21.1 C
Prizren
E hënë, 4 Gusht, 2025
Home Blog Page 8397

Draft-strategjia nuk parasheh marrjen e plotë të përgjegjësive të EULEX-it

0

EULEX-kosoveStrategjia për sundim të ligjit e cila do t’i paraqitet Bashkimit Evropian deri në fund të prillit nuk përfshinë marrjen e plotë të përgjegjësive që ka ushtruar EULEX-i deri më tani Kosovë. Radio Kosova ka parë dokumentin në përgatitje të cilin po punojnë autoritet kosovare ashtu siç ka kërkuar BE-ja në kuadër të Dialogut të Strukturuar për Sundimin e Ligjit. Platforma parasheh reforma në gjyqësor, por edhe rol ekzekutiv të gjykatësve dhe prokurorëve ndërkombëtarë në vend.

Më shumë zotime për forcimin e rendit dhe ligjit përmban strategjia për sundim të ligjit që sapo ka nisur të hartohet nga autoritetet kosovare, ashtu siç është kërkuar nga Bashkimi Evropian.

BE-ja ka kërkuar platformë konkrete nëse institucionet e vendit do të munden më shpejtë të marrin nga EULEX-i përgjegjësitë që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.

Por, sipas draft-dokumentit fillestar të autoriteteve kosovare nuk duket se ekziston gatishmëri e plotë e strukturës gjyqësore të Kosovës për t’u marrë me tërë atë që është marrë deri më tani Misioni Evropian për Sundim të Ligjit.

Gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtar pavarësisht në çfarë përbërje do të kenë edhe më tej pothuajse kompetenca të plota ekzekutive në lëndët që do të trajtojnë.

Atyre do t’u mbetet në dorë materia kryesore që janë marrë deri më tani, krimet e luftës dhe krimi i organizuar. Ndërkohë që strategjia përfshin thellimin e reformave në gjyqësor, posaçërisht prova konkrete për luftë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përmes kësaj strategjie dhe rezultateve të planit të veprimit që pritet të hartohen, BE do të mat progresin në fushën e sundimit të ligjit.

Pjesë e saj do të jenë edhe filtrimi i gjykatësve dhe prokurorëve, që janë përfshirë ose do të përfshihen në sistemin e drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë, ajo e Integrimit dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk kanë dhënë detaje të tjera rreth strategjisë që sapo ka filluar të hartohet.

Sistemi gjyqësor i Kosovës vazhdon të konsiderohet si një nga elemente më të dobëta të funksionimit të institucioneve në Kosovë. Për këtë arsye autoriteteve kosovare u janë kërkuar plane konkrete veprimi.

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson në takimin e fundit në kuadër të Dialogut të Strukturuar për Sundimin e Ligjit u ka dhënë afat autoriteteve kosovare fundin e prillit për të paraqitur një strategji dhe plan veprimi për gjyqësorin.
Dialogu i Strukturuar për Sundimin e Ligjit në raport me Kosovën është njëri nga matësit e realizmit të asaj që ofrohet në diskutime politike lidhur me drejtësinë, sigurinë, gjyqësorin dhe të drejtat e njeriut. Ky dialog përfaqëson një zotim afatgjatë në mes të BE-së dhe Kosovës për fuqizimin e sundimit të ligjit.rtk

Politikanët milionerë në shtet të varfër

0

Veturat e qeveritareveKosova konsiderohet i vendi më i varfër në rajon. Por, me gjithë shkallën e lartë të papunësisë dhe varfërisë, edhe në Kosovë ka qytetarë milionerë.
Disa përfaqësues të partive politike apo zyrtarë në institucione të larta, qoftë qendrore apo lokale, janë milionerë dhe të tjerë vlerësohen shumë të pasur.

Nga deklarimi i pasurisë që kanë bërë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, vërehet se zyrtarë të institucioneve, disa nga të cilët janë pjesë e legjislativit, kanë pasuri të paluajtshme, para të gatshme dhe vetura luksoze, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ndërkaq, pagat për ta sillen rreth 17 mijë euro vjetore.
Profesioni më fitimprurës në Kosovë vlerësohet të jetë politika, thonë ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët shpesh kanë ngritur këtë çështje, madje duke e vlerësuar shqetësuese këtë fakt, në një vend ku një pjesë e qytetarëve mezi sigurojnë bukën.
Në Kosovë, ku paga mesatare është deri në 400 euro, gjysma e popullatës është e papunë dhe e varfër, sipas drejtorit të Agjencisë Kundër-korrupsion, Hasan Pretenit, është shumë e vështirë të arrihet pasuria milionëshe.

Ai thotë se diferenca e krijuar në shoqëri në vitet e pasluftës është e pajustifikueshme.

Preteni thotë se nuk është problem të jesh milioner, por më rëndësi është që të gjenden ata që kanë krijuar milionat, për një periudhë të shkurtër kohore, duke mos e respektuar ligjin.

“Është e vërtet se është vështirë të përballohet me zyrtarë të lartë të cilët kanë deklaruar vlera të lartë monetare apo kanë pasuri të patundshme që përkojnë të jenë milionerë. Ndoshta nuk janë të tillë, por janë shuma të larta të cilat vështirë të besohet se në Kosovë për një kohë të shkurtë janë fituar”, tha Preteni.

Në vitin 2011, Agjencia Kosovare kundër Korrupsionit kishte bërë të ditur se një nga 10 politikanët që ishin pretendentë për të hyrë në Kuvend, është milioner.

Paradoks e quan këtë situatë Fidan Kalaja, nga organizatat joqeveritare “Fol”.
Aspekti më i tmerrshëm, sipas tij, është se në Kosovë rreth 20 për qind e popullatës jetojnë në varfëri, kurse rreth tre për qind e popullatës, siç thotë ai, të instaluar në institucione të ndryshme publike, pasuria e tyre llogaritet të jetë deri në një miliard euro.

“Burimi i krejt kësaj pasurie është shumë i thjeshtë – abuzimi më pushtetin ka bërë që të kemi politikan që kanë pasuri milionëshe apo edhe miliardshe.
Këta zyrtarë kanë shfrytëzuar pushtetin që krijojnë miliona dhe kanë shfrytëzuar pushtetin që të formojnë biznese, biznese këto që më pas kanë përfituar nga pushteti”, thotë Kalaja për Radion Evropa e Lirë.

Përfaqësues të shoqërisë civile kanë vlerësuar se pasurimi i elitës politike, e ka varfëruar popullatën.

Edhe Lumir Abdixhiku, drejtor në Institutin “Riinvest” shprehet i çuditur me faktin se në Kosovë milionerë nuk janë biznesmenët, por një pasuri të tillë e kanë politikanët.

