20.8 C
Prizren
E hënë, 4 Gusht, 2025
Home Blog Page 8459

Vdiq Hans Haekerrup, ish-Kryeadministratori i UNMIK’ut

0

Hans HaekkerupHans Haekkerup, ish-ministri danez i Mbrojtjes, i cili në vitin 2001 ishte kreu i misionit të UNMIK’ut në Kosovë, ka vdekur pas një sëmundjeje të gjatë dhe është varrosur sot.

Haekkerup (68) ishte anëtar i Partisë Social Demokratike danez.

Anëtar i Parlamentit të Danimarkës u bë në vitin 1979. Në vitin 1993 mbajti postin e Ministrit të Mbrojtjes, ndërsa në vitin 2001 erdhi në Kosovë si pasardhës i Bernard Kouchner në postin e Përfaqësuesit Special të Kombeve të Bashkuara.

Opinioni shqiptar e mban në mend atë për të keq, pasi që ai nënshkroi një marrëveshje – e konsideruar e dëmshme për Kosovën – me përfaqësuesin e Qeverisë serbe, Nebojsha Qoviq.

Ndërsa, B92 shkruan se ai mbahet mend për mbartjen e zgjedhjeve të para në Kosovë, të cilat sipas tyre, ishin hapi i parë drejt shpalljes së pavarësisë që ndodhi në vitin 2008.

Po, Hashim Thaçit për Çmimin Nobel

0

ArturZheji-gazetarARTUR ZHEJI

Në këtë rrokopujën tonë të përditshme tiranase, pakkush ka pasur në fokus të vëmendjes së vet apo të vëmendjes kolektive propozimin e një grupi nismëtar senatorësh të Shteteve të Amerikës, që ka lidhje me dhënien e Çmimit Nobel për Paqen, Kryeministrit shqiptar të Kosovës, Hashim Thaçi.

Që të sqaroj në mënyrë ironike kundërshtarët politikë të Thaçit, ky nuk është një propozim, i cili lind dhe aq më tepër që votohet në Kosovë dhe në Shqipëri. Sepse dihet se është vështirë që ndër ne një gjë e tillë do të mund të ndodhte.

Thaçi, së bashku me baroneshën Ashton dhe Kryeministrin serb Daçiç, për shkak të ecurisë së bisedimeve midis Beogradit dhe Prishtinës, aspak popullore as në Prishtinë dhe as në Beograd, kanë transmetuar perceptimin ndërkombëtar se ata kanë vullnet për të zgjidhur shumë nga çështjet e mbetura pezull ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Personalisht, si opinionist, bëj pjesë ndër ata që kam pasur një sens jo të vogël kritik për “lëshimet” disi të shumta, që pala shqiptare i ka bërë palës serbe.
Mirëpo termi “lëshime”, që të marrë kuptim, duhet sqaruar. Në politikën ndërkombëtare, që të bësh lëshime ose shtrëngime, duhet të kesh, në të dyja rastet:

Forcë!
Ose pra, një forcë ushtarake, ekonomike dhe gjeopolitike, të tillë, saqë të mund të imponohesh për të maksimalizuar deri më një kërkesat e vendit që përfaqëson ose një forcë superiore morale për të lëshuar në emër të besimit të plotë, që sot po mbjell një proces tolerance të vuajtur dhe të vështirë, për një të nesërme së paku njëshekullore:

Paqe të qëndrueshme dhe të gëzueshme, midis të dy vendeve ish- armike për vdekje.Mendoj se as Hashim Thaçi dhe as Kosova nuk i ka këto mjete të forcës superiore apo këto iluminime sublime. Kosovës dhe Hashimit dhe kujtdo tjetër që do të qeveriste fatet e Kosovës apo edhe të Serbisë, do t’i pëlqente forca superiore mbi tjetrin.

Serbia e provoi rrugën e forcës dhe të aventurës ushtarake. Fort dhe përgjakshëm sa më s’ka. Dhe humbi. Thekshëm dhe përgjakshëm sa më s’ka. Por askush nuk mund të thotë sot me siguri se Serbia, në indet e saja më të thella kulturore apo politike, është penduar përfundimisht për këtë. Ndoshta është penduar vetëm për taktikën, kohën dhe rrugën e zgjedhur. Të cilat, pa dyshim, kishin elemente marrëzie dhe radikalizëm delirant. Të papranueshëm për kohërat që jetojmë dhe në rajonin europian, ku dhe ndodhemi.

Kosova rezistoi fort dhe përgjakshëm. Aq sa mundej dhe me gjithë ç’mundej. Bashkësia Ndërkombëtare, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye, na mbështetën. Fort dhe ashpër dhe drejtësisht sa më s’ka!

Kështu pra, situata midis dy vendeve u ndreq, por nuk u shërua dhe as mund të shërohet për një kohë ende të gjatë. Pasiqë plagët e marra janë gdhendur thellë në kujtesë. Plagë të freskëta, të cilat u mbivendosen plagëve më të vjetra historike, të cilat datojnë në mënyrë ciklike, në të paktën dy shekuj. Shekuj të zymtë, ku shfarosja e shqiptarëve ishte një strategji dhe një praktikë pothuajse e përhershme.

Askush nuk mund të ketë besimin se marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës janë dhe do të jenë marrëdhënie midis vendesh thelbësisht të sinqerta. Lufta e vërtetë diplomatike synon vendosjen në ekuilibër të këtyre marrëdhënieve. Një ekuilibër sa më i qëndrueshëm dhe sa më pragmatist.

Përkundrazi pra, pikërisht në mossinqeritetin e deklaruar të këtyre marrëdhënieve shqiptaro-serbe, ka, për paradoks, më shumë garantizëm. Sepse ka shumë më pak iluzione. E pra, ka kushtet e duhura, për më shumë realpolitikë ndërmjet të dy vendeve.

Më shumë realizëm dhe konkretësi, sepse janë interesat që vendosin dhe jo idetë fluturake dhe sentimentale.

Dhe ky është një hap i vërtetë përpara. Një nga hapat e mundshëm, në sfondin e marrëdhënieve të këqija historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë lakmitare.
Në këtë dimension dhe në këtë terren të lojës diplomatike, roli i Hashim Thaçit ka qenë dhe mbetet ekselent.

Thaçi është rrëfyer befasues përkundrejt çdo parashikimi në këtë garë publike dhe ndërkombëtare për realizëm, e cila lartësohet si ngrehinë, pikërisht përmbi mosbesimin reciprok të palëve që negociojnë.

A nuk është kjo një qasje virtuoze?

Edhe Brukseli, nga ana tjetër, nuk ushqen ndonjë iluzion romantik për të ardhmen gjeopolitike të të dy vendeve. Që të mund të quhen të tilla, duhet që njëra palë, me dhimbje ose jo, të heqë dorë nga Kosova.

Ose pra, shqiptarët të heqin dorë nga Kosova, një absurd ky i pamundur, ose serbët të njohin pavarësinë e Kosovës njëherë e mirë, që me sa duket është dhimbje kulturalisht dhe politikisht e papërballueshme ende për ta.
Mirëpo shëndeti i marrëdhënieve, me sëmundjen e pashërueshme të armiqësisë, si dhe është rasti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kushton shumë shtrenjtë.

Kushton shtrenjtë në terma financiarë. Sepse, asistentët ndërkombëtarë të kësaj paqeje të armatosur, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë financuar dhe financojnë nga xhepi i taksapaguesve të tyre miliarda euro. Dhe miliarda euro të tjera janë vënë në radhë për t’u shpenzuar dhe ndërkohë ka mosbesim të madh se mund të shërohet ndonjëherë përfundimisht kjo marrëdhënie dhe palët të dalin jashtë rrezikut të luftës. Nëse ndërkombëtarët lënë fushë të lirë dhe largohen pa e kthyer kokën pas, gueriljet, bombat dhe më pas, lufta, në një formë ose tjetër, do të ishte te pragu. Ky është një përfundim me të dhëna bindëse dhe me prova ende të përditshme.
Sepse mendjet e serbëve dhe shqiptarëve nuk janë ende sot, mendje të çarmatosura.

