21.6 C
Prizren
E diel, 10 Maj, 2026
Home Blog Page 8626

Jahjaga: Garantojmë shtetësinë që e kemi ndërtuar

0

Atifete jahjagaZyrtarë të lartë vendor në gjashtë vjetorin e Kushtetutës së Kosovës theksuan se serioziteti, pjekuria dhe niveli demokratik i një vendi matet me përmbajtjen kushtetuese dhe legjislative si dhe me zbatimin e tyre.
Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga në ceremoninë e organizuar me rastin e gjashtë vjetorit të Kushtetutës së Kosovës tha se ndodhemi para sfidave që përcaktojnë të ardhmen e vendit.

Ajo tha se veprimet sado të vështira të jenë do të përmbyllin një kapitull të historisë.

“Ne garantojmë rrugën përpara dhe qëndrueshmërinë e shtetësisë që e kemi ndërtuar”, tha presidentja e vendit, Jahjaga.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se serioziteti, pjekuria dhe niveli demokratik i një vendi matet me përmbajtjen kushtetuese dhe legjislative si dhe me zbatimin e parimeve të kushtetuese e kornizës ligjore.

Ai tha se pavarësia na dha Kushtetutën, por Kushtetuta duhet të jetë garancia e pavarësisë, sovranitetit dhe rendit demokratik e ligjor.

Krasniqi tha se respekti dhe zbatimi i Kushtetutës fillojnë nga institucionet më të larta deri tek qytetarët e zakonshëm, duke u kthyer në kulturë e jo vetëm obligim.

Ai tha se Kushtetuta është akt i shenjtë dhe nuk duhet lejuar askënd ta cenojë.

Kreu i Kuvendit tha po ashtu se Kosova respekton të drejtat e komuniteteve pakicë sipas standardeve më të larta ndërkombëtare. /Telegrafi/

Kristo Frashëri boton libër për Ahmet Zogun

0

Kristo FrashëriLibri hedh dritë mbi debatet që rrinë pezull lidhur me rolin e Ahmet Zogut, jo vetëm në atë datë historike, por sipas akademikut Frashëri edhe në debatin që po zhvillohet këto kohët e fundit rreth Ahmet Zogut si mbret i shqiptarëve, nëse duhet të nderohet, të kritikohet apo të dënohet.
POSTUAR 11:31 / 09.04.2014
Një libër i ri nga Prof. Kristo Frashëri del në dritën e botimit më 7 prill në ditën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Libri hedh dritë mbi debatet që rrinë pezull lidhur me rolin e Ahmet Zogut, jo vetëm në atë datë historike, por sipas akademikut Frashëri edhe në debatin që po zhvillohet këto kohët e fundit rreth Ahmet Zogut si mbret i shqiptarëve, nëse duhet të nderohet, të kritikohet apo të dënohet.

Frashëri shprehet se për këtë debat “ka një pështjellim politik, juridik dhe historik, i cili është tepër i theksuar tek pjesëmarrësit që nuk janë historianë”. Duke iu referuar librit që sapo ka dalë në shtyp nga Botimet M&B Prof. Kristo Frashëri shkruan se “Pështjellimi vjen para së gjithash ngase nuk bëhet dallimi midis monarkisë (mbretërisë) si formë regjimi dhe monarkut (sovranit) si kreu i shtetit. Monarkia dhe monarku nuk duhen të identifikohen për arsye se njëri përfaqëson një formë regjimi, kurse tjetri sovranin që atë e drejton.

Ka raste në histori kur monarkia si formë regjimi ka qenë e dobishme për një vend, mbasi nëpërmjet kurorës mbretërore është realizuar bashkimi kombëtar i një populli. Por ka edhe momente kur në një vend vendosja e monarkisë shënon hapa prapa. Sidoqoftë, në çdo rast monarkia duhet të gjykohet nga kushtetuta e saj, nëse ka qenë e dobishme apo e dëmshme, nëse ka qenë kushtetuese apo despotike, parlamentare apo absolute.” Në librin “Ahmet Zogu – vështrim historik”, Prof. Kristo Frashëri shprehet se debati mbi monarkun si kryetar i shtetit ka të tjera parametra.

Sipas tij: “Veprimet e një monarku duhen ballafaquar detyrimisht me kushtetutën e monarkisë së tij – nëse ai i është përmbajtur betimit që ka bërë “para Zotit dhe para Popullit” për të respektuar normat e kushtetutës. Vetëkuptohet se historia dënon çdo monark që nuk ka respektuar kushtetutën, rrjedhimisht kur ai ka dëmtuar sovranitetin, integritetin, dinjitetin dhe ardhmërinë politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore të atdheut të vet. Nëse pajtohemi me këto kritere të arsyetimit historik, atëherë historiani duhet të hetojë kushtetutën që pati mbretëria kur Zogu u shpall mbret dhe në mënyrë të shkëputur prej saj të vlerësojë veprimtarinë dhe politikën që ndoqi mbreti Zog në respekt të kushtetutës deri më 7 prill 1939.” Një nga çështjet e tjera më të rëndësishme ku profesor Frashri shpreh pikëpamjet e tij është edhe trajtimi i familjes mbretërore sot.

