15.8 C
Prizren
E enjte, 15 Maj, 2025
Home Blog Page 8634

Në Prizren, qytetin e Pashait

0

Prizreni5-24Kur futeni në qytetin e Prizrenit, patjetër se të bien në sy minaret e shumta të xhamive. Dikur kryeqytet i Shqipërisë Etnike, Lumëbardhi e ndan në dy pjesë. Pjesën e vjetër të qytetit ku është e shtruar me kalldrëm që nga koha e Sulltan Pashës dhe anën tjetër të lumit ku janë të ndërtuara komplekse me banesa dhe hotele.

Përgjatë qytetit të vjetër syri të zë pamje me arkitekturë Osmane. Shtëpitë janë të ndërtuara në stilin Oriental dhe janë të ngjitura më njëra tjetrën.

Në kruan e sheshit me kalldrëm që ka katër burime, ofrohen kalimtarët dhe e pinë ujin e tij. Kush viziton Prizrenin për herë të parë, pirja e ujit në Shatërvan e ka një simbolik.

“Kush pinë ujë për herë të parë në krua të Shatërvanit e gjen fatin në këtë qytet”, thotë Mustafa, një plak afër të 80-ave.
Ky mund të konsiderohet si një mit që ka mbetur nga koha e sundimit të Sulltan Pashait, që xhamia e qytetit të vjetër e mban emrin e tij.

Llogaritet si xhamia më e vjetër jo vetëm në Prizren, por edhe në të gjithë Kosovën.

Uji është me bollëk. Edhe në derë të xhamisë rrjedh ujë nga një krua pa ndërprerë, mirëpo pak kë sheh që e përdor për shkak të muajit të Ramazanit.

Pak metra më larg gjendet kisha. Për dallim nga xhamia që nuk ka asnjë rrethojë, kisha është me rrethoje nga hekuri.

Jo pse në Prizren nuk ka tolerancë fetare, mirëpo në marsin e vitit 2004 ishin djegur shumë kisha nëpër Kosovë, në mesin e tyre edhe kisha që gjendej në Shatërvan.

Qebapi është specialiteti që preferohet më së shumti për ta shoqëruar me çaj rusi.

Pronarët e qepabtoreve qëndrojnë para derës duke të pritur me një mirëseardhje “bujrum” dhe për të shërbyer nga minuta e parë deri kur del nga lokali.

Bukë pogaçe, qebapë me kajmak dhe një ajroni janë në tavolinë sa hap e mbyll sytë, për ta vazhduar me çaj nën shoqërimin e tingujve të Ibrahim Tatlesisit.

Kur del nga qebaptorja – për të vazhduar rrugëtimin bregut të Lumëbardhit- merr një falënderim nga nikoqiri “Teshekyler”.

Dhjetë minuta në këmbë përgjatë Lumëbardhit del në Marash, një pjesë panoramike e qytetit. Gjatë rrugës po ashtu takon një ndërtesë të vogël e gëlqerosur mirë. Është tyrbja në pjesën e Marashit. Aty afër kalon një përroskë e vogël uji që përshkon qytetin në formë gjarpërore.

Qysh nga koha e sundimit të Turqisë arkitektura e qytetit të vjetër pak ka ndryshuar. Me çdo kalldrëm mund ta tregosh nga një histori për këtë qytet, më të vjetrin në Kosovë. Madje në këtë qytet konsiderohet se ka të shtruar kalldrëm para 5 shekujsh.

Muaji i Ramazanit është edhe një arsye që në Prizren ka aq shumë atmosferë. Matanë Lumëbardhit shtohet iftari në shatorr për të gjithë agjëruesit. Ushqimi është përtej përsosmërisë, por gjithmonë oriental.

Pasi hoxha thërret ezanin, dhe përfundon agjërimi, qyteti mbushet përplot. Aty afër xhamisë është një çajtore për të pasionuarit e çajit dhe lojës domino. Kamerieri të sjell çaj dhe kutin e dominosë për t’i rrokullisur katrorët me numrat e fatit.

Një, dy, tre çaja dhe prapë është i shijshëm. Ora bën 12 e natës, ndërsa qyteti vazhdon të gjallërojë.

Në ndërkohë një vajzë zeshkane afër 13-ave vjen me një darabuk i shoqëruar nga një djalë me harmonik që lëshojnë tinguj impresionues.

Ndoshta tingëllon pak ironike, mirëpo melodia e tyre është më e këndshme se e gjithë krijimtaria e estradës së sotme që shfaqen nëpër video klipe të stër ngarkuara me banalitet.

Ata vazhdojnë të luajnë një muzikë meksikane dhe presin ndonjë cent nga vizitorët e bareve. Sa do që iu ofron nuk bëjnë naze, thjesht i marrin dhe vazhdojnë qytetit derisa tingujt i përmbys zhurma e Lumëbardhit.

Koha për syfyr dhe qyteti fillon të zbrazet pak. Shumica e lokaleve janë të hapura për agjëruesit që të han pjesën e parë të ushqimit. Kur fillon të agoi, pastruesit i sheh duke marr mbeturinat e tërë asaj nate të gjatë dhe plot gjallëri.

Mëngjesi gjatë Ramazanit është më i qetë se zakonisht. Mund të pish kafe në Shatërvan i shoqëruar nga një bust i një heroi tw luftës së fundit ku në dorë mban një Kallashnikov, prodhim i shtetit më të madh të armëve Rusisë.

Edhe pse është kundërshtuar shumë vënie e këtij busti nga shoqëria civile dhe qytetarët, ai prapë është përshëndetja e parë kur futesh në qytetin e vjetër. Sidoqoftë, në Prizren mund të ndihesh mirë edhe në dimër edhe në verë. Edhe në Ramazan edhe në Bajram. /Elhami Ismajli – standardi/

Vasfi Baruti: Nexhmija dhe Enveri vranë Qemal Stafën

0

71020Vasfi Baruti e konsideron një “dekorim” të mbuluar me mister vdekjes e Qemal Stafës. Sipas tij, në studimin “Ever Hoxha në optikë të re” vjen një riparje disi ndryshe sepse krimi misterioz ndonjë gjurmë e la… “Atë po e sjellim, sido që e mbuluar me tisin e gati 70 viteve të shkuara. Shkrimtari Nasho Jorgaqi, në librin Qemal Stafa, ka një rrëfim të Nexhmije Hoxhës për natën duke u gdhirë 5 maj, kur u vra Qemali”.

RRËFIMI I NEXHMIJES
Nexhmija e ka rrëfyer në dy mënyra natën e fundit të jetës së heroit. Sipas rrëfimit të parë, atë natë të fundit ajo ka qenë me të, dhe sipas rrëfimit të dytë, ajo ka qenë me të, jo më 4 maj, por në fillim të majit… Rrëfimi i parë:”Në mbrëmjen e 4 majit Qemal Stafa shkoi në shtëpinë nr. 66, në rrugën e Shën Gjergjit. Atë natë bëhej mbledhja e zakonshme e KQ të Rinisë dhe e Komitetit Qendror të Rinisë së Tiranës”. Sipas saj, gjatë orëve të territ, kalonin si shumë shpesh patrullat dhe mbledhja zgjati deri në mëngjes. Ishte 5 maj, dita që do të shkonte për në Vlorë Stafa”. Por, në ribotimin e tretë të librit “Qemal Stafa”, i përmirësuar, shkrimtari Nasho Jorgaqi vjen me tjetër rrëfim të Nexhmije H., e cila nuk është më me Qemalin bashkë natën e 4 majit duke u gdhirë 5 maj, ndryshe nga rrëfimi në botimet e mëparshme që natën e 5 majit deri në mëngjes e kaluan bashkë dhe në këtë rrëfim ndryshe është dyshimi.

“Aty nga fillimi i majit, Qemali bëri mbledhjen e zakonshme të Komitetit Qendror të Rinisë dhe të Komitetit Qarkor të Rinisë për Tiranën. Kishin ardhur të gjithë dhe ishin mbledhur në një dhomë të bazës ilegale…. Para se të fillonte nga puna Qemali, siç e kishte zakon, bisedoi e bëri shakara duke treguar ndonjë anekdotë që vinte në lojë fashizmin. [..j Atë natë, – tregon për këtë Nexhmije Hoxha, – kalonin si shumë shpesh patrullat dhe mbase nga zhurma e çizmeve të tyre të rënda, të shqetësuar lehnin qentë e mëhallës”….Sipas këtij rrëfimi, Stafa në mëngjes mësohet të ketë thënë se “kjo ditë s’është akoma e jona. E dini, – tha duke qeshur me entuziazëm, – kur të vijë dita jonë, ja kështu siç jemi do të dalim në bulevard e do të këndojmë e do të thërrasim deri në mëngjes”. Dhe më tej shkrimtari vazhdon: Mbledhja zgjati deri në mëngjes. Qemali atë natë nuk fjeti fare dhe kjo ishte e zakonshme në jetën e tij prej ilegali [ … ] Ditën e fundit, më 4 maj, ai u kthye në shtëpinë e patriotit Hysen Dashi, baza nr. 66 në Rrugën e Shëngjergjit. Këtu Qemali u takua me shokun Enver…

RRËFIMI I ENVERIT
Një tjetër version vjen nga bashkëshorti i Nexhmijes sipas Barutit. Studiuesi shkruan në librin e tij se Enver H. Në botimin “Kur lindi Partia”, dhjetë vjet nga botimi i librit “Qemal Stafa”, sjell për herë të parë kujtimet e natës së fundit, duke aguar dita e 5 majit, me përfundimin se ishte ai vetë me Qemalin natën duke u gdhirë 5 maji, kur do të vritej Qemali: “Dita e fundit e pjekjes time me Qemalin ishte më 4 maj. U poqëm në bazën nr.66, në rrugën e Shëngjergjit, në shtëpinë e Hysen Dashit. Me Qemalin ndenjëm tërë ditën brenda në dhomë dhe punuam. Unë po përgatitja një leksion për Ushtrinë e Kuqe, Qemali përgatitej se te nesërmen, në mëngjes, duke gdhirë 5 maj, do të nisej për në Vlorë. Ramë e fjetëm afër njëri-tjetrit, në një minder të mbuluar me batanije. Në mëngjes u përqafuam dhe u ndamë. Ai u nis për në Vlorë, unë për një mbledhje me shokë…”

Hoxha vazhdon duke u shprehur se si mund të mendonte se e puthi dhe e shtrëngoi për herë të fundit në kraharor shokun, nga më të mirët e Partisë, shokun dhe bashkëluftëtarin e tij të dashur Qemal Stafën?! “Në bazën ku isha erdhi një shok, dhe duke qarë më tha: Armiku na vrau Qemal Stafën. Vura duart në kokë dhe nuk i mbajta dot lotët. Ku e vranë, i thashë. Në Tiranë, më tha shoku, – në një shtëpi në bregun e lumit të Tiranës. U ngrita në këmbë dhe me shpresë i thashë: S’duhet të jetë e vërtetë. Qemali që në mëngjes u nis për në Vlorë. Për këtë jam i sigurt, mos e besoni se armiku hap parulla. Mjerisht, – më tha shoku, – kjo është e vërtetë. Qemali ra duke luftuar, ra heroikisht dhe mbrojti tërheqjen e shokëve që shpëtuan…”, shkruante Enveri.

E VËRTETA SIPAS BARUTIT
Studiuesi, pas krahasimit të këtyre versioneve, shkruan se kujtimet e Nexhmije H. për kalimin e natës së fundit me Qemal Stafën e që ishin bashkë deri mëngjes herët të datës 5 maj, janë po ato, por me një dallim në lëvizje në kohë. Në ribotimin e ri të Qemal Stafës (1983) Nexhmija s’është më me Qemalin natën e 4-5 majit, siç shkruhet në dy botimet para të Qemalit, por me Qemalin ka qenë bashkë katër-pesë ditë më parë se nata e 4-5 majit!

PYETJET
Baruti vëren se në këtë ndërrim kohe ka një mister, Pse Enveri bën protagonistin e takimit me Qemal Stafën natën e fundit të jetës kur protagoniste e vërtetë atë natë 5 maji ishte Nexhmije H?! “Kjo është një nyje në historinë e krimit ndaj Qemal Stafës”,shkruan Baruti. Sa i takon shtëpisë ku Stafa kaloi natën e fundit të jetës, sipas vetë Hoxhës, ajo ka qenë shtëpi e vogël përdhese, me dy dhoma të ndara në mes nga një korridor i ngushtë. Ai ka rrëfyer se s’kishte as 5-6 ditë që ajo shërbente si bazë për shokët ilegalë. “Ishte një nga bazat e reja që qenë marrë pas zbulimit të bazave të vjetra. Po si bazë e re ishte akoma e pa provuar mirë. […} Qemali vinte për herë të parë në këtë bazë”, tregonte Enveri. Pas kësaj, Baruti shkruan se përgjegjësinë për sigurinë e bazave ilegale të Tiranës e kishte vetë Enveri, i njohur sekretar politik i Qarkorit të Tiranës dhe siguria e bazës ilegale ku do të ishte Qemal Stafa, nga e cila do të nisej për në Vlorë, pritej të ishte merak i madh i Enverit, por ja që gjendej një bazë e “pa provuar mirë” dhe kjo bazë assesi s’duhej zgjedhur për Qemal Stafën. “Gishti drejtohet tek Tarasi sepse vrasja e Qemalit ndodhi pikërisht në këtë bazë të paprovuar mirë ndaj dhe pyetja që rri gjithnjë pezull është: Pse Qemalit i caktohej kjo bazë e paprovuar mirë! Përse? Dhe përse-ja është për Enver H. po edhe për Nexhmije H.”, -shënon studiuesi në librin e tij “Enver Hoxha në optikë të re”.

Sipas Barutit, baza ilegale e zgjedhur për Qemal Stafën s’kishte asnjë element sigurie, ishte e pasigurtë për nga pozicioni ku ishte vendosur dhe mjedisi që e rrethonte atë. “… Por si bazë e re [ilegale] ishte akoma e paprovuar mirë. Për më tepër shtëpia ndodhej përballë kazermave italiane dhe në një vend të zhveshur”, thuhet në librin “Qemal Stafa”. Shtëpia e gjetur për bazë ilegale është në një vend të zhveshur, për rreth saj s’kishte asnjë kaçube, asnjë pemë, asnjë mur, asnjë shtëpi, që të mund të ishin si ndihmë. Nga pozicioni i bazës ilegale në rast rreziku gjendeshe në vend të hapur që kapej nga breshëria e parë e plumbave dhe vërtetë kështu ndodhi me Qemalin. “Me këtë pakujdesi zgjidhej baza ilegale e Qemalit – nga shokët më kryesorë të Partisë, Enveri vetë! Dhe vrasja e Qemalit erdhi pikërisht në këtë bazë ilegale të pasigurtë, “në një vend të zhveshur dhe përballë kazermave italiane, ndaj sërish pyetja: Përse bazë ilegale e Qemalit zgjidhej një bazë kaq e pasigurtë? Dhe përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për këtë e ka Tarasi!”, konstaton Baruti. Sipas tij, me Qemalin në bazë ilegale ishte dhe Kristo Themelko dhe disa shoqe të tjera dhe të gjithë shpëtuan por Qemalin e rrëmbyeri plumbat. Shoqet u kapën nga karabinierët e Themelko mundi t’u shpëtonte plumbave dhe është shumë e dyshimtë si mund të shpëtonte në atë mjedis të hapur pa asnjë mbrojtje! Sigurisht që s’mund të shpëtonte!