Me standardet e jetesës dhe më pagat e administratës publike, Abdixhiku konsideron se ka një shpërputhje të madhe më pasurinë e politikanëve në vend.

“Është e pakuptimtë se si politikanët kosovarë gjenerojnë kaq shumë pasuri me një pagë simbolike në relacion pasurinë e tyre. Duhet të ketë resurse apo burime tjera të financimit të kësaj pasurie jashtë politikes”.

“Me nivelin e lartë të korrupsionit dhe më gjithë këtë perceptim të keqpërdorimit të parasë publike është e drejtë të ngrihet dyshimi që ka keqpërdorime të mëdha, të cilat në fund të përfundojnë te pasuria individuale e politikanëve të Kosovës”, shprehet Abdixhiku.

Sidoqoftë, Ministri i Financave, Besim Beqaj ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Financave janë të përkushtuara që me reformat e nisura të rrisin edhe më shumë transparencën dhe kredibilitetin e sistemit për menaxhim me paratë publike.

Deputetëve të “nderuar”

0

Bekri S. MurselajBekri S.Murselaj
Këtë tekst po e filloj me shqetësimin tim personal si qytetar rreth zhvillimeve të fundit në vend, lidhur me votimin pro uljes së zërit të ezanit dhe këmbanës, këtij veprimi nëse i mundësohet dhe miratimi i këtij ligji nga ana e Kuvendit të Kosovës, atëherë deputetëve të Kuvendit, duhet t’ju shtrohen disa pyetje në vazhdim.

Kjo gjendje alarmante e krijuar ditëve të fundit në vend, nga ana e disa deputetëve të cilët me votën e tyre pro uljes së zërit të riteve fetare në vend mund të krijon një gjendje shqetësuese, dhe të paqëndrueshme në vend në kuptimin e mospranimit të një veprimi të tillë nga ana e pushtetit legjislativ (Kuvendi Kosovës), duke pasur parasysh shkeljen e lirive fetare në vend, ku në asnjë vend nuk ndodh një gjë e tillë.

Veprimet e ndërmarra nga Kuvendi, janë veprime që bien ndesh me të drejtën dhe lirinë fetare në vend. Por duke u nisur nga vetfakti se të gjithë deputetët që e përfaqësojnë popullin si ka mundësi të ndodh një veprim i tillë, kur të gjithë ata të “nderuar” janë pjesë e këtij populli dhe vinë nga njëri religjion (besim fetar) edhe vetë.

Në këtë tekst gjithnjë kam për qëllim që si qytetar i këtij vendi (Kosovës), të shpreh pakënaqësit personale dhe shoqërore, duke e shikuar këtë veprim të Kuvendit të Kosovës, më shumë si një tendencë të paramenduar me qëllim që të preken qytetarët tani dhe në religjion.

Ky veprim nga ana e Kuvendit, mund të prodhojë pakënaqësi të vazhdueshme te qytetarët, por një gjë duhet ta ketë parasysh organi legjislativ (Kuvendi i Kosovës) se këto “lojëra” që po bëhen në emër të qytetarëve mund të kenë efekte negative në vend.

Për t’ju shtruar disa nga pyetjet që duhet t’ju bëhen deputetëve të Kuvendit, atëherë duhet të nisemi nga kjo: Çka mund të pengojë një thirrje e ezanit apo një këmbanë? Kjo është një pyetje esenciale që duhet të përgjigjen ata deputetët e “nderuar” .

Por duhet t’ju bëhet e ditur atyre se çështja e uljes së zërit të riteve fetare, nuk prodhon zhurmë as tollovi, përveç se që rrit besimin ndaj krijuesit (Zotit).

Këta deputetë që janë të përzgjedhurit e popullit duhet ta kenë parasysh se para se ta miratojnë këtë ligj, duhet të miratojnë ligje të tjera që janë në të mirë të qytetarëve të vendit.

Nëse fillojmë dhe iu numërojmë pyetjet që duhet t’ju bëhen këtyre deputetëve që po iu pengoka kaq shumë zëri i riteve fetare, atëherë do të na dalin një varg mjaft i gjatë pyetjeve lidhur me shumë zhurma dhe pengesa që na shfaqen çdo ditë e më shumë.

O ju të “nderuar” si ka mundësi të miratohet ligji kundër pirjes së duhanit në vende publike dhe përsëri të vazhdon pirja e tij?

Si ka mundësi të mos ndalet zhurma e muzikës në lokalet natës edhe pas ores 00:00?

Si ka mundësi të gjithë ata që bëjnë vepra penale, dhe në të shumtën e rasteve gjykata të bëhet tolerante ndaj atyre që e shkelin ligjin?

Athu nuk është rrezik për qytetarët kur shumë gjëra ushqimore dhe barna farmaceutike janë me afat të skaduara?

Andaj tregohuni më të kujdesshëm ndaj këtyre dukurive që ne si qytetarë përballemi çdo ditë e më shumë me të gjitha këto parregullësi.

Këto pyetje që u parashtruan këtu janë vetëm një pjesë e pyetjeve të shumta që mund t’ju drejtohen këtyre deputetëve të “nderuar” të gjitha ligjet vetë i miratojnë dhe përsëri vetë i shkelin, prandaj si një qytetar i rëndomtë dhe gjithsesi i rëndësishëm në të drejtën e lirisë fetare jetësore, iu bëjë apel që ky ligj ndoshta është ligji i fundit që duhet miratuar, për arsye se ne si qytetarë të këtij vendi kemi nevojë për miratimin e shumë ligjeve tjera që sjellin mirëqenie dhe jetë më të mirë qytetarëve.

Anadaj edhe një herë po e theksojë se tendencat që po shfaqen nga Kuvendi Kosovës nuk janë asgjë tjetër përpos se një ikje e përgjegjësisë për të cilën janë të thirrur të punojnë, kurse kjo që po ndodh tani është vetëm një zhagitje e kohës aq sa iu ka mbetur deri në zgjedhjet e ardhshme, sepse siç po shihet vullneti i tyre për të bërë punë, në emër të cilës janë të thirrur është nën nivelin e duhur, prandaj këta po bëjnë zhurmë kinse po punohet në të mirë të qytetarëve të vendit.

Por një gjë duhet ta kenë qartë se në vend shumë ligje që janë miratuar ose nuk janë funksionale ose janë shumë pak, andaj sa do t’i ndihmoj ky ligj qytetarët e vendit, kur nuk po mund t’i ndimojnë pjesa më e madhe e ligjeve, dhe nga ana tjetër çka mund të përfitojnë institucionet dhe qytetarët nga ky ligj?

Këto janë disa pyetje që lidhen me shqetësimin tim si qytetar dhe i shumë qytetarëve të tjerëve.

