22.3 C
Prizren
E hënë, 11 Maj, 2026
Home Blog Page 8601

Gabo e kalon edhe një kufi

0

Gabriel Garsia MarkezVeton Surroi

Në mesditën e një pranvere si kjo, para tridhjetë vjetësh mbërriti në emrin tim, me adresë “Rilindja, Pallati i Shtypit, Prishtinë”, një paketë tubulare nga shtëpia botuese kolumbiane “Oveja negra”.

Isha gazetar i ri, i panjohur për opinionin publik kosovar e lëre më tutje, dhe nuk kishte arsye që dikush të çonte letër në adresë timen aty, as nga ndonjë vend më afër, e lere më nga Kolumbia. Aq më pak të më dërgonte një dhuratë.

Kur e hapa tubin e kartuçit doli një poster i Gabriel Garcia Marquezit.

Qe një befasi e këndshme – me kaq mendova ta përfundoj marrëdhënien time me këtë dhuratë promovuese të shtëpisë botuese – dhe fillova ta skajoj në dollapin tim të punës. Para se ta paloja sërish në tubin e kartuçit vërejta se dhurata kishte një veçanti që nuk e kisha hetuar më herët: portreti i fotografuar i Garcia Marquezit i kishte marrë konturat e të zezës nga shkronjat. Shkronjat u përkisnin fjalëve të lexueshme e fjalët e lexueshme romanit “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë”.

E rilexova, aty për aty, në poster romanin që e kisha lexuar disa vjet më herët, si student.

Dhe e palova në tub, tubin në dollap, e befasinë time nga dhurata në një befasi më të madhe, atë të zbuluarit të kufirit të prekshëm, në këtë poster, mes fytyrës së autorit dhe fjalëve të tij. Apo më mirë thënë, atyre që nuk janë më të tijat, janë të romanit që ka për autor një person që quhet, si ai, Gabriel Garcia Marquez, apo siç do të njihet fillimisht për miqtë e pastaj për të gjithë të tjerët, Gabo.

 

Pakoja nuk kishte mister aq të madh. Kishte ardhur sepse Ali Podrimja, nga botimet “Rilindja” më kishte detyruar (kërkuar, lutur, propozuar- nuk janë fjalë të përshtatshme, e as sinonime) ta përktheja romanin e ri të Gabos, “Kronika e një vdekjeje të paralajmëruar”. Shtëpia botuese kolumbiane do të ketë dëgjuar për këtë këmbëngulje të Ali Podrimes dhe do të më ketë shpërblyer për durim e dëgjueshmëri.

“Kronika ….” Ishte një kufi tjetër i prekshëm i Gabos, ai që e merr saktësinë e narracionit të gazetarisë dhe e i jep atij brusha ngjyrë vjollce dhe portokalli të kuq e tinguj marimbash dhe dueti kitarash. Dhe erë bajamesh.

Për një gazetar të ri, si puna ime, ishte një fillimstërvitje e mirë (e të lexuarit të përkthimit më të mirë se imi, ai i Aurel Plasarit, vite me vonë – një kënaqësi e rizbuluar).

“Kronika…” ishte, do të zbuloja, jo përjashtim, por rregull i atyre viteve të fundit të të shtatëdhjetave dhe fillimit të të tetëdhjetave. “Kronika e një anijembyturi”, qe një shembull se si gazetari i mirë dhe i vëmendshëm Garcia Marquez takon rrëfimtarin e rryer, e të vetësigurt, Garcia Marquez. Të njëjtin rrëfimtar që ia din për borxh zanatin gazetarisë dhe që do të paraqitej me kolumne politike në “El Pais” me tituj që mbajnë vulën e tij. Si, për shembull, artikulli mbi juntistët uruguajanë: “Gjeneralët që besuan në rrëfimin vetjak”.

Gabo besoi në rrëfimin vetjak, se do të bëhet shkrimtar, kur e botoi tregimin e tij të parë, në vitet pesëdhjetë, si gazetar i ri dhe qau duke e lexuar, tashmë të shtypur në letër.

