13.5 C
Prizren
E shtunë, 9 Maj, 2026
Home Blog Page 8673

Mbi të drejtën e luftës së përjetshme të lirisë

0

Avdi IbrahimiShkruan: Avdi Ibrahimi

Angelezi, Isak Njutni padyshim është shkencëtari më i madh dhe më me ndikim i të gjitha kohëve. Studjuesi në disa lëmenj shkencor dhe me renome botërore Majkël Hart në veprën e tij: “100 Njerëz më me ndikim në Histori.” Pas Muhamedit, në numrin dy e radhit Isak Njutnin. Mbase është e natyrshme që një dijetar praktik e shkencor të lë gjurmë të pashlyeshme në historin e njerëzimit me shpikjet e tij shkencore. Ai zbuloi se drita e bardhë është e përbërë nga të gjitha ngjyrat e ylberit. Pastaj ai krijoi dhe prkatikisht ndërtoi në vitin 1668 teleskopin e pare më pasqyrë, teleskopin reflektues, i cili edhe sot përdorët në më shumë opservatariume astronomike, ndërsa në matematikë dha kontributin e tij në zbulimin e llogaritjeve integrale, megjithatë suksesi më i rëndësishëm i tij është në lëmin e mekanikës-shkencë, e cila sqaron lëvizjën e trupave fizikë. Shpikjet e tij shkencore nuk i komunikoheshin ne të njetën kohë njerëzimit, arsyeja kryesore mbase ishte se po të komunikoheshin publikisht shpikjet e tij shkencore, do të mund të haste në kundërshtim nga religjioni fetar, të cilet ndoshta edhe do ta pengonin këtë shpikje shkencore të ideve të reja, ose njerëz të tillë të paknaqur nga shpikje të reja do ti qëndronin në rrugë si pengesë. Atëherë, Isaku do të kishte mbase të drejtën ose do të ishte i detyruar ta menjanojë këtë pengesë, në këtë mënyrë ai do ti komunikonte njerëzimit shpikjet e veta. Por nga e gjitha kjo që u tha si më lartë, Isaku nuk ka patur të drejtë dhe as që ka provuar ta vrasë kë të dojë nga kunërshtarët e tij të ideve të reja zbuluese, ose të vjedhë në shitore çdo ditë pse ai ishte gjeni në shpikjet e tij shkencore. Kjo na jepë të kuptojmë se edhe ligjëdhënësit dhe drejtuesit e njerëzimit duke filluar nga ata të mëparshmit si Saloni, Likurgu, Napoleoni, Muhamedi e shumë të tjerë, të cilët ishin shkelësit e ligjit të vjetër, ku shoqërit e ndryshme njerëzore e kanë trasheguar nga paraardhësit e tyre, ku ato ligje i kanë respektuar deri në shejtni, e natyrisht nuk janë zmrapsur dhe kanë derdhur gjakun me heroizëm për ruajtjen e ligjit të vjetër, njëkohësisht e kanë mbrojtur si të dobishëm për shoqërinë njerëzore. Nga e tërë kjo lë të kuptojmë se këta bëmirës të njerëzimit, me idetë e tyre të reja, pra këta bëmirës dhe zotët e njerëzimit kanë qenë veçanërisht ata të skenave politike edhe gjakpirës të tmerrshëm… Me këtë dua të nxjerrë një përfundim se të gjith këta njerëz, të cilët janë në gjendje ta thonë apo ta japin një ide të re, janë pothuaja se të detyruar, për nga natyra dikush më shumë e dikush më pakë të jenë edhe pjesë e krimit.

