Home Blog Page 8191

Vendimi i Kushtetueses rreth orës 15:00

0

GjykataKushtetuese e KosovesGjykata Kushtetuese pritet të dalë sot, rreth orës 15:00, me vendimin e saj. Kështu mëson Politiko.net nga burime të mirë informuara me procesin.

Por, vendimi i Kushtetueses mund edhe të shtyhet deri javën tjetër, në rast se Gjykatës do t’i duhet më shumë kohë për disa fakte të reja që ajo ka marrë në shqyrtim gjatë kësaj jave.

Siç mëson Politiko.net, edhe diplomatët e huaj kanë paralajmëruar mundësinë që Gjykata Kushtetuese të dalë qysh sot me vendimin e saj final.

Ndryshe, dje, në ambientet e këtij institucionit që konsiderohet gardian i kushtetutshmërisë në vend, u ballafaquan me argumente të dy palët e përfshira në këtë rast, PDK dhe Blloku LDK-AAK-Nisma.

PDK e konsideron të paligjshme zgjedhjen e Isa Mustafës Kryetar të Kuvendit dhe për këtë është i është drejtuar Kushtetueses, duke pretenduar se gjatë seancës konstituive të Kuvendit është shkelur katër herë Kushtetuta.

Por, këto argumente janë hedhur poshtë nga Blloku LDK-AAK-Nisma, i cili e konsideron si të ligjshëm zgjedhjen e Isa Mustafës ndërsa për shkeljet në seancën konstituive fajëson Kryesuesen e seancës, Flora Brovina, deputete e PDK-së.

Bllokimi i lëndës në Gjykatën Kushtetuese ka bllokuar formimin e institucioneve dhe vendimi që pritet të dalë besohet se do ta zhbllokojë ngërçin politik në të cilin gjenden aktualisht institucionet e vendit.

Presidenti i Shqipërisë liron nga detyra katër ambasadorë

0

BujarNishani-presidentiShqiperisePresidenti i Shqipërisë Bujar Nishani dekretoi lirimin nga detyra të katër ambasadorëve, raporton abcnews.

Bëhet fjalë për Arben Çiçin, ambasadorin e Mbretërisë së Danimarkës dhe Kastriot Robon, ambasadori në mbretërinë e Spanjës, rezident, si dhe jo resident në Mbretërinë e Marokut dhe në republikën islamike të Mauritanisë.

Nga detyra u lirua dhe Ilir Tepelena, ambasadori rezident në Mbretërinë e Belgjikës, dhe jo rezident në Dukatin e Madh të Luksemburgut.

Nuk do të jetë më ambasador në Rumani Sami Shiba.

Beogradi bllokon mbetjet mortore

0

zhvarrim ne rashkeËshtë paraparë që gjatë ditës së premte (sot) në Kosovë të mbërrijnë 30 mbetjet mortore të kosovarëve të gjetura në varrezën masive në Rashkë të Serbisë. Por, këto mbetje nuk do të mbërrijnë të paktën deri më 26 gusht. Kjo pasi që pala serbe e përfaqësuar nga Komiteti i Kryqit të Kuq ndërkombëtar, ka kërkuar nga pala kosovare që fillimisht të njoftohen familjarët e këtyre viktimave dhe pastaj të procedohen mbetjet te pala kosovare.

Prenkë Gjetaj nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës, ka thënë se pala serbe ka përcjellë kërkesën dhe se e njëjta është duke u shqyrtuar nga pala kosovare. Sipas tij, java e ardhshme është data e fundit për dorëzim të mbetjeve. “E kemi vendos datën 26 ose javën tjetër si datë të fundit në të cilët pala serbe do të na i dorëzojë mbetjet e rreth 30 eshtrave të viktimave të vrara gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë Gjetaj.

Sipas tij, nga raportet ka të dhëna se është rritur numri i mbetjeve mortore dhe se gjatë gërmimeve gjurmuesit kanë hasur në mbetje të reja.