Dhe pastaj tjetrin, dhe tjetrin deri sa arriti te kufiri i prekshëm, ai i realizmit magjik, me të cilin do të bëhej sinonim në botë, duke botuar “Njëqind vjet vetmi”, më 1967, që për romanin botëror nga shumëkush u konsiderua si vepra më e rëndësishme ç’prej “Don Kishotit” të Servantesit.

Vit pas viti kisha lexuar dhe dëgjuar rrëfime të ndryshme për këtë kryevepër të rangut të trashëgimisë botërore.

E rikujtova njërin prej rrëfimeve edhe vetë, në rrugën prej Acapulcos për në qytetin e Meksikës. Sipas rrëfimit, në vitet gjashtëdhjetë, atëherë kur shkruante skenarë filmash (së bashku me mikun e tij , shkrimtarin brilant meksikan Carlos Fuentes) u nis me veturë nga Acapulco mbrapa për në banesë në qytetin e Meksikës dhe aty i ra në mend fjalia e parë, ajo për Aureliano Buendian që do të kujtonte prekjen e parë të akullit ditën kur do të gjendej përpara togës së pushkatimit. Se gjatë asaj rruge, thotë rrëfimi e kishte tërë romanin në kokë, të gjitha fjalët e tij, dhe se në të arritur në Meksikë do të ulej në tavolinë e do të shkruante gjatë 18 muajve pandërprerë.

Dhe para disa vjetësh, duke kaluar pa ndonjë plan kah lagjja ku dikur kishte banuar, u mendova se ku do të mund të kishte qenë zyra e Postës ku kishin shkuar Mercedes, gruaja e Gabos, dhe ai për të dorëzuar dorëshkrimin që do të duhej të udhëtonte te botuesi në Buenos Aires, vetëm për të kuptuar se nuk do të mund ta dërgonin tërë dorëshkrimin se nuk u kishin mbetur aq para sa peshonte dërgesa. Se duhej dërguar një gjysmë, e pastaj, në të arritur paradhënia, edhe gjysma tjetër e asaj që do të shndërrohej librin kult të shumë gjeneratave.

Rrëfimet qenë përsëritur aq herë sa që gjithnjë linin hapur pyetjen se a ishin të vërteta apo pjesë të mitit që tashmë qe ndërtuar për shkrimtarin. Madje, do të mbesin me sharmin e vet të kufirit mes realitetit dhe magjisë edhe atëherë kur do të shpërfaqen në biografinë e autorizuar, dhe të shkëlqyeshme, të Gerald Martinit.

Biografia e Martinit nxjerr edhe ca kufij të ri të Gabos.

Njëri, se botimi i “Njëqind vjet vetmi”, dhe botimet që do të vinin më vonë, qenë për librin në botë ajo që ndodhi me Beatles në muzikë – një revolucion jo vetëm në interpretim, por edhe në marketing.

Dy, se ky botim dhe figura e Gabos, po e transformonin, gjithashtu, tërë perceptimin e Amerikës Latine – të njohur për puçe, diktatura dhe eksploatim – në një hapësirë krijuese, vibrante madje.

Tre, se botimi “Njëqind vjet vetmi” ishte ndarje e Gabos nga varfëria, jo vetëm nga borxhi i akumuluar për ushqim e qira gjatë shkrimit të romanit, por edhe nga obligimi i mëtutjeshëm që të punojë për të jetuar.

Ai tani e tutje do të shkruante, me përpikërinë që e kishte karakterizuar – çdo ditë, nga katër orë – për nevojë bazike shpirtërore, atë që e kishte shtyrë që në fillim, atëherë si gazetar i ri, që kur mbyllej gazeta në orën 1:00 të mëngjesit, të ulej e të shkruante tregime deri në orën 3:00 e pastaj të pinte birra në bordellon kojshi.

Do të prodhonte, përkundër ankthit se nuk mund të përsëriste cilësinë e “Njëqind vjet vetmi”, vepër pas vepre që do të mund të jetojnë me meritat e veta, të pahuazara nga kryevepra paraprake.

