22.3 C
Prizren
E hënë, 11 Maj, 2026
Home Blog Page 8603

Drejtori i financave i Ramadan Mujës, përfaqësues i Avokaturës Publike në Prizren!

0

Mehmet bytyc1Drejtori i Ekonomisë dhe Financave i Komunës së Prizrenit, Mehmet Butuc, edhe pse me profesion është ekonomist nuk ka hezituar që të nënshkruajë një parashtresë drejtuar Gjykatës në emër të Zyrës së Avokaturës Publike të Komunës së Prizrenit lidhur me një rast penal, ku pushteti lokal cilësohej si palë e dëmtuar nga organet e drejtësisë.

Në qershor të vitit 2011, Butuc në emër të kësaj avokature ka firmosur shkresën drejtuar Gjykatës në çështjen penale ndaj katër zyrtarëve të Komunës: Hasan Hasani, Sadik Paçarizi, Zekë Tejeci dhe Sokol Hadri, me të cilën ka informuar këtë organ se Komuna nuk është e dëmtuar dhe se nuk kërkon ndjekjen penale të këtyre zyrtarëve, që janë akuzuar nga Prokuroria Themelore për shpërdorim të detyrës zyrtare, me rastin e shitjes përmes ankandit publik të disa veturave./Koha Ditore/

Festivali i Kanës sjellë 49 filma në takimin kinematografik të botës

0

Festivali i KanësFestivali më prestigjioz i filmit në botë, ai i Kanës, nisë edicionin e 67-të muajin e ardhshëm me një program të pasur, të kryesuar si gjithnjë me kinematografi franceze.

Festivali mbahet nga 14 deri më 25 maj dhe hapet nga filmi “Grace of Monaco”, ku luan Nicole Kidman. Gjithsej 49 filma të metrazhit të gjatë prej 1,800 sa konkurruan, do të përfaqësojnë 28 shtete.

Filmat që marrin pjesë në konkurrencën kryesore përbëjnë një gamë të gjerë ndërkombëtare, atë që drejtori artistik Thiery Fremaux e quan “rendezvous-ja e madhe e kinemasë”.

Në konkurrencën kryesore janë dy regjisore femra – Alice Rohrwacher me “Le Meraviglie” dhe Naomi Kawase me filmin “Futatsume No Mado nga Japonia”. Jurinë e udhëheq Jane Campion, e para dhe e vetmja femër që ka fituar çmimin e madh të Kanës, “Palmën e Artë”.

Kinemanë franceze e përfaqësojnë Bertrand Bonello me filmin “Saint Laurent”, Olivier Assayar me filmin “Sils Maria”, si dhe Michel Hazanavicius me filmin “The Search”.

Dy herë fituesit e “Palmës së Artë”, vëllezërit Jean-Pierre dhe Luc Dardenne nga Belgjika garojnë me filmin “Deux Jours, Une Nuit”, ku luan Marion Cotillard.

Britaninë e përfaqësojnë Ken Loach dhe Mike Leigj, me filmat “Jimmy’s Hall” dhe “Mr. Turner”, respektivisht.

Në kategorinë kryesore gjithashtu marrin pjesë filmat “Leviafan” nga regjisori rus Andrey Zvyagintsev, “Winter Sleep” nga regjisori turk Nuri Bilge Ceylan, “Timbuktu” i regjisorit mauritian Abderrahmane Sissako dhe “Relatos Salvajes” nga regjisori argjentinas Damian Szifron.

Posteri i shumëpërfolur i këtij viti paraqet një portret të aktorit italian Marcello Mastroianni, i cili luajti në filmin klasik të Federico Fellinit “8½” dhe në filmin “La Dolce Vita”, gjysmë shekulli më parë.

Kolumbia i jep lamtumirën magjikut Gabriel Garcia Marquez

0

Gabriel Garcia Marquez-shkrimtarKolegë e politikanë kanë vlerësuar figurën e shkrimtarit, fitues të çmimit Nobel, autorin kolumbian, Gabriel Garcia Marquez i cili ndërroi jetë në Meksikë në moshën 87-vjeçare.

Marquez konsiderohej një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë spanjolle, i njohur për kryeveprat e tij të realizmit magjik, Njëqind Vjet Vetmi apo Dashuri në Kohërat e Kolerës.

Presidenti kolumbian, Juan Manuel Santos dhe ai amerikan, Barack Obama janë vetëm dy nga krerët e shteteve që kanë shprehur vlerësim për trashëgiminë e tij.