“Tani në raporte kemi parë se kanë ardhur edhe identifikime të tjera. Mbi 30 mbetje, viktima të luftës do të riatdhesohen. Ne po presim përgjigje nga pala serbe e përfaqësuar nga komiteti ndërkombëtar nëse pajtohen për këtë çështje”, ka thënë Prenkë Gjetaj, për gazetën Tribuna.

EULEX heton “ndalimin” e 13 zyrtarëve të LDK-së nga UÇK-ja në shtator të vitit 1998

0

UCK-amblemaGjashtëmbëdhjetë vjet pas “ndalimit” nga UÇK-ja të delegacionit prej 13 vetash, të kryesuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në Drenicë, duket se do të bëhet objekt i hetimit nga prokuroria e EULEX-it.

Atëbotë, në shtator të vitit 1998, në fshatin Qirez të Skenderajt u ndaluan mjeku Isuf Telaku, kryetari i Degës së LDK-së në Drenas, Mehdi Bardhi, Agim Krasniqi-LDK, Gjergj Dedaj-PLK, Sokol Blakaj-PLK, Kurtesh Devaja, Simon Augustini, Veli Bytyqi – PSHDK , Çaush Bajrushi, Milaim Kadriu dhe tre aktivistë të tjerë bashkë me aktivistet e tjera Nekibe Kelmendi e ndjerë, si dhe Sanie Aliu.

Nekibe Kelmendi dhe Sanie Aliu u lanë të lira ndërkaq të tjerët u mbajtën “në ndalim’ për 3 ditë e 3 net rresht.

Një nga protagonistët e kësaj ngjarje ka deklaruar për Botapress se ka marrë ftesë nga EULEX-i që të dëshmojë për këtë ngjarje.

“Jam ftuar nga EULEX-i dhe javën e ardhshme do të jap dëshminë time për aq sa mbaj mend për këtë përjetim të para 16 vitesh”, ka thënë për Botapress, një nga të ndaluarit nga UÇK-ja në shtator të vitit 1998.

Burime të Botapress-it bëjnë të ditur se tre të tjerë të ndaluar po ashtu tashmë kanë dhënë dëshmitë e tyre dhe pritet që në vazhdim të japin dëshmi edhe të tjerët.

Botapress ka pyetur zëdhënësin e EULEX-it Miguel Carvalho de Faria se a është duke bërë hetime për këtë rast EULEX-I dhe ajo ka dhënë një përgjigje të shkurtër: “Në lidhje me këtë rast, ju informoj se EULEX-i nuk ka hetim aktiv për këtë”.

Pra zëdhënsi Carvahlo ka folur për “hetimin aktiv” dhe nuk ka mohuar në tërësi se një hetim i tillë nuk është duke u zhvilluar.

Themelimi I Gjykatës Speciale do të shtrijë fushëveprimtarinë e vet edhe përtej “Shtëpisë së verdhë’ dhe pretendimeve të Dik Martit. Këtë e ka thënë edhe prokurori amerikan Williamson në konferencën për shtyp më 29 korrik në Bruksel tha se “… gjatë luftës në Kosovë, ka pasur dhunë ndaj
komuniteteve te pakicës, por edhe ndaj figurave politike”.

Atëbotë, në shtator të vitit 1998 me urdhër të Sabit Gecit, komandant i njësisë policore të UÇK-së dhe nën shoqërimin e “Gjarprit” Hashim Thaçit, të 13 të ndaluarit nga UÇK-ja do të përjetojnë një “mikpritje” dhe një “trajtim” të veçantë, kryesisht nga Sabit Geci dhe Komandant Gjarpri, ia
saj kohe apo Hashim Thaçi i sotëm.

Për 3 ditë e tre netë, “njerëzit e Ibrahim Rugovës’ në Drenicë do të mbahen “peng” nga UÇK-ja.

Për këtë rast ishte alarmuar edhe faktori ndërkombëtar në Prishtinë dhe me ndërmjetësimin e tyre, të 13-të të ndaluarit do të lirohen, secili me “pasojat” e tyre fizike e psikike.

