10.4 C
Prizren
E diel, 27 Prill, 2025
Home Blog Page 8648

Mobilizohet BD-ja

0

Zafir Berisha nme strukturaBashkimit Demokratik në Prizren, ka diskutuar për organizimin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen në nëntor të këtij viti.
Komisionet profesionale të BD-së kanë prezantuar para organeve udhëheqëse projekt-planet e përgatitura për hartimin e programit zgjedhorë me ç’rast u caktua edhe ekipin që do të përgatit këtë program i cili do të jetë garantues për fitore në këto zgjedhje.

Kryetari i BD-së, Zafir Berisha tha se Kryesia gjithashtu ka diskutuar edhe për kriteret që duhet të kenë kandidatët të cilët do të garojnë në zgjedhjet lokale.

“Është një gadishmëri e madhe dhe unitet që në zgjedhjet e tre nëntorit të garojmë me ekip i cili do të triumfojë”, tha Berisha.

Nga rinia e BD-së në zgjedhjet e nëntorit do të garojnë katër kandidatë, kryetari Gani Germizaj, nënkryetari Nehat Gashi ,sekretari Leart Batusha dhe anëtarja e kryesisë Shqipe Bytyqi.

“Strukturat e Bashkimit Demokratik në të gjitha nivelet janë obliguar që të thellojnë bashkëpunimin me qytetarë për të kërkuar besimin e tyre për BD-në dhe t’i garantojnë ata që vota e tyre për Bashkimin Demokratik është votë kundër krimit të organizuar,korrupsionit dha vasalitetit politik të cilët e kanë dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës dhe Prizrenit para Bashkësisë Evropiane”, tha Berisha./PrizrenPress.com/

 

Administrata në Malishevë, me orar të zgjatur për shërbim të mërgimtarëve

0

MalishevaQeveria  komunale e Malishevës, ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të saj, të drejtuar nga Kryetari  i  Komunës, Isni Kilaj,  ku janë diskutuar çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me punët e përditshme të qeverisë komunale, si dhe për çështje të tjera aktuale, siç është fushata e korrje shirjeve, situata endemike nga ethet hemorragjike dhe çështje të tjera.

Drejtori i Drejtorisë së  Administratës, Haki Krasniqi, njoftoi se kërkesat për dokumentacion në shërbimin e ofiqarisë, janë shtuar dukshëm. Sipas Krasniqit, varësisht prej nevojave, do rritet edhe orari i punës për shërbimin e ofiqarisë dhe në asnjë mënyrë qytetarët nuk do të presin për marrjen e dokumenteve të kërkuara, në veçanti mërgimtarët, kur tash pritet edhe shtimi i numrit të mërgimtarëve që vijnë në pushime.

Drejtori për Bujqësi Pylltari dhe Zhvillim Rural, Sinan Kryeziu tha ndërkaq se janë shpërndarë  40-të krerë lopë qumështore në posedim  të personave  që janë të interesuar për të  prodhuar  për treg” dhe në mes tjerash njoftoi edhe për fushatën e korrje shirjeve, që ka filluar dhe po vazhdon mbarë. Sipas  Kryeziu, rendimentet mesatare janë të kënaqshme, ndërsa nuk janë regjistruar probleme, përjashtuar disa dëme të cilat janë shkaktuar nga breshëri që kanë rënë të dielën, në disa vendbanime të Malishevës.

Sa i përket situatës me ethet hemorragjike, ka njoftuar drejtori për shëndetësi, z.Skënder Hoti. Sipas tij, “në Klinikën Infektive të QKUK-së, kemi të shtrirë dy persona dhe  gjendja  e tyre është stabile”. “Dymbëdhjetë persona janë regjistruar të infektuar  me rriqrat, ndërsa deri më sot numri i të thumbuarve nga rriqrat është 1741 persona, që janë paraqitur në emergjencën e QKMF-së në Malishevë, përderisa fushata e spërkatjes së zonave endemike, po vazhdon ende”, njoftoi drejtori Hoti./PrizrenPress.com/

 

“Zambaku i Prizrenit”, gjysmë i drejtëpërdrejtë e gjysmë “fals”

0

Festivali-Zambaku i PrizrenitDikur njihej si festivali emblem i qytetit me shumë traditë dhe kulturë. Sa herë që këndohet kënga “Zambaku i Prizrenit”, kujtimi i parë sjell festivalin i cili nëpër vite ka sjellë muzikën e mirëfilltë në Prizren.

Të shtunën mbrëma festivali ka mbajtur edicionin e tij të 26-të me 14 këngëtarë nga të gjitha trojet shqiptare, sivjet me probleme të natyres teknike, por edhe përmbajtësore.

Bashkim Rakaj, producent i “Glob Media” dhe organizator i sivjetshëm i “Zambakut…” ka përsëritur se problemin kryesor në organizim e ka pasur në mungesën e mjeteve financiare, mirëpo, sipas tij, gjithçka ka shkuar ashtu si është menduar.

“Ka shumë vështirësi për të realizuar një festival të përmasave të mëdha. Nuk bëhen gjëra të mëdha pa para dhe është qesharake të pretendosh të bësh festival me shuma simbolike duke marrë parasysh kushtet. Ndërsa me një përkushtim të jashtëzakonshëm të stafit mendoj se kemi bërë një punë të mirë sepse unë tregova veten që di të bëj gjëra të mira në bashkëpunim me stafin tim”, është shprehur Rakaj, shkruan Zëri.

Por jo të gjithë mendojnë se ky festival ka pasur vetëm këto probleme, kualiteti i tij jo domosdoshmërisht lidhet me financat. Nuk mbahet në mend të ketë pasur më shumë kritika se kësaj radhe ky festival duke marrë parasysh që për shumë vite festivali më nuk organizohet nga vetë qyteti por nga përfitues privatë të “tenderëve muzikorë”.

Për kompozitorin Reshat Randobrava, festivali “Zambaku i Prizrenit” ka devijuar nga forma që e ka pasur në fillimet e tij, ndonëse ai vetë është njëri nga themeluesit e festivalit. Randobrava thotë se “himni” i këtij festivali së pari ka munguar, që, sipas tij, është një obligim nga ana e çdo organizatori, e pastaj edhe gjëra tjera të cilat më parë nuk kanë qenë pjesë e repertorit krijues të festivalit.

“Një pikë baleti që është prezentuar mendoj se është diçka e pazakontë për këtë festival, por nuk do të thotë që nuk bën, mirëpo nuk jemi mësuar të shohim vallëzim në “Zambak…”. Ky festival është për këngë të vjetra qytetare, jo për vallëzime balerinësh”, është shprehur Randobrava.

Një pengesë tjetër që nuk e karakterizon këtë festival tradicional të qytetit të Prizrenit kanë qenë edhe disa momente kur janë lëshuar “playback” këngët, për të cilat Randobrava thotë se asnjëri festival në rajon e më gjërë nuk mund të bëjë një realizim të tillë, gjysmë të drejtëpërdrejtë e gjysmë “fals”.

Pedagogu i muzikës, Bajram Çupi, një nga të parët që ka marrë pjesë në organizimet në skenën e “Zambakut…” ndër vite, ka thënë se është ndjerë i befasuar për të keq nga ana e organizimit duke i marrë parasysh të kaluarat e këtij festivali.

“Me keqardhje po e them ngase festivali ka një traditë që nuk ka një njeri i cili është profesionist në skenën muzikore. Ky i këtij viti ka qenë shumë i dobët si nga ana e organizmit, përmbajtja e këngëve, me përjashtim të disave, por ky festival ka një traditë që të jetë “i gjallë” e jo sikur ky konglomerat jo shumë i pëlqyeshëm”, ka thënë Çupi.

Megjithatë, festivali me gjithë gabimet është transmetuar në të gjitha televizionet kombëtare në trojet shqiptare. Vetë organizatorët e justifikojnë devijimin e festivalit me mungesën e fondeve dhe buxhetin e paktë për realizim.

Regjisori i festivalit, Isuf Kurtaj, ka thënë se realizimi i këtij festivali ishte shumë i vëshirë, duke shtuar se ka pasur mbështetje morale nga të gjithë, por jo edhe atë financiare.

“Në krahasim me vitet e kaluara, realizimi ka qenë shumë më lart, por kjo nuk do të thotë se ne ishim të kënaqur me realimin e “Zambakut…”. Ministria e Kulturës na ka ndarë 4 mijë euro, e me ato pak para nuk realizohet një punë e madhe”, shprehet Kurtaj.

Kohë më parë, për gazetën ‘Zëri’, organizatorët e festivalit “Zambaku i Prizrenit 2013”, kanë shprehur keqardhjen për mbarëvajtjen e këtij festivali në mënyrë perfekte, gjithnjë duke iu referuar kushteve simbolike financiare, të cilat kanë qenë mungesë, si nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit po ashtu edhe nga ana e Kuvendit Komunal të qytetit të Prizrenti.

Nga katërmbëdhjetë këngëtarë që kanë performuar në natën e 6 korrikut në Prizren, serenata e korçarit Devis Xherahu ka rrëmbyer tre çmime, këngë kjo e orkestruar nga Gent Myftaraj me tekst dhe muzikë të Vask Nicos ka fituar çmimin e interpetimit më të mirë, vendin e parë dhe çmimin e publikut. Në rrjetin social “Facebook”, Xherahu ka shkruar se çmimet e marra në Prizren, janë pjesë e ditëve më të veçanta të jetës së tij.

“Ju falënderoj ju të gjithëve që më besuat sonte këto tre çmime të mëdha në Prizren tek evenimenti më i rëndësishëm në Kosovë…”, ka shkruar Xherahu. “Zambaku i Prizrenit 2013”, u prezentua nga tre moderatorë nga Shqipëria, ndërsa në juri profesionale kanë qenë kompozitorja Elizabeta Musliu, pianisti Xheladin Kastrati, dhe artistët Mark Gjoni, Redon Makashi dhe Adrian Trebicka.

AAK-ja kërkon postin e nënkryetarit të Kuvendit

0

Jakup Krasniqi ne mbledhje te kryesise se kuvenditLargimi i deputetes Alma Lama nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, rrezikon ta lë subjektin e Albin Kurtit pa nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.

Pas rangimit si forca e tretë parlamentare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pritet të kërkojë zëvendësimin e Glauk Konjufcës me ndonjërin nga deputetët e saj. Këtë kërkesë, deputetët e Ramush Haradinajt e mbështesin në Kushtetutën e Kosovës.

Sekretari i AAK-së, deputeti Burim Ramadani, ka thënë të dielën për Tribunën se është e drejtë kushtetuese të kërkohet pozita e nënkryetarit të Kuvendit, ndonëse nuk ka dashur të flasë se kur AAK-ja do ta kërkojë këtë pozitë.

Proza poetike “Sytë e vetmisë” nga Sali Bashota

0

Bekri S. MurselajBekri S. Murselaj

Proza poetike e Bashotës, përbëhet prej tri cikleve: Ringjallja, Zjarri, dhe Rruzullimi si dhe nga një prozë në fillim dhe në fund, që mund të konsiderohen si prolog dhe epilog.

Në ciklin e parë Ringjallja paraqitet një lloj i prozës mikse që mban në vete dashurinë dhe meditimin ku në këtë pjesë të veprës përbën binomin poetik që realizohet herë si dashuri e thellë, herë si meditim për botën duke e konstruktuar një poetikë të ngjeshur me ngjyrat e një jete të zakonshme, që mund t’i gjejmë çdo ditë në jetë.Ringjallja përjeton fillin e dashurisë, në momente të vetmisë, që dashuria ndien mungesën në momente kur më së shumti ka nevojë për ngrohtësinë e shpirtit.

Te Ringjallja dashuria mbush ëndrrën që e përjeton përmes gjuhës së zgjedhur, duke shprehur ndjenjat dhe zjarrin dashuror.Kurse përmes meditimit shprehet malli i largët që udhëton nëpër kohë, dhe sa vjen e bëhet më i fuqishëm.Te cikli i dytë Zjarri dashuria bëhet më gjakuese nëpër kohë, duke e shoqëruar dashurinë me mallin ku këto të dyja bëhen pjesë e zjarrit të vetmisë.Në këtë pjesë dashuria edhe më shumë fuqizohet duke u përjetuar nga një mall i lashtë, e në një kërkim të përjetëshem.Te kjo pjesë dashuria, ndjehet duke e hetuar mungesën e njeriut të afërm, për të cilin si duket nuk shuhet malli në asnjë moment.Te cikli i tretë meditimi për dashurinë dhe botën në një formë bëhet më eliptik në krahasim me pjesët e tjera.Te Rruzullimi dashuria për humbet në gjithë elementet e jetës së përditëshme që e përcjellin dashurinë çasteve të ndryshme jetësore.Meditacioni tashmë bëhet pjesë e pandashme e prozës poetike të Bashotës, ku si element në vete udhëton në prozën poetike në fjalë, që e fuqizon ndjenjën e dashurisë.

Që të tri pjesët e veprës vetëm se janë variante në vete të dashurisë njejtë sikurse titulli Sytë e vetmisëqë përshkruhet nga një metaforë e bukur për dashurinë e përshkruar brenda prozës poetike Sytë e vetmisë të autorit Sali Bashota.Proza poetike Sytë e vetmisë e Sali Bashotës, hapet me një prozë që në fillim pra, me prozën Figura që jep shenjën e vërtetë të një proze poetike ku i gjithë narracioni është i mbështjellur me figurën poetike duke e bërë prozën poetike aq të këndshëm për lexim, po aq të rëndësishëm për studim të mëtejmë.Libri në fjalë hap një botë të gjerë fiksionale që e plotëson një mision në jetën reale, (pra, një përkushtim i vazhdueshëm ndaj dashurisë).
Si duket në librin në fjalë që në prozën Figura hapet bota poetike e autorit duke e realizuar një qëllim në vete, por njëkohësisht duke e bartë edhe mesazhin e botës fiksionale të tij.

