Në këtë rrokopujën tonë të përditshme tiranase, pakkush ka pasur në fokus të vëmendjes së vet apo të vëmendjes kolektive propozimin e një grupi nismëtar senatorësh të Shteteve të Amerikës, që ka lidhje me dhënien e Çmimit Nobel për Paqen, Kryeministrit shqiptar të Kosovës, Hashim Thaçi.
Që të sqaroj në mënyrë ironike kundërshtarët politikë të Thaçit, ky nuk është një propozim, i cili lind dhe aq më tepër që votohet në Kosovë dhe në Shqipëri. Sepse dihet se është vështirë që ndër ne një gjë e tillë do të mund të ndodhte.
Thaçi, së bashku me baroneshën Ashton dhe Kryeministrin serb Daçiç, për shkak të ecurisë së bisedimeve midis Beogradit dhe Prishtinës, aspak popullore as në Prishtinë dhe as në Beograd, kanë transmetuar perceptimin ndërkombëtar se ata kanë vullnet për të zgjidhur shumë nga çështjet e mbetura pezull ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Personalisht, si opinionist, bëj pjesë ndër ata që kam pasur një sens jo të vogël kritik për “lëshimet” disi të shumta, që pala shqiptare i ka bërë palës serbe.
Mirëpo termi “lëshime”, që të marrë kuptim, duhet sqaruar. Në politikën ndërkombëtare, që të bësh lëshime ose shtrëngime, duhet të kesh, në të dyja rastet:
Forcë!
Ose pra, një forcë ushtarake, ekonomike dhe gjeopolitike, të tillë, saqë të mund të imponohesh për të maksimalizuar deri më një kërkesat e vendit që përfaqëson ose një forcë superiore morale për të lëshuar në emër të besimit të plotë, që sot po mbjell një proces tolerance të vuajtur dhe të vështirë, për një të nesërme së paku njëshekullore:
Paqe të qëndrueshme dhe të gëzueshme, midis të dy vendeve ish- armike për vdekje.Mendoj se as Hashim Thaçi dhe as Kosova nuk i ka këto mjete të forcës superiore apo këto iluminime sublime. Kosovës dhe Hashimit dhe kujtdo tjetër që do të qeveriste fatet e Kosovës apo edhe të Serbisë, do t’i pëlqente forca superiore mbi tjetrin.
Serbia e provoi rrugën e forcës dhe të aventurës ushtarake. Fort dhe përgjakshëm sa më s’ka. Dhe humbi. Thekshëm dhe përgjakshëm sa më s’ka. Por askush nuk mund të thotë sot me siguri se Serbia, në indet e saja më të thella kulturore apo politike, është penduar përfundimisht për këtë. Ndoshta është penduar vetëm për taktikën, kohën dhe rrugën e zgjedhur. Të cilat, pa dyshim, kishin elemente marrëzie dhe radikalizëm delirant. Të papranueshëm për kohërat që jetojmë dhe në rajonin europian, ku dhe ndodhemi.
Kosova rezistoi fort dhe përgjakshëm. Aq sa mundej dhe me gjithë ç’mundej. Bashkësia Ndërkombëtare, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye, na mbështetën. Fort dhe ashpër dhe drejtësisht sa më s’ka!
Kështu pra, situata midis dy vendeve u ndreq, por nuk u shërua dhe as mund të shërohet për një kohë ende të gjatë. Pasiqë plagët e marra janë gdhendur thellë në kujtesë. Plagë të freskëta, të cilat u mbivendosen plagëve më të vjetra historike, të cilat datojnë në mënyrë ciklike, në të paktën dy shekuj. Shekuj të zymtë, ku shfarosja e shqiptarëve ishte një strategji dhe një praktikë pothuajse e përhershme.
Askush nuk mund të ketë besimin se marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës janë dhe do të jenë marrëdhënie midis vendesh thelbësisht të sinqerta. Lufta e vërtetë diplomatike synon vendosjen në ekuilibër të këtyre marrëdhënieve. Një ekuilibër sa më i qëndrueshëm dhe sa më pragmatist.