“Në debatin që po zhvillohet, sundon midis johistorianëve edhe një logjikë e padrejtë historike, juridike dhe politike. Harrohet se përgjegjësia për veprimet e mbrapshta ose merita për veprat e mbara të një monarku është personale dhe jofamiljare. Në rast se Ahmet Zogu ka shkelur kushtetutën, kjo nuk do të thotë se duhet dënuar dhe biri i tij dhe, ca më pak, edhe nipi i tij, aq më tepër që ata nuk kishin lindur kur ai ishte mbret”. Si rrjedhim për profesor Kristo Frashërin nuk është e drejtë kritika që antizogistët ekstremistë u drejtojnë demokratëve dhe socialistëve, të cilët përshëndetën më 1996 kthimin në atdhe të familjes së mbretit Zog, përderisa anëtarët e saj, nuk akuzohen për veprime të mbrapshta.

Ai thotë se: “Pikërisht nga këto pështjellime gjejmë rastin për t’iu përgjigjur shkurtimisht pyetjeve: Kush ishte Ahmet Zogu si njeri? Cilat qenë meritat e mbretërimit të tij? Cilat qenë gabimet apo dëmet që atij i atribuohen? Si duhet të cilësohen veprimet e tij, nëse ka ndër to akte të mbrapshta, – tradhti apo gabime të justifikuara? Të shohim!”,
(shqiptarja.com)

Vekariq: Gjykimet për UÇK-në të mos bëhen në Kosovë

0

VekariqZëvendësprokurori i krimeve të luftës në Serbi, Bruno Vekariq ka kërkuar që gjykimet për UÇK-në të mos bëhen në Kosovë, por siç ka thënë ai “në një vend të tretë”. Këto deklarata i ka bërë në një intervistë për televizionin shtetëror të Serbisë “RTS”, bëjnë të ditur mediat serbe.“Është e rëndësishme që krimet kundër popullsisë jo-shqiptare në Kosovë, të bëhen në ndonjë një vend të tretë’, citohet të ketë thënë ai.

Vekariq ka shtuar se “shpërblimi inkurajues i Kosovës do të ishte vendosja e qendrës administrative të kësaj gjykate në Prishtinë”. Sipas tij, formimi i Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë vjen në përgjigje të paqartësive të së kaluarës.

Ai thekson se në rrjedhën e negociatave është se si gjykata do të duket. “Ndryshe nga gjykatat e mëparshme që ishin nën kujdesin e OKB-së, kjo do të jetë gjykatë e Bashkimit Evropian”, thekson Vekariq, duke shtuar se ndryshimi i kësaj është jo vetëm në faktin se jo që do të trajtohen krimet vetëm për territorin e ish Jugoslavisë por dhe në rajone tjera si Shqipëria”, citohet të ketë thënë Vekariq.

Hartuesit: Kushtetuta ka realizuar misionin e saj historik

0

Reforma hap KushtetutënMe rastin e shënimit të 6-vjetorit të Ditës së Kushtetutës, disa nga hartuesit e saj, Hajredin Kuçi, Fatmir Sejdiu dhe Arsim Bajrami, janë shprehur të kënaqur me funksionimin dhe zbatimin e aktit më të lartë të shtetit të Kosovës.

Ata kanë vlerësuar se Kushtetuta e Republikës së Kosovës gjatë kësaj periudhe ka arritur ta realizojë misionin e saj historik, atë të shtetndërtimit. Sipas tyre, Kushtetuta është normuar dhe po funksionon në përputhje me kohën e veprimit dhe do të evulojë sipas dinamikës së jetës politike.

Me këtë rast, ish-kryetari i Komisionit për Hartimin e Kushtetutës, njëherësh zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se përveç funksionimit institucional, tani zbatimi i plotë i Kushtetutës është duke ndodhur në tërë territorin e vendit.