“Trajtimin fizik” e kishte pranuar vetë Gjergj Dedaj, ndërkaq një rrëfim më të gjerë për këtë “rrugëtim nëpër territoret” e Drenicës e kishte shkruar Veli Bytyqi dhe u botua në disa vazhdime në gazetën Bota press në maj të këtij viti.

Emërimi i gjykatësve ndërkombëtarë, në bazë të ligjit

0

GjykataKushtetuese e KosovesZyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka njoftuar se është në përfundim të aranzhimeve rreth rregullimit ligjor dhe tranzicionit, të punës së tre gjykatësve ndërkombëtare të Kushtetueses. Kjo në mënyrë që të mos ketë paqartësi rreth anës ligjore dhe legjitimitetit të tyre, pas 31 gushtit, kur edhe është dashur të skadojë mandati i tyre sipas ligjeve që përmbyllin “Pavarësinë e mbikëqyrur”.

Aranzhimet është thënë se po bëhen bazuar në marrëveshjen e ratifikuar në Kuvend, pas letërkëmbimit të Presidentes me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.

Në këtë mënyrë sipas marrëveshjes, Bashkimi Evropian, do të jetë autoriteti që do të propozoj gjykatësit ndërkombëtarë të Kushtetueses në çfarëdo rasti, deri në vitin 2016.

“Bashkimi Evropian është duke siguruar që të ketë vazhdimësi në punën e gjykatësve ndërkombëtarë pas datës 1 shtator. Aktualisht ne jemi në proces të finalizimit të aranzhimeve për këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së/EUSR për Radio Kosovën.

Nga Zyra e Presidentes së Kosovës, autoriteti që emëron gjykatësit e Kushtueses përmes postës elektronike është thënë se “emërimi i gjykatësve ndërkombëtarë do të bëhet në bazë të ligjit, Kushtetutës dhe në respektim të marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara në Kuvendin e Kosovës”. Por, nuk është sqaruar nëse do të ketë zëvendësim të gjykatësve aktualë, të emëruar nga ish Zyra Civile Ndërkombëtare.

Kjo marrëveshje thirret në nenin 20 të Kushtetutës së Kosovës që lejon t’i barten disa përgjegjësi specifike organizatave ndërkombëtare. Ky nen në këtë rast do përligj kompetencën e Bashkimit Evropian për të pasur dorë në përbërjen e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës deri në vitin 2016.
Për tërë këtë proces asnjë përgjigje rreth situatës me mandatin dhe kontratat e gjykatësve ndërkombëtarë nuk ka dhënë Gjykata Kushtetuese.

Sipas ligjit në fuqi mbi Gjykatën Kushtetuese, mandati i gjykatësit është 9 vite pa mundësi rizgjedhje.
Aktualisht Gjykata Kushtetuese funksionon me 8 nga 9 gjykatësit sa duhet t’i ketë përbërja e saj. Parlamenti më herët nuk arriti të zgjedh njërin nga dy anëtarët e rinj të kësaj gjykate, që duhej të zëvendësonin dy gjykatësit, të cilëve më herët u kishte skaduar mandati.

Në kohën kur Gjykata Kushtetuese pritet të merr vendime të rëndësishme për situatën politike në vend, nga seancat me kontest politik është përjashtuar gjykatësi Kadri Kryeziu.

Ai ishte gjetur në shkelje kur në zgjedhjet e fundit nacionale kishte marr pjesë në një tubim zgjedhor të Partisë Demokratike.

Veprimi i Kryeziut i bërë pak pasi u kërkuar zgjatja e mandatit të gjykatësve ndërkombëtare u vlerësua pikërisht se i ka dhënë legjitimitet kërkesës së kreut të Kushtetueses Enver Hasani dhe Presidentes për t’u zgjatur mandatin gjykatësve ndërkombëtarë. Kjo me arsyen se gardiani i Kushtetutës po rrezikohet nga presioni dhe emisarët politik të ardhur përmes votës në Parlament.