Dikur, në një moment që nuk arriti ta saktësojë, Gabriel Garcia Marquezit filluan të mos i kujtohen ngjarjet, fytyrat, emrat, datat.

Dhe, vite më vonë, u ul të shkruajë për to, për ngjarjet, fytyrat, emrat, në një ngarendje për të mos harruar, e duke vulosur në titullin e memoareve kredon krijuese “Të rrosh për të rrëfyer”, kredon që thotë se “Jeta nuk është ajo që ke jetuar, por ajo që mban mend dhe të tillë çfarë e mban mend për ta rrëfyer”.

I kujdesur gjatë tërë jetës që të mos tregojë hollësitë e zanatit – madje duke shqyer, së bashku me dashurinë e jetës, Mercedes, edhe shënimet më të parëndësishme, edhe versionet e dorëshkrimeve të shkarravitura me laps të kuq – në librin e kujtimeve do të zhveshë shkrimtarin deri te fëmija që gjendet brenda tij dhe që e inspiron me ato që janë thellë në mbamendje, kujtimet e atij që ende nuk di të shkruajë.

Aty, në Memoare, do ta bëjë udhëtimin për në Aracatacan e fëmijërisë, Makondon e shkrimtarit. Aty do të dalin edhe gjyshja që kishte rrëfimet e veta për shpirtrat, edhe gjyshi që kishte luftuar luftën një mijë ditëshe dhe që priste pensionin e vet ushtarak, edhe babai i tij telegrafist që një ditë ikën nga shtëpia, por jo nga dashuria, edhe “erërat e zbrazëtisë”.

Gabo, në Memoare, kishte harruar tashmë se dikur, dikund, kishte shpjeguar se duke lexuar mjeshtrit si Faulkner dhe Joyce, kishte mësuar se “nuk është e rëndësishme të dëshmosh vërtetësinë e fakteve”. “Që diçka të jetë e vërtetë, autorit i mjafton vetëm të shkruajë, pa kurrfarë dëshmie tjetër pos fuqisë së talentit të tij dhe autoritetit të zërit vetjak”.

Gabo kishte harruar se të gjitha kujtimet e tij tashmë ishin në romane, të shoqëruara nga gjenialiteti i përdorimit të gjuhës, të një baroku të papërsëritshëm.

Se ishte duke e kaluar kufirin, aty ku nuk ka më kujtime, aty ku, prej mbrëmë kujtimet e tij – të vërtetat e tij për shiun e pandërprerë të luleve, kufomat që nuk zhbëhen dhe gjeneralët që rrojnë aq sa nuk mban mend kush periudhën para tyre – jetojnë pa të.

AC/DC, historia vazhdon

0

acdc-jeta vazhdonHistoria e AC/DC nuk ka mbaruar. Pas zërave për një shpërbërje që kanë qarkulluar në ditët e fundit, grupi ka lëshuar një komunikatë zyrtare për të sqaruar se do të vazhdojë përpara.

Megjithatë, në komunikatë konfirmohet edhe gjendja e rëndë shëndetësore e kitaristit Malcom Young, që do të tërhiqet.

“Nuk e di se çfarë do të ndodhë tani. Do të jetojmë ditë pas dite”, deklaroi vokalisti Brian Johnson.Ende nuk është e qartë nëse tërheqja e Malcom, që edhe pse është më pak i njohur se vëllai Angus ka qenë gjithmonë një anëtar jetik i grupit, do të jetë e përkohshme apo e përhershme.

Dyert do të mbeten të hapura, por gjendja e tij shëndetësore duket se është serioze. “Kam frikë se nuk do të jetë në gjendje të bëjmë regjistrime e jo më të përballojë një turne të gjatë”, tha më tej Young.

Gjithësesi, grupi do të vazhdojë përpara edhe pse pa një anëtar të rëndësishëm, ndoshta edhe vetëm për të celebruar 40-vjetorin e historisë dhe më pas për të thënë lamtumirë.

