7.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Rambujeja, ngjarje e madhe për Kosovën

Rambuje-krasniqi-thaciDisa nga përfaqësuesit e Kosovës, pjesëmarrës në Konferencën e Rambujesë, Hashim Thaçi, Rexhep Qosja, Jakup Krasniqi dhe Bujar Dugolli, në 15-vjetorin e saj e kanë vlerësuar këtë konferencë si një ngjarje të madhe politike në historinë e popullit shqiptar.

Me rastin e shënimit të 15-vjetorit të Konferencës së Rambujesë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, një nga nënshkruesit e marrëveshjes së Rambujesë për Kosovën, ka thënë se pa luftën çlirimtare Bashkësia Ndërkombëtare nuk do ta organizonte këtë konferencë në Rambuje të Francës. Thaçi ka thënë se kjo konferencë u organizua pas luftës heroike të UÇK-së dhe rezistencës gjithëqytetare të popullit të Kosovës. “Më 6 shkurt u mbushën 15 vjet qëkur filloi punimet Konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje të Francës. Konferenca u organizua pas luftës heroike të UÇK-së dhe rezistencës gjithëqytetare të popullit të Kosovës. Kjo Konferencë u organizua nga bashkësia ndërkombëtare me rol udhëheqës nga SHBA-ja, BE-ja dhe me prani të Rusisë. Pa luftën çlirimtare Bashkësia Ndërkombëtare nuk do ta organizonte Rambujenë. Me marrëveshjen e Rambujesë u krijua mundësia e intervenimit të NATO-s ndaj caqeve të ushtrisë serbe në Kosovë. Falë sakrificës heroike të popullit të Kosovës dhe bombardimeve të NATO-s, Kosova fitoi lirinë në qershor të vitit 1999”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social “Fecebook”. Ai ka thënë se në shenjë nderimi për këtë datë duhet të kujtohen dëshmorët e lirisë, sakrifica e invalidëve të luftës, veteranët dhe mundi i gjithë qytetarëve të Kosovës për liri. “Çdo qytetar i Kosovës është çlirimtar. Në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës, falënderoj SHBA-të, BE-në dhe NATO-n”, ka thënë Thaçi.

Qosja: Ndaj ShBA-së duhet të kemi një nderim të veçantë historik

Për rolin dhe rëndësinë e Konferencës së Rambujesë ka folur të enjten edhe akademik Rexhep Qosja, një nga nënshkruesit e marrëveshjes së Rambujesë për Kosovën. Qosja ka thënë për “Epokën e re” se Konferenca e Rambujesë është ngjarje e madhe politike në historinë e popullit shqiptar. “Konferenca ndërkombëtare e Rambujesë është një datë e madhe në historinë e popullit shqiptar. Këtë konferencë në radhë të parë e kanë organizuar ShBA-të dhe BE-ja, por ndaj ShBA-ve kemi dhe duhet të kemi një qëndrim, një nderim të veçantë historik. Ato kanë luajtur rolin vendimtar për mbajtjen e kësaj konference, mandej për masat që janë marrë më vonë në lidhje me Kosovën dhe çështjen shqiptare në përgjithësi. Shkurt e shqip, Konferenca e Rambujesë është ngjarje e madhe politike në historinë e popullit shqiptar”, ka thënë Qosja. Ai ka vlerësuar se Konferenca e Rambujesë ka ndryshuar dhe ka korrigjuar padrejtësitë e mëdha që i janë bërë Kosovës dhe popullit shqiptar. “Është një datë e madhe për arsye se Konferenca e Rambujesë është ngjarja e madhe, e cila me punën e saj, me rrjedhimet pas punës së saj, me vendimet që janë marrë pastaj në bazë të saj nga faktorët ndërkombëtarë në radhë të parë, nga ShBA-të dhe BE-ja e kanë ndërruar historinë e popullit shqiptar. Një histori më shumë mundime, më shumë dhunë, më shumë terror, më shumë zhvendosje dhe më shumë padrejtësi që i janë bërë popullit shqiptar, ajo konferencë, në masë të madhe, e ka përmirësuar atë gjendje historike të popullit shqiptar, e ka ndryshuar dhe e ka përmirësuar një padrejtësi të madhe që popullit shqiptar i është bërë në Kongresin e Berlinit, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër dhe në Konferencat pas Luftës së Parë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Pra, në masë të madhe i ka ndryshuar dhe i ka korrigjuar ato padrejtësi”, ka deklaruar Qosja. Ai ka thënë se Konferenca e Rambujesë e ka përmirësuar pozicionin e popullit shqiptar dhe ia ka dhënë vendin e duhur në historinë ballkanike. “Pra, ajo është konferencë me rol të veçantë në historinë tonë. Pas shumë mbledhjeve, tubimeve, e kongreseve ndërkombëtare me të cilat kemi qenë të shpërfillur dhe ndaj nesh janë bërë padrejtësi të mëdha historike, kjo konferencë është e para që popullit shqiptar ia ka dhënë vendin që i takon në historinë ballkanike dhe ka ndikuar në ndryshimin e fatit të tij historik, prandaj edhe në përmirësimin e pozitës së tij historike në Ballkan dhe në Evropë”, është shprehur Qosja.

