17.6 C
Prizren
E shtunë, 9 Maj, 2026
Home Blog Page 8654

Pezullohet greva e punëtorëve të administratës së UP-së, rifillojnë punën nga e hëna

0

UP-rektoratiMenaxhmenti i Universitetit të Prishtinës dhe Këshilli Grevist i administratës së UP-së, kanë arritur pajtim për plotësimin e kërkesave të grevistëve. Këtë e ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së rektorit të UP-së Anton Berishaj dhe kryetari i Këshillit Grevist Arton Mjekiqi. Puna e punëtorëve të administratës do të filloj të hënën.

Megjithatë, grevistët kanë ndërprerë grevën deri me 20 qershor 2014, pasi janë edhe dy pika të kërkesave të tyre që ende nuk janë realizuar.

U.d. rektorit Anton Berishaj, ka thënë se janë duke i hartuar prioritetet që i kanë dhe varësisht nga to janë edhe duke reaguar.

“Një nga prioritetet ka qenë edhe greva. Ju keni qenë të njoftuar që nga fillimi. Unë jam takuar të dielën me përfaqësuesit e njësive akademike që i kanë përfaqësuar grevistët dhe u kam kërkuar dhjetë ditë, por po e shihni se nuk kanë kaluar dhjetë, por vetëm pesë ditë. E këtë e kam arritur në saje të angazhimit të stafit, në saje të mirëkuptimit që kam hasur në ministritë përkatëse që gjërat që janë kërkuar nga grevistët dhe ata i kanë konsideruar si të realizueshme dhe i kanë përfillur, por edhe në saje të mirëkuptimit të bordi t të UP-së sepse ata e kanë fjalën e fundit jo menaxhmenti”, tha Berishaj.

Ai me tutje tha se kanë realizuar një synim të tyre, të disa gjërave që kanë ngecur në rregullimin e statusit të një kategorie të punëtorëve të tyre.

“Nivelizimi i tyre është dashur të bëhet në atë mënyrë që të gjendeshin mjetet për ta mbuluar një përqindje, diku rreth 30 për qind. Bordi dje ka vendosur që këtë ta bëjmë ne nga buxheti ekzistues që ne disponojmë, por me një sens të veçantë që të mos i’u merren paratë atyre vijave buxhetore të cilat nuk mund të reflektohen as në standardin e mësimit, as në standardin e studentëve ku janë bursat dhe tjerat, as në standardet tjera që mund të reflektojnë në çfarëdo forme negativisht në vijueshmërinë e mësimit”, tha ai.

Ndërkohë, Kryetari i Këshillit Grevist, Artan Mjekiqi, tha se ata do të rifilloj në punën të hënën pasi kanë arritur t’i realizojnë kërkesat e tyre, në përjashtim të dy prej tyre.

“Ne si këshill grevist kemi vendosur që të pezullojmë grevën deri me 20. 06. 2014, për shkak se pika 4 dhe 6 në kërkesat tona nuk janë realizuar. Megjithatë ne do të shikojmë gjatë kësaj kohe se ku duhet të adresojmë këtë sepse nuk e dimë saktë se a do të merret menaxhmenti i UP-së apo është kompetencë e qeverisë që t’i realizoj këto dy pika. Por e rëndësishme është se greva është pezulluar dhe puna do të filloj të hënën”, tha Mjekiqi.

Ai ka sqaruar se pika 6 ka të bëjë me retroaktivin që janë thirrur në rregulloren e vitit 2011 dhe pika 4 tek 20 centët që duhet t’i paguajnë studentët, pasi 60 cent paguhen për profesorët.

Por, Berishaj tha se ata kanë bërë atë që ka qenë e mundur, derisa, çështja e 20 centëve nuk k a mundur ligjërisht të implementohet, por jo pse s’kanë dashur të implementohet.

Berishaj tha se sa i përket grevës se mirëmbajtësve ai ka kërkuar nga prorektori për buxhet e financa që sekretari i universitetit që të merren me këtë punë.

Drejtori i Idriz Vehapit, kërcënon zëdhënësin Qemajl Krasniqin

0

Q, KrasniqiZyrtari për Informim i Komunës së Rahovecit, Qmajl Krasniqi, thotë se ka kërkuar mbrojtje nga Policia e Kosovës, pasi ai, dhe bashkëshortja e tij, Rukije Krasniqi, janë kërcënuar nga Drejtori për Buxhet dhe Financa, Lulzim Sylejmani, i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Për Gazetën Express, Krasniqi tha se, sot në Mbledhjen e Kuvendit Komunal të Rahovecit, aty ku bashkëshortja e tij është këshilltare komunale nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila i përket edhe fushës së arsimit, duke folur lidhur me çështjet arsimore në Komunë, ka pasur një diskutim të ashpër me Drejtorin për Buxhet dhe Financa.

Kështu, pas mbledhjes, Krasniqi, tha se kur shkoi në zyrën e tij për të shkruar raportin për mbledhjen, në zyrën e tij ka ardhur, drejtori Lulzim Sylejmani, i cili e ka kërcënuar pas një debati të gjatë, verbal.

Krasniqi për Gazetën Express, tha se ishin punëtorët e tjerë të Komunës të cilët i ndanë, vetëm disa sekonda para se të kishte grushte mes tyre.

Rastin ai e ka lajmëruar në policinë e Kosovës, nga e cila ka kërkuar mbrojtje për veten dhe bashkëshorten.

Krasniqi, tha se Sylejmani, ka edhe lidhje familjare me Kryetarin e Komunës, i cili, siç tha Krasniqi, në kohën kur ka ndodhur ngjarja nuk ishte në komunë.

Krasniqi tha se nuk e di nëse, ai është njoftuar lidhur me rastin.

Rexhepi: Kosova shfrytëzohet për trafikim droge

0

BajramRexhepi-ministerMinistri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka pranuar se përmes Kosovës kalojnë disa rrugë ballkanike për trafikimin e drogës, kryesisht të marihuanës dhe heroinës.