I. RINGJALLJA

Ky nëntitull Ringjallja vjenë si një kërkesë e vazhdueshme brenda subjektit poetik që në të njejtën kohë është hap trinomin poetik kërkesë – mall- dashuri që bëhen udhërrëfyes në vete pë t’u arritur qëllimi i kahmotshëm i subjektit.Pra, ky trinom në vete vetëm sa e forcon botën fiksionale, duke qenë dhe lajtmotiv më i fuqishëm për të arritur mesazhi sa më mirë.Këtu Ringjallja bëhet i vetmi shpëtim që mund të çlirohet mllefi i brendshëm i subjektit, nëpër kohë, në të cilat kërkohet qetësia shpirtërore; këtu gjithsesi duhet t’i referohemi trinomit të lartëpërmendur që e karakterizon dhe e përcjell gjithë këtë cikël poetik në fjalë.
Për ta vërtetuar këtë trinom poetik do të sjellim vargjet në vijim:
Kam thënë se kur të rritem do të shkoj në qytetin

e ëndrrave dhe do ta puth lulen më të bukur

në botë.

 

Vargjet në fjalë sjellin freski poetike, duke bartur në vete një mesazh mjaft domethënës në kuadër të këtyre elementeve që po e karakterizojnë këtë cikël.Këtu kërkesa është bërë një premtim i dhënë i cili premtim duhet të kryhet me gjithë vullnetin dhe dashurinë ndaj vendit, të ëndrruar, po njëkohësisht i shtyrë nga malli që ëndrra e projektuar fjala e dhenë të marrin kuptimin e plotë, kurse ajo çka i shtynë dy elementet e para për të kërkuar realizimin e tyre është padyshim dashuria.

Këtu dashuria themi figurativisht është stacioni i fundit që duhet arritur.Pra, Ringjallja, në këtë rast është kthim ka fati i jetës që simbolizon ringjalljen e natyrës dashurisë miqësisë etj., këtu proza në fjalë është e mbushur përplot me pamje nga më të ndryshme ndaj jetës.Ajo çka e karakterizon më së shumti Ringjalljen, është dashuria që këtu merr pamje dhe emocione të dyfishta në kuptimin e një dashirie sa universale po aq natyrale pa ndonjë ngarkesë që mund ta shpërpjeston dashurinë e pastër çasteve të jetës.Ky cikël poetik udhëhiqet nga ndjenja e fortë për dashurinë, që aty shijohet aroma e dashurisë së bukur nëpër kohë, pasioni për ta shijuar dashurinë nuk mungon.
Vargjet në vijim plotësojnë më së miri çastin kur kërkohet ringjallja e dashurisë.

Hiri i buzëqeshjes ndryshkej.

Në kohën pa emër, sytë e mbushur me lot e

Krijonin portretin tend.

Vetëm për fjalën të due

Dashuria në vargjet e lartëpërmendura krijon çaste emocionale që kërkohet njomja e një dashurie, duke kujtuar portretin e njeriut të zemrës (vashës) që dashuria të fut labirintit më të ngushtë të jetës, vetëm për një fjalë të vetme të due.Këtu kërkohet një ringjallje e apo një kthim i dashurisë në çastin kur ka më shumë nevoj njeriu.Subjekti lirik e portretizon dashurinë si një dëshirë kërkesë të patjetërsueshme.

II. ZJARRI

Ky cikël poetik brenda librit Sytë e vetmisë ushqen ndjenjën e ndezur në shpirt, ku zjarri në këtë rast hap çastet emocionale duke pasqyruar një botë të tërë emocionale shpirtërore.

Zjarri këtu merr rolin kryesor në mes dashurisë dhe emocionit për të.

Përjetimi i dashurisë merr pamje dhe fytyra të ndryshme kur zjarri në këtë rast po e udhëheq emocionin për dashurinë. Zjarri këtu është figurë, e krahasimit por dhe e metaforës duke e marr kuptimin e dyfishtë që aq shumë përjetohet njëkohësisht përdoret kjo figurë duke zënë vendin kryesor në cikël.

Ndoshta loti nuk i ngjante më shkrumbit të

Ringjallur në rrugët me gjethe të vdekura.

Vala e përpinte me shpirt mesnatën e djersitur në

Shtratin e bardhë të ëndrrave.

Këtu shfaqet një shpërthim i subjektit lirik që në të vërtetë kemi një diskurs të përzierë i cili paralajmron ndryshime të vazhdueshme, ku gjithçka do të merr formë dhe pamje tjetër me qëllim që të dilet nga ankthi emocional pas një kohe.

Diskursi në vargjet e para merr karakter dyshimi në vete për një gjendje e cila nuk dëshiron të ndodh ngase tashma bota emocionale është mbushur me shpresë dhe optimizëm në një mas mjaft të madhe duke u rikthyer ka jeta dhe dashuria.Vargjet e para mbajnë në vete simbolikën e një ndryshimi rrënjësor duke dalur nga thellësia e shpirtit në kërkim të lumturisë.
Kurse vargjet e fundit sjellin në vete edhe mëshumë vetëbesim që subjektin lirik e forcon edhe mëshumë, ku diskursi merr konotacionin e vendosjes së rendit universal në gjendjen emocionale. Këtu diskursi është më i fuqishëm dhe më këmbëngulës që ndryshimi të ndodh me çdo kusht, me qëllim të arritjes së synimit të nisur (pra në kërkim të dashurisë).

Zjarri në këtë cikël bëhet një preokupim sa emocional po aq vizionar që e përcjell botën e mendimeve nga një kënd tjetër duke e shoqëruar subjektin nëpër kohë nga brenga e vetme e dashurisë.

Këtu dashuria bëhet tema dhe kryetema e gjithë këtij zjarri që e mbushë botën emocionale të subjektit.
E njëjta gjë ndodhte në përurimin e buzëqeshjes

Origjinale në amfiteatrin e solemitetit të dashurisë.

Shenjat e paqarta apo gjurmët e panjohura i

Lëvizte përfytyrimi i shpejtë i labirintit të fatit në

Skajin e mjegullt të shikimit.

Këtu zjarri merr kuptimin e ndjenjës së thellë që po e kaplon në shpirt, duke u bërë një zjarr i vërtetë nëpër kohë. Edhe në vargjet e lartëpërmendura bashkëudhëton ajo ndjenja e brendshme shpirtërore që në këtë cikël njihet si zjarr i cili po e mban në ankth shpirtin në kërkim, të shprehjes së një dashurie të pastër.

Edhe këtu na del një situatë sa e përzierë duke krijuar konfuzitet në shpirtin e subjektit lirik apo thënë më qartë një lloj pasigurie në mendimet e tij sepse aty gjithçka merr dozen e dyshimit sepse ashtu krijohet mendimi i shprehur për një gjendjeje e cila ka mbizotruar edhe më herët, por edhe tash zjarri në shpirt nuk e lenë të qetë subjektin lirik.

III. RRUZULLIMI

Cikli i tretë Rruzullimi i librit proza poetike Sytë e vetmisë vjen me një ndryshim në përmbajtje duke sjellur më hapur dashurinë dhe mallin ndaj vashës.

Ky cikël në të vërtetë vetëm sa i plotëson dy ciklet e para ngase: në ciklin e parë kërkohet njomja e aporingjallja e dashurisë, kurse në të dytin dashuria fillon të përjetohet më fuqishëm.

Cikli Rruzullimi i kurorizon këto dy cikle të lartëpërmendura, duke i bashkuar dëshirën dhe ndjenjën në një përjetim të përbashkët, duke shkuar drejt synimit të dëshiruar.

Këtu dashuria përjetohet dhe njëkohësisht prek majat e dëshirës dhe vullnetit të saj, duke e realizuar atë që në të vërtetë e kërkon.

Cuditërisht, gjurmët e pritjes përsëri ktheheshin

Në shtratin e bardhë të ëndrrës.

Zëri i ëmbël e zgjonte qytetin e përgjumur

Vargjet e marrura në këtë rast sjellin një diskurs i cili hap shumë pamje, duke dëshiruar që të kalojë nga një gjendjeje në tjetrën, duke përfëshirë këtu tri momente: Pritjen, Ëndrrën dhe Realitetin, pra, ky diskurs sa vjen dhe e forcon ndjenjën brenda vargjeve në fjalë.

Ky cikël i Rruzullumit në vargjet e cekura i bënë bashkë, trinomin në fjalë, duke e plotësuar zbrazëtirën e dy cikleve paraprake, këtu dashuria plotësohet si tërësi në nivelin e një dashurie të pastër, për nga ndjenja dhe arritja e synimeve të kërkuara që në fillim të prozës poetike Sytë e vetmisë , ku ideali vetëm në këtë rast është padyshim dashuria.

Titulli i ciklit në fjalë merr kuptime shumë dimenzionale duke e bërë këtë cikël në të vërtetë më të rëndësishmin të gjithë prozës në fjalë, duke e marrë misionin e plotësimit të një dashurie nëpër kohë.

Këtu dashuria e ndjen ringjalljen, e përjeton zjarrin dhe më në fund e realizon misionin (dashurinë).

Sythet shumëngjyrëshe me pamje të ndritshme

Gjallëronin në degën e njomë ku rrinte varur

Kujtimi i gdhendur me shkronja të kaltra për

Dashurinë e parë të mbërthyer deri në thellësinë

E zjarrtë të gjinjve të praruar.

Ajo çka i karakterizon këto vargje në fjalë, është çasti i përjetimit të dashurisë së pastër, që e gjallëron shpirtin edhe në momente kur ndjen lodhjen dhe mërzinë.

Bota poetike e mbushur me shpresë për kohën në të cilën subjekti po shijon freskinë dhe lumturinë në shpirt..

Këtu portretizohet dashuria në atë formë që e kënaq shpirtin, së pari duke përshkruar bukurinë e saj(dashurisë) dhe pastaj duke i sjellur çaste lumturie subjektit.

Që në vargun e parë, subjekti mbushet frymëzim për mallin e tashëm dhe të largët, duke sjell emocion dhe dashuri në çdo kohë.

Ajo që ndjehet më fuqishëm në këtë rast padyshim se është dashuria, e mbjellur me dëshirë dhe që vazhdon të rritet me ndjenjën dhe përkushtimin më të madh se kurrë.

Ndërsa proza e fundit që përbën një prozë epilogu Dorëshkrimi i ringjallur, e plotëson më së miri përfundimin e gjithë prozës poetike Sytë e vetmisë duke ia dhënë prozës poetike një rezyme (përmbyllje), mjaft karakteristike, duke e mbyllur prozën në fjalë me një portretizim të bukur për dashurinë.

(Autori është kandidat për titullin master në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë)

Ramazani fillon më 9 korrik 2013

0

RamazaniKryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton besimtarët dhe gjithë opinionin e gjerë se muaji i madhëruar i Ramazanit fillon ditën e marte më 9 korrik 2013.

Me rastin e fillimit të muajit të madhëruar të Ramazanit, Kryesia e BI-së përgëzon besimtarët në Kosovë, diasporë e trojet tona duke u “dëshiruar agjërim të lehtë, shtim të ibadetit dhe solidaritet me nevojtarët”.

Diplomati i huaj: Takimi në vitin ’90 me Petro Markon

0

diplomati i huajDhjetëditëshi i parë i korrikut 1990, pesë muaj para se të niste ajo ngjarje e madhe që në historinë e vendit tonë do të quhej Revolucioni i Dhjetorit, mbarti kryengjarjen “Hyrja nëpër ambasada”. Kaq e ka emrin deri tani. Duket emërtim i bërë shpejt e shpejt, i nxjerrë si prej ndonjë shkrese zyre protokollare. Jo vetëm letërsia apo ndonjë fushë tjetër e artit, shpesh aq të zonja për ta përcaktuar me fjalët e duhura një dukuri shoqërore, por as historiografia nuk e ka bërë këtë shërbim të thjeshtë: Një emër më shprehës, më mbresëlënës, fjalë që i meriton si të zgjedhur nga vargjet e himnit kombëtar.

Prej Shqipërisë që po rrëzonte regjimin e shkuar, kontinenti dhe bota kanë të fiksuar në arkivat dhe kujtesën e tyre pamjet e ikjeve biblike të marsit 1991, mijëra të ngarkuar fytas mbi shpina vaporësh, por aspak korrikun e një viti më parë. Globi pa largimin e shqiptarëve duke u kacavjerrë nëpër anijet e portit të Durrësit, por jo protestën në kryeqytet, në zemër të diktaturës, në mes të Tiranës. Popuj të Evropës dhe më tej u bënë dëshmitarë të një refuzimi ndaj një regjimi që tashmë e kishte marrë të tatëpjetën, por nuk panë dot kur ai ende dukej i fortë dhe mund të jepte kundërgoditje shpaguese.

Nuk ka sigurisht asnjë film me këtë temë, madje as edhe një këngë. Libra të veçantë po ashtu. Kontribuues, të paktën për kronikën e ngjarjes, por edhe për të fshehtat e saj, është një njëqind e pesëdhjetë faqesh i Dilaver Bengasit, drejtorit të përgjithshëm të policisë së atëhershme. U botua në 2003 dhe titullohet intrigueshëm “Enigmat e 2 korrikut ‘90″.

Prej tij opinioni vendas mësoi se hyrjet masive të shqiptarëve në territoret e brendshme të ambasadave të huaja kishin nisur që në fillim të 1990-ës. Menjëherë pas fundvitit përmbysës të komunizmit global, 1989-ës. Deri tani, në moskuptim të kësaj të vërtete dhe të zënë rob nën idenë se jemi një popull tepër i vonuar, aksionin kundër bolshevizmit tonë e kemi datuar vetëm si të pas një viti. Mirëpo protesta me futje në ambasada, e nismuar fillimisht me familjen durrsake Popaj, në dhjetor 1985, në 4 mars 1990, pra vetëm pesë muaj nga rënia e Murit të Berlinit, po regjistronte tek përfaqësia diplomatike greke disa dhjetëra refuzues të vendosur të sistemit shoqëror në Shqipëri. Në 25 maj refugjatët për azil politik dhe largim nga vendi në ambasadën italiane qenë njëzetë. Të parët refugjatë shqiptarë në ambasadën franceze u shënuan në 5 qershor.