Obama tha se bota ka humbur një nga shkrimtarët më të mëdhenj vizionarë, ndërsa Santos i kushtoi një pasazh në Twitter. “Njëqind vjet vetmi e trishtim për shkak të vdekjes së kolumbianit më të madh të gjithë kohërave. Gjigandë të tillë nuk vdesin kurrë”, shkroi ai.

Garcia Marquez ishte i sëmurë prej disa kohësh dhe rrallë shfaqej në publik. Ai doli nga spitali në Mexico City javën e kaluar, pasi u mjekua për infeksion në mushkëri dhe në traktin urinar.

Në punën e tij, ai arriti famën me mjeshtërinë e rrëfimit në realizmin magjik, rrymë që lindi prej tij, e që përbën një zhanër ku bashkohen e mrekullueshmja me mondanen në një mënyrë që e jashtëzakonshmja duket rutinë.

“Njëqind vjet vetmi” shiti më shumë se 30 milionë kopje dhe u nderua me çmimin Nobel për Letërsinë në vitin 1982.

Asllanaj: Do të votojmë pro themelimit të Tribunalit

0

SaliAsllanaj-ldkTherandën e kam gjetur në gjendje kaotike me 3 milionë euro borxhe. Mocioni i AAK’së për rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të reja ishte i pasinqertë dhe joserioz. Nuk është me rëndësi kur mbahen zgjedhje, por e rëndësishme është të fitojë LDK’ja. Ne do të votojmë pro themelimit të Tribunalit për zbardhjen e pretendimeve të Dick Martyt. Jemi të hapur për koalicione pas zgjedhore. Kryetari i Therandës, Sali Asllanaj, flet për Express.
Express: Si e keni gjetur Komunën e Therandës?

S. Asllanaj: Është bërë sikur modë që pushtetet e reja me i kritiku pushtetet e kaluara. Kur ka arsye duhet të kritikohet, por po ju them se në Therandën e kemi gjetur në një gjendje kaotike. Kemi gjetur shumë kontrata, shumë punë që janë kryer sa për sy e faqe dhe Komuna është zhytur në borxhe.
Express: Sa janë borxhe te Komunës?
S. Asallanaj: Borxhet e Komunës janë rreth tre milionë euro. Këto borxhe AAK i konteston dhe thotë se janë obligime dhe obligimet janë borxhe. Nëse dikush ka marrë derivate nga një kontraktues dhe nuk e ke paguar për një vit për mua është borxh shumë i madh.
Express: Si do t’i shlyeni këto borxhe?
S. Asllanaj: Me kursime në pozicionet e shërbimeve dhe me ridestinimin e disa mjeteve të investimeve kapitale në mënyrë që të shlyejmë borxhet ndaj furnizimeve me naftë, ndaj KEC’it etj. Kurse pjesën tjetër të borxheve që i kemi të kontraktuara me kontrata ku kontrata kemi 200 mijë euro, ku 20 mijë janë paraparë për vitin 2013, 180 mijë për vitin 2014 janë shpenzuar komplet. Ky është një borxh që duhet të paguhet në bazë të kontratës. 90 për qind e punëve janë kryer para fushatës. Edhe mjetet e vitit 2014 janë shpenzuar në mënyrë që me krijua opinionin se ka shumë punëtor, po kryhen shumë punë. Ky vit për neve ka me qenë i zbehtë sepse mjetet më të mëdha janë harxhuar vitin e kaluar. E dyta, është cilësia e projekteve që janë kryer për ngutë.
Express: Cilat janë tri projektet me të cilat do të mbahesh mend nga qytetarët e Therandës?

S. Asllanaj: Prioritet numër një për neve është që së pari të sigurojmë vijueshmërinë dhe sigurinë e nxënësve për të shkuar në shkollë. Ne do ta zgjidhim problemin e rrugëtimit të nxënësve prej shtëpisë e deri në shkollë duke ndërtuar trotuaret. Mendoj se është një punë humane. E dyta, është përmbyllja e infrastrukturës shkollore. Kemi katër projekte për shkolla. Është fat i mirë se dy shkolla do të ndërtohen nga Ministria e Arsimit dhe dy nga Komuna. Me këtë mandat katërvjeçar do ta përmbyllim infrastrukturën shkollore dhe do të kemi mundësi të punojmë më shumë në reformë dhe cilësi të arsimit.E treta, do të bëhet hapja e perspektivës zhvillimore. Do të vazhdojmë të investojmë në zonën industriale për ta bërë sa më atraktive. Në të njëjtën kohë jemi duke aplikuar me projekte që ndihmojnë në zhvillimin e turizmit rural. Ne kemi një pjesë të Komunës, e kemi hapësirën malore, kemi vendbanime që ofrojnë mundësi për turizëm. Po ashtu, kemi një estradë të njohur siç është ajo e Mushtishtit, e cila do të ndërlidhte aspektin kulturor me turizmin rural. Edhe subvencionimi i bujqësisë është njëri prej prioriteteve tona për shkak se eliminon varfërinë.

 

 

Express: Të flasim pak për LDK’në. Sa është e përgatitur kjo parti për të shkuar në zgjedhje nacionale?

S. Asllanaj: Asnjë parti politike opozitare nuk ka të drejtë të thotë se nuk është e përgatitur për zgjedhje. Objektivisht, LDK do të duhet të ishte e përgatitur. Kam bindjen dhe mendoj se LDK është e përgatitur për zgjedhje. Rrethanat politike janë të favorshme për LDK’në, sepse është një PDK, e cila ka qeverisur për dy mandate dhe edhe nëse fluturon njerëzit do të thonë boll sepse po e duan ndryshimin. Duhet ta themi se nuk duhet të mohohen disa suksese në lëmine e infrastrukturës, objekteve shkollore, por s’mund të lëmë anash mungesën totale të zhvillimit ekonomik. Asnjë lëvizje nuk është bërë. Disa statistika të LDK’së tregojnë qartë se nëse në vitin 2009 janë punësuar 15 mijë njerëz, në vitin 2014 vetëm 6 mijë dhe ky është regresion.

Express: A po mund t’i bëjë lideri i LDK’së konkurrencë Kryeministrit i ciliveç ka nisur para fushatën elektorale?

S. Asllanaj: Isa Mustafa është për çdo ditë në terren. Nuk është duke u përcjellë shumë prej mediave, por është shumë në terren. Unë personalisht takohem për çdo ditë pas orarit të punës me aktivistët e LDK’së. Mendoj që pozita e z. Thaçi është pak më e volitshme sepse po i shfrytëzon të gjitha resurset shtetërore në favor të partisë së tij.

Express: Mirëpo, AAK e nisi një mocion për rrëzimin e Qeverisë dhe LDK nuk i dha mbështetje. Në fakt, LDK ia mundësojë PDK’së të përdorë këtë kohë për fushatë në favor të saj?

S. Asllanaj: Ne duhet ta shtrojmë çështjen si LDK se kush është AAK’ja të kërkojë rrëzimin e Qeverisë me dhjetë vende në Parlament? Ose kush është Vetëvendosje? Iniciativa për rrëzimin e Qeverisë duhet të ishte e të gjitha partive opozitare me një pikë të përbashkët. E jo të merren iniciativa se kush po prinë me folklorizëm më shumë. Iniciativa e AAK’së s’ka qenë e sinqertë dhe serioze sepse AAK ka qenë një mbështetëse shumë e madhe e PDK’së dhe Qeverisë në Parlament të Kosovës. Ju kujtohet projektbuxheti për vitin 2014 dhe qëndrimin e AAK’së në atë kohë.

Express: Sa është problematike për LDK’në të shkojë në zgjedhje me një kandidat për Kryeministër që ka humbur garën komunale?

S. Asllanaj: Nuk them se jemi gëzuar se Isa Mustafa e ka humbur garën në Prishtinë. Por, nuk e marrim as si tragjike. 15 vjet qeverisja e Prishtinës nga LDK ka krijuar një bllok të madh të partive tjera për ta ndryshuar qeverisjen. Ky është justifikimi më i thjeshtë. Fakti tjetër është se Isa Mustafa ka udhëhequr një fushatë shumë intensive në krejt Kosovën dhe unë e kam parë se e ka lënë pak jashtë dorë Prishtinën. Për një muaj fushatë i ka rënë të vijë 5-6 herë në Therandë, 12 herë në Pejë dhe normalisht se ka lënë mungesë në Prishtinë. Kjo ndoshta pak iu ka hakmarrë Isa Mustafës, por konsideroj se edhe në Mitrovicë e ka thënë se e humbëm Prishtinën por do ta fitojmë Kosovën. Pra për hir të Kosovës e sakrifikuam Prishtinën. Kemi fituar vendbanime të madhe si Gjilani, Ferizaj, Theranda, Peja, dhe këto janë suksese të mëdha të LDK’së.

Express: Është duke u diskutuar themelimi i një Tribunali për dënimin e krimeve të luftës. Cili është pozicioni i LDK’së në këtë rast?

S. Asllanaj: Pozicioni i LDK’së është shumë i qartë dhe do të prezantohet në Parlamentin e Kosovës. Ne do ta përkrahim themelimin e një Gjykatë Speciale për hetimin, të themi kushtimisht, të raportit të Dick Martyt. Objektivisht, Gjykata Speciale do të merret vetëm me raportin e Dick Martyt. Logjika e shëndosh kërkon që ne të kërkojmë një Gjykatë të tillë sepse është një akuzë e një institucioni ndërkombëtar dhe pikërisht nga një institucion ndërkombëtar mund të na hiqet ajo njollë. Nëse s’kemi çka të fshehim ne duhet t’i themi po le të hetohet dhe të vërtetohet se s’ka pasur asgjë të vërtetë. Refuzimi që po i bëhet kësaj Gjykata nga disa po ngjall dyshime se diçka ka ndodhur. Ne s’kemi as forcë të ndalim themelimin e kësaj Gjykate. Dihet se për luftën e UÇK’së s’ka çka fshihet. 99 për qind e veprimeve të UÇK’së kanë qenë normale. Ne s’kemi çka të fshehim. Le të vijë të hetojnë dhe të mbyllin njëherë e përgjithmonë çdo anatemim ndaj UÇK’së.

 

Express: Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi kanë bërë një marrëveshje që zgjedhjet të mbahen në qershor.

S. Asllanaj: Për LDK’në s’është aspak e rëndësishme se a do të mbahen zgjedhjet në qershor apo shtator. Për LDK’në është e rëndësishme a apo fitojmë apo po humbim. Ne nuk duhet të harxhojmë aspak energji se kur do të mbahen zgjedhjet para se të punojmë për të fituar zgjedhjet e ardhshme. Ne jemi të përgatitur që zgjedhjet të mbahen në qershor, por zgjedhjet do të mbahen kur të dëshirojë z. Thaçi.

Express: Kohëve të fundit janë publikuar disa rezultate të sondazheve ku herë PDK e herë LDK dalin të parat

S. Asllanaj: Këto sondazhe janë të porositura. Ne do të duhej të kemi institucione të besueshme për matjen e opinionit. Fatkeqësisht, s’kemi. Po shihet se këto sondazhe janë të paguara nga partitë politike. Është vërtetuar se edhe në Kosovë dhe në Shqipëri se sondazhet kanë dështuar me të madhe.

Express: Para zgjedhjeve lokale, udhëheqësit e LDK’së kanë qenë të bindur se do të fitojnë Prishtinën. Madje, Isa Mustafa pati thënë se e fiton Kryeqytetin edhe me duar në xhepa. Sa është e mundshme të përsëritet e njëjta situatë edhe për zgjedhjet nacionale duke i parë veprimet e PDK’së?

S. Asllanaj: Nuk është lehtë t’i fitojmë zgjedhjet por se jemi të bindur se do të dalim fitues. Këtë bindje po e them në bazë të disa argumenteve se LDK ka nisur të rritet. Minus votat e minoriteteve për PDK’në në Prizren del se LDK është partia e parë në Kosovë. S’kemi arsye të mos jemi optimistë, por të garantuar s’e kemi fitoren. Ne duhet të punojmë maksimalisht. Nëse besojmë se kjo Qeveri është OK le të vazhdojnë, por të gjithë po e dimë se nuk është OK dhe ka nevojë për ndryshime sidomos në hapjen e perspektivës zhvillimore. Është absurd kur të gjithë të rinjtë dëshirojnë të ikin jashtë shtetit. S’di kush është ai politikan që ndihet krenar kur rinia jonë e sheh të ardhmen jashtë shtetit.

Express: Sa është i mundshëm që të përsëritet koalicioni PDK-LDK pas zgjedhjeve nacionale?

S. Asllanaj: Asgjë s’ka të pamundshme në këtë Kosovën tonë. Nuk do të duhet të përsëritet një koalicion i tillë. Kosovës i duhet një Qeveri ndryshe nga ajo e PDK’së. Ne s’kemi kurrfarë averzioni ndaj PDK’së, por konsiderojmë se Kosovës i duhet një qeverisje ndryshe prej asaj të PDK’së. Do ta kemi vështirë sa i përket koalicioneve sepse pa koalicione është e pamundur. Rrethi i koalicioneve është shumë i ngushtuar.

Express: Kënd e ka LDK opsion për koalicion paszgjedhor?

S. Asllanaj: Askënd s’e kemi opsion. Jemi të hapur ndaj të gjithëve, por vendimin për koalicion LDK e merr në Këshillin e Përgjithshëm. Koalicione parazgjedhore s’do të ketë.
Express: Pra, nuk përjashtohet as PDK për një koalicion pas zgjedhor?