Në Shkup vazhdon sot protesta kundër “Monstra”

0

Shkup-protesta shqiptareNë Shkup sot vazhdojnë protestat kundër rastit “Monstra” dhe kundër drejtësisë selektive ndaj shqiptarëve në Maqedoni.

Protestat do të vijojnë sipas itinerarit të ngjajshëm dhe se këshilli organizativ ka paralajmëruar se marshi protestues do të vazhdojë deri tek Qeveria. Mirëpo, nuk dihet akoma se cili do të jetë veprimi i policisë, që vazhdimisht ka bllokuar protestuesit tek udhëkryqi pranë qendrës tregtare “Mavrovasja” dhe Gjykatat, transmeton INA.

Sipas Këshillit Organizativ të protestave, ky shtet ushtron dhunë mbi pjesën dërmuese të popullatës së saj, nuk respekton të drejtën ligjore të pjesës dërmuese të qytetarëve të saj, kështu që koncepti i demokracisë mbetet vetëm në letër.

Protestat dhe kërkesat e KOK do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të parashtruara nga po ky këshill. Kërkesat e Këshillit:

1. Kërkojmë shpalljen e bijve tanë të pafajshëm, lirimin e menjëhershëm dhe dëmshpërblimin e tyre;

2. Kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të prokurores dhe gjykatësit të rastit dhe ndjekjen penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare;

3. Kërkojmë dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, duke shpall gjykimin e tyre qysh gjatë arrestimit të tyre ;

4. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të 6 shqiptarëve të pafajshëm, të dënuar me nga 3 vite burg, ku gjykata edhe në këtë rast dëshmoi se është antishqiptare e korruptuar dhe e politizuar skajshmërisht;

5. Kërkojmë që në situate të këtilla ku një popull i tërë ngritët në këmbë duke dëshmuar se në Maqedoni nuk funksionin ligji dhe drejtësia, shteti doemos të lejoj dhe mundësoj mbikëqyrje permanente edhe nga përfaqësues ndërkombëtar mbi sistemin juridik në Maqedoni, si dhe të merr në mbrojtje të burgosurit dhe familjarët e tyre.

6. Poashtu, nga ministri i drejtësisë, resor I BDI-së, kërkojmë prononcim publik, se si ai i vlerëson dënimet e 6 shqiptarëve me burgim të përjetshëm si dhe ndaj 6 protestuesve shqiptarë që u dënuan me nga 3 vite burg.

Këshilli Organizativ Koordinues nuk do të heqë dorë prej protestave deri në përmbushjen e kërkesave të parashtruara. Javën e kaluar nuk u zhvillua protesta, për shkak se familjarët kishin vizituar të afërmit e tyre në burgun e Prilepit. Rasti “Monstra” ka të bëjë me dënimin e 6 shqiptarëve nga Shkupi dhe rrethina me burgim të përjetshëm, të cilët u akuzuan nga prokuroria se kanë kryer vrasjen e pesë maqedonasve më 12 prill të 2012 në afërsi të liqenit Smilkovc në periferi të Shkupit.

ISIS kërkoi 80 milionë euro në këmbim të jetës së reporterit

0

Reporteri amerikanEkzekutuesit e gazetarit amerikan kanë kërkuar 80 milionë euro për lirimin e tij një vit më parë, ka thënë shefi ekzekutiv i “GlobalPost”, Filip Balboni.

Gazeta “Times” shkruan se SHBA-të refuzuan të paguajnë shumën e kërkuar nga militantët.

James Foley u rrëmby e në muajin nëntor të vitit 2012. Dy ditë më parë militantët e ISIS publikuan videon e tmerrshme të vrasjes së reporterit me prerje koke.

Nga videoja dy shohet se ekzekutuesi është një shtetas britanik, dhe po punohet për identifikimin e tij.

Një ditë pas videos SHBA-ja përshkallëzoi intensitetin e sulmeve ajrore në Irakun verior, ku janë aktiv militantët, të cilët kanë kërcënuar se do të vrasin një tjetër reporter që është pengu i ty re.