Kjo ide e re, sipas pikpamjës time, njerëzit për nga natyra ndahen në njerëz të zakonshëm të cilëve nuk u intereson e kaluara dhe as që mendojnë të ardhmën, por janë njerëz që i përshtatën të tashmës, të cilët për nga natyra të shumtën e rasteve janë të sjellshëm, e që jetojnë të nështruar dhe janë të dëgjueshëm sepse kanë përfitime personale politike materiale nga e tanishmja sunduese, sepse ky është dedikimi i tyre i të jetuarit. Kurse në anën tjetër është kategoria e njerëzve të cilët kundërshtojnë dhe kërkojnë rrëzimin e sistemit ekzistues në emër të diçkaje më të mire. Pra, këtij njeriu me ide të re, i duhet që për idenë e vetë të kapërcejë ndoshta edhe mbi trupin e vdekur?! Masa popullore duke mos patur njohurin e duhur mbi të drejtën e luftës së përjetshme të lirisë, gati as njëherë në kohë të duhur s,u njehë këtë të drejtë njerëzve me ide të reja, i vret dhe i var, kështu kjo masë e përmbushë detyrën e vetë konservative, që ka ajo për prijësin e vetë grupor, vetëm se brezat e rinj të po kësaj mase që kanë bërë ekzekutime, të ekzekutuarve, u ngrehin lapidare, dhe u përkulën në përvjetorët e rënies së heronjëve të tyre për lirin e ideve të reja.

Pra siç shihet kategoria e pare e njerëzve është dalëzotëse e të tanishmës, kurse kategoria e dytë e njerëzve janë dalëzotës të ideve të reja, pra janë zot të së ardhmës. Pra këta të parët mbajnë botën dhe rrisin numrin e përkrahësve të së tashmës, të dytët lëvizin botën duke e dërguar atë drejtë qëllimit. Por çka është më kryesorja si njëra poashtu edhe tjetra kanë të drejtë ekzistence, por gjithnji kjo e dyta lufton për të përjetshmën, pra kjo kategori njerëzish njef e respekton historin e të kaluarën dhe lufton për ide të reja të së ardhmës. Mirpo sipas pikëpamjës time në këtë rast gabimi është i mundur nga kategoria e pare, edhe përkundër prirjës së tyre të zakonshëm për nënshtrimit për interesat e tyre personale, këta nuk qajnë kokën për të shkuarën e as për të ardhmën ata jetojnë sot për nesër, e në të njetën kohë njerëzit e rinjë me ide të reja, shpesh here, fare nuk i diktojnë dhe i kalojnë me përbuzje, sikur janë njerëz të prapambetur me ide të ulëta, e jetojnë në varfëri. Por nga këta njerëz sipas pikpamjeve të mija, nga këta njerëzëz nuk ka pse frikësohet askush, sepse kjo kategori njerëzish nuk shkon larg, sepse janë servile e kozmopolit dhe ndërrojnë gëzofin sipas motit, kështu ata e ngarkojnë vetën me pendime të ndryshme publike se kanë qenë të mashtruar nga prijësi i tyre, dhe kjo del në fund si mësim moral për ta. Kategoria e dytë e njerëzve me ide të reja, janë të aftë të thonë çkado të re, çuditërisht në numër janë më të paktë. Këta njerëz janë të caktuar sigurt nga ndonjë ligj i natyrës. Besoj se ky ligj natyrës është i panjohur, por kam bindjen time se ky ligj i natyrës së panjohur ekziston, e në asnjë mënyrë nuk mund të ketë asfarë rastësie. Këtu kemi të bëjmë me lindjen e gjenive të mdhenjë, të cilët janë kulmi i fatit të shoqërisë njerëzore, ata janë krijues ose shpikës të veprave të mëdha, moskuptimi i veprës gjeniale nga opinioni-lexuesi nuk është përjashtim por normë mbi të drejtën e luftës së përjetshme të lirisë.

Shqipëri 20 Mars 2014

 

 

Nobelisti italian, Salvatore Quasimodo, një foto me poetin shqiptar, Dino Kalenja

0

nobeslisti italianNë vitet ‘80 të shekullit të kaluar përktheva dhe botova në revistën letrare “Nëntori” një cikël kryesor nga krijimtaria poetike e Salvatore Quasimodo-s. Prej vitesh, imagjinata ime ishte e magnetizuar nga mjeshtëria e pazakontë dhe e kërthnesët e Quasimodo-s. Ai ka shkruar me një delikatesë meditative dhe përsiatje të holla si askush në poezinë moderne italiane. Salvatore Quasimodo ka lindur në 20 gusht 1901 në Modica në Sicili. Mësimet fillestare i bëri në Gela- e famshme dhe tronditëse është poezia e tij për Gelan ku thuhet se ka vdekur vetë Eskili- ky imazh e ka ndjekur Quasimodo-n tërë jetën si ato Erenitë e mitologjisë antike. Në 1916 nis studimet në Institutin e Teknikës, Matematikës dhe Fizikës në Palermo, pastaj vazhdon në institutin “A.M.Jaci” ku diplomohet si gjeometër, punë që e bëri për ca kohë. Më pas, me ftesë të Elio Vittorinit shkon në Romë ku njihet edhe me Eugenio Montale-n.

Njihet me monsinjor Mariano Rampolla del Tindario prej të cilit mëson greqishten e vjetër dhe latinishten. Vitet 1930-1940 konsiderohen si etapa hermetike e poezisë së tij. Mbas 1940-s etapa e poezisë së angazhuar- cilësim ky – për mendimin tim – tejet konvencional. U quajt kështu për shkak të antifashizmit të tij të spikatur dhe të paepur. Në 1941 nominohet si profesor i letërsisë pranë Konservatorit muzikor “Giuseppe Verdi” deri në 1968 kur vdiq. Është varrosur në Cimiterio Monumentale në Milano. Në 1959 ju dha çmimi Nobel për letërsi.

Fama e tij u bë ndërkaq e përbotshme. Të papërsëritshme janë përkthimet e tij nga poetët antikë greke, por edhe romakë- këto përkthime mua më pëlqejnë edhe më skajshëm dhe më intimisht. Quasimodo institucionalizoi një shkollë të tërë poetike me rrezatim në Itali dhe në Europë. Mund të them se njohja e poezisë së Quasimodo-s në rininë time ka ndikuar – kur u kritikova për hermetizëm në poezinë time në 1974 e kam menduar më me vetëdije të thukët pse më ka pëlqyer – dhe më pëlqen akoma dhe tani –ky poet i çuditshëm.

Çfarë lidhje të padukshme janë ende të pashkëputura? Kur miku im nga Fieri, Zenel Duraj, gjatë një bisede të rastësishme më tha se kishte disa dokumente që lidheshin më Dino Kalenjën, Hero i Popullit, vrarë në mars 1944 në përpjekje më nazistët, mes të cilave ishte dhe një kartolinë që vetë Salvatore Quasimodo ja kish dërguar Dinos u shtanga dhe u dlirësova si nga një vizion i papritur, por gjithsesi i pabesueshëm. Një lloj kumti si nga Mbretëria e së Panjohurës! I pashë dokumentet. Dhe po i bëj publike për të gjithë për herë të parë.

Kartolina me foton e Salvatore Quasimodo-s ne Dino Kalenjën i paraqet ata si dy miq shumë të afërt, të ngushtë, të njohur prej kohësh, me respekt ndaj njëri-tjetrit në një park, pranë një skulpture. Nga pas kartolina ka të stampuar adresën e studios, firmës fotografike “DE ZARDO-

BUÇ.FRESCURA-OTTIKA-FOTO- TREVISO”. Ajo më e rëndësishmja është autografi me shkrim dore i vetë poetit të madh italian “Salvatore Quasimodo- Dino Bektashit, 29-9-1940-XIX “Është Quasimodo që ia ka dërguar Dinos i cili mbante si mbiemër edhe Bektashi, (atë të babait.) Kjo do të thotë se midis Quasimodo-s dhe Dinos ka pasur komunikim dhe letërkëmbim postar edhe më parë- nuk ka sesi të jetë ndryshe dhe e rastësishme. Ata janë njohur bashkë në Itali, ku Dino ka studiuar në akademi ushtarake- janë takuar në qytetin Treviso pranë Venedikut- ku është realizuar mrekullia e fiksimit të çastit në fotografinë e paharrueshme, gati si një farë monumenti memorial për të dy, por sidomos për Dinon, shqiptarin.

Dino është shqiptari i vetëm në botë që ka fotografi me nobelistin Quasimodo- kjo tingëllon si “Radecky marsh” i Shtrausit në finale. Po çfarë e ka lidhur Dinon me Quasimodon? Ka vetëm një përgjigje mbushamëndase: Poezia. Dino ishte një poet shumë i talentuar, kjo duket qartë kur lexon një përmbledhje të tij – shumë të mangët- por gjithsesi përndritëse të poezive të pabotuara. Dino ka një stil të kultivuar, një estetikë figurative të veçantë. Ka mjeshtëri të hollë. Poezitë e tij janë lirike, afrohen me ato të Lasgushit, ja disa vargje “vyshken zemrat, ndryshken lulëkuqet”, “Çahet kraharori si shegë e kuqe” “Malli thonjtë ngul mbi dallgë”, “Sot të pres te guva e Hënës/se të nesërmes s’i dihet” “Pikë e lotit lot me zjarre” “vështrimet ndër sy ciflosen” Si dy zogj në pafajësi ulur rrimë në korije/në xhepin e shpirtit tënd bluhen afshe dashurie” “Eh, në sytë e lagur/ e mësuam notin”. Dino Kalenja si udhëheqës i lartë ushtarak i batalionit partizan të Mallakastrës “Ismail Klosi” bashkë me Mustafa Matohitin – edhe ky Hero i Popullit- u vranë në një ditë është i njohur për heroizmin epik – e pra delikatesa lirike vargjeve kërkon të tregojë diçka më përtej, më shumë, më universalisht. Ai u kthye në Shqipëri mbas pushtimit nga Italia fashiste musoliniane, u lidh që herët më lëvizjen komuniste dhe qe figurë kryesore e saj në rezistencën e armatosur. Nga koha e studimeve ushtarake në Itali kanë mbetur disa fotografi të Dinos me uniforme – ta pabotuara kurrë më parë.

Po mbi të gjitha është edhe fotografia e vajzës italiane Lolotta, që ai e deshi pakufishëm, që i kushtoi edhe disa nga poezitë më të frymëzuara. Një fotografi e dytë i tregon edhe bashkë. Njëra ka edhe mbishkrimin në italisht “A Dinucio Roma” dhe “Come pegno d ‘amore- LOLETTA”. E dashura e thërriste duke e italianizuar emrin e Dinos në Dinucio. Dino u vra në Shqipëri, ku vdiq Loletta? Kush mund ta rindërtojë sekretin e kësaj dashurie vallë?

***

Fotografitë janë metafora të rënda, sfiksore dhe memece. Heshtja është e pazhbërëshme më në jetë të jetëve. Për Dinon janë bërë monumente dhe skulptura bronzi. Por vargjet janë më të forta dhe kumbuese sesa bronzi. Ai kishte mik një italian antifashist, partizan në batalionin partizan – quhej Borgomazh. Kur u vra Dinoja i kushtoi një poezi: Të mori plumbi në Qafë të Kicokut.

Tani tek koka, atje majë malit

Nuk ke asnjë emër, por veç një peizazh

Dhe pllakën e Hënës- ku është gdhendur

“Borgomazh”!

Metafora e mësipërme flet për një prirje moderne poetike të Dinos.

Dhe ja një tjetër poezi e mrekullueshme “Pushka”

Harruam një çast të dashurojmë-

Lulet vyshken ende pa çelur.

Pushka na u bë dorë

Për t’i përdhelur!

 

***

Një tjetër pyetje torturonjëse më mundon. A ka shkruar poezi në italisht Dinoja? Ka mundësi, përderisa kishte miqësi me kryepoetin Quasimodo. A ka botuar ndonjë nga këto poezi në revistat e kohës. Nuk e dimë. Ndoshta nuk do ta dimë kurrë. Por nuk harrojmë dot çastin e fiksuar (pa kufij në kohë dhe në hapësirë) të Dinos martir me poetin antifashist italian, Salvatore Quasimodo. Poezia e plotpushtetshme, ndritëse, mbijetuese është midis tyre si ajri, vdekja dhe amshimi i pakapërcyeshëm dot. Amen!

Pranga për Ramadan Mujën

0

prangaGrupi i Qytetarëve Aktivë për Prizrenin kanë realizuar të enjten një aksion simbolik para ndërtesës së Komunës.

Në rrethojat e “Shtëpisë së Bardhë”, aktivistët kanë vendosur gjashtë palë pranga me emrin e kryetarit Ramadan Muja dhe pesë bashkëpunëtorëve të tij të dënuar ditë më parë.

Ata në të njëjtën kohë kanë paralajmëruar se do të dorëzojnë një padi në prokurori për vendimin e Mujës për pezullim të mandatit.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, ka thënë se “kryetari vazhdon ta respektojë vendimin për pezullim të mandatit”, ndërsa ka kërkuar nga grupi i aktivistëve që të mos interferojnë në punët e drejtësisë.
Ndërsa, sa i përket dorëheqjes, ai ka thënë se “është çështje individuale e Ramadan Mujës”./koha.net/

Paralajmërohet vazhdimi protestave për largimin e Mujës

0

RamadanMuja14-01Përfaqësuesit e shoqërisë aktiv “Për Prizrenin” kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë të organizojnë edhe në të ardhmen protesta për dorëheqjen e kryetarit të Prizrenit, ramazan Muja.

Protesta e ardhshme mbahet të hënën në “Shatërvan” në ora 12:00.

Ata kanë thënë se nuk do të heqin dorë nga kërkesa për dorëheqje.

Gjatë ditës së djeshme është organizuar një protestë nga shoqëria aktive “Për Prizrenin”, ku është kërkuar dorëheqja e kryetarit të Prizrenit RamadanMuja. Protesta ka filluar në sheshin “Shatërvan” në orën 12:00 dhe ka përfunduar rreth orës 14:00.

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja dy ditë më parë ka pezulluar përkohshëm detyrën e tij,deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata e Apelit./PrizrenPress.com/

Begaj takohet me banorët e fshatit Vërmicë

0

IMG_2169Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj,është takuar me banorët e fshatit Vërmicë.
Ai me banorët e këtij fshati ka biseduar për nevojat e fshatit,për masat mbrojtëse kundër etheve hemorragjike dhe largimin e mbeturinave nga ambienti.
Përfundimi i ndërtimit shkollës, ndërtimi i rrugës për lagjen e Ukajve dhe përfundimi i kanalizimit në lagjet e fshatit,kanë qenë kërkesat kryesore të banorëve të fshatit Vërmicë.

“Deri në shtator, shkolla do të jetë e gatshme për fillimin e procesit mësimor, ndërsa edhe rruga për lagjen e Ukajve, po ashtu do të ndërtohet, sikur edhe përfundimi i kanalizimit të mbetur në gjysmë”,premtoi Begaj.

Nga ana tjetër, me banorët e fshatit, sikur edhe në vendet tjera, është biseduar për masat mbrojtëse që qytetarët duhet të kenë, si preventivë kundër prekjes eventuale nga virusi i etheve hemorragjike, të cilat përcillen nga rriqrat tek njeriu. Kjo fushatë e informimit, është në kuadër të strategjisë kombëtare për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike.

Po ashtu, një çështje tjetër e kryetarit të komunës, e debatuar me banorët e Vërmicës, ishte edhe largimi i mbeturinave dhe mbrojtja e ambientit, kërkesë kjo e cila mori mbështetjen e banorëve, për organizimin e një aksioni të përbashkët, për largimin e mbeturinave nga ambientet ku jetojmë dhe për ruajtjen e ambientit.

“Ejani ta pastrojmë vendin tonë, pasi janë ndotur me fusha, me hapësira të gjelbra, me pyje, është ndotur gjithçka që na rrethon, andaj, ejani dhe ta pastrojmë këtë ambient, që të kemi një vend të pastër, dhe të mos jetojmë me këso vendgrumbullime të mbeturinave, të cilat janë edhe burim i infeksioneve të shumta, si dhe burim për shumimin e rriqrave dhe brejtësve të cilët bartin sëmundje të ndryshme”, tha Begaj./PrizrenPress.com/

 

Akademikët e çartën drejtshkrimin!

0

PROF. DR. RAMI MEMUSHAJVërejtjet për vendimet e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe i kam bërë të njohura sa herë që janë publikuar përfundimet e mbledhjeve të tij për drejtshkrimin. Që nuk bëhet fjalë për përmirësime të normës, kjo duket në atë që prej dy vjetësh ky organizëm po merret me drejtshkrimin; e dëshmon edhe shkalla e ndërhyrjes në rregullat. Dhe në propozimet e tij, përfshirë edhe këto të fundit, mungon argumentimi shkencor dhe arsyetimi i nevojës për ndryshime kaq të thella të rregullave.