Haradinaj: Mandati i tretë i Thaçit, i pakuptimtë

0

Ramush Haradinaj 1Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, derisa ka paraqitur programin zgjedhor “që AAK të jetë fituese e zgjedhjeve nacionale”, tha se mandati i tretë që po kërkon Hashim Thaçi nga qytetarët, është i pakuptimtë.

“Kjo qeverisje e solli gjendjen në një situatë të tmerrshme dhe sërish t’ua kërkosh votën dhe t`i gënjesh ata, vërtet është jo normale” tha Haradinaj. “Kjo qeverisje nuk ka pasur as plane, as ide e as konkretizim të punëve. Populli është ngopur me rrena”. /RajoniPress/

Flasin për mobilizim

0

Takim me nendeget 19.04.2014Kryetarët e nëndegëve të Partisë Demokratike të Kosovës(PDK) Dega në Prizren, kanë diskutuar për përgatitjet e zgjedhjeve nacionale,që pritet të mbahen këtë vit. Në takimin e Kryesisë së PDK-së, ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja.

Gjatë këtij takimi nga ana e kryetarit të Degës së PDK-së në Prizren z. Minir Krasniqi është kërkuar angazhim maksimal nga të gjitha strukturat e PDK-së, në prag të fushatës paraelektorale, për zgjedhjet nacionale të cilat do mbahen gjatë këtij viti.

Gjithashtu në kuadër të përgatitjeve, nga ana e shtabit zgjedhor të PDK-së në Prizren, për zgjedhjet nacionale, përfaqësuesit e nëndegëve kanë diskutuar edhe për formimin e nën shtabeve zgjedhore, nëpër nëndegët e PDK-së, të cilat në këto zgjedhje do kenë një rol të rëndësisë së veçantë, në fushatën paraelektorale dhe në ditën e zgjedhjeve”

Kryetari Ramadan Muja, ndërkaq foli para kryetarëve të nëndegëve, për rendësinë e madhe që kanë zgjedhjet nacionale, jo vetëm për PDK-në, por edhe për shtetin e Republikës së Kosovës, duke theksuar se “qeverisja e mirë e PDK-së dhe e Kryeministrit Thaçi, e ka ndryshuar Kosovën pozitivisht, andaj falë kësaj qeverisje të mirë, qytetarët tanë, kanë jetë më të mirë dhe më dinjitoze”

Kryetari i Degës së PDK-së, Minir Krasniqi,ndërkaq ndër të tjera si të arritura ka cekur, rritjen e pagave, nga ana e Qeverisë së Kosovës, marrjen e vendimit për formimin e Ushtrisë së Kosovës si dhe anëtarësimin e Republikës së Kosovës nëpër shumë mekanizma ndërkombëtar, andaj me fitoren e radhës së PDK-së dhe kryeministrit Thaçi, Kosova dhe qytetarët e saj do kenë një të ardhme më të sigurt, me vizionin e qartë për zhvillim ekonomik të vendit tonë./PrizrenPress.com/

 

 

Histori dhe personazhe realë që provokojnë letërsinë

0

kthinat-e-kujteses-191x300Libri “Kthinat e kujtesës” i gazetares Arta Marku është pikërisht rasti kur gazetaria kthehet në letërsi. Janë gjashtë rrëfime ku Arta-Marku (1)zbulohen brengat, ankthet, dhimbjet e vërteta por dhe dashuritë e pamundura të gjashtë personazheve të njohur të artit dhe kulturës.Autorja ka depërtuar në kthinat e kujtesës së Edi Luarasit, Margarita Kristidhit, Kel Kodhelit, Maja Luarasit, Maks Velos dhe Anida Takes dhe u ka “rrëmbyer” historitë siç thotë ajo, e përmes tyre ka zbuluar dhe botën e tyre të brendshme.

Puna juaj si gazetare, në fakt, kthehet në letërsi. Kur gazetaria bëhet letërsi?