 

Profesorit, Muhamet Pirraku

0

Faik MiftariFaik MIFTARI

(Post mortum)

Lajmin për vdekjen e prof. dr. Muhamet Pirrakut e mora nëpërmjet rrjetit social të Facebookut nga një shok i cili e kishte postuar në rrjet. Lajmi për vdekjen e profesorit Muhamet Pirrakut nuk më befasoi shumë, pasi që herën e fundit kur e pash në media me rastin e promovimit të librit të tij të fundit, monografi kushtuar Hasan Prishtinës me titull:”Hasan Prishtina, vlerë sublime e kombit” më 22 nëntor 2013, e pashë të zbehur, pasi që vuante nga sëmundja, dhe se i ishin afruar ditët e fundit të jetës në këtë botë kalimtare, dhe se që të gjithë neve jemi të Zotit dhe tek Zoti do të kthehemi, kush më herët e kush më vonë.

Posa mora lajmin për vdekjen e tij, lexova një Fatiha për shpirt të tij dhe bëra dua (lutje) që Krijuesi Fuqiplotë ta mëshirojë me mëshirën e tij të gjithëmbarshme shpirtin e tij të ndritur, ky ishte obligimi im moral në aspektin fetar ndaj profesorit të nderuar. Po për respektin që kisha ndaj tij, si profesor, historian, publicist, i cili me shkrime të shumta dhe me botimin e mbi 20 librave ka lënë gjurmë përherë të shënuar në historiografinë e re shqiptare, e ndjeva edhe një obligim njerëzor që ta përkujtoj me këtë shkrim post mortum (pas vdekjes), historianin drenicak Muhamet Pirrakun.

Që nga libri i tij i parë i botuar me titull ”Kultura kombëtar shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit” e gjer në librin e tij të fundit të botuar me titull”Hasan Prishtina, vlerë sublime e kombit” historiani Muhamet Pirraku ka hulumtuar, studiuar, shkruar, për personalitete të shquara kombëtare e fetare, sikurse Myderriz Ymer Prizreni, Mulla Idriz Gjilani, për ngjarjet historike të popullit shqiptar, sikurse Lidhja e Prizrenit, Masakra e Tivarit etj, si dhe për shumë figura dhe personalitete të shquara shqiptare si dhe për shumë ngjarje historike nëpër të cilat ka kaluar populli i përvuajtur shqiptar.

Me profesorin për herë të parë jam takuar, qysh në fund të vitit 1989, kur e pata gjetur në shtëpinë e tij, i rrethuar në dhomën e tij me plot shkrime, gazeta, revista e libra të shumta për rreth. Po nuk erdha rastësisht, por me një detyrë dhe lutje për të kryer një punë sa profesionale por edhe nacionale për momentin gjatë së cilës kalonte populli shqiptar në ato çaste të vështira në Kosovë, e që do të vazhdojë plot një dekadë e tërë (1989-1999). Në atë kohë sapo pat fituar në Bosnjë ish kryetari Alija Izetbegoviçi dhe partia e tij SDA-ja, e në Kosovë pushteti serb e kishte suprimuar autonominë dhe veç e përforconte kontrollin e saj të plot politik, ekomomik, të sigurisë, policor mbi Kosovën, Ismet Kasumagiçi njëri i afërt me Alia Izetbegoviçin, i cili së bashku me te ka qenë i dënuar dhe në burg në procesin e montuar të Sarajevës të vitit 1983, më kërkoi prej meje që të ja dërgoj një histori të shkurtër të popullit shqiptar prej ekzistimit e gjer në ditën e sotshme nëpër të cilin kalonte Kosova. Në atë kohë isha absolvent, dhe pas bisedave me shokë, duke menduar se kush do të kishte kryer këtë detyrë me përpikëri dhe me plot vullnet, më sugjeruan që këtë do të bëjë më së miri profesori i nderuar Muhamet Pirraku. Kur ja shtrova kërkesën profesorit, me gjithë dëshirë dhe vullnet e pranoi, dhe për një kohë të shkurtër tha do të kesh gati, “pasi që neve jemi të lidhur me boshnjakët që nga koha e periudhës osmane, dhe kemi prejardhje të njëjtë nga ilirët, të dytë jemi popull autokton në Ballkan, dhe të dytë na bashkon identiteti islam që e kemi, dhe se gjatë periudhave të ndryshme historike kemi përjetuar shumë luftëra, masakra, ndjekje, shpërngulje, e po kam frikë që prapë do të na përsëritet, por nuk e di a neve përpara populli shqiptar në Kosovë, apo populli boshnjak në Bosnjë”.Pas kësaj materialin e përgatitur e përkthyem në gjuhën boshnjake dhe ja dërguam z. Ismet Kasumagiçit në Sarajevë, i cili më tutje e përktheu në disa gjuhë botërore dhe materialin e përgatitur nga profesor Muhamet Pirraku për një histori të shkurtër të shqiptarëve dhe Kosovës, në formë memorandumi i përcolli shumë qendrave të ndryshme botërore për sensibilizimin e çështjes shqiptare në ish Jugosllavi në përgjithësi e Kosovës në veçanti. Ishte koha kur detyrat i kryenin me përpikëri dhe pa lënë gjurmë, në veprimtarinë tonë për çështjen e Kosovës.

Por për fat të keç, nga disa qarqe politike e shkencore në Kosovë “historia e Kosovës daton nga viti 1999”. E tani në kohën aktuale në të cilin jetojmë qeveria e Kosovës dhe ministri i saj i punëve të jashtme z. Enver Hoxhaj vendosën vizat qytetarëve të Bosnjës, e duke ditë se me këtë më së tepërmi pësojnë boshnjakët dhe shqiptarët me prejardhje nga Kosova që jetojnë në Bosnjë. A thua, vallë se si ka ndier në lëkurën e vet, këtë veprim të pamatur diplomatik dhe pa shije të qeverisë aktuale, z.Ismet Kasumagiçi, akoma gjallë në moshën e thellë të pleqërisë. Duke ditur se Bosnja që moti e kishte pranuar pavarësinë e Kosovës, por është faktori serb në Bosnjë që e bllokon dhe venë veto, sipas Kushtetutës të Bosnjës të sajuar nga Marrëveshja e Dejtonit. Këtë e ka theksuar edhe ish Reisi i Bosnjës dhe tani kryetar i Kongresit Botëror Boshnjak dr. Mustafa Ceriçi, me rastin e vizitës së tij në Prizren, gjatë vitit 2013,kur gjatë ligjëratës që e mbajti në shtëpinë e kulturës pat thënë:
“si mund të themi që e kemi shtetin tonë, kur ai shtet është i sajuar dhe i përpiluar ashtu që duart i kemi të lidhura, neve akoma nuk po mund të pranojmë pavarësinë e Kosovës, për shkak të vetos të përfaqësuesit serb në kryesinë e Bosnjës dhe Hercegovinës. Në takimin e parë që do të kem me qeverinë e Kosovës, do të nënshkruajë memorandumin e bashkëpunimit mes qeverisë së Kosovës dhe Kongresit Botëror Boshnjak, dhe gjëja e parë që do të bëjë do të jetë pranimi i pavarësisë së Republikës së Kosovë nga Kongresi Botëror Boshnjak në emër të të gjithë boshnjakëve të botës. Së dyti, në çdo takim që do të kem ku do të shkojë dhe vizitojë, do të kërkojë, e sidomos nga shtetet islame njohjen dhe pranimin e pavarësisë së Kosovë dhe se nuk do të ndalem në asnjë çast gjersa edhe Republika e Kosovës të pranohet me të drejta të barabarta si shtet i pavarur dhe sovran në Kombet e Bashkuara”.

Profesori i nderuar Muhamet Pirraku do të mbetet në kujtim të thellë, pasi që ka qenë intelektual i rrallë, gjatë kohës së monizmit, por edhe pas saj i anatemuar, që në mënyrë shkencore dhe në bazë të të dhënave faktografike, ka shpjeguar dy fakte tejet të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, për rolin e fesë islame dhe Lidhjen e Prizrenit si bazament të krijimit, ruajtjes dhe mbijetesës së popullit shqiptar në përgjithësi e Kosovës në veçanti. Më poshtë do të cek disa thënie të tij për këto dy fenomene:

“Sa u përket shqiptarëve të Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare, me anë të islamizmit u ndal procesi i tjetërsimit etnik, sepse me paraqitjen e islamizmit u ndërpre procesi i nivelimit kulturor dhe etnik serb në viset e Kosovës dhe rajoneve tjera të banuara me shqiptarët”.

“Islami për shqiptarët është fe e periudhës së humanizmit dhe renesancës”.“Civilizimi islam ka qenë faktori kryesor i qenies kombëtare shqiptare, faktori që e përcaktoi dhe e përkufizoi arealin e Shqipërisë etnike në shekujt XV-XVII, që i dha emrin kombëtar, popullit dhe atdheut, shqiptar e Shqipëri”.
“Për ta kuptuar më drejtë problemin e shtruar, duhet të vëmë në spikamë faktin historik se uniteti fe-kombësi në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe të formimit të shteteve nacionale kudo në Evropës ka qenë Një dhe e pandashme, sikurse edhe në të gjitha luftërat nacionalçlirimtare. Ndaj, nga kjo nuk mund të ishte i privuar as populli shqiptar, veçanërisht kur dihej se në rrethana të robërisë nën secilin pushtues ballkanik ortodoks apo evropian katolik, pjesës absolute të kombit shqiptar i rrezikoheshin të dyja, feja dhe kombësia. Dhe, kur të kihet parasysh fakti se shqiptarët myslimanë arrinin mbi katër të pestat e numrit të përgjithshëm të shqiptarëve, del qartë se kombi shqiptar realisht ishte komb mysliman, ndaj është plotësisht logjike pse forcën mendore dhe ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e përbënin shqiptarët myslimanë”

Në fund të këtij shkrimi post mortum (pas vdekjes) për profesorin Muhamet Pirraku do e përfundoja me fjalët, jetove shkurt në këtë botë të përkohshme, por ke lënë materiale të shumta të shkruara dhe të botuara për historiografinë e popullit tonë shqiptar, të cilët do të jenë fanar ndriçues për gjeneratat e ardhshme të studentëve, historianëve dhe studiueseve të rinj.

 

Sebalter përfaqëson Zvicrën në Eurovizion

0

22Në festivalin e Këngës së Eurovizionit që mbahet në muajin maj në Kopenhagë të Danimarkës, Zvicra do të përfaqësohet nga këngëtari tesinez Sebalter, që është emër artistik i Sebastiano Paù-Lessie.

Ai ka marrë më së shumti mbështetje, si nga juria ashtu dhe nga publiku, në mesin e gjithsej gjashtë finalistëve të spektaklit te mbajtur të shtunën në sallën “Bodensee Arena” të Kreuzlingenit, raporton Albinfo.ch.

Sebalter vjen nga lokaliteti Giubiasco afër Bellinzonës ndërsa kënga e tij fituese mban titullon “Hunter of Stars” (Gjahtar yjesh). Ai do të përfaqësojë Zvicrën në festivalin evropian të kënges që mbahet më 8 maj.

Finalja e përzgjedhjes së përfaqësuesit të Zvicrës në Eurovizion është transmetuar drejtpërdrejtë nga SRF, pastaj Televizioni i Zvicrës Perëndimore (frankofone) RTS dhe ai i Zvicrës italiane RSI.

Puna me të vdekurit

0

frigorifesrTre frigoriferë qëndrojnë në një dhomë në të cilën sapo hyn, të rrënqethet trupi. Aty qëndrojnë kufomat dhe pjesët e amputuara të njerëzve që vuajnë nga sëmundje të ndryshme.

Jo çdo kush mund të kujdeset për pranimin dhe dorëzimin e kufomave, shkruan Tribuna.

Bejtush Gashi, shef i shërbimit të morgut në QKUK ka nis punën aty që nga viti 1999, atëherë kur brenda muaji pranonte mbi dy mijë kufoma. Ndonëse tash numri i kufomave nuk është aq i madh, Bejtushit i duhet që për 8 orë resht që qëndrojë në ambientin e këtij morgu.

Krejt këto raste nuk kanë ndikuar asnjë herë që ai të ndjejë frikë. Kjo nuk i ndodhi atij as në ditën e parë të punës. Thotë se në vit në morg pranohen 799 kufoma.

 

Festa e Pavarësisë,nis në ditën e të dashuruarve

0

Dita e të dashuruarve, 14 shkurti në Kosovë do të shënojë edhe fillimit e festës së gjashtë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

FLAMURI KUQE E ZI DHE I KOSOVESQeveria e Kosovës ka vendosur që ditëlindjen e gjashtë të shtetit ta fillojë me 14 shkurt, e ta përfundojë më 17.

Për këtë festë, Qeveria ka formuar një këshill organizativ i cili tash e sa javë është duke u marrë me përgatitjet festive, në mënyrë që festa të shkojë sipas agjendës.

Festa e 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, do të fillojë me shfaqje teatrale për fëmijë e të rritur, nga 14 shkurti. Ndërsa festa do të kulmojë me 17 shkurt me defilime në shesh të Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe të Policisë, shkruan Tribuna.

Për këtë datë të shenjtë, Kuvendi do të mbajë seancë solemne, ndërsa Presidentja Atifete Jahjaga do të pres mysafirë.

Për krejt këtë organizim Qeveria i ka ndarë 10 mijë euro.