Përkundrazi pra, pikërisht në mossinqeritetin e deklaruar të këtyre marrëdhënieve shqiptaro-serbe, ka, për paradoks, më shumë garantizëm. Sepse ka shumë më pak iluzione. E pra, ka kushtet e duhura, për më shumë realpolitikë ndërmjet të dy vendeve.
Më shumë realizëm dhe konkretësi, sepse janë interesat që vendosin dhe jo idetë fluturake dhe sentimentale.
Dhe ky është një hap i vërtetë përpara. Një nga hapat e mundshëm, në sfondin e marrëdhënieve të këqija historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë lakmitare.
Në këtë dimension dhe në këtë terren të lojës diplomatike, roli i Hashim Thaçit ka qenë dhe mbetet ekselent.
Thaçi është rrëfyer befasues përkundrejt çdo parashikimi në këtë garë publike dhe ndërkombëtare për realizëm, e cila lartësohet si ngrehinë, pikërisht përmbi mosbesimin reciprok të palëve që negociojnë.
A nuk është kjo një qasje virtuoze?
Edhe Brukseli, nga ana tjetër, nuk ushqen ndonjë iluzion romantik për të ardhmen gjeopolitike të të dy vendeve. Që të mund të quhen të tilla, duhet që njëra palë, me dhimbje ose jo, të heqë dorë nga Kosova.
Ose pra, shqiptarët të heqin dorë nga Kosova, një absurd ky i pamundur, ose serbët të njohin pavarësinë e Kosovës njëherë e mirë, që me sa duket është dhimbje kulturalisht dhe politikisht e papërballueshme ende për ta.
Mirëpo shëndeti i marrëdhënieve, me sëmundjen e pashërueshme të armiqësisë, si dhe është rasti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kushton shumë shtrenjtë.
Kushton shtrenjtë në terma financiarë. Sepse, asistentët ndërkombëtarë të kësaj paqeje të armatosur, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë financuar dhe financojnë nga xhepi i taksapaguesve të tyre miliarda euro. Dhe miliarda euro të tjera janë vënë në radhë për t’u shpenzuar dhe ndërkohë ka mosbesim të madh se mund të shërohet ndonjëherë përfundimisht kjo marrëdhënie dhe palët të dalin jashtë rrezikut të luftës. Nëse ndërkombëtarët lënë fushë të lirë dhe largohen pa e kthyer kokën pas, gueriljet, bombat dhe më pas, lufta, në një formë ose tjetër, do të ishte te pragu. Ky është një përfundim me të dhëna bindëse dhe me prova ende të përditshme.
Sepse mendjet e serbëve dhe shqiptarëve nuk janë ende sot, mendje të çarmatosura.
Por le të sqarojmë, serbët në dëshirën e tyre për aneksimin e Kosovës dhe shqiptarët në mbrojtjen e pavarësisë së tyre. Dhe kjo është një kokëçarje e madhe. Shumë e madhe, aq më tepër në kuadrin e një krize ekonomike globale.
Në këtë dilemë, Brukseli dhe Washingtoni politik janë të interesuar, pra, për vendosjen e një ekuilibri sa më të qëndrueshëm ndërmjet të dy vendeve. Duke ndjekur doktrinën që thotë: se marrëdhëniet në ekuilibër shpenzojnë shumë pak ose aspak energji. E pra, kësisoj, qeverisja e këtyre marrëdhënieve të kushtojë më pak. Dhe prezenca ndërkombëtare të mund të zvogëlohet sa më shumë, së bashku me shpenzimet përkatëse.
Në këtë sfond, takimet Thaçi-Daçiç dhe “kujdestarja” Ashton, përtej formës dhe kartolinave, po krijojnë hap pas hapi një përmbajtje.
Thaçi po e “paguan” këtë përmbajtje të re me rënie të votave në Kosovë, ndërkohë që serbët e Kosovës dhe Beogradi duket në aparencë se ka fituar shumë terren.
Mirëpo një specialist i paanshëm, që nuk ka një prapavijë interesash politikë elektoralë, e kupton mirë që nuk është kështu. Vërtet serbët në Kosovë kanë bërë disa hapa përpara, por ndërkohë në dimensionin e përgjithshëm kanë bërë shumë hapa të mëdhenj prapa. Ose, më saktë, kanë bërë de facto hapa konkretë drejt njohjes së Kosovës. Hapa të cilët nuk mund t’i zhbëjnë dot, pa një kosto të rëndë në marrëdhëniet ndërkombëtare me Bashkimin Europian, për të cilin Beogradi ka kaq shumë nevojë jetike.
Këtu Hashim Thaçi ka rrëfyer një talent të dorës së parë. Sepse kjo është një “fushëbetejë” aspak e drejtpërdrejtë dhe kërkon një intuitë të pazakontë në politikën e jashtme.
Duke qenë një njohës i debateve të ashpra që zhvillohen në Kosovë në lidhje me figurën e Hashim Thaçit, pajtohem se nuk është ai “kryeluftëtari” i luftës çlirimtare të Kosovës. Por nuk pajtohem nëse ka ose jo një kryeluftëtar Kosova, sepse mendoj se forca e betejave është një meritë kolektive.
Mund të pajtohem se ai, Thaçi pra, nuk është as dervish, as murg dhe as asket. Mund të pajtohem gjithashtu se jeton mirë dhe se është i rrethuar nga privilegje dhe kamje të bollshme.
Porse në të njëjtën kohë pajtohem edhe me një gjë tjetër.
Ai, Hashim Thaçi, disa herë rresht dhe si askush tjetër, rezultoi njeriu i duhur dhe në kohën e duhur për Kosovën.
Në krye të UÇK, në vitet e zymta të mosbesimit global për çlirimin e Kosovës.
Në Rambuje, kryenegociator kryeneç dhe i vështirë dhe përkrah Sekretares Amerikane të Shtetit, Margaret Albright.
Në krye të punëve të Kosovës deri në zgjedhjet e para të hapura dhe korrekte të Kosovës në vitin 2001.
Dhe tani së fundmi, si një kryeministër diplomat i klasit të parë. Pavarësisht se në mjaft raste disi i vetmuar dhe aspak “popullor” elektoralisht, për interesat e ngushtë dhe të vet partiakë.
Çmim Nobel pra për Paqe, për Hashim Thaçin?!
Sigurisht Po!
Për meritat e tija dhe për përfitimin e shqiptarëve. Sepse një nobelist më shumë ndër shqiptarët na bën nder të gjithëve. Dhe është në njëjtën kohë, një Nobel për një kryeministër shqiptar, është një garanci e madhe për imazhin e Kosovës në botën dhe qytetërimin ku jetojmë.
Sigurisht që këto arsye madhore nuk do të pengojë, si e kemi zakon ne shqiptarët, që, për armiqësi politike apo xhelozi personale, të shkojnë varg e varg aty ku s’duhet, kontestime dhe përgojime, për nominimin e Hashim Thaçit, nobelist.
Jo vetëm nga Serbia, por ndoshta më së shumti edhe nga ne. Ndonëse të gjithë e dimë, që këto kontestime, nëse bëhen, burojnë nga mllefe përmbajtësisht të vogla.
Frytet e proceseve të tilla, në krye të të cilave është vendosur Hashim Thaçi, nuk janë të menjëhershme. Dhe shpesh, qëllimi nga njëra anë dhe mjeti i përdorur, nga ana tjetër, duken rrejshëm në pamje të parë si kontradiktore ndërmjet tyre.
Thaçi e ka zgjidhur këtë ekuacion, i cili për shumëkënd mbetet ende një gjëegjëzë. Dhe kjo është një meritë, pa dyshim parësore.