19.2 C
Prizren
E diel, 3 Gusht, 2025
Home Blog Page 8448

Këtë vit dialogu me ritëm më të ngadalshëm

0

Thaci_Dacic_Ashton5-21Takimi i 21-të në mes të kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve mes të dy shteteve pritet të mbahet më 17 janar.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojë edhe në vitin 2014. Ndërkohë që, opozita, e cila e ka përkrahur këtë proces, ka filluar të jetë skeptike. Madje zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka paralajmëruar për “Epokën e re” se ky proces mund të vazhdojë edhe në vitin 2015 nëse është nevoja dhe do të përmbyllet me një traktat paqeje në mes të dy shteteve. “Dialog do të ketë edhe në vitin 2014. Kosova nuk do ta pengojë dialogun. Dialog do të ketë edhe në vitin 2015. Dialogu nuk është një proces që fillon dhe mbaron me një datë të caktuar. Sa më shpejt që përfundon dialogu është mirë, por ky proces duhet të përfundojë me një traktat paqeje”, është shprehur Kuçi.
Kurse atyre që ka filluar t’u humbet durimi me këtë proces, Kuçi i ka porositur se politika kërkon durim dhe kondicion, duke shtuar se askush nuk ka pritur që dialogu me Serbinë do të përfundojë brenda pak ditëve apo javëve. “Duhet ta kemi parasysh se politika kërkon kondicion dhe politika nuk është për një javë apo dy javë. Po ashtu, duhet të dimë se dialogu është një proces, e jo një akt. Askush nuk e ka menduar se dialogu fillon sot dhe përfundon nesër. Është një proces i cili do të ndikojë dhe të vazhdojë. Dhe natyrisht se nuk duhet të kemi iluzion se do të përfundojë në këtë mandat, sepse ky proces do të vazhdojë edhe më tutje, pasi kemi të bëjmë me raporte shekullore të konfliktit”, ka thënë Kuçi.

Megjithatë, Kuçi ka deklaruar se ky proces nuk mund ta ketë të njëjtën vëmendje që ka pasur gjatë vitit që po e lëmë pas. Sipas tij, afrimi i zgjedhjeve dhe i fushatës elektorale mund ta zhvendosë vëmendjen më shumë te çështjet vendore. “Fushata elektorale në Kosovë, njëkohësisht fushata eventuale që mund të jetë në Serbi, do ta vë fokusin më shumë në çështje vendore sesa në ato ndërkombëtare. Dialogu nuk është një çështje me të cilën duhet të matet fuqia apo forca politike në Kosovë, por fuqia e kombit dhe e shtetit të Kosovës përballë të tjerëve”, është shprehur Kuçi. Ai ka thënë se ky proces i dialogut është një detyrë e cila duhet të përfundojë. “Mendoj se dialogu është detyrë që duhet ta kryejmë. Natyrisht se jemi falënderues për kontributin që e ka dhënë AAK-ja për këtë proces dhe për mbështetjen politike që i ka dhënë në Kuvend LDK-ja”, ka thënë Kuçi. Ai ka treguar se dialogu ka qenë një proces që ka dhënë rezultate të veçanta, sidomos në integrimin e veriut. “Ka qenë rruga më e mirë për integrimin e veriut në mënyrë paqësore dhe të dinjitetshme. Po ashtu, dua të shtoj se dialogu ka qenë edhe përmbyllje e kapitullit të konfliktit historik në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kuçi. Mirëpo AAK-ja në këtë proces ka filluar të mërzitet. Ajo tashmë haptas po shpreh pakënaqësi ndaj vazhdimit të dialogut.

Lideri i këtij subjekti politik, Ramush Haradinaj, ka deklaruar për “Epokën e re” se Qeveria duhet të tërhiqet nga ky proces dhe të fokusohet në zbatim të dialogut. “Mendojmë se dialogu efektet e tij i ka arritur më 19 prill, kur është arritur marrëveshja, ndërsa pjesa tjetër është riciklim. Nuk mund ta ndihmojmë vazhdimisht një proces që kalon në abuzim dhe i cili mund të sjellë humbje kohe, shpenzime dhe udhëtime të panevojshme. Po kërkojmë nga Qeveria e Kosovës të fokusohet në implementimin e këtij dialogu. Nuk ka nevojë të shkohet vetëm duke ridiskutuar, por duhet të kalohet në instrumentet e tjera. E kemi ambasadorin tonë në Beograd, kurse Beogradi ka një zyrtar këtu dhe duhet të kalohet në raporte ndërfqinjësore”, është shprehur Haradinaj.

I pyetur se është duke menduar AAK-ja ta tërheqë Blerim Shalën nga ky proces, Haradinaj është përgjigjur: “Nuk po kërkojmë ta largojmë vetëm përfaqësuesin tonë, por po kërkojmë ta largojmë Kosovën nga një proces i cili po shkon drejt abuzimit. Pra, duam mos t’ua japim mundësinë e abuzimit me këtë proces as fqinjëve, as aktorëve që e përfaqësojnë Serbinë në Kosovë. Shembull, çfarë lezeti ka dialogu në Bruksel kur ura e lumit Ibër është me barrikadë. Pra, Kosova duhet të fillojë të kërkojë zbatim të dialogut e jo të kënaqet vetëm me biseda. Nuk do të jetë sukses për Kosovën heqja e mbështetjes së Aleancës, e cila mund të jetë opsion. Sukses për Kosovën do të jetë t’i shpjegohet palës ndërmjetësuese se me këtë proces kemi filluar ta humbim vullnetin, sepse nuk po i jep efektet e duhura”.

Për paralajmërimin e qeverisë, se ky proces do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti, LDK-ja ende nuk ka qëndrim. Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se nëse Qeveria ka vendosur kështu, atëherë duhet të mblidhen organet e partisë dhe të marrin një qëndrim lidhur me këtë çështje. “Nëse kjo është ashtu siç po thoni ju, normalisht se duhet të mblidhemi dhe ta diskutojmë në forumet e partisë. Nuk mund të jap një përgjigje të saktë për ketë çështje”, ka bërë me dije Gashi. Ndërsa lideri i lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, i cili prej fillimit ka kundërshtuar dialogun, ka thënë se ky proces Kosovës i ka sjellë vetëm të këqija. “Kjo marrëveshje nuk është fundi i kompromiseve, por është një marrëveshje për më shumë dialog, e cila do të ketë më shumë kompromise dhe vazhdimisht do të kemi interpretime dhe riinterpretime shtesë, ku zakonisht dominon Serbia dhe, kësisoj, gjithnjë do të mbetet më pak nga shtetësia e Kosovës dhe perspektiva për sovranitet e integritet territorial”, ka deklaruar Kurti, duke shtuar se bashkimi më i madh i partive në Kosovë ka ndodhur për marrëveshjen me Serbinë, në vend se kjo të jetë për sovranitetin e Kosovës apo për bashkimin kombëtar.

Vdes Phil Everly, këngëtari i ‘Every Brothers’

0

Phil Everly-rockerMuzikanti amerikan, Phil Everly, ka ndërruar jetë në moshën 74 vjecare në Kaliforni. Familja e tij tha se ndjehen zemërthyer e se muzikanti ndërroi jetë nga një sëmundje në mushkëri.

Phil Everly dhe vëllai i tij Don përbënin atë që njihet si Everly Brothers, një nga projketet më të mëdha pop të viteve 50 dhe fillimit të viteve 60s. Së bashku dy vëllëzerit krijuan një sërë hitesh ku përfshihen Wake Up Little Suzie, Cathy’s Cloën, Bye Bye Love, and All I Have To Do Is Dream. Uashington Post citoi burime nga shtëpia e Don Everly, sipas të cilave ai është tepër i mërzitur për të folur për të vëllanë. “Priste të shkonte i pari”, thanë burimet.

Revista ‘Rolling Stone’ i quajti Everly Brothers “dyshja vokale më e rëndësishme e rokut?, në biografinë e tyre, revista thekson se Phil dhe vëllai i tij më i madh, Don ishin fëmijët e dy këngëtarëve kantri të Miduestit dhe se kishin performuar në një shfaqje familjare në radio që kur ishin të vegjël.

EverlyBrothers-bandNë pikun e karrierës së tyre mes viteve1957 dhe1962, Everly Brothers patën 19 kryesime më listën e 40 hiteve më të mira. Me muzikën e tyre ata ptën ndikim në grupe të tilla si Beatles apo edhe Beach Boys.

Xhafer Tahiri po qëndron për vizitë në SHBA

0

XhaferTahiri-ldkDeputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës dhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Xhafer Tahiri po qëndron për vizitë në SHBA, njofton LDK përmes një komunikate për media.

“Me ftesë të Ohio Northern University (Ohio), Xhafer Tahiri, deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, po qëndron për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë qëndrimit në këtë universitet, ai do t’u ligjërojë studentëve të Fakultetit Juridik të këtij universiteti në fushën marrëdhënive ndërkombëtare dhe sundimit të ligjit përkatësisht ‘Intervenimi Ndërkombëtar dhe Shtetndërtimi'”, thuhet në komunikatë.

“Në fokus të veçantë të këtyre ligjeratave do të jetë intervenimi ndërkombëtar dhe procesi i shtetndërtimit në Kosovë.
Gjatë qëndrimit në SHBA, përveç ligjëratve me studentët e drejtësisë, z. Tahiri do të ketë edhe një varg aktivitetesh të tjera, si fjalime dhe intervista lidhur me situatën politike, sundimin e ligjit dhe zhvillimet e tjera në Republikën e Kosovës”./PrizrenPress.com/

Pret përplasje të forta politike

0

HalilMatoshi-analistAnalisti Halil Matoshi pret që fjalori politik të ashpërsohet në prag të zgjedhjeve nacionale. Përplasjet në mes partive i sheh si qëllim të krijimit të imazhit të forcës. Thotë se Vetëvendosje mund të bëjë koalicion vetëm me ndonjë parti ose lëvizje të re.

Muajt e ardhshëm pritet të karakterizohen me një fushatë edhe më të ashpër të partive politike.

Përplasjet e fundit në mes të Kryetarit të AAK`së, Ramush Haradinaj dhe Liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shihen vetëm si pikënisje e një përballje të ashpër që pritet të karakterizojë muajt e ardhshëm jo vetëm në mes të këtyre dy forcave politike por edhe ndërmjet të gjitha partive që konsiderohen rivale njëra me tjetrën.

Analisti Halil Matoshi përplasjet e tilla i sheh si qëllim të krijimit të një imazhi të forcës.

Në një intervistë për lajmi.net, Matoshi ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja parti që e ka një ideologji të caktuar, ndërsa partive tjera, sipas tij, kjo gjë u mungon.

“Natyrisht se tani para zgjedhjeve nacionale që sigurisht do të jenë sivjet, partitë politike për të krijuar një imazh të forcës së tyre përplasen me rivalët e tyre”.

“Sa i përket Vetëvendosjes dhe partisë së Ramush Haradinaj kjo ka ndodhur në mënyrë goxha të ashpër edhe gjatë zgjedhjeve lokale, ku praktikisht z. Kurti ka bërë më dije se ai do të qeverisë me vendin dhe se do t`i hapë arkivat e korrupsionit dhe të gjitha të këqijat që kanë ndodhur gjatë qeverisjes, sidomos në ato Komuna ku partia e Haradinajt ka qenë në pushtet”.

“Kështu që, në këtë kontekst, mendoj se partia e z. Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, e ka një diskurs goxha negativ ndaj të gjitha subjekteve politike, jo vetëm ndaj AAK’së.”

“Ç’është e vërteta, Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja që e ka një diskurs goxha të fortë retorik dhe ka një ideologji të caktuar, gjë që partitë tjera nuk e kanë, sepse janë mësuar që të qeverisin me komoditet, me një lehtësi të padurueshme”.

“Prandaj, në këtë vazhdë vijnë edhe akuzat aktuale ndaj AAK`së”.

Matoshi pret që niveli i gjuhës së ashpër të rritet edhe më shumë në prag të zgjedhjeve nacionale.

“Është e vërtetë se gjatë zgjedhjeve lokale më 3 nëntor dhe gjatë balotazhit gjuha e urrejtjes pati marrë përmasa goxha shqetësuese, sepse objektivisht tashmë 15 vjet pas çlirimit, njerëzit, qoftë nga pakënaqësia karshi pushteteve të cilat kanë qeverisur me Kosovën, qoftë edhe nga njëfarë animoziteti që është krijuar në mes tyre, mendoj se goxha shumë e kanë ashpërsuar diskursin politik, rivalitetin, dhe unë pres që edhe në zgjedhjet nacionale kjo gjuhë të shkojë duke u ashpërsuar”.

Mundësia e një koalicioni mes Vetëvendosjes dhe ndonjërës nga partitë aktuale, sipas Matoshit, është vështirë e realizueshme.

“Lëvizja Vetëvendosje do ta mbajë tashmë kursin e saj kundër të gjitha partive tjera, përpos nëse në ndërkohë krijohet ndonjë lëvizje ose parti e re me të cilën ndoshta edhe mund të ketë ndonjë lidhje ose ndonjë bashkëpunim”.

“Ndërkaq sa i përket këtyre partive kryesore të vendit LDK, AAK dhe PDK, Vetëvendosje nuk do të ndryshojë qasje ndaj tyre, sepse mendësia politike e tyre vërtet në një mënyrë ose tjetrën është dëshmuar e dëmshme për vendin”.

AAK: Kurti dogmatik që përdor metodat e Milosevicit

0

Kurti-HaradinajAleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të Liderit të VV’së Albin Kurtit, i cili ka thënë se Ramush Haradinaj nuk ka parime dhe se ai shikon vetëm se si të bëhet Kryeministër.

Por AAK ka thënë se VV po përdorë metodat e jogurt revolucionit (përdorim i demonstratave për ardhje në pushtet e aplikuar nga njerëz të Slobodan Milosevicit më 1988 në Vojvodinë), në politikat e saj.

“Lideri i VV-së, duhet të dijë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka parime dhe udhëhiqet nga parimet. AAK, nuk e përdorë dogmën, shpifjet e as metodat e “jogurt” revolucionit për ardhje në pushtet. Vazhdojmë t’i ofrojmë qytetarit të Kosovës opsionin tonë për Qeverisje si opsion i vetëm që vendosë Kosovën në binarë të duhur” thuhet në reagim, shkruan Express.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që nga krijimi i saj gjithmonë është prirë nga parimet e lirisë, interesave nacionale dhe shtetndërtimit. Në rrugëtimin e njerëzve që kanë prirë me këtë subjekt politik asnjëherë nuk ka qenë oportunizmi dhe kalkulimi me vota përcaktues i qëndrimeve politike. Për shkak të urrejtjes personale ndaj kujtdo nuk i sakrifikojmë interesat nacionale asnjëherë e as atëherë kur mund të na kushtojë me votë”, thekson AAK.

Albin Kurtit ka thënë se AAK dhe Lideri i saj po bëjnë yrysh pas secilës parti që ua mundëson ardhjen në krye të Qeverisë.

Madje, Kurti tha se AAK dhe Ramush Haradinaj s’kanë parime as ekip, por vetëm ambicie.

Haradinaj e ka nisur punën për vitin 2014 në Prekaz

0

Haradinaj-prekaz14Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas traditës, ditën e parë të punës për vitin 2014 e ka nisur në Prekaz, me homazhe në Kompleksin Memorial të UÇK-së.

Ai në familjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari u prit nga përfaqësuesi i familjes, Murat Jashari.

Haradinaj dhe Murat Jashari bashkëbiseduan shprehën qëndrimet e përbashkëta për zhvillimet aktuale, të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

“Familja Jashari është gjithmonë vendi ku ne marrim forcë e motiv për punën tonë”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.

Përkujtohet sot, 90-vjetori i Kadri Roshit

0

KadriRoshi-artisti popullitDita e sotme, shënon 90 vjetorin e lindjes së Kadri Roshit, një prej kolosëve të filmit dhe teatrit shqiptar, ku ai la figura të spikatura që nuk do të harrohen kurrë.

Artisti i Popullit, i njohur si Ezopi shqiptar, apo patriarku i fjales se kënduar shqipe, siç e ka cilësuar poeti Dritero Agolli. Fjala në gojën e tij merr tingullin e zileve të këmboreve, të Malit të Nemërçkës, Malit të Gjerë, të këngës së bukur polifonike, të gurgullimës së lumenjve.

Kadri Roshi u lind në 4 janar të vitit 1924 në Mallakastër. Në karrierën e tij të gjatë që fillon nga viti 1945, numërohen rreth 170 role, prej të cilave 130 janë role kryesore, që do të bënin të ndihej krenar këdo prej aktorëve të skenës dhe ekranit shqiptar. Në vitin 1961, Kadri Roshi u nderua me titullin “Artist i Merituar” dhe në vitin 1969, me çmimin e madh “Artist i Popullit”, ndërsa në vitin 1995, në festivalin e 10-të të Filmit Shqiptar, mori cmimin e “Karrieres”. Nga Presidenti i Republikes në vitin 1998 iu akordua titulli “Nderi i Kombit”.

Ai u rrit në skenën e Teatrit Kombetar, duke qenë një nga themeltarët e tij. Ka interpretuar veprat më të spikatura të dramaturgjisë botërore dhe asaj shqiptare, të cilat përbëjnë një jetë të madhe artistike, ku ndërthuren vështirësitë e një jete prej jetimi, çiraku, portieri kinemaje dhe deri tek aktori origjinal me portretin e njeriut të fisëm. Pasionant i duhanit dhe peshkimit. Besonte se për të qene i suksesshëm duhej shumë punë e se mjaftonte pak talent.

U nda nga jeta me dëshirën dhe ëndrrën për të jetuar me skenën. “Të gjitha rolet që nuk i kam luajtur i kam pengje. Kështu e ka jeta e aktorit”, ishte shprehur. “Unë jam shqiptar. Jam aktor shqiptar nga koka tek këmbët, nga këmbët tek koka dhe për këtë krenohem”, ka deklaruar artisti, Roshi./24orë/

“Suus” në Top 20-in e këngëve të Eurovizionit

0

RonaNishliu-Eurovision12Ish- përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurosong, Rona Nishliu është renditur në pozitën e 18-të, në kuadër të 250 këngëve më të preferuara të fansave.

Këngëtarja Rona Nishliu e ka nisur Vitin e Ri edhe me një lajm të gëzuar.

Kosovarja ka arritur të kualifikohet me këngën e saj “Suus”, në top 20-in e këngëve më të mira në historikun e Eurovizionit.

Ish- përfaqësuesja e Shqipërisë në Festivalin Evropian të Këngës në vitin 2012, është renditur në pozitën e 18-të, në kuadër të 250 këngëve më të preferuara të fansave të Eurosong.

Kënga “Suus” është renditur në këtë pozitë nga Eurovision Song Contest History & Eurovision Song Contest Radio, pas votimit online përmes faqes së internetit 12points.tv.

Vetë këngëtarja përmes faqes së saj në facebook, e ka mirëpritur këtë sukses.

“JU DUA !Lajm i bukur për të nisë 2014-a ?” ka shkruar këngëtarja 27 vjeçare nga Mitrovica.

Vendin e parë në “ Eurovizion Top 250″ e ka zënë fituesja e Eurovisionit në vitin 2012, suedezja Loreen më këngën “Euphoria” ndërsa danezja Emmelie de Forest, e cila fitoi në edicionin e kaluar, ka përfunduar në vendin e 7-të.

Viti 2015, me sigurime shëndetësore

0

QKUK5-24Viti 2015 do të jetë vit, kur qytetarët e Kosovës do ta kenë kartelën e sigurimeve shëndetësore, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.

Edhe pse Ligji për sigurimet shëndetësore është miratuar në vitin 2007, ai asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi. Më vonë, ky ligj ishte tërhequr për shkak të implikimeve buxhetore, me rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Por, sipas ministrit Agani, me këtë projektligj parashihet që shëndetësia kosovare të financohet me 90 milionë euro më shumë në vitin 2015.

“Me 90 milionë euro buxhet më shumë në vitin 2015, ky do të jetë një injeksion financiar dhe do të jetë i kontrolluar mirë, i monitoruar nga organet e fondit të sigurimeve shëndetësore i cili do të jetë institucion publik që do të grumbullojë premiumet, pagesat e punëmarrësve dhe punëdhënësve dhe me përgjegjësi do të monitorojë shpenzimin e tyre”, deklaron Agani, transmeton REL.