Rexhepi në një intervistë për të përditshmen e Podgoricës, Dnevne Novine, ka thënë se nuk është vetëm Kosova vend përmes të cilës kalojnë këto lloj narkotikësh.

“Njëra nga rrugët kalon në Kosovë, por se e njëjta kalon edhe përmes shteteve tjera, Kur është fjala për heroinë, është e vërtetë se rruga përmes të cilës trafikohet kjo lloj droge kalon edhe nëpër Kosovë, saktësisht kalon nga Avganistani, Irani, Turqia, Bullgaria, Greqia, Serbia, Maqedonia, Kosova dhe vazhdon tutje”.

“Bëhet fjalë për sasi te vogla dhe nuk mund të themi se flitet për një rrugë të madhe. Më së shumti transportohet marihuana saktësisht kanabisi, pastaj heroina”.

Ai thotë se nuk është dijeni për një grup të organizuar kriminal që merren me trafikimin e drogës, por janë qytetar nga Kosova dhe Mali i Zi.

Kurti: Data e zgjedhjeve si në bastore

0

AlbinKurti1205Dy deputetë të Kuvendit të Kosovës, Emin Gerbeshi dhe Lumnije Morina i janë bashkuar sot Lëvizjes Vetëvendosje, gjegjësisht Grupit parlamentar të kësaj partie në Kuvendin e Kosovës. Aderimin e tyre në Vetëvendosje e prezantoi sot në një konferencë për media, lideri i kësaj partie Albin Kurti.

Lumnije Morina deri sot deputete e Partisë Demoktratike të Kosovës dhe Emin Gërbeshi i cili ka filluar mandatin si deputet i AKR-së dhe më vonë, si deputet i pavarur, kanë aderuar sot në Lëvizjen Vetëvendosje.

Lideri i kësaj lëvizje Albin Kurti theksoi se me këta dy deputetë kanë përafrime të përbashkëta në zhvillimin e shtetit të Kosovës.

Ndërsa, deputetja Lumnie Morina tha se arsyet për largimin e saj nga PDK-ja datojnë që nga viti 2012 në kohën e zgjedhjeve partiake, të cilat siç thotë Morina janë përcjellur nga një frymë e egër dhe e ashpër për dominim brenda partisë nga individë të caktuar,transmeton rtklive.

Ndërsa i pyetur rreth zgjedhjeve të përgjithshme, lideri i Vetëvendosjes, Ablin Kurti tha se sa më parë dhe sa më e shkurtër të jetë jeta e kësaj qeverisje, do të ishte më mirë për shtetin e Kosovës, duke theksuar se çështja e datës së zgjedhjeve është bërë si bastore.

Një kryeministër normal

0

Imer MushkolajShkruan: IMER MUSHKOLAJ

Kosovarët tek Edi Rama duhet të shohin një kryeministër të Shqipërisë, i cili duhet dhe po përpiqet të krijojë marrëdhënie korrekte me Kosovën, pa përdorur karta të shpifura nacionalizmi për të ngrohur zemra, për të ngrehur gjakra e për të nxehur koka.
Ai nuk bërtet si Sali Berisha. As nuk shet pseudopatriotizëm e folklorizëm. Duket të jetë realist në raport me Kosovën dhe kosovarët. Të paktën kështu u shfaq edhe para pak ditësh në Pejë, teksa në takim me biznesmenë kosovarë foli për bashkëpunim praktik e konkret ndërmjet Kosovës e Shqipërisë. Ndërmjet dy shteteve të pavarura.

Edi Rama dërgoi mesazhe gatishmërie për të qenë ndryshe nga parardhësi i tij. Ai nuk shfaqi kurrfarë qëndrimesh paternaliste çfarë shpeshherë me arrogancë e patetizëm nuk ngurronte t’i deklaronte Sali Berisha.

Rama kërkoi të bëhet gjëja më e thjeshtë që do të duhej të kishte ndodhur shumë më herët – së pari të vendoset komunikimi i mirëfilltë në fushën e biznesit dhe fusha të tjera dhe pastaj të zhvillohet edhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve. Sa e lehtë, sa praktike.

Sot biznesmenë kosovarë bashkëpunojnë madje edhe me kolegë japonezë (është paralajmëruar hapja e një zyre ndërlidhëse me Tokion në Mitrovicë, që ka për qëllim thithjen e investimeve nga atje), por për çudi nuk ekziston asnjë forum biznesi i përbashkët Kosovë-Shqipëri, asnjë odë ekonomike, asnjë bashkëpunim i formalizuar. Madje gjatë qeverisjes së kaluar, sikur ishte ngritur një “mur kinez” për bizneset kosovare në Shqipëri.

Rama në Pejë foli për kthimin e besimit të ndërsjellë në bashkëpunim, kthimin e besimit për të investuar në dy të dy shtetet. Ai pati edhe një ofertë konkrete – për çdo investim prodhues dhënia e hapësirës në dispozicion për vetëm një euro në vit. Pati edhe premtim konkret – heqjen e tatimit të dyfishtë.

Por, në gjithë këtë muhabet dhe duke harruar për një moment ato që ai tha, më e rëndësishmja është se Edi Rama u shfaq një kryeministër normal. Një njeri normal.

Andaj, mbase shumë kosovarëve nuk ua ka përmbushur apetitet nacional-folklorike, ashtu si dikur Sali Berisha, frazat e thata të të cilit i ka marrë era, ashtu si dhe premtimet boshe për kosovarët.

Kosovarët tek Rama nuk e shohin dhe nuk duhet ta shohin një “baba”, udhëheqës të shtetit shqiptar, i cili në një ditë të bukur do t’i marrë të gjithë në gjirin e vet. Jo, jo. Ata tek Rama duhet të shohin një kryeministër të Shqipërisë, i cili duhet dhe po përpiqet të krijojë marrëdhënie korrekte me Kosovën, pa e përdorur kartën e shpifur të nacionalizmit për të ngrohur zemra, për të ngrehur gjakra e për të nxehur koka.

* * *

Nuk ka qenë vetëm Sali Berisha i tillë. Imitim i tij ishte edhe ambasadori i deridjeshëm i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka.

A ju kujtohetsi sillej ai? Duke e huqur plotësisht misionin prej diplomati, ai shfaqej kudo dhe nuk përtonte të jepte leksione historie, me primesa paternalizmi e hegjemonia madje. Kur Berisha mungonte me deklaratat e tij, ishte Lauka ai që e polotësonte. Nuk përtonte të jepte verdikte se kush duhet t’i takojë kombit shqiptar, nuk përtonte t’i kritikonte të gjithë ata që nuk mendonin sipas kutit të tij. Harronte se ishte përfaqësues i një shteti, në një tjetër shtet të pavarur dhe detyra e tij nuk ishte të jepte leksione koti kudo që i jepej rasti, por të merrej pikërisht me çështjet që i takonin një diplomati – edhe me forcimin e bashkëpunimit ndërmjet të dyja vendeve.

Njësoj si Berisha, edhe Lauka kishte zgjedhur që kosovarët t’i dehte me fjalë, e jo të shohë mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Nuk mbahet mend të ketë ndërmarrë ndonjë niniciativë të dobishme për këtë qëllim, por mbahet mend të ketë qenë gjithqysh pjesë akademish e promovimesh gjithëfare, në të cilat iu jepte zjarr fjalimeve të menduara nga ai si nacionaliste. Fjalime që mund të ngrenë gjakra e nxehin koka në çast, por që harrohen shpejt. Aq shpejt, si premtimet e Berishës për kosovarët.

* * *

Sali Berisha nuk mund të jetë aspak model i mirë për Edi Ramën, në qasjen dhe politikën e shtetit shqiptar ndaj Kosovës. As Islam Lauka nuk mund të jetë model për ambasadorin e ri, Qemal Minxhozi.

Është koha e fundit që të vendosen jo raporte varësie e as paternalizimi, por raporte partneriteti e bashkëpunimi. Është e rëndësishme të fillojë një epokë e re në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Është e rëndësishme që bashkëpunimi të kalojë suazat e kurtuazisë e rrahjes së supeve të njëri-tjetrit. Është koha të krijohen raporte normale. Nga njerëz normalë/Express/

19 vjet pa Pjetër Gacin

0

Pjetër-GaciPjetër Gaci mbylli sytë përgjithmonë 19 vjet më parë, në një fundmarsi në moshën 64-vjeçare. Dje, Ministria e Kulturës e kujtonte në faqen e saj, këtë ikonë të muzikës shqiptare. “Kompozitor i mbi 300 veprave muzikore si këngë popullore, muzikë e lehtë dhe për fëmijë, vepra simfonike dhe cantata, opera, opereta, tablo koreografike, romanca, muzikë filmash etj., Pjetër Gaci është ndër ata emra me të cilët muzika shqiptare krenohet kudo, kontributi i të cilit në muzikën shqiptare është tepër i madh dhe i pamohueshëm”, thuhet në kujtesën e Ministrisë së Kulturës.

Violinist, pedagog i muzikës klasike në Liceun Artistik dhe më pas në Institutin e Lartë të Arteve, Gaci nuk e ndau jetën e tij nga muzika. Ai u bë themelues i muzikës violinistike shqiptare. Arriti majat me kompozimin e këngës, si te “Për ty atdhe” dhe “Gryka e Kaçanikut”. Pjetër Gaci u lind në fshatin Shtiraj të rrethit të Shkodrës më 27 mars të vitit 1931. Në Shkodër kreu arsimin fillor. Studimet për violinë i nisi në Liceun Artistik “J. Misja”, në vitet 1948-1952, për t’i vazhduar në Konservatorin e Moskës “P. I. Çajkovski” në të cilin edhe u diplomua në pranverë të vitit 1967.

Në vitin 1967 bëhet drejtor i cirkut të Tiranës, i Estradës dhe i Teatrit të Kukullave të qytetit. Në vitin 1970, është kompozitor në krijimtari të lirë dhe pas vitit 1976 vendoset përfundimisht në Shkodër, ku krahas kompozimit u përkujdes edhe për klasën e violinës në shkollën e mesme artistike “P.Jakova” të këtij qyteti.

Ai ka meritën të ketë kompozuar të parin koncert për violinë në historinë e muzikës shqiptare, të parën baladë për violinë dhe piano, si dhe të jetë anëtar i Trios së parë instrumentale (pranë TOB, 1956). Prirja kryesore në krijimtarinë e tij do të mbetet muzika vokale, në të cilën ka lënë shembuj të paharruar veprash që nga kënga e deri tek opera, si opera “Toka jonë”, “Përtej mjegullës”, kantata “O moj Shqipni, e mjera Shqipni”, “Për ty Atdhe”. Në vitin 1989, Pjetër Gacit iu akordua titulli “Artist i Popullit”.

Champseix: Vepra e Kadaresë, paradoksale

0

449Profesori nga Universiteti i Parisit, ka thënë se shkrimtari shqiptar ka njohur një sukses të lartë në shtetin e djepit të kulturës, por që kritika letrare franceze ka mbetur gjithnjë e hamendësuar se si të besohet se shkrimtari shqiptar nuk kishte bashkëpunuar me regjimin e asaj kohe në Shqipërinë komuniste.

Jean Paul Champseix, ligjëratën e tij para studentëve të Universitetit të Prishtinës, veprat letrare të Ismail Kadaresë i ka shpjeguar në katër pika përgjithësuese: “Një statut i çuditshëm”, “Literatura e një pune të papritur”, “Strategjitë e punës së një opozitari” si dhe “Kadare dhe Franca: I lexuari në mërgim”.

