18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Politikanët paguajnë për zgjerim të rrjetit në Facebook

facebookNdikimin e rrjeteve sociale nuk po e lënë pa e shfrytëzuar politikanët kosovarë. Tani e një kohë, disa prej politikanëve kanë filluar të paguajnë që faqet e tyre personale të kenë më shumë pëlqime në Facebook, e ndjekës në Twitter.

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, që është ndër politikanët me më së shumti pëlqime në Facebook, mirëmbajtjen e faqes së tij personale ua ka besuar një grupi të të rinjve, derisa jo rrallë herë poston vet.

Sipas zëdhënësit të Pacollit, Jetlir Zymberaj, shpërndarja e faqes nëpërmjet formës së sponsorizimit ka filluar së voni, ndërsa bëhet me mjete financiare të vet zëvendëskryeministrit, transmeton KTV.

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, llogarinë e tij në Facebook edhe atë në Twitter e mirëmban vet, e ndonjëherë ndihmohet edhe nga këshilltarët e tij ose kabineti. Të paktën kështu thotë Artan Behrami, zëdhënës i Ministrisë, i cili megjithatë nuk është përgjigjur në pyetjen e KTV-së se kush paguan që ajo të shpërndahet përmes sponsorizimit.

Hoxhaj mbetet larg Pacollit për nga numri i pëlqimeve në Facebook, me vetëm 24 mijë të tilla, derisa Pacolli ka afër 123 mijë.

Faqe të sponsorizuar në Facebook e ka edhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, e cila thotë se kryesisht e mirëmban vet, por nuk di se sa paguhet për të.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjithashtu e shpërndan faqen e tij në këtë mënyrë, derisa postimet e tij janë mjaft të pranishme në faqet e përdoruesve shqipfolës, pavarësisht nëse e keni pëlqyer apo jo. E, për shpërndarjen e faqeve në këtë mënyrë që për synim ka edhe rritjen e numrit të pëlqimeve, paguhet nga 1 deri në 100 euro në muaj.

Me 1 euro, faqja juaj mund të shpërndahet te 10 mijë përdorues, një herë brenda një muaji; e me rreth 100 euro në muaj, ajo mund të shpërndahet te 200 mijë përdorues, deri 60 herë brenda një muaji të vetëm!

Faqet e sponsorizuara u shtuan dukshëm gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale, që sigurisht do të kenë edhe një valë tjetër në zgjedhjet nacionale, që pritet të mbahen në këtë vit.

Më Shumë

Kurti: Prodhuesit e Mamushës japin kontribut të madh në ekonominë e Kosovës

Një numër i madh të ftuarve të nivelit të lartë nga Kosova, Turqia si dhe Maqedonia e Veriut morën pjesë në Festivalin e 15-të...

Sindikata publikon fotografitë dhe emrat e policëve të rënë në krye të detyrës

Sindikata e Policisë së Kosovës në Ditën Memoriale të Heronjve të Policisë së Kosovës ka kujtuar të gjithë ata që kanë sakrifikuar jetët e...

Lajmet e Fundit