Nën mëshirën e “hiçit”!

0

Taulant selmaniShkruan: Taulant Selmani

Në agun e mëngjesit të pashpresë, zgjohesh duke mos e ditur ç’ke për të bërë, kaplohesh nga ndjesi të paskrupullta dhe shtiresh sikur gjithçka është në rregull. Këtë kënaqësi ta ofron vendi ynë, i harruar nga fati, i përbuzur nga vet ne, i dremitur në mjegullinat ëndërrore, e i rraskapitur nga realiteti i brishtë!

Ajo që të ngulfatet e që të ndal frymën, t’i errëson sytë e të ngurtëson zemrën është të mos kesh guxim të shpresosh, të ndjehesh i humbur, të spërkatesh me ndjenjën e frikës, të të mohohet e drejta e lëvizjes, të jesh i burgosur kundrejt fjalës tënde, të ndjehesh i gjymtuar kundrejt ardhmërisë, të mos guxosh të shohësh jetën, të dremitesh në ëndrra në sirtar, të vetëkënaqesh me atë që jeta ta servon, të ecësh me symbyllur në rrugën tënde të pambarim, të zgjohesh i lodhur nga gjumi dhe të flesh i pushuar, të përplasesh me fatkeqësitë e realitetet, të mos kesh një botëkuptim tëndin, të varrosesh ardhmërinë tënde!

Aty ku nuk e di nëse rreziku të kanoset nga “mjekra” apo nga “kollarja”, aty ku po të mendosh ndryshe nga të tjerët je i krisur, aty ku nëse je kundër diçkaje je ekstremist, aty ku nëse përkrah diçka të venë në dyshim moralin, aty ku përqafohen “gjithckaja” dhe “asgjëja”!

Çdo hap që hedh, mund të të kthehet në “egjel”! Një e dalë në rrugë mund të të shoqërojë me plumba, një kalim i rrugës mund të të shoqërojë me pasoja për jetë, nga shpejtësia e katranosur e makinave, një mungese e mbrojtësve në rruge të kushton me jetë, nga shpejtësia e trenit! Dhe jo vetëm kaq! Shumë e shumë mizori të tjera, “në të bardhën” e “në të zezën”, duke u thirrur në gjëra “të shenjta”, e duke na verbuar karshi realitetit, karshi jetës!

A mos ndoshta edhe për këtë kanë faj institucionet?! Jo! Fajin e kemi vet ne, sepse presim të mirën të na vijë nga qielli, duke e ditur që është nën këmbët tona, që e kemi shkelur e përdhosur dhe që nuk po mund të gjejmë fijen e lëmshit tonë. Ne kemi faj që nuk po mund ta mbushim dot boshllëkun në zemrat e shpirtrat tonë, apo nëse e bëjmë një gjë të tillë, e mbushim me inat, mërzi, stres e injorancë. Shumë më e rrugës do të ishte që të gjenim zgjidhjen para fajtorit, të kapim të mirën para ligësisë, të përqafojmë mirësjelljen para injorancës, ta nxjerrim nga brenda butësinë dhe jo mllefin, të forcojmë zemrën dhe jo kokën, të shtrëngojmë duart dhe jo dhëmbët!

Të fillojmë së ndryshuari secili në mënyrën dhe mundësinë e vet, nga vetja, familja, miqtë, e në fund të ndryshojmë gjithë shoqërinë tonë, të mos ndjehemi inferiorë e të mos jemi të përbuzur nga të tjerët, të cilëve ne u mësuam kulturën dhe sot na përqeshin tonën. Të mbrojmë njëri-tjetrin, ta ndihmojmë vetën dhe t’i hapim dyert vendit tonë, që të shohë botën!

Spahiu, aktori i roleve episodike që linte në hije protagonistët

0

Ahmet Spahiu-arkivoliPër t’i dhënë lamtumirën e fundit Ahmet Spahiut, familjarë e kolegë të tij u ngjitën në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës në ceremoninë komemorative.

