20.4 C
Prizren
E martë, 5 Gusht, 2025
Home Blog Page 8387

LSB-SKV: Vazhdojmë me protestën – Lironi protestuesit!

0

Rektorati-studentet protestojneLëvizja Studentore për Barazi, “Studim, Kritikë, Veprim”, përmes një kumtese për shtyp thotë se sot, para dhe pas protestës, nga persona të panjohur “të cilët janë paraqitur si pjesëtarë të Policisë së Kosovës”, kanë arrestuar protestues, qytetarë e shumë nga organizatorët. “Këto arrestime nëpër rrugët e qytetit, kanë filluar që nga ora 11:00 dhe kanë vazhduar edhe pas protestës. Ndjekja e studentëve ka disa ditë që ka filluar dhe bëhet për arsyen e vetme: të mbytet organizimi studentor”, thuhet në kumtesë.
Sipas Lëvizjes Studentore për Barazi, janë të arrestuar mbi 30 studentë, qytetarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Një pjesë e tyre janë të lënduar dhe ende mbahen nën arrest, e “një pjesë e tyre është rrahur pas edhe gjatë arrestimit”.

“Këto kidnapime politike janë shfaqur në mënyrë më të hapur, kur studenti Durim Jasharaj ishte duke mbajtur prononcim para mediave dhe protestuesve, gjersa u kap dinakërisht nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, njëjtë sikurse aktivisti i shoqërisë civile, Ilir Deda, i cili ishte duke biseduar me policët”.

Lëvizja i bën thirrje Policisë së Kosovës që t’i lirojë studentët, qytetarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët po mbahen nën arrest vetëm për shkak se po kërkojnë drejtësi.

“Ne nuk do t’i ndalim protestat tona, derisa të realizohen kërkesat tona të drejta! Siç paralajmëruam edhe para portës së Rektoratit, protesta e dhjetë do të mbahet ditën e hënë, më 10 shkurt 2014, në ora 12:00. Sikurse në protestat e kaluara, studentët do të mblidhen të Konviktet në Qendrën Studentore, ndërsa të tjerët do të mblidhen tek sheshi ‘Skënderbeu’. Ju bëjmë thirrje gjithë studentëve, profesorëve, sindikatave, qytetarëve dhe shoqërisë civile që të na bashkohen në protestën tonë, e cila nuk do të ndalet deri në fund”!

Kërkesat, e Lëvizjes, janë:

1. Dorëheqja e menjëhershme e Rektorit, Ibrahim Gashi – sepse rektori duhet te ndalojë publikimet shkencore ne revista te rrejshme, e jo te publikojë rrejshëm punime shkencore.

2. Fillimi i menjëhershëm i hetimeve rreth keqpërdorimeve në Universitetin e Prishtinës dhe ngritja e një mekanizmi për verifikimin e të gjitha titujve akademikë – sepse duhet te ndalen turbotitujt shkencor e plagjiatet me pagese, nëpërmjet një mekanizmi verifikues e transparent, në mënyrë që të kemi shkencë e dije.

3. Përmirësimi i infrastrukturës në Qendrën e Studentëve

4. Largimi i ndikimit të pushtetit në Universitetin e Prishtinës, nëpërmjet heqjes së Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës – sepse duhet të kemi Universitet të studentëve, e jo Universitet të pushtetnxhinjëve.

Lëvizja ka dërguar edhe listën e protestuesve të arrestuar. Ata janë:
Agron Kabashi
Alban Makolli
Argjend Tahirukaj
Avin Foniqi
Durim Jasharaj
Edon Buca
Egzon Alshiqi
Egzon Azemi
Frashër Krasniqi
Gerolld Nikoliqi
Hetem Haliti
Ilir Deda
Jetmir Haliti
Luan Hoti
Luljeta Jasiqi
Nol Nushi
Nora Fetoshi
Premton Ibërdemaj
Rina Zhitia
Shyhrete Muji
Veron Hasani
Ylli Hoxha
Zgjim Hyseni etj.

Masë ndalimi prej 48 orësh për 31 të arrestuarit (Video)

0

Rektorati-protesta14lir Dedajt, Ylli Hoxhajt dhe 29 të arrestuarve të tjerë iu është caktuar masa e arrestit prej 48 orësh.

Këtë e ka konfirmuar për Koha.net avokati Tomë Gashi, i cili ka thënë se ky vendim është krejtësisht i kundërligjshëm.

“Prokurorja Fikrije Fejzullahu, prokurore e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ua ka shqyrtuar masën e ndalimit prej 48 orësh. Ky vendim është krejtësisht i kundërligjshëm dhe është keqpërdorim i drejtësisë”, ka thënë Gashi.

Ai ka thënë se aktiviteti i të arrestuarve, në veçanti i Ilir Dedës dhe Ylli Hoxhës, është i njohur, dhe ata nuk as nuk do të fshihen e as do të largohen nga Kosova.

Ndërkaq, prokurorja Fejzullahu ka thënë se nuk merret me emrat e të arrestuarve. “Unë nuk i di emrat e të arrestuarve. Hollë e hollë, unë i ndaloj edhe djemtë e mi nëse është nevoja”, ka deklaruar prokurorja Fejzullahu.

Mbërrin në Kosovë trupi i pajetë i Vaçe Zelës

0

VaçeZela-arkivoliTrupi i pajetë artistes së madhe, Vaçe Zela, ka mbërritur sot, në orën 14:24, në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.

Artistë, miq e shumë të tjerë kishin dalë të prisnin trupin e pajetë të artistes. Ndërkaq, edhe pse ishte paralajmëruar që të marrë pjesë ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, ai nuk ishte prezent, shkruan Zëri.

Ndryshe, Vaçe Zela ndërroi jetë në moshën 74-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë në Bazel të Zvicrës. Lajmi konfirmohet nga familjarët e saj në Zvicër.

VV: Dhuna e policisë ndaj studentëve është e papranueshme dhe e patolerueshme

0

VV-logo9-09Përdorimi i shfrenuar i dhunës nga Policia e Kosovës kundër studentëve protestues, e në mbrojtje të falsifikatorëve dhe uzurpatorëve të Universitetit të Prishtinës, është i patolerueshëm dhe i papranueshëm.

Është ky vlerësimi i Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt politik i cili e dënon këtë dhunë, që, sipas tyre, qëllim kryesor e ka heshtjen dhe lëndimin e studentëve protestues që kanë ngritur zërin dhe janë organizuar në mbrojtje të Universitetit, hapësirës publike dhe rregullave akademike, e kundër falsifikatorëve e mashtruesve që e kanë uzurpuar dhe korruptuar Universitetin dhe procesin mësimor brenda tij.

“Gjatë ditës së sotme të protestës policia ka arrestuar një numër të madh të protestuesve, madje ende pa filluar protesta. Këtë ditë policia, e urdhëruar nga pushteti, përdori metoda të kulluara totalitare duke i kryer arrestimet e protestuesve përmes policëve civilë, të cilët pa kurrfarë paralajmërimi e as provokimi i arrestonin qytetarët e Kosovës në rrugë. Këto janë kidnapime e jo arrestime sipas procedurave policore. Po ashtu gjatë zhvillimit të protestës policia ka përdorur edhe gazin lotsjellës duke e hedhur atë drejtpërdrejt në trupat e njerëzve dhe godinat përreth, me ç’rast e kanë paralizuar lëvizjen e të gjithë qytetarëve dhe banorëve përreth ndërtesës së Rektoratit”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Vetëvendosje vlerëson se studentët kanë të drejtë, pasi që, sipas tyre, Universiteti është i tyre, “ndërkohë që është uzurpuar nga mashtrues e matrapaz të mbështetur nga Qeveria e Kosovës, të cilët po ia shkatërrojnë Kosovës Universitetin dhe po ia ndalojnë studentit hyrjen në të”.