S. Asllanaj: Nuk është e logjikshme të përsëritet një qeverisje e tillë. Neve na mbetet të analizojmë, sepse pas zgjedhjeve vjen në pyetje edhe matematika e ulëseve në Kuvend që është përcaktuese se më kë do të bësh koalicion. Duhet të shohim edhe pozicionet e partive të reja të formuara siç është Nisma për Kosovën.

Arrestohen hajnat e “Bektel-Enka”-s

0

arrestimi 2Katër persona  të dyshuar për vjedhjen e  shtyllave të “Bektel-Enka”, janë arrestuar nga policia në Malishevë.

“Hetues policorë nga Malisheva kanë identifikuar një grup të dyshuarish nga fshati Lladroc të cilët kishin vjedhur shtylla për konstruksione ndërtimi e që besohet se janë pronë e “Bektel-Enka””, njofton Policia në Prizren.

“Pas identifikimit të personave dhe sekuestrimit të shtyllave është kryer një bastisje në katër shtëpi të personave të dyshuar me ç’rast janë gjetur edhe gjësende tjera si vegla pune dhe material tjetër që përdoret në ndërtimtari si dhe dy armë: një pistoletë me gaz dhe një pushkë ajrore të cilat janë sekuestruar dhe do t’i kalojnë prokurorisë për procedura të më tejme. Me urdhër të prokurorit të shtetit, katër të dyshuarit po mbahen nën masën e arrestit policor”./PrizrenPress.com/

 

 

Mehmeti: Qeveria e Salim Jonuzit është e inkriminuar

0

FatmirMehmeti-ldk-dragashKryetari i LDK-së në Dragash, Fatmir Mehmeti ka akuzuar kryetarin e kësaj komuna, Salim Jenuzin  për keqqeverisje.

“Brenda 100 ditëshit  koalicioni i  gjërë në Dragash ende nuk i ka konsoliduar organet komunale për të vënë në funksion institucionet lokale”

“Mosrealizimi i premtimit të drejtuesve të PDK-së përfshirë edhe kryeministrin Thaçi për futjen e komunës së ardhshme të Gorës në asociacionin e komunave serbe,është ndër faktorët e moskonsolidimit të organeve komunale për shkak të reflektimit të mos kënaqësive nga partneri i koalicionit të PDK-së,partinë CDU,e cila sipas tij është hije e listes serbe”, tha ai transmeton TVPZ

Sipas tij, kryetari Komunës,Salim Jonuzi,vazhdimisht është duke bërë shkelje ligjore,dhe për këtë arsye ata kërkuan nga organet e drejtësisë të merren me hetimin e shumë rasteve.

“EC Ma Ndryshe”: Komuna e Prizrenit mos të inicioi punime pa u pajisur me leje ndërtimore

0

Prizreni9-18Organizata Joqeveriate “EC Ma Ndryshe”, ka shqyrtuar ecurinë e nisjes së punimeve në rivitalizimin e Sheshit të Lidhjes, që ka ngjallur një debat në shoqërinë prizrenase sa i përket ruajtjes së vlerave natyrore dhe trashëgimisë urbane, në këtë pjesë të rëndësishme të Qendrës Historike të qytetit.

Valon Xhabali, Koordinator i Programit të Trashëgimisë Kulturore tha se bazuar në informatat e siguruara nga dikasteret përkatëse të Komunës së Prizrenit, del se ekzekutivi i Prizrenit ndonëse ka ndjekur shumicën e procedurave të duhura për realizimin e një investimi kapital të rëndësisë së veçantë, megjithatë i ka iniciuar punimet pa e siguruar edhe përfundimisht lejen për ndërtim.

“Në një informatë të marrë nga Drejtoria e Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor, lidhur me këtë projekt thuhet se “Sheshi i Lidhjes është në procedurat përfundimtare për pajisje me leje…”. Ndërsa Drejtoria e Shërbimeve Publike që është bartëse e këtij projekti ka shpjeguar se gjatë hartimit të projektit për rivitalizim ka pas debat publik me qytetarët, derisa në planifikim janë kyçur edhe ekspertë ndërkombëtarë, në mënyrë që rivitalizimi të realizohet sipas standardeve të mirëfillta urbane”.

“Nisja e punimeve në këtë Shesh ka ngjallur reagim në mesin e qytetarëve për shkak të largimit të një numri të drunjve nga kjo hapësirë. Por komuniteti ka reaguar edhe në tetor të 2012-ës, gjatë fazës së planifikimit të projektit, me ç’rast është kërkuar që kalldrëmi të ruhet, sikurse që është apeluar që edhe jazet të kenë dimensionet e duhura”.

