13.8 C
Prizren
E enjte, 7 Maj, 2026

Një kryeministër normal

Imer MushkolajShkruan: IMER MUSHKOLAJ

Kosovarët tek Edi Rama duhet të shohin një kryeministër të Shqipërisë, i cili duhet dhe po përpiqet të krijojë marrëdhënie korrekte me Kosovën, pa përdorur karta të shpifura nacionalizmi për të ngrohur zemra, për të ngrehur gjakra e për të nxehur koka.
Ai nuk bërtet si Sali Berisha. As nuk shet pseudopatriotizëm e folklorizëm. Duket të jetë realist në raport me Kosovën dhe kosovarët. Të paktën kështu u shfaq edhe para pak ditësh në Pejë, teksa në takim me biznesmenë kosovarë foli për bashkëpunim praktik e konkret ndërmjet Kosovës e Shqipërisë. Ndërmjet dy shteteve të pavarura.

Edi Rama dërgoi mesazhe gatishmërie për të qenë ndryshe nga parardhësi i tij. Ai nuk shfaqi kurrfarë qëndrimesh paternaliste çfarë shpeshherë me arrogancë e patetizëm nuk ngurronte t’i deklaronte Sali Berisha.

Rama kërkoi të bëhet gjëja më e thjeshtë që do të duhej të kishte ndodhur shumë më herët – së pari të vendoset komunikimi i mirëfilltë në fushën e biznesit dhe fusha të tjera dhe pastaj të zhvillohet edhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve. Sa e lehtë, sa praktike.

Sot biznesmenë kosovarë bashkëpunojnë madje edhe me kolegë japonezë (është paralajmëruar hapja e një zyre ndërlidhëse me Tokion në Mitrovicë, që ka për qëllim thithjen e investimeve nga atje), por për çudi nuk ekziston asnjë forum biznesi i përbashkët Kosovë-Shqipëri, asnjë odë ekonomike, asnjë bashkëpunim i formalizuar. Madje gjatë qeverisjes së kaluar, sikur ishte ngritur një “mur kinez” për bizneset kosovare në Shqipëri.

Rama në Pejë foli për kthimin e besimit të ndërsjellë në bashkëpunim, kthimin e besimit për të investuar në dy të dy shtetet. Ai pati edhe një ofertë konkrete – për çdo investim prodhues dhënia e hapësirës në dispozicion për vetëm një euro në vit. Pati edhe premtim konkret – heqjen e tatimit të dyfishtë.

Por, në gjithë këtë muhabet dhe duke harruar për një moment ato që ai tha, më e rëndësishmja është se Edi Rama u shfaq një kryeministër normal. Një njeri normal.

Andaj, mbase shumë kosovarëve nuk ua ka përmbushur apetitet nacional-folklorike, ashtu si dikur Sali Berisha, frazat e thata të të cilit i ka marrë era, ashtu si dhe premtimet boshe për kosovarët.

Kosovarët tek Rama nuk e shohin dhe nuk duhet ta shohin një “baba”, udhëheqës të shtetit shqiptar, i cili në një ditë të bukur do t’i marrë të gjithë në gjirin e vet. Jo, jo. Ata tek Rama duhet të shohin një kryeministër të Shqipërisë, i cili duhet dhe po përpiqet të krijojë marrëdhënie korrekte me Kosovën, pa e përdorur kartën e shpifur të nacionalizmit për të ngrohur zemra, për të ngrehur gjakra e për të nxehur koka.

* * *

Nuk ka qenë vetëm Sali Berisha i tillë. Imitim i tij ishte edhe ambasadori i deridjeshëm i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka.

A ju kujtohetsi sillej ai? Duke e huqur plotësisht misionin prej diplomati, ai shfaqej kudo dhe nuk përtonte të jepte leksione historie, me primesa paternalizmi e hegjemonia madje. Kur Berisha mungonte me deklaratat e tij, ishte Lauka ai që e polotësonte. Nuk përtonte të jepte verdikte se kush duhet t’i takojë kombit shqiptar, nuk përtonte t’i kritikonte të gjithë ata që nuk mendonin sipas kutit të tij. Harronte se ishte përfaqësues i një shteti, në një tjetër shtet të pavarur dhe detyra e tij nuk ishte të jepte leksione koti kudo që i jepej rasti, por të merrej pikërisht me çështjet që i takonin një diplomati – edhe me forcimin e bashkëpunimit ndërmjet të dyja vendeve.

Njësoj si Berisha, edhe Lauka kishte zgjedhur që kosovarët t’i dehte me fjalë, e jo të shohë mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Nuk mbahet mend të ketë ndërmarrë ndonjë niniciativë të dobishme për këtë qëllim, por mbahet mend të ketë qenë gjithqysh pjesë akademish e promovimesh gjithëfare, në të cilat iu jepte zjarr fjalimeve të menduara nga ai si nacionaliste. Fjalime që mund të ngrenë gjakra e nxehin koka në çast, por që harrohen shpejt. Aq shpejt, si premtimet e Berishës për kosovarët.

* * *

Sali Berisha nuk mund të jetë aspak model i mirë për Edi Ramën, në qasjen dhe politikën e shtetit shqiptar ndaj Kosovës. As Islam Lauka nuk mund të jetë model për ambasadorin e ri, Qemal Minxhozi.

Është koha e fundit që të vendosen jo raporte varësie e as paternalizimi, por raporte partneriteti e bashkëpunimi. Është e rëndësishme të fillojë një epokë e re në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Është e rëndësishme që bashkëpunimi të kalojë suazat e kurtuazisë e rrahjes së supeve të njëri-tjetrit. Është koha të krijohen raporte normale. Nga njerëz normalë/Express/

Më Shumë

Rrahje mes dy personave në Rahovec, njëri dërgohet në mbajtje

Dy persona pas një mosmarrëveshje verbale janë përleshur fizikisht në Rahovec. Sipas raportit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur të martën rreth orës 13:50. Tutje...

Superliga vazhdon me tri super përballje, vëmendja në Suharekë

Edhe tri përballje interesante do të zhvillohen të dielën në kuadër të xhiros së 32-të në Superligën e Kosovës. Vëmendja do të jetë padyshim në...

Lajmet e Fundit