Universiteti i Pushtetit

0

IbrahimGashi-rektori UPUniversiteti i Prishtinës, nuk ka vetëm rektorin Ibrahim Gashi që e mban jashtëligjshëm gradën akademike dhe mban pozitën falë mbështetjes që gëzon nga partia më e madhe në pushtet.

Duke shpërfillur normat, aty janë bërë avancime të profesorëve të afërt me pushtetin dhe janë regjistruar edhe fëmijë politikanësh.

Në pesë vitet e fundit, politikat e regjistrimit të studentëve kanë degraduar në masë, shkruan Koha Ditore.

Gjatë kohës sa UP’ja është drejtuar nga Mujë Rugova, ka pas regjistrime masive të jashtëligjshme, njëjtë është vepruar edhe në vitin e parë të qeverisjes së UP’së nga Ibrahim Gashi, ndërsa qasja ka ndërruar në vitin e dytë.

Ministria e Arsimit nuk pati marrë ndonjë masë, ani pse kishte dyfishim dhe trefishim kuotash të studentëve.

Organizatat studentore që veprojnë për llogari dhe në dobi të partive politike, përbëjnë kanalin tjetër të ndikimit në Universitet. Shumica dërmuese e tyre ndjekin agjendën politike dhe nuk merren me problemet e studentëve.

Alternativat shqiptare të Kadaresë: nga Skënderbeu te Kanuni

0

IsmailKadare6-30Mark Rainey

Në vitin 2002 unë isha i sapodalë nga bankat e universitetit, naiv dhe i vendosur për të udhëtuar. Kjo kadaremë çoi, mes shumë gjërave të tjera, në dy javë punë vullnetare në Gorre, një fshat i largët në Shqipëri, ku iu bashkova një ekipi me europiano-perëndimorë dhe amerikanë, që po kthenin një ish-kooperativë në një qendër evangjeliste për komunitetin. Shndërrimi i një ferme në një kishë është i përshtatshëm për kritikë, por ishte gjithashtu një shprehje e vogël e një ndryshimi kulturor më të madh që po ndodhte një dekadë pas rënies së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Fabrika të braktisura rishtazi i shihje ngado që hidhje sytë, dhe në Gorre popullata mashkullore ishte gati inekzistente; meshkujt e moshës 18-40 largoheshin nga fshati për të kërkuar punë (të ligjshme apo jo) në Greqi apo Gjermani. Me 40 vite diktaturë mbi supe, Shqipëria ishte në tranzicion dhe ky tranzicion ishte problematik dhe dëshpërues.

Pak pas vizitës sime, mora një kopje të Lulet e Ftohta të Marsit (2002)—një novelë e vendosur në Shqipërinë rurale të fillimshekullit, ku karakteri kryesor, Mark Gurabardhi, mundohet të pranojë një të kaluar traumatike teksa mendon për një të ardhme të pasigurt. Takimi im i parë me Kadarenë ishte si një shkrimtar tranzicioni, një tranzicion shqiptar, në të cilin unë sapo kisha provuar një moment të parëndësishëm, por personalisht ambivalent.

Mjetet e punës së Kadaresë

Megjithëse në 2005 është nderuar me çmimin ndërkombëtar “Man Booker”, Kadare mbetet një figurë kontroversiale dhe pak e njohur në botën anglishtfolëse. Padukshmëria e tij është pjesërisht për shkak të faktit të çuditshëm që versionet anglisht të romaneve të tij shpesh janë përkthime të përkthimit frëngjisht të origjinalit në shqip. Kjo shkëputje e “përkthimit të dyfishtë”, ku origjinali është gjithmonë eluziv dhe i largët, shërben si një pikë e dobishme hyrëse në të menduarit e punës së Kadaresë si “dublim”. Koncepti i dublimit nuk është një instrument kyç vetëm në të shkruarit e tij, por gjithashtu i zbatueshëm edhe në karrierën e tij, një me bashkëpunime dhe sfidime të njëkohshme.

I lindur në 1936, vitet formative si shkrimtar Kadare i kaloi në diktaturën e Enver Hoxhës. Përgjatë 40 viteve të regjimit të tij, Hoxha krijoi një shtet stalinist që sistematikisht e izoloi Shqipërinë nga Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik, Kina dhe Perëndimi. Shqipëria u bë njëfarë Kore Veriore europiane. Duke shkruajtur nga brenda regjimit, Kadare zuri një pozicion të vështirë dhe të dyfishtë: ai ishte anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë ndërsa gjithashtu i nënshtrohej censurës; balancoi mbështetjen për regjimin me një kriticizëm të fshehtë; kombinoi patriotizmin me mbijetesën dhe gëzoi disa privilegje të caktuara (si udhëtimet e jashtë vendit) ndërsa jetonte me frikën e arrestimit dhe vdekjes.

Kadareja e ka mohuar të ketë qenë pozicionuar si një disident, sikur vetëm për faktin që pozicione të tilla ishin të pamundura në Shqipërinë e Hoxhës. Ai nuk ishte Václav Havel apo Aleksandr Solzhenitsyn. Megjithatë, pa ndërmarrë një pozicionim të qartë politikisht kundërshtues, ai kishte një instrument letrar që e lejonte atë të vëzhgonte me hollësi pushtetin totalitar dhe tensionet që zienin nën të. Në atë që vijon, unë gërmoj në këtë kuti instrumentesh, në kërkim të traditave gojore të rrëfimit, folklorit dhe recitimit mitik, të cilat në romanet e Kadaresë bëhen instrumente dinamike për t’u përballur me diktaturën dhe tranzicionin që pasoi.

Kundër-narrativa

Dyzimi është një doppelgänger narrativ, eluziv dhe i mugët. Si një instrument përdoret në të gjithë veprën e Kadaresë—romani i tij i vitit 1970, “Kështjella”, ofron një pikëfillimi të mirë. E vendosur në Shqipërinë e shekullit XV, fokusohet te një kështjellë e rrethuar nga ushtria osmane. Mes skenash betejash dhe sulmesh të përgjakshme, bisedat midis kronistit, Mevla Çelebiut, dhe kryeveqilharxhit bëhen thelbësore. Kryeveqilharxhi fillon me ndryshimin e rrjedhës së narrativës themelore të pranisë osmane në Ballkan duke ofruar një kundër-narrativë të Betejës së Kosovës më 1389. Ai sugjeron se fitimtari Sulltan Murati I nuk vdiq nga dora e një vrasësi ballkanik, por në fakt u vra nga djali i tij më i vogël, i cili pastaj hipi në fron. Një alternativ e ngjashme ritregimi ndodh te vepra e mëvonshme e Kadaresë, Vajza e Agamemnonit (1985) teksa personazhi kryesor sugjeron që pas vdekjes së Sulltan Muratit, zyrtarët osmanë godasin për vdekje djalin e madh, në mënyrë që i vogli të marrë fronin pa kundërshtime.