“Tash e dy ditë pushteti përmes deputetëve të tij e ka paralizuar edhe Kuvendin e Republikës së Kosovës duke e vendosur veten si mburojë e gjallë rreth shkeljeve, mashtrimeve, falsifikimeve e korrupsionit në Universitet të trupëzuara në menaxhmentin aktual të udhëhequr nga Ibrahim Gashi, dhe në Këshillin Drejtues të UP “Hasan Prishtina”. Universiteti është uzurpuar – është tjetërsuar nga dija, nga shkenca, dhe tash përmes policisë edhe nga studenti”, vlerëson Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje, në fund ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Rektorit dhe të anëtarëve të Këshillit Drejtues.

“Ne po ashtu kërkojmë tërheqjen e menjëhershme të policisë nga hapësira publike e Universitetit. Këta shkaktarë dhe bartës të dhunës së sotme, dhe veçanërisht urdhërdhënësit e tyre, duhet të japin përgjegjësi për rrahjen e protestuesve si dhe për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm. Po ashtu kërkojmë lirimin e menjëhershëm të protestuesve të arrestuar, që po mbahen padrejtësisht në burg”./PrizrenPress.com/

LDK e cilëson “stalinist” deputetin Ramë Vataj

0

Rame VatajLidhja Demokratike, përmes një komunikate ka reaguar ndaj pohimeve të deputetit të PDK-së, Ramë Vataj, i cili tha se Isa Mustafa nuk ishte anëtar i ASHAK.

“Personi i quajtur Ramë Vataj, i cili u bë i njohur me tentimin për ta rrënuar Akademinë e Arteve dhe të Shkencave të Kosovës, pasi humbi garën në katundin e tij, me urdhër të shefit, i është kthyer ASHAK-së”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

“Vataj, mbrëmë, deklaroi se Isa Mustafa nuk është akademik, duke menduar si çdo stalinist se këtë e vendos ai”.

Në komunikatë LDK rikujton se “Isa Mustafa është zgjedhur së pari anëtar korrespondent e pastaj anëtar i rregullt i ASHAK-së në procedurë të rregullt dhe me votë të fshehtë në Seksionet dhe në Kuvendet e ASHAK-së.

Se kush vlen e kush jo nuk vendos Vataj, meqë ai as nuk arrin të kuptojë se çfarë vlen dhe çfarë jo.

Vataj bën mirë të sqarojë se si ka mashtruar, bashkë me ministrin e Arsimit, për ta regjistruar djalin e tij kundërligjshëm në Fakultetin e Mjekësisë, sepse punët e ASHAK-së dhe të shkencës janë tepër të rënda për një anonimus që ka shpenzuar kot paratë e qytetarëve të Kosovës në Paris”. /PrizrenPress.com/

33 protestues të arrestuar, 29 policë të lënduar

0

Rektorati-protesta14Qindra protestues, të mbledhur më shumë se ditëve tjera kanë filluar edhe të premten protestën para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, për të kërkuar kështu dorëheqjen e rektorit, Ibrahim Gashi.

Policia e Kosovës theksoi se me çdo kusht është munduar t’i shmanget provokimeve, transmeton Telegrafi. Sipas Policisë përdorimi i mjeteve të tyre ka qenë në proporcion me situatën. Raportohet për 29 policë të lënduar dhe 33 protestues të arrestuar.

Kuvendi i Malishevës formoi komitetet obligative

0

KuvendiMalisheves-14-07Kuvendi i Komunës së Malishevës të kryesuar nga Enver Hoti, ka mbajtur sot mbledhjen e dytë të radhës, ku janë formuar komitetet obligative, si Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) dhe Komiteti për Komunitete, si dhe është marrë vendim për formimin e komisionit të punës, për hartimin e planit të punës së Kuvendit.

Anëtarët e Kuvendit të Komunës, kanë miratuar katër vendime, ku është vendosur për formimin e KPF-së, që do të ketë 11 anëtar (kryesuesi me 4 anëtar nga IQM-ja, 3 anëtar PDK-ja dhe 3 anëtar LDK-ja), pastaj Komitetin për Komunitete, që do të përbëhet prej 7 anëtarëve.