Deri këto çaste kjo ndodhte me kapërcime muresh apo hyrje të shpejta nëpër hapësirat e ngushta të portave të porsahapura, por shumë shpejt aksioni u ngrit në një shkallë më të lartë. Filloi përdorimi i makinave të mëdha në një sulm frontal ndaj mureve rrethues të ambasadave. I pari ndodhi në 20 qershor, kur siç tregon Bengasi, “dy djem të rinj me një autobus, që e drejtonte njëri prej tyre, hynë me shpejtësi”, në përfaqësinë diplomatike greke. Në “23 qershor 1990, ora 21.50, një makinë “Saurrel” çau derën e mbyllur në anën e Fakultetit Filologjik dhe me 7 të rinj brenda, hyri në territorin e Ambasadës Italiane”. Në 2 korrik, ora 7.15 e mëngjesit, një makinë e plehrave të Ndërmarrjes Komunale, me gjashtë persona, hyri në Ambasadën Turke. Tek përfaqësia diplomatike italiane qe një kamion “Tatra” që po atë ditë, në orën 11.50, pasi theu kangjellat e dyfishta rrethuese nga ana lindore e saj, depërtoi furishëm brenda. Qe me gjashtë vetë. Sulmi tjetër me makinë i ngjau po asaj dite, por këtë herë në ambasadën gjermane. Ishte ora 19.30 e pragmbrëmjes. Sipas librit “Enigmat e 2 korrikut ‘90″, kamioni mbante brenda 34 persona. Sulmoi “me shpejtësi nga ana e murit perëndimor në drejtim të policit. Polici kur pa se makina po shkonte drejt tij gati për ta shtypur shtiu me pistoletë. Por ndërkohë goditet me pjesën anësore të makinës dhe bie i dëmtuar rëndë përtokë”.

Çfarë ndodhi nga 2 deri në 12 korrik, kur pesë mijë e dyqind mospajtuesit me regjimin dhe sidomos jetën e vështirë ekonomike, ikën drejt perëndimit, këtë herë do ta rrëfejmë nga një burim që deri tani nuk ka folur. Është prej diplomatëve të kohës. Ndonjë prej tyre, për arsye profesionale, nuk do ta identifikojmë, porse njërin po. Ky është Vladimir Pulaj.
***
Në orën shtatë e gjysmë të mbrëmjes së 2 korrikut ai ndodhej në apartamentin e tij, në një pallat ngjitur me Ambasadën Gjermane. Dielli i asaj dite me zheg sapo kishte rënë në anën tjetër të godinës dhe në ballkonin që shihte përfaqësinë e Republikës Federale bënte më fresk. Papritmas u dëgjua një zhurmë e pazakonshme, gjëmim i menjëhershëm dhe në të njëjtën kohë uturimë e zgjatur. Atë çast Pulaj pa kamionin që kishte çarë murin rrethues të ambasadës dhe kishte hyrë në territorin e saj. Pastaj me shpejtësi, thua qenë të përgatitur me kohë, ndërsa kërkuesit e strehimit politik zbrisnin nga makina, një grup civilësh të stërvitur të përfaqësisë diplomatike gjermane u rreshtuan dhe bllokuan murin e shembur për të mos lejuar asnjë nga njerëzit e rendit publik shqiptar të depërtonin brenda. Mes refugjatëve tashmë të mbrojtur të mos i kapte asnjë autoritet vendas, një i ri tërhiqte me vete një qengj.
Vladimir Pulaj hyri me shpejtësi në apartament dhe telefonoi shefin e vet, ministrin e Jashtëm, Reis Malile. Ky shqiptoi një “Faleminderit!”, por edhe pse qe vetëm një fjalë ishte e mjaftueshme që nëpër rrokjet e saj shqetësimi të shfaqej dukshëm. Në kronikën e kësaj ngjarjeje të bujshme me siguri kjo ishte informata e parë, që i shkonte qeverisë. Për shkak të një sërë procedurash teknike në Ministrinë e Brendshme informimi i eprorëve të lartë për ngjarjen e rëndë në Ambasadën Gjermane do të ketë ngjarë pak çaste më vonë.

Vladimir Pulaj
Pulaj qe diplomat karriere. Kishte shërbyer me një mision tetëmbëdhjetë mujor në Romë dhe në Tiranë qe rikthyer ndërsa kulmimi i përleshjes së brendshme në Byronë Politike të Partisë së Punës, në dhjetor 1981, do të përfundonte me likuidimin fizik të Mehmet Shehut. E ngarkuan me misionin e dytë diplomatik në Turqi, ku punoi katër vite. Çështja Popaj e gjeti në Tiranë, në zyrën që mbulonte Italinë dhe tërë kohës së zhvillimit të saj, deri në 16 maj 1990, kur gjashtë vëllezërit dhe motrat e familjes së persekutuar durrsake, të hipur në një furgon të bardhë të Kryqit të Kuq Italian e të shoqëruar nga dy vetura, ku në njërën ndodhej ambasadori Xhorxho De Andreis, ikën drejt Aeroportit të Rinasit, ai qe marrë drejtpërsëdrejti me këtë problem të ngatërruar pesëvjeçar. Tani, një muaj e gjysmë më pas, i duhej të merrej me një tjetër shumë më kompleks.

Në 3 korrik Reis Malile i mblodhi në një nga sallat e ministrisë të gjithë diplomatët më kryesorë dhe më të përgatitur për të ndjekur e zgjidhur, pa shkaktuar pasoja, zhvillimin e ri. Ministria e Punëve të Jashtme ato orë gjendej nën breshërinë e kritikave të “skifterëve” në Komitetin Qendror si edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Akuzohej se, duke bërë një kompromis me Ambasadën Turke, gjashtë personat e makinës komunale i pati lejuar të strehoheshin përkohësisht në bujtinën “Arbëria”. Rrugëtimi i tyre drejt hotelit, i ndodhur pasdite, kur azilkërkuesit politikë ecnin në mes të Tiranës të shoqëruar prej disa diplomatëve turq dhe një grumbulli përherë e më të madh të rinjsh, para “Arbërisë” qe shndërruar në manifestim entuziast për të ndjekur shembullin e tyre.
“Situata është kritike”, u shpreh Reis Malile. Në mbledhjen e radhës, të 4 korrikut, ministrit të Jashtëm Malile iu propozua nga diplomatët të mund të jepeshin ndihma minimale jetike për turmën e pazakonshme të të strehuarve, sidomos në oborrin e ngushtë të Ambasadës Gjermane. Tashmë qenë afro tremijë frymë dhe ende shtoheshin. Nga mbipopullimi dhe papastërtia kishte filluar edhe një mizë e madhe. Malile ra dakord: Bashkëkombësit duheshin ndihmuar për t’i shpëtuar sadopak atij mundimi ngushtice.
Në 5 korrik Vladimir Pulajn e thirrën papritur të jepte një shpjegim. Mes të ikurve me kamionin që pati çarë murin rrethues të përfaqësisë gjermane dy kishin mbiemrin e tij. Në të vërtetë njëri ishte djali i xhaxhait dhe i dyti qe kushëri i rrethit të ngushtë. Pastaj u zbulua se mes 34 personave të kamionit ndodhej edhe një pinjoll tjetër i fisit të tij të afërt. Të tre banonin në Tiranë.