Por le të sqarojmë, serbët në dëshirën e tyre për aneksimin e Kosovës dhe shqiptarët në mbrojtjen e pavarësisë së tyre. Dhe kjo është një kokëçarje e madhe. Shumë e madhe, aq më tepër në kuadrin e një krize ekonomike globale.
Në këtë dilemë, Brukseli dhe Washingtoni politik janë të interesuar, pra, për vendosjen e një ekuilibri sa më të qëndrueshëm ndërmjet të dy vendeve. Duke ndjekur doktrinën që thotë: se marrëdhëniet në ekuilibër shpenzojnë shumë pak ose aspak energji. E pra, kësisoj, qeverisja e këtyre marrëdhënieve të kushtojë më pak. Dhe prezenca ndërkombëtare të mund të zvogëlohet sa më shumë, së bashku me shpenzimet përkatëse.

Në këtë sfond, takimet Thaçi-Daçiç dhe “kujdestarja” Ashton, përtej formës dhe kartolinave, po krijojnë hap pas hapi një përmbajtje.
Thaçi po e “paguan” këtë përmbajtje të re me rënie të votave në Kosovë, ndërkohë që serbët e Kosovës dhe Beogradi duket në aparencë se ka fituar shumë terren.

Mirëpo një specialist i paanshëm, që nuk ka një prapavijë interesash politikë elektoralë, e kupton mirë që nuk është kështu. Vërtet serbët në Kosovë kanë bërë disa hapa përpara, por ndërkohë në dimensionin e përgjithshëm kanë bërë shumë hapa të mëdhenj prapa. Ose, më saktë, kanë bërë de facto hapa konkretë drejt njohjes së Kosovës. Hapa të cilët nuk mund t’i zhbëjnë dot, pa një kosto të rëndë në marrëdhëniet ndërkombëtare me Bashkimin Europian, për të cilin Beogradi ka kaq shumë nevojë jetike.

Këtu Hashim Thaçi ka rrëfyer një talent të dorës së parë. Sepse kjo është një “fushëbetejë” aspak e drejtpërdrejtë dhe kërkon një intuitë të pazakontë në politikën e jashtme.

Duke qenë një njohës i debateve të ashpra që zhvillohen në Kosovë në lidhje me figurën e Hashim Thaçit, pajtohem se nuk është ai “kryeluftëtari” i luftës çlirimtare të Kosovës. Por nuk pajtohem nëse ka ose jo një kryeluftëtar Kosova, sepse mendoj se forca e betejave është një meritë kolektive.

Mund të pajtohem se ai, Thaçi pra, nuk është as dervish, as murg dhe as asket. Mund të pajtohem gjithashtu se jeton mirë dhe se është i rrethuar nga privilegje dhe kamje të bollshme.

Porse në të njëjtën kohë pajtohem edhe me një gjë tjetër.
Ai, Hashim Thaçi, disa herë rresht dhe si askush tjetër, rezultoi njeriu i duhur dhe në kohën e duhur për Kosovën.

Në krye të UÇK, në vitet e zymta të mosbesimit global për çlirimin e Kosovës.
Në Rambuje, kryenegociator kryeneç dhe i vështirë dhe përkrah Sekretares Amerikane të Shtetit, Margaret Albright.

Në krye të punëve të Kosovës deri në zgjedhjet e para të hapura dhe korrekte të Kosovës në vitin 2001.

Dhe tani së fundmi, si një kryeministër diplomat i klasit të parë. Pavarësisht se në mjaft raste disi i vetmuar dhe aspak “popullor” elektoralisht, për interesat e ngushtë dhe të vet partiakë.

Çmim Nobel pra për Paqe, për Hashim Thaçin?!

Sigurisht Po!
Për meritat e tija dhe për përfitimin e shqiptarëve. Sepse një nobelist më shumë ndër shqiptarët na bën nder të gjithëve. Dhe është në njëjtën kohë, një Nobel për një kryeministër shqiptar, është një garanci e madhe për imazhin e Kosovës në botën dhe qytetërimin ku jetojmë.
Sigurisht që këto arsye madhore nuk do të pengojë, si e kemi zakon ne shqiptarët, që, për armiqësi politike apo xhelozi personale, të shkojnë varg e varg aty ku s’duhet, kontestime dhe përgojime, për nominimin e Hashim Thaçit, nobelist.

Jo vetëm nga Serbia, por ndoshta më së shumti edhe nga ne. Ndonëse të gjithë e dimë, që këto kontestime, nëse bëhen, burojnë nga mllefe përmbajtësisht të vogla.

Frytet e proceseve të tilla, në krye të të cilave është vendosur Hashim Thaçi, nuk janë të menjëhershme. Dhe shpesh, qëllimi nga njëra anë dhe mjeti i përdorur, nga ana tjetër, duken rrejshëm në pamje të parë si kontradiktore ndërmjet tyre.

Thaçi e ka zgjidhur këtë ekuacion, i cili për shumëkënd mbetet ende një gjëegjëzë. Dhe kjo është një meritë, pa dyshim parësore.

Muja: Përulem me nderim para dëshmorëve

0

muja tek deshmoretKryetari i Komunës  së Prizrenit, Ramadan Muja, ka bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë dhe “Monumentit të “Lirisë”.  Ai tha se dëshmorët e kombit sollën lirinë dhe mundësuan ndërtimin e shtetit të Kosovës.
“Përulem me gjithë respektin para jatës dhe veprës së dëshmorëve, të cilët e  sollën lirinë dhe mundësuan formimin e shtetit tonë”, tha Muja.

Homazhet janë bërë për nder të Ditës  së Veteranëve  të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës, e në veçanti institucionet vendore  e kemi për obligohem që të angazhohemi për një mirëqenie më të mirë të familjeve të dëshmorëve,  për një shkollim më të mirë të fëmijëve të  tyre”./PrizrenPress.com/

Albatros Rexhaj: E kam ndier ngjizjen e “Edith”

0

AlbatrosRexhaj-poetShkrimtari kosovar, Albatros Rexhaj, në vjeshtën e vonë të vitit 2013, ka befasuar të pranishmit në panairin e librit “Tirana 2013”. Radhët e gjata të fansave të tij për autografin e Rexhajt, ishin të papara për letërsinë shqiptare, e sidomos në panaire. Krejt këtë ngjarje, vetë autori i këtij libri e quan efekti Heri Poter. Po suksesi me librin “Edith”, nuk e ka topitur Albatros Rexhën. Ai për vitin 2014 i ka planifikuar edhe dy libra. Në intervistën e dhënë për KultPlus, ai ka shpjeguar edhe detaje të tjera rreth letërsisë.

KultPlus: Po e mbyll vitin me suksesin e romanit “Edith”, si jeni duke e shijuar?
Albatros Rexhaj: Është një ndjenjë e çuditshme. Derisa e kam shkruar librin e tëra që kam menduar ishte se si do t’ia bëja nëse libri do të kishte sukses. Mund ta merrni me mend se çfarë fantazie mund të ketë një shkrimtar! Dhe, ja tani, e tëra që mendoj është se si në thelb asgjë nuk ka ndryshuar. E vetmja gjë ndryshe është se ndihem më i vlerësuar dhe kjo vërtet është një ndjenjë e mirë.

KultPlus: Një sukses i pritur, apo i zënë në befasi?
Albatros Rexhaj: Në befasi nuk më ka zënë sepse tërë kohën e kam ndier ngjizjen e EDITH. E kam ndier se si ajo filloi të jetonte edhe para se të “lindte”. EDITH është një personazh që e filloi jetën e vet shumë para se libri të paraqitej në panairin e librit në Tiranë. Lexuesit e mi filluan të identifikohen me EDITH dhe kjo ishte një shenjë e suksesit, por, megjithatë, duhet ta them se nuk e kam pritur atë efektin Heri Poter që u krijua në panair të librit.

KultPlus: Në një moshë relativisht të re, por i shndërruar në bestseller, të paktën kështu po të vlerësojnë, ndiheni edhe ju kështu?
Albatros Rexhaj: Po. Kjo ishte ëndrra ime. EDITH e ka një mesazh dhe mesazhi i saj është edhe mesazhi im. Kur e shoh EDITH, në duart e lexuesve gjithandej ku jetojnë shqiptarët, kjo më bën të ndihem i ekzaltuar.

KultPlus: Edhe nëse do të thuhej e kundërtën, radhët e gjata të të rinjve për autografin tuaj gjatë promovimit të librit “Edith”, në Tiranë e dëshmuan se ju jeni një autorë i adhuruar, gjë për të cilën nuk jemi mësuar ne shqiptarët të shohim këso momente, si ndiheshit në ato momente kur shihje gjithë ata njerëz duke të të pritur ty?
Albatros Rexhaj: Ky ishte efekti Heri Poter që u krijua në panair, mbase për herë të parë në historinë e panaireve shqiptare. Mos të harrojmë, unë nuk jam yll televiziv dhe as politikan, që të kem fansa që më ndjekin kudo, por jam shkrimtar dhe efekti Heri Poter lidhet vetëm me librin artistik dhe jo me librin në përgjithësi. E kam ditur se do të vinë, por nuk e kam pritur se do të vinë aq shumë. E vetmja keqardhje që e kam ndier, në ato çaste, ishte pse nuk i kam kushtuar më shumë vëmendje mësueses sime në klasë të parë, kur ajo më qortonte se duhej ta kultivoja një shkrim më të bukur. Mendoj se deri në panairin e radhës do ta angazhohem që ta bëjë shkrimin më të bukur, në mënyrë që edhe autografet të jenë më të bukura.

KultPlus: Ke vënë re, fansat e tu, janë më shumë të gjinisë femërore apo mashkullore?
Albatros Rexhaj: Në dukje të parë ka shumë femra, por nuk është se nuk kam lexues nga gjinia mashkullore. Për mua të gjithë janë të njëjtë dhe nuk bëj ndonjë dallim.

KultPlus: Ka komente, që fakti që romani ka për temë dashurinë, të ka bërë edhe më të dashur tek audienca, mendon se ky lloj tregimi mungon në letërsinë shqiptare, apo se romani i juaj është më i veçantë, pavarësisht tematikës?

Albatros Rexhaj: EDITH nuk është roman dashurie por është një roman për dashurinë. Suksesi i EDITH qëndron te mesazhi që EDITH e ka dhe ky mesazh është ndier nga shumë lexues të mi. Ndryshe, sa i përket temës së dashurisë, mendoj se dashuria është e pranishme në letërsinë shqiptare, por mungon trajtimi i duhur. Mungon guximi. Frika nga tabutë është ende e rrënjosur thellë dhe kjo është për keqardhje.

KultPlus: Do të duhej të mendoje për jetëgjatësinë e krijimtarisë tuaj në treg, a është edhe ky një argument që zgjodhe pikërisht temën e dashurisë ta trajtoje, apo gjithçka ndodhi spontanisht?

Albatros Rexhaj: Te EDITH e parashtroj pyetjen: A mund të veçohet jeta nga dashuria dhe anasjelltas? Dashuria është fillimi dhe fundi i rrugëtimit të njeriut dhe si temë është e pashtershme. Te “Ditar dashurie i një shkrimtari”, kam thënë se në shpirtin tim ka dashuri dhe vetëm dashuri, deri në fund të kësaj bote dhe përtej. Por dashuria nuk është tema ime e vetme. Ata që e ndjekin krijimtarinë time e kanë parë se i qasem edhe shumë temave tjera, por, gjithsesi, edhe ato përpiqem t’i shpjegoj nëpërmjet dashurisë. Romani im “Bombë në Beograd”, përkundër temës së luftës, në të vërtetë, është një rrëfim dashurie, sepse jeta në thelb është dashuri që shpërfaqet në pafundësisht shumë mënyra.

KultPlus: Keni në kokë ndonjë projekt tjetër, apo ndoshta tashmë veç e keni filluar?

Albatros Rexhaj: Po. Gjatë 2014 i kam në plan dy libra. Në pjesën e parë të 2014 do ta botoj një përmbledhje të vargjeve të mia më të mira të dashurisë, të shkruara ndër vite, ndërsa në panairin “Tirana 2014”, do të paraqitem me librin e radhës të titulluar “Rebelohu”. Ky libër do të jetë diçka ndryshe nga ajo që kam botuar deri tani.

