17.5 C
Prizren
E hënë, 28 Korrik, 2025
Home Blog Page 8436

Filloi aplikimi për trajnimin e të rinjve

0

te rinjetNë Prizren ka filluar aplikimi për trajnimin e të rinjve, që dëshirojnë të aftësohen në udhëheqjen e ndërmarrjeve të vogla.

Ky projekt organizohet nga Shoqata e Zejtarëve dhe Afaristëve të Prizrenit në bashkëpunim me BE-në.

Kryetari i Shoqatës së Zejtarëve dhe Afarisëtve, Afrim Tejeci tha se interesimi për ta ndjekur këtë trajnim është i madh në mesin e të rinjve.

“Për 40 vende sa ka kapacitete janë paraqitur 160 aplikantë”

Shoqata e Zejtarëve dhe Afaristëve në bashkëpunim me shumë institucione vendore e ndërkombëtare edhe gjatë vitit 2014, do të ofrojë aftësime për të rinjtë në profesione të ndryshme, në vende të ndryshme të Evropës.

Pjesëmarrësja e këtij seminari,Arjeta Nezaj, thotë se trajnimet e ofruara nga Shoqata e Zejtarëve dhe Afaristëve, janë një mundësi shumë e mirë për të rinjtë, për t’u aftësuar për punë, ose për të nisur me një ndërmarrje të re./TV Prizreni/

Një dekadë e gjysmë

0

Kosovapress-15vjetMediat në Kosovë e vlerësojnë KosovaPress-in për punën si një medium kredibil dhe profesional, si dhe kontribuese e madhe për mediat duke marrë parasysh se Kosova është një treg shumë i vështirë i mbijetesës së mediave.

Agjencia e Pavarur e Lajmeve Kosovapress sot feston pesëmbëdhjetë vjetorin e themelimit të saj. Falë ndryshimeve të bëra kjo agjenci ka arritur të bëhet lideri numër një në vend sa i përket ofrimit të shërbimeve me video lajme për televizionet nacionale, ato lokale , radiot, mediat e shkruara e të tjera.

Kjo agjenci tashmë ofron shërbimet e saj për shumicën e mediave në Kosovë dhe rajon qoftë elektronike apo të shkruara.

Në prag të festës jubilare të kësaj agjencie, kanë folur të gjithë drejtorët, kryeredaktorët, pronarët e mediave të ndryshme rreth punës dhe shërbimeve që ofron Agjencia e Pavarur e Lajmeve Kosovapress.

Mentor Shala, drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Publik të Kosovës ka thënë se të flasësh për punën dhe krijimtarinë e Kosovapress, është një histori e tërë, duke shtuar se kjo agjenci ka filluar punën në një kohë të jashtëzakonshme që është përcillej me sfida dhe probleme të mëdha.

Shala ka thënë se të raportosh në atë kohë dhe të marrësh guximin për të themeluar një agjenci lajmesh në kohë lufte, duke pasur parasysh tërë makinerinë propaganduese të mediave serbe, ka qenë një vendim i guximshëm.

“Kosovapress është duke kryer një punë jashtëzakonisht të mirë sidomos tash, pasi ka filluar me video lajme edhe mendoi që është bërë si një burim i informacionit për të gjitha televizionet në Kosovë, në fakt neve na ka lehtësuar shumë punën si transmetues publik për shkak se në një pjesë të madhe të ngjarjeve, ne nuk kemi nevojë të dërgojmë fare gazetarë për shkak se kemi informacionin e gatshëm nga Kosovapress. Është një punë e madhe që është duke e bërë, mendoi se Kosovapress është duke u zhvilluar ende, besoi dhe shpresoi duke e njohur edhe pronarin edhe idetë e tij dhe vizion që ka për zhvillimin e një medium, mendoi që shumë shpejt do të bëhet një medium multifunksional, jo vetëm në video dhe në shkrim”, ka thënë drejtori i RTK-së.

Shala ka thënë se mënyra e mbijetesës dhe qëndrueshmëria financiare e Kosovapress është për t`u përshëndetur, meqë sipas tij, kur ekzistojnë idetë dhe vizioni për zhvillimin e mediumit, atëherë kjo arrihet lehtë.

Për Gazmend Sylen, kryeredaktor në Klan Kosova, kur i kishte shkuar oferta për mbulimin e ngjarjeve me video nga Kosovapress, ai ishte skeptik dhe kishte dyshime.

Syla ka thënë se dyshimet e tij kishin qenë të pabaza, meqë për një kohë shumë të shkurtët materialet dhe tekstet, që kishin pranuar nga Kosovapress, ishin të një mediumi kredibil dhe profesional.

Syla thotë se Kosovapress bënë sa katër ose pesë gazetar të tij, për këtë ai ka edhe një shpjegim.

“Me kalimin e kohës Kosovapress vazhdoi të dëshmoi që po bëhet gjithnjë e më e mirë dhe së fundi e them me gojën plot që Kosovapress është i barabartë me nja katër gazetarë të mi çka nënkupton kjo, kjo do të thotë se unë katër apo pesë ngjarje dite ia besoi Kosovapress, sigurisht mund të mos jenë ngjarjet kryesore, për shkak se edhe unë kam qejf që t`i dërgoi gazetarët e mi në ngjarjet kryesore, qofshin ato politike apo nga puna e sigurisë ose çfarëdo qoftë, por në ngjarjet tjera të cilat unë nuk i dërgoi gazetarët e mi për shkak se dua të kem patjetër storien e tyre, ja besoi Kosovapress ato ngjarje dhe ka katër ose pesë lajme siç thash me herët në edicionin qendror të Klan Kosovës, mbulohen nga Kosovapress, edhe unë jam jashtëzakonisht i kënaqur me atë çfarë ofron Kosovapress”, ka thënë ai.

Eugen Saraçini, drejtor i deskut informativ në RTV 21 thotë se asnjëherë nuk kanë pasur dyshime për punën dhe bashkëpunimin me Kosovapress duke vlerësuar se puna që bëhet në këtë agjencion është për meritë.

Saraçini ka konstatuar se qëndrueshmëria financiare e një mediumi, këtë rast Kosovapress-it varet nga vet puna dhe varet prej gjithë asaj që është orvatje e udhëheqësve të Kosovapress-it që të krijojnë hapësira gjithnjë më të mëdha të bashkëpunimit.

Sipas drejtorit të edicionit informativ të RTV 21, në fund të ditës kjo mund të rezumohet si shitje të produkteve të cilat behën dhe rritja e klientëve që i shfrytëzojnë materialet e kësaj agjencie nënkupton qëndrueshmëri financiare.