Këto kundër-narrativa joshin një ndjenjë të nacionalizmit shqiptar, ndërsa shërbejnë për të delegjimitizuar trashëgimin e regjimit osman. Por, ato marrin edhe një rëndësi bashkëkohore teksa narrativa e mëvonshme në veçanti është një aprovim për “vetëvrasjen” misterioze të Mehmet Shehut më 1981. Shehu dikur kishte qenë Kryeministër i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe pasues i mundshëm i Enver Hoxhës. Pas vdekjes, me një gjest tipik stalinist, Hoxha e deklaroi Shehu tradhtar, i arrestoi familjen dhe emrin ia fshiu nga të gjithë librat e historisë. Kadare këtë ngjarje e aludoi edhe te Lulet e ftohta të marsit, teksa Mark Gurabardhit i tregohet për një arkiv shumë sekret të fshehur thellë në malet afër qytetit të tij. Fjalët lart-e-poshtë tregojnë se pasi erdhi në pushtet, mëkëmbësi i Hoxhës e vizitonte arkivin fshehurazi, natën vonë, për të dalë prej andej vetëm në 3 të mëngjesit, pa pikë gjaku në fytyrë dhe i tronditur nga krimet dhe gjakderdhja që kishte zbuluar.

Këtu narrativa e Lulet e ftohta të marsit merr formën e legjendës urbane, një lloj historie bindëse por e paverifikueshme, që shkëmbejnë joelitat për të kuptuar më mirë situatat sociale më të gjera. Këto kundër-narrativa—historia e riparë e Kështjellës, Vajzës së Agamemnonit dhe legjenda urbane e Lulet e ftohta të marsit-presin mespërmes veprës së Kadaresë me një temë të përbashkët: pushteti politik fillon me një krim, një krim bastard që është gjysmë i vërtetë e gjysmë mitik. Në këto kundër-narrativa vrasja frojdiane e babait të lashtë piqet me gjakderdhjen e politikave totalitare.

Nga Skënderbeu te Kanuni

“Dyzimi” gjithashtu merr një tjetër formë te Kështjella, teksa kryeveqilharxhi dhe Mevla Çelebiu diskutojnë Gjergj Kastriot Skënderbeun, heroin kombëtar shqiptar i cili në shekullin XV udhëhoqi një kryengritje të fortë ndaj osmanëve. Megjithëse romani nuk e përfshin atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, hija e tij vërtitet mbi të. “Çdo gjë që ka lidhje me të është dyzim”, kryeveqilharxhi i thotë Çelebiut, përfshi emrin e tij të dyfishtë, përkrenaren me dy brirë dhe stemën me shqiponjën 2-krenëshe (që më vonë do të bëhej flamuri shqiptar). Sipas kryeveqilharxhit, Skënderbeu kishte krijuar një dyzim prej fantazme për vetveten dhe tanimë nuk kishte rëndësi është ishte i gjallë apo i vdekur, i pranishëm apo mungues. Kur në fushimin osman përhapet thashethemi se Skënderbeu po përgatitet të sulmojë, përhapet paniku dhe një masakër e vetëshkaktuar.

Por dyzimi-fantazmë shkon përtej Skënderbeut, te vetë Shqipëria. “Ai e di shumë mirë që në fund do e humbasë luftën”, kryeveqilharxhi zbulon, por ai “po mundohet të krijojë një Shqipëri tjetër, larg të gjithëve, njëfarë Shqipërie jomateriale.” Nacionalizmi shqiptar është shumë i fortë këtu, megjithatë, tipike për Kadarenë, gjithçka nuk është ashtu siç duket. Komentet e David Bello-së në pasthënien e botimit anglisht të veprës më 2008 janë të vlefshme sepse ai lidh narrativën me situatën bashkëkohore të Kadaresë: Kadare e shkroi romanin më 1969, një vit pasi BRSS kishte pushtuar Çekosllovakinë. Në atë kohë në Shqipëri ekzistonte njëfarë mentaliteti shtetrrethimi. Nuk ishte mik i BRSS apo i SHBA-së dhe paranoja për një pushtim të mundshëm nga “revizionistët sovjetikë” apo “imperialistët amerikanë” ishte ngado—500.000 milionë bunkerët që ende shihen nëpër territorin e Shqipërisë janë dëshmi e kësaj.

A është Kështjella pohim i shtetit shqiptar, me kështjellën si Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë dhe Skënderbeu si Hoxha? Apo mund të merret regjimi i Hoxhës si ushtria osmane me kështjellën që sugjeron një ide, megjithëse të padallueshme, ndryshe për Shqipërinë? Kadareja është eluziv këtu. Fakti që novela i shpëtoi censurës në Shqipëri sugjeron të parën, por Kadareja gjithashtu krijon disa analogji midis Hoxhës dhe ushtrisë osmane. Për shembull, pas çdo dështimi për të marrë kështjellën, ushtria osmane bën një vetëpastrim duke përjashtuar të dyshuarit si tradhtarë dhe spiunë—një paranojë e dhunshme që reflekton praktikat e regjimit të Hoxhës. Sipas leximeve të ndryshme, Kështjella mund të hapi mundësinë për një Shqipëri alternative, përtej regjimit. Megjithatë, nëse ky vizion është shpresëplotë, alternativat e ofruara në punët e mëvonshme të Kadaresë janë më pak të tilla.

Për shembull, te Prilli i thyer (1982) Kadare trajton çështjen e Kanunit, një kod i lashtë ligjesh gojore që qeverisin në rajonet veriore të Shqipërisë. Studiuesit kanë gjetur gjurmë të Kanunit te kodet etike të Epokës së Bronzit që përcaktonin lidhjet farefisnore, mikpritjen dhe vdekjen. Por Kanuni gjithashtu përfshin gjakmarrjen—vrasjen e sanksionuar për nder të anëtarit mashkull të familjes kundërshtare. Si praktikë, gjakmarrja shumë lehtë mund të rrëshqasë në dhunë ndërgjeneratash dhe të fshijë nga faqja e dheut popullatën mashkullore të një familjeje.

E vendosur në Shqipërinë e luftës civile gjatë mbretërimit të shkurtër të Mbretit Zog I, Prilli i thyer ndjek një shkrimtar, Besianin, dhe gruan e tij që kalojnë muajin e mjaltit në malet e izoluara të veriut. Besiani është i magjepsur nga Kanuni dhe kodi i tij tragjik i etikës. Ai i thotë gruas së tij Diana se Kanuni ka funksionuar edhe në pushtimet osmane, serbe dhe austriake, si edhe përgjatë ditëve të para të mbretërisë së re. Në këtë aspekt, novela e pranon Kanunin si një autoritet social alternativ. Megjithatë joshja fillestare që ndjejnë Besiani dhe Diana kah Kanuni kthehet në tmerr dhe pendesë teksa ata eventualisht përballen me brutalitetin e errët të gjakmarrjes.