“Vepra letrare e Kadaresë është tejet paradoksale. Ka lindur në vendin që ka pasur një periudhë totalitare në planet. Shumica e romaneve të tij janë përkthyer nga regjimi i atëhershëm, përveç disa romaneve si “Përbindëshi” apo “Koncert në fund të dimrit”. Nga fakti që Kadare jetonte në këtë situatë, veprat e tij letrare kanë qenë pre e disa gjykimeve të kundërta”, ka thënë Champseix, i cili është autori i librit që bëri bujë në shtetin e tij të lindjes “57, Bulevardi Stalin – Kronika shqiptare”, dhe që e shkroi së bashku me gruan e tij që hodhën kujtimet e tyre në këtë vepër të gjashtë vjetëve sa kishin jetuar në Shqipëri gjatë viteve ’80.

Profesori i Champseix, ka thënë për autorin se gjysmën e jetës së tij e kalon në Shqipëri e gjysmën tjetër në Francë dhe se Kadare ka njohur një sukses të lartë në shtetin e djepit të kulturës, por që kritika letrare franceze ka mbetur gjithnjë e hamendësuar se si të besohet se shkrimtari shqiptar nuk kishte bashkëpunuar me regjimin e asaj kohe në Shqipërinë komuniste.

“Kritika, vërtet e ka shtruar shpesh këtë pyetje dhe nga kjo është thënë se pikërisht ky ka qenë njëri ndër shkaqet se pse Kadare nuk është shpërblyer deri më tani me çmimin më prestigjioz për letërsi “Nobel”. Kritika letrare franceze që nuk kishte njohuri të duhura se ku do ta vendoste Kadarenë, ka gjetur këtë formulë e titulluar “Rasti Kadare”. Në Francë, ka pasur polemika të ashpra letrare ndërmjet shkrimtarëve për rastin Kadare, i cili, në disa momente nga disa kritikë është cilësuar si mall importi që kishte për detyrë që shtetit të Shqipërisë t’ia jepte një imazh sa më të bukur në tërë planetin”, theksoi Champseix.

Pas ligjëratës së profesorit nga Franca, me një kumtesë është paraqitur edhe hulumtuesi i pavarur Gëzim Aliu me temën “Retorika e tekstit në romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Paraprakisht, para se të ligjëronin panelistët Champseix dhe Aliu, me një fjalë rasti të pranishmit i ka përshëndetur ambasadorja e Francës në Kosovë, Maryse Daviet si dhe drejtori i Institutit Albanologjik në Prishtinë, Hysen Matoshi.
Jean Paul Champseix, përveçse është njohës i veprave letrare të Kadaresë është i cilësuar të jetë njohës i mirë i letërsisë dhe kulturës shqiptare. Kontributet e tij shtrihen në dimensione të ndryshme studimore që është njohës i kontekstit social dhe kulturor të Shqipërisë së viteve ’80, duke qenë njëri ndër intelektualët e rrallë evropian që pati mundësi t’i përjetonte zhvillimet e asaj periudhe.
Aktivitetet kushtuar Javës së Frankofonisë në Kosovë, do të jenë të hapura deri në fundjavën e fundit të muajit mars të këtij viti./KultPlus.com

A po shkilet marrëveshja për zgjedhjet Thaçi-Mustafa ?

0

HashimThaci-IsaMustafaIsa Mustafës për herë të dytë po i dështon marrëveshja me Kryeministrin Thaçi. Lideri i LDK’së kishte deklaruar se është marrë vesh për ndryshimet e nevojshme ligjore sa i përket zgjedhjeve deri në gjysmën e parë të këtij muaji. Por, kjo nuk ndodhi as sot pasi PDK kishte braktisur Kuvendin e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës në mungesë kuorumi ka shtyrë seancën ku do të diskutohej për Ligjin për Zgjedhjet.
Kjo është shtyrja e parë, e cila do të ndikojë në shtyrjen e zgjedhjeve nacionale, për të cilat ishin marrë vesh Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi.

Në fakt, Thaçi dhe Mustafa ishin marrë vesh që Ligji për Zgjedhjet të votohej më së largu në gjysmën e muajit mars, ndërkohë, as dy javë më vonë nuk arriti të kaloi në Kuvendin e Kosovës.

Kjo nuk është hera e parë që Isa Mustafës i dështojnë marrëveshjet me Hashim Thaçin.

Lideri i LDK’së me marrëveshjen që pati bërë me Kryetarin e PDK’së në prillin e vitit të kaluar kishte “detyruar” Qeverinë të përfundonte mandatin brenda tri vitesh.
Madje, Mustafa për një kohë të gjatë pati deklaruar se ka arritur sukses të madh pasi po ia shkurton mandatin Qeverisë.

Mehdi Frashëri më 1944: Duam shtet greko-shqiptar

0

83084Në vitin 1949, ish-kryeministri i Zogut dhe i dënuar nga Gjyqi Special i Tiranës në pranverë të vitit 1945 me 30 vjet heqje të lirisë, Koço Kota, vdiq në burgun e Burrelit, pas shumë torturash. Menjëherë pas vdekjes së tij, ithtarët zogistë dhe vetë i biri i Kotës, Nuçi Kota ndodhur në SHBA, jepte një sërë intervistash dhe nxiste emisione radiofonike kryesisht për të justifikuar në plan propagandistik qëndrimin e të atit lidhur me akuzën kryesore, atë të tradhtisë së lartë ndaj atdheut dhe shitjes së Shqipërisë tek Greqia. Propaganda greke i cilësoi këto zëra si shtrembërim të së vërtetës dhe reagoi.

Protagonisti i kësaj nisme nga pala greke, koloneli Athanasios Chrysochoou (Krisohou), botoi një broshurë në vitin 1952 për të rehabilituar të vërtetën historike dhe për të nxjerrë në pah elementë të panjohur të çështjes.