Gjithashtu është formuar edhe komisioni për hartimin e planit të punës së Kuvendit të Komunës, për vitin 2014, komision që përbëhet nga 7 anëtarë, nga të gjitha partitë politike në KK dhe kryesuesi.

Po ashtu KK mori vendim, që nga kjo seancë, të publikohen procesverbalet e mbledhjeve të KK, në ueb faqen zyrtare të komunës.

Në mbledhje ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës, Ragip Begaj, i cili është përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të Kuvendit, drejtuar atij, për çështje të ndryshme. /PrizrenPress.com/

22 drejtorë në Rahovec pajisen me certifikata nga USAID-BEP

0

Rahovec-22drejtor certifikohenNë Qendrën për Ngritje profesionale në shkollën fillore “Isa Boletini” në Rahovec, 22 drejtorë të shkollave fillore u pajisën me certifikata të trajnimit për menaxhim të shkollave, në kuadër të projektit të USAID- BEP (Programi për Arsim themelor).

Drejtori i DKA-së Behar Rama, tha se ky trajnim do të ndikojë në ngritjen e cilësisë së mësimit dhe do të bëjë të mundur që drejtorët të kryejnë më me përgjegjësi detyrat e tyre. Ndër të tjera drejtori Rama falënderoi donatorin (USAID) për këtë ndihmë dhe u shpreh i bindur se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Përgjegjësi i projektit të USAID-it  Keith Prenton, tha se ndjehet i lumtur për drejtorët që e kanë ndjekur këtë trajnim, ndërsa përvoja e fituar do të shërbejë për një lidership më të mirë në shkolla.

“Ju jeni pionierët që do ta modernizoni arsimin fillor në Kosovë. Puna juaj do të reflektojë në përfitimin e shkathtësive që ju duhen nxënësve për të përballuar sfidat e shekullit 21”, tha ndër të tjera Prenton.

Më pas Prenton dhe Rama bënë shpërndarjen e 22 certifikatave për pjesëmarrësit e trajnimit, që ka nisur në shtator të vitit 2012 dhe ka zgjatur një vit.

Basic Education Program (BEP) i USAID-it në Kosovë synon të përkrahë të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të ulëta (klasat I-IX). Moto e programit është, “Zhvillimi i shkathtësive të shekullit 21 tek nxënësit në partneritet me shkollën dhe komunitetin”. Programi mbështet edhe nga MASHT dhe punon për zgjerimin e kapaciteteve të menaxhimit të shkollave në mjedis të decentralizuar, për fuqizimin e vlerësimit të rezultateve të të nxënit dhe për përmirësimin e mësimdhënies përmes zhvillimit profesional të mësimdhënësve në detyrë. Programi zbatohet nga FHI, në partneritet me MASHT-in dhe Qendrën për Arsim të Kosovës (KEC). /PrizrenPress.com/

Rambujeja, ngjarje e madhe për Kosovën

0

Rambuje-krasniqi-thaciDisa nga përfaqësuesit e Kosovës, pjesëmarrës në Konferencën e Rambujesë, Hashim Thaçi, Rexhep Qosja, Jakup Krasniqi dhe Bujar Dugolli, në 15-vjetorin e saj e kanë vlerësuar këtë konferencë si një ngjarje të madhe politike në historinë e popullit shqiptar.