Megjithëse Hoxha, nëpërmjet përdorimit të dorës së hekurt të aparatit të shtetit, e ndrydhi Kanunin, Kadareja e sheh të ridalë në sipërfaqe në Shqipërinë post-komuniste. Lulet e ftohta të marsit hapet me dy fëmijë që zbulojnë një gjarpër në hibernim, të cilin Mark Gurabardhi e sheh si metaforë për rikthimin e praktikave sociale të padëshiruara në vakuumin politik të së tashmes. Një nga këto është Kanuni. Pasi ka jetuar vitet e fundit të regjimit, Marku e sheh marrëdhënien e tij me të dashurën më të vogël si një mundësi për të prerë lidhjet me të kaluarën dhe të lidhet me të ardhmen. Por, e dashura i thotë se shumë shpejt një xhaxha do t’i vizitojë dhe do u bëjë me dije nëse janë apo jo të përfshirë në një gjakmarrje të para komunizmit. Me këtë lugat dhune mbi kokën e familjes së saj, e dashura e Marku nuk është më një guidë drejt të ardhmes, por edhe vetë ajo “mbërthehet nga një gremç i lashtë dhe i ndryshkur.”

Përtej Kanunit, te Pallati i Ëndrrave (1980) Kadare identifikon një tjetër forcë të fuqishme, potencialisht të dhunshme, sociale. Romani vendoset në Perandorinë Osmane të shekullit XIX dhe fokusohet te Mark-Alem Qypriliy, një shqiptar etnik familja e të cilit ka lidhje të vjetra me administratën perandorake. Ndoshta një nga punët më të arrira të Kadaresë, mund të qëndrojë krahpërkrah me Ne, të Yevgeny Zamvati, dhe 1984, të Orwell-it, si një kritikë therëse për totalitarizmin. Novela ndjek Mark-Alemin teksa fillon punë te Pallati i Ëndrrave, një ministri qeveritare përgjegjëse për mbledhjen, selektimin dhe interpretimin e ëndrrave të popullatës.

Teksa Oceania e Orwell-it e mbante pushtetin nëpërmjet torturës, përgjimit dhe kontrollit të gjuhës, shteti i Kadaresë pushton dhe uzurpon nënndërgjegjen kolektive. Por rëndësia e vërtetë e romanit qëndron te ndërgjegjësimi gjithnjë e në rritje i Mark-Alemit për identitetin e tij si shqiptar. Kjo kulminon në një skenë dhune ndërsa shtëpia e familjes bastiset nga trupat perandorake dhe xhaxhai i tij arrestohet pas organizimit të një performance të një balade për familjen Qypriliu nga rapsodë shqiptarë. Pas konfrontimit, Mark-Alemi rikthehet në punë ditën tjetër dhe e gjen veten të emëruar zv.Ministër i Pallatit të Ëndrrave. Megjithëse familja e tij ishte target i një spastrimi shtetëror, Qyprilinjtë kanë orkestruar një kundërsulm brenda aparatit të shtetit dhe kanë arritur të instalojnë një shqiptar në krye të ministrisë më të fuqishme. Te Mark-Alemi është krijuar ndjesia se brenda Perandorisë po punojnë forca etnike rrënjëforta, diçka me të cilën ai është i lidhur pazgjidhshmërisht.

Tensionet etnike ziejnë në sipërfaqe, dhe te Pallati i Ëndrrave shteti totalitarian nuk është gati të shkërmoqet, por të shpërthejë. Në këtë aspekt romani paraqet dhunën që vijon pas ndarjes së Jugosllavisë si edhe më të fundit gjakderdhje sektariane në Irakun post-Hussein dhe Sirinë e Assadit. Nëse Kështjella ofron një shikim të shpejtë të shpresës përtej regjimit, vizionet më konkrete te Prilli i Thyer dhe Pallati i Ëndrrave tregojnë alternativat e forcave sociale që mbajnë format e tyre të dhunës. Duke patur këtë parasysh, çdo lloj shprese është më pak se fluturake.

Miti dhe Parada e 1 Majit

Nëse kundër-narrativat dhe kuptimet e tyre dredharake të dyfishta bëhen mjete shpjeguese për Shqipërinë e kaluar dhe të tashme, po kështu edhe mitet e legjendat. Në veprën e Kadaresë recitimi mitik është një traditë dinamike dhe e lakmueshme që i adaptohet problemeve të së tashmes, dhe karakteret e tij tregojnë dhe ritregojnë mitet derisa ata marrin kuptime bashkëkohore. Miti është thelbësor për novelën e tij Vajza e Agamemnonit, që ka qenë mes një koleksioni tekstesh të futura fshehurazi në Francë më 1985. Narrativa fokusohet tek një gazetar i paemër, i cili merr një ftesë të papritur për t’u ulur mes elitës së partisë gjatë paradës së Ditës së Majit. Teksa ecën përmes rrugëve të Tiranës, ai fillon të reflektojë për ndarjen nga e dashura e tij. Vajza e një zyrtari të lartë që thuhet se është pasuesi i Hoxhës, ajo nuk mund të rrezikojë më reputacionin e të atit për një dashuriçkë të rastit. Narratori fillon të recitojë mitin e sakrifikimit të Ifigjenisë nga Agamemnoni. Sipas legjendës, Agamemnoni sakrifikoi vajzën e tij për perëndeshën Artemisë në mënyrë që flota greke të nisej për të Trojë. Në recitimin e narratorit, Ifigjenia paraqitet si e dashura e tij, e cila ka bërë sakrificën e saj për hir të pushtetit të të atit. Megjithëse ai i qaset mitit nga këndvështrime të ndryshme, përfshi mundësinë që Agamemnoni e sajoi vetë historinë për të ngritur moralin e ushtrisë greke, ai vendos për një version veçanërisht të shtrembëruar por finok: Agamemnoni nuk e sakrifikoi Ifigjeninë për të paqësuar Artemisën, por më shumë për të konsoliduar pushtetin e tij. Duke vrarë të bijën ai mund të kërkonte sakrifica të tilla edhe nga subjektet e tij.

