22.6 C
Prizren
E hënë, 11 Maj, 2026
Home Blog Page 8604

Kryeziu, qytetarëve: Mos ndërtoni shtëpia pa leje

0

NijaziKryeziu-PDKEkzekutivi i ri në Prizren po mundohet me çdo kusht ta kthej rregullin dhe rendin urbanistik në qytet, i cili kohëve të fundit është degraduar dukshëm nga ndërtimet e shumta.

Inspektorati dhe urbanizmi janë bërë bashkë në parandalimin e këtij fenomeni jo të mirë për qytetin. Madje këto dy dikastere brenda muajit kanë ndërmarrë pesë aksione të rrënimeve. Ngjashëm u tha se do të veprohet edhe në zonën e mbrojtur pasi të formohet “Taskforca” e propozuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ndërtimeve pa leje në qytetin e Prizrenit po u vije fundi. Të vendosura si kërpudhat pas shiut këto ndërtime i kanë prishur hijeshinë Prizrenit historik. Ndonëse është folur shumë për to, nuk është ndërmarrë ndonjë veprim konkret për t’i parandaluar. Mirëpo, ekzekutivi i ri komunal i formuar pas zgjedhjeve të fundit i ka vënë kusht vetës që Prizrenit t”ia rikthej planin urbanistik. Dy dikasteret ajo e inspektorateve dhe urbanizmit kanë intensifikuar bashkëpunimin gjë që po rezulton me marrjen e masave. Drejtori i Inspektorateve, Bedri Bytyqi u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i ndalojnë punimet nëse nuk kanë leje ndërtimi, sepse siç tha ai komuna e Prizrenit është e vendosur të krijoj rend dhe rregull në planin urbanistik.

Ndërkohë edhe Drejtoria e Urbanizmit ka intensifikuar punët në teren. Drejtori, Nijazi Kryeziu thotë se në njëqind ditshin e qeverisjes synon ti verifikojë të gjitha rastet në teren të cilat nuk kanë respektuar lejet e ndërtimit. Ai kërkoi nga qytetarët që për të gjitha shqetësimet t’i drejtohen dikasterit që drejton i cili tha se do t”u jep përgjigje çdo familje të Prizrenit në afatin kohor prej tridhjetë ditësh, raporton rtk.

Zyrtarët komunalë thanë se intervenime do të ketë edhe në qendrën historike të Prizrenit e cila mbrohet me ligj. Sipas tyre një hap i tillë do të ndërmerret pasi të formohet “Taskforca” e paralajmëruar nga ministri i Mjedisit, Dardan Gashi, kohë më parë.

LDK: Blerim Shala gënjeu

0

LDK-logo5-23“Lidhja Demokratike e Kosovës dëshiron të theksojë se deklarata e nënkryetarit të parë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Blerim Shala, se kinse Kryetari Mustafa e ka prishur koalicionin parazgjedhor të LDK-së me AAK-në, LDD-në dhe FER-in, në vitin 2010, për, siç pretendon z. Shala, mos t’i fituar zgjedhjet është e pavërtetë dhe absurde”, thuhet në një reagim të kësaj partie.

Lidhja Demokratike e Kosovës dëshiron të sqarojë se një koalicion i tillë nuk ka ekzistuar kurrë, se LDK-ja nuk ka pasur asnjë marrëveshje koalicioni me askënd, prandaj një koalicion që nuk ekziston nuk ka se si të prishet.

Lidhja Demokratike e Kosovës, pas zgjedhjeve të brendshme të vitit 2010 ka pasur vetëm katër ditë kohë për ta finalizuar dhe për ta dorëzuar listën e saj me kandidatë për deputetë dhe kjo kohë ka qenë totalisht e pamjaftueshme për të zhvilluar negociata dhe për të arritur marrëveshje për koalicione parazgjedhore.

Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se është tepër e rëndësishme që përfaqësuesit e lartë politikë të subjekteve dhe të institucioneve të vendit të sillen dhe të deklarohen me përgjegjësi dhe korrektësi.