“Është kënaqësi kur Kosovapress do duhet uruar këtë 15 vjetor, një punë jashtëzakonisht intensive, një punë që ka rezultuar me zhvillim të kësaj agjencie ose të stafit që është duke e kryer një punë jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe bashkëpunimi jonë afat gjatë ose tashëm që sa vite nënkupton se ne si radio televizion por edhe unë në krye të informacionit e vlerësoi jashtëzakonisht shumë punën e kolegëve tonë në Kosovapress ndaj edhe ne bashkëpunojmë me juve dhe ju me neve, ne shfrytëzojmë servilet e juaja dhe asnjëherë nuk kemi pasur situata në të cilat është dashur ta diskutojmë bashkëpunimin, por përkundrazi bashkëpunimi ka rrjedhur në mënyrën më të mirë të mundshme, prandaj është mirë të shfrytëzohet ky rast për një urim të veçantë për të gjithë bashkëpunëtorët e Kosovapress, gjithë ata që përkujdesen për punën e tyre dhe në zhvillim e vet kompanisë”, ka thënë ai.

Vet fakti se një medium po shënon pesëmbëdhjetë vjetorin e themelit të saj tregon për suksesin e atij mediumi. Kështu ka thënë Leonard Kerquku, kryeredaktor në Express.

Ai ka shtuar se në Kosovë është një treg i shumë i vështirë i mbijetesës së mediave, por vet fakti se Kosovapress është tash e pesëmbëdhjetë vjet, kjo tregon për një sukses të madh.

“Ne e vlerësojmë pozitivisht bashkëpunimin me këtë agjencion, na ndihmon shumë në punën tonë për shkak se na plotëson aty ku ne jemi të mangët, pra, Kosovapress ka shtrirje në gjithë Kosovën dha tani sidomos me pjesën e videove ka bërë që mediumi ynë të jetë shumë më i mirë sesa ka qenë, pra puna jonë, portali jonë. Kosovapress i ka ndihmu për me qenë ma i mirë se sa ka qenë, pra ky është një hap shumë domethënës dhe shumë i mirë që e ka bërë kjo agjenci e lajmeve”, thotë ai.

Për Enver Mulliqin, drejtor dhe kryeredaktor i televizionit Tv Syri në Gjakovë, Kosovapress mbetet dhe do të jetë mediumi apo agjencioni më profesional në punën që bëjnë.

“Sa i përket bashkëpunimit me Agjencinë Kosovapress mund të thuhen vetëm fjalë të mira, fjalë miradije dhe çdo lëvdatë, i adresohet këtij agjencioni, ne kemi pasur fatin që të bashkëpunojmë që nga fillimi, bile mos të parët jemi ndër kontraktorët e parë të shërbimeve që vijnë në drejtimin tonë nga Kosovapress dhe për këtë kohë që po flasim ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur, ato lajmet, filmime dhe ato video materialet që na vijnë nga Kosovapress ne na ndihmojnë shumë në kompozimin të edicioneve të lajmeve”, thotë ai.

Video lajmet që sjellë Kosovapress, për Arbër Grabovcin kryeredaktor në Televizionin Dukagjini në Pejë, kontribuojnë shumë në ngritjen e informimit për qytetarët e Pejës.

“Mendoi se televizioni Dukagjini ka një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me Kosovapress që gjatë këtyre viteve vazhdimisht ka kontribuar shumë pozitivisht në ngritjen e nivelit të informimit në veçanti siç është televizioni Dukagjini që është relativisht larg prej Prishtinës edhe prej qendrave të tjera dhe në këtë drejtim bashkëpunimi që kemi pas ka qenë mjaftë i frytshëm dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në avancimin e nivelit të informatave që kemi pasur mundësi t`i ofrojmë bashkë qytetarëve tonë, pa dyshim që kam një rast të cilin nuk do ta lëshoi pa thënë se Kosovapress përveç punës profesionale gjatë këtyre viteve ka qenë shumë i paanshëm sa i përket ndikimeve të ndryshme që mund të kenë mediat dhe mu për këtë çështje ka qenë edhe shumë e afërt me mediat tjera dhe televizionin Dukagjini”, thotë Grabovci.

Margarita Kadriu kryeredaktor në gazetën Kosova Sot thotë se 15 vjet për një media dikush mund t`i komentoj se nuk janë shumë, por për Kosovën, shtet tanimë 6 vjeç, të qenit 15 vjeç si media do të thotë shumë.

“I përgëzoj udhëheqësit dhe stafin e “Kosovapress”-it, të cilët edhe përkundër sfidave të shumta në këtë periudhë nuk u dorëzuan, por për më tepër u forcuan edhe më shumë. Të mbijetosh dhe të forcohesh në këtë periudhë, siç ka bërë Kosovapress-i, edhe përkundër faktit se portale po hapen çdo ditë në të gjitha anët, është sinqerisht një storie suksesi, andaj urime ditëlindjen e 15-të dhe iu dëshiroj që të vazhdoni në këtë rrugë përgjithmonë”, ka thënë Kadriu.

Oliver Vujoviç, Sekretar gjeneral i SEEMO – Organizata e Mediave të Evropës Juglindore, pjesë e së cilës është edhe Kosovapress, ka thënë në një letër urimi se Kosovapress nisi dhe vijoi punën në kohërat më të rënda për Kosovën.

Sipas tij, kjo agjenci arriti që të rritet në këto 15 vjet në një dritare shumë e rëndësishme e informimit në Kosovë, por edhe të jetë pasqyrë e informacionit se çfarë ndodh në Kosovë, për ata që janë jashtë Kosovës.

“Prandaj, personalisht rregullisht marr informacione nga Kosovapress që të jem i informuar se çfarë ndodh në Kosovë. Mund të them që jam shfrytëzues i informatave të Kosovapress që nga fillimi i punës së saj. Shumë mirë kujtoj ato informatat e para të marra në fund të viteve nëntëdhjetë të gjetura në internet nën mbishkrimin Kosovapress. Kosovapress është agjencia që merret me shpërndarjen e lajmeve, por për SEEMO dhe mua personalisht, vetë agjencia por edhe drejtori i saj z. Skënder Krasniqi janë partner jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe miq, që shumë herë kanë përkrahur aktivitetet regjionale të bashkëpunimit mes drejtuesve dhe gazetarëve nëpërmes konferencave që kemi organizuar bashkë, dhe ku drejtori i Kosovapress ka marrë pjesë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosovapress tregon rolin e saj të rëndësishëm në regjionin e Evropës Juglindore – si agjenci e cila njeh nevojat e bashkëpunimit e të komunikimit në këtë pjesë të Evropës./rtk/

Smaka: I panevojshëm Komisioni i Venedikut

0

riza smakaIsh-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Riza Smaka, e ka vlerësuar të panevojshme idenë e kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, për t’i bërë ftesë Komisionit të Venedikut për ta ofruar ekspertizën e tij në çështjen e reformës zgjedhore.

“Gjykoj se nuk ka nevojë për ndihmë nga Komisioni i Venedikut sepse reforma zgjedhore është një çështje e juridikisht e çartë dhe e lehtë. Këtë mund ta bënte ish-Komisioni për Ndryshimin e Ligjit Zgjedhor dhe atë hiq më gjatë sesa brenda një muaji. Pra, sikur mos të kishte presione politike që, medet për neve, janë të shumta, kjo punë do të kryhej qysh moti, bile do të harrohej”, ka deklaruar Smaka për “Epokën e re”.