Me rastin e shënimit të 15-vjetorit të Konferencës së Rambujesë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, një nga nënshkruesit e marrëveshjes së Rambujesë për Kosovën, ka thënë se pa luftën çlirimtare Bashkësia Ndërkombëtare nuk do ta organizonte këtë konferencë në Rambuje të Francës. Thaçi ka thënë se kjo konferencë u organizua pas luftës heroike të UÇK-së dhe rezistencës gjithëqytetare të popullit të Kosovës. “Më 6 shkurt u mbushën 15 vjet qëkur filloi punimet Konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje të Francës. Konferenca u organizua pas luftës heroike të UÇK-së dhe rezistencës gjithëqytetare të popullit të Kosovës. Kjo Konferencë u organizua nga bashkësia ndërkombëtare me rol udhëheqës nga SHBA-ja, BE-ja dhe me prani të Rusisë. Pa luftën çlirimtare Bashkësia Ndërkombëtare nuk do ta organizonte Rambujenë. Me marrëveshjen e Rambujesë u krijua mundësia e intervenimit të NATO-s ndaj caqeve të ushtrisë serbe në Kosovë. Falë sakrificës heroike të popullit të Kosovës dhe bombardimeve të NATO-s, Kosova fitoi lirinë në qershor të vitit 1999”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social “Fecebook”. Ai ka thënë se në shenjë nderimi për këtë datë duhet të kujtohen dëshmorët e lirisë, sakrifica e invalidëve të luftës, veteranët dhe mundi i gjithë qytetarëve të Kosovës për liri. “Çdo qytetar i Kosovës është çlirimtar. Në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës, falënderoj SHBA-të, BE-në dhe NATO-n”, ka thënë Thaçi.

Qosja: Ndaj ShBA-së duhet të kemi një nderim të veçantë historik

Për rolin dhe rëndësinë e Konferencës së Rambujesë ka folur të enjten edhe akademik Rexhep Qosja, një nga nënshkruesit e marrëveshjes së Rambujesë për Kosovën. Qosja ka thënë për “Epokën e re” se Konferenca e Rambujesë është ngjarje e madhe politike në historinë e popullit shqiptar. “Konferenca ndërkombëtare e Rambujesë është një datë e madhe në historinë e popullit shqiptar. Këtë konferencë në radhë të parë e kanë organizuar ShBA-të dhe BE-ja, por ndaj ShBA-ve kemi dhe duhet të kemi një qëndrim, një nderim të veçantë historik. Ato kanë luajtur rolin vendimtar për mbajtjen e kësaj konference, mandej për masat që janë marrë më vonë në lidhje me Kosovën dhe çështjen shqiptare në përgjithësi. Shkurt e shqip, Konferenca e Rambujesë është ngjarje e madhe politike në historinë e popullit shqiptar”, ka thënë Qosja. Ai ka vlerësuar se Konferenca e Rambujesë ka ndryshuar dhe ka korrigjuar padrejtësitë e mëdha që i janë bërë Kosovës dhe popullit shqiptar. “Është një datë e madhe për arsye se Konferenca e Rambujesë është ngjarja e madhe, e cila me punën e saj, me rrjedhimet pas punës së saj, me vendimet që janë marrë pastaj në bazë të saj nga faktorët ndërkombëtarë në radhë të parë, nga ShBA-të dhe BE-ja e kanë ndërruar historinë e popullit shqiptar. Një histori më shumë mundime, më shumë dhunë, më shumë terror, më shumë zhvendosje dhe më shumë padrejtësi që i janë bërë popullit shqiptar, ajo konferencë, në masë të madhe, e ka përmirësuar atë gjendje historike të popullit shqiptar, e ka ndryshuar dhe e ka përmirësuar një padrejtësi të madhe që popullit shqiptar i është bërë në Kongresin e Berlinit, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër dhe në Konferencat pas Luftës së Parë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Pra, në masë të madhe i ka ndryshuar dhe i ka korrigjuar ato padrejtësi”, ka deklaruar Qosja. Ai ka thënë se Konferenca e Rambujesë e ka përmirësuar pozicionin e popullit shqiptar dhe ia ka dhënë vendin e duhur në historinë ballkanike. “Pra, ajo është konferencë me rol të veçantë në historinë tonë. Pas shumë mbledhjeve, tubimeve, e kongreseve ndërkombëtare me të cilat kemi qenë të shpërfillur dhe ndaj nesh janë bërë padrejtësi të mëdha historike, kjo konferencë është e para që popullit shqiptar ia ka dhënë vendin që i takon në historinë ballkanike dhe ka ndikuar në ndryshimin e fatit të tij historik, prandaj edhe në përmirësimin e pozitës së tij historike në Ballkan dhe në Evropë”, është shprehur Qosja.