KultPlus: Dhe për fund, a ka ardhur koha që edhe shkrimtarët shqiptarë mund të jetojnë vetëm nga krijimet e tyre?
Albatros Rexhaj Fatkeqësisht kjo nuk do të ndodhë edhe për një kohë të gjatë./KultPlus.com

LDK-ja uron qytetarët e Prizrenit

0

LDK-logo5-23Kryesia e LDK  së, Dega në Prizren, ka uruar të gjithë qytetarët e këtij qyteti.“Urojmë që festat e këtij fundviti të realizojnë aspiratat tona për shtet ligjor dhe demokraci në Kosove”

Viti që po vjen, shpresojmë që do jetë vit më i mire, dhe vit i realizimit të aspiratave tona te përbashkëta për jetë më të mirë’.

Urimi i BD-së për Vitin e Ri

0

BD.2Bashkimi Demokratik, ka uruar të gjithë qytetarëve për  Vitin e Ri  2014-të. “Shpresojmë që viti 2014, që po vjen do të  jetë vit i realizimit të objektivave të përbashkëta dhe vit i realizimeve të shpresave tona për një jetë me te mirë”

“Bashkarisht kemi kaluar një vit jo shumë të suksesshëm si qytetar dhe si shtet, prandaj Bashkim Demokratik edhe në vitin që vjen do të angazhohet në rrugëtimin e përbashkët që vitet të mos  jenë numra, që ndërrohen, por të jenë vite që lënë gjurmë në zhvillimin e vendit dhe në perspektivën evropiane të shoqërisë tonë”./PrizrenPress.com/

Studençani i luftëtarëve

0

lapidari ne studencanFshati Studençan, me mbi 700 shtëpi dhe rreth 4.000 banorë, është ndër më të mëdhenjtë në komunën e Therandës.

Dallohet për tokën pjellore që ka, por edhe për rininë, e cila në çdo periudhë ka qenë nismëtare e shumë aktiviteteve dhe veprimtarive me interes qytetar e kombëtar në këtë trevë.

“Në vitet e 60-ta, kur në Kosovë ishte i ndaluar përdorimi i flamurit kombëtar, të rinjtë nga ky fshat, në bashkëpunim edhe me rininë therandase, ishin pjesëmarrës të demonstratave masive për flamurin kombëtar, duke marrë pjesë edhe në ngritjen e këtij flamuri në qendër të Therandës, më 28 Nëntor të vitit 1968”, thotë Agron H. Tafaj, ish-komandant në UÇK dhe tash kryetar i nëndegës së OVL të UÇK-së në këtë fshat,shkruan Zëri.

Nga Studençani i Therandës, për çlirimin e vendit, morën pjesë mbi 100 ushtarë të UÇK-së, jetën e dhanë 6 dëshmorë dhe 18 martirë, kurse gjak derdhën dhe plagë morën 20 pjesëtarë të ushtrisë sonë.

Xhabali: Institucionet t’i mbrojnë objektet me vlera në Prizren

0

Prizreni9-18Organizata Joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, ka shqyrtuar ecurinë e hetimeve në lidhje me djegien e shtëpisë së familjes Shehu në lagjen “Tabakhanë”.

Valon Xhabali,koordinator i Programit të Trashëgimisë Kulturore, tha se gjatë këtyre javëve janë mbledhur informata nga institucionet e hetuesisë dhe të sigurisë, në bazë të cilave supozohet se zjarri ishte shkaktuar nga instalimi i vjetër i rrymës elektrike.

“Procesverbali i Drejtorisë së Emergjencës dhe Sigurisë lidhur me këtë incident të zjarrit supozon se zjarri është shkaktuar nga rrjeti elektrik, dhe thekson pamundësinë për vërtetimin e shkaktarit për shkak të djegies dhe rrënimit të shtëpisë. Në këtë raport thuhet se në objekt ka banuar një familje 14 anëtarëshe”.

Raporti i hetuesve të Policisë së Kosovës nga Stacioni Policor në Prizren bën të ditur se anëtarët e kësaj familjeje kanë konfirmuar problemet e shpeshta me instalimin e dobët elektrik.

