19.7 C
Prizren
E hënë, 4 Gusht, 2025
Home Blog Page 8452

“Fjalor i Fotografisë”, Fjalor Drite

0

Fjalor i FotografisëJo më shumë se dy dekada e gjysmë më parë, nje aparat fotografik ishte send tepër i rrallë, krahas njeriut të lirë apo pas automobilit privat i cili nuk ekzistonte. Sot, është e tepërt të thuhet se fotografia konvencionale dhe ajo dixhitale, kanë hyrë kudo. Dhe një fjalor teknik për të shpjeguar sa më shumë fjalë të terminologjisë së fotografise, shqipes i duhej.

Ky Fjalor i lypur vjen nga Qerim Vrioni, studiues dhe gjurmues, mbledhës i fotografise shqiptare, nxjerrës në dritë i figurave të saj me librat e tij si “Fotografia një grusht Diell” apo “150 vjet fotografi shqiptare”. Synimi e fjalorit, i çdo fjalori, është sa maksimalist dhe minimalist; “Fjalori..” i Vrionit është edhe përparësor (mbi të dyja), sepse; kalon nëpër udhë të pashkelur; mbulon rreth 600 fjalë (jo pak për një fjalor zhargon) të fenomenit të artit fotografik; dhe nëse lexohet faqe-pas-faqe njeriu mëson mbi procesin e prodhimit të një objekti nëpërmjet veprimit të dritës, rrezatimit apo ndjeshmërisë së saj, ku drita lë gjurmë, gdhend; “foto-grafi” “gjurmë-drite”, ky është kuptimi i fotografisë në shqip.

“Fjalor i fotografisë” dixhitale dhe konvencionale i Qerim Vrioni është udhëzues i rëndësishëm për studentë e profesionistë njësoj, sepse në këto kohëra zhvillimesh të vrullshme teknologjike, dhe vende pa kufij të mbyllur, fotografi sado me përvojë në profesionin, bëhet brenda natës i ri a student.

Fjalori (176 fq) është referencë e shkëlqyer, plot përkufizime të termave dhe njohuri në zgjidhjen e problemeve gjatë përdorimit të një aparati ose kamera për të fotografuar dhe retushuar në mënyrë dixhitale.

Fjalori i Vrionit është i llojit bifokal, sheh larg dhe afër, maksimalist dhe minimalist, ndërsa përpiqet të mbulojë një pjesë të terminologjisë përkatëse. Fjalori i Vrionit është here-herë një gjuhësh, dy gjuhësh, sqarues, analizues, i plotë, biografik, ku përdoruesit mund të kuptojnë tekstet teknike në shqip a të përkthyera dhe të prodhojë tekste të reja. Bibliografia e pasur, tregon se autori ka kryer kërkime disa vjeçare, siç e thotë edhe vetë, në biblioteka të shumta si në Amerikë edhe në Evropë e Shqipëri.

Gjuha shqipe është e re në të shkruar; alfabeti i saj i njësuar u miratua rreth 105 vjet me pare nga Kongresi i Manastirit (1909); historia e fjalorëve të saj është thuajse njësoj në moshë; ndërsa ajo e fjalorëve teknikë është e re. Qerim Vrioni me Fjalorin e tij të Fotografisë të kujton amerikanin Noa Webster. Në vitin 1806, Noa botoi një Fjalor të përmbledhur te gjuhës angleze me jo më shumë se 20 mijë fjalë; sot Fjalori i tij ka mbi 150-mijë fjalë e shprehje, dhe vazhdon të botohet i shtuar dhe me të njëjtin emër: Webster’s Dictionary. Me kalimin e viteve, për hir të shqipes, të njëjtin fat pasurimi urojmë të ketë edhe Fjalori i Vrionit./VOA/

Histori: Çfarë ka ndodhur më 3 janar?

0

Histori-3 janar1431 – Joan d’Ark i dorëzohet peshkopit Pierre Cauchon. Gabimi i saj ishte pohimi se kishte marrë frymëzimin hyjnor dhe udhëhoqi ushtrinë franceze në disa fitore të rëndësishme kundër Anglisë gjatë “Luftës së 100 viteve”. E njohur si “Cuca e Orleansit”, Zhan d’Ark iu dorëzua anglezëve në këmbim të parave; u gjykua nga peshkopi pro- anglez Pierre Cauchon dhe u dogj në turrën e druve për herezi. Ajo ishte 19 vjeç. Njëzet e pesë vjet pas ekzekutimit, një komision i autorizuar nga Papa Callixtus III shqyrtoi gjyqin; e shpalli atë të pafajshme, dhe martire të kishës. Zhan d’Ark u lumturua në vitin 1909 dhe një vit më vonë u shenjtërua.

1956 – Një zjarr dëmton pjesën e sipërme të Kullës Eifel, por jo rëndë. Dëmtimin më të madh Kulla Eifel e kishte pësuar në vitin 1902, kur u godit nga rrufeja dhe pas kësaj 100 metrat e sipërme të Kullës iu nënshtruan riparimit së bashku me dritat dhe dritaret që u zevendësuan. Kulla Eifel ka kaluar edhe peripeci të tjera si për shembull në vitin 1925, kur mashtruesi Viktor Lustig e “shiti” kullën për hekurishte. Në 1930, Kulla Eifel e humbi titullin e strukturës më të lartë në botë kur ndërtesa Chrysler përfundoi në qytetin New York. Pas pushtimit nazist të Parisit në vitin 1940, kabllot e ashensorit u prenë nga francezët në mënyrë që Hitlerit t’i duhej të ngjiste shkallët për të arritur në majë të Kullës. Në gusht të vitit 1944, kur forcat aleate po i afroheshin Parisit, Hitleri urdhëroi gjeneralin Dietrich von Choltitz që t’a shkatërronte kullën, e bashkë me të edhe një pjesë të Parisit, por gjenerali nuk iu bind urdhërit.

1959 – Alaska pranohet si shteti i 49-të i SHBA-së. Alaska ndodhet në skajin veriperëndimor të kontinentit të Amerikës së Veriut. Kufizohet në lindje me Kanadanë, Oqeanin Arktik në veri, Oqeanin Paqësor në perëndim dhe me Rusinë (Siberinë) në jug. Alaska është shteti më i madh për nga territori në Shtetet e Bashkuara dhe i katërti me popullsi më të rrallë. Përafërsisht gjysma e popullsisë së Alaskës prej 740 mijë banorësh jeton brenda zonës metropolitane të kryeqytetit Anchorage. Ekonomia e Alaskës mbizotërohet nga prodhimi i naftës, gazit natyror, dhe industria e peshkimit. Turizmi është gjithashtu një pjesë e rëndësishme e ekonomisë. Edhe pse ka qenë e banuar prej mijëra vjetësh, nga shekulli 18-të, fuqitë evropiane filluan t’a shihnin Alaskën si një territor të varfër në burime minerare a natyrore, dhe që nuk ia vlente të investohej. Shtetet e Bashkuara blenë Alaskën nga Rusia më 30 mars 1867 për 7 milionë dollarë. Edhe emri “Alaska” vjen nga rusishtja që do të thotë “kontinent”, “breg” ose “tokë e madhe”.

1961 – Mbreti Zog, dergjet i sëmurë rëndë me kancer në stomak; goditjet në zemër i përsëriteshin here pas here, ndodhej në dhimbje të vazhdueshme; trupi i tij dobësohej dita ditës; kishte disa vjet pa ecur nga që nuk ngrihej dot në këmbë. Nën këshillat e mjekut francez Bourges Kavardin, mbretëresha Geraldine e lëviz familjen mbretërore nga Kana në Paris, duke u vendosur në një vilë pranë Avlonit./VOA/

Hoxhaj: S’na duhet islami i importuar

0

Hoxhaj-Enver5-21Rryma të ndryshme fetare të cilat mundohen që islamin ta bartin në jetën tonë publike, ta bartin në diskursin tonë publik, ta bartin si një mënyrë tjetër jetese, më një diskurs tjetër mund të paraqesin rrezik për shtetin e Kosovës. Kështu ka thënë në intervistën dhënë gazetës ‘Zëri’, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj. Ai kërkon nga Ministria e Brendshme, ministri të tjera, agjenci të ndryshme që të jenë më të vëmendshëm.

“Këtë se çfarë unë po e them para jush e kam ngritur edhe në takime të caktuara edhe në Evropë, por edhe në Lindje të Mesme”, ka thënë Hoxhaj.

FSK-ja e gatshme të bëhet ushtri

0

FSK12-162014-a pritet të jetë viti kur FSK-ja duhet të shndërrohet në Ushtri të Kosovës. Ky është konstatimi i përbashkët i Qeverisë së Kosovës, opozitës dhe ekspertëve të sigurisë.

Udhëheqësit e FSK-së dhe anëtarët e komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e kësaj force e kanë vlerësuar të jashtëzakonshme performancën e FSK-së në vitin 2013.
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) në vitin 2013 ka renditur sukseset e saj në përputhje me misionin që ka pasur. E arritura më e madhe për këtë forcë ka qenë plotësimi i kapaciteteve operacionale, të cilat u deklaruan nga Këshilli Veri-Atlantik i NATO-s në muajin korrik. Edhe në vitin 2013 FSK-ja vazhdon të jetë institucioni më i besueshëm nga qytetarët e Republikës së Kosovës. Madje kjo forcë përbën institucionin e vetëm që i bashkon pozitën e opozitën. Të gjithë, përfshirë opozitën dhe njohësit e çështjeve të sigurisë, janë të mendimit se tani ka ardhur koha që kësaj force t’i ndryshohen emri, struktura, misioni dhe të ngarkohet me detyra që kanë të gjitha ushtritë e shteteve demokratike.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Agim Çeku, duke e vlerësuar arritje të jashtëzakonshme plotësimin e kapaciteteve, ka thënë për “Epokën e re” se tanimë kjo forcë nuk është në mbikëqyrje të KFOR-it, por në raporte partneriteti. “Padyshim se edhe viti 2013 ka qenë vit i suksesshëm për FSK-në, e cila ka arritur një fazë të sukseseve edhe këtë vit. Mendoj se ngjarja e vitit sa i përket FSK-së është deklarimi i kapaciteteve të plota operacionale nga ana e NATO-s. Pra, vendimi i NATO-s, që ta vazhdojë mbështetjen e FSK-së, duke e themeluar një trup të ri të quajtur Ekipi Këshillues Ndërlidhës i NATO-s, krahas ekipit këshillues të NATO-s që është në ministri”, ka thënë Çeku.
Të arritur tjetër ai ka përmendur rolin aktiv dhe konstruktiv që kjo forcë po luan në rajon, duke u respektuar gjithnjë e më shumë nga forcat ushtarake të rajonit si partnere e denjë nëpër konferenca dhe ushtrime të ndryshme stërvitore. Sipas Çekut, në të gjitha këto aktivitete FSK-ja është dalluar për të mirë nga forcat e tjera të rajonit.
Çeku ka shtuar se FSK-ja po e përfundon rishikimin e vet në kuadër të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë dhe është në fund të përmbylljes së procesit për të definuar të ardhmen e vet si forcë ushtarake në Kosovë. “FSK-ja është në përmbyllje të rishikimit, në përmbyllje të definimit të disa të gjeturave nga ky studim dhe në fillim të vitit 2014 do t’ia rekomandojë Qeverisë dhe Këshillit Nacional të Sigurisë se çfarë misioni duhet të ketë, çfarë emri, çfarë strukture dhe çfarë detyra. Krejt kjo do të jetë në përputhje me ato detyra që forcat ushtarake i kanë në çdo vend të pavarur dhe demokratik”, ka thënë ministri Çeku. Ai ka treguar se edhe këtë vit FSK-ja është dëshmuar se është forcë në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës, duke i ndihmuar ata në realizimin e shumë projekteve.
Kastrati: FSK-ja ka qëndruar afër qytetarëve
 Pothuajse vlerësime të njëjta ka pasur edhe komandanti i kësaj force, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, i cili ka deklaruar për gazetën se viti 2013 ishte vit i realizimit të objektivave, prioriteteve dhe arritjeve të shumta. “Ky vit është vit i plotësimit të kapaciteteve operacionale, të cilat u deklaruan nga Këshilli Veri-Atlantik i (NATO-s) në korrik të këtij viti, me ç’rast edhe formalisht u vlerësua puna dhe angazhimi i pjesëtarëve dhe lidershipit të FSK-së në ngritjen dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve thelbësore për realizim të misionit. Gjithashtu, edhe gjatë këtij viti prioritet imi ishte ngritja profesionale e pjesëtarëve të FSK-së”, ka thënë Kastrati, duke shtuar se shumë pjesëtarë kanë kryer dhe po vazhdojnë të kryejnë stërvitje, trajnime dhe shkollime brenda dhe jashtë vendit, nëpër akademitë më prestigjioze të vendeve si SHBA, Turqi, Mbretëri të Bashkuar, Gjermani, Kroaci, Holandë, Maqedoni etj. Ai ka treguar se kjo forcë me përgjegjësi të lartë ka vazhduar t’i kryejë operacionet e çminimit, kërkim-shpëtimit, inspektimit të kompanive shtetërore dhe private për rrezikshmëri nga materiet e rrezikshme, vlerësimit të vazhdueshëm të kërcënimeve të mundshme nëpër komunat e vendit. “FSK-ja ka qëndruar afër qytetarëve, komuniteteve, institucioneve dhe organizatave joqeveritare duke i mbështetur ato me projekte të ndryshme humanitare. Ndërtimi dhe meremetimi i rrugëve, urave, shtëpive, pastrimi dhe thellimi i lumenjve dhe zonave të rrezikshme, përkrahja mjekësore e banorëve nga radhët e komunitetit serb etj. ishin prioritetet tona edhe këtë vit”, është shprehur Kastrati.
Edhe opozita krenare me FSK-në
Fjalë të mira për këtë forcë ka folur edhe opozita. Deputetët e partive opozitare, të cilët janë anëtarë të Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, ndihen krenarë me këtë forcë. Kryetari i këtij komisioni, Ahmet Isufi, ka thënë për “Epokën e re” se FSK-ja është institucioni më kredibil në Kosovë. “FSK-ja ka realizuar objektivat e veta sa iu përket ngritjeve profesionale. Pra, kjo forcë ka treguar performancë të jashtëzakonshme sa i përket opinionit, duke qenë në shërbim të popullit të Kosovës. FSK-ja është institucioni më kredibil në Kosovë dhe me këtë mburremi. E vetmja gjë që ka mbetur pa realizuar është emri i merituar i kësaj force që është Ushtri e Kosovës”, ka thënë Isufi, duke shtuar se me krijimin një politike ofensive dhe me një bashkëpunim shumë më energjik me strukturat e NATO-s do ta mundësonte edhe realizmin e këtij objektivi.
Edhe deputeti i LDK-së në këtë komision, Anton Çuni, ka thënë se ky institucion është më i vlerësuari edhe nga strukturat ndërkombëtare. “FSK-ja është një ndër institucionet që, sipas të gjitha vlerësimeve të autoriteteve ndërkombëtare, ka marrë nota të larta në përmbushjen e misionit dhe në performacën e saj. Po ashtu, kemi pasur rast që FSK-në ta shohim edhe në veprimet konkrete, kur ka pasur nevojë të zbarkojë jashtë vendit siç ishte rastin në Shqipëri apo dhe brenda Kosovës, sidomos në rastet e kërkim-shpëtimit”, ka deklaruar Çuni për “Epokën e re”, duke shtuar se edhe sondazhet e organizatave joqeveritare të bëra me qytetarët e kanë nxjerrë FSK-në si institucionin me prestigjin më të lartë në Kosovë.
Ai ka vlerësuar se institucionet vendore në bashkëpunim me ato ndërkombëtare duhet ta caktojnë mandatin e ardhshëm të kësaj force. “Kjo varet nga vlerësimi i pranisë ushtarake ndërkombëtare, në këtë rast nga KFOR-i dhe NATO, në bashkëpunim me institucionet e vendit që të japin një mendim se çka të bëhet më tutje me FSK-në. Ne si anëtarë të komisionit jemi në dijeni se është formuar një grup punues për rishikimin strategjik të sigurisë dhe jam i bindur se në vitin 2014 ky grup do të dalë me rezultatet e punës se si e shohin organizimin e gjithë institucioneve të sigurisë”, ka deklaruar ai.
Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Rexhep Selimi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës që FSK-në nuk e ka shndërruar në Ushtri të Kosovës. “Sikur jo rrallëherë, edhe kësaj radhe doli që FSK-ja jo vetëm se nuk u bë ushtri, por vetë fjala apo termi ushtri u zhduk nga fjalori i atij që e kishte paralajmëruar këtë gjë. Pra, vetë ministri që e kishte proklamuar se FSK-ja do të bëhej ushtri, i njëjti e hoqi nga fjalori fjalën ushtri”, ka thënë Selim për “Epokën e re”. Sipas tij, është e palogjikshme të flitet për integrimet euroatlantike dhe të mos bëhet FSK-ja ushtri e Kosovës.
“Le të kujtojmë edhe një herë se është joreale dhe hipokrite të flasim për integrimin në NATO nëse njëkohësisht na mungon institucioni mbi të cilin duhej ta mbështesnim anëtarësimin në NATO. Pra, nuk mund të kërkojmë të marrim pjesë nga barra e NATO-s nëse nuk kemi ushtri”, ka thënë ai, duke shtuar se Kosova ka nevojë për ushtrinë e saj ashtu siç i kanë të gjitha shtetet e rajonit. Sipas tij, Ushtria e Kosovës do t’i jepte kuptim edhe vetë shtetit të Kosovës. Por, njohësi i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku, kritikat se pse FSK-ja nuk është bërë ushtri deri më tani i ka quajtur të paarsyeshme. “FSK-ja i ka arritur objektivat që i ka pasur me ligj. Mirëpo edhe kjo forcë është e kushtëzuar edhe prej vlerësimeve të NATO-s dhe pa marrë miratimin e NATO-s, FSK-ja nuk mund të ngritët në detyra dhe obligime e përgjegjësi të tjera jashtë ligjit që i përcaktohen”, ka thënë Maloku.
Maloku është shprehur i kënaqur me dinamikën e zhvillimit të FSK-së. Ai ka thënë për gazetën se tash, pas arritjeve të objektivave që kanë qenë të përcaktuara me ligj, duhet t`i hapet rrugë kësaj force që të ngritët në ushtri. “Meqë FSK-ja i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe objektivat që i ka pasur të përcaktuara me ligjin për FSK-në dhe me Kushtetutën e Kosovës, duhet që Ligjin për FSK-në Kuvendi i Kosovës ta ndryshojë dhe duhet t’i jepen objektivat e tjera të cilat do t’i mundësojnë kësaj force të zhvillohet me një dinamikë tjetër dhe me u ngrit në ushtri”, ka thënë Maloku.
Grupi për Rishikimin Strategjik të Sektorit të Sigurisë më së largu deri në shkurt të vitit 2014 do ta prezantojë studimin lidhur me arkitekturën e sigurisë që i duhet Republikës së Kosovës. Në kuadër të këtij procesi gjithëpërfshirës është edhe rishikimi i FSK-së. Ky grup do t’i rekomandojë Kuvendit të Kosovës, Qeverisë dhe Këshillit Nacional të Sigurisë se çfarë misioni, emri apo strukture do të ketë FSK-ja në vitin 2014.

Kosova s’është e gatshme të merret me krimet e luftës

0

IanCliff6-12Ambasadori britanik Ian Cliff në një intervistë për Koha Ditore ka thënë se EULEX-i duhet të qëndroj në Kosovë sepse institucionet e Kosovës nuk janë ende të gatshme të merren me krimet e luftës.

“Nuk mendoj se institucionet e Kosovës janë të gatshme që të merren me krimet e luftës. Unë e di se krimet janë jashtëzakonisht të ndjeshme. Mneodj se është e nevojshme që të trajtohen krimet e luftës dhe kjo kërkon rolin e EULEX-it. Ka ende punë për t’u bërë në forcimin e institucioneve vendëse, sepse janë disa raste serioze për të cilat është e nevojshme të jenë gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it”, ka thënë Cliff.

Skena politike do të ndryshojë

0

AhmetIsufi-AAKNënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se zgjedhjet e mira të nëntorit përmirësuan imazhin e shtetit.

Ahmeti thotë  se këto zgjedhje ishin zhvillimi i mirë i vitit që lamë pas, i cili sipas tij, u karakterizuar me një stagnim të përgjithshëm në të gjitha fushat.“Si zhvillim pozitiv i vitit 2013 mund të themi se ishte mbajtja e zgjedhjeve lokale, të cilat kaluan në një frymë demokratike, dhe u pa se procesi ishte më i rregullt se herëve tjera. Kështu që, u bë edhe përmirësimi i imazhit të Kosovës me këto zgjedhje”.

“Por, më shumë mund të theksojmë për elemente të cilat e kanë përcjellë këtë vit, e që kemi një stagnim të Kosovës sa i përket zhvillimit ekonomik, shtimit të papunësisë, varfërisë së shtuar, po ashtu edhe mungesës së njohjeve të cilat janë pritur, mos angazhimin e mjaftueshëm për liberalizimin e vizave, pastaj dialogu i cili ka pësuar degradim”.

“Po ashtu, Kosova ka një ngritje të korrupsionit dhe krimit të organizuar sepse është plasuar në vendin e 111 gjë që tregon një dobësi të qeverisjes në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

“Pra, mund të themi se kemi një degardim të zhvillimeve”.

Ahmet Isufi pret që ky vit të sjell ndryshimin e skenës politike në Kosovë.

“Në vitin 2014 presim një ndryshim i cili mund të ndodhë në skenën politike të Kosovës për shkak të zhvillimeve, që kanë qenë gjatë kësaj kohe”.

“Po ashtu, zgjedhjet e reja të cilat duhet të sjellin një cilësi të plotë në Parlamentin e Kosovës qoftë me një Qeveri të re e cila duhet të jetë shumë më dinamike dhe me zhvillime më pozitive të brendshme, dhe, po ashtu konsiderojmë se duhet të punojmë më shumë që të ngritët mirëqenia e qytetarëve të Kosovës”.

“Si prioritete duhet të jenë zhvillimi i brendshëm ekonomik dhe interesimi që Kosova të ja jap përmbajtjen vetvetes përbrenda për të krijuar imazh të mirë edhe jashtë. Po ashtu integrimin e minoriteteve që është obligim i institucioneve të vendit. Dhe, funksionimin e Kosovës si shtet i cili synon të shkojë drejtë integrimeve”.

Sipas Isufit, zgjedhjet lokale kanë qenë njëfarë indikatori se çfarë rezultatesh mund të priten në zgjedhjet nacionale.

“Konsideroj se do të kemi ndryshime, sepse kemi ngritje të partive politike, në këtë rast, AAK’ja ka ngritur votën e vet, edhe pse ka pasur humbje të kryetarëve në komuna”, thotë Ahmeti për lajmi.net

“Po ashtu, kemi një ndryshim në LDK. Kemi një rënie të PDK’së. Po ashtu edhe një përgjysmim të Vetëvendosjes. Kështu që skena politike do të jetë më ndryshe se sa që ka qenë deri më tani. Presim që të themelohet një Qeveri e re me rastin e zgjedhjeve, në mënyrë që ta dinamizojë jetën më ndryshe”.

“Fitues nëse mund të themi do të jenë ato parti të cilat do të kenë strukturë të mirë, do të kenë një program të mirë, të kenë vizionin e qartë, sepse qytetarët kanë filluar të vlerësojnë më mirë se përpara”.

“Prandaj do t’i vlerësojnë më shumë veprimet praktike të partive politike, se sa fjalët ose parullat të cilat po shfaqen. Megjithatë, konsideroj se pa koalicione është vështirë të mendohet që do të mund të ketë Qeveri”.

Fundi i EULEX-it

0

Polici-EulexBE-ja në shtator të këtij viti do të ketë një mision tjetër në Kosovë. Ai nuk do të quhet më EULEX. Selinë do ta ketë në zyrën e përfaqësuesit të BE-së në Kosovë dhe do të jetë më i vogël se misioni aktual i BE-së për sundimin e ligjit – EULEX.

Misioni, që gjithashtu do ta ketë për qëllim sundimin e ligjit Kosovë dhe që do të ketë kompetenca ekzekutive, do të ndryshojë në dukje nga EULEX-i, por jo shumë në përmbajtje.

Në mes të janarit, zv/kryeministri Hajredin Kuçi, i cili është edhe ministër i Drejtësisë, do ta udhëheq delegacionin kosovar që në Bruksel do të zhvillojë takime të ndryshme me përfaqësues të shteteve anëtare. Njëkohësisht pritet të zhvillohen edhe bisedat zyrtare mes BE-së dhe Qeverisë së Kosovës për ristrukturimin e misionit,shkruan Tribuna.

Takimet do t`u paraprijnë diskutimeve që shtetet anëtare do t’i nisin prej 20 janarit për misionin e ri në Kosovë. Ky mision, emri i të cilit ende nuk është definuar, do të ketë kompetenca ekzekutive në veri të Kosovës dhe në sferat tjera që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit

Vetëmashtrimi i LDK-së në Prizren

0

Nuhi Salihu gazetarShkruan: Nuhi Salihu

Dega e LDK-së në Prizren si opozitë para mbajtjes së zgjedhjeve të 3 nëntorit shihej si parti serioze që mund të rimerrte pushtetin në këtë komunë.

Por,analizat,konsultat dhe përllogaritjet e zyrtarëve të saj nga qendra dhe vet dega nuk sollën rezultate pozitive.

Pas zgjedhjeve maratonike të vitit 2009, aktiviteti partiak varej nga grupi i këshilltarëve në Kuvendin e Prizrenit ,ndërsa më pas me zgjedhjet brendapartiake në krye të Degës mbetën emra të njëjtë në strukturat drejtuese.Madje, në forumin e gruas kryetarja aktuale është zgjedhur me aklamacion.

Kuvendi i Degës së LDK-së në Prizren, është përcjellë me disa mosmarrëveshje të vogla,por që në fakt reflektuan si hapësirë për ftohje të raporteve ndërmjet zyrtarëve të shumtë të kësaj partie.Zyrtarët e Forumi Rinor, përkundër vullnetit për angazhime nuk posedonin ndonjë aftësi për të qenë të zëshëm në ndryshimet që duhej bërë,pas humbjes së zgjedhjeve famoze të 2009-ës. Pak para zgjedhjeve të 3 nëntori, grupi i eksperteve i përbërë nga disa njerëz të LDK-së ka qenë mjaft aktiv për t’i dhënë këtij subjekti politik ngjyrën e një organizmi të fuqishëm opozitar në Prizren,përmes angazhimeve konkrete në terren për të demaskuar deri diku keqqeverisjen nga pushteti lokal.

Por, interesant ishte fakti se ky grup kishte përkrahjen e kryetarit të degës, i cili shumicën e kohës e kalonte në kryeqendër e fare pak në bazë,ndërsa një grup i këshilltarëve tashmë vepronte i pavarur brenda Kuvendit të Prizrenit, pasi që me veprimet e tyre në këtë organ ishin më afër pozitës se sa që kishin koordinim me grupin e ekspertëve dhe me vet kryesinë e degës, ndërsa me pjesën tjetër të bashkëpartiakëve në Kuvend i bashkonte vetëm afërsia e ulësve.Të gjitha këto veprime sollën një çorientim të plotë të Degës së partisë, e cila për shumë vite kishte qeverisur me Prizrenin.Ky çorientim pati pasoja edhe në anëtarët e kësaj partie të cilët në heshtje filluan ta braktisin atë.

Edhe pse Dega e LDK-së në Prizren,Kuvendin e saj zgjedhor e kishte mbajtur më herët, për dallim nga disa degë të tjera në nivel vendi dhe pritej një mobilizim maksimal qysh në fillim të vitit 2013, sepse ishte vit i zgjedhjeve lokale,Kryesia e Degës, e cila takohej çdo 4 apo 5 muaj,filloi të takohej më shpesh “çdo dy muaj”,edhe atë të shtunave pasdite për relaks pak buzë Lumbardhit.Në vend të mobilizimit për të hyr maksimalisht e përgatitur në zgjedhje,filloi “telenovela” e përzgjedhjes së kandidatit për kryetar.

Numri i kandidatëve ishte i vogël,duhej të përzgjidhjej ndërmjet kreut të degës dhe kandidatit të fundit për kryetar të Prizrenit, i cili ishte në krye të grupit të ekspertëve.Në fillim,kreu i Degës përkrahte kandidaturën e kandidatit tjetër,por më pas ai jo që i përbiu fjalët e veta por edhe “çorbën” që i’a përgatitën drejtuesit e partisë,të cilët deshironin ta shihnin atë në Prizren e shumë pak në Prishtinë.

Pas përzgjedhjes së kandidatit për kryetar u përcaktuan edhe emrat e kandidatëve në listën zgjedhore për Kuvendin e Prizrenit, listë kjo që nuk dallonte nga ato të partive rivale.E menduan se shumë lehtë do ta rimarrin pushtetin,sepse kandidati i partisë kryesore rivale po përballej me drejtësinë, dhe se votuesit do të mbështesin masivishtë kandidatin e LDK-së.Një komoditet të tillë ua fuqizonin edhe analistët kosovar nëpër televizionet tona qendrore,të cilët me analizat e tyre merreshin si një grup muzikor që bënte muzikë në Prishtinë,por nuk e dinin se vallja luhej në Prizren.

Në anën tjetër,partia që e mbante pushtetin përkundër problemeve të ndryshme brendapartiake(zgjedhjet brenda PDK-së),ishte më konkrete për të rifituar Prizrenin duke bërë koalicione parazgjedhore me partitë e komuniteteve,ndërsa edhe partitë tjera ishin mjaft aktive kryesisht duke përfituar edhe numër të theksuar të elektoratit që kishte dikur LDK.Një gjë ishte interesante,sepse para fushatës të gjitha grupet e ndara që përmenda më lartë u bënë bashkë,”ëndërruan” se do të fitojnë e mos po i’u prishen planet vepruese për të ardhmen.Silleshin më shumë nëpër zyre të partisë dhe kishin shtabet e veta elektorale,sepse me ngulm deshironin që të mos u’a zënë ulëset në Kuvend,dikush nga rivalet e listës partiake zgjedhore më të ri,më të përkushtuar për tu shërbyer interesave të qytetarëve dhe për të qenë përfaqësues të denjë të partisë.

Fushata e nderë,pa ndonjë ofertë serioze për votuesit,me fjalime sikur pjesëmarrësit e tubimeve të ishin njerëz të botës akademike e jo qytetarë të rëndomtë përplot halle, nuk solli ndryshimin në Prizren për LDK-në sikurse në Gjilan,Pejë, Ferizaj,Suharekë e Lipjan. Por,më 3 nëntor kishte fitues brenda LDK-së,e ata ishin disa nga këshilltarët që prapë morrën vota të mjaftueshme për Kuvend e që në fakt nuk çanin kokën se a do ta merr pushtetin partia e tyre apo jo,vetëm se atyre mos të i’u ik “karriga e butë” e Kuvendit të Prizrenit. Rezultati i 3 nëntorit,deklasoi shumë zyrtarë të kësaj partie,dhe problemi më i madh ishte si të gjendej sadopak ndonjë motiv për të garuar në balotazh.

Afërsia e Bashkimit Demokratik i dha jo pak motiv vetëm optimistëve më të mëdhenjë të kësaj partie.Partneri i koalicionit ishte mjaft aktiv për të përkrahur kandidatin e LDK-së për kryetar të Prizrenit gjatë fushatës në balotazh,por në anën tjetër rivali kishte mbledhur rreth vetes edhe disa parti tjera dhe kishte siguruar veten për të mos u befasuar në raundin final.Përfundoi edhe balotazhi,dhe pas disfatës filluan të gjenden ‘fajtorët” e saj.Filluan të flasin shumë njerëz,vetëm sa për të thënë se janë “viktima” apo edhe njerëz të shpresës për këtë parti,e cila pa një platformë strategjike veprimi me njerëz të konsumuar politikisht kishte ëndërr “rikthimin e pushtetit” në Prizren….(Autori është gazetar i TV Prizrenit dhe RTV21)

Pajtimi në Kosovë në optikën e fotografëve ndërkombëtarë

0

Pajtimi ne Kosove-fotografiMarrëdhënia mes shqiptarëve dhe serbëve është ende e rënduar nga e shkuara. Ç’formë merr pajtimi në këto kushte? Një grup ndërkombëtar fotografësh përpiqen të gjejë përgjigje vizuale për një temë të rëndësishme.

Përmendorja e vëllazërim bashkimit në Prishtinë nuk është më moderne, megjithatë ajo ende ekziston: e madhe, e pamirëmbajtur dhe e paanashkalueshme, simbol i një kohe të shkuar. Dikur kjo përmendore gjigande prej betoni simbolizonte vëllazërinë dhe bashkimin mes popujve të Jugosllavisë, sot monumenti i martirëve është një dëshmitar i heshtur i një sistemi politik të tejkaluar.

“Monumenti na kujton se shqiptarët dhe serbët kanë një të shkuar të përbashkët”, thotë fotografi kosovar, Jetmir Idrizi, për Deutsche Welle. Ai e ka fotografuar monumentin bardhë e zi dhe e ka copëzuar fotografinë në shirita të hollë. Shumë nga motivet fotografi i gjen në Mitrovicë në veri të Kosovës. Qyteti verior që nga koha e luftës është i ndarë dhe në gjendje të jashtëzakonshme. Në veri të qytetit jetojnë serbct, në minorancë në territorin e Kosovës, ndërsa në jug pakica shqiptare. Ura e barrikaduar mbi lumin Ibër është kthyer në simbol të konfliktit mes shqiptarëve dhe serbëve.

E shkuara e përbashkët

Që nga viti 2008 Kosova është e pavarur, por shumë serbë, që ende nuk duan ta pranojnë këtë realitet, e shohin Kosovën si pjesë të Serbisë. Marrëveshja e prillit 2013 rrit shpresat për një normalizim të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.

Për Jetmir Idrizin pajtimi lidhet mjaft me të shkuarën e përbashkët të etnive të ndryshme në vend. Duhet parë edhe një herë e shkuara për të shkuar përpara. Së bashku me pesë fotografë të tjerë nga Mongolia, Hungaria, Mali, Gjermania dhe territoret palestineze ata kanë shëtitur një javë nëpër Kosovë. Secili prej tyre ka pasur fokusin e tij për të interpretuar temën e pajtimit. Fotografët kanë fiksuar portrete njerëzish, peisazhesh, situatash në ndryshme në vend. Veprat e tyre gjenden në ekspozitën fotografike “Pajtimi në Kosovë” të Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar(GIZ). Ekspozita paraqitet njëkohësisht në Prishtinë, Bonn dhe Berlin.

Pajtimi – realitet i jetuar

Jetmir Idrizi ka lindur në Prishtinë. Në kohën e luftës 15 vjeçari së bashku me familjen shkoi si refugjat në Maqedoni, më pas në Belgjikë dhe më vonë u kthye në Kosovë. Sot ai është një fotograf i mirënjohur dhe punon si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, ku ka shumë miq. Për të pajtimi është një realitet, që jetohet përditë. Megjithatë ai e kupton zemërimin dhe urrejtjen e atyre, që humbën të afërmit gjatë luftës. Familja e tij nuk u prek nga tragjedi të tilla.

Edhe Merlin Nadj-Toma është njëri prej fotografëve, që marrin pjesë në seminarin e GIZ. Fotografitë e prera të Jetmir Idrizit e kanë impresionuar së tepërmi. “Për mua kjo është shumë simbolike. Jetmiri tregon se këto monumente qëndrojnë në Kosovë, por nuk funksionojnë më e megjithatë aty brenda është shansi, që këto copëza të ngjiten sërish.”

Fotografja gjermane fillimisht kishte vështirësi të hynte brenda temës së pajtimit në Kosovë, në një vend ku konflikti është ende prezent dhe në disa pjesë ende i pazgjidhur: “Reagimi i parë ishte, që Kosova është absolutisht vendi i gabuar për këtë temë”, thotë Nadj-Toma. Por gjatë një jave vizitë në Prishtinë ajo përjetoi momente të bukura. “Në një ëmbëltore dhe në një farmaci kemi takuar shqiptarë dhe serbë, që punonin së bashku.” Aty nuk luante rol etnia. “Kjo ishte një gjë e bukur. Këtë nuk e kisha përjetuar më parë.”

Ndryshimi i perceptimit

Nadj Toma ka fotografuar në Prishtinë momente të jetës së përditshme: Një shesh futbolli, pallate banimi. Fotografitë e saj i dallon një tis ëndërrimtar, të gjitha janë të mjegulluara. “Kështu këto vende marrin një ndriçim tjetër. Për mua ishte e rëndësishme që të tregoja se një ndërrim i vogël i perceptimit mund të ketë efekte të mëdha.”

Jetmir Idrizit i pëlqejnë fotot e koleges. “Fillimisht kisha një lloj shqetësimi se kolegët do të fotografonin përbri njëri-tjetrit një serb dhe një shqipar. Por ata më treguan se pajtimi është më shumë se kaq.” Në ekspozitën e hapur në Muzeun e Landit në Bonn fotografitë e tij qëndrojnë përbri atyre të Merlin Nadj-Tomas. Ajo vetë është lindur në Gjermani, por prindërit e saj janë serbë. Gjatë takimit të dy krijuan një lidhje të veçantë. “Kemi bërë shaka për njëri-tjetrin dhe përpiqeshim të sfidonim njëri-tjetrin, por në një frymë pozitive.” Të dy fotografët praktikojnë në një mikrokozmos, atë që duhet të ishte realitet për të gjithë shqiptarët dhe serbët në të ardhmen: Të lenë pas të shkuarën dhe të shohin së bashku përpara.

Politikanët paguajnë për zgjerim të rrjetit në Facebook

0

facebookNdikimin e rrjeteve sociale nuk po e lënë pa e shfrytëzuar politikanët kosovarë. Tani e një kohë, disa prej politikanëve kanë filluar të paguajnë që faqet e tyre personale të kenë më shumë pëlqime në Facebook, e ndjekës në Twitter.

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, që është ndër politikanët me më së shumti pëlqime në Facebook, mirëmbajtjen e faqes së tij personale ua ka besuar një grupi të të rinjve, derisa jo rrallë herë poston vet.

Sipas zëdhënësit të Pacollit, Jetlir Zymberaj, shpërndarja e faqes nëpërmjet formës së sponsorizimit ka filluar së voni, ndërsa bëhet me mjete financiare të vet zëvendëskryeministrit, transmeton KTV.

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, llogarinë e tij në Facebook edhe atë në Twitter e mirëmban vet, e ndonjëherë ndihmohet edhe nga këshilltarët e tij ose kabineti. Të paktën kështu thotë Artan Behrami, zëdhënës i Ministrisë, i cili megjithatë nuk është përgjigjur në pyetjen e KTV-së se kush paguan që ajo të shpërndahet përmes sponsorizimit.

Hoxhaj mbetet larg Pacollit për nga numri i pëlqimeve në Facebook, me vetëm 24 mijë të tilla, derisa Pacolli ka afër 123 mijë.

Faqe të sponsorizuar në Facebook e ka edhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, e cila thotë se kryesisht e mirëmban vet, por nuk di se sa paguhet për të.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjithashtu e shpërndan faqen e tij në këtë mënyrë, derisa postimet e tij janë mjaft të pranishme në faqet e përdoruesve shqipfolës, pavarësisht nëse e keni pëlqyer apo jo. E, për shpërndarjen e faqeve në këtë mënyrë që për synim ka edhe rritjen e numrit të pëlqimeve, paguhet nga 1 deri në 100 euro në muaj.

Me 1 euro, faqja juaj mund të shpërndahet te 10 mijë përdorues, një herë brenda një muaji; e me rreth 100 euro në muaj, ajo mund të shpërndahet te 200 mijë përdorues, deri 60 herë brenda një muaji të vetëm!

Faqet e sponsorizuara u shtuan dukshëm gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale, që sigurisht do të kenë edhe një valë tjetër në zgjedhjet nacionale, që pritet të mbahen në këtë vit.