Krasniqi: Konferenca e Rambujesë, ngjarja më e madhe ndërkombëtare për Kosovën

Ndërkohë kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili po ashtu ka qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në Rambuje, ka thënë për “Epokën e re” se Konferenca e Rambujesë është ngjarja më e madhe ndërkombëtare për Kosovën e cila ka ndikuar pozitivisht në proceset e mëtutjeshme për vendin tonë. “Nuk ka asnjë dyshim se Konferenca e Rambujesë është ngjarja më e madhe ndërkombëtare për Kosovën. Ajo ngjarje, sido që të trajtohet sot, i ka ndikimet e saj në të gjitha proceset pozitive që rrodhën pas saj”, ka vlerësuar Krasniqi.

Dugolli: Rambueja mbetet një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për historinë e Kosovës

Edhe Bujar Dugolli, i cili ka qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, ka vlerësuar se Konferenca e Rambujesë ka qenë ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme, e cila ka pasur ndikim të madh në të ardhmen e Kosovës. “Padyshim se në këtë 15-vjetor të asaj konference ndërkombëtare për Kosovën, kur reflektojmë në kontekstin historik, themi se ka qenë një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës, sepse ishte hera e parë në historinë e Kosovës që bashkësia ndërkombëtare dhe bota perëndimore mblidhej në një forum të tillë ndërkombëtar për ta trajtuar një problem të pazgjidhur në Ballkan siç ishte Kosova”, ka thënë Dugolli për “Epokën e re”.
Ai ka thënë se Konferenca e Rambujesë është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme që është futur në analet e historisë bashkëkohore si ngjarje pozitive dhe e dobishme për Kosovën. “Kjo mbetet një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për historinë e Kosovës, por edhe e shqiptarëve, sepse ishte kjo konferencë ndërkombëtare e cila u hapi rrugë zhvillimeve të mëtutjeshme siç ishte intervenimi i NATO-s për t’i larguar ushtrinë dhe policinë serbe nga Kosova dhe për t’i hapur rrugë çlirimit të Kosovës. Pas këtij momenti ndodhi ndërtimi i Kosovës, pastaj pavarësimi i saj. Mendoj se kjo është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme saqë është futur në analet e historisë bashkëkohore si ngjarje pozitive dhe e dobishme për Kosovën”, ka deklaruar Dugolli.

KD i UP-së: Na jepni kohë për marrjen e masave

0

UP-rektoratiKëshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës shprehet se është tejet i shqetësuar me zhvillimet në Universitetin e Prishtinës dhe me implikimet e thella politike, në këto zhvillime, që për fat të keq sot kanë eskaluar edhe në akte të dhunshme.

Në njoftim thuhet se Këshilli Drejtues ka filluar procedurën e adresimit të përgjegjësisë për të gjithë stafin e UP-së, duke filluar nga rektori dhe deri në të fundit në listë.

“Ju sigurojmë se jemi të vendosur për të marrë masa në përputhje me ligjin dhe Statutin ndaj të gjithë atyre që kanë përgjegjësi morale apo ligjore për situatën e krijuar… Konsiderojmë se në një situatë të tillë, rekomandimi i një pjese të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për dorëheqjen e Këshillit Drejtues të UP-së, është i kundërligjshëm dhe ndërhyrje flagrante në autonominë e Universitetit. Për më tepër kjo masë e propozuar nuk e ndihmon zgjidhjen e problemit dhe druajmë se krijon hapësirë për një anarki totale”, thuhet në komunikatë.

KD i UP-së kërkon nga studentët protestues, nga opinioni publik dhe nga institucionet e Republikës së Kosovës, që t’iu japin kohën e domosdoshme që Këshilli Drejtues ta kryej punën e vetë dhe në përputhje me kompetencat qe ka, të ndërmarrë masa ndaj të gjithë atyre që janë përgjegjës për situatën e krijuar, duke filluar nga Rektori Ibrahim Gashi.

“Situata e krijuar është e papranueshme dhe na pamundëson që t’i kryejmë detyrat dhe premtimet që i kemi dhënë”, thuhet në komunikatë.