Gazetaria bëhet letërsi në çdo rast. Pse jo? Fundja gazeta mund të jetë një nga burimet ku gjendet tharmi i letërsisë. Madje, unë njoh shkrimtarë që, për disa prej librave të tyre mirëfilli letrarë, janë nxitur pikërisht prej shkrimeve apo lajme të botuara në gazeta të ndryshme, në kohë të ndryshme. E kam fjalën për nxitjet të cilat pastaj, kanë hyrë në laboratorin e shkrimtarit, janë përpunuar aty, tjetërsuar tërësisht ndonjëherë, shpeshherë apo ndoshta gjithherë. Në intervistat e mia me shkrimtarë të ndryshëm, ata vetë ma kanë pohuar një gjë të tillë.

Libri “Kthinat e kujtesës” nuk është rasti sipërpërmendur, e megjithatë besoj se është rasti i kthimit të gazetarisë në letërsi. Po ju shpjegoj konkretisht çfarë ka ndodhur, cili ka qenë procesi i këtij kthimi: Nuk kanë qenë shkrimet apo leximet e shkrimeve ato që më kanë nxitur. Por kanë qenë kontaktet e drejtpërdrejta me protagonistët e këtyre historive. Sigurisht qëllimi im në krye të herës ishte një intervistë a shkrim për gazetë. Por vura re se, mesa duket, nuk mjaftonte. Pas takimit, pas shkrimit e madje edhe pas botimit, subjektet vijuan të më mbeteshin në mendje duke më ngacmuar e duke më kërkuar forma të tjera zbrazjeje. Për një kohë të gjatë madje, duke më nxitur mendimin se nuk kishte mjaftuar shkrimi që kisha bërë. Kërkonin më shumë hapësirë mbi të gjitha. Dhe këtu nuk e kam fjalën thjesht dhe vetëm për numrin e faqeve brenda të cilave të kufizon një shkrim gazete. Më shumë se kaq, kërkonin një formë tjetër të “enës në të cilën do t’i hidhja”. Ndoshta ishte pikërisht rasti kur, ashtu sikurse thoni ju, gazetaria kërkonte të bëhej letërsi.

Ku fillon dhe mbaron e vërteta dhe ku fictioni në këto tregime?

Në të vërtetë jam menduar gjatë se si do t’i quaja këto shkrime, si do t’i kategorizoja, në ç’gjini do t’i fusja. Por besoj se tashmë kthinat e kujteseskufijtë janë shkrirë. S’ka pse doemos të jenë aq të ngurta mes formave të të shkruarit. Unë vetë ndjeja se isha duke shkruar tregime. Ndaj dhe i kam quajtur tregime. Si të tilla i kam parë. Por ju me të drejtë e bëni këtë pyetje sepse tregimet e mia janë histori reale, personazhet janë realë, të njohur madje.

Pra historia është e tyre. Kurse mua më është dashur për përfytyroj terrenin mbi të cilin ata kanë venë këmbët, sfondin… Ndoshta ndonjëherë ka ndonjë “deformim” për hir të një qëllimi letrar kësaj here…

Personalisht, në fund fare, pasi unë u isha kthyer e rikthyer kushedi se sa herë tregimeve të mia, shpesh herë në shumë hollësi nuk e dija më nëse atë hollësi konkrete e kisha dëgjuar nga personazhi apo unë vetë e kisha përfytyruar. Nëse do të kishin qenë histori njerëzish anonimë dhe po aq interesante sa janë këto histori personazhesh të njohur (dhe mund të gjesh mes njerëzve të zakonshëm jo pak histori të jashtëzakonshme) do të kish qenë e njëjta gjë. Me të vetmin ndryshim, emrat e personazheve. Gjithsesi, prania e emrave konkretë s’ka pse ta pengojë lexuesin që të lexojë atë që ndodh dhe jo atë të cilit i ndodh…

E megjithatë mund të kishit përdorur emra të rremë…

Padyshim, por unë nuk ia dhashë këtë të drejtë vetes duke menduar që duheshin identifikuar njerëzit të cilëve ua kam “rrëmbyer” historitë. Mes të tjerash edhe si shenjë mirënjohjeje që ata pranuan të rrëfeheshin për mua. Kur flas për rrëfimin e kam fjalën për një gjë shumë të rëndësishme në rastin e këtyre tregimeve sepse duke më rrëfyer drejtpërsëdrejti, personazhet më kanë ndihmuar mjaft me përçimin e emocioneve vetjake.