Ndërkaq, Arsim Çavdarbasha, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Financimit të Shëndetësisë në Ministrinë e Shëndetësisë, si parim të këtij projektligji përmend qasjen universale.

Ai thotë se shërbimet e kujdesit shëndetësor themelor, zbatohen në kushte të njëjta për të gjithë personat e siguruar, duke përmendur edhe si qëllim që asnjë person të mos mbetet pa sigurim shëndetësor.

“Disa nga pikat tjera në drejtim të reformës, janë edhe Agjencia e Financimit, mjetet bashkë-pagesat, shërbimet e kujdesit shëndetësor themelor, financimi i institucioneve, si dhe kategoritë e qytetarëve të liruar nga bashkë-pagesat, e që është një prej elementeve shumë të rëndësishme në ofrimin e qasjes së barabartë të qytetarëve në shërbimet shëndetësore”, thotë Çavdarbasha.

Kuvendi nuk ka qenë në nivelin e duhur në 2013

0

KuvendiKosoves5-27Gjatë vitit 2013 Kuvendi i Kosovës ka mbajtur gjithsej 54 seanca, prej të cilave 41 ishin seanca të punës, ndërsa ka miratuar 61 ligje. Kishte vetëm 3 interpelanca dhe 18 debate parlamentare. Sidoqoftë, kjo punë, nuk është e mjaftueshme për institucionin më të lartë të vendit. Vetë ligjvënësit thonë se përveç në nxjerrjen e ligjeve, Kuvendi në funksionet tjera, siç është kontrolli parlamentar i Qeverisë dhe mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve, nuk ka qenë në nivelin e duhur gjatë vitit 2013.

Një vit jo shumë për t’u lëvduar ishte viti 2013 për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Këtë e thonë edhe vetë përfaqësuesit e institucionit më të lartë në vend, të cilët madje këtë legjislaturë e vlerësojnë si më të dobëtën në historinë e Kuvendit të Kosovës që nga paslufta. Deputeti i PDK-së Arsim Bajrami pret që pas reformës zgjedhore të ketë një legjislaturë më të mirë.

“Mendoj se kjo legjislaturë ka vazhduar të jetë një prej legjislaturave me performancë apo me imazh më të dobët nga periudha e pasluftës. dhe unë pres që viti i ardhshëm të përmbyll pak a shumë këtë legjislaturë dhe pres që të bëhet reforma zgjedhore e cila do të ndikojë shumë në ngritjen e performancës së Kuvendit dhe ngritjen e besimit tek qytetarët për punën e Kuvendit”, tha Bajrami, transmeton RTK.

Ndaj shumicës parlamentare kritika ka deputeti opozitar nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi, duke thënë se nuk e ka përfaqësuar vullnetin e qytetarëve.

“Mazhoranca nuk e ka përfaqësuar këtë vullnet, përkundrazi ka shkuar në kundërvajtje të këtij vullneti sidomos në çështjet më të ndejshme dhe më jetike për qytetarët e Kosovës, pra saktësisht kur bëhet fjalë për bisedimet me Serbinë.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Sadri Ferati dëshiron më shumë pavarësi të deputetëve nga ndikimi i grupit parlamentar.

“Unë mendoj se ka pasur përkushtim dhe ka pasur momente të mira në Kuvend, por ajo çka do ta kisha dëshiruar që gjatë debateve për pika përmbajtësore mundësisht do të dëshiroja që deputetët të jenë më të lirë nga ndikimet e grupeve parlamentare për të reflektuar edhe mendimet për çështje të caktuara, sidomos nëpër komisione.

Sidoqoftë, duke pasur parasysh faktin se 2013-a ishte vit zgjedhor, Kuvendi i Kosovës, nga deputetët vlerësohet se ka arritur t’i nxjerrë një sërë ligjesh të nevojshme, mes të cilëve vlerësohet kompletimi i pakos kundër korrupsionit dhe strategjisë kundër korrupsionit dhe kompletimi i legjislacionit që ka të bëjë me reformën e sistemit gjyqësor.