Gjatë hulumtimeve tona pranë arkivave greke gjetëm material të ri dokumentar, i cili është i pakët, por edhe librin e vet Chrysochoou-t, i cili jep hollësi për ecurinë e bisedimeve, por prapë se prapë mbetet një burim dokumentar i njëanshëm. Volëm material arkivistik edhe pranë arkivave shqiptare, i cili gjithashtu, është i kufizuar. Në çdo rast, përafrimi krahasues i këtij materiali burimor dokumentar ndoshta do të hedhë dritë mbi këtë çështje pak të njohur.

Në vjeshtë të vitit 1943, pas kapitullimit të Italisë, fatet e fuqive fashiste të boshtit degradonin ndërsa situata e përgjithshme precipitonte në dëm të tyre dhe qeverive kuislinge. Nisur nga këto rrethana, Kominterni u jepte udhëzime forcave komuniste që të nisnin një luftë të pamëshirshme eliminuese kundër kundërshtarëve të tyre politikë dhe qeverive kuislinge, me qëllim uzurpimin perspektiv të pushtetit. Titoja, komunistët grekë dhe E. Hoxha synonin tashmë më shumë në likuidimin e kundërshtarëve të tyre politikë, të cilët në të ardhmen mund të rrezikonin marrjen e pushtetit se sa vet luftën kundër pushtuesit. Kjo i jepte Luftës së Dytë Botërore elementë të mirëfilltë të një lufte të ashpër civile. Gjermanët i nxisnin me çdo mjet këto mëri dhe konflikte vdekjeprurëse, për të përçarë dhe për të sunduar, madje duke fërkuar duart e duke bërë sehir. Përleshjet e armatosura midis forcave të Ballit Kombëtar me ato të Frontit Nacionalçlirimtar kishin, më së shumti, elementë kriminalë më të dukshëm se sa vet lufta kundër armikut të përbashkët.

Në përpjekjet e tyre për sundim të ardhëm, por edhe në një kuadër më të ngushtë ballkanik rajonal, forcat komuniste kishin arritur të bashkërendonin veprimtarinë spastruese dhe likuiduese kundër forcave politike kundërshtare me anë të emisarëve të tyre. Pranë PKSH dhe Frontit Nacional Çlirimtar ishte instaluar me kohë Miladin Popoviç, Dushan Mugosha edhe Vukmanoviç Tempo ky i fundit me mision për të ngritur një shtab të përbashkët ballkanik, por edhe Miltiadhis Kyrgiannis (me pseudonim Aleksis Giannaris) nga PK greke i cili vepronte kryesisht në zonat e minoritetit grek në Jug. Një nga misionet e këtyre emisarëve ishte, pos të tjerash, shkëmbimi i materialit informativ për kundërshtarët e tyre politikë që ndodheshin në vendet respektive. Kuadri i përgjithshëm politik internacionalist i vetëvendosjes së popujve pas luftës ishte tundues, pse jo trillues, dhe joshte popuj dhe grupe etnike, në pritje për të zgjidhur problemin e tyre kombëtar kushte paqeje.

Balli Kombëtar, si formacion nacionalist, por edhe si bashkëpunëtor i forcave gjermane, për shkak të planit idemadh irredentist (bashkimi i Kosovës dhe i Çamërisë me trungun amë) nuk mundi të institucionalizonte bashkëpunime të tilla me organizata politike dhe ideologjike respektive në Greqi dhe Jugosllavi. Në këto kushte udhëheqja e Ballit dhe Mit’hat Frashëri shpallën komunizmin si rrezik më të madh se sa vet pushtuesi. Kjo parullë, ishte mirëfilli dështake, sepse artikulohej kundër rrymës, kundër planeve të aleatëve perëndimore, përveçse komprometonte veprimtarinë e tyre politike.
Shumë anëtarë të Ballit, zogistë dhe kolaboracionistë u arratisën në Greqi dhe në vende të tjera të Evropës. Një prej tyre ishte dhe Koço Kota, i cili u ndodh në Athinë, ku kishte mbaruar Fakultetin Ekonomik.

Ndodhur në kushte krejt të disfavorshme, në fillim të vitit 1944, qeveria kuislinge e Tiranës me Mehdi Frashërin dhe forcat e Ballit ndërmorën një sërë hapash për të arritur një marrëveshje me qeverinë kuislinge greke të Ioannis Ralis-it dhe për të nënshkruar një marrëveshje për formimin e një shteti dualist federativ greko-shqiptar. Si argument kryesor pala shqiptare formuloi rrezikun e përbashkët komunist që kërcënonte të dy vendet si dhe për t’i prerë rrugën marshimit të ushtrisë së kuqe në Ballkan dhe ekspansionit sllav. Por programi në thelb irredentist i Ballit Kombëtar dhe pretendimet e tij për bashkimin e Çamërisë greke me Shqipërinë, si dhe ofensiva shoviniste në zonat e minoritetit ku, sipas informacionit që kishte pala greke, zhvilloheshin barbarizma, plaçkitje, vrasje të krerëve nacionalistë të zonës që kërkonin organizimin e një formacioni gueril të pavarur të rezistencës i cili do të luftonte për çlirimin e zonës Veriore të Epirit (ose sipas historiografisë tradicionale Vorio-Epirit) dhe më vonë të bashkimit të saj me Greqinë, ky plan tingëllonte në thelb kontraversiv dhe konfliktual dhe e bënte skeptike palën greke e cila gjykoi se plani i krerëve nacionalistë shqiptarë ishte spekulant.

Por pala shqiptare insistonte në realizimin e kësaj marrëveshjeje dhe në 2 shkurt 1944 Mit’hat Frashëri dërgoi në Selanik Sekretarin e Përgjithshëm të Ballit Kombëtar Dhimitër Fallon, gazetar, intelektual nga Korça, njohës i gjuhës dhe i kulturës greke për të nxitur bisedimet paraprake njohëse. Fallo u paraqit si i akredituar i qeverisë shqiptare i cili kërkoi të hynte në kontakt me autoritetet e pushtetit vendor në Selanik për t’u përcjellë atyre propozimin shqiptar për themelimin e një shteti dualist shqiptaro-grek, sipas modelit të mëparshëm italo-shqiptar.

Në bisedimet e para, zhvilluar me ndërmjetësimin e gazetarit nga Korça të vendosur në Greqi Aleksandër Orolloga, me kolonelin Athanasios Chrysochoou, ky i fundit, pasi i tha se nuk kishte asnjë tagër për të ndërmarrë një hap të tillë, i përmendi gjendjen e vështirë të minoritetit grek, ndjekjet dhe reprezaljet, vrasjet e krerëve nacionalistë lokalë, plaçkitjen dhe kusarinë. Fallo iu përgjigj se akuzat e palës greke ishin pa baza, kishin doza hiperbolizimi dhe jepte garanci se minoritetit grek në Shqipëri do t’i siguroheshin të gjitha të drejtat e tij kombëtare. Fallo tha se në Shqipëri sundonte vërtet një urrejtje fisnore, por kjo urrejtje ishte mes nacionalistëve të Ballit dhe komunistëve të Frontit. I përmendi Chrysochoou-t se në Tiranë ishte themeluar dhe një Lidhje shqiptaro-greke që promovonte këtë plan në të cilën aderonin personalitetet më të shquar të vendit. Në këtë lidhje ishin anëtarësuar edhe shumë grekë të Shqipërisë dhe së shpejti Lidhja do të ketë filiale në të gjithë vendin. Në bisedat paraprake Fallo-Chrysochoou u pa qartë se pala shqiptare demonstronte një ngutje për një bashkim të tillë dhe konstatimi fillestar grek ishte se kjo bëhej për të shpëtuar ç’mund të shpëtohej nga nderi i humbur i Ballit, i cili nuk kishte asnjë perspektivë politike. Ky konstatim në thelb ishte i saktë dhe çdo përpjekje i ngjante një tentative mirëfilli të dështuar.

Fallo i propozoi Chrysochoou-t që pala greke, nëse miratonte në parim këtë ide, të formonte një komision ndërpartiak, sikundër kishte bërë pala shqiptare, për të biseduar hollësitë. Koncepti ballist përqendrohej në këto akse: Shqipëria nuk kishte mundësinë e një shteti vetekzistues, nuk i përballonte dot shpenzimet e veta publike, ishte një vend i varfër, nuk mund të ekzistonte si shtet i pavarur dhe, më së pari, nuk e përballonte vet rrezikun komunist dhe ekspansionin sllav. Bashkimi me Greqinë, përkundrazi, do të shtonte potencialin e të dy vendeve. Grekë dhe shqiptarë i takonin një race, ndërsa me serbët nuk kanë asnjë lidhje fisnore, madje të dy vendet i ndan një urrejtje e pashuar për shkak të shtypjes së 600.000 shqiptarëve të Kosovës. Thelbi i këtij bashkimi, kumtoi Fallo, do të jetë krijimi i një barriere kundër ekspansionit sllav në Ballkan, rrezik real dhe potencial për të dy vendet.

Para se të njoftonte qeverinë kuislinge të Athinës, Chrysochoou mendonte se ky bashkim, edhe po të ndodhte në formën si ishte bashkuar Kosova me Shqipërinë, pra manu militari, nuk do të kishte asnjë të ardhme edhe pse mund të cilësohej si një përfitim dobiprurës për palën greke. Mendonte, përkundrazi, se nga ky bashkim do të kishte përfitim utilitar dhe të njëanshëm, vetëm pala shqiptare.

Në kuadër të një taktike skepticizmi dhe rezervash, Chrysochoou theksoi se ideja nuk mund të pranohej nga pala greke, sepse pala shqiptare kërkonte një bashkim në bazë të barazisë dhe se në këtë ide nuk përfshihej dhënia paraprake e Epirit të Veriut Greqisë. Epiri i Veriut, theksoi, përbën tokë të papjesëtueshme të krahinës së Epirit, pra të shtetit grek, çka është ratifikuar nga shumë konventa ndërkombëtare. Kësisoj, dhënia e Epirit të Veriut do të kënaqte ndjenjat kombëtare të popullit grek dhe do të shmangte hezitimin dhe skepticizmin, theksoi.

Në bisedat të para Chrysochoou vinte re se përfaqësuesi shqiptar bënte koncesione të njëpasnjëshme ndaj kërkesave të tij dhe kjo tërheqje shtonte më tepër skepticizmin grek. Koloneli grek konkludonte se e gjithë kjo taktikë koncesive bëhej për të mos dështuar bisedimet. Shënojmë se sipas Chrysochoou-t pala shqiptare pranonte që në këtë bashkim shteti shqiptar të kishte statusin e një shteti të nënrenditur. Kjo, veç të tjerash, dëshmonte dhe për një përpjekje improvizuese dhe pa shumë seriozitet të planit idemadh shqiptar. I habitur nga këto zbythje të palës negociuese shqiptare, Chrysochoou kërkoi që në këtë bashkim me nënrenditje Shqipëria të ushtronte sovranitetin e saj vetëm me një statut të autonomisë lokale në krahinat shqiptare ku do të funksiononin autoritetet lokale vendore politike, gjyqësore dhe arsimore. Si limit koncesiv pala shqiptare pranonte një shtet të përbashkët pjesërisht dualist, në kufijtë ekzistues shtetërorë.

Takimi me vet përfaqësuesit shqiptarë të cilët do të përbënin edhe komisionin negociues u realizua më 8 shkurt 1944 në shtëpinë e Selim Mborjes në Selanik, ku merrnin pjesë nga pala greke koloneli i kavalerisë Athanasios Chrysochoou, në prani të Aleksandër Orollogasë dhe të Kostandin Godes, banor i Selanikut nga Korça, ndërsa nga pala shqiptare kishte ardhur enkas nga Athina Koço Kota, ish-kryeministër dhe ish-kryetar i parlamentit shqiptar i cili do të kryesonte bisedimet, edhe vet Selim Mborja. Kota, më vonë në deponimet e tij në gjyq deklaroi se në atë takim asistoi pa asnjë cilësi politike ose qeveritare, por thjesht si subjekt fizik, si privat. Ndërsa pala shqiptare paraqiti kredencialet e qeverisë së Tiranës, Chrysochoou nuk kishte asnjë cilësi dhe autoritet politik, çka dëfton edhe një herë për karakterin improvizues dhe jo serioz të gjithë çështjes.

Në atë takim, u tha se në Shqipëri, e sidomos në Jug të saj, ekzistonte me kohë mendimi se vendi i Shqipërisë ishte në krah të Greqisë dhe se vetëm trajtimet diplomatike të gabuara e kishin hedhur atë në prehrin e Italisë me të cilën nuk ka asgjë të përbashkët. Diktati italian, thanë, iu imponua. Sa herë i lejuan konjukturat historike, shqiptarët bashkëpunuan shumë mirë me grekët dhe për këtë tregues ishte periudha e qeverisjes së Th. Pangalos, kur u firmosën një sërë marrëveshjesh, por edhe periudha në vigjilje të luftës.

Theksuan se populli shqiptar është i gatshëm dhe i prirur për një bashkim të tillë, me kusht që të mos cenohej krenaria e tij kombëtare. Si predispozita bazë krerët nacionalistë shqiptarë parashtruan: themelimin e një shteti pjesërisht dualist, me autonomi vendore të Shqipërisë në kufijtë e sotëm ekzistues, e dyta, hartimi i një politike të jashtme të përbashkët ose zbatimi i politikës së jashtme greke, hartimi i një politike të mbrojtjes të përbashkët, me ushtri e cila do të varej nga ministria greke e luftës, e katërta, hartimi i një politike ekonomike të përbashkët greke ose zbatimin e politikës ekonomike greke dhe heqja e pengesave doganore mes dy vendeve.

Chrysochoou, i ekzaltuar nga qëndrimi koncesiv i përfaqësuesve shqiptarë dërgonte telegrame pozitive në Athinë dhe, me sa duket, raportonte dhe propozonte që ky bashkim të realizohej. Mendonte se autonomia e pjesshme e Shqipërisë nuk prekte krenarinë kombëtare të shqiptarëve, sipas garancive që jepnin vet krerët shqiptarë. Një bashkim i tillë, me kushtet e pranishme, ishte në interesin kombëtar të Greqisë dhe, për pasojë, qeveria e Athinës nuk kishte arsye pse të mos e pranonte. Në vend të Epirit të Veriut, informonte, në një mënyrë ose në një tjetër, ne do të fitojmë gjithë Shqipërinë.
Për këtë ndoshta në raportin që i dërgonte Athinës më datën 9-2-1944 një ditë pasi ishin finalizuar bisedimet paraprake, nuk përmendet çështja e Epirit të Veriut. Madje, sipas dëshmive të njëanshme të Chrysochoou-t, Kota në mënyrë konfidenciale i kishte siguruar “off record” se pala shqiptare do të ishte e gatshme të bisedonte dhënien në Greqi jo vetëm të Epirit të Veriut, por edhe të krahinave të tjera të diskutueshme.

Kushte të tilla, aspak realiste siç i cilësonte Chrysochoou, por dhe dukshëm kapitulluese dhe në kushtet e pushtimit gjerman dëshmonin për trajtime provizore dhe të rastit, vetëm e vetëm që krerët nacionalistë shqiptarë të shpëtonin nga mëria komuniste. Megjithatë, koncepti i përgjithshëm i planit iu përcoll Kryeministrit kuisling Ioannis Ralis, cili çmoi se nuk cenonte interesat kombëtare greke, përkundrazi i favorizonte ato.

U vendos që negociatat të vazhdonin në kushtet konfidencialitetit të plotë. Për këtë, përveç Ioannis Ralis, u njoftuan vetëm krerët e partive të tjera politike greke si dhe qeveria greke e mërgimit në Kajro të cilët e gjykuan si jorealiste dhe e pritën me indiferentizëm projektin bujëmadh shqiptar. Ata kërkuan që krerët shqiptarë të informonin përfaqësuesit e tyre vendorë në Selanik drejtpërdrejt për synimet dhe projektin sa herë që ata ishin instaluar atje në pritje të përgjigjes së palës greke.

Në datën 10 maj 1944 Mit’hat Frashëri në një letër që i përcillte Dhimitër Fallos, pasi e përgëzonte për punën e bërë dhe informacionin e dhënë për takimet e Selanikut, duke u shprehur “se kemi shumë shpresë që me aktivitetin t’uej të gjejmë një përfundim të mirë për tratativat”, e informonte se Xhavit Leskoviku ngarkohej të përfaqësonte qeverinë, Koço Kota partinë zogiste, Selman Riza dhe Dhimitër Fallo Ballin Kombëtar. Gjithashtu, me rol të papërcaktuar do të vinte edhe Koço Tasi. Në këtë letër porositej që në negociatat të kërkohej “independenca dhe sovraniteti i të dy palëve”, “ndërsa kufijtë greko-shqiptarë do të jenë e do të deklarohen solemnisht ato të 1939-ës”. Në pikën e 7-të theksohej se “në rast lufte komanda e përgjithshme ushtarake do të vihet në dorën e Greqisë”. Letra, duke nënvizuar dobinë reciproke të kësaj marrëveshjeje, shënonte: “si rezultat i kësaj marrëveshje, të dy palët do të paraqitën para konferencës së Paqes me një vetëm interes, tue përkrahun politikën e shoku-shokut. Greqia do të angazhohet të mbështesë rivendikimet shqiptare për Kosovën dhe anën e Dibrës, që kështu në kohën e ardhme mund t’i bahet ballë rrezikut sllav – që kërcënon të dy palët dhe rreziku që vjen nga ana e tejme e Adriatikut.” Dhe vijonte: “Në qoftë se zihet në gojë çështja e minoritetevet, kjo mund të jetë më fort nji mjet afrimi ndërmjet të dy palëve se sa nji mjet largimi.” Dhe përfundonte në mënyrë konfidenciale: “Për përdorimin t’uej, t’a kini ndërmend se minoritetet mund t’i kqyrim me sy të mirë të dy palët dhe të kenë të drejtat e tyre.”

Nga mesi i majit erdhi vërtet në Selanik vet Xhavit Leskoviku, ish-ambasadori shqiptar në Athinë dhe Berlin, i akredituar nga qeveria e Tiranës, në mungesë të Kotës i cili asokohe ishte i sëmurë. Ndërkaq, po ato ditë Mehdi Frashëri kishte dërguar në Stamboll të birin Ragib Frashëri në një tentativë të dështuar për të njohur qeverinë shqiptare nga Turqia me qenë se ajo ishte neutrale në luftë.
Por zhvillimet precipituan shpejt dhe pala greke nuk shfaqi më interes, pos Kryeministrit kuisling Ioannis Ralis. Konfidencialiteti u ruajt deri në prill, pas saj gjithçka u bë publike. Me publicitetin që mori çështja, shoqatat e Epirit të Veriut (ato që tradicionalisht bibliografia shqiptare i ka etiketuar si silogje verioepirote) reaguan ashpër, kryesisht negativisht. Ata theksuan se krerët nacionalistë shqiptarë kryenin barbarizma në popullsinë greke në Jug. Pati edhe nga ata që u shprehën në favor të bashkimit. Reagimi mori formë të acaruar në Athinë dhe kjo shqetësoi Ralis-in. Kasaphana e Glinës, në gusht 1943 (ku u ekzekutuan mizorisht 29 minoritarë grekë) e asaj periudhe me autorë ballistë shtoi skepticizmin dhe mosbesimin, por edhe aktet e tjera të vandalizmit si dhe vrasjet e personaliteteve të njohura të komunitetit grek, tregtarë, mjekë, avokatë etj.

Në letrat përcjellëse për qeverinë e Kajros shoqatat shprehnin indinjatën e tyre dhe theksonin se synimi i shqiptarëve, si i komunistëve ashtu edhe i nacionalistëve, ishte shfarosja e popullsisë greke nga trojet e tyre amtare.

Kjo bëri që të dështonin përfundimisht bisedimet, pavarësisht se Ralis-i në gusht kërkonte të bënte dhe një tentativë të fundit. Kërkoi të shkonte në Athinë vet Xhavit Leskoviku si i autorizuari qeveritar, por kriza qeveritare në Tiranë nuk e lejuan për një hap të tillë. Më vonë, pas përfundimit të krizës qeveritare, u dërgua prapë Dhimitër Fallo me akreditime të reja, në fillim të shtatorit. Por komunistët grekë u kishin dhënë informacion të saktë komunistëve shqiptarë dhe Fallo ra në grackë, u kap dhe u ekzekutua në vend. I gjithë dokumentacioni ra në duart e komunistëve, u sekuestrua dhe u përdor si provë e pakontestueshme në gjyqin special, në pranverë të vitit tjetër. Në kushte të tilla Xhavit Leskoviku tentoi të shkonte në Athinë vet, por forcat gjermane nuk e lejuan dhe ai mbeti në Selanik bashkë me Koço Kotën.

Pas saj u shënua stanjacion i plotë. Madje, forcat komuniste greke në Selanik, në bashkëpunim me komunistët shqiptarë arrestuan Koço Kotën dhe Xhavit Leskovikun, i lidhën me zinxhirë dhe i sollën të lidhur deri në Tiranë. Në mars dolën para gjyqit special bashkë me Bahri Omarin i cili kishte lëshuar pasaportën e Fallos.
Siç shihet, rezultati përfundimtar ishte i paragjykuar. Nisma e Mehdi Frashërit dhe Dhimitër Fallos kishte karakter spekulativ, mbështetej në interesa të rastit dhe në kushtet e luftës ishte jo realiste. Karakter spekulativ kishte dhe reagimi grek, se me sa duket, Ralis kërkonte t’i tregonte opinionit publik se përpiqej për interesat kombëtare. Forcat aleate nuk do ta lejonin realizimin e një plani të tillë. Deklarata sovjetike, britanike dhe amerikane e dhjetorit 1942 njihte Shqipërinë si shtet sovran dhe të pavarur. Më vonë, Greqia do të vinte në dyshim sovranitetin e saj dhe në Konferencën e Paqes në Paris (1946) do të kërkonte Epirin e Veriut, por kjo mbetet objekt i një trajtese të ardhme.

Stavri Dajo
*Dr. i shkencave historike të Universitetit “Aristotelis” Selanik

Rektori takon prap grevistët, pritet të përfundoj greva

0

UP-rektoratiNë pasditen e djeshme është realizuar një takim në mes të rektorit Anton Berishaj dhe Këshillit të Grevistëve të cilët ka disa ditë që kanë bojktotuar punën në administratë të Universitetit të Prishtinës.

Anëtari i Këshillit Grevist, Muharrem Berisha, në një prononcim për Indeksonline ka thënë se ky takim ka zgjatur rreth një orë dhe janë diskutuar kërkesat e grevistëve.

“Po jemi takuar dje me rektorin dhe kemi biseduar. Ai na ka njoftuar se shumica e kërkesave tona janë plotësuar. Ne nuk do të heqim dorë edhe nga kërkesat e tjera mirëpo sot e kemi një takim me të gjithë grupet e grevistëve dhe do të vendosim se a do ta vazhdojmë grevën. Njëherë nuk ka asgjë zyrtare por disponimi është për të ndërprerë grevën pas takimit me rektorin”, ka thënë Berisha për Indeksonline.