Staffan de Mistura
Ngjarja tjetër e re ishte ardhja e Staffan De Misturës. I dërguari special i kryetarit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ishte diplomat profesionist suedez. I gjatë, elegant, serioz, i përpiktë. I specializuar në menaxhimin e situatave më të rënda botërore, që shkaktonin masa të mëdha refugjatësh. Ishte bërë i famshëm pothuaj një dekadë më parë, me operacionin “San Bernardo”, Etiopia e destabilizuar prej një thatësire të pazakonshme. Ato kohë, kur e thirrën për të ndërhyrë në Shqipëri, gjendej në Gjenevë dhe prej andej po drejtonte operacionin “Salam”, çështjen e sistemimit të dhjetëra mijëra ikësve afganë.

Sapo kreu takimet e para dhe pa gjendjen nëpër oborret e ambasadave perëndimore ai e kuptoi se regjimi shqiptar ishte thyer. Që në 3 korrik jo vetëm nuk i pengonin më arratisësit të kapërcenin muret e ambasadave perëndimore, por ndodhte që policët u hapnin edhe portën. Tek Ramiz Alia qe imponuar tashmë rrugëzgjidhja e vetme: Refugjatët duhej të iknin sa më shpejt, pa ndezur ndonjë revoltë të brendshme. Kështu De Mistura ia nisi punës së ndërmjetësimit dhe organizimit të ikjes jashtë vendit të pesëmijë e dyqind shqiptarëve të revoltuar me qeverinë e tyre dhe sistemin politik komunist.

Shoqërues dhe përkthyes i tij nga Ministria e Jashtme u caktua Zef Mazi dhe pas tërheqjes së tij me një punë tjetër, këtë rol e kreu Vladimir Pulaj. Tre-katër ditët e fundit të para nisjes punonjës të Shërbimit të Jashtëm Shqiptar punonin nëpër ambasada, duke i pajisur refugjatët me pasaporta. Në historinë e diktaturës ato jepeshin për herë të parë për qytetarët e thjeshtë. Populli kishte pasur vetëm letra-njoftimi. Qenë në të vërtetë karta identifikimi, numërimi, kontrollimi. Nuk kanë asgjë të ngjashme me kartat e sotme të identitetit. Në ato pasaporta që për herë të parë u ndanë në 6-7 korrik 1990 kishte të shkruar edhe një pyetje të paimagjinueshme për çdo dokument të njëjtë në botë: Në cilin shtet do të ikësh?

Këshillat
Staffan De Mistura në 11 dhe 12 korrik, me megafon në dorë, foli në oborret e ambasadave gjermane, italiane dhe franceze, para të gjithë refugjatëve. Pulaj përkthente. Porosia e njeriut të Kombeve të Bashkuara ishte gjithkund e njëjtë: Mos kini frikë, Sigurimi nuk do t’ju prekë, do të shkoni jashtë vendit, atje ku dëshironi! Po ashtu në asnjë rast nuk harroi të kumtonte edhe këtë mesazh: Kur do të zbarkoni në vendet e Perëndimit gazeta dhe televizione të shumta do t’ju kërkojnë të flisni për vendin tuaj. Përpiquni të përgjigjeni me një “no coment”. Po folët mos e shani Shqipërinë! Edhe pse e varfër, është nëna juaj.

Hipja nëpër autobusë në mbrëmjen e 12 korrikut dhe nisja në mesnatë, nëpër Rrugën e Durrësit, drejt portit, qe festë dhe frikë bashkë. Një ndalim teknik i autokolonës afër Vorës, u përjetua me ankth. Dikush klithi me panik se u kishin hedhur brenda autobusit gaz helmues. Në të vërtetë nga regjimi asgjë nuk luhej në prapaskenë. Tre tragetet që i prisnin në port, u mbushën plot dhe u nisën. Shumë nga refugjatët, në ikje, hodhën pasaportat. Edhe pse gabim që do ta vuanin në çastet e para të strehimit politik në perëndim, ky ishte gjesti i fundit i zemërimit me regjimin ideologjik të vendit të tyre. Në orën pesë të mëngjesit Staffan De Mistura dhe Vladimir Pulaj përfunduan në zyrën e kapitenerisë së portit. Komandanti i qerasi me nga një gotë “Campari”.

Shkrimtari
Tani diplomati profesionist suedez, por ndërkohë ndër më të shquarit zgjidhësh krizash botërore i OKB-së, qe i lirë të gëzonte realizimin e dy kërkesave private. Donte t’i bënte vizitë Petro Markos, sepse e kishte shok të ngushtë të të atit. Të dy qenë miqësuar, si antifashistë, ndërsa ishin internuar në Ustika. Kur shpejt e shpejt, sepse De Mistura do të ikte, i shkuan në apartamentin e shkrimtarit të madh, pamja e la të shtangur edhe diplomatin shqiptar Pulaj. Qe fare kthinë e vogël dhe e varfër. Marko ato çaste nuk ndodhej aty, qe i sëmurë, i shtruar në spital. Staffan De Mistura më pas do të kujdesej t’i dërgonte ilaçe dhe ta kuronte jashtë vendit.

Motra shqiptare
Por ajo që ishte më befasuesja pati të bënte me kërkesën tjetër. De Mistura kishte mall shumë për thjeshtrën e tij, gruan e parë të të atit. Ajo qe shqiptare dhe jetonte në Shkodër. Nuk e kishte parë kurrë, sepse i ati i tij italian ishte ndarë me të ende pa u mbyllur lufta, pastaj ra Perdja e Hekurt dhe komunikimi mes dy botëve të kundërta u vështirësua. Gruaja e dytë e të atit ishte suedeze dhe vetë Staffan kishte lindur në Stokholm në vitin 1947.

Takimi me thjeshtrën u krye në Tiranë dhe, siç pritej, qe tepër emocionues. Përveç shumë arsyeve të kuptueshme, njëra ishte më magjepsja: shkodrania kishte sjellë edhe të bijën e vetme, fryt të martesës me të atin e De Misturës.
Kështu Staffan pa dhe u takua për herë të parë me të motrën.