“Shpjegimet e dhëna nga bartësit e projektit janë se në vend të kalldrëmit do të përdoret një material tjetër vendor (rrasat) shkaku i kostos, përderisa për jazet planifikuesit janë zotuar se do t’i rishqyrtojnë dimensionet. Ndërsa lidhur me drunjtë, DSHP ka bërë të ditur se UN Habitat ka sjellë një ekspert ndërkombëtar, që ka hartuar një raport lidhur me gjendjen e tyre dhe masat që duhet ndërmarrë gjatë realizimit të projektit”.

“Në raportin e ekspertizës ndërkombëtare thuhet se disa drunj janë të vdekura, të sëmura apo në shpërputhje me infrastrukturën që do të vendoset dhe është paraparë që ato të zëvendësohen në bazë të udhëzimeve të përgjithshme që janë dhënë për tërë zonën. Po ashtu është kërkuar që hartohen udhëzime të shkruara mbi standardet e ruajtjes së gjelbërimit para nisjes së punimeve në terren, si dhe mbikëqyrja e gjelbërimit nga zyrtari komunal përgjegjës për mjedisin”.

“Bazuar në këto të gjetura, EC Ma Ndryshe rekomandon Komunën e Prizrenit që të mos inicioj punime në asnjë projekt ndërtimor pa u pajisur me leje të duhur”.

“Po ashtu kërkon që pas çdo debati publik, procesverbali i takimit t’i shpërndahet pjesëmarrësve, në mënyrë që të ketë mundësi edhe për komente shtesë dhe përfshirje të vërtetë të qytetarëve në vendimmarrje”.

“Në rastet kur materiali ndërtimor ndikon në kosto të merret parasysh edhe shtyrja e realizimit të projektit deri në sigurimin e mjeteve të nevojshme”.

Sipas tij, gjithashtu Komuna duhet të siguroj se zona do të ri-gjelbërohet sipas udhëzimeve të raportit të ekspertëve.

“EC Ma Ndryshe ‘gjithashtu sugjeron që pas konstatimeve të Komisioneve Vlerësuese lidhur me çështjet infrastrukturore dhe mjedisore të ketë transparencë më të madhe dhe të hapet debati me komunitetin dhe po ashtu vendimet që rrjedhin si pasojë e vlerësimeve të tilla të shpalosen para publikut, në mënyrë që të shteret debati para nisjes së çfarëdo punimi”.

“EC Ma Ndryshe” në korrik të vitit 2013 ka nisur zbatimin e projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm”, përkrahur financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Nevoja për mbikëqyrjen e zhvillimeve në sektorin e urbanizimit ka rrjedhë si pasojë e zhvillimeve të shumta negative gjatë periudhës së pasluftës dhe tranzicionit që janë manifestuar me degradimin urban dhe planifikimin e pa-balancuar hapësinor. Projekti do të vazhdoj me monitorimin dhe publikimin e të gjeturave në sektorin e urbanizimit dhe planifikimit hapësinor, sikurse edhe me adresimin e përgjegjësisë institucionale. /PrizrenPress.com/

 

Për ‘hatër’ të bashkëpunimit, Kuvendi do të votojë pro Tribunalit

0

Thaci-qeveriaKryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se themelimi i një Gjykate Speciale e cila do të merrej me krimet e pretenduara të UÇK-së, është padrejtësi ndaj përpjekjeve dhe sakrificës së popullit të Kosovës, megjithatë duke besuar në drejtësi dhe pafajësi të plot,Kuvendi i Kosovës do të votojë pro kësaj gjykate.
Ai i bëri këto komente gjatë homazheve në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë, ku tha se votimi i kësaj gjykate do të bëhet duke respektuar parimet dhe standardet për të thelluar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian.

“Është padrejtësi ndaj përpjekjeve dhe sakrificës së popullit të Kosovës por Kuvendi i Kosovës duke respektuar parimet dhe standardet për çka jemi të përkushtuar për të thelluar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, duke besuar në drejtësi dhe pafajësi të plot,atëherë edhe Kuvendi i Kosovës do të votojë për këtë çështje”, ka thënë ai.

Gjykata Speciale në të mirë të askujt

0

Adem DemaciVeprimtari i njohur i çështjes kombëtare, Adem Demaçi thotë se themelimi i Gjykatës Speciale për gjykimin e krimeve të supozuara të UÇK-së është e dëmshme për Kosovën dhe për aleatët e saj, amerikanët dhe evropianët.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ai tha se themelimi i saj nuk është as në interesin e aleatëve perëndimorë.