“Kushtetuta është akti më i lartë dhe me më rëndësi në vendin tonë pas Deklaratës së Pavarësisë, është akt nga i cili është realizuar synimi ynë, Deklarata e Pavarësisë, por edhe është krijuar baza juridike për ligjet dhe institucionet e vendit tonë. Gjashtë vjet pas, si kryetar i Komisionit Kushtetues, si zyrtar dhe, mbi të gjitha, si qytetar i këtij vendi, vlerësoj se Kushtetuta ka treguar se është akt juridik modern që respekton në themel të drejtat e qytetarëve të vendit dhe se garanton funksionim të institucioneve duke ruajtur pavarësinë e secilit, por edhe ndërvarshmërinë që e lejon. Sot, përveç funksionimit institucional i cili ka treguar fuqi të zbatimit dhe mbrojtjes së saj, po bëhet edhe zbatimi i saj i plotë në tërë territorin e vendit tonë”, ka thënë Kuçi për “Epokën e re”.

Edhe bashkëhartuesi tjetër i Kushtetutës, Arsim Bajrami, ka thënë se, pavarësisht ballafaqimit me shumë sfida, Kushtetuta e Kosovës ka arritur ta realizojë misionin e saj historik, atë të shtetndërtimit.

“Mendoj se Kushtetuta e Kosovës ka realizuar misionin e saj historik, pra shtetndërtimin, edhe pse ajo gjatë këtyre gjashtë vjetëve është ballafaquar me sfida, siç kanë qenë krizat kushtetuese, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, mbikëqyrja ndërkombëtare si dhe shumë probleme të tjera që janë tipike për shtetet në tranzicion”, ka thënë Bajrami për “Epokën e re”.

Ai ka thënë se Kosova ka nevojë për një kulturë kushtetuese permanente. “Kemi pasur shkelje të Kushtetutës nga nivelet e larta, nga nivelet politike, por kemi pasur edhe respektim të autoritetit të Gjykatës Kushtetuese. Duhet të kërkojmë edhe një edukim kushtetues, edhe një kulturë kushtetuese të institucioneve dhe të qytetarëve që të kuptojnë se në shtetet demokratike respekti për Kushtetutën është respekt për shtetin, për demokracinë dhe për sundimin e ligjit. Prandaj, mendoj se ky edukim dhe kjo kulturë kushtetuese duhet të jetë permanente në Kosovë dhe të vlejë jo vetëm për qytetarët, por edhe për institucionet shtetërore”, ka theksuar Bajrami.

Ndërsa ish-presidenti i Kosovës, një nga bashkëhartuesit e aktit më të lartë juridik, Fatmir Sejdiu, ka vlerësuar se miratimi i Kushtetutës është një nga ngjarjet më të rëndësishme të zhvillimit kushtetues të vendit. “Natyrisht kjo paraqet edhe përmbylljen e korpusit themelor legjislativ mbi bazë të të cilit duhet të zhvillohet i gjithë aktiviteti institucional i institucioneve të republikës”, ka thënë Sejdiu për “Epokën e re”.

Sipas Sejdiut, ka shumë zhvillime të cilat nuk janë bërë në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës dhe që si të tilla kanë lënë pasoja në funksionimin demokratik të vendit dhe ato janë shprehur në shumë rrafshe të jetës.

“E veçantë paralele ka qenë përpjekja që Serbia e ka bërë nëpërmjet strukturave ilegale për ta cenuar rendin kushtetues të vendit, duke imponuar një jetë të dyfishtë deri tani të qytetarëve në veri të vendit dhe duke penguar funksionimin e plotë të funksioneve, sidomos në tri komunat në veri të Kosovës. Kjo është shprehur me tendencën e ndërtimit të strukturave të reja, të cilat, sipas tyre, do të kishin funksione ekzekutive, duke imponuar një rend të ri të funksionimit dhe me këtë edhe të prishjes së karakterit unik të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Sejdiu.

Ai ka thënë se janë të nevojshme ndryshimet kushtetuese të cilat do ta begatonin aktin më të lartë juridik.

Reshat Arbana: Prekja e shqipes, krim që do e paguajmë shtrenjtë

0

 

reshat-arbanaReshat Arbana ruan ende një fizik të mirë edhe pse pak vite më parë iu nënshtrua një operacioni të vështirë, që për pak i mori jetën. Kjo e bën ende impozant para njerëzve të zakonshëm dhe me një aurë, që e bën një njeri krejt të veçantë. Zëri i thellë ia gdhend figurën. Anipse, tiparet e bëjnë ‘të paafrueshëm’. Por në këtë ‘vrazhdësi’ punon një zemër që vuan për njerëzit e tij, profesionin që është gjithnjë e më shumë larg për t’u bërë, edhe pse mundësitë ende i ka. Shpesh i drejtohet me shpirt religjionit, por trishtimi i kthehet sërish. Ajo vjen nga trajtimi mizor që po i bëhet shqipes, sipas tij, dhe përpjekjet për përçudnimin e saj. Këtu dhimbja i shkon në asht, sepse nuk mund të durojë. Të kujton një poezi të Ali Asllanit “Maskarenjtë” dhe befas ta reciton të plotë. Kjo s’mjafton sërish. E keqja nuk ka fund. Ndaj e dua dhe dialektin e veriut, thotë dhe e kuptoj pse Fishta zgjodhi atë dialekt, “të pakuptueshëm”: që t’i dërrmonte të këqijtë. Adhuron Kutelin dhe mënyrën sesi e përkëdhel ai shqipen dhe i adhuron të gjithë autorët që i bënë lapidar shqipes. Ka mall për kolegët e vjetër dhe shpotitë e tyre, por edhe rolet që bëri me ata në teatër. Kujton “Familjen e Peshkatarit” dhe rolin që e bëri, të ngjitej vetëm sipër, ashtu si edhe shumë e shumë të tjerë deri të fundit, pak muaj më parë te “Ada”. Nuk ka nostalgjia qaramane dhe nuk do çmime, ashtu si e quan të neveritshme të lavdërojë kot. Kur e pyesim për vdekjen, e merr me qetësi dhe të thotë se është i përgatitur dhe madje është i dëshiruar të mos ketë përcjellje si ato që janë bërë deri tani në Teatër Kombëtar, që i duken të stisur. Dua njerëzit e mi dhe fare thjesht, sqaron burri, që për fat është ende aktiv. Vërtetë, pak orë më vonë, niset në Shkup në një aktivitet, pasi është një ambasador lëvizës i shqiptarëve. Zëri i tij është një nga monumentet e gjallë të kulturës shqiptare. Këtë e ndjen nga timbri i mrekullueshëm, që të bën të mos i ndahesh së dëgjuari. Por, koha ka logjikë tjetër. Ndahemi për një herë tjetër.

I nderuar z.Arbana, në kohët e fundit është duke u folur shumë për standardin e shqipes. Ndërkohë përpjekje të ndryshme e shikojnë si shumë të lehtë prekjen dhe modifikimin e vet. Si një nga përçuesit më të njohur të shqipes, si e përjetoni këtë debat, që nuk rresht?

“Të prekësh shqipen dhe elementët tonë të identitetit, është një krim jashtëzakonisht i madh. E ndjej se kjo është bërë më e pranishme, madje edhe shkrimtarët shkasin nga mënyra logjike e ndërtimit të fjalisë. Tekstet ngarkohen me fjalë, që ata mundohen t’i zbukurojnë e t’i zgjidhin ndryshe, por që nuk janë aspak shqiptare. Tekste, gjoja sikur janë shqip, por aq të ngarkuara me fjalë të huaja bëhen të lodhshme, thjesht ngaqë duan të thonë sesa intelektualë janë apo që vetëm ata i njohin fjalët e huaja dhe botën. Për mua, të ngacmosh shqipen është një krim që nuk do dimë si ta korrigjojmë dhe do ta paguajmë shtrenjtë.

Unë, vetë, kam ruajtur shqipen me bazën te standardi. Ama, di mirë të justifikoj atë që kanë bërë disa poetë në dialekt. Dhe, në recitim e kam ruajtur këtë regjistër. Për një poet të veriut që shkruan në gjuhën e vet dialektore, si është Fishta për shembull, përpiqem të shkoj sipas fjalëve që ka thënë poeti i madh. Por, edhe në këtë rast, arrij t’i bëj të kuptueshme sepse për hir të së vërtetës është e vështirë t’ia japësh një banori të sotëm dialektin e vështirë të asaj kohe. Duke iu kthyer mundohem ta sjell sa më pastër dhe poezinë e bëj të tillë që të jetë e kuptueshme. Diku thotë: “Ata…shqiptarë e mërrut”, për të theksuar fort atë që do të kumtojë.

Si ke arritur t’i nxjerrësh emocionet në këtë rast?

“Sigurisht që për mua, edhe kjo nuk më pengon që nga kjo mënyrë e të shkruarit të nxjerr emocionet dhe idetë e fuqishme që mundohet të hedhë Fishta për popullin të dëgjojë. Mesazhet e tij janë vërtetë të shkëlqyera. Migjeni, nga ana tjetër, nuk “e mundon” shqipen. Fishta e bën me qëllim dhe e ka shkelur boshtin verilindor për t’i theksuar fjalët tamam, për të sjellë fjalët më të rënda të trevës sesi të urresh armikun. Migjeni është shumë modern dhe më vjen keq që duan ta fusin në disa hulli që si takojnë, si për shembull duke dashur ta quajnë revolucionar, komunist”.

Si ju duket reagimi i shtetit shqiptar, në vitet e fundit, sa i përket gjuhës, kulturës dhe problemeve të vendit?