Kadare unifikon këtë lexim të historisë së Agamemnonit me sakrifikimin nga Stalini të djalit të tij Jakovit në Luftën e Dytë Botërore. Stalini kishte refuzuar të negocionte me gjermanët pas kapjes rob të të birit, duke e lënë të vdiste në kampin e përqendrimit Sachsenhausen. Në veprën e Kadaresë, Stalini e bëri që ta zgjaste sakrificën e tij edhe te populli sovjetik në tërësi—u bë njëfarë justifikimi për gulagët, ekzekutimet dhe burgosjet. Kjo jo vetëm që e kthen lexuesin te tema që të gjitha pushtetet politike fillojnë me një krim, por gjithashtu shtrin krimin e pushtetit politik te qytetarët e thjeshtë. Të njohurit që narratori i Kadaresë takon rrugës për te Parada e Ditës së Majit, veshin maskën e mirësjelljes, që nga miku i tij shkrimet e të cilit ishin ndaluar, te kolegu i tij servil dhe xhaxhai i urryer. Atyre të gjithëve iu është dashur të bënin kompromise me vetveten në mënyrë që t’i mbijetonin regjimit. Kadareja e lidh këtë kompromis me një tregim folklorik ku një burrë aksidentalisht bie në greminë. Mënyra e tij e vetme për të shpëtuar është duke fluturuar mbi shpinën e një shqiponje që do t’i duhej ta ushqente me mish te freskët përgjatë udhëtimit. Pasi gjen ca mish, burri fluturon mbi shqiponjën, vetëm për të kuptuar që nuk ka mish të mjaftueshëm për të gjithë udhëtimin. Atëherë ai pret një copë mishi nga trupi tij dhe ushqen shqiponjën, dhe kur del në sipërfaqe vetëm skeleti i ka ngelur. Njerëzit në rrugët e Tiranës te Vajza e Agamemnonit janë kufoma të tilla: ata kanë ofruar mishin e të tjerëve nëpërmjet denoncimeve dhe spiunimeve, ose kanë ofruar mishin e tyre nëpërmjet përgjërimeve apo kompromiseve. Krimet gati-mitike të elitës politike filtrohen dhe përthithen në jetën e përditshme. Teksa i afrohet paradës, narratori ngelet me një ndjesi të parehatshme, ftesa në dorë—kujtim i kompromiseve që pritet të bëjë. Si të tilla ritregimi i mitit dhe folklorit që bën Kadare shërben për të ekspozuar modelet e dominimit dhe kontrollit në politikën e kohës së regjimit.

Miti dhe tranzicioni

Kjo kokolepsje e mitit dhe krimit rimerret te Lulet e ftohta të marsit, megjithëse në kohën pas-regjimit. Jeta e Mark Gurabardhit është e ndarë në dy nga trauma e së kaluarës që vazhdon të ndikojë tek e ardhmja e tij. Struktura e romanit e reflekton këtë, teksa secili kapitull që ka të bëjë me jetën e tij të përditshme theksohet me një kundër-kapitull që gërmon te miti, folklori dhe halucinimet. Marku shpreson që këto deklamime mitike do e lejojnë të pranojë të tashmen dhe ta lirojnë prej frikës nga e kaluara.

Duke kërkuar për mitin ‘e duhur’, ai e fillon me përrallën e vajzës që detyrohet të martohet me një gjarpër në mënyrë që familjes së saj t’i falet një krim i panjohur. Megjithatë, tmerri i saj i fillimit kthehet në gëzim teksa çdo natë gjarpri transformohet në një bashkëshort të bukur dhe të kujdesshëm para se të rimarrë formën e gjarprit në mëngjes. Eventualisht, e irrituar që nuk mund të ketë një jetë publike me bashkëshortin, ajo natën, teksa ai fle, i djeg lëkurën e gjarprit. Historia në fillim e lejon Markun të negociojë ndarjen midis ekzistencës së tij në kohën e regjimit dhe një të ardhme të hapur, megjithatë teksa vajza është e paaftë të zgjidhë situatën e saj, shpresat e Markut për të ardhmen ngadalë shuhen me përparimin e romanit.

Pastaj Marku kthehet te territori familjar për Kadarenë, ai i mitit dhe krimit, eventualisht duke u kthyer në figurën e Edipit, paradigma e krimit politik.

Të njëjtën ditë që tirani mori kurorën, këto krime janë transferuar nga e ardhmja, nga ajo që ende duhet të ndodhi, te e kaluara, te caku më i largët, deri te streha më e sigurt, barku i nënës.

Në kërkimin e tij për të pajtuar të kaluarën dhe të ardhmen, Marku sheh mitin dhe realitetin të zihen nën vete, dhe ai nuk është në gjendje të lirojë veten nga frikat e tij të mbetura. Në skenën finale, ai e gjen veten bashkë me shefin e policisë, në pritje të një bande bankëvjedhësish që të hyjë në arkivin e fshehur thellë. Por teksa ata presin, shefin e policisë e zë gjumi dhe Mark Gurabardhi sheh një tjetër lloj bande që të qaset: tiranët e bllokut lindor—Enver Hoxha, Walter Ulbricht dhe Leonid Brezhnjev. Udhëheqësit, dikur shumë të vërtetë, por tani prej shumë kohësh të vdekur, ndiqen nga Mbreti i verbër dhe i pafuqishëm Edipi, duke bërë për nga arkiva për t’u përballur me krimet e tyre bastarde, mitike dhe reale, thashetheme dhe të vërteta.

Kjo skenë është e rëndësishme, siç është Lulet e ftohta të marsit në përgjithësi, sikur vetëm sepse ekspozon kufizimet e mjeteve të punës të Kadaresë. Kundër-narrativa, mitet dhe përrallat folklorike mund t’i japin formë të tashmes duke ricikluar të kaluara të trilluara apo historike, por ato nuk i zgjidhin problemet e së tashmes. Miti iluminon labirintet ku gjejmë veten, por nuk ofron një mënyrë për të dalë prej andej. Për Kadarenë një letërsi tranzicioni trazon hirin e të shkuarës, por sfilitet për të bërë më shumë se dritëhedhje. Është koka e Janusit, duke parë në të dyja drejtimet njëkohësisht, por fytyra që sheh përpara është e plagosur dhe miope, dhe mbështetet te fytyra e kthyer mbrapa për një kah drejtimi.

Kontrollohen katër shkolla në Prizren, konfiskon dy thika

0

Thika5-22Dy thika janë konfiskuar në dy shkolla në Prizren. Konfiskimi i tyre është bërë pas një aksioni që policia ka marrë dje pasdite në këtë shkolla të këtij qyteti.

Zëdhënësi i PK-së, Hazir Berisha tha se rreth 40 polic janë angazhur për të kontrolluar nxënësit në shkolla.

“Policia ka marrë një aksion për të kontrolluar katër shkolla në Prizren. Gjatë aksionit policia në dy shkolla ka gjetur dhe konfiskuar nxënësve dy thika”,tha Berisha për “PrizrenPress”.

Sipas tij, aksioni ëhstë marrë në kuadër të sigurimit të nxënësve në shkolla.
Prokuroria dhe Policia në Prizren, kanë koordinuar veprimet për të parandaluar dhunën nëpër shkolla./PrizrenPress.com/