Dështimi nga “kompleksi i autoritetit”

0

Bekim rexhepiBekim Rexhepi

Institucionet qeveritare nuk funksionojnë më, përpos jashtë kushtetueses në vend. Sepse institucionet qeveritare kanë shkelur vazhdimisht kushtetutën dhe e gjitha tani e tutje është Ai funksionim jashtë kushtetutës, dhe ky jo funksionalitet i këtyre institucioneve qeveritare përbënë më pak interesa për vendin, vetëm në rast se ajo shfaq ndonjë rreziku mbi sovranitetin, atëherë strukturat kombëtare duhet të kenë mobilizim të përgjegjshëm karshi interesit nacional të vendit ( shih veriun e vendit). Nuk ka dyshim se detyrat e qeverisjes në këtë shkallë të obligimeve për tu kryer janë lënë në duar të kapadaive, të të korruptuarve, krerëve të klaneve mafioze, figurave të filtruara me religjionin radikal dhe më këtë shkapërderdhje të pakuptimtë shtetërore, do të kemi dështimin e pashpallur të shtetësisë sonë. Kryeministri ka akuza të rënda kriminale, për trafikim organesh, gjatë luftës (shih “akuzat” e Dicke Martyt,[1] ish parlamentarit ne BE), zgjidhja e Enver Hasani, këshilltarit të tij të dikurshëm (gjatë luftës), në postin kryetar të gjykatës kushtetuese, pastaj shih kryetaret e komunave me dosje kriminale (Akuzat e N. Bllacës I dhe II), me dosje korruptive dhe ne procese gjyqësore për shkelje ligjore e kushtetuese. Më këtë pasqyrë-gjendje qeveria nuk e mbron dot shtetin, sepse askush nuk ka më moral dhe autoritet për të besuar në mbrojtje të shtetit.

Shkeljet e hapura të sovranitetit të Kosovës nga kriminelet dhe rebelet serb të veriut, nga kjo qeveri e vendit nuk morën asnjëherë përgjigjeje të duhur. Madje edhe kur mësymja e forcave speciale ROSU në kufi dhe largimi i tyre i menjëhershëm me një polic të vrarë, dhe për menjëherë kthimi i tyre ne stacione me qetësi, tregon se nuk ka më moral dhe autoritet për këtë qeveri dhe për këtë shtet. Kosova vazhdon të identifikohet si një shtet i krijuar nga perëndimi, por akoma pa u integruar në familjen perëndimore, me shumë misione të huaja ndërkombëtare. Shtetësia mund të marri kuptim, mund të ringjallet nëse shtohet autoriteti dhe përgjegjësia për të. Në të kundërtën ka dyshime se shteti më i ri mund të shndërrohet në një zgavër të madhe, ku nuk mund të gjendet aspak sovranitet.

Në Kosovë vendosin ambasadoret e thjeshtë të vendeve të huaja, ndërsa qeveritaret tanë të zgjedhur vet manipulohen dhe gënjejnë përditë mbi sovranitetin e shtetit. Kosova rrezikon të shembet nga “kompleksi i autoritetit”, ngase nuk ka kush ta ndal krimin, korrupsionin, radikalizmin fetar, mashtrimet, migrimin e qytetarëve dhe plotë shkelje ligjore sa që edhe kushtetuta e vendit është shndërruar si “brekët e lavireve”, qe ngjitën vetëm atëherë kur i do estetika e tyre.

SHBA ftojnë amerikanët për kujdes gjatë Pashkëve në Kosovë

0

Kosove-ShBA-flamuriByroja për Siguri Diplomatike e Departmentit Amerikan të Shtetit, ka lëshuar një kumtesë dje përmes së cilës u bënë thirrje qytetarëve amerikanë në Kosovë që të jenë vigjilentë gjatë festës së Pashkëve.
Kumtesa është e bazuar në informacione që posedon Ambasada Amerikane në Prishtinë e që kanë të bëjnë me kërcënime ndaj objekteve fetare të krishtera në Kosovë.