“Shteti shqiptar, për fatin e keq, interesohet më shumë për probleme që nuk e shqetësojnë aq shumë popullin shqiptar. Zyrtarët e lartë merrem me probleme që kanë vetë dhe na servirin kinse përpjekjen se punojnë shumë, ndërkohë që e vërteta është ndryshe. Për mua të punosh është që të shqetësohesh për gjuhën shqipe: ta vësh atë në bazë të shëndoshë; apo nëse thua që punoj, duhet të provosh të rregullosh marrëdhëniet ndërshqiptare sepse nuk po dimë nga po ikim. Politikani është për mua pasqyrë e kombit, por sa turp është që shkojnë delegacione dhe nuk merren aspak vesh dhe na bëjnë me turp. Por, mbi të gjitha më vjen keq, që shteti ynë nuk punon për këtë vepër kaq të madhe siç është gjuha shqipe. Kemi një akademi që nuk di të përhapë perspektiva. E qoftë akademia e jonë dhe qoftë ajo e Kosovës, që deri vonë kanë punuar dhe janë përpjekur, tashti të zhgënjejnë”.

Meqë përmendët Kosovën dhe jeni një personazh, me anë të cilit kosovarët identifikojnë simbolikisht personazhet e tyre më të njohura, e kishit menduar ndonjëherë lirinë e saj. A e mendoje dikur bashkimin?

“Ka qenë ëndërr gjithnjë Kosova, por bashkimin që kam në shpirt, s’duhet bërë me zhurmë. Shkrirja duhet bërë gradualisht si ajo e dy vëllazërive. Kufijtë janë simbolikë. Vetëm se më shqetëson fakti që disa kinse intelektualë nuk janë aq për bashkimin e shqiptarëve. Kjo më shqetëson realisht dhe e konsideroj, pasi gjithsesi është një lajthitje. Po të bëhej një referendum i shqiptarëve këndej dhe andej, do dihej përgjigja pozitive. Ndaj them se bashkimi do vijë gradualisht duke fuqizuar marrëdhëniet ekonomike. Dhe kufijtë do mbeten thjesht ndërtesa”.

Çfarë të dhimbset më shumë nga kultura shqiptare e ditëve tona?

“Kultura vetë më dhimbet. Mënyra sesi ajo paraqitet. Shou më tremb dhe më dhemb nga mediokriteti. Fjalori i shëmtuar dhe komunikimi aspak dinjitoz më tremb, e habitem sesi publiku aty prezent i duartrokit, apo sesi qeshin. Ndaj, Reshati pyet veten: Çfarë po ndodh?! Arti s’bëhet me grimasa dhe duke thënë fjalë të ndyra. Arti s’bëhet duke bërë kërcime si pelivan. Arti s’bëhet kurrë kështu”.

Cilat janë trishtimet që ndjen më shumë artisti Arbana?

“Më trishton mendimi që do ikim nga kjo dynja si fletët e pemës. Do ikin të gjithë për t’u lënë vendin të tjerëve dhe do marrim me vete vuajtjet, hallet, shijet e mira dhe të këqija, por do ikim më shumë me dhimbje për atë që se bëmë dot. Se kuptojmë atë që se bëjmë dot dhe themi do e bëjmë nesër. Sot, duhet konsideruar gjithnjë se është dita e fundit që e takoj një njeri dhe duhet bërë më e mira. Kjo më mundon”.

Keni jetuar në një lagje të vjetër Tirane. A jeni pak besimtar?

“E kam marrë besimin se ishim nga një lagje e vjetër. Kemi pasur dhe një xhami tonën, atë të Dine Hoxhës që e kemi bërë me kontributin tonë të besimtarëve të pellgut. Nuk kam pasur prindër besimtarë praktikantë por për bajramllëk dhe xhuma, ata shkonin herë pas here. Edhe unë kam shkuar dhe më ka pëlqyer mënyra sesi besimtarët merrnin avdes; si pastroheshin; si laheshin sytë e çdo gjë. Kemi nevojë shumë për besimin sepse sot ka njerëz me kostum Versace dhe ata gjenden në zyra të mira por që kanë mbetur injorantë dhe nuk janë larë…S’kemi mbase shumë, pasi kemi më shumë nga ata që lahen, por që janë larg halleve të popullit”.

Keni bërë shumë personazhe. Si u jeni afruar zakonisht personazheve?

“Unë si natyrë dukem i rëndë në dukje, por me ata që s’kam ndenjur. Që kam sjellë personazhe e ka një arsye të fortë. Unë kam ndenjur e rri me të gjitha kategoritë e njerëzve dhe më pëlqejnë ata. Kjo është ndihma më e madhe dhe sekreti im. Unë kam qenë vetë punëtor dhe e dua punëtorin. Se harroj një punëtor, mikun tim, që kish vënë te tornoja e vet parullën: Djersa nuk bëhet kurrë ujë nëna ime”.