Kjo anomali i ka rrënjët në mënyrën se si është kompozuar dhe se si funksionon ky organizëm. Nuk mund të fshihet më fakti se në orientimin e tij ka një frymëzim krahinor, që shprehet hapur qysh në “Orientimet” e vitit 2004 të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në të cilat shpallej si objektiv i vetëm ndryshimi i drejtshkrimit; ky orientim qe edhe boshti i konferencës së Durrësit të dhjetorit 2010. Një ndër anëtarët më të ekuilibruar të këtij këshilli, ndërsa po debatonim për ndryshimet, m’u shpreh në prani të disa kolegëve se “ju toskët nuk jeni fare tolerantë!” Pra, puna ka arritur deri aty sa të mendohet si gegë e si toskë. Duke parë këtë prapavijë jokombëtare që ka infektuar edhe studiues me emër, po dhe përbërjen aspak të ekuilibruar gjeografikisht, më lind e drejta ta quaj Këshillin Ndërakademik të Gjuhës Shqipe një këshill krahinor. Kjo anomali përfaqësimi i ka tërhequr vëmendjen edhe një autori tjetër, mësuesit mirditor Preng Cub Lleshi, delegat në Kongresin e Drejtshkrimit, i cili jo njëherë është shqiptuar në mbrojtje të gjuhës standarde. Sipas tij, “nuk është e “rastit” që nga 16 akademikët e këtij “Komisioni”, vetëm dy prej tyre janë “jugorë” (?!)” (Deri kur shteti ynë do të paguajë mercenarë, që luftojnë kundër gjuhës së njësuar?!, botuar në një të përditshme).

Ndryshimet e propozuara edhe kësaj radhe përmbajnë në disa pika të tyre përsëritje të rregullave aktuale të drejtshkrimit, si p.sh. propozimi për shkrimin e emrave të tipit materie dhe tramvaj, të ndajfoljeve barkas/barkazi e ndonjë tjetër. Ka ndonjë propozim, si ai për shumësat teatra, kuadra, kablla; përfaqëson zgjidhje që i fusin këta emra në klasën e emrave me -ër që shumësin e bëjnë me -a, si libër – libra etj. apo ai për foljet ec, ik, hip. Por pjesa tjetër e këtyre propozimeve përmbysin pa qenë nevoja rregulla të drejtshkrimit ose e zgjerojnë shumë fushën e veprimit të disa syresh, duke hapur shtegun për luhatje të reja. Ndërhyrja në një shkallë të tillë e çart drejtshkrimin, pasi shton pasiguritë në zbatimin e rregullave të tij. Përpjekje të këtij lloji, që nuk mbështeten në asnjë bazë të dhënash, në asnjë vrojtim e testim në terren, tregojnë edhe se në ç’nivel ka rënë gjuhësia shqiptare këta 20 e ca vjet.

Ajo që më shqetëson më shumë, është se një veprimtari e tillë e Këshillit Ndërakademik, e përqendruar në ndryshimin e rregullave të drejtshkrimit, e lë Akademinë e Shkencave të Shqipërisë shumë larg problemeve që paraqet aktualisht zbatimi i normës gjuhësore në trevat shqiptare. Kështu, nga një testim mbarëkombëtar që kemi bërë kohët e fundit në shkolla 9-vjeçare, të mesme dhe në universitete të Shqipërisë e të Kosovës, na rezulton se gjendja e zotërimit dhe e përdorimit të normës drejtshkrimore është tepër shqetësuese. Nga klasa e pestë në klasën e dymbëdhjetë përparimi në përvetësimin e këtyre normave është i papërfillshëm, çka do të thotë se mësimi i gjuhës shqipe në shkollë nuk arrin një nga objektivat kryesorë të programit të kësaj lënde: përvetësimin e normës drejtshkrimore.
Shkaku i kësaj gjendjeje nuk është vështirësia e rregullave të drejtshkrimit, po puna shumë e dobët e shkollës për formimin gjuhësor të nxënësve. Rrjedhimisht, edhe po të bëhet një kod i ri drejtshkrimor, përsëri edhe në zbatimin e tij do të vërehen të njëjtat probleme. Sepse kur 40 vjet kanë qenë të pamjaftueshëm për të ngulitur këtë normë drejtshkrimi, atëherë edhe për normën e re 40 vjet do të jenë po ashtu të pamjaftueshëm.

Pra, Këshilli Ndërakademik i është futur një rruge pa krye. Nuk kam asnjë dyshim se pranimi i këtij projekti do të kontribuojë jo për lehtësimin e drejtshkrimit, po për krijimin e dy drejtshkrimeve paralele, d.m.th. të një kaosi në shkrimin e shqipes; si të thuash, KNGJSH-ja, në vend t’i vërë vetulla, do t’i nxjerrë sytë gjuhës standarde.

E gjithë kjo ka rrjedhur ngaqë ky organizëm i është shmangur platformës që i ka vënë Akademia e Shkencave e Shqipërisë, e cila në platformën e saj të vitit 2011 e orienton punën e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe në problemet që “sot qëndrojnë në rrafsh të parë, si: rregullimi ligjor për gjuhën shqipe, përmirësimi i ndjeshëm dhe i bashkërenduar i mësimdhënies së gjuhës në shkollë, kujdesi më i madh për kulturën gjuhësore në veprimtarinë e administratës, në mjetet e informimit, në veprimtarinë botuese; mënjanimi i ndikimeve të huaja që dëmtojnë origjinalitetin e gjuhës shqipe e veçanërisht i fjalëve të huaja të panevojshme dhe i strukturave sintaksore të huaja për shqipen; veprimtaria në fushën e përpunimit dhe të njësimit të terminologjisë, hulumtimi e vlerësimi i njësive leksikore e frazeologjike që pasurojnë standardin dhe botimi i tyre; krijimi i një baze të përhershme të dhënash për një zhvillim të ri cilësor të leksikografisë shqipe etj.” (nxjerrë në korrik 2013 nga faqja http://www.akad.edu.al/ e përditësuar në mars 2011).

Prapavijat herë të fshehura e herë të hapura në trajtimin e problemeve të gjuhës standarde bëjnë që besueshmëria te Këshilli Ndërakademik të bjerë në zero. Prandaj ata që janë përfshirë në debatet për vendimet e propozimet e këtij këshilli janë shprehur për shpërndarjen e tij. Le t’u lihet puna në dorë institucioneve të specializuara, të cilat do të dinë t’i përballojnë me kompetencë e pa anësi këto probleme./PROF. DR. RAMI MEMUSHAJ/

LDK: Qeveria po diskriminon administratën e UP-së

0

LDK-logo5-23Tash e dy dytë, Administrata e Universtitet të Prishtinës është në grevë, për shkak të diskriminit të vazhdueshëm që i ka bërë asaj Qeveria e PDK-së. Në rritjen e pagave në prag fushatash elektorale, Qeveria e PDK-së, pa asnjë të drejtë, ka anashkaluar Administratën e UP-së.

LDK-ja konsideron se për gjendjen e krijuar përgjegjëse është Qeveria e PDK-së, e cili e përdor UP-në kur i duhet asaj dhe për interesa të veta.

LDK-ja kërkon që të zgjidhet statusi i Administratës së UP-së dhe pagat të nivelizohen.LDK-ja vlerëson se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë të barabartë dhe të trajtohen si të barabartë, thuhet në komunikaten e LDK-së.

Zëvendësuesi i kundërligjshëm

0

Kujtim GashiKryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, pas pezullimit të punës, ka emëruar ushtrues të detyrës të postit të tij, kryesuesin e Asamblesë Komunale, Kujtim Gashin. Përfaqësuesit e shoqërisë civile, ndërkaq emërim e Gashit e vlerësojnë të kundërligjshëm.
Përfaqësuesi i KDI-së në Prizren, Naim Cahanaj thotë se emërimi i kryesuesit Kujtim Gashi, në vend të kryetarit Ramadan Muja nuk ka mbështetje ligjore.

“Ekzekutivi dhe Legjislativi janë dy pushtete të ndara, prandaj është edhe kundërligjore emërimi i Gashit në detyrën e kryetarit ”, tha Cahanaj për “PrizrenPress”.

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, ka pezulluar detyrën e tij, deri në një vendim të Gjykatës së Apelit. Ai ushtrues të detyrës ka caktuar kryesuesin e AK-së, Kujtim Gashin.

Në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, kryetari mund të zëvendësohet vetëm nga nënkryetari i Komunës.

Përfaqësuesi i KDI-së Cahanaj thotë se edhe kjo çështje duhet të interperetohet nga Ministria e Pushtetit Lokal.

“MPL duhet të interpretojë edhe këtë çështje, sepse kemi të bëjmë me shkelje ligjore”, thotë Cahanaj./PrizrenPress.com/

Krasniqi:Keqpërdorimi i pronës publike në Prizren, nuk është punë e vogël

0

JakupKrasniqi10-29Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se është koha e fundit që politika kosovare ta instalojë institucionin e moralit brenda veprimit të saj.
Krasniqi, edhe pse ka theksuar se nuk dëshiron që të përzihet në vendimet të cilat i marrin gjykatat, mendon se vendimi i cili është shqiptuar për të parin e Prizrenit është paksa i çuditshëm, “përderisa ka pasur keqpërdorim të pronës publike, që nuk është punë e vogël”.

“Mendoj se morali duhet të jetë vlerë e partive politike dhe që, anëtarët e tyre, në momentin që dyshohen për kryerjen e ndonjë vepre që sanksionet me ligj, të japin dorëheqje. Konsideroj që edhe ligji duhet që të rregullohet asisoj: individët të cilët dyshohen për keqpërdorim të pozitës së tyre, të japin menjëherë dorëheqje dhe ta presin vendimin përfundimtar të gjykatës”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq, për deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demokratike të Kosovës, Basi Musmurati, i cili ka thënë se pas zgjedhjeve të gjitha partitë do të ngarendin pas PDK-së, kryetari i Këshillit Kombëtar të partisë Nisma për Kosovën, ka theksuar se, “nuk e ka të qartë se në cilat parti ka aluduar Musmurati”, duke shtuar se Nisma ka vizion të qartë për rrugën e saj. /telegrafi/

LDK e ka harruar familjen Rugova

0

DardanGashi-MMPHDardan Gashi, nga “Lista Dr.Ibrahim Rugova”, thotë se shpërfillja e familjes Rugova, nga LDK’ja, prej se është arrestuar Ukë Rugova, bën që të ketë pak gjasa se kjo listë do të bashkëpunoj me LDK’në.

“Është vështirësuar shumë çështja e bashkëpunimit me LDK’në për shkak se prej arrestimit të Ukë Rugovës e këndej LDK’ja nuk ka pasur asnjë kontakt me familjen Rugova dhe as me ne. Nuk e shoh të arsyeshme, në fund të fundit, qta vazhdojmë bashkëpunimin politik me LDK’në, e cila qartazi është mospërfillëse ndaj kësaj familje”.

“Z.Mustafa prej se është në burg Ukë Rugova ka harruar që ekziston ai”.

“Mundësinë e bashkëpunimit me LDK’në e ka zbehur mospërfillja e familjes Rugova nga ana e kësaj partie prej arrestimit të Ukë Rugovës e këndej”.

Në një intervistë dhënë për “Epoka e Re”, Gashi thotë se po duket se LDK po përmend emrin e Presidentit Ibrahim Rugova, vetëm “kur kanë nevojë për vota”.

“Po, ashtu po duket.”

“Është e rëndësishme që emri i presidentit historik Ibrahim Rugova dhe familjes së tij të mos përmenden vetëm kur kanë nevojë për vota”.

Dardan Gashi thotë se “Lista Dr.Ibrahim Rugova”, do të marr pjesë në zgjedhje, por akoma nuk është vendosur nëse do të kandidojnë vetëm. Ai shpreson se sërish do të jenë pjesë e vendimmarrjes.

“Fakti që Ukë Rugova ndodhet në paraburgim nuk do të thotë se ne jemi dorëzuar politikisht sepse ai nuk është shpallur fajtor”.

“Do të vazhdojmë të jemi aktivë në jetën poltike, mirëpo mënyra se si do të kërkojmë votën nuk është vendosur ende”.

“Shpresojmë se do të jemi pjesë e vendimmarrjes edhe në mandatin e ardhshëm”.

I pyetur se kur dëshiron që të mbahen zgjedhjet, Gashi u përgjigj se dëshiron që ato të mbahen në muajin maj.