Ai ka thënë se reforma zgjedhore nuk është çështje e ndërlikuar. “Reforma nuk është fare problematike. Është tepër e thjeshtë. Në këtë drejtim e shoh të panevojshme t’i bëhet ftesë Komisionit të Venedikut ta japë mendimin e tij për këtë çështje”, ka deklaruar Smaka, duke shtuar se ardhja e ekspertëve nga Komisioni i Venedikut do t’i kushtonte Kosovës edhe në aspektin financiar.

“Ju e dini se ekonomia e tregut mbështetet në probabilitet (fitim). Dhe natyrisht kush i bën ftesë dikujt duhet ta paguajë. Edhe po të vinin pa pagesë ekspertët nga Komisioni i Venedikut, për mendimin tim, nuk është i nevojshëm. Pse? Sepse këtu po del se juristë tanë janë të dobët. Unë e di se kemi juristë jashtëzakonisht të aftë, të cilët mund të punojnë dhe t’i japin instruksione shumë të mira edhe Komisionit të Venedikut. Mungesa e profesionalizimit as që mund të diskutohet. Këtu janë në pyetje presionet politike irracionale”, është shprehur Smaka.

Jahjaga e Thaçi, urojnë ortodoksët me rastin e Krishtlindjeve

0

Krishlindjet ortodoksePresidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ryeministri i Kosovës, Hashim thaci kanë uruar besimtarët ortodoksë dhe qytetarët me rastin e Krishtlindjeve ortodokse. ”Krishtlindjet janë një prej festave që i japin shpirt njerëzimit, përmes ringjalljes së shpirtit njerëzor dhe ripërtëritjes së besimit te Zoti”, thuhet në urmet e tyre.

”Të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës u shpreh urimet e mia më të përzemërta me rastin e festës së Krishtlindjes ortodokse. Uroj që këtë ditë feste ta kaloni në atmosferë mirëkuptimi e dashurie për njëri-tjetrin, në gëzime, me familjet dhe me më të dashurit tuaj”.

Gjithashtu, uroj që në këtë ditë të shënuar, në familjet e të gjithë besimtarëve dhe qytetarëve të Kosovës të mbretërojë paqja, lumturia dhe begatia. T’i gëzohemi të arriturave tona të përbashkëta në vitin që po lëmë pas, si dhe të lutemi për një jetë më të mirë e më të begatë në vitin në të cilin sapo kemi hyrë, thuhet në mesazhin e urimit të Presidentes Jahjaga

Kurse, kryeministri Thaçi, thekson se Krishtlindjet janë një prej festave që i japin shpirt njerëzimit, përmes ringjalljes së shpirtit njerëzor dhe ripërtëritjes së besimit te Zoti.

“Kjo festë është festë e shpresës, e ngadhënjimit të jetës mbi vdekjen, ditë e paqes, e dashurisë, e njohjes dhe përqafimit të vlerave njerëzore. Të na shërbejë për të treguar shpirtin tonë human, për t’iu dalë në ndihmë gjithë njerëzve që kanë nevojë për dorën e ndihmës, për të rritur e forcuar besimin në njëri-tjetrin, mes qytetarëve tonë dhe në gjithë botën.

Kjo ditë le të forcojë besimin tonë dhe të na shërbejë për ngritjen e humanitetit njerëzor, dashurisë dhe adhurimit në hyjnoren, në të madhërishmen, për të qenë më afër rrugës së drejtë. Kam nderin që në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, t’ju uroj Festën e Krishtlindjeve Ortodokse, me shpresën që ky vit të jetë vit i mirëqenies më të mirë për të gjithë ne”, thekson Thaçi.

Politika kosovare po lufton drejtë meritave

0

Valdrin DaciShkruan: Valdrin Daci

Rasti i dytë, pothuajse me të njëjtë personazh, është rasti për marrjen e meritave ne raport me vendimet politike duke tentuar njëkohësisht ngritjen në sy të publikut nga ana e faktorit politik vendor. Konkretisht, vizita e serbit Vulin dhe parandalimi i realizimit të saj në Gjakovë, shënon rastin e dytë, të paktën në sy të opinionit, ku politikbërësit tentojnë t’i atribuojnë vetës së tyre për vendimet që i marrin.

Ish-ministrja e tregtisë, tani kryetare e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila po shfaqet në atë mënyrë sa meritat për parandalimin vizitës në fjalë duket se peshiron t’i thotë publikut popullor se I ka ajo, bazuar në reagimet e saj, si autoritet. Nga ana tjetër kemi reagimin e bërë në media nga Ministri I Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili me këtë rast thotë se ministrja që ai drejton, lidhur me vizitën e serbit për festat fetare ia ndaluar të shkelë Gjakovën Vulinit qysh me 3 janar, duke i kufizuar Vulinin që vizitën e tij ta bëj vetëm në tri vende(Graqanicë, Pejë e Mitrovicë) dhe jo në Gjakovë, kjo pasi ky aktivitet atje mund të ngrit tensione duke e konsideruar si provokuese.

Ministri I MPB-së gjithashtu sqaron se përgjegjësia për t’i lejuar apo ndaluar autoriteteve të huaja vizitat legale, I ka po kjo ministri nga autorizimet e bartura (deleguara) nga Qeveria e Kosovës. Tek kjo ne fundit, në sqarimin e procedurës nga reagimi I ministrit në fjalë heshtazi në prapavijë kuptojmë qëllimin se meritat do të duhej që t’i merrte ai me ministrinë e tij.

Ju kujtohet çështja e reciprocitetit të famshëm? Ju kujtohet gara mes të kryetares së tanishme të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila dhe Kryeministrit Hashim Thaçi, kur tentonin që për vënien e reciprocitetit si parim I barabartë demokratik mes shteteve, të cilin Kosova në periudhë shumë afatshkurta ia pati vënë Serbisë?

I pari thoshte se vendimin e ka marr Ministria e Tregtisë me Ministren e saj, kurse I dyti thoshte se vendimin për reciprocitetit e ka marrë Qeveria, duke bërë show para opinionit. Nuk e dijmë se as atëherë e as tash, kush e mori atë e as këtë vendim, por po e shohim se sa më shumë po ofrohen zgjedhjet, politika vendore dhe faktori I saj po harrojnë hallet tjera elementare që I kemi.

Gara për meritat në raport ne vendimet politike, mes të faktorit politik po e plasaritin gjendjen edhe ashtu aspak të mirë të shtetit më të ri, Kosovës e cila mbipopullohet nga të papunët, nga talentê e etur për sukses, nga unë dhe ti së bashku me të tjerët që jemi irrituar me rutinën zhvillimore.

Një gjë në fund sa I përket temës, mund të shtoj se kjo garë për meritat e politikanëve po shfaq njohurinë modeste të tyre, lidhur me kompetencat e tyre, të cilat janë marrë nga populli që I votoi. Urime popull mbase e ke zgjedhur suksesin e dikujt e dështimin e garantuar.

Digjitalizohet UPZ-ja

0

degjitalizimi i UPZStudentët e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, mund t’i paraqesin provimet, të përcjellin rezultatin e tyre, pagesat dhe të kryejnë një sërë shërbimesh tjera online.

Ushtruesi i detyrës së Rektorit të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” , dr.Sehadin Shemsedini dhe Sekretari i Përgjithshëm, Adem Sallauka, të hënën kanë shpërndarë ID-kartelat për studentët e vitit të parë të gjeneratës 2013/2014, përmes të cilave ata do të mund të qasen në sistemin online.

Shemsedini e vlerësoi si hapë të madh të suksesit, digjitalizimin e universitetit.
“Tani e tuje studentët më nuk do të presin në sportele për të bërë paraqitjen e provimeve dhe për të kryer shërbime të ndryshme administrative, por të gjitha do t’i kryejnë online”

“Kjo mënyrë i ofron studentit qasje në të gjitha shërbimet që i ofrohen studentëve në sistem”.

Shërbimet kryesore të sistemit janë: zgjedhja e lëndëve obligative dhe zgjedhore te mësimdhënësi përkatës ku ai ka ndjekur ligjëratat, Paraqitja e provimeve, Rezultatet, Pagesat, Transkripta e notave./PrizrenPress.com/

Dialogu (s)ka degraduar

0

Bashkimi evropianKryengociatorja e dialogut teknik në Bruksel, njëherësh zëvendëskryeministre e Kosovës, Edita Tahiri, duke mos dashur të komentojë shumë deklaratat e dala nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, lidhur me ndërprerjen e dialogut, tha për Radion Evropa e Lirë se dialogu ka rëndësi të veçantë në shumë plane.

Ajo shtoi se dialogu ka dhënë rezultate dhe se sipas saj marrëveshja e Brukselit bazohet në ligjet e Republikës së Kosovës.

“Dialogu i Brukselit, përkatësisht marrëveshja e Brukselit e datës 19 prill ka rëndësi të veçantë në shumë plane. Unë do të theksoja rëndësinë e saj për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”, tha Tahiri.

”Pastaj për të ndërtuar një fqinjësi të mirë mes dy shteteve Kosovës dhe Serbisë, sipas standardeve evropiane dhe që është një prej kushteve për integrime evropiane për shtetin tonë. Dhe e treta kjo marrëveshje ka rëndësi sepse thërret në zhbërjen e strukturave paralele në pjesën veriore dhe integrimin e asaj pjese në institucionet e Kosovës”, shtoi ajo.

Marrëveshja e Brukselit, thotë Tahiri, mundëson vendosjen e ligjit dhe rendit, po ashtu edhe kushtetutshmërinë në veri të Kosovës e cila ka munguar që nga përfundimi luftës.

“Marrëveshja e Brukselit zbatohet dhe bazohet në ligjet e Republikës së Kosovës, prandaj kjo arritje është e rëndësishme, është e madhe dhe janë mbrojtur vijat e kuqe, pra që shteti i Kosovës të ketë mundësi të shtrijë ligjin edhe në atë pjesë”, tha zëvendëskryeministre e Kosovës, Edita Tahiri.

Procesi i negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë ka degraduar dhe ai dialog duhet të ndërpritet, ka deklaruar nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi.

“Procesi ka degraduar dhe po flitet për të njëjtat tema për të cilat veç janë arritur marrëveshjet, nuk ka tema të reja. Dhe prolongimi i temave të domosdoshme të Kosovës po e bën që pozicioni i Kosovës të dëmtohet”, ka theksuar Isufi.

Kjo parti politike (AAK-ja), është pjesë e këtyre bisedimeve me nënkryetarin e parë të partisë, Blerim Shala, në postin e koordinatorit politik të këtij dialogu.

Kurse, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se për ndërprerjen e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të vendos një subjekt politik, por për atë vendos Kuvendi pas vlerësimeve të procesi.

“Mendoj se vlerësimin rreth asaj se nëse duhet të vazhdohet apo të ndërpritet dialogu duhet të jap Kuvendi, sepse Kuvendi i Kosovës ka qenë ai që ka autorizuar qeverinë që të bëjë dialog me Serbinë në baza të një rezolute që ka përcaktuar edhe vijat e kuqe dhe ka përcaktuar edhe kërkesat që kryeministri të raportojë në Kuvend, gjë që kohëve të fundit nuk e ka respektuar”, tha Osmani duke shtuar se dhe përgjegjësia edhe meritat për çkado që është, e mire apo e keqe, duhet ti marr edhe kjo parti politike, pasi që ka qene pjesë e procesit.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është shfaqur si fakt i domosdoshëm që është dashur të ndodhë, kanë vlerësuar njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë.

Tashmë është paralajmëruar se takimet e radhës të grupeve punuese do të mbahen nga mesi i këtij muaji, ku do të diskutohet për IBM-në dhe ndërtimin e vendkalimeve kufitare, e me pas do të bisedohet edhe Telekomin.

Sido që të jetë, analistët kanë vlerësuar se bilanci i dalë nga dialogu Kosovë – Serbi, gjatë vitit 2013, nuk mund të shihet si krejtësisht pozitiv apo si krejtësisht negativ për Kosovën.

Si rezultat i dialogut Kosovë- Serbi, kjo e fundit ka përfituar nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

OVL në mbrojtje të Haradinajt: Ushtarët luftuan për liri e jo për fe

0

RamushHaradinaj14Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka vendosur t’i dalë në mbrojtje ish-komandantit Ramush Haradinajt. Në reagim thuhet se OVL, është e shqetësuar me debatin rreth fesë që po ndodh kohën e fundit nëpër media e portale të ndryshme.

“Ne konsiderojmë se nxitja e përçarjes fetare në Kosovë, është e panevojshme dhe e papranueshme. Gjithashtu, ne kundërshtojmë edhe përfshirjen e temës së luftës çlirimtare gjatë këtij debati të pakuptimtë”.

Sipas organizatës së veteranëve, lufta çlirimtare ka qenë e pastër dhe nuk i ka diferencuar njerëzit ideologjikisht, por i gjithë populli liridashës i ka pasur dyert e hapura të angazhohet për lirinë e Atdheut të vet e bashkimin e trojeve, pa dallim feje apo ideologjie. Dëshmorët e Kombit nuk mund të përvetësohen nga askush, ata nuk kanë qenë as të feve e as partive të ndryshme politike, por kanë qenë luftëtarë të bashkimit të trojeve shqiptare.

“Duke çmuar lartë kontributin e disa prijësve fetarë në luftën çlirimtare, ne kundërshtojmë ashpër sulmet që ju bëhen komandantëve të UÇK-së siç është rasti me Komandatin e ZO të Dukagjinit Gjeneral Ramush Haradinaj, nga persona të panjohur dhe të paditur, apo dhe nga të tjerë që këtë e bëjnë me qëllim të caktuar, e që gjatë luftës nuk iu rreshtuan famëmadhes Ushtri Çlirimtare të Kosovës. Për opinionin është e ditur, se familja Haradinaj, ka qenë gjithëherë në shënjestër të pushtuesit, pasi që në vazhdimësi ka punuar në shërbim të interesave kombëtare. Për gjysëm lirinë që e kemi sot, kjo familje ka dhënë dy dëshmorë të Kombit: Luanin dhe Shkelzenin”.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, si përfaqësuese e idealit të luftës për liri, si përfaqësuese e vlerave dhe bartësve të saj, bën të qartë se një nga frytet e luftës është edhe liria e fesë, e cila ka luajtur rol të madh në unifikimin e popullit tonë, e asnjëherë rol përçarës.

“Kërkojmë që ky debat të mbyllet, në të mirën e interesave kombëtare, sepse shqiptarët ende janë të copëtuar e robëruar dhe ende nuk kanë realizuar aspiratat e tyre si komb”.

Faik Konica dhe Guillaume Apoliner, e vërteta e një miqësie

0

78688Na e ka ënda ta fillojmë këtë shkrim me emrin e Skënderbeut, si i pari shqiptar që çau edhe rrugën e komunikimit epistolar me katër papë të Romës, me Raguzën, Venedikun, Huniadin, Alfonsin, etj., falë kancelarisë së tij të fuqishme dhe ambasadorëve të shkathët e të zotë që dërgonte ku ia lypte nevoja. Pas tij, do kulmonte epistolari apo letërkëmbimi i Ali Tepelenës me Napolon Bonapartin, si dhe letërkëmbimi i të parit rilindës shqiptar De Rada me Lamartinin e madh, me nobelistin Frederic Mistral, etj. pa lënë këtu mënjanë princeshën e kulturës evropiane Dora d’Istrian, që mbante lidhje me dijetarët më të shquar të Evropës.

Dhe ja ku i vjen radha, pas tyre në kohë, Faik Konicës, për të zënë po aq vendin e nderit në lidhjet dhe marrëdhëniet e tij letërkëmbyese me figura të ndritura të botës shqiptare të kohës, me personalitete të njohura të Evropës, shkencëtarë, filologë, politikanë, diplomatë, shkrimtarë, artistë, etj. As që do ishte nevoja të përmendim këtu mori emrash me të cilët ai korrespondoi në rrafsh të brendshëm: gati krejt garda klasike rilindëse shqiptare, së cilës ai i dhuroi një tribunë siç ishte “Albania” koniciane, jo vetëm për të lartuar fuqimisht zërin e shqiptarizmës, por edhe për të themeluar e përsosur artin e të shkruarit bukur të shqipes.

Nga ana tjetër, në rrafsh të jashtëm, Konica do lidhej e do letërkëmbente me ajkën intelektuale albanologjike dhe me dijetarë evropianë të fundshekullit XIX dhe fillimshekullit XX. Veçse, në këtë mes, nuk mund të rrimë pa theksuar se si një djalosh 21 vjeçar si Konica i drejtohet guximshëm me letër kryeministrit britanik të kohës, 79 vjeçarit Lord Gladstone, tek i shkruan për të drejtat e Shqipërisë. Dhe domosdo, “The Great old man” i kthen përgjigje, që rilindësi i ri shqiptar e boton tek “Albania” (nr. 2,1897). Po ashtu, veçojmë këtu edhe letërkëmbimin e Konicës, për vite me radhë, me “atin e tij shpirtëror”, orientalistin e mrekullueshëm francez Leon Cahun, i cili do t’i çelte kreshnikut të Letrave moderne shqipe rrugën e botimit që në moshën 19 vjeçare me artikullin e tij të parë në frëngjisht “Shqipëria dhe Turqit”.

Takimi Apoliner – Konica
Por, një mendje e ndritur erudite, një penë e stërvitur mjeshtërore, një gjak fisnik i domoçëm, një poliglot e “enciklopedi lëvizëse” si Faik Konica, nuk kish si të mos haste udhëve të jetës – që herët madje, dhe me parandjenjë e nuhatje origjinale -, një emër që shpejt do ndriste në rrafsh botëror: Guillaume Apollinaire. Është i rrallëkushi poet francez që meritoi, me veprën e tij atë emër simbol të Apolonit, “Perëndisë së Poezisë”, poeti që u shfaq madhërisht si teoricieni i madh i “Frymës së re të Modernitetit” në krejt fushat e artit dhe letërsisë, si pararendësi madhor i surrealizmit, farkëtuesi i simbolizmit, i formave të reja të të konceptuarit e të të shprehurit, nga kubizmi, te futurizmi, orfizmi, fovizmi, dadaizmi e gjer te arti naiv, automatizmi në shkrim, kaligramet, ritmet magjike, etj. me talent të paparë proteiform e gjithëpërmasor.
E ndërsa Apolineri shpejt do bëhej miku dhe strumbullari i tërë figurave të ndritura të fillim shekullit XX – Pikaso, Douanier Rousseau, Braque, Matisse, Cezanne, Max Jacob, A.Billy, A.Salmon, A. Jarry, e më tej F. Picabia, P. Fort, J.Cocteau, Tzara, Breton, Delaunay, të tërë të rinj magjikë të shekullit XX, që çanë shtigje të panjohura në emër të kultit të së resë dhe të origjinalitetit -, shqiptari Faik Konica, tek lartonte përditë emrin e Shqipërisë me “Albanian” e tij, do rreshtohej edhe vetë në paradën e modernitetit të kohës, do ndiqte hap pas hapi hapësirën kulturore, letrare dhe artistike evropiane, krahas zhvillimeve të shpejta politiko-diplomatike të Lindjes e Perëndimit.
Ende nuk dihet si u puqën fillimisht dy male për të krijuar një vargmal, një epistolar faikio-apolinerian, nga i cili ruhen në Bibliotekën Kombëtare Franceze 45 letra të Konicës drejtuar Apolinerit, 45 rubinë që ndrijnë e vetëtijnë për nga tematika, erudicioni, shijet dhe stili i jetës, ku nuk mungojnë dertet e dashuritë, përparësitë në punën intelektuale, planet, ëndrrat, kënaqësitë e çkënaqësitë, lëçitjet, hokatë dhe hiret e shpirtit, madje as zogjtë dhe pulat e Konicës, që Apolineri diti t’i shndërrojë në… minj!

Thuhet përgjithësisht se Apolineri “shkoi” i pari te Konica, ndonëse Konica i shkroi atij letrën e parë më 15 shtator 1903. Jo. As njëri dhe as tjetri nuk i “shkuan” shoshoqit, ashtu rastësisht. Ishte diçka e natyrshme pjekja e tyre dhe, në fakt, as që ka rëndësi kush e ka bërë “hapin e parë” drejt tjetrit. Sepse, që të dy do njiheshin fillimisht nga larg; që të dy, në rininë e tyre më të hershme, kishin qenë frekuentuesit e rregullt të Bibliotekës së famshme “Mazzarine”, kryedrejtues i së cilës ishte miku i të dyve, orientalisti i madh Léon Cahun, autori i “Hasan Jeniçer shqiptarit” të vitit 1516, një roman historik nga më të mrekullueshmit për shqiptarët, bëmat e tyre dhe tradhtinë e Venedikut. E Cahun – teksa rriti dhe mbajti afër, atë fundshekull XIX, mes rafteve të panumërt të Bibliotekës madhore parisiane jo vetëm nipin e tij të njomë e të brishtë, në fizik e shije, Marcel Schëob, atë emër që shpejt do bëhej erudit dhe një nga shkrimtarët, poetët dhe përkthyesit e shquar francezë, i afërt me simbolistët -, “plaku” Cahun, me shumë nuhatje, diti të mbante pranë, me dashuri prindërore, Faik Konicën e viteve 1894-1895 dhe, më pas, Gijom Apolinerin e viteve 1899-1900. Ishte një simbiozë dhe osmozë e bukur lidhja e “plakut” me të “riun”, ashtu si në vargjet e Viktor Hygoit, që miku im Edmond Tupja i ka përkthyer jo pa patos e humor: “Rinia është e pashme, pleqëria është e hatashme”.
Pra, kemi njëfarë “dialogu intuitiv” Konica-Apoliner nga larg, në kohë e hapësirë, për një njohje fillimisht të tërthortë e ndërsjellë, aty nga vitet 1902-1903, midis dy të rinjsh të talentuar në penë dhe të pasur në ide e refleksion artistik, që i kishin dhënë tashmë provat e tyre shijeholla nëpërmjet botimesh. Por, pa bërë një “coq à l’âne” siç thotë shprehja e bukur frënge, pa kaluar “nga gjeli te magjari”, pra andej-këndej e tutje përtej, le të ndalemi konkretisht te letrat e Konicës dërguar Apolinerit (mjerisht gjithçka e paplotë!), që vërtet përbëjnë rreth 50 faqe A4, por që fare mirë do mund të komentoheshin në mbi 500 faqe, duke iu referuar edhe studiuesve frëngj, të cilët jo fort janë ndalur mbi to. Përkundrazi, janë treguar, do thoshim, të njëanshëm, ose më mirë: shumë apolinerianë, e pak konicianë!

Apolineri dhe dashuria e tij e parë e madhe
Është thënë e stërthënë tashmë nga hulumtuesit francezë, anglezë etj., se në qendër të këtyre letrave qëndron tema e dashurisë së madhe të Apolinerit për anglezen Annie Playden [Ani Plejden], me të cilën 21 vjeçari francez kishte rënë në dashuri që në vitet 1901-1902. Apolineri, në kërkim të saj, do grishej dy herë nga Faik Konica (më 1903 dhe 1904) që të bujte në Londër, në shtëpinë e shqiptarit, e të orvatej kësisoj të piqej e puqej me të dashurën e vet të paepshme. Më se e saktë. Letërkëmbimi nis e lulëzon në këtë lëndinë të shpirtit rinor siç është dashuria në moshë të re, dhe shumë letra të para të Konicës përqendrohen edhe mbi këtë temë. Ky motiv fisnik që nuk përjashton askënd, në asnjë moshë, është domosdo njerëzor dhe krejt i përligjshëm. Për më tepër që mendje të ndritura kanë ditur t’i japin emër “Dashurisë”, me përkufizime nga më të mahnitshmet, duke shkruar me penë të frymëzuar për të. Konica, me hiper-ndjeshmërinë e vet të tërësishme në tërë fushat e dijeve dhe ndjenjave, do ta përkufizonte Dashurinë, në Letrën 5, si një “Dhembje dhëmbësh nga të zemrës… që zgjat ndonjëherë për shumë kohë… dhe është e një dobie të madhe për pjekurinë e mendimit.” Disa herë dhe për disa çështje të mëdha, do e shohim Faikun tonë të vihet në rolin e profesorit për Apolinerin – kur nuk ishte më shumë se katër vjet më i madh nga ky për nga mosha. I shfaq këtij përvojën e pasur vetjake, dhe nuk mungon ta ngushëllojë Poetin, i cili shpejt do gjente te gurra Dashuri atë “In Spiritum” (Frymëzim) të domosdoshëm, apo shqip, atë “Perëndi brenda Vetes”. Dhe do rrjedhin nga kjo gurrë dashurie e Apolinerit për Ani Plejdenin dy përroska me ujë kristalor poetik, dy poema të tij, kryevepra në gjuhën frënge: “Kënga e të keqdashuruarit” dhe “I mërguari i Landon Road”, rruga ku banonte Ani, jo larg shtëpisë së Konicës në Londër.
Shumë herë shqiptari i dërgon frëngut lajme për “mikeshën” e tij, siç e quan Konica të dashurën e Apolinerit, duke u munduar ta psikologjisë nga afër temperamentin e saj, luhatjet në ndjenja të “një karakteri paksa të ngulët”, disi të ftohtë, të mbyllur, të heshtur, (“ndoshta keltik”- thotë ai), që priret për ta çuar çdo dashuri drejt dështimit, sado e përndezur qoftë ajo. Shumë herë vetë Konica, përballë këtij temperamenti të çuditshëm femëror e sheh veten disi në siklet, dhe mjaft studiues, amerikanë e francezë, që nuk kanë munguar ta kontaktojnë e intervistojnë drejtpërdrejt Anin e moshuar të viteve 60, e kanë anashkaluar këtë rol ndërmjetës, tepër miqësor, tepër të pastër të Konicës, si vëllai që kërkon t’i ndihë të vëllait në vuajtjet shpirtërore.

Një foto e rrallë me shkrimin e Konicës
Dhe jo vetëm kaq, por një zbulim i kohëve të fundit, një foto e rrallë e Ani Plejdenit me gërshetën e saj të prerë, (që u shit në ankandin Drouot të Parisit më 31 mars 2011) përmban, krahas fotos, shkrimin e shkrifët të Konicës, konkretisht në frëngjisht: “Me urimet tona më të mira. (Z. dhe Znj.) F.b.K. 1904-5. Chingford.”
Kjo foto e veçantë është kuptimplote, dhe çel disa pista të pashkelura nga specialistët e veprës së Apolinerit e të Konicës. Por, për të mos e lodhur lexuesin, po i japim të përmbledhura si çështje: 21 vjeçarja Ani Pejden pret gërshetin e vet në fund të vitit 1904 dhe ia beson Konicës për t’ia dërguar Kostros (Apolinerit), përvuajtësit shpirtëror të saj. Po ashtu, i beson edhe foton me flokët e prerë dhe me kapën femërore të modës angleze. Përse vallë? Të jetë një gjest lozonjar femëror nga ana e saj për të joshur edhe më shumë djaloshin francez të ndezur nga dashuria? Apo thjesht një gjest lamtumire për të, kur ajo po largohej përfundimisht nga Europa drejt Amerikës (janar 1905) pa qenë askush në dijeni? Apo mos është thjesht një grishje dhe provë nga ana e saj në kuptimin: “Eja më ndiq, në më do,” thjesht si në atë përrallën arabe që të dashurit i ka hyrë gjembi në shputë të këmbës dhe e dashura i thotë: “në më do vuaj, mbaje gjembin brenda zemrës”. Dhe fakti është – siç del nga letrat e Konicës (Letra 25 – 2 shkurt 1905) – që Apolineri desh u nis për në Amerikë, pas së dashurës dhe gjoja për “afarizëm” sikur të mos kishte qenë Konica për t’ia prishur mendjen. E atëherë, hajt të dihej se ç’udhë do merrte vetë jeta Apolinerit! Por e sigurt është (dhe po e themi me gojën plot!) që Franca do kish humbur doemos dhe përgjithnjë Gjeniun e saj të ardhshëm, Heroin e saj të Letrave moderne, sikur të mos kishte qenë Faiku ynë për ta ndalur në udhën drejt Amerikës!…
Nga ana tjetër, kjo foto, me urimet e Konicës për vitin e ri 1905, përmban (krahas rolit të tij si ndërmjetësi shpirtëror në lidhjen dashurore Ani-Apoliner), edhe një enigmë tjetër nga jeta personale, plot mistere, e Faikut. Me siguri që ai do na kish kërdisur me sharje e mallkime (siç dinte vetëm ai ta bënte mjeshtërisht – dhe me të drejtë!), tek s’lejonte kurrkënd ta cenonte në atë që ai e kishte të shtrenjtë, pikën e dobët, thembrën e Akilit. Fakti është që si Apolineri, si Ani e viteve 60 e kanë thënë prerazi: “Konica ishte në atë kohë i martuar në Londër”. Por jo. Jo dhe jo. Siç dëshmojnë qartë letrat e tij, asnjëherë Konica nuk ka qenë i martuar, por vetëm ka bashkëjetuar (me dashuri të pastër) me dy mikesha, në kohë dhe në vende të ndryshme: fillimisht me Sofinë (nga Ojonaksi i Francës, me të cilën pati, siç e dimë tashmë, djalin e tij të vetëm Henrikun në Bruksel) dhe, më pas, me Antonian (nga Eks la Shapela e Gjermanisë, me të cilën bashkëjetoi në Londër për vite të tëra), kjo e fundit e pasionuar pas gjuhëve të lashta dhe letërsisë. Vetë Apolineri e njohu nga afër këtë zonjë grua dhe kishte respekt për të. Këto dy “miket e zemrës”, sipas shprehjes lasgushiane, janë tipizuar me penë të rrallë tek “Dr. Gjilpëra” në personazhet e Verës dhe Ingridës. Nëse në letrat e tij drejtuar Apolinerit, Konica fillimisht e deklaron Antonian “mikesha ime”, më pas vëmë re që po ai e cilëson “gruaja ime”, dhe këtë e bën thjesht për të shmangur, për çdo rast, telashet e mëdha të frymës konservatore e paragjykuese të kohës, sidomos të mjediseve shqiptare, që tërë kohën kanë gërvëlisur poshtërsisht e pabesisht në jetën personale të tjetrit, sidomos kur ky gëzon statusin e “personit publik”. Le të kënaqemi pra duke thënë që Konica nuk ishte martuar veçse me shqiptarizmën, me dijen, përparimtaren, modernen. Sepse pikërisht këtyre iu përkushtua tërësisht, dhe ia arriti për mrekulli. Kush mendon të kundërtën, ne po i përgjigjemi me fjalën e Konicës: “Është krim të trazosh lumturinë e budallait”. Ngaqë Konica diti, si askush, të njohë, përtej gjithçkaje, edhe vetë shijen e jetës, të shijojë artin e të jetuarit, si rrallëkush.

Paraja, Paraja!…
Por episodi i dashurisë së Apolinerit për Anin, është thjesht një degë në pemën e lulëzuar të miqësisë faikio-apolineriane. Sepse trungu, siç thamë, përbëhej tashmë nga ndjenja fisnike e afrimit dhe e njohjes së ndërsjellë të dy të rinjve, me interesa të mëdha në fushat e dijes, kulturës dhe letërsisë. Është e pamundur që Apolineri, i rrethuar nga miq të shumtë në Paris, të tërë avanguardistë të rrymave të mëdha moderne, të mos donte të dinte më shumë se si shqiptari i veçantë, për vite me radhë, botonte në Bruksel e Londër, një revistë dygjuhëshe me famë në rritje, dhe dërgonte sakaq në frëngjisht artikuj për botim tek “L’Européen”.
Nga ana tjetër, s’ka si të mos kujtojmë se në një mbledhje të parë të të rinjve të talentuar për themelimin e revistës “Le Festin d’Esope – Gostia e Ezopit” me kryeredaktor vetë Apolinerin, (tetor 1903), nordiku Arne Hammer, sekretar i “L’Européen”, mes entuziazmit të paradokohshëm rinor, parashtroi çështjen më pikante të kohës: Ku do gjendej “verdhushka?” (paraja e shkretë!), pa të cilën kurrgjë nuk mund të bëhej, si vetë buka që s’bëhet dot pa miell.
Paraja, paraja…! Ishte bërë mendim i ngulët për të gjithë, sidomos për të rinjtë krijues, pika kulmore e vuajtjes, mbijetesës, e ndrydhjes, shndërrimit dhe shfrytëzimit të talenteve, punës negër, pengesë që, o lypsej kapërcyer, o rri e numëro pleshtat si në doganën koniciane të Durrësit. Dhe vetëm një qëllim fisnik në jetë, një Motiv i Madh e gjen (se s’bën!) rrugën e shpëtimit nga hall-havaleja dhe haleja “para”! A nuk shkroi me shpejtësi e talent të rrallë vetë Apolineri, (në emër të parasë e të mbijetesës) romanet erotikë e plot humor “Dashuritë e një hospodari” dhe “Bëmat e një Don Zhuani”, që sot kategorizohen si romane të erotizmit klasik? Po Konica ynë, a nuk shkroi edhe ai me pseudonimin Gjoni i Krujës (1909) dhe i shiti, shi nga halli “para”, dy romane të tij ende të panjohura prej publikut shqiptar dhe të përkthyera e studiuara nga autori i këtyre radhëve?
Por, le të rikthehemi më mirë tek Arne Hammer kur i propozon Apolinerit në mbledhje e sipër, atë fillim tetori 1903, ta mbajë vrapin fill e në Londër te Konica, i cili mbase do mund t’i ndihte, si bamirës, me ndoca të holla, shoqërisë rinore frënge të “Gostisë së Ezopit” (sipas G. Vergnes, “Jeta plot pasion e G. Apolinerit”, f. 114-122, Paris 1958). Askush në fakt s’e di – dhe s’ka si ta dijë! – nëse Apolineri i parashtroi Konicës ndonjë kërkesë financiare kur i bujti në shtëpi në Londër (shi dy javë para daljes së “Gostisë…”) dhe kur ky e priti në vatrën e vet me mikpritjen dhe bujarinë e shqiptarit, i cili, kur të hap derën e shtëpisë, të ka hapur edhe derën e zemrës. Por, pa u ndalur gjatë te çështja nëse Konica e ndihmoi apo jo Apolinerin me të holla për të promovuar revistën frënge “Gostia e Ezopit”, mund të hamendësojmë – nga disa të dhëna të tërthorta (si për shembull, viti 1903 ishte vit disi “i lulëzuar” financiarisht për Konicën, duke qenë që në atë kohë ai sponsorizohej nga M.P. e Jashtme e Austrisë dhe telashet financiare do t’i rifillonin nga mesi i vitit 1904) – se shqiptari Konica duhet ta ketë ndihmuar fillimisht frëngun Apoliner, duke bërë edhe një gjest financimi për “Gostinë e Ezopit”, gjest sado i vogël e simbolik. Nga ana tjetër, studiuesi dhe specialisti i shquar i veprës apolineriane Prof. M. Décaudin, nuk ka munguar ta rendisë Konicën ndër themeluesit e “Gostisë së Ezopit”. Po ashtu, reklama për revistën “Albania” të Konicës do të figurojë pandalshëm, krahas revistave më në zë franceze, në 10 numrat e revistës së Apolinerit (nëntor 1903-gusht 1904).