Sa role keni interpretuar në karrierën tuaj më shumë se gjysmëshekullore?

“Në karrierën artistike pothuaj gjysmëshekullore kam interpretuar në më shumë se 300 filma që realizoi ish-Kinostudio. Disa, vërtetë janë pa emra të mëdhenj, por që për mua ruajnë vlera. E sot nuk bëhen dot as 2-3 filma në vit. I vlerësoj të gjithë filmat që kam bërë njësoj. Në karrierën time mendoj se ato dhjetra filma të realizuar më ndihmuan për personalitetin artistik”.

Cila është përgatitja juaj për t’u bërë aktor dhe si u bëtë i tillë?

“Rastësia më bëri aktor. Duhej të shkoja ushtar dhe një shoku im më propozoi të konkurronim për aktorë. Kisha dëshirë, në fakt të konkurronim. Miku im me shumë pasion dhe unë shumë vakët. Kisha përgatitur një rapsodi të veriut…Ushton Gryka e Dragobisë. Kisha bërë prova por më shumë me veten time. Fati, atëherë, ishte që kryetare ishte një ruse, Nina Çefranova. Unë si tiranas i druajtur edhe pse kisha luajtur në drama, kisha emocione. Atë quaj komision, nuk bëhesh aktor me të shtyme. Kryetarja i thotë përkthyesit të vet Kristo Jorgjit: “I thuaj ku punon?”-Jam në park të kamionëve, tornitor. “Do t’i flasësh e do ti mobilizosh punëtorët dhe zëre se je drejtori. Jeni në fund të muajit dhe ju duhet plani. U duhet të përmblidhen dhe të punojnë fort se duhet mbyllur plani”. -Nuk di ta bëj këtë, i them prerë. “Do e bësh këtë!”. Kjo mënyrë komunikimi i pëlqeu sepse në fund e vendosi vendimin e vet, duke thënë se kisha një vështrim shumë zhbirues. Pas dy ditësh, ikëm për përgjigjet. Shoku s’kish fituar, por unë po. Kjo më bëri diçka që të më nderojnë njerëzit se do e kisha ngrysur”.

Cilat janë rolet që keni më shumë për zemër?

“Janë shumë role të tilla. Janë pesë e gjashtë që them se nuk do t’i kthehesha dot më kurrë. ‘Dueli i heshtur’. Përballë vetes. Te ‘Luiza Miler’. ‘Fije që Priten’. Kanë qenë role të bukur sepse më kanë lodhur”.

Po rolet negative…

“Kam pasur role pozitive dhe negative. Se Ahmeti te “Dora e Ngrohtë” s’është negativ. Ai film ka shumë thyerje. Ndaj, kjo bëri atë që ky film të kishte plot 550.000 spektatorë. Anagnosti duhet ti hiqet kapelja për atë që ka bërë me vetëm katër personazhe te “Dueli i Heshtur”, që të mbash për një orë e gjysmë gjithë atë aksion”.

Cilët janë regjisorët me të cilët keni punuar mirë…

“Jam ndjerë në përgjithësi mirë. Anagnosti është i mirë. Viktor Gjika. Spartak Pecani. Në teatër, patjetër Pirro Mani, Fatos Haxhiraj, Dhimitër Pecani etj.”

Çfarë kujton nga teatri i viteve të shkuara?

“Më ka mbetur në mend ai oborr plot me aktorë të mëdhenj dhe me personalitet të lartë. Aty mblidheshin personazhet e mëdha, që nga Kadri Roshi, Prokop Mima, Marie Logoreci, Violeta Manushi, Drita Pelingu, Gjon Karm, Ndrek Luca. Kam mall ti shoh dhe njëherë ata, seriozitetin sesi punohej apo figurat e krijuara në këtë institucion. Le të mblidhen dhe ta vënë dhe një herë në skenë ‘Arturo Uin’. Por nuk e bëjnë dot. Nuk jam pesimist, por nuk bëhet dot më ashtu si “Luiza Miler” e Agollit. Janë drama të fuqishme. Por duhet pasion dhe punë. Pasion dhe vetëm pasion”.

A duket sikur sot flitet shumë për art e kulturë dhe bëhet fare pak?

“Kjo është për mua fatkeqësia më e madhe. Ndaj, nuk më vjen të uroj, e të them kot se më pëlqeu. Nuk kam parë ndonjë gjë të veçantë. Për hipokrizi nuk e bëj. Uroj më kënaqësi të madhe kur bëhet një film i kulluar. Kurse teatri po shkon në një anë, ku mungojnë vërtetë figurat e vërteta. E besoj që nga ai oborr do të dalin figura, por duhet punë. Kurse, vrapimi pas parasë e prish shumë filmin. Është më mirë të punosh pa gojë për artin dhe punën tënde. Është e gjatë jeta dhe tani më vjen keq që nuk po bëj një rol, pasi jam në gjendje ta bëj ndonjë gjë”.