Por në këtë skenë, Spahiu kishte shkelur për të fundit herë në vitin 2004, ani pse dëshira për t’u rikthyer kishte qenë gjithmonë e fuqishme.

Teatrin e krahasonte me fushë futbolli. Vetes i kishte ndarë pozicionin e mesfushorit që ndërton dhe e mban lojën deri në fund. E sulmues që shënonin gola i shihte kolegët e tij të gjeneratës – dy aktorët e ndjerë Istref Begolli e Shani Pallaska.

Aktori veteran Ahmet Spahiu – që kishte realizuar rreth 120 role në teatër dhe dhjetëra të tjera në televizion – ka vdekur në orët e hershme të së enjtes. Spahiu, ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të shkurtër. Ai ishte 83 vjeç.

Aktori i cili për të fundit herë u pa në ekran në rolin e Mixhës Bajram, në serialin televiziv “Familja moderne”, është varrosur në Prishtinë, në orët e pasdites. Homazhet për jetën e veprën e tij janë bërë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Një dhomë e gardërobës së këtij institucioni, për më shumë se një vit kishte qenë vendbanim i aktorit të ndjerë, në vitet ’50, kur kishte lënë Pejën për të ardhur në Prishtinë. Për t’i dhënë lamtumirën e fundit Spahiut, familjarë e kolegë të tij u ngjitën në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës në ceremoninë komemorative.

Por në këtë skenë, Spahiu kishte shkelur për të fundit herë në vitin 2004, ani pse dëshira për t’u rikthyer kishte qenë gjithmonë e fuqishme. Tubimi përkujtimor nisi dhe përfundoi me duartrokitje për jetën e veprën e tij. /KD/

Hapësira e shtatores së dëshmorit Xhevat Berisha, shndërrohet në vendparking të biçikletave!

0

bicikletat te shtatorjaShtatorja e dëshmorit të kombit Xhevat Berisha është shndërruar në vendparking për biçikletat e vizitorëve të sheshit “Shatërvan” të Prizrenit.

Rastet janë shtuar sidomos gjatë ditëve të fundit, sa është duke u mbajtur festivali ndërkombëtar ‘DokuFest’. Vizitorët për të siguruar biçikletat e tyre i lidhin për rrethojë të shtatores së dëshmorit, Xhevat Berisha.

Asamblisti i Kuvendit Komunal në Prizren, Azzam Dita thotë se vendosja e biçikletave rreth shtatores, është fyrje për dëshmorin e kombit Xhevat Berisha.

“Xhevat Berisha nuk e meriton një trajtim të tillë”, thotë Dita për TV “Besa”. Sipas tij, institucionet përkatëse duhet të marrin masa që të mos i lejojnë vizitorët t’i vendosin biçikletat në shtatoren e dëshmorit të kombit, Xhevat Berisha.

“Duhet të merren masa dhe të ndërpritet menjëherë kjo praktikë e keqe e vizitorëve”, thotë Dita.

Qytetarët shprehen të revoltuar me këtë veprim të vizitorëve. Ata thonë se dëshmorët e kombit duhet të respektohen e jo të nënçmohen. Arben Gashi thotë se Policia e Kosovës nuk duhet të lejojë që hapësira e shtatores e Xhevat Berishës, të shndërrohet në vendparking për bicikleta.

“Policia duhet t’i konfiskojë këto biçikleta dhe t’i ndëshkojë pronarët e tyre”, thotë ai për “PrizrenPress”.

Gashi shprehet i revoltuar edhe për mos reagimin e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.

”Është turp që përfaqësuesit e luftës deri më tash nuk kanë reaguar për këtë fenomen. Nuk e di se cilat vlera i mbrojnë ato organizata, kur nuk reagojnë në rastet kur fyhen dëshmorët. A ka fyrje më të madhe që parkohen biçikletat për shtatore të dëshmorit. Po dëshmohet se ato shoqata të luftës po i shikojnë vetëm interesat e veta personale dhe se nuk janë të interesuar për t’i mbrojtur vlerat e luftës”, thotë Gashi. / PrizrenPress.com/