TË DYSHUAR
Baruti shënon se Enveri dhe Themelko janë dy të dyshuar të mëdhenj! Ai ka vënë në libër edhe një dëshmi të Kiço Ngjelës, rrëfyer pak kohë para vrasjes. Sipas Ngjelës, Hoxha ishte gjithmonë i fshehtë dhe se në ato kohëra të vështira në Tiranë, ai (Enver H) asnjëherë nuk të shihte në sy, ose edhe po të shihte të këqyrte për të parë nëse mund të besonte ose jo, ndonëse ai kurrë … nuk besonte njeri. “Kishte një ngërç në të folur dhe bisedën e bënte me hope, por gjithmonë ishte shumë i vëmendshëm… I pari që ia kapi këtë natyrë ishte Qemal Stafa. Ai e kuptoi e muajt e fundit donte ti shmangej gjithmonë”, ka treguar Ngjela. Madje ai shprehej se “ka tepër mundësi që të kenë pasur ndonjë përplasje të ashpër me njëri-tjetrin (Hoxha-Stafa), sepse në këtë kohë, ndoshta një muaj para se të vritej, Qemali më tha: Kiço, unë jam i vetmuar dhe të gjithë jemi të rrezikuar […] Nuk e kuptova dot asnjëherë këtë bisedë të fundit me Qemal Stafën dhe, pas vrasjes së tij asnjë herë nuk e largova nga mendja”. Ndërkaq, sipas Barutit, për Stafën ka edhe një prurje tjetër nga Kastriot Myftaraj. Në librin e tij shumë vëllimësh ai vjen me burime arkivore se Qemal Stafa duket kishte rënë në kthetrat e OVRA-s sekrete fashiste dhe autori Enverin e trajton si protagonist në vrasjen e Qemalit. Familjarë të Qemal Stafës janë shprehur se Enver H. nuk vajti asnjëherë në ditën e dëshmorëve apo në kohë tjetër në shtëpinë e Qemal S. dhe kjo shpjegohet vetëm me një arsye të fortë.

PËRFUNDIMET
Ka disa pyetje që shtron në fund Baruti. Përse Nexhmija dhe Enveri ndërrojnë vend e kohë natën e 4-5 majit? Përse Qemalit i rezervohet një bazë ilegale e paprovuar mirë më parë? Përse Qemalin e dërgojnë në një bazë ilegale të pasigurtë për nga pozicioni? Përse Qemali nuk qëndroi në bazën e sigurt nr. 66, ku ishte Enveri? Përse e si shpëtoi Kristo Themelko, që as zogu s’mund ti shpëtonte plumbit të fashistëve në atë bazë të zbuluar? Përse Enveri s’shkeli asnjëherë në shtëpinë e familjarëve të Qemal Stafës, siç e kishte zakon që shkonte në familjet e dëshmorëve ditët e festave kombëtare? Dhe rastësi është që Enveri qe i fundit që ishte me Vojo Kushin në bazën ilegale të tij dhe fare pak kohë pas largimit të tij Vojo rrethohet e vritet me tre shokët e tij? Nga pyetjet e përgjigjet e tyre Enveri s’shpresohet të marrë certifikatë ndershmërie për vrasjen e Qemal Stafës../bw/

Historinë e vërtetë e shkruajnë historianët

0

Xhavit halitiXhavit Haliti

Kushdo ka të drejtë të shkruaj, por askush nuk ka të drejtë të provokojë individë apo të hedhë baltë mbi luftën tonë çlirimtare

Ideja për këtë shkrim më lindi nga debati mediatik për figurën dhe personalitetin e z. Ramush Haradinaj. Kjo shfaqje, që për mua personalisht është e papëlqyeshme, më vuri përballë një pikëpyetje: Do ta lëmë hartimin e historisë së luftës sonë çlirimtare nga Serbia në dorë të disa gazetarëve dhe opinionistëve, që shpërndajnë dhe injektojnë në opinion vlerësimin personal për ngjarje e protagonistë të kësaj lufte? Kjo pikëpyetje, e lindur momentalisht, i hapi rrugë edhe pikëpyetjes tjetër: historinë e luftës çlirimtare do ta bëjmë në mënyrë spontane, përmes kujtimeve të shkruara nga drejtues të saj, ndonjëherë edhe të vetëquajtur, apo në mënyrë të organizuar shtetërisht, në rrugë institucionale dhe profesionale, akademike? Meqenëse e dyta përfshinë disi në vetvete dhe thelbin kuptimor të së pares, po përpiqem t’i jap përgjigje.

1. Ngjarjet e mëdha historike (çlirimi i Kosovës) nuk mund të ndodhnin e finalizoheshin suksesshëm pa pjesëmarrjen masive popullore. (Lufta jonë çlirimtare është fillim e fund vepër e shqiptarëve të Kosovës, e angazhimit, luftës dhe e sakrificave të pazakonta të tyre, që tronditën mbarë Botën.)

2. Drejtimi i çdo lëvizjeje të madhe, organizimi, ecuria, zhvillimet, përcaktimi dhe realizimi i objektivave të tyre mbajnë përherë emra strukturash, organizmash të përbërë nga një numër i vogël njerëzish. Dihen, se janë tërësisht të dokumentuara emrat e anëtarëve të strukturave drejtuese, që paraprinë hartimin e platformës për luftën, për organizimin e strukturave të UÇK-së, për strategjinë, taktikat dhe objektivat e luftës së saj. Në shumicë pjesëtarët e këtyre ish-strukturave janë gjallë, dhe efektivisht aktivë në sfera të ndryshme të zhvillimeve aktuale në Kosovë.

3. Historia dhe politika konvergjojnë dhe divergjojnë. Historia shënon dhe vë kufij kohorë, bën epokë; politika bën shtet dhe ndikon fuqishëm në konsolidimin dhe ecurinë e një kombi, e një populli apo mbarë qytetarëve të një shteti.

Nisur nga sa parashtrova marr guximin të skicoj një sugjerim për nevojën e fillimit të punës së programuar shtetërisht dhe institucionalisht për hartimin shkencor (të besueshëm dhe sa më të vërtetë) të historisë më të fundit të Kosovës.

Më mungon kompetenca të jap ndonjë ide për kufijtë kohorë të nisjes dhe përfundimit të luftës çlirimtare. UÇK-ja është produkt i këtij procesi, që kurorëzoi përpjekjet e së paku tre brezave kosovarësh për çlirimin nga Serbia. Ajo është forca, mjeti realizues dhe simbol i luftës, por historia e saj kurrsesi nuk e plotëson gjithë historinë e luftës sonë çlirimtare. Vendosja e kufijve ndarës mes etapave të lindjes së lëvizjes, organizimit strukturor të saj, luftës së armatosur etj., është dhe mbetet e drejtë dhe detyrim i institucioneve shkencore historike. Historinë e besueshme, që paraqet, madje që konsiderohet e vërtetë, e bëjnë historianët.

Ne duhet të shkruajmë historinë e lindjes së një shteti në Ballkan, që ka përparësinë të jetë në qendër të Evropës dhe në një rajon gjeostrategjik për politikën aktuale ndërkombëtare. Ne duhet të shkruajmë historinë, ku faktori i brendshëm, lufta jonë kundër serbëve, në aleancë dhe në koordinim me aleatët tanë të mëdhenj dhe, konkretisht me ndihmën vendimtare të NATO-s, përfundoi me sukses. Mendoj se u takon historianëve të gjykojnë e të vlerësojnë, përmes argumenteve të besueshme (dokumenteve dhe dëshmitarëve që janë ende gjallë) vlerën dhe kufijtë ndarës mes luftës së UÇK-së dhe kontributit të NATO-s në çlirimin e Kosovës.

Ne duhet të shkruajmë historinë tonë më të re nga institucione që merren në mënyrë profesionale me historinë, nga njerëz të distancuar emocionalisht nga zhvillimet e fundit historike e politike dhe të prirë drejt objektivitetit të gjykimit shkencor. Përmenda historianët, por a mund të konsiderohen të mjaftueshëm shkencëtarët tanë të fushës së historisë? E bëj pyetjen se rrënjët e lindjes, zhvillimit dhe fitores sonë nuk gjenden vetëm në Kosovë, por janë të shpërndara dhe në Shqipëri dhe në Maqedoni, edhe… më sa përmenda, mendoj se historia jonë më e fundit, parakupton dhe kërkon bashkëpunim, së paku, mes institucioneve shkencore historike të të tre shteteve.

Ndaj duke e konsideruar të domosdoshme dhe emergjente hartimin e një platformë për historinë tonë më të re dhe vënien e saj në shërbim të qytetarëve, të shkollës dhe ndërkombëtarëve, sugjeroj: para se historia të shpërdorohet me ose pa dashje nga botime kujtimesh, që përcjellin dëshmi të përjetuara subjektivisht për luftën, apo refleksione gazetarësh dhe opinionistësh, shteti ynë duhet të filloi punën, duke ndarë edhe fonde monetare, për aktivizimin e studimeve shkencore në hartimin me përgjegjësi të historisë sonë më të fundit. Studiuesit tanë ende e kanë luksin t’i kenë gjallë dhe veprues shumë nga protagonistët dhe dëshmitarët e ngjarjeve historike. Nga sa jam në dijeni të zhvillimeve tona të derisotme, mendoj që është koha dhe janë mundësitë institucionale, akademike dhe financiare që sugjerimi i parashtruar në këtë shkrim të mund të tërheqë vëmendjen dhe, do të uroja, që edhe të merrej në konsideratë nga instancat përkatëse shtetërore.

Në këtë propozim, kurrsesi nuk synoj t’u kundërvihem shkrimeve që bëhen e vlerësimet që jepen për luftën dhe figurat e saj. Përkundrazi, mendoj se ato do t’u shërbejnë si material mbështetës historianëve për një parashtrim serioz dhe shkencor të historisë. Kushdo ka të drejtë të shkruaj, por askush nuk ka të drejtë të provokojë individë apo të hedhë baltë mbi luftën tonë çlirimtare.

(Autori është nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës)

Të ndarë rreth “fitimtarit”

0

MeroBaze-gazetarMero Baze

Astrit Patozi ishte zyrtari më i lartë në krye të Partisë Demokratike ditën që u bënë zgjedhjet për kreun e PD-së. Ai ishte nënkryetar i Partisë pa kryetar dhe kryetar i Grupit Parlamentar. Deklaratat e tij rreth procesit , deformimit të votave dhe paracaktimit të garës janë tronditëse. Ai i shpjegoi ato si rrallëkush ka guxuar ta bëjë në atë parti. Ato nuk janë akuza, por fakte të shpjeguara për publikun nga njeriu më i rëndësishëm i asaj partie më 22 korrik, të cilit i ka ardhur ndot të votonte në atë pisllëk që u prodhua.

Në çdo parti, në çdo vend të botës, në çdo fis apo organizim fisnor, në çdo organiztë apo njësi kolektive, një konstatim i tillë meriton një debat serioz dhe minimumi një përgjigje serioze.

Kryetari i emëruar në krye të Partisë Demokratike, duhet të ishte i pari që me përulje duhet të shpjegonte këtë problem të rëndë, që lidhet me zgjedhjen e tij në krye të Partisë Demokratike. E dimë të gjithë që atë e zgjodhën për të mos pasur kryetar, por dhe si i tillë ai e ka detyrim të flasë, qoftë edhe në emër të Familjes. Ai nuk e bëri. Përgjigjia e tij se kanë votuar 41 mijë anëtarë dhe se PD qenka parti e mendimit të lirë, është fyese në radhë të parë për Sali Berishën, i cili e ka pasur nënkryetar atë që Basha e quan një nga të 41 mijët. Ai që ka bërë konstatimet e frikshme për zgjedhjet në PD, nuk ka denjuar as të jetë tek ata 41 mijë votues, votën e të cilëve se ka lexuar askush dhe kaq mjafton që Lulzim Basha të ndjejë detyrimin të përgjigjet.

Por, a mund ta injorojë Basha debatin për zgjedhjen e shëmtuar të tij në krye të PD-së?

Ka disa arsye të forta të besohet se plasaritja e PD, më shumë se sa nga humbja më 23 qershor, po nis nga fitorja e Bashës më 22 korrik.

E para që është evdiente, është se partia besoi realisht garën dhe nisi të prodhojë mbështetje për të dy palët. Një fenomen i tillë është pozitiv në një parti, por përfundon në tragjedi kur t’i shkel rregullat e lojës. Berisha dhe Basha u trembën pikërisht nga fakti se partia besoi garën dhe e vranë atë. Por, ata që besuan garën janë gjallë dhe nuk mund t’i gënjejë askush. Ata as i ngushëllon dot Patozi dhe as i bën dot për budallenj Basha. Ata panë me sytë e tyre se nuk u lejuan të votohet, se nuk ju numërua vota, ose ju dekonspirua ajo dhe nuk e pranojnë këtë. Ajo që bëri çifti Berisha- Basha me zgjedhjet në PD po prodhon brenda asaj partie dy “ideologji”, që po e ndajnë partinë në njerëz që besojnë vetëm tek vjedhja e votës dhe të tjerë që janë të dëshpëruar nga mungesa e së drejtës së votës. Kjo ndarje do thellohet dita- ditës si një zhvillim logjik i njerëzve që nuk u jepet mundësia të zgjidhen dhe të zgjedhin dhe të tjerëve që kanë gjithë pushtetin brenda partisë nën kontroll, si të përzgjedhur të Familjes. Do të jetë beteja e njerëzve të lirë dhe atyre që do të shërbejnë si badigard politikë të Familjes në emër të PD

Së dyti, 22 korriku nis plasaritjen e PD edhe nga lidershipi që prodhon. Siç e shohim përditë, ajo parti vazhdon të ketë kryetar Sali Berishën dhe zëdhënëse, Laurën, Lulin dhe Silvën. Pra, duke bërë sikur iku për të mos ikur, Sali Berisha ka prodhuar një lidership qesharak brenda partisë, të kontestueshëm jo më nga Olldashi, Patozi etj, por dhe nga çdo njeri nën mesatar në selinë e PD-së.

Lulzim Basha po starton në krye të partisë jo vetëm si një figurinë e përzgjedhur me dhunë, por dhe si një mediokër i pagojë, që nuk i del dot zot mandatit të tij. Ai e ka të domosdoshme tashmë të ketë në krah Sali Beirshën jo vetëm në selinë e partisë, por dhe në çdo mbledhje, çdo tribunë dhe çdo hap që duhet të hedh brenda partisë, nëse do ta drejtojë atë.

Autoriteti i tij me zhvillimet e 22 korrikut është asgjesuar dhe ai shikohet nga një pjesë e madhe e PD si një hajdut ordiner votash, që ka futur PD-në në luftë për të marrë një karrige që ndërkohë ja kishin falur.

Një arsye tjetër përse 22 korriku prodhon plasaritje, është dhe sjellja me ata që u përdhënuan më 22 korrik. Në mungesë të guximit për të hapur një debat real për ta ripërfshirë pjesën e përjashtuar në PD, çifti Berisha- Basha po startojnë me linçimin e tyre. Një tufë minjsh janë zgjuar nga vrimat e tyre dhe po flasin për spastrime, hakmarrje dhe gjyq popullor ndaj atyre që tentuan të mos marrin në konsideratë kollovarin në parti.