Qyteti është mbipopulluar dhe është mbushur me të ardhur të shumë. A të dhimbset Tirana e sotme?

“Po si nuk më dhimbet. Çdo komunitet i qyteteve, qoftë ai i Përmetit, Pukës, Sarandës ka të mirë dhe të këqinj. Por, ata, që kanë ardhur këtu nuk na e dinë shumë për nder. Kjo tokë, ashtu si çdo tjetër, është e Zotit por e ka një njeri si zot pjesën e vet, ndaj më erdhi keq që të ardhurit zgjohen më shumë me kallashin sesa me fjalën. Tironsi, i sotëm, e ka të keqen me veten. Ai grindet me të vëllain për hiç gjë dhe kur e zapton një tjetër, as nuk ndihet. Nuk do siklete për vete dhe për familjen e vet. Nuk mendoj se është aq në rregull, kjo”.

Çdo fillim e ka një fund. Si e ka përballjen me vdekjen Reshat Arbana?

“Burri kur arrin 70 vjeç, apo 75 vjeç, qoftë edhe 80 vjeç, duhet ta quaj trimëri që u bë kaq. Nuk e di se ku do shkojë më shumë. Do shkojë në një botë tjetër, po në fund kjo s’ka rëndësi. Është një cikël që do mbyllet, gjithsesi. Më ka ndodhur një fenomen: ka disa vite që më shkon mëndja. Doja të më vinte ashtu shpejt se amanete nuk kemi, apo prona të lemë. Ka ardhur një kohë e keqe që nuk duam të shqetësojmë të tjerët, qoftë djalin, të renë dhe vajzën se kaq e ngarkuar sa është jeta nuk ke se çfarë bën…Deri para dhjetë vjetësh s’më shkonte mëndja, por tani kur shikoj ndonjë varr dhe kujtoj se e kam njohur të zotin, më tretet vështrimi në sarkofagun e tij dhe mendoj sesi është transformuar. Nuk vuaj shumë për këtë. Dua ta mbyll me nder e faqe të bardhë dhe të thuhet se e la diçka ky njeri…”.

*REVISTA JAVA

Kushtetuta e shkelur dhe e injoruar

0

KushtetuaKosovesShteti, të mërkurën do të pushojë. Është ditë feste. Shënohet gjashtë vjetori i miratimit të Kushtetutës së Kosovës, dokumentit më të lart juridik që ka vendi. Festimin e 9 prillit e ka përcaktuar pushteti.
Por është pikërisht pushteti që ose e ka shkelur vet Kushtetutën ose ka dështuar t’i përmbushë dy dispozitat themelore të këtij dokumenti: ta bëjnë shtetin sovran dhe ta shtrijnë autoritetin në të gjithë hapësirën territoriale.

Tri komunat veriore, Zubin Potoku, Zveçani e Leposaviqi dhe gjysma e qytetit të Mitrovicës, ndonëse për herë të parë morën pjesë në zgjedhjet lokale me legjislacion vendës ende vazhdojnë ta injorojnë Kushtetutën vendëse dhe duke e admiruar atë të Serbisë. Këto komuna, insitistojnë që edhe statutet e tyre t’i kenë neutrale ndaj statusit të Kosovës. /Tribuna/

Pacolli kërkon që presidenti të zgjidhet nga populli

0

Behxhjet pacolliZëvendëskryeministri i Kosovës, Behxhet Pacolli ka uruar qytetarët e vendit, me rastin e shënimit të ditës së Kushtetutës së vendit, duke thënë se na duhet kushtetutë e pavarësisë së plotë.

Pacolli në shkrimin e tij në Facebook, ka thënë se Presidenti i vendit duhet të zgjidhet nga populli.

“Përvjetori i kushtetutës është rast bukur i mirë për të diskutuar përmbajtjen e saj. Kjo ishte kushtetutë e mirë për një Republikë të re si e jona, por ajo ka vulën e Ahtisaarit, dmth të pavarësisë së mbikqyrur. Na duhet kushtetutë e pavarësisë së plotë! Përshembull, presidenti duhet të zgjidhet nga populli”

” I kemi parë problemet e deritanishme me zgjedhjen parlamentare të presidentit. I shkrimë disa institucione të pavarësisë së mbikqyrur, por si do zgjidhen këto të pavarësisë së plotë? Kushtetuta ka faqe të bardha që presin të shkruhen”.

“Duhet t’i shkrijmë disa institucione të tjera si Agjencioni i Privatizimit dhe duhet të krijojmë disa të tjera si Agjencioni për Gjeneratat e reja, Agjencioni për Participimet; etj. Janë disa projekte që i kam shpallur prej 2007 dhe sot 7 vjet më pas po i përmendin të gjithë”.