Në Kosovë diplomatët perëndimorë po diskutojnë më përfaqësuesit politikë rrugën e krijimit të një gjykate të posaçme për trajtimin e pretendimeve të ngritura në një raport të Këshillit të Evropës për përfshirjen e ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Çështja pritet të hidhet për miratim në Parlament javën që vjen. Veprimtari i njohur shqiptar Adem Demaci, i cili gjatë luftës ishte përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cilëson të dëmshme këtë gjykate

Rexha, bashkautorja e këngës “The Monster” të Eminem e Rihanna

0

Bebe RexhaKënga e njohur “The Monster”, interpretuar nga Eminem dhe Rihanna, është krijim i një shqiptaro-amerikaneje. Ajo quhet Bebe Rexha dhe është vetë një këngëtare e re që po fillon të bëjë emër. Për të mësuar mbi historinë e këngës “The Monster” dhe për karrierën e krijueses së saj, gazetari Julian Zyla i Zërit të Amerikës i mori Bleta (Bebe) Rexhës një intervistë.

Dy këngëtarë shumë të njohur, Eminem dhe Rihanna, bashkëpunuan sërish për të kënduar “The Monster”. Kënga arriti vendin e parë në klasifikimin e 100 këngëve më të mira të revistës Billboard. Por, versioni origjinal i këngës, me refrenin pothuajse të pandryshuar janë tuajat. Na tregoni më tepër, si ndodhi kjo?

Unë kam pasur kontratën time të parë me shtëpinë diskografike Island Def Jam kur isha 19 vjeç. Por ata u tërhoqën nga marrëveshja dhe unë isha shumë e trishtuar dhe e stresuar prej kësaj. Një ditë, gjatë asaj kohe, krijova këngën “Monster Under My Bed”, me miqtë e mi në studio dhe ne po punonim mbi një disk për të gjetur një shtëpi diskografike tjetër. Pasi e kishim mbaruar këngën një miku im ia tregoi atë dikujt tek Shady Records, që është shtëpia diskografike e Eminem, dhe kur Eminem e dëgjoi këngën ai vendosi menjëherë se e deshte këngën për vete. Më pas ata morën Rihannën për të kënduar refrenin. Unë e kam dëgjuar këngën për herë të parë në radio. Ishte diçka e pabesueshme.

Pra, ju nuk e dinit që kjo po ndodhte, që ai kishte zgjedhur këngën tuaj për ta përfshirë në albumin e tij të ri?

Jo, unë nuk dija asgjë. E mora vesh kur Eminem dhe Rihanna vunë në faqet e tyre në Facebook titullin e këngës: The Monster. Nuk mund ta besoja, ishte diçka fantastike. Pra nuk isha aspak në dijeni që kjo po ndodhte. Në fakt, ishte mamaja ajo që më telefonoi dhe më tha: “Kontrollo faqen e Facebook-ut të Eminem. Ai sapo publikoi diçka për ‘The Monster’”. Në ato momente unë isha në Los Anxhelos duke regjistruar në studio për albumin tim debutues dhe kur pashë që ai kishte shkruar për këngën, u gëzova jashtë mase, ishte një gjë e mrekullueshme.

Si autore tekstesh, ju keni shkruar “The Monster” dhe këngë të tjera si “Like a Champion” për Selena Gomez. Megjithatë, ju jeni një këngëtare, e cila sapo ka publikuar në internet këngën e saj të parë si artiste solo “I Can’t Stop Drinking About You”, pjesë e albumit debutues. Çfarë mund të na thoni për karrierën tuaj si këngëtare?

Sa i përket së shkuarës, unë isha në një grup me Pete Wentz të quajtur Black Cards. Pete Wentz është anëtar i grupt Fall Out Boy. Pra, Black Cards ishte grupi i mëparshëm ku unë isha këngëtare, duke bashkëpunuar me shtëpinë diskografike Island Def Jam. Pasi kjo shtëpi diskografike hoqi dorë nga kontrata me mua, unë nisa të punoj me artistë si Selena Gomez, Nikki Williams, si dhe me shumë DJ që po fitojnë famë, si Cash Cash. Tani po punoj me albumin e ri të David Guetta-s. Unë nisa të shkruaj më tepër tekste këngësh në mënyrë që të mund të punoja me projektet e mia.

Bebe, prindërit tuaj janë shqiptarë. Cila është historia juaj e familjes dhe çfarë domethënie ka pasur kjo gjë për për ju?

