Korrupsioni duket se i ka rrënjët e thella në vendin tonë. Letrat e viteve 1940, kur Shqipëria qe në kohë lufte hedhin dritë mbi fatin e parave të popullit, që shkonin fillimisht në arkën e Partisë, e më tej, në xhepat e udhëheqësve. Në një nga dokumentet që Vasfi Baruti boton në librin e tij “Enver Hoxha në optikë të re”, shihet një nga kërkesat e shumta që Enveri iu bën aleatëve. Ai kërkonte që 1000 mushka dhe kuaj të vijnë nga Anglia dhe Amerika dhe të viheshin në shërbim të forcave partizane! “Është një kërkesë shumë humoristike sa dhe idiote. Projekti i Shtabit përfundon me këtë propozim: “Bombardimi ajror i Tiranës, Durrësit dhe Vlorës”. Marrëzia e komisarit Enver H. e komandantit Spiro M. i cili ishte edhe ushtarak, është që ka kërkesë për aleatët, që me avionët e tyre të bombardojnë qytetin e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës. Propozimi për bombardimin e Tiranës erdhi fatal për njerëzit”, shkruan studiuesi Vasfi Baruti në këtë biografi të re për udhëheqësin komunist.
FINANCAT
Nga mbledhja themeluese e PKSH-së Enver Hoxha caktohej me detyrën e përgjegjësit të financës së Partisë. Baruti shpjegon se mbase kjo detyrë ka të bëjë me përvojën që Hoxha kishte në dyqanin “Flora” dhe detyrën për financën e partisë e mbajti deri në fund të luftës. “Kurse Hyseni, Gogo Nushi, që kishte detyrën e sekretarit Politik të Qarkorit të Tiranës, – thotë Baruti – kishte në dorë çelësat e kasafortës ku mbaheshin monedha në ar, shufra ari, franga shqiptare, e sende të tjera me vlerë, një arkë që peshonte, ishte e rëndë. Partia ishte e re, dy vjeçe, por e pasur në ar”. Burimi i financës sipas Barutit, ishte grabitja e të kamurve dhe e tregtarëve, edhe çka vinin me shumicë nga misioni anglez, me adresim për familjet që kishin nxjerrë partizanë, por që përfundonin në arkën e Partisë. E asgjë s’mund të dalë nga arka e Partisë pa porosi me shkrim të Hoxhës, të paktën ky qe si lloj urdhri.
LETËR E NAKO SPIRUT PËR TARASIN
Për të kuptuar më mirë se ç’bëhej me pasurinë e popullit të varfër, po veçojmë një nga letrat që ka shtënë në libër Baruti. Ajo është shkruar nga Nako Spiru dhe i drejtohet Hoxhës me një propozim interesant. “…kemi zanë 844 kuintalë sheqer në Bankën e Durrësit. E ka Partia. Ç’të bëjmë? Na japin 120 napolona (flori) për kuintal, afër 100.000 napolona flori. Ne nuk e popullarizojmë. Mue më duket se nuk do të ishte keq të shisnim nja 700 kuintalë. Kemi zanë edhe 150 kuintalë lesh, të cilin po e shpërndajmë që ta punojnë. Vepra është e [A.L], që në Elbasan deshin ta vrisnin gjoja si pederast, gja që nuk e besoj. (…) Na shkruaj sa më parë për sheqerin. Leshin mund ta bëjmë sikur Partia ia dhuroi luftës. Si të bajmë?…”. Siç shihet, paratë e përfituara do i shkonin Partisë. Nuk vonoi dhe për këtë çështje, përgjigja Tarasit për kërkesat që i bën Nako Spiru atij tri ditë më parë. “… Çështja e sheqerit. Unë mendoj si ju. Të shiten të 800 kuintalët dhe të hollat të venë në arkën e Partisë. Pastaj i ndërrojmë me ato që di ti (Napolona flori sugjeron Vasfi Baruti). Në qoftë se kini ar në Tiranë, mos e thyeni. E pyet Hysenin nga unë për atë amanetin që i kishte dhënë Syrjaj (Selfo) besoj se e ka në vend të sigurtë. Llogaritë të mbahen të kjarta. Duhet një shok i veçantë për këto dhe i sigurtë”, i shkruan Hoxha Spirut.
JEPINI PARA NEXHMIJES
Në një tjetër letër, që Tarasi këtë herë e ka shkruar për “Hysenin”, pseudonim për Gogo Nushin, del se “Delegatja”, Nexhmije Xhuglini është shpërblyer më së miri nga arka e Partisë, duke marrë një shumë të konsiderueshme parash, e jo vetëm për kohën. Ja porosia që jep Tarasi, për një shumë parash që nga arka duhet të shkojnë për bashkëshorten e tij të ardhshme. “Hysen, jepni Delegates
105.000 (njëqind e pesë mijë franga shqiptare nga ato të sheqerit”. Ndërkohë, që kjo letër në fund ka këto fjalë: ‘ti ke shpirt murgeshe’. Sipas Barutit, Tarasi- Enveri porosit Nakon që llogaritë të mbahen të kjarta dhe ajo çka pritej ishte që në këtë letër për Hysenin të motivonte edhe arsyen pse i jepen Delegates 105. 000 (njëqind e pesë mijë) franga shqiptare. Dhe kjo shumë e madhe ishte për nevoja private të Delegates Xhuglini. “Rroga mujore e Nexhmije Xhuglinit si mësuese ishte 150 franga shqiptare dhe të ardhurat vjetore nga rroga janë 1800 franga shqiptare dhe nga 105.000:1800 del për sa dhjetëra vite rrogë do të mjaftonin 105.000 franga që merr me një dorë Nexhmija. Ose një llogari tjetër: me kursin e kohës, 15 franga shqiptare shkëmbeheshin me 1 napolon flori dhe llogaria është e thjeshtë sa napolona flori kishte Nexhmije Xh. Sipas studiuesit, kjo është një pasuri shumë e madhe për kohën!”, – shkruan Baruti.
KU SHKOJNË NDIHMAT?
Në një raport të majorit anglez Seymour, me të cilin ai informon qendrën e tij në Bari dhe kjo Londrën, shkruan se ka konstatuar që ndihmat e shumta në sterlina që jepte Londra nuk shkonin në ndihmë të familjeve që kishin nxjerrë partizanë në luftë, ato shkonin në xhepat e krerëve të luftës, si Tarasi e të tjerë. Ja si shkruan Seymour në raport: Nacionalçlirimtarja insiston gjithnjë për ndihma. Si përgjigje i kam dhënë me kuptue mbi sasinë e pareve që i kemi pasur dhënë si edhe i premtova se do t’i japim prapë. Kryetarët e çetave nuk dëshirojnë të ceket as të bisedohet çështja e parave të dhanuna. Paratë, simbas informatave që mora kohët e fundit, nuk janë përdorun për të pakësue mjerimet e familjeve, por janë derdhun në kasën e Partisë Internacionaliste”…