Mosnjohja kosovarizoi Tribunalin

0

KuvendiKosoves5-27Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet që brenda këtij muaji të marrin një vendim të vështirë, por më të lehtin të mundshëm në rrethanat e krijuara pas hetimeve për raportin e Dick Martyt, vlerësojnë diplomatë të afërt me ekipin që po e përgatitë krijimin e gjykatës që do të trajtojë aktakuzat e mundshme.

Sipas këtyre zyrtarëve, krijimi i një Tribunali që do të merrej me të gjitha krimet e kryera në Kosovë duhet të shqyrtohet në një të ardhme, derisa sipas tyre, nuk mund t`i iket krijimit të gjykatës për Dick Martyn.

Sipas të njëjtave burime, tashmë është shmangur skenari i rëndë kur gjykata do të ishte një Tribunal i mirëfilltë evropian, derisa i takon Kuvendit të Kosovës që të shmangë krijimin e Tribunalit nën autoritetin e OKB-së, gjë që do të ndodhte nëse deputetët e Kosovës dështojnë ta miratojnë krijimin e gjykatës sipas modelit të ofruar javën e kaluar

Afro 1200 studentë vijojnë studimet në programe të paakredituara

0

Provimi-pranus-per studentAfro 1 mijë e 200 studentë, të tetë drejtimeve lëndore në Fakultetin e Edukimit, ndjekin programe studimi të cilat nuk janë akredituar nga Agjencia Kosovare e Akreditimit (AAK), shkruan sot “Koha Ditore”.
Ata kanë studiuar dy, përkatësisht tre vjet dhe rrezikojnë të mos marrin diploma të vlefshme.

Programet e studimit: Gjuhë dhe Letërsi Shqipe (BA), Gjuhë dhe Letërsi Angleze (BA), Fizikë – Kimi (BA), Biologji – Kimi (BA), Matematikë – Informatikë (BA), Teknologji Informative (BA), Histori – Edukatë Qytetare (BA), dhe Gjeografi – Edukatë Qytetare (BA), janë programe të cilat kanë marrë pëlqimin nga Agjencia e Akreditimit për periudhën njëvjeçare.
Dekani i Fakultetit të Edukimit, Ethem Çeku, ka thënë se për këtë janë përgjegjëse Ministria dhe Rektorati.

Pjesëtarët e ROSU-së dalin para drejtësisë për rrahjen e truprojave të Vulinit

0

Policia ne gjakoveNjëmbëdhjetë policët e njësisë elite të Policisë së Kosovës kanë dalë të martën para drejtësisë për shkak të dyshimit se gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ata kanë keqtrajtuar, frikësuar dhe fyer rëndë dinjitetin e truprojave të ministrit serb pa portofol, Vulin.Pjesëtarët e Njësisë Speciale Operative të njohur si ROSU, Gani Konjuhi, Sabit Sadiku, Naim Durmishi, Sevdaim Abdullahu, Nexhmedin Zahiti, Jeton Ramadani, Nexhat Shabani, Xhafer Hyseni, Vesel Kerqeli, Zenel Salihu dhe Ilmi Rexhepi akuzohen nga prokurorja e EULEX-it, Natasha Vicary, se kanë rrahur dhe keqtrajtuar 10 truproja të ministrit serb, Aleksander Vulin – shkruan sot ‘Koha Ditore’.

Dy prej tyre akuzohen edhe për kanosje me armë, duke ua vënë në kokë përkatësisht në gju revolen dy truprojave të Vulinit për t’i detyruar ata që të pranojnë se “ndodhen në Republikën e pavarur të Kosovës”

Njëmbëdhjetë policët e njësisë elite të Policisë së Kosovës kanë dalë të martën para drejtësisë për shkak të dyshimit se gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ata kanë keqtrajtuar, frikësuar dhe fyer rëndë dinjitetin e truprojave të ministrit serb pa portofol, Vulin.

Në seancën e dytë fillestare që nuk ka zgjatur më shumë se 20 minuta, kryetari i trupit gjykues, Vladimir Mikula, u ka thënë palëve se vendimin nëse do të ketë gjykim apo do të hidhet aktakuza poshtë, do t’ua komunikojë me shkrim. Paraprakisht prokurorja Natasha Vicary ka lexuar aktakuzën, derisa mbrojtja ka kërkuar hedhjen poshtë të saj dhe shpalljen e provave të papranueshme.

Bburime të gazetës kanë thënë se e gjithë kjo përbën një improvizim. Pas tërheqjes së urdhrit për arrestim, Vulin kishte ardhur sërish në Kosovë.