterë, që nesër do ta kenë mysafir në shtëpitë e tyre liderin e tyre shpirtëror. HTH” (sic), ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ramush Haradinaj: Skënderbeu, hero i Evropës

0

Ramush Haradinaj 1I nominuari i Koalicionit LAN për Kryeministër dhe lideri i AAK-së Ramush Haradinaj e vlerëson vizitën e Papës të rëndësishme dhe “konsideron që kjo vizitë do ta farkojë edhe më tej afërsinë shqiptare dhe përkushtimin tonë ndaj vlerave të lirisë, paqes, humanizmit, tolerancës dhe mirëkuptimit midis njerëzve dhe bashkëpunimin e drejtë me Vatikanin dhe mbarë botën perëndimore”.

Ja postimi i plotë i Haradinajt në profolin e tij në Facebook:

Të nderuar miq,
Vizitën që të dielën do ta bëjë në Shqipëri Ati i Shenjtë, Papa Françesko e konsideroj të rëndësisë së veçantë dhe historike.

Pas vizitës së Papa Gjon Palit II, në vitet ’90, ardhja e Papa Françeskut në tokën shqiptare shënon një moment tjetër të rëndësishëm të raporteve të ngrohta dhe të afërta midis shqiptarëve dhe Vatikanit, midis kombit tonë dhe botës perëndimore, në përgjithësi.

Shqiptarët, si popull me harmoni dhe mirëkuptim historik ndërmjet besimeve, i kanë dhënë botës dhe krishterimit, po ashtu, njerëz të mëdhenj, që në kohë të ndryshme me kontributin e tyre u shquan në mbrojtjen dhe sublimimin e vlerave të vërteta njerëzore.

Shqiptarët, në këto relacione, i kanë dhënë Evropës dhe qytetrimit perëndimor, heroin kombëtar dhe të Evropës, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, e në ndërkohë dijetarët mëdhenj të shekujve, si Pjetër Bogdani, e deri te humanistja e madhe, Nënë Tereza.

Vizita e shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut, do ta farkojë edhe më tej afërsinë shqiptare dhe përkushtimin tonë ndaj vlerave të lirisë, paqes, humanizmit, tolerancës dhe mirëkuptimit midis njerëzve dhe bashkëpunimin e drejtë me Vatikanin dhe mbarë botën perëndimore.

Letra e Albin Kurtit drejtuar Papës

0

AlbinKurti1205Shenjtëria e Tij
Papa Françesku / Pallati Apostolik / 00120 Qyteti i Vatikanit
16 shtator 2014
Shenjtëria Juaj,
Është një nder i madh për mua t’ju shkruaj në emër të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Aktivistët në lëvizjen tonë, ashtu si edhe populli i Kosovës, janë të entuziazmuar për vizitën tuaj këtë muaj në Shqipëri. Për ne vizita Juaj sinjalizon mirësinë, dashurinë, shpresën dhe mbështetjen Tuaj për të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe kombin shqiptar në përgjithësi. Vizita Juaj do të jetë një bekim i veçantë për shqiptarët katolikë që jetojnë në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi.

Ne në VETËVENDOSJE! jemi veçanërisht optimistë në lidhje me vizitën tuaj, sepse nëpërmjet veprimeve tuaja e keni përqendruar vëmendjen e botës tek të varfrit dhe të shtypurit. Ju keni dhënë një shembull të rëndësishëm dhe frymëzues për ne, për popullin tonë – dhe udhëheqësit tanë – duke qenë se në Kosovë ne luftojmë me varfëri konstante. Jeta dhe vepra e Nënë Terezës ka qenë gjithashtu një shembull udhërrëfyes për shqiptarët dhe për botën se çfarë do të thotë t’ia përkushtosh veten skamnorëve. Siç e dini, kur të mbërrini në Shqipëri Ju do të ateroni në aeroportin që mban emrin e saj.
Unë do të doja të tërhiqja vëmendjen Tuaj te fenomeni i njohur i bashkëjetesës fetare të cilën shqiptarët e kanë kultivuar me shekuj. Bashkëjetesa fetare ka mundësuar bashkëpunimin përtej linjave fetare dhe respekt të ndërsjellë për tempujt, simbolet dhe ritet fetare të besimeve tona të ndryshme. Ajo ka bërë të mundur që vendi ynë të mbijetojë si një tërësi – duke i bashkuar besimtarët shqiptarë katolikë, myslimanë dhe ortodoksë.

Edhe pse shumica e shqiptarëve sot janë muslimanë, ne kujtojmë me respekt dhe mirënjohje të thellë kontributin e klerit tonë katolik për ruajtjen dhe kultivimin e letërsisë shqipe. Në fakt, tekstet e para të shkruara në gjuhën shqipe janë trajtesa mbi Biblën shkruar nga klerikë katolikë. Disa nga shkollat tona të para në gjuhën shqipe ishin drejtuar nga Jezuitët në Shkodër.

Në Kosovë, ne kujtojmë në veçanti priftërinjtë dhe fretërit katolikë të Rendit Françeskan që ishin në ballë të mbrojtjes së shqiptarëve dhe luftës sonë për të drejtën për vetëvendosje në shekujt 19 dhe 20. Ata e informuan botën e jashtme për vuajtjet e civilëve shqiptarë gjatë luftërave të Ballkanit – kur populli ynë u nda padrejtësisht me kufij – dhe gjatë periudhës ndërmjet luftërave. Unë di për dy fretër që vdiqën duke mbrojtur shqiptarët në Kosovë – Frati Luigj Palaj, i cili u vra në afërsi të Gjakovës, në vitin 1913, duke i prirë komunitetit të tij në rezistencën kundër konvertimit të detyruar; dhe Frati Bernard Llupi, i cili u ekzekutua në vitin 1945 për rezistencën e tij kundër sundimit kolonial serb dhe jugosllav të Kosovës. Këta njerëz të besimit dhe ndërgjegjes kanë vepruar si përfaqësues jo vetëm të shqiptarëve katolikë, por të gjithë popullit shqiptar.

Shenjtëri,
Kur vendi im, Kosova, shpalli pavarësinë në vitin 2008, kjo ishte një shans për të gjithë ne në Kosovë, dhe në gjithë Ballkanin për të ndërtuar një jetë më të qetë, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare dhe etnike. Duke njohur pavarësinë si një instrument paqeje, Republika e Kosovës është njohur nga shumica e shteteve demokratike të botës – nga më shumë se 100 shtete aktualisht.

Megjithatë, fakti që Kosova nuk është ende anëtare e OKB-së, mbetet një shkak pasigurie që kontribuon në varfërinë e përhershme të popullit të Kosovës dhe inkurajon aspiratat hegjemoniste të Serbisë. Si rezultat, qytetarët e Kosovës mbeten njerëzit më të varfër në Evropë: rreth 18% jetojnë në varfëri të skajshme dhe 45% janë të papunë. Njohja e pavarësisë sonë – dhe e së drejtës sonë për të përcaktuar të ardhmen tonë – është jetike për ta mundësuar zhvillimin tonë, ndërtimin e shkollave dhe të një ekonomie që mund të sjellë prosperitet dhe paqe për vendin tonë.

Njohja e Kosovës nga Vatikani do të ishte një hap drejt fuqizimit të popullit të Kosovës në luftën tonë për të realizuar një jetë të dinjitetshme për të gjithë qytetarët tanë.

Ne jemi të vetëdijshëm se politika e njohjes mund të jetë një çështje delikate dhe komplekse për Selinë e Shenjtë dhe për marrëdhëniet e saj diplomatike me shtetet e tjera. Megjithatë, janë qytetarët e thjeshtë të Kosovës që mbajnë barrën e kësaj mungese të njohjes në jetën e tyre të përditshme. Prandaj, unë me mirësi kërkoj nga Shenjtëria Juaj të lutet për ne dhe të kërkojë të vërtetën dhe drejtësinë në zemër të kësaj çështjeje.
Vizita juaj në Shqipëri do të jetë një ngjarje historike e madhe për të gjithë shqiptarët dhe unë shpresoj se në të ardhmen do të kemi edhe kënaqësinë dhe nderin e vizitës suaj në Kosovë.
Juaji sinqerisht,
Albin Kurti
Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës