12.8 C
Prizren
E mërkurë, 1 Maj, 2024

Vetëmashtrimi i LDK-së në Prizren

Nuhi Salihu gazetarShkruan: Nuhi Salihu

Dega e LDK-së në Prizren si opozitë para mbajtjes së zgjedhjeve të 3 nëntorit shihej si parti serioze që mund të rimerrte pushtetin në këtë komunë.

Por,analizat,konsultat dhe përllogaritjet e zyrtarëve të saj nga qendra dhe vet dega nuk sollën rezultate pozitive.

Pas zgjedhjeve maratonike të vitit 2009, aktiviteti partiak varej nga grupi i këshilltarëve në Kuvendin e Prizrenit ,ndërsa më pas me zgjedhjet brendapartiake në krye të Degës mbetën emra të njëjtë në strukturat drejtuese.Madje, në forumin e gruas kryetarja aktuale është zgjedhur me aklamacion.

Kuvendi i Degës së LDK-së në Prizren, është përcjellë me disa mosmarrëveshje të vogla,por që në fakt reflektuan si hapësirë për ftohje të raporteve ndërmjet zyrtarëve të shumtë të kësaj partie.Zyrtarët e Forumi Rinor, përkundër vullnetit për angazhime nuk posedonin ndonjë aftësi për të qenë të zëshëm në ndryshimet që duhej bërë,pas humbjes së zgjedhjeve famoze të 2009-ës. Pak para zgjedhjeve të 3 nëntori, grupi i eksperteve i përbërë nga disa njerëz të LDK-së ka qenë mjaft aktiv për t’i dhënë këtij subjekti politik ngjyrën e një organizmi të fuqishëm opozitar në Prizren,përmes angazhimeve konkrete në terren për të demaskuar deri diku keqqeverisjen nga pushteti lokal.

Por, interesant ishte fakti se ky grup kishte përkrahjen e kryetarit të degës, i cili shumicën e kohës e kalonte në kryeqendër e fare pak në bazë,ndërsa një grup i këshilltarëve tashmë vepronte i pavarur brenda Kuvendit të Prizrenit, pasi që me veprimet e tyre në këtë organ ishin më afër pozitës se sa që kishin koordinim me grupin e ekspertëve dhe me vet kryesinë e degës, ndërsa me pjesën tjetër të bashkëpartiakëve në Kuvend i bashkonte vetëm afërsia e ulësve.Të gjitha këto veprime sollën një çorientim të plotë të Degës së partisë, e cila për shumë vite kishte qeverisur me Prizrenin.Ky çorientim pati pasoja edhe në anëtarët e kësaj partie të cilët në heshtje filluan ta braktisin atë.

Edhe pse Dega e LDK-së në Prizren,Kuvendin e saj zgjedhor e kishte mbajtur më herët, për dallim nga disa degë të tjera në nivel vendi dhe pritej një mobilizim maksimal qysh në fillim të vitit 2013, sepse ishte vit i zgjedhjeve lokale,Kryesia e Degës, e cila takohej çdo 4 apo 5 muaj,filloi të takohej më shpesh “çdo dy muaj”,edhe atë të shtunave pasdite për relaks pak buzë Lumbardhit.Në vend të mobilizimit për të hyr maksimalisht e përgatitur në zgjedhje,filloi “telenovela” e përzgjedhjes së kandidatit për kryetar.

Numri i kandidatëve ishte i vogël,duhej të përzgjidhjej ndërmjet kreut të degës dhe kandidatit të fundit për kryetar të Prizrenit, i cili ishte në krye të grupit të ekspertëve.Në fillim,kreu i Degës përkrahte kandidaturën e kandidatit tjetër,por më pas ai jo që i përbiu fjalët e veta por edhe “çorbën” që i’a përgatitën drejtuesit e partisë,të cilët deshironin ta shihnin atë në Prizren e shumë pak në Prishtinë.

Pas përzgjedhjes së kandidatit për kryetar u përcaktuan edhe emrat e kandidatëve në listën zgjedhore për Kuvendin e Prizrenit, listë kjo që nuk dallonte nga ato të partive rivale.E menduan se shumë lehtë do ta rimarrin pushtetin,sepse kandidati i partisë kryesore rivale po përballej me drejtësinë, dhe se votuesit do të mbështesin masivishtë kandidatin e LDK-së.Një komoditet të tillë ua fuqizonin edhe analistët kosovar nëpër televizionet tona qendrore,të cilët me analizat e tyre merreshin si një grup muzikor që bënte muzikë në Prishtinë,por nuk e dinin se vallja luhej në Prizren.

Në anën tjetër,partia që e mbante pushtetin përkundër problemeve të ndryshme brendapartiake(zgjedhjet brenda PDK-së),ishte më konkrete për të rifituar Prizrenin duke bërë koalicione parazgjedhore me partitë e komuniteteve,ndërsa edhe partitë tjera ishin mjaft aktive kryesisht duke përfituar edhe numër të theksuar të elektoratit që kishte dikur LDK.Një gjë ishte interesante,sepse para fushatës të gjitha grupet e ndara që përmenda më lartë u bënë bashkë,”ëndërruan” se do të fitojnë e mos po i’u prishen planet vepruese për të ardhmen.Silleshin më shumë nëpër zyre të partisë dhe kishin shtabet e veta elektorale,sepse me ngulm deshironin që të mos u’a zënë ulëset në Kuvend,dikush nga rivalet e listës partiake zgjedhore më të ri,më të përkushtuar për tu shërbyer interesave të qytetarëve dhe për të qenë përfaqësues të denjë të partisë.

Fushata e nderë,pa ndonjë ofertë serioze për votuesit,me fjalime sikur pjesëmarrësit e tubimeve të ishin njerëz të botës akademike e jo qytetarë të rëndomtë përplot halle, nuk solli ndryshimin në Prizren për LDK-në sikurse në Gjilan,Pejë, Ferizaj,Suharekë e Lipjan. Por,më 3 nëntor kishte fitues brenda LDK-së,e ata ishin disa nga këshilltarët që prapë morrën vota të mjaftueshme për Kuvend e që në fakt nuk çanin kokën se a do ta merr pushtetin partia e tyre apo jo,vetëm se atyre mos të i’u ik “karriga e butë” e Kuvendit të Prizrenit. Rezultati i 3 nëntorit,deklasoi shumë zyrtarë të kësaj partie,dhe problemi më i madh ishte si të gjendej sadopak ndonjë motiv për të garuar në balotazh.

Afërsia e Bashkimit Demokratik i dha jo pak motiv vetëm optimistëve më të mëdhenjë të kësaj partie.Partneri i koalicionit ishte mjaft aktiv për të përkrahur kandidatin e LDK-së për kryetar të Prizrenit gjatë fushatës në balotazh,por në anën tjetër rivali kishte mbledhur rreth vetes edhe disa parti tjera dhe kishte siguruar veten për të mos u befasuar në raundin final.Përfundoi edhe balotazhi,dhe pas disfatës filluan të gjenden ‘fajtorët” e saj.Filluan të flasin shumë njerëz,vetëm sa për të thënë se janë “viktima” apo edhe njerëz të shpresës për këtë parti,e cila pa një platformë strategjike veprimi me njerëz të konsumuar politikisht kishte ëndërr “rikthimin e pushtetit” në Prizren….(Autori është gazetar i TV Prizrenit dhe RTV21)

Më Shumë

Policia shqipton mbi 1 mijë e 300 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1391 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Habit këngëtari: Alienët më kërkojnë të bëhem lajmëtari i tyre!

Robbie Williams mendon se alienët po përpiqen të dërgojnë mesazhe përmes tij sepse ai është i famshëm. Këngëtari 50-vjeçar beson se alienët duan që...

Lajmet e Fundit