Si ia keni arritur t’i shmangeni qerthullit të urrejtjes dhe dhimbjes që këta njerëz kanë pasur në jetët e tyre?

Nuk ka urrejtje, ose së paku mendoj se urrejtja, një ndjenjë krejt njerëzore që ndonjë prej personazheve edhe mund ta ketë provuar për shkak të rrethanave dhe destinit të jetës së vet, apo për shkak të kohës së çmendur në të cilën ka jetuar, është diçka gjithsesi e kapërcyer nga ata. Apo diçka që ndërgjegjshëm e kanë futur në ndonjë cep të nënvetëdijes në mënyrë që ata vetë të mos i shqetësojë. Por sidoqoftë nuk më duket se ka lidhje me tregimet. Ka dhimbje, por jo vetëm. Ka rikthim në kohë që shpesh shumëkënd e emocionon, sepse thjesht futja në një botë të largët mund të shkaktojë një lloj trazire… Por ka edhe ngjyra. Të paktën kështu besoj.

Pse pikërisht Edi Luarasi, Kel Kodheli, Maja Luarasi, Margarita Kristidhi, Maks Velo dhe Anita Take? Pse jo personazhe të tjerë me rrëfime të tjera, që ju me siguri duhet t’i keni në listën e personazheve që u keni kërkuar t’ju rrëfehen?

Që të arrija deri këtu duhej që historitë më parë të më emociononin mua. Duhej që, siç thashë më lart, të më mbeteshin për një kohë të gjatë në mendje duke më nxitur formën tjetër të shprehjes, ndryshe nga ajo e një shkrimi gazete. Nuk desha t’i kërkoja subjektet. Desha të merrem me ato që më lëvrinin në kokë. Kisha edhe subjekte të tjera, por, për hir të së vërtetës, ndoshta ishin pak më në periferi. Ndoshta duhej të bëja një përpjekje për t’i afruar pak, por nuk e bëra. Gjithsesi ato 6 histori besoj se ia vlenin të rrëfeheshin.

Kur i keni shkruar këto tregime?

Është një punë e gjatë, disa vjeçare, gjatë të cilës edhe u poq mendimi se cila ishte “ena” në të cilën duhej t’i hidhja. Nëse do të quaja fillesë kohën e takimit me vetë personazhet mund të them se kjo histori ka filluar 14 vjet më parë. Sigurisht për një kohë të gjatë pas kësaj, subjektet kanë fjetur, por nuk më janë larguar. Pastaj në copëza të ndryshme kohe jam marrë me to. U jam kthyer e rikthyer shumë herë, i kam ndryshuar, i kam plotësuar, ndonjëherë edhe përmbysur. Disa prej tregimeve nuk arritën të shkruheshin, së paku hëpërhë…

Pse “Kthinat e kujtesës”? Pse jo titulli i njërit prej tregimeve?

Mendoj se një libër me tregime, apo me shkrime qoftë, ese, publicistikë, poezi… çfarëdolloj gjinie që t’i përkasë, duhet të ketë një fill lidhës. Ashtu sikurse disa kokrriza perlash, të cilat formojnë një varg vetëm nëse kanë një fill që i lidh. Filli në rastin e tregimeve është arsyeja se pse ato “copëza” janë bashkë me njëra-tjetrën në një libër, pavarësisht se kjo nuk ka pse të jetë absolute. Gjithsesi unë kështu preferoj. Filli që i lidh tregimet e mia është pikërisht kujtesa. Të gjithë personazhet janë kthyer pas në kohë, dhe shëtisin në disa prej kthinave të kujtesës së tyre. Rrëfejnë për të shkuarën. Titulli pra përfaqëson pikërisht këto ecejake nëpër një labirint me kthesa pak të sfumuara nga koha, të protagonistëve të librit.