Zgjidhjen me kaq shumë dashuri të krizës shqiptare të korrikut 1990 (sepse diplomati suedez dhe italian bashkë do të rishfaqet tek ne edhe më pas) e kreu me dinjitetin e një nëpunësi të shquar ndërkombëtar. Askujt nuk i tha se brenda vetes, në zemër, kishte edhe këtë lidhje të pandashme me Shqipërinë. Ishte detyra jonë t’ia kujtonim këtë lexuesit bashkëkombës.
*Studiues/bw/

Të dashurosh mendjen e një gruaje

0

Alexander_Pope_by_Michael_Dahl-Në verën e vitit 1714, poeti i njohur anglez, Alexander Pope, kalonte orë të tëra i mbyllur në apartamentin e tij, duke i shkruar letra Marta Blount. Ndërsa në gazetat letrare të kohës kishin nisur të botoheshin vargjet e tij të para, Pope vijonte të mendonte për vajzën që e kishte njohur në një nga libraritë e qytetit. Në një muaj njohje i kishin dhënë njëri-tjetrit dhjetëra letra. “Është provë e sinqeritetit ndaj jush fakti që ju shkruaj kur jam duke pirë dhe jam i gatshëm të nxjerr të vërtetën.

Dhe, sigurisht, një letër e shkruar pas orës dymbëdhjetë të natës duhet të jetë e mbushur me këtë përbërës të fisëm. Zemra duhet të zhuritet në zjarr, që më pas të ngrohet nga vera dhe nga ju. Vera zgjedh dhe freskon pasionet e fshehura të mendjes, siç bëjnë ngjyrat e fundosura në një pikturë, që më pas dalin me gjithë shkëlqimin e tyre natyral.

Me sa duket, cilësitë e mia paskan ngrirë aq shumë dhe paskan qenë mbyllur aq hermetikisht në kutinë e mërzitshme të orëve të mia të esëllta, saqë më duket tepër e çuditshme kur, tani, i pirë, i shoh këto cilësi e virtyte të dalin kaq të shumta. Në këto vërshime të zemrës sime, ju dërgoj falënderimet e mia plot mirësjellje, për dy letrat që më dërguat. Ajo që fillon me “I magjishmi z. Pop” ishte për mua një kënaqësi përtej çdo mundësie që kam për ta shprehur. Është e vërtetë që ju jeni kaq e pashme, por jo vetëm kjo. Ky humor dhe kjo qetësi e juaja për mua janë aq të magjishme, sa nuk u rezistoj dot. Fytyra juaj është e parezitueshme, ngaqë është e veshur me buzëqeshje dhe atëherë kur nuk ka rast të denjë të jetë. Supozoj se këtë letër nuk do ta bëni publike për t’u dukur…”. Pope ishte 26 vjeç kur nisi historinë e gjatë të dashurisë me anglezen me emrin Marta. Ashtu si poeti, ajo ishte e dhënë pas librave dhe kishte dëshirë të shkruante letra. Letrat e Martës do të ktheheshin për poetin në motive për vargje të tëra që shkroi në atë periudhë. I konsideruar si poeti më i madh anglez i shekullit të nëntëmbëdhjetë, kryesisht për vargjet e tij satirike, dhe përkthimin në anglisht të Homerit, Pope bëri jetën e një burri të lirë duke mos u martua asnjëherë.

Por, nëse ndodhte që në shtëpinë e tij mungonte një grua, në zemrën e poetit gjithnjë kishte një të tillë. “Nuk mund të shkruaj nëse nuk kam përballë një grua”, thënia e tij që do të frymëzonte më pas të gjithë të rinjtë që e lidhin krijimin e artit me aventurat dashurore, do të kthehesh në moto të atyre viteve. Femrat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në karrierën letrare të poetit. Më shumë se lidhjet pasionante ai ishte i dashuruar pas mendjes së tyre. Ai kërkonte të shkëmbente përmes letrave mendimet dhe konceptet mbi letërsinë dhe jetën me një grua. Kështu kishte ndodhur dhe me lidhjen që kishte pasur me Meri Uortley Montag. Me këtë grua, Alexander shprehte gjithë shqetësimin e tij si letrar. Në kohën kur ajo ishte në udhëtime në një letër ai i shkruan se nëse udhëton për në Itali, nuk do t’ia fal nëse nuk e njofton në kohë për t’u takuar atje. “Jam shumë i sigurt se nuk mund të jem kurrë i sjellshëm përveçse kur udhëtoj me ju, dhe nuk do të korrigjohet kurrë humbja që Homeri do të pësojë nëse unë do të vij ta bëj përkthimin e tij në Azi. Dhe ju përsëri do të më kritikoni mua që s’doja asnjë mirësi tjetër përveçse t’ju bëja shoqëri. Nuk keni se si të ndryshoni, por do të vazhdoni të jeni një grua aziatike, sado të përpiqeni të hiqeni si angleze përpara njerëzve të tjerë. I dëshiroj si një mrekulli sonetet e tua, vërejtjet e tua, diturinë tuaj orientale, por asgjë nuk dëshiroj më shumë sesa vetë qenien tënde orientale.

Patjetër që duhet të keni udhëtuar në thellësi të natyrës së vërtetë dhe në thjeshtësinë e sjelljeve në këto tre vite që keni jetuar në Lindje, saqë do të më dukeni shumë vite më e re se ç’jeni kaq afër pafajësisë dhe fëmijërisë. Pres të shoh shpirtin tuaj po aq të zbuluar sa dhe trupin tuaj, dhe se i keni lënë, sado të vështira të jenë shumë nga zakonet e mallkuara europiane. Pa e fyer modestinë tuaj, ndiej një dëshirë përvëluese për të parë shpirtin tuaj të zhveshur, sepse jam i sigurt se do të shoh shpirtin më të bardhë në tërë universin….”. Po në atë vit, Pope shkëmbente letra me një tjetër grua, Tereza Blant. Ajo e kishte tërhequr me bukurinë dhe mendjen e saj, megjithëse pas disa letrave ishte tërhequr e nuk i shkruante më. Por, Pope ishte i vendosur ta bënte sërish që ajo t’i shkruante. “Nuk është e mjaftueshme për reputacionin tuaj zonjë, që t’i mbani duart e pastra nga boja që ju nevojitet për të kënaqur një korrespodent mashkull. Ah! Ndërsa zemra juaj ju lejon ta nxisni në këtë liri të turpshme të shkruarit, ju nuk jeni ajo çka doni që unë me plot dëshirë të mendoj se jeni: një grua e virtytshme! Jam aq mendjelehtë sa të dal në përfundim, se heshtja juaj zonjë është miratim, dhe unë vazhdoj t’ju shkruaj. Por, për t’u paraqitur sa më i drejtë në këtë letër, po ju jap ca lajme. Ju më kërkuat t’ju jap lajme me mijëra herë, që herën e parë që më drejtuat fjalën, aq sa shumë do të mendonin se ju nuk kishit ç’prisnit më shumë nga buzët e mia.

Dhe, vërtet, a nuk është shenjë e dy dashnorëve të lidhur ngushtë, kur janë aq të paturp sa të duan të dinë se ç’po ndodh në botën e secilit? Gjithçka që dua të them është se, unë ose ju, nuk mund të dashurohemi me tjetrin. Jua lë juve ta gjeni se cili nga ne të dy është kjo qenie budallaqe dhe e pandjeshme, kaq e verbër ndaj shkëlqimit dhe magjisë së tjetrit”. Alexander Pope është një nga poetët që përveç librave që shkroi, la pas dhe një mori letrash të mrekullueshme të cilat i shkruante kur i vetëm në shtëpinë e tij në Londër, i vinin në mendje mikeshat e tij. Me to ai fliste gjithçka, duke ua bërë më të lehtë punën biografëve për të shpjeguar vargjet dhe jetën e tij. Por, vetëm njëra prej tyre mbeti gjatë gjithë jetës peng i zemrës së Pope. Ajo ishte Marta, gruaja të cilës i dedikoi dhe testamentin para se të ndahej nga jeta.

Pushimet, libri një mik i mirë që të shoqëron

0

Libri5-25Në stinën e pushimeve, libri gjithmonë është një mik i mirë që të shoqëron dhe që nuk duhet të mungojë në bagazhet tuaja. Ka shumë nga ata që mendojnë se një udhëtim është gjithmonë më i mirë nëse në valixhe ka diçka për të lexuar.

Në një kohë kur nuk janë të paktë ata që heqin dorë edhe nga pushimet, për shkak të mundësisë financiare, shumë të tjerë, mendojnë se çfarë të zgjedhin, libra të rinj që ngjallin kërshëri, apo klasikët e vjetër për nostalgji.
Në një intervistë pronarja e një prej librarive në qytetin e Korçës, Donika Gjolli, tregon per ATSH-ne se si është përqendruar vëmendja e lexuesit në tregun e librit gjatë këtij sezoni veror, dhe cilët janë titujt dhe autorët më të kërkuar.

Dy janë librat që i janë shtuar stendës së kësaj librarie gjatë kësaj jave. “Alef” i Paulo Coelho, i një prej autorëve më të rëndësishëm të letërsisë botërore. Alef, vepra e Coelho-s, na fton të hidhemi në veprim. Sepse vjen një çast kur ndiejmë nevojën për të pyetur veten si e jetojmë jetën, a jemi atje ku duam të jemi dhe a bëjmë atë që duam të bëjmë.

Një tjetër libër i shtuar gjatë kësaj jave është edhe “E lidhura ngushtë me ty” i Sylvia Day, roman i serisë “Crossfire”. Sylvia Day është shkrimtarja nr.1 më e shitur në listën e “New York Times-it”, si edhe në mbarë botën. Libri vlerësohet si një romancë erotike që nuk duhet humbur, si një histori me ngarkesë të madhe emocionale dhe një rrëfim që të bën t’i shfletosh faqet me rrëmbim, e të kërkosh që kjo seri të mos mbarojë.

Përsa i përket librave më të shitur të kësaj periudhe, znj. Gjolli shprehet se si më të preferuar ngelen romanet, gjithashtu edhe enciklopeditë. Një numër të madh shitjesh, në këtë sezon, kanë edhe librat për fëmijë, të bëra enkas për stinën e verës.
Si romanet më të shitura mund të veçojmë Triologjinë “Pesëdhjetë Hijet” e E L James: “Pesëdhjetë Hijet e Greit”, “Pesëdhjetë Hije më të errëta”, “Pesëdhjetë Hije të çliruara”. Librat janë romantikë, çlirues dhe kryekëput përthithës, këto janë romane që ju pushtojnë dhe do të mbeten gjithmonë me ju. Kur Ana Stilli takoi për herë të parë sipërmarrësin e ri të talentuar, të shkatërruar, Kristian Grei, kjo ndezi shkëndijën e një lidhjeje sensuale që ndryshoi në mënyrë të pakthyeshme jetët e të dyve. Ana e kishte ditur gjihmonë që dashuria për Pesëdhjetë Hijet e saj nuk do të ishte e lehtë dhe jeta e përbashkët i vë përpara sfidash që asnjëri prej tyre nuk i kishte parashikuar. Librat janë botuar nga “Dritan Tirana” dhe kushtojnë nga 1500 lekë.

Një tjetër roman i parapëlqyer nga lexuesit korçarë gjatë kësaj vere është edhe “Princesha” një roman tronditës nga Jean Sasson, historia e vërtetë e një jete fshehur pas perçes, Brenda Familjes Mbretërore të Arabisë Saudite. Ky roman është botuar nga “Ombra GVG” dhe kushton 1000 lekë.

“Delikatesa” i David Foenkinos, shqipëruar nga Edmond Tupja, fitues i 10 çmimeve letrare, përkthyer në 30 gjuhë të botës, është një tjetër libër i kërkuar për këtë sezon. Natalia dhe Fransuai janë çifti i përkryer dhe janë përsosmërisht të lumtur. Por kur Fransuai vdes papritur, pas shtatë vjetësh martese të bekuar, vejusha Natali ngre një kala rreth emocioneve të saj, ku askush nuk mund të hyjë më. Derisa kandidati më i paimagjinueshëm shfaqet…

“Zgjedhja e librave varet edhe nga shijet e secilit, por librat e thjeshtë për t’u kuptuar dhe jo libra që kërkojnë përqëndrim, janë sugjerimi më i mirë në stinën e nxehtë të verës” thotë Gjolli.

Për shumë njerëz vera konsiderohet si periudha më e mirë për të lexuar. Të çliruar nga ngarkesat e ditëve në punë, leximi i një libri gjatë pushimeve në plazh është një zgjedhje e mirë që shumë vetë e preferojnë. Kjo është edhe një nga arsyet se përse shumica preferojnë libra rozë, apo të lehtë për t’u lexuar gjatë pushimeve.

Tahiri: Presim marrëveshje për telekom dhe energji

0

Edita TahiriZëvendëskryeministrja Edita Tahiri pret që në takimin e sotëm ndërmjet Thaçit dhe Dacicit të përmbyllen marrëveshjet për telekomin dhe energjinë.
Ajo ka thënë për “Epokën e re” se tani edhe BE-ja është e prirur t’i mbyllë këto dy çështje për të cilat bisedohet më tepër se dy vjet.

Tahiri ka vlerësuar se për këto dy fusha ekzistojnë edhe draft-marrëveshjet të cilat i ka hartuar BE-ja në bazë të qëndrimeve të palëve.

“Jam optimiste se takimi në mes të dy kryeministrave me baroneshën Ashton do të sjellë marrëveshje në të dy fushat. Në këtë drejtim shoh më shumë gjasa për energjinë. Megjithatë, mbetem optimiste për të dy fushat, sepse është edhe një prirje e BE-së që këto dy çështje tashme të zgjidhen, pasi ky proces ka filluar në mars të vitit 2011 dhe mbi dy vjet po flasim për këto dy fusha”, ka thënë Tahiri.

Zëvendëskryeministrja Tahiri ka deklaruar se nëse pala serbe e kupton se zgjidhjet duhet të jenë në kuadër të parimeve evropiane dhe në kuadër të ligjeve të Republikës së Kosovës atëherë marrëveshjet janë të mundshme