Është hera e parë që një organizatë ndërqeveritare amerikane u bën thirrje të kësaj natyre qytetarëve amerikanë në Kosovë në prag të njërës nga Festat më të mëdha të krishtera, siç janë Pashkët,transmeton televizioni publik ndërkaq aludimi është shumë i qartë për të gjithë ata që përcjellin ‘evoluimin dhe involvimin’ e disa segmentëve të shoqërisë kosovare.

Një kumtesë po ashtu në shkurt e kësaj organizate ndërqeveritare, Këshillit konsultativ për Siguri Jashtë vendit gjithashtu këshillonte qytetarët amerikanë për vigjilencë dhe tërhiqte vërejtjen për ‘rritjen e islamizmit ekstremist në Kosovë, në veçanti jashtë Prishtinës.’ “Festat e Pashkëve janë të një rëndësie të veçantë fetare për komunitetet e krishtera, katolike dhe ortodokse dhe pritet që në vendet e tyre të lutjeve të jenë dukshëm me më shumë njerëz se sa normalisht, transmeton koha. Duke pasur parasysh kërcënimet e herëpashershme kundër institucioneve fetare në Kosovë, sidomos ndaj kishave më prominente në qendrat urbane, ambasada e SHBA dëshiron t’u tërheqë vëmendjen qytetarëve amerikanë në Kosovë që të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë te Policia e Kosovës,” thuhet në këtë ‘këshillë udhëtimi’ për qytetarët amerikanë që janë apo planifikojnë të udhëtojnë këtyre ditëve në Kosovë

Kthimi i pedagogëve në shkolla më se i nevojshëm

0

Nxenesit6-11Kthimi i pedagogëve nëpër shkolla është i nevojshëm, pasi ata përcjellin vlerësimin dhe përparimin e punës edukative-arsimore në shkollë.

Kështu ka kërkuar Këshilli i Pedagogëve të Kosovës, duke vlerësuar se nuk do të ketë sistem të shëndoshë të arsimit pa praninë e pedagogëve. Ndërkohë, edhe Ministria e Arsimit e shikon të domosdoshme praninë e pedagogëve nëpër shkolla, por për këtë vit nuk është ndarë buxhet.

Këshilli i Pedagogëve të Kosovës, ka kërkuar nga Ministria e Arsimit, kthimin e pedagogëve nëpër shkolla. Kjo kërkesë është bërë me arsyetimin se pedagogu i shkollës është koordinator, organizator, këshillëdhënës, dhe mbikëqyrës i drejtpërdrejtë i përgatitjes, zhvillimit, vlerësimit dhe përparimit të punës edukative-arsimore në shkollë. Përfaqësuesi i Këshillit të Pedagogëve të Kosovës, Rexhep Leci, tha për Radio Kosovën, se për të realizuar këtë, janë takuar edhe me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit.

“Të vetmen përgjigje që na ka dhënë Ministria e Arsimit, kanë bërë një projekt dokument, të cilin e kanë dërguar në Qeveri për ta miratuar për periudhën kohore 2015-2017, ku parashihet që të kthejnë në shkolla 215 pedagogë ose ndihmës profesional, ku ndër ta mund të angazhohen edhe psikologë. Ky është një numër shumë i vogël dhe mënyra qysh mendojnë të kthejnë është jo efikase, pasi kriter për kthimin është shkolla me numër 1 mijë e 500 nxënës. Ndërkohë, që në shkollat në vendet rurale numri i nxënësve është shumë i vogël, të cilët do të mbesin pa përfshirjen e kontributit të pedagogut”.

Ndërkohë, Selvie Halimi, këshilltare e Ministrit të Arsimit, Ramë Buja, tha se prania e pedagogut dhe psikologut në shkollë është e domosdoshme, por, për këtë vit nuk është siguruar buxheti. Ajo tha se për vitin 2015 do të ndahet buxheti për punësimin e pedagogëve dhe psikologëve nëpër shkolla.

“Është domosdoshmëri, parashihet sipas standardeve të arsimit. Ne si Kosovë kemi specifikat tona. Tani është ai standardi sa pedagogë për sa numër të nxënësve në një shkollë. Aty ku nuk plotësohet standardi me numrin e nxënësve mund të jetë pedagogu për dy shkolla.”

Në vendin tonë janë rreth 950 shkolla të obligueshme, duke filluar nga sistemi parashkollor deri te shkollat e mesme të larta e shkolla profesionale. Sipas Këshillit të Pedagogëve, në sistemin arsimor duhet të përshihen rreth 600 pedagogë.

Shoqëria civile, shënjestër e politikës

0

shoqeria civilePersonalitete të shoqërisë civile, konsiderohen nga partitë politike, vetëm si një nga burimet e prurjeve të reja në prag të zgjedhjeve parlamentare.
Tashmë, është bërë një trend që në prag të zgjedhjeve, partitë politike të nisin sezonin e transfereve dhe prezantimit të tyre si prurje të reja. Publiciteti medial që u kushtohet figurave të shoqërisë civile, i bën ato më me peshë gjatë “tranzicioneve” nga shoqëria civile drejt partive politike.

Por, në bazë të deklaratave të subjekteve politike, shoqëria civile do të jetë vetëm një nga burimet e transferove, shkruan “Tribuna”.

Behar Selimi nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se PDK nuk është e kufizuar në prurjet e reja. “Janë të mirëseardhur edhe figurat nga shoqëria civile, por nuk jemi të kufizuar dhe prurjet do të vijnë edhe nga shtresat tjera shoqërore. Besoj që do të ketë figura autoritative nga mjediset që do të vijnë”, ka thënë Selimi.

Sipas tij, ende është herët të thuhen emrat që do t’i bashkohen PDK-së. “PDK ka dëshmuar se vazhdimisht është përtërirë dhe në të janë përfshirë figura të reja të cilat do jenë personalitete me reputacion dhe me imazh të mirë nga mjediset që do të vijnë” ka theksuar Selimi. /Tribuna/

Shala: Kemi pasur fakte me paditë Serbinë për gjenocid

0

Blerim ShalaNënkryetari i AAK’së, Blerim Shala thotë se shqiptarët kanë mundur të përgatisin një padi ndaj Serbisë, e jo të vinte puna ku ka ardhur, të krijohet një Gjykatë Speciale.
Ai ka thënë në emisionin Rubikon të KTV’së se ndoshta miqtë ndërkombëtarë do të na thonin që “mos shkoni më tutje” në lidhje me këto çështje, por Shala tha se nuk do të humbnim asgjë sikur ta bënim këtë.

Ai ka thënë se pas kësaj do të mund të negocionim se çka përfitojmë nëse do të heqnim dorë nga padia.

Ai ka thënë se kemi hyrë në një garë në tregimin e rrëfimeve njëri –tjetrit, derisa ato do të duhej t’ia rrëfenim botës.

Majko: “Lufta ime” për Kosovën

0

Pandeli Majko2Pandeli Majko ishte vetëm 30 vjeç kur si kryeministër i Shqipërisë iu desh të menaxhonte një nga situatat më të vështira që përballej Shqipëria, të mbështeste luftën e Kosovës, por edhe pritjen e qindra mijëra shqiptarë të dëbuar nga makineria e Milosheviçit.

Sot, 15 vjet më pas, kryeministri i luftës tregon për “Revistën Televizive të Mbrëmjes” në Top Channel detaje të atyre ditëve të vitit 1999.Përplasjet me Shkupin zyrtar që i bllokoi në kufi shqiptarët, por edhe me disa kancelari europiane që kërkoni të ndalonin bombardimet mbi Serbi.

Pandi Gjata: Si e kujtoni ditën kur ju e morët vesh që shqiptarët e Kosovës po dëboheshin nga makineria serbe si hakmarrje kundër bombardimeve të NATO-s?