Arta MARKU

Kthinat e Kujtesës

Shtëpia e librit OMBRA GVG

190 faqe

700 lekë

 

KEDS rrezikon jetën e banorëve të fshatit Tupec

0

shtyllaRrëzimi i shtyllës së rrymës rrezikon jetën e banorëve të fshatit Tupec.Korporata Energjetike e Kosovës(KEDS) në Prizren, edhe pse është informuar me kohë, nuk ka intervenuar në rregullimin e kësaj shtylle.

Banorët ankohen se KEDS, deri më tash nuk iu ka përgjigjur lajmrimeve për rrëzimin e shtyllës.

Kryetari i fshatit Tupec, Mehmet Çoçaj tha se KEDS, është lajmëruar me kohë për këtë shtyllë, por nuk ka intervenuar.

“Ne që disa herë jemi duke e lajmëruar si rast, por deri më tash askush nga KEDS-i nuk ka ardhur për të rregulluar këtë shtyllë”.Sipas tij, kjo shtyllë po rrezikon jetën e banorëve.
“Telat e rrymës kanë ra mbi dyert e shtëpisë së një kryefamiljari”.

telat

Çoçaj tregon se përvec rrëzimit të shtyllës një pjesë e lagjesë së Tupecit nuk kanë as rrymë.
“Disa herë i kemi lajmëruar këto raste në Prishtinë, por edhe në zyrat e KEDS-it në Prizren, por askush nuk ka ardhur për të zgjidhur këtë problem.Prandaj, edhe një herë publikisht informojmë KEDS-in që të vijnë dhe të rregullojnë këtë shtyllë, sepse po rrezikon jetën e banorëve”./PrizrenPress.com/

 

 

Muja uron Festën e Pashkëve

0

Ramadan Muja 2Kryetari i Komunës së Prizrenit,Ramadan Muja ka urua Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji dhe të gjithë qytetaret e besimit katolik të Komunës së Prizrenit,Festën e Pashkëve

“Kjo festë bashkë me urimet që bartë brenda vetës, duhet të na shërbejë në forcimin e dashurisë për njeri-tjetrin dhe kultivimin e tolerancës, si vlerë e demokracisë për ne dhe brezat që do të vijnë”.

Festa e Pashkëve, uroj që të na sjellë, shëndet dhe lumturi në familjet tona”/PrizrenPress.com/.

Top 35 romanet më të bukura ansglosaskone

0

autoret e libravePa qartësuar si dhe në çfarë kriteresh është përpiluar kjo listë, e përditshmja britanike “The Telegraph” ka publikuar një listë me 35 romanet e autorëve më të mëdhenj të Amerikës Veriore. Ja cilat janë librat që ata i kanë përzgjedhur.
Edhe pse “The Telegraph” nuk qartëson se me çfarë kritere e ka përpiluar listën me 15 romanet më të mira, i pari në listë ndodhet libri “The Scarlet Letter” i Nathaniel Hawthorne (1850), pas të cilit janë “Moby-Dick” i Herman Melville (1851) dhe “The Adventures of Huckleberry Finn” i Mark Twainit (1884).

Në listë ndodhen edhe “The House of Mirth” i Edith Wharton (1905), “The Call of the Wild” i Jack Londonit (1903) dhe “The Grapes of Wrath” i John Steinbeck (1939).