“ Duke u bazuar edhe në raportin e DES-it njësiti i hetimeve ka ardhur në përfundim se në rastin konkret nuk janë gjetur elemente të ndonjë vepre penale dhe me këtë konstatim është njoftuar Prokuroria Themelore e Prizrenit”.

Zyrtarët e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Historike në Prizren kanë pohuar se e kanë marrë këtë raport dhe se e kanë dërguar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ndërsa krerët e Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit kanë thënë se nuk kanë pranuar asnjë raport, edhe pse me një reagim publik kishin kërkuar marrjen e masave urgjente për zbardhjen e rastit.

“Bazuar në këto të gjetura EC Ma Ndryshe sërish shpreh keqardhjen për këtë humbje kulturore të Prizrenit dhe apelon tek institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin veprime për parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen, veçanërisht në Qendrën Historike të Prizrenit.

Konsiderojmë se Komuna e Prizrenit, IMMH-ja, MKRS-ja dhe organet tjera duhet të shtojnë përpjekjet e tyre në drejtim të identifikimit të objekteve me vlera të Prizrenit dhe hapave konkretë për ruajtjen e tyre nga shkatërrimi i tërësishëm”, tha Xhabali.
Gjithashtu përkrahim rekomandimin e dhënë nga Këshilli për Trashëgimi Kulturore i Qendrës Historike të Prizrenit që “të merren të gjitha masat preventive që shtëpia të mos rrënohet tërësisht, duke vazhduar me punimet për konservimin dhe rindërtimin e saj dhe kthimin në gjendjen e mëparshme”.

“Ndërsa KTK-në e rekomandojmë që të ndërmerr nismën për diskutim të kësaj problematike me të gjithë hisedarët, në mënyrë që të gjendet mënyra për rindërtimin e kësaj shtëpie, por edhe për parandalimin e dëmtimit dhe shkatërrimit të vlerave tjera të trashëgimisë kulturore të Prizrenit.”/PrizrenPress.com/

Renditja e filmave në arkat filmike në fundjavë

0

hobittNë fundjavën pas Krishtlindjeve, filmi i Peter Jackson “The Hobbit: The Desolation of Smaug”, vazhdoj të kryesoj në arkat filmime amerikane duke marrë pozitën e parë për të tretën javë rresht. Filmi i ‘Warner Bross’, fitoj 30 milionë dollarë, duke sjellë në total deri tani fitim prej 190.3 milionë dollarë.

Aventura e animuar e ‘Disney’, “Frozen”, mori vendin e dytë, duke fituar 28.9 milionë dollarë gjatë fundjavës dhe e rrit në 248.4 milionë dollarë fitimin në total, pas gjashtë javësh të shfaqjes.

Fitimet e filmave në arkat filmime gjatë fundjavës:

1.“The Hobbit: The Desolation of Smaug” 30 milionë dollarë.

2.“Frozen”, 29 milionë dollarë.

3.“Anchorman 2: The Legend Continues”, 20.2 milionë dollarë.

4.“American Hustle”, 20 milionë dollarë.

5.“The Wolf of Wall Street”, 19 milionë dollarë.

6.“Saving Mr. Banks”, 14.3 milionë dollarë.

7.“The Secret Life of Walter Mitty”, 13 milionë dollarë.

8.“The Hunger Games: Catching Fire”, 10.2 milionë dollarë.

9.“47 Ronin”, 10 milionë dollarë.

10.“Tyler Perry’s a Madea Christmas”, 7.4 milionë dollarë.

Muja: Urime Viti i Ri!

0

Ramadan Muja 2Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja,ka uruar të gjithë qytetarët, me rastin e Vitit të Ri.

“Qeveria komunale gjatë vitit 2014, do të jetë e përkushtuar, që në bashkëpunim të ngushtë me qytetarin, ta vazhdojë rrugën e realizimit të projekteve të nisura për Prizrenin Evropian”.

“Komuna e Prizrenit do ketë në fokus të saj zhvillimin ekonomik, duke i fuqizuar politikat e biznesit privat, me synim hapjen e vendeve të reja të punës”.

“Viti i Ri 2014, uroj që të përmbushë të gjitha pritjet tuaja qytetarë të respektuar”./PrizrenPress.com/