11.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Hartuesit: Kushtetuta ka realizuar misionin e saj historik

Reforma hap KushtetutënMe rastin e shënimit të 6-vjetorit të Ditës së Kushtetutës, disa nga hartuesit e saj, Hajredin Kuçi, Fatmir Sejdiu dhe Arsim Bajrami, janë shprehur të kënaqur me funksionimin dhe zbatimin e aktit më të lartë të shtetit të Kosovës.

Ata kanë vlerësuar se Kushtetuta e Republikës së Kosovës gjatë kësaj periudhe ka arritur ta realizojë misionin e saj historik, atë të shtetndërtimit. Sipas tyre, Kushtetuta është normuar dhe po funksionon në përputhje me kohën e veprimit dhe do të evulojë sipas dinamikës së jetës politike.

Me këtë rast, ish-kryetari i Komisionit për Hartimin e Kushtetutës, njëherësh zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se përveç funksionimit institucional, tani zbatimi i plotë i Kushtetutës është duke ndodhur në tërë territorin e vendit.

“Kushtetuta është akti më i lartë dhe me më rëndësi në vendin tonë pas Deklaratës së Pavarësisë, është akt nga i cili është realizuar synimi ynë, Deklarata e Pavarësisë, por edhe është krijuar baza juridike për ligjet dhe institucionet e vendit tonë. Gjashtë vjet pas, si kryetar i Komisionit Kushtetues, si zyrtar dhe, mbi të gjitha, si qytetar i këtij vendi, vlerësoj se Kushtetuta ka treguar se është akt juridik modern që respekton në themel të drejtat e qytetarëve të vendit dhe se garanton funksionim të institucioneve duke ruajtur pavarësinë e secilit, por edhe ndërvarshmërinë që e lejon. Sot, përveç funksionimit institucional i cili ka treguar fuqi të zbatimit dhe mbrojtjes së saj, po bëhet edhe zbatimi i saj i plotë në tërë territorin e vendit tonë”, ka thënë Kuçi për “Epokën e re”.

Edhe bashkëhartuesi tjetër i Kushtetutës, Arsim Bajrami, ka thënë se, pavarësisht ballafaqimit me shumë sfida, Kushtetuta e Kosovës ka arritur ta realizojë misionin e saj historik, atë të shtetndërtimit.

“Mendoj se Kushtetuta e Kosovës ka realizuar misionin e saj historik, pra shtetndërtimin, edhe pse ajo gjatë këtyre gjashtë vjetëve është ballafaquar me sfida, siç kanë qenë krizat kushtetuese, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, mbikëqyrja ndërkombëtare si dhe shumë probleme të tjera që janë tipike për shtetet në tranzicion”, ka thënë Bajrami për “Epokën e re”.

Ai ka thënë se Kosova ka nevojë për një kulturë kushtetuese permanente. “Kemi pasur shkelje të Kushtetutës nga nivelet e larta, nga nivelet politike, por kemi pasur edhe respektim të autoritetit të Gjykatës Kushtetuese. Duhet të kërkojmë edhe një edukim kushtetues, edhe një kulturë kushtetuese të institucioneve dhe të qytetarëve që të kuptojnë se në shtetet demokratike respekti për Kushtetutën është respekt për shtetin, për demokracinë dhe për sundimin e ligjit. Prandaj, mendoj se ky edukim dhe kjo kulturë kushtetuese duhet të jetë permanente në Kosovë dhe të vlejë jo vetëm për qytetarët, por edhe për institucionet shtetërore”, ka theksuar Bajrami.

Ndërsa ish-presidenti i Kosovës, një nga bashkëhartuesit e aktit më të lartë juridik, Fatmir Sejdiu, ka vlerësuar se miratimi i Kushtetutës është një nga ngjarjet më të rëndësishme të zhvillimit kushtetues të vendit. “Natyrisht kjo paraqet edhe përmbylljen e korpusit themelor legjislativ mbi bazë të të cilit duhet të zhvillohet i gjithë aktiviteti institucional i institucioneve të republikës”, ka thënë Sejdiu për “Epokën e re”.

Sipas Sejdiut, ka shumë zhvillime të cilat nuk janë bërë në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës dhe që si të tilla kanë lënë pasoja në funksionimin demokratik të vendit dhe ato janë shprehur në shumë rrafshe të jetës.

“E veçantë paralele ka qenë përpjekja që Serbia e ka bërë nëpërmjet strukturave ilegale për ta cenuar rendin kushtetues të vendit, duke imponuar një jetë të dyfishtë deri tani të qytetarëve në veri të vendit dhe duke penguar funksionimin e plotë të funksioneve, sidomos në tri komunat në veri të Kosovës. Kjo është shprehur me tendencën e ndërtimit të strukturave të reja, të cilat, sipas tyre, do të kishin funksione ekzekutive, duke imponuar një rend të ri të funksionimit dhe me këtë edhe të prishjes së karakterit unik të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Sejdiu.

Ai ka thënë se janë të nevojshme ndryshimet kushtetuese të cilat do ta begatonin aktin më të lartë juridik.

Më Shumë

Moti sot i vranët dhe me intervale me diell

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Sipas këtij instituti, temperaturat maksimale të...

Prishja e busollës  

Blerim Shala Asgjë më nuk është si ka qenë më para. Madje, as Evrovizioni. Festivali i këngës evropiane, i cili kësaj here u mbajt në Malme ...

Lajmet e Fundit