Pandeli Majko: Ishim me ish-presidentin Mejdani në Kukës, pasi ishin dhënë disa sinjale për largimin e popullsisë pranë kufirit dhe jemi takuar me një grup refugjatësh, rreth 30-40 veta, kur jemi kthyer, diku nga mesi i rrugës, na marrin në telefon dhe aty kuptoj që vetëm gjatë orëve që ne ishim shkëputur kishin kaluar kufirin 35 mijë vetat e parë.

Pandi Gjata: Ishte moment i vështirë për ta menaxhuar Shqipëria, e cila kishte problemet e saj që kishin ndodhur në vitin 1997 dhe ’98 dhe një situatë jo të favorshme politike në Tiranë?

Pandeli Majko: Do ta menaxhonim, ishte një histori ose do të dështonim ne ose ata, na mbajtën nervat ne dhe fituam.

Pandi Gjata: Të gjithë e kujtojmë edhe pas kaq vitesh deklaratën tuaj në momentin që shumë prej shqiptarëve të Kosovës u bllokuan në kufi me Maqedoninë. Ju keni thënë se Shqipëria do t’i presë të gjithë shqiptarët e Kosovës. Ka qenë edhe një përgjigje për qeverinë e Shkupit të asaj kohe.

Pandeli Majko: Kjo ishte në publik, ndërsa në rrugë zyrtare i dërgova maqedonasve mesazhin se nëse do të vazhdonin t’i bllokonin, atëherë ne do të dilnim me deklaratë publike ku do t’i bënim thirrje shqiptarëve të Maqedonisë të dilnin në mbrojtje të vëllezërve të tyre, që më pas ata do të merrnin përsipër situatën që do të krijohej.

Pandi Gjata: Si e menaxhoi Shqipëria gjithë këtë krizë, e cila nuk ishte e pakët?

Pandeli Majko: Ka momente për kombet e vegjël kur historia nga e ngurtë bëhet e lëngshme dhe në atë moment kjo ndodhi te në. Filluam t’i kuptojmë të gjitha gjërat që kishin ndodhur dhe nuk kishin ndodhur me ne. Jemi bërë bartës të të gjitha tematikave të metave, pozitivitetit mërive e të tjera. Mendoj që në atë moment pati një reflektim jo vetëm të politikës, por të gjithë shoqërisë shqiptare. Është e paktë të thuash se ne kaluam nivelin e fjalës ‘mrekulli’. Dëgjova shpesh sot që flitej për një shifër 500 mijë, por në terma realë në Shqipëri kanë qëndruar mbi 700 mijë shtetas Kosovarë. Kur ky numër po shkonte në 800 mijë, ne bëmë deklaratën që Shqipëria është e gatshme edhe për 1 milion. Nuk mund ta bënim këtë 1 milionëshin duke pasur 500 mijë, pastaj ka edhe dokumente të tjera, sidomos të momentit militar, i kontrolluar nga NATO dhe Pentagoni. Në Shqipëri, për një periudhë disa javore, u shtua popullsia në masën 1 të tretat, çdo vend do ta kalonte në kolaps si teori ekonomike. Jo vetëm gjatë periudhës së krizës, por deri në fund të saj çmimet u mallrave ushqimore, jo vetëm që nuk patën rritje, por si rezultat i menaxhimit të tregut pati ulje.

Pandi Gjata: Cila ka qenë dita më e vështirë e atyre javëve shumë të ngarkuara për Pandeli Majkon si kryeministër, e kujtoni?

Pandeli Majko: Nuk ka qenë nata e parë, por një tjetër moment kur pati një luhatje për të bërë një ndalim bombardimesh. Pasi një pjesë europianëve të cilët thoshin të ndalojmë bombardimet dhe të fillojmë negociatat sepse ka një reflektim nga Milosheviçi, i cili kërkonte negociata, me një plan të vetin. Ai mendonte se pasi kishte larguar popullsinë të fillonte negociatat, të ndalonin bombardimet dhe e dinte se ato nuk do të fillonin më, sepse do të gjente një vend anëtar të NATO-s, që me votën kundër, ta bllokonte këtë gjë. Bombardimi në këtë rast nuk ishte marrë me votim, por në heshtje, besoj që nuk ka për të ardhur më në historinë e NATO-s, për një luftë e cila u cilësua si më e rëndësishmja pas Luftës së 2 Botërore.