Kjo nuk është shqetësuese për ata që po linçohen, por për linçuesit. Çifti Berisha- Basha mendon se në këtë vend do përsëritet historia e bythëlëpirësve të Sali Berishës që ikën nga PD-ja dhe u rikthyen aty se u hodhi Berisha nga një kockë. Këtu gabohen rëndë. Kjo është një histori që nis për të vazhduar gjatë, jo si histori bashkimi, por si histori ndarje.

Çifti Berisha- Basha nuk duhet të bindin as Ramën, as Metën dhe as pjesën më të madhe të shoqërisë pse kanë vjedhur votat në PD. Ata duhet të bindin pikërisht ata që kanë vjedhur dhe linçuar më 22 korrik. Dhe ata binden vetëm kur u kërkon ndjesë, kur flet hapur për atë që ndodhi dhe kur punon bashkë me ta për ta korrigjuar. Në të kundërt nuk ndodh asgjë e madhe, por thjesht ke zvogëluar edhe më shumë partinë pa arsye, një muaj pasi populli shqiptar e zvogëloi boll, nga 69 mandate në 43.

Askush në këtë vend nuk është i shqetësuar përse Berisha dhe Basha duan të kenë një parti të tyren të vogël dhe talebane pro tyre. Le ta kenë. Problemi është se nuk do kenë brenda saj, një shumicë shqiptarësh që të mundësojnë ndryshimin që ata të rikthehen dikur në pushtet.

E fundit që dua të theksoj pse 22 korriku ka prodhuar këtë plasaritje, është dhe fakti se shumica e lidershipit po hesht, me shpresë se Basha mund t’u ofrojë diçka në shkëmbim të heshtjes. Degradimi në këtë nivel i një partie të madhe, tregon se sa shumë është vrarë brenda asaj partie sistemi i vlerave, sa shumë është vrarë gara dhe sa pak njerëz kanë personalitet për t’ia ofruar asaj partie në të ardhmen. Ajo parti që u bashkua pas humbjes së Berishës, u nda nga fitorja e Bashës, pikërisht pse pa që tani vlejnë vetëm si bodigard politikë të Familjes.

Ajo që bëri Astrit Patozi nuk ishte as heroizëm dhe as blasfemi. Ajo ishte një intervistë e sinqertë e një njeriu që ka parë me sy e ka prekur me dorë një mekanizëm kriminal, që deformoi vullnetin e partisë më 22 korrik. E ka thënë këtë një njeri që për tetë vite nuk pranoi të ishte asnjë ditë ministër, asnjë ditë i korruptuar, asnjë ditë i përfshirë në kulisat e tenderave, koncensioneve dhe i tërhequr nga keqpërdorimi publik për të mbrojtur çdo krim të pushtetit. E ka thënë këtë dikush që mund të bëhej miliarder si Fahri Balliu, dhe të ishte tashmë idhtar i Bashës. PD nuk do të ketë shans të ketë më një njeri kaq afër krimeve të pushtetit dhe kaq larg përfshirjes në to, sa Astrit Patozi. Në ikjen e tij kishte doemos dhe një lloj bezdie nga gjithë çka parë e ka dëgjuar. Kishte në të një lloj lodhje nga hipokriza pa fund e Berishës, çka u ndodh shumë njerëzve që e njohin nga afër. Kishte doemos dhe fiksimin e një njeriu që nuk i trembet lirisë së tij. Për këtë arsye, intervista e tij do të besohet gjatë, do të citohet gjatë dhe do të lërë vragën e saj të thellë në plasaritjen e PD pas 22 korrikut. Sidomos me përpjekjen për të bërë sikur nuk e dëgjuan.

MAShT reagon: AAK-ja po spekulon

0

MASHT-KosoveMinistria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) reagon ndaj spekulimeve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për qëndrimet e shprehura nga krerët e kësaj partie në një konferencë me media, ku është kritikuar puna e MAShT në disa procese.

“Këtyre spekulimeve dëshirojmë t’iu përgjigjemi me fakte, të cilat po i theksojmë edhe një herë:

1.Objektiva për përfshirjen e fëmijëve në edukimin parashkollor mosha 0-6 vjet, është afatgjate, për të cilën MAShT po bënë përparime të vazhdueshme. Në vitin 2012 është hapur një institucioni parashkollor publik në komunën e Shtimes, dhe po ashtu është në ndërtim edhe një institucion parashkollor në komunën e Malishevës. Një nismë tjetër është ajo e organizimit të edukimit parashkollor publiko-privat, ku tashmë dy institucione publiko- private kanë filluar punën (njëri në komunën e Deçanit dhe një në komunën e Prishtinës). Nëse bëjmë një krahasim të statistikave, shohim se në vitin 2012 përfshirja e fëmijëve në nivelin e edukimit parashkollor ka qenë 5167, ndërsa në vitin 2013 përfshirja e fëmijëve është 5.389 fëmijë. Po ashtu, sa për informim të opinionit publik, në mesin e prioriteteve që ka MAShT, është edhe përfshirja e fëmijëve në klasën parafillore. Këto dy vitet e fundit një kujdes të veçantë po i kushtohet kësaj grup-moshe. Theksojmë se në vitin 2013 kemi 46 grupe edukative më shumë se në vitin 2012. Fëmijët e kësaj grup-moshe të fëmijëve, përveç organizimit në shkolla fillore, janë të organizuar edhe në 70 grupe edukative në organizimin e institucioneve parashkollore publike.

– Trajnimi pilot për implementimin e dokumentit të Standardeve të zhvillimit dhe të mësuarit në fëmijërinë e hershme 0-6 vjet, është mbajtur gjatë vitit 2012, me ç’rast janë trajnuar edukatorët e shtatë komunave në Kosovë, të cilët punojnë në institucionet parashkollore publike, dhe këto standarde menjëherë pas fazës së pilotimit do të zbatohen në të gjitha institucionet parashkollore publike në nivel vendi.

2. Ligji për arsimin parauniversitar i mundëson çdo fëmije regjistrimin dhe vijimin e mësimit të rregullt në çdo institucion të arsimit. Prandaj, shkalla e pranimit të nxënësve fillestar në Kosovë është 98 për qind.
Klasën e nëntë (9) të arsimit të mesëm të ulët e kanë përfunduar rreth 32 000 nxënës, ndërsa në konkurs për regjistrim në klasën e 10 të arsimit të mesëm të lartë (gjimnaze dhe shkolla profesionale) janë planifikuar nga DKA-të gjithsej 33 716 vende për regjistrim të nxënësve, çka tregon se të gjithë ata që kanë përfunduar arsimin e obliguar kanë mundësi të regjistrohen në arsimin e mesëm të lartë.

Për sa i takon arsimit të mesëm, regjistrimi është 86.9 për qind për vitin shkollor 2011/2012. Ndërsa, në krahasim me rajonin, Kosova qëndron më mirë se Kroacia, Maqedonia, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina me 91.8 për qind të nxënësve.

3. Sa i përket Kornizës së Kurrikulës së Arsimit Parauniversitar (KKK) dhe pilotimit të saj dëshirojmë të theksojmë se nuk bëhet fjalë për korniza të reja a të vjetra kurrikulare, por për dokumentin shtetëror të emërtuar Korniza e Kurrikulës e Arsimit Parauuniversitar të Republikës së Kosovës, që është hartuar me një pjesëmarrje të gjerë të të gjithë subjekteve formal e joformal të arsimit në Kosovë dhe me mbështetje e asistencë profesionale edhe të Komisionit Evropian.

Janë arsye objektive ato që e kanë shtyrë procesin e fillimit të pilotimit të KKK-së, ndër të cilat mund të përmenden:

– Vetë kompleksiteti i ndërmarrjes ka kushtëzuar edhe vonesa në fillimin e zbatimit të pilotimit;

– Hartimi i kurrikulave bërthamë ka qenë një ndërmarrje që ka marrë mjaft kohë, aq më tepër që në të kanë qenë të përfshirë subjekte nga institucione përgjegjëse; struktura të MAShT-it, DKA-të, shkolla, konsulentë e konsulencë ndërkombëtare, komunitete, sindikata, qarqe profesionale mësuesish, fakultete etj.

– Gjuha e dytë e huaj në KKK realisht nuk është emërtuar, por ajo varet nga interesat e nxënësve etj. Në të vërtetë, ne aktualisht, në përputhje me interesat dhe nevojat arsimore e kulturore jemi duke hartuar kurrikula për gjuhën gjermane, frënge etj. (nga klasa 6).

– Është e ditur se ekziston numër i konsiderueshëm i kuadrit profesional të kualifikuar për kurrikulat e shkencave të natyrës, të cilat do të realizohen përmes mësimit/temave të integruara. Madje, për këtë mësimdhënësit janë të trajnuar dhe janë bashkëhartues të vetë kurrikulave.

4. Sa i përket përfshirjes së të rinjve në arsimin e lartë, dëshirojmë të theksojmë se shkalla e përfshirjes në këtë nivel të arsimit ka qenë më e ulëta në rajon.
Sipas strategjive për arsimin e lartë të BE-së, përfshirja e grupmoshave 18-25 vjeçare është paraparë të arrihet mesatarisht 30-35% deri më 2015, prandaj rritja e numrit të studentëve, ndër të tjera, ka qenë edhe si parakusht që ta arrijmë mesataren e vendeve të BE-së”, thuhet ne reagimin e MAShT-it.

MAShT i bën me dije opinionit publik se është duke punuar vazhdimisht në ngritjen e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit./PrizrenPress.com/

Enver Hoxha: Jepini Nexhmijes 105 mijë franga

0

Enver hoxha me nexhmijenKorrupsioni duket se i ka rrënjët e thella në vendin tonë. Letrat e viteve 1940, kur Shqipëria qe në kohë lufte hedhin dritë mbi fatin e parave të popullit, që shkonin fillimisht në arkën e Partisë, e më tej, në xhepat e udhëheqësve. Në një nga dokumentet që Vasfi Baruti boton në librin e tij “Enver Hoxha në optikë të re”, shihet një nga kërkesat e shumta që Enveri iu bën aleatëve. Ai kërkonte që 1000 mushka dhe kuaj të vijnë nga Anglia dhe Amerika dhe të viheshin në shërbim të forcave partizane! “Është një kërkesë shumë humoristike sa dhe idiote. Projekti i Shtabit përfundon me këtë propozim: “Bombardimi ajror i Tiranës, Durrësit dhe Vlorës”. Marrëzia e komisarit Enver H. e komandantit Spiro M. i cili ishte edhe ushtarak, është që ka kërkesë për aleatët, që me avionët e tyre të bombardojnë qytetin e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës. Propozimi për bombardimin e Tiranës erdhi fatal për njerëzit”, shkruan studiuesi Vasfi Baruti në këtë biografi të re për udhëheqësin komunist.

FINANCAT
Nga mbledhja themeluese e PKSH-së Enver Hoxha caktohej me detyrën e përgjegjësit të financës së Partisë. Baruti shpjegon se mbase kjo detyrë ka të bëjë me përvojën që Hoxha kishte në dyqanin “Flora” dhe detyrën për financën e partisë e mbajti deri në fund të luftës. “Kurse Hyseni, Gogo Nushi, që kishte detyrën e sekretarit Politik të Qarkorit të Tiranës, – thotë Baruti – kishte në dorë çelësat e kasafortës ku mbaheshin monedha në ar, shufra ari, franga shqiptare, e sende të tjera me vlerë, një arkë që peshonte, ishte e rëndë. Partia ishte e re, dy vjeçe, por e pasur në ar”. Burimi i financës sipas Barutit, ishte grabitja e të kamurve dhe e tregtarëve, edhe çka vinin me shumicë nga misioni anglez, me adresim për familjet që kishin nxjerrë partizanë, por që përfundonin në arkën e Partisë. E asgjë s’mund të dalë nga arka e Partisë pa porosi me shkrim të Hoxhës, të paktën ky qe si lloj urdhri.

LETËR E NAKO SPIRUT PËR TARASIN
Për të kuptuar më mirë se ç’bëhej me pasurinë e popullit të varfër, po veçojmë një nga letrat që ka shtënë në libër Baruti. Ajo është shkruar nga Nako Spiru dhe i drejtohet Hoxhës me një propozim interesant. “…kemi zanë 844 kuintalë sheqer në Bankën e Durrësit. E ka Partia. Ç’të bëjmë? Na japin 120 napolona (flori) për kuintal, afër 100.000 napolona flori. Ne nuk e popullarizojmë. Mue më duket se nuk do të ishte keq të shisnim nja 700 kuintalë. Kemi zanë edhe 150 kuintalë lesh, të cilin po e shpërndajmë që ta punojnë. Vepra është e [A.L], që në Elbasan deshin ta vrisnin gjoja si pederast, gja që nuk e besoj. (…) Na shkruaj sa më parë për sheqerin. Leshin mund ta bëjmë sikur Partia ia dhuroi luftës. Si të bajmë?…”. Siç shihet, paratë e përfituara do i shkonin Partisë. Nuk vonoi dhe për këtë çështje, përgjigja Tarasit për kërkesat që i bën Nako Spiru atij tri ditë më parë. “… Çështja e sheqerit. Unë mendoj si ju. Të shiten të 800 kuintalët dhe të hollat të venë në arkën e Partisë. Pastaj i ndërrojmë me ato që di ti (Napolona flori sugjeron Vasfi Baruti). Në qoftë se kini ar në Tiranë, mos e thyeni. E pyet Hysenin nga unë për atë amanetin që i kishte dhënë Syrjaj (Selfo) besoj se e ka në vend të sigurtë. Llogaritë të mbahen të kjarta. Duhet një shok i veçantë për këto dhe i sigurtë”, i shkruan Hoxha Spirut.

JEPINI PARA NEXHMIJES
Në një tjetër letër, që Tarasi këtë herë e ka shkruar për “Hysenin”, pseudonim për Gogo Nushin, del se “Delegatja”, Nexhmije Xhuglini është shpërblyer më së miri nga arka e Partisë, duke marrë një shumë të konsiderueshme parash, e jo vetëm për kohën. Ja porosia që jep Tarasi, për një shumë parash që nga arka duhet të shkojnë për bashkëshorten e tij të ardhshme. “Hysen, jepni Delegates
105.000 (njëqind e pesë mijë franga shqiptare nga ato të sheqerit”. Ndërkohë, që kjo letër në fund ka këto fjalë: ‘ti ke shpirt murgeshe’. Sipas Barutit, Tarasi- Enveri porosit Nakon që llogaritë të mbahen të kjarta dhe ajo çka pritej ishte që në këtë letër për Hysenin të motivonte edhe arsyen pse i jepen Delegates 105. 000 (njëqind e pesë mijë) franga shqiptare. Dhe kjo shumë e madhe ishte për nevoja private të Delegates Xhuglini. “Rroga mujore e Nexhmije Xhuglinit si mësuese ishte 150 franga shqiptare dhe të ardhurat vjetore nga rroga janë 1800 franga shqiptare dhe nga 105.000:1800 del për sa dhjetëra vite rrogë do të mjaftonin 105.000 franga që merr me një dorë Nexhmija. Ose një llogari tjetër: me kursin e kohës, 15 franga shqiptare shkëmbeheshin me 1 napolon flori dhe llogaria është e thjeshtë sa napolona flori kishte Nexhmije Xh. Sipas studiuesit, kjo është një pasuri shumë e madhe për kohën!”, – shkruan Baruti.

KU SHKOJNË NDIHMAT?
Në një raport të majorit anglez Seymour, me të cilin ai informon qendrën e tij në Bari dhe kjo Londrën, shkruan se ka konstatuar që ndihmat e shumta në sterlina që jepte Londra nuk shkonin në ndihmë të familjeve që kishin nxjerrë partizanë në luftë, ato shkonin në xhepat e krerëve të luftës, si Tarasi e të tjerë. Ja si shkruan Seymour në raport: Nacionalçlirimtarja insiston gjithnjë për ndihma. Si përgjigje i kam dhënë me kuptue mbi sasinë e pareve që i kemi pasur dhënë si edhe i premtova se do t’i japim prapë. Kryetarët e çetave nuk dëshirojnë të ceket as të bisedohet çështja e parave të dhanuna. Paratë, simbas informatave që mora kohët e fundit, nuk janë përdorun për të pakësue mjerimet e familjeve, por janë derdhun në kasën e Partisë Internacionaliste”…

Vetëm me “Ultimatum” mund të zbatohet Marrëveshja Kosovë-Serbi ???

0

Sylë ArifiSylë Arifi

Është inkurajus qendrimi i Gjermanis, se Serbia dhe Kosova kanë shënuar përparim në normalizimin e marrëdhënjve. Shumë probleme janë kapërcyer, “duke shpresuar se do të kalon keshtu me lehtesi sikur skenat e përqafimeve nga ndermjetsuesia me dy kryeministrat”. Këshilli i Evropës në dhjetor prapë do të merret me Serbinë, që ta analizoi zbatimin apo jo të marraveshtjës se arritur në Bruxel. Serbia historikisht nuk ka qen e interesuar ti normalizoi raportet me Shqiptaret dhe në veqanti me Shtetin e Kosovës, shif vazhdimin e takimeve të dy ekipeve si dhe ketyre dy të fundit të kryenegociatorve si të deshtuara! Pra, serbia synon të ketë përfitimeve politike dhe ekonomike në raport me Kosovën nga mekanizmat ndërkombëtarë. Prandaj edhe kësaj radhe me keto bisedime Kosova e ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë Serbin në avancimin dhe prespektiven e sajë nderkombëtare, dhe neve po kenaqemi me shumë pakë rezulltate apo mos me than me ngecje në shumë fusha.

Shteti i serbis nuk e ka njohu pavarsin e Kosovës, dhe kjo fare nuk po i brengos nderkombëtaret dhe as që po i pengon Lideret politik e institucional të Kosovës. Pra ky ka qen kusht themelor që jua ka dashur serbis që ta përmbush misjonin e sajë, të hyrjës në BE. Ajo pra, nuk ka pranuar as të bisedoi për kompensimin e dameve të luftës, nuk ka pranuar ti kthen dokumentet origjinale të plaqkitura, nuk i ka kthyar të vrarët në Luftën e Kosovës, nuk ka kerkuar falje për të gjitha ato krime që i ka ba nga policija dhe ushtrija e tyre. Natyrisht se ka munguar presioni nderkombëtar dhe leshimet nga klasa e jon politike që nga pas lufta e deri me sot.

Lëshimet ndaj serbis jan bërë vazhdimisht që nga pas lufta, e deri me sot, pa e llogaritur fundin e keti proqesi edhe pas kalimit të 14 viteve nga qlirimi i Kosovës dhe 5 vite nga shpallja e pavarsisë së Kosovës. Progresi në zbatimin e masave për çka janë pajtuar Prishtina dhe Beogradi, duhet të vërtetohet me raportin e Komisionit Evropian deri në fund të nëntorit 2013. Është deklaruar gjithashtu se një tjetër synim, para përfundimit të negociatave për anëtarësim, duhet të jetë një marrëveshje detyruese juridike në mes të Kosovës dhe Serbisë, si synim i procesit të normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Kjo marrëveshje duhet të sigurojë që Kosova dhe Serbia, si anëtare të plota të BE-së, në bazë të akteve evropiane, mund të përdorin në mënyrë të pavarur bashkërisht të drejtat dhe detyrimet e tyre. Nëse Serbia, pas hapjes së negociatave për anëtarësim, heziton në zbatimin e angazhimeve, pezullon ose tërheqë ato, negociatat e aderimi të sajë në BE duhet të ndalen.

Mexhithate, i ashtuqujtuari “babaj i kombit serb” Dobrica Cosic, hartues i shumë memoranduneve kundër Shqiptarve, kesaj radhe mendon duke e gjykuar Marrëveshjën e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, si dështim të politikës shtetërore serbe, dhe fajin e bartë të politika serbe, deri në ditën e sotme, dhe njikosisht e konsideron si fitore të SHBA-s dhe Gjermanisë. Kryeministri i Serbisë, thot se për Serbinë është e papranueshme pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet lokale të Kosovës, duke u kushtëzuar me posedimin e dokumenteve personale të Kosovës, dhe paralajmëron se lidhur me këtë çështje do të bisedohet në takimin e ardhshëm në Bruksel, më 24 korrik. Gjithashtu, shton se Serbia nuk mund të lejojë që zbatimin i marrëveshtjës së Brukselit të bëhet mbi bazën e shtetësisë së Kosovës. Qudetrisht edhe pas keti qendrimi nuk pati regime nga negociatoret apo klasa politike e Kosovës, si duket marraveshtja e nenshkruar nuk po bahet transparente në të gjitha pikat e saja për popullin e Kosovës. Kryeministri serb thot se serbët nuk duhet të marrin pjesë në zgjedhje që të forcohet pavarësia e Kosovës por që të legjitimohen udhëheqësit e serbëve në Kosovë.

Pse po kamofllohet me zgjedhjet në veri, kur Ligji për zgjedhjet në Kosovë duhet të respektohet edhe në pjesën veriore të vendit. Edhe për faktin se zgjedhjet në këtë pjesë të vendit do të mbahen sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel. Megjithatë, zgjedhjet do të jenë të rregullta dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi të Repuplikës së Kosovës. Sipas ligji mbi zgjedhjet gjdo qytatar Shtetas i Kosovës me dokument valid është kusht i domosdoshëm për të votuar. Nese votuesi ka dy shtetsi ka të drejtë të votohet dhe të votoi. Pra kusht qensor është që votusi ta ketë shtetsin e Kosovës, sepse për ndryshe ai nuk mund të jetë qytetar apo votues lojal i shtetit ku votohet. As ni Shtet në Bot nuk ju njef të drejtën e votimit qytatarve të shteteve tjera, nese ai nuk e ka shtetsin e ati shteti ku voton.

Gjatë bisedimeve Kosovë-Serbi jan paraparë krijimi i disa ekipeve punues për Studimin e Fizibilitetit për magjistralen Prishtinë-Nish, këmbimi i zyrtarëve ndërlidhës mes dy vendeve, dhe grupet punues për energji dhe telekom. Ratifikimi i marraveshtjës për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve është bërë vetem nga pala e Kosovës, ndersa Serbia as që e ka provuar ta ban këte akt të legjitimimit politik të marraveshtjës si akt nderkombëtar. Pra, qendrimet e serbis jan të dyshimta dhe lan për tu deshiruar, sepse nga dy takimet efundit nuk ka kurrfar rezulltate konkrete as për proqesin e zgjedhjeve në veriun e Kosovës, per gjykatat, policin dhe të ashtuqujtur mbrojtja civil sebe, kodin telefonik, etjera veprime që jan të sanksionuara në marraveshtjën e nenshkruar nga dy palët negociatore. Gjithashtu,kerkesa e palës serbe që edhe në veri të ketë Gjykatë Themelore, paraqet shkelje të rendi juridik dhe Kushtetutus të Republikës së Kosovës, duke krijuar presedan ligjor me sistem paralel të drejtësisë në Shtetin e Kosovës.