Babai im është nga Dibra, në Maqedoni. Ai erdhi këtu në SHBA në vitet 1980 me nënën time. Prindërit e nënës sime janë nga Gostivari. Ne na pëlqen ta mbajmë kulturën tonë dhe unë jam shumë e lidhur me familjen dhe rrënjët e mia. Mundohem që të shkoj në Maqedoni për të vizituar familjarët e mi të paktën një herë në vit, pasi familja është shumë e rëndësishme për mua. Shumë shpesh kemi dasma e ngjarje të tilla, kështu që me prindërit e mi i vizitojmë shpesh familjarët atje.

Si është e organizuar dita juaj? Sa kohë i kushtoni të shkruarit, të kënduarit apo gjërave të tjera?

Të jem e sinqertë, nuk ndalem kurrë. Zgjohem herët në mëngjes dhe shkoj në studio. Më pas menaxheri më telefonon dhe më thotë se çfarë programi kemi. Ndonjëherë më duhet të bëj gati valixhet sepse mund të më duhet të udhëtoj. Nesër, për shembull, do të shkoj në Suedi. Kur të jem atje do të punoj për këngë të reja, për rreth dy javë. Pra, dita ime është shumë e zënë, nuk ndalem asnjëherë. Ky është pasioni im i vërtetë dhe e dua shumë profesionin tim. Pra, muzika është diçka me të cilën merrem 24 orë në ditë, pasi është diçka që dashuroj.

A ka një ndonjë moment ose ngjarje që ju ka lënë mbresa më shumë se të tjerat dhe për të cilën i jeni vërtet mirënjohëse karrierës suaj?

Një herë isha e ftuar në një festival në Londër, Hard Rock Calling, që është si festivalet që kemi shpesh dhe këtu në SHBA ku marrin pjesë 10 ose 15 artistë të mëdhenj, dhe organizatorët atje na thanë se grupi ynë, Black Cards, do të interpretonte në hapje të një koncerti të madh. Kur shkova atje, pashë që bëhej fjalë për Bon Jovi-n. Kur u ngjita në skenë, isha përballë 60 mijë njerëzve. Nuk mund ta besoja që ndodhesha përballë kaq shumë njerëzve, madje pata dhe mundësi të takoja Bon Jovi-n pas kuintave. Ai ishte një moment i madh dhe shumë special për mua.

Çfarë është ajo që vërtetë do të donit të arrinit në karrierën tuaj, qoftë ndonjë ëndërr apo qëllim?

Sinqerisht, unë thjesht dua që muzika ime të dëgjohet. Shkruaj shumë prej këngëve të mia që të ndihmoj njerëzit. Nuk ka rëndësi nëse janë 10 njerëz apo 1 milion, thjesht dua që muzika ime të mund të ndihmojë të tjerët. Për shembull, kënga e Eminemit dhe Rihannës, Moster Under My Bed, është për momentet kur ndonjëherë mendojmë se jemi pak të çmendur, ose të papërshtashmëm, apo jo perfektë. Kënga thotë se mund ta pranojmë veten ashtu siç jemi, me çmendurinë që kemi, me të qenit jo perfektë. Të pranosh gjithçka duke thënë se “jam mik me monstrat nën shtrat dhe flas me zërat në mendjen time” por jam në rregull me këtë gjë dhe e dua vetveten. Pra, të ndihmoj njerëzit në botë: ky mendoj se është qëllimi im, ëndrra ime.

A keni një artist të preferuar ose dikë që e konsideroni si një model për ju?

Më pëlqen shumë grupi The Cranberries, më pëlqen pa dyshim Madonna, por gjithashtu Michael Jackson; Lauryn Hill, pra grupi The Fugees. Më pëlqen shumë muzika rap, muzika klasike, dhe shumë artistë e lloje të tjera muzike, por këta janë disa nga të preferuarit e mi.

Kur parashikoni të publikoni albumin tuaj dhe cilat janë planet për të ardhmen e afërt dhe të largët?

Tani po punoj me shtëpinë time diskografike, Warner Brother Records, me të cilën kanë punuar artistë si Madonna dhe Prince dhe jam e lumtur për këtë. Me ta po përgatitemi për publikimin e gjerë të këngës “I Can’t Stop Drinking About You”, më datë 1 qershor. Më pas do të vijë dhe publikimi i albumit, ndoshta pas 3 ose 4 muajsh. Do të jetë një përvojë e bukur. Do të bëjmë gjithashtu dhe promovim e albumit, i cili do të publikohet në të gjithë botën dhe jam shumë entuziaste për gjithçka. Jam me fat, sepse kam shumë mbështetje nga shtëpia diskografike, nga familja ime dhe nga komuniteti shqiptar. Jam shumë mirënjohëse për këtë. /VOA/