13.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Pret përplasje të forta politike

HalilMatoshi-analistAnalisti Halil Matoshi pret që fjalori politik të ashpërsohet në prag të zgjedhjeve nacionale. Përplasjet në mes partive i sheh si qëllim të krijimit të imazhit të forcës. Thotë se Vetëvendosje mund të bëjë koalicion vetëm me ndonjë parti ose lëvizje të re.

Muajt e ardhshëm pritet të karakterizohen me një fushatë edhe më të ashpër të partive politike.

Përplasjet e fundit në mes të Kryetarit të AAK`së, Ramush Haradinaj dhe Liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shihen vetëm si pikënisje e një përballje të ashpër që pritet të karakterizojë muajt e ardhshëm jo vetëm në mes të këtyre dy forcave politike por edhe ndërmjet të gjitha partive që konsiderohen rivale njëra me tjetrën.

Analisti Halil Matoshi përplasjet e tilla i sheh si qëllim të krijimit të një imazhi të forcës.

Në një intervistë për lajmi.net, Matoshi ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja parti që e ka një ideologji të caktuar, ndërsa partive tjera, sipas tij, kjo gjë u mungon.

“Natyrisht se tani para zgjedhjeve nacionale që sigurisht do të jenë sivjet, partitë politike për të krijuar një imazh të forcës së tyre përplasen me rivalët e tyre”.

“Sa i përket Vetëvendosjes dhe partisë së Ramush Haradinaj kjo ka ndodhur në mënyrë goxha të ashpër edhe gjatë zgjedhjeve lokale, ku praktikisht z. Kurti ka bërë më dije se ai do të qeverisë me vendin dhe se do t`i hapë arkivat e korrupsionit dhe të gjitha të këqijat që kanë ndodhur gjatë qeverisjes, sidomos në ato Komuna ku partia e Haradinajt ka qenë në pushtet”.

“Kështu që, në këtë kontekst, mendoj se partia e z. Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, e ka një diskurs goxha negativ ndaj të gjitha subjekteve politike, jo vetëm ndaj AAK’së.”

“Ç’është e vërteta, Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja që e ka një diskurs goxha të fortë retorik dhe ka një ideologji të caktuar, gjë që partitë tjera nuk e kanë, sepse janë mësuar që të qeverisin me komoditet, me një lehtësi të padurueshme”.

“Prandaj, në këtë vazhdë vijnë edhe akuzat aktuale ndaj AAK`së”.

Matoshi pret që niveli i gjuhës së ashpër të rritet edhe më shumë në prag të zgjedhjeve nacionale.

“Është e vërtetë se gjatë zgjedhjeve lokale më 3 nëntor dhe gjatë balotazhit gjuha e urrejtjes pati marrë përmasa goxha shqetësuese, sepse objektivisht tashmë 15 vjet pas çlirimit, njerëzit, qoftë nga pakënaqësia karshi pushteteve të cilat kanë qeverisur me Kosovën, qoftë edhe nga njëfarë animoziteti që është krijuar në mes tyre, mendoj se goxha shumë e kanë ashpërsuar diskursin politik, rivalitetin, dhe unë pres që edhe në zgjedhjet nacionale kjo gjuhë të shkojë duke u ashpërsuar”.

Mundësia e një koalicioni mes Vetëvendosjes dhe ndonjërës nga partitë aktuale, sipas Matoshit, është vështirë e realizueshme.

“Lëvizja Vetëvendosje do ta mbajë tashmë kursin e saj kundër të gjitha partive tjera, përpos nëse në ndërkohë krijohet ndonjë lëvizje ose parti e re me të cilën ndoshta edhe mund të ketë ndonjë lidhje ose ndonjë bashkëpunim”.

“Ndërkaq sa i përket këtyre partive kryesore të vendit LDK, AAK dhe PDK, Vetëvendosje nuk do të ndryshojë qasje ndaj tyre, sepse mendësia politike e tyre vërtet në një mënyrë ose tjetrën është dëshmuar e dëmshme për vendin”.

Më Shumë

Neymar bëhet baba për herë të tretë, zbulon emrin e vajzës

Sulmuesi i Brazilit, Neymar Jr., është bërë baba për herë të tretë. Së fundmi ai ka zbuluar emrin e vajzës së tij së sapolindur, si...

Komuna e Prizrenit shpreh pakënaqësitë për mënyrën e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore

Komuna e Prizrenit ka shprehur pakënaqësitë e saj për mënyrën e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore, teksa i gjithë procesi ka përfunduar për...

Lajmet e Fundit