Pandi Gjata: Dhe cilin debat kujtoni ju, si kryeministër i asaj kohe, me ndonjë zyrtar?

Pandeli Majko: Ende nuk mund ta them. Ka pasur një debat të ashpër. Duke u ndihmuar pak edhe nga mosha, e cila më jepte ndihmë për t’u treguar pak ‘naiv’ edhe diku i drejtpërdrejtë, isha i ashpër për të mos pranuar asnjë logjikë që do ta çonte në rrënim total kombin shqiptar.

Pandi Gjata: Si e përjeton Pandeli Majko kur e prezantojnë si ‘kryeministri i luftës’?

Pandeli Majko: Po e them në formën e ankthin që unë kisha. Nga periudha e Skënderbeut nuk është pranuar ndonjë politikan i suksesshëm, për disa arsye edhe për rrethana fatale. Mendoja që unë isha shumë afër dhe realisht isha afër një tradhtari që do të turpëroja veten, por edhe çfarë do të lija pas. Vija nga një familje që këto probleme diskutoheshin me goxha shqetësim. Kur e shoh nga ky kontekst i asaj që ka kaluar them se falë edhe energjive mistike, ndonjëherë, që ka kombi shqiptar unë jam këtu sot, në rast të kundërt nuk do të kisha vend, nëse do t’i kisha lënë njerëzit të shpërndaheshin nëpër botë dhe kombi shqiptar të kthehej në një komb refugjatësh.

Pandi Gjata: Ju patët fatin, si kryeministri i parë i Shqipërisë, ta vizitonit Prishtinën pak më shumë se 85 vjetësh. Ishte një vizitë private, shfrytëzuat një fejesë të vëllait tuaj në vitin 1999, por ndodhi vetëm pak javë pas çlirimit të Kosovës, dhe nuk është diçka e vogël.

Pandeli Majko: Miqtë më thoshin, t’i po shkon për vizitë, por këtë punën e fejesës e kë kot. Më kishin thënë në telefon se i kisha thënë vëllait të gjente një vajzë nga Kosova që unë të shkoja atje, por kur flet me miq janë të mirëkuptueshme edhe shakatë. Nëse do të kisha tentuar të kaloja në kufi me makinë do të kisha probleme, por ma zgjidhën britanikët të cilët më siguruan një helikopter. Kur ka filluar lufta nuk kisha një perceptim të qartë mbi rolin e britanikëve, ata u treguan të jashtëzakonshëm.

Pandi Gjata: Sot pas 15 vitesh, Majko është një nga politikanët që e viziton më shpesh Kosovën, por si e shikon këtë bashkimin e shqiptarëve sot kur 2 qeveritë janë angazhuar për t’i bashkuar në të gjitha drejtimet?

Pandeli Majko: E kam pak shqetësim dhe e kam shprehur edhe sot dhe them se e kemi në kokë ende kufirin e Jugosllavisë. Elitat funksionojnë ende të ndara pasi kanë bërë jetë të ndryshme universitare në një kohë që janë në konflikt me një gjeneratë të re që nuk duan të pyesin për mënyrën e sjelljes së tyre. Ne duhet të fillojmë dhe të mendojmë në mënyrë të re, duke u nisur që nga vetja. Ne filluam të njihnim detaje të Kosovës kur filloi lëvizja e studentëve në Kosovë në vitin 1981. Në atë kohë kam qenë në gjimnaz dhe na kanë shtuar fletë në librin e Gjeografisë, për të mësuar se çfarë ishte Kosova dhe unë ne kemi diskutuar me njëri tjetrin të habitur për praninë e shqiptarëve atje.