EULEX-i, në Kosovë kanë qenë i pavarur dhe se nuk ka pas kurrfarë ndërhyrje nga institucionet Shtetrore të Kosovës në këtë mision. Ndërsa,thanja se EULEX-i do të ndihmohet në këtë mision në arritjen e qëllimit të tij, pa u sqaruar deri në fund se kush është ky qellim. Gjithashtu ka mendime dhe vlersime se EULEX-i, përveç që dështoi në shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit, ai nuk arriti as të luftojë krimin e organizuar,dhe korrupsionin. Ndersa une autor i këti shkrimi do të thoja se shtrirjën e autoritetit shtetror në gjith Repuplikën e Kosovës pra edhe në veri do të duhet ta banim neve vetë pra institucjonet tona për qka edhe jan mandatuar me votën e popullit pas shpalljës së pavarsis së Kosovës. Pysim, pse a thua deri me tani EULEX-i, në misjonin e vetë nuk ndermorri as ni veprim ligjor për hetime ndaj shum krimeve dhe kriminelve serb që ata i kan ba gjatë dhe pas luftës në teritorin e Kosovës. Pse nuk ndermorri asgjë për djegien e trupave të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit apo të burgosurve të metur në fundin e luftës nëpër burgjetë serbe e që janë djegur në shkritore të Serbisë, dhe mbi dhjetë mi dhunimeve. Arsyetimet se asgjë nuk mund të thuhet përderisa informacionet vazhdoin të jetë në kuadër të Kinse spekulimeve, ku është than se ekzistonin dëshmitarët e gjallë, ndersa kur është në pytje për Shqiptaret, UQK-n, ushtaret dhe komandantet e sajë po qpikën apo kamoflohen prova vetem e vetem për të e demtuar imazhin nderkombëtar të popullit ton liridashës. Ende janë 1.700 persona, fati i të cilëve ka mbetur enigmë, dhe as ni veprim nuk është ndermarrur për ti lan në harresë.

Është e vertet se klasa politike dhe institucionale ka bashkpunim të ngusht me qendrat nderkombëtare, dhe është e mir, por se nga nihere po na del shum e degjushme-e, duke i harruar zotimet para popullit të Kosovës se do ta arrim këte apo ate të drejtë. Pesë vite me pavarsin e Kosovës, dhe po shtohen kërkesat apo kushtet për ta fituar liberalizimin e vizave, per ta bërë ushtrin e Kosovës, për ta fituar të drejtën e stabilizim asocimit në Bashkimin europjan e keshtu me radhë…….

BE-së u është përgjigjur kërkesës së Kosovës për asistencë me mision të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, për të ndihmuar, me kshillime dhe eksprienca nderkombëtare në ndërtimin dhe fuqizimin e sundimit të ligjit. Por, mund të pysim se sa është duke u plotsuar ky misjon apo në shumicën e veprimeve është kaluar jasht keti misjoni duke e shkelur? Besoi se veq ka kaluar koha kur ky misjon nderkombëtar ka qen i nevoishëm dhe progresiv për Shtetin e Kosovës, dhe tani duhet të rivlersohet qendrimi i sajë i mëtejm në Kosovës, sepse këte disa here e kan kerkuar jo vetem subjekte politike, levizje qytetare por ka disa momente që e kan kerkuar edhe Institucjonet shtetrore dhe lider Institucional të Kosovës. Me Eulex-in, proqeset për forcimin e avancimin e autoritetit shtetror të Kosovës vetem sa është duke u zbehur. Edhe Serbia është duke e qfryetzuar këte regresë të proqeseve, dhe me mjeshtri diplomatike po i “lariqkavet” BE-s, për tu treguar koperuse sidomos në fillimin dhe vazhdimin e negociatave Kosovës dhe serbis për ta fuqizuar pozicjonin e vetë drejtë avancimeve nderkombëtare. Serbia vetëm e detyruar mund të zbatoi qfardo marraveshtje qoft edhe implementimin e marraveshtjës së arritur nga dy kryeministrat e dy shteteve.

Sot dhe nesër, provimet pranuese në UP

0

UP-rektoratiSot dhe nesër, në fakultetet e Universitetit të Prishtinës “ Hasan Prishtina”, mbahet provimi pranues i aplikantëve në degët ku ata kanë aplikuar. Ndërkohë, më 30 korrik do të bëhet publikimi i rezultateve, kurse një ditë më vonë bëhet pranimi i ankesave, të cilat do t’i shqyrtojë një komision i kryesuar nga rektori.

Ndërkaq, më 5 gusht do të publikohen listat sipas ankesave, kurse nga 2 deri më 6 shtator do të bëhet regjistrimi i studentëve për afatin e parë, me orar të caktuar për fakultetet përkatëse.

‘Die Welt’: Rrallë lahet ndonjë turist në Shqipëri

0

Shqiperia7-26E përditshmja e njohur gjermane “Die Welt” i kushton një reportazh Shqipërisë, me titullin “Në këtë vend të Mesdheut rrallë lahet ndonjë turist”.

Shkrimi ka ardhur pas publikimit të një guide të Shqipërisë nga Renate Ndarurinze.

Në shkrim theksohet që në fillim dashuria e shqiptarëve për ish- trajnerin e kombëtares, Hans- Peter Briegel.

“Por ju lutem, çfarë mund të duhet Shqipëria? Edhe pse i përket Europës, këtu ndjehesh tmerrësisht larg. Por ka diçka të veçantë ky vend, është befasues, mahnitës dhe i çuditshëm”, raporton INA.

Në shkrim thuhet, referuar guidës, se për Shqipërinë ka shumë pak që shkruajnë, le më ta vizitojnë.

I vetmi përshkrim pozitiv është ai mbi faktin se kryeqyteti gri është lyer me ngjyra nga ish- kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama.

Sipas gazetës, qëndrimi në Shqipëri është i natyrës spartane.

Në shkrim theksohet se industria e turizmit ka frikë të investojë, ndërkohë që nuk ka asnjë hotel apo resort të madh.

Shumica e turistëve vijnë nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Por shifrat nuk e sqarojnë se cilët janë turistë dhe cilët vijnë për punë.

Bledar Gashi zgjedhet kryetar i ARK-së në lagjen “Arbanë”

0

AAK-logoBledar Gashi është zgjedhur kryetar i nëndegës së Aleancës së të Rinjve të Kosovës (ARK) në lagjen “Arbanë” të Prizrenit. Pas marrjes së besimit, Gashi premtoi se do të punojë për të rinjtë e lagjes “Arbana”.

Përveç kryetarit të nëndegës së AAK-së në Arbanë, Bajram Kastrati, të pranishëm në Kuvendin Zgjedhor ishin edhe tre nënkryetarët e Degës, Bujar Nerjovaj, Pal Geci dhe Avdullah Tejeci.

Në emër të kryesisë së Degës së AAK-së, të pranishëmve iu drejtuar nënkryetari Bujar Nerjovaj. Ai tha se është i kënaqur me numrin e madh të pjesëmarrësve. ”Kjo pjesëmarrje është për admirim dhe se roli i të rinjve të Aleancës së Kosovës është i pamohueshëm”, tha Nerjovaj.

Kryetari i nëndegës së AAK-së në Arbanë Bajram Kastrati, ndërkaq falenderoi të rinjtë e lagjes “Arbanë” që iu kishin përgjigjur ftesës për kyqje në Aleancë. “Ju jeni e tashmja dhe e ardhmja e lagjes “Arbana”, por edhe e Prizrenit”, tha Kastarti.

Sipas tij, të rinjtë e “Arbanës” do të angazhohen për të realizuar projektet që kanë të bëjnë për të mirën e tyre.Të rinjve iu drejtua edhe kryetari i ARK-së Zenel Dulla, i cili falenderoi të rinjtë për vullnetin e tyre për të punuara krah Aleancës së të Rinjve të Kosovës./PrizrenPress.com/