Konica i ushqen Apolinerit dashurinë për Shqipërinë, e më tej…
45 letrat e Konicës drejtuar Apolinerit, të karakterit dialogues – që do të thotë se janë pjesë e një letërkëmbimi dypalësh – shtrihen në l0 vjet (shtator 1903 – tetor 1913). Pak nga pikëpamja sasiore. Shumë nga pikëpamja cilësore, po të kemi parasysh edhe rrëmbimet, vërshimet, turbullimet e jetës me diagramën e vet të ulje-ngritjeve shpirtërore. Veçse me shumë të drejtë akademiku L. Starova e ka pagëzuar lidhjen Konica-Apoliner si një “Miqësi Europiane”, që e tejkalon gjerësisht kuadrin e miqësisë së thjeshtë. Dhe fakti është që lekërkëmbimi i të dy Mjeshtërve, të gjuhës shqipe dhe asaj frënge, nuk shfaqet kurrsesi si çastësor apo koniunktural. Përkundrazi, ai lind dhe përvijohet si një bashkëbisedim zemrash e mendjesh të ndritura, duke çikur madje caqet e intimitetit, aty ku shprehja e bukur shqipe “miku i mirë duket në ditë të keqe” merr kuptimin e vet më të plotë e domethënës. Sepse, kur Apolineri gjendet në hall, Konica di t’i gjendet pranë, jo thjesht me fjalë të mirë, por edhe me propozime e vepra. Po ashtu, kur Konica gjendet edhe ai në hall, Apolineri do dijë t’i ndihë, siç do shohim në shkrimin tonë pasardhës, “Fletore koniciane nr. 3”.
Në fakt, personaliteti i veçantë i Faik Konicës, veprimtaria e tij politike e patriotike, si dhe puna e pandërprerë studimore që ai bënte, lanë aq mbresa të thella tek Apolineri, sa ky nuk do mungonte nga ana tjetër t’i kushtonte mikut të tij shqiptar katër shkrime titulluar: “Faik beg Konitza”, “Kartmonedha e një diplomati të vjetër”, “Shqiptari” dhe “Rreth dy veprave për çështjen e gjuhëve artificiale”, ku komenton studimin madhor të Konicës “Ese për gjuhët natyrale dhe për gjuhët artificiale”. Por ama, e veçanta e të Përndriturit Konica ishte se ai ngacmoi tek Apolineri jo thjesht ndjenjën e miqësisë individuale, por në radhë të parë dashurinë e Poetit të madh për një popull të tërë, për popullin shqiptar, për historinë e tij, për mbrojtjen e të drejtave të tij për pavarësi e mëvetësi. Kjo ishte njëra anë e medaljes. Ana tjetër, që duhet vënë me të madhe në dukje, si një meritë e padiskutueshme e Konicës, është se ai ngacmoi tek Apolineri, që herët dhe nga të parët, kozmopolitizmin e Poetit, dashurinë për popujt e vegjël që vuanin nga sundimet e huaja. Andaj dhe vite më vonë e shohim Apolinerin të shkruajë (1917), në prag të vdekjes së tij të parakohshme, një parathënie prekëse për popullin tonë:
“Shqiptarët, thotë ai, janë sot më të pastrit ndoshta të indoeuropianëve. Nacionalizmi i shqiptarëve s’ka si të jetë i dyshimtë, as edhe kombësia e tyre. Lordi Hobhauz, që kishte shoqëruar Lord Bajronin në Shqipëri, shkruante në fillim të shekullit XIX, lidhur me popullsitë prej të cilave përbëhej Perandoria osmane: “Vetëm shqiptarët kanë ndjenjën e kombësisë, gjithë popujt e tjerë të Perandorisë s’njohin grupim tjetër veç atij të fesë”. Një Shqipëri e vetme moderne… do zgjidhte doemos çështjen e Kostandinopojës… Çështja shqiptare u duket diplomatëve që rregullojnë fatet e botës tepër e vogël në krahasim me çështjet tepër të mëdha që i detyrohen vëmendjes së Gjithësisë së tronditur. Diplomatët e mëdhenj ndoshta gabohen. Ndoshta krejt të habitur, do venë një ditë në Janinë a Krujë, kryeqyteti i lashtë i Skënderbeut, të vendosin me dorën plot emocion themelet e një Europe të re”. (Apoliner, Parathënie për librin “Shqipëria dhe Franca” të Elise Aubry).

Një Europë e re, një Europë e Bashkuar. Është ëndrra e parë e Viktor Hygoit tek mbolli “Pemën e Shteteve të Bashkuara të Europës” në shtëpinë e tij që më 14 korrik 1870, ëndërr që iu desh rreth 80 vjet për t’u konkretizuar, pas luftërash të tëra. Sot, kur Shqipëria është në prag të realizmit të ëndrrës së saj për t’iu bashkëngjitur familjes europiane, ëndërr që u parapri e u parandie edhe nga fjalët e mësipërme profetike të Apolinerit, nuk ka si të mos ndjejmë e bekojmë fuqinë e mendjeve gjeniale Konica-Apoliner, miqësia e të cilëve qëndron në themel të miqësisë shqiptaro-frënge, në themel të miqësisë shqiptaro-europiane./FOTAQ ANDREA

Çdo të enjte takohet me qytetarë

0

SaliAsllanaj-ldkKryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, ka caktuar ditën e enjte për takime me qytetarët.

“Çdo të enjte nga ora 14:00 deri në ora 16:00, qytetarët mund të takojnë kryetarin dhe të parashtrojnë pyetje të ndryshme, kërkesa apo të bisedojnë për hallet dhe problemet me të cilat ballafaqohen ata”, tha zëdhënësi i KK-së, në Suharekë, Reshat Reshitaj

Kryetari Asllanaj, do të jetë i hapur për të gjithë qytetarët e Komunës dhe do të bisedojë shtruar për kërkesat e tyre./PrizrenPress.com/