Pandi Gjata: Po shkruani apo do të shkruani kujtime për Kosovën sepse është një histori që duhet dokumentuar pasi ka edhe shumë të pathëna, apo jo?

Pandeli Majko: Jo, akoma nuk jam në atë moshë që të filloj një reflektim të plot. Mund të them që ka disa momente të cilat ta bëjnë të qartë, për shembull 15 vite nuk janë pak nga një distancë e caktuar. E gjithë historia për çdo gjeneratë është përkrijimi i problemeve të kohës tënde në një moment të caktuar. Neve na ka rënë një pjesë shumë e rëndësishme, por edhe shumë dramatike , për të cilën, ende pa kaluar 100 vite, arritëm ta ndryshojmë mënyrën e prodhimit të kohës. Por vetëm tani ne mund ta përfytyrojmë se çfarë drame kanë përjetuar politikanët në vitet 1912, 1913 dhe 1914-ën, të cilët u detyruan të pranojnë një fakt të ndarjes së kombit në copa, që në thelb përbën tragjedinë tonë. Ky lloj globalizmi që po vjen është bota që shqiptarët jetojnë brenda vetes tyre, multikultura, mënyra e të parit të jetës. Europa është një shtëpi sidomos e bërë për ne. Jam i bindur që pas 15 vitesh do të flasim për shqiptarë të suksesshëm në Europë / Top Channel

Veseli: Tribunali, një shëmti që po i bëhet Kosovës

0

Kadri VeseliZëvendëskryetari i PDK-së, Kadri Veseli, duke folur për krijimin e Gjykatës Speciale, e ka quajtur atë një shëmti që po i bëhet Kosovës.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, Veseli ka thënë se partia e tij do të ketë qëndrim unik ndaj kësaj çështje, që sipas tij do të jetë konform interesave të shtetit të Kosovës.

“PDK do të ketë qëndrimin e vet unik politik ndaj kësaj çështje i cili do të jetë konform interesave të atdheut tonë, luftës sonë çlirimtare, në të njëjtën kohë e veçoj veçanërisht partneritetin tonë me bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Veseli, në një intervistë për RTK-në.

Ai ka potencuar po ashtu se asnjë luftëtarë nuk i frikësohet drejtësisë.

Veseli është i bindur që në çdo ballafaqim do të fitojë e drejta, e vërteta e kombit të Kosovës për luftën e vetë për liri. /

Limaj: NISMA po merr përkrahje të fuqishme në Prizren

0

Limaj ne degen e PZKryetari i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj, është shprehur i kënaqur me përkrahjen që  NISMA ka filluar të marrë në qytetin e Prizrenit. Ai tha se NISMA është duke u pritur mirë kudo në Kosovë.

“Programi i Nismës si një alterantivë e re politike është duke u pritur mjaft mire dhe po hasë në përkrahje të gjerë në të gjitha shtresat e popullatës e sidomos tek të rinjtë”.

“Nisma do të ndryshojë gjendjen e mjerë që ka kapluar qytetin e Prizrenit dhe Kosovën në përgjithësi”, tha Limaj.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, së bashku me anëtarët e tjerë të Kryesisë, ka vizituar Degën e Nismës për Prizren.

Qëllimi i kësaj vizite dhe takimi me Këshillin Drejtues të Nismës për Prizren dhe aktivistë, ishte informimi nga afër në lidhje me aktivitetet e Nismës në Prizren dhe planet për të ardhmen.

Në këtë takim u konkludua se Nisma po vazhdon fuqishëm të shtrijë organizimin në mënyrë mjaft efikase në çdo lagje dhe fshat të Prizrenit.

Limaj këkoi nga anëtarët e Nismës në Prizren, që të vazhdojnë të punojnë edhe më shumë në shtrirjen e këtij subjektik politik.

” Kërkoj që t’iu krijohet hapësirë të gjithë atyre që janë të gatshëm që nëpërmjet Nismës të ndryshojnë gjendjen aktuale në të mire të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Kosovës dhe ofrimit të një perspektive më të mirë”, tha Limaj/PrizrenPress.com/