Në listën e 15 top autorëve më të mirë anglosaksonë ndodhen edhe “Independence Day” i Richard Fordit (1995), “The Colossus of Maroussi” i Henry Millerit (1941), “The Catcher in the Rye” i J. D. Salinger (1951), “Fear and Loathing in Las Vegas” i Hunter S Thompson (1971), “Beloved” i Toni Morrisonit (1987), “All the Pretty Horses” Cormac McCarthy (1992), “The Heart is a Lonely Hunter” i Carson McCullersit (1940), “Fugitive Pieces” i Anne Michaels (1996) dhe “We Need to Talk About Kevin” i Lionel Shriver (2003).
Në listën e romaneve që kanë hyrë në rrethin e ngushtë por jo në top 15-tshen, “The Telegraph” ka ndarë edhe këta kaliskë: “Uncle Tom’s Cabin” i Harriet Beecher Stowe (1852), “The Great Gatsby” i F. Scott Fitzgerald (1925) dhe “For Whom the Bell Tolls” të Ernest Hemingway (1940).
Lista më tutje përbëhet edhe nga këta tituj e autorë:
“Rabbit, Run” – John Updike (1960)
“The Color Purple” – Alice Walker (1982)
“The Human Stain” – Philip Roth (2000)
“White Noise” – Don DeLillo (1985)
“The Bonfire of the Vanities” – Tom Wolfe (1987)
“The Shipping News” – Annie Proulx (1993), dhe
“Infinite Jest” – David Foster Wallace (1996) / Përgatiti KultPlus.com

Thaçi i vetëm përballë Tribunalit

0

Thaci-qeveriaKryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, do t`i duhet që të angazhohet shumë këto ditë për t’i bindur deputetët e partisë së tij që të votojnë pro krijimit të Gjykatës Speciale për krimet e pretenduara në raportin e Dick Martyt.

PDK është partia me më së shumti të përfolur në raportin e ish-senatorit të Këshillit të Evropës. Hashim Thaçi, Xhavit Haliti, Kadri Veseli, ish-nënkryetari tjetër i kësaj partie Fatmir Limaj, deputeti Shaip Muja si dhe deputeti tjetër Azem Syla, janë disa nga të përfolurit në raportin e Martyt.

Pikërisht numri i madh i zyrtarëve të PDK-së që përflitet se mund të jenë të akuzuar, ia ka vështirësuar mundësitë kryeministrit Thaçi ta bindë secilin deputet, që të mërkurën të votojë pro krijimit të Gjykatës Speciale.

Ai nuk e ka marrë mbështetjen e kryesisë së PDK-së në takimin e fundit që e ka mbajtur të enjten.

Burime brenda kryesisë së PDK-së i kanë thënë gazetës se brenda në takim ka pasur pakënaqësi që janë shprehur hapur, duke kërkuar që të dihet se edhe kush do të jenë të akuzuarit e mundshëm brenda PDK-së. /Tribuna/

Thaçi, uron besimtarët e krishterë për Festën e Pashkëve

0

Thaci-qeveriaKryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, uron besimtarët e krishterë për Festën e Pashkëve. Në urimin e kryeministrit thuhet se festa e Pashkëve në shtetin e lirë dhe demokratik të Kosovës ka statusin e festës zyrtare, dhe më këtë rast “uroj që në familjet tuaja të ketë edhe më shumë lumturi, harmoni, begati dhe mirësi”.

Në tekstin e urimit thuhet:

I nderuar Ipeshkëv, Dodë Gjergji,

Në emër të Qeverisës së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim ju dhe gjithë besimtarëve të krishterë ua uroj Festën e Pashkëve katolike.

Kjo festë është mishërim i besimit në rilindjen e vlerave që e çuan njerëzimin përpara si në aspektin e emancipimit fetar ashtu edhe në atë human dhe kulturor.

Komuniteti fetar katolik ka qenë dhe vazhdon të jetë ndër komunitetet më të rëndësishme në përmasa globale, duke krijuar vlera dhe traditë të mirë të besimit monoteist.

Këto vlera bëjnë që në shoqërinë tonë të dominojë toleranca, mirëkuptimi, respekti dhe dashuria si vlera të kultivuara shekuj me radhë.

Festa e Pashkëve në shtetin e lirë dhe demokratik të Kosovës ka statusin e festës zyrtare, dhe më këtë rast uroj që në familjet tuaja të ketë edhe më shumë lumturi, harmoni, begati dhe mirësi.

Kosova ka qenë dhe do të mbetet vend i tolerancës fetare, i respektimit të ndërsjellë për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim etnie, kulture dhe religjioni.