Krasniqi: Konferenca e Rambujesë, ngjarja më e madhe ndërkombëtare për Kosovën

Ndërkohë kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili po ashtu ka qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në Rambuje, ka thënë për “Epokën e re” se Konferenca e Rambujesë është ngjarja më e madhe ndërkombëtare për Kosovën e cila ka ndikuar pozitivisht në proceset e mëtutjeshme për vendin tonë. “Nuk ka asnjë dyshim se Konferenca e Rambujesë është ngjarja më e madhe ndërkombëtare për Kosovën. Ajo ngjarje, sido që të trajtohet sot, i ka ndikimet e saj në të gjitha proceset pozitive që rrodhën pas saj”, ka vlerësuar Krasniqi.

Dugolli: Rambueja mbetet një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për historinë e Kosovës

Edhe Bujar Dugolli, i cili ka qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, ka vlerësuar se Konferenca e Rambujesë ka qenë ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme, e cila ka pasur ndikim të madh në të ardhmen e Kosovës. “Padyshim se në këtë 15-vjetor të asaj konference ndërkombëtare për Kosovën, kur reflektojmë në kontekstin historik, themi se ka qenë një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës, sepse ishte hera e parë në historinë e Kosovës që bashkësia ndërkombëtare dhe bota perëndimore mblidhej në një forum të tillë ndërkombëtar për ta trajtuar një problem të pazgjidhur në Ballkan siç ishte Kosova”, ka thënë Dugolli për “Epokën e re”.
Ai ka thënë se Konferenca e Rambujesë është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme që është futur në analet e historisë bashkëkohore si ngjarje pozitive dhe e dobishme për Kosovën. “Kjo mbetet një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për historinë e Kosovës, por edhe e shqiptarëve, sepse ishte kjo konferencë ndërkombëtare e cila u hapi rrugë zhvillimeve të mëtutjeshme siç ishte intervenimi i NATO-s për t’i larguar ushtrinë dhe policinë serbe nga Kosova dhe për t’i hapur rrugë çlirimit të Kosovës. Pas këtij momenti ndodhi ndërtimi i Kosovës, pastaj pavarësimi i saj. Mendoj se kjo është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme saqë është futur në analet e historisë bashkëkohore si ngjarje pozitive dhe e dobishme për Kosovën”, ka deklaruar Dugolli.

Më Shumë

“Fortnight”, kënga e re e Taylor Swift thyen rekord!

Kënga e re e Taylor Swift “Fortnight” po korr një sukses të jashtëzakonshëm. Spotify së fundmi njoftoi se kënga e 34-vjeçares “Fortnight”, me Post...

Bëhen të ditura terminet për ndeshjet e dyta të gjysmëfinaleve të playoffit

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka publikuar sot në faqen zyrtare të saj terminet e ndeshjeve të dyta të serive gjysmëfinale të playoffit. Peja, që...

Lajmet e Fundit