33 C
Prizren
E shtunë, 9 Gusht, 2025
Home Blog Page 8676

Pjesëmarrja e grave në jetën publike si kundërpërgjigje ndaj diskriminimit të tyre

0

grat malisheveNë Malishevë është mbajtur një takim me gra.Në këtë takim kanë marrë pjesë gratë kandidate për Asamblenë Komunale nga Lëvizja Vetëvendosje! Hidajete Mazreku, Jetmira Vrenezi, Libade Gegaj, Shukrie Elezi,dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës Albulena Haxhiu. Në këtë takim u diskutuan për shqetësimet dhe problemet që hasin ç’do ditë gratë e Malishevës.

Ndër problemet që u diskutuan ishin: mungesa e çerdhes, mungesa e një shkolle fillore në lagje pasi shkolla aktuale gjendet shumë larg disa lagjeve të qytetit, shkelja e të drejtave në punë për ato pak gra që punojnë, papunësia e madhe, injorimi i institucional i iniciativave të grave në bujqësi e sektorë tjerë dhe shumë probleme të tjera.

Deputetja Albulena Haxhiu foli për rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në jetën politike e publike dhe u shpreh e gatshme të adresoj në Parlament dhe forume të ndryshme çfarëdo problemi që kanë gratë.

Gratë në këtë takim u shprehen të kënaqura që patën mundësi që bashkë me Aktivistet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! të flasin për problemet dhe sfidat që ka gruaja sot në Malishevë dhe ti adresojnë disa kërkesa për asamblistet e ardhshme./PrizrenPress.com/

 

Veteranët e UÇK-së kërcënojnë me bllokim të zgjedhjeve

0

Veteranet-protestaKryesia e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Vlerave të Luftës së UÇK-së, ka paralajmëruar Qeverinë, qoftë edhe me bllokim të procesit zgjedhor, nëse nuk realizohen premtimet e dhëna dy vjet më parë.

Përfaqësues të Këshillit kanë paralajmëruar sërish daljen në rrugë, për mosrealizim të premtimit që ua dha Qeveria, e që rezultoi me ndërprerjen e grevës 61 ditëshe.

Këshilli, ndonëse ka një muaj që kërkon të takohet me kryeministrin Thaçi, ende nuk ka marrë përgjigje nga ai, transmeton KTV.

Kryetari Xhevdet Qeriqi ka thënë se kërkesat e veteranëve, nuk është vështirë të realizohen.

Ai ka kritikuar edhe kryetarin e Komisionit për verifikimin e veteranëve të UÇK-së, Agim Çekun, për të cilin ka thënë se ka harruar veteranët, duke u marrë me fushatë elektorale.

Pro zgjedhjeve nacionale këtë vit

0

KuvendiKosoves9-21Të gjitha partitë politike në vend, përfshirë edhe atë më të madhen, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) janë të pajtimit që sivjet të mbahen edhe zgjedhjet nacionale, si të parakohshme, së bashku me ato lokale.

Fakti se tri ditë më parë partia e kryeministrit, Hashim Thaçi, nuk ia ka dalë t’i mbledhë as deputetët e vet në Kuvendin e Kosovës, e aq më pak t’i bindë ata të opozitës që të qëndrojnë sall për të krijuar kuorum, gjegjësisht për ta votuar privatizimin e PTK-së, duket se ua ka “mbushur mendjen” subjekteve politike që t’i thonë “po” zgjedhjeve të parakohshme, shkruan Zëri.

Ndërkaq, “dilema” e vetme mbetet nëse zgjedhjet nga të cilat do të dalë përbërja e Kuvendit të ri të Kosovës dhe ajo e Qeverisë, është nëse ato do të mundë të organizohen në ditën kur kosovarët do t’i zgjedhin drejtuesit e kuvendeve komunale dhe kryetarët e tyre – më 3 nëntor.

Zgjedhjet e shpejta, rrezik për demokracinë

Njëri nga ish-drejtuesit e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Mazllum Baraliu, thotë se sipas ligjeve në fuqi, nëse ta zëmë gjatë javës së ardhshme bie qeveria, dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, atëherë ato do të mundë të mbahen në të njëjtën ditë me zgjedhjet lokale, përkatësisht më 3 nëntor.

Por, Baraliu insiston se është në të mirë të vendit që kjo të mos ndodhë, ngase, siç thotë ai, për të pasur zgjedhje të lira, demokratike e ligjore, atyre duhet t’u paraprijë puna e institucioneve përkatëse së paku gjashtë muaj më parë.

“Teoritikisht dhe juridikisht mundësia ekziston (për datën 3 nëntor) edhe në këtë kohë, nëse ekziston gatishmëria e subjekteve politike, edhe e atyre që janë në pozitë madje, se këto që janë në opozitë nuk janë unike. Mund të ketë zgjedhje të parakohshme edhe mund të zhvillohen”, thotë ai, duke shtuar se secili person që kupton nga proceset elektorale do të ishte skeptik në pyetjen nëse KQZ-ja do t’ia dalë të organizojë zgjedhje të mirëfillta për 45 ditë, veçanërisht, në kohën kur është duke i organizuar zgjedhjet lokale.

Baraliu nënvizon se partitë politike duhet të kontribuojnë që procesi elektoral për zgjedhjet lokale të vazhdojë i tillë çfarë është, ndërsa të bëhen përgatitjet e duhura dhe gjatë vitit të ardhshëm të ketë zgjedhje nacionale.

Fatmir Limaj paralajmëron kthimin në politikë

0

FatmirLimaj-lirimiFatmir Limaj ka paralajmëruar kthimin në politikë. Ai këto komente i ka bërë në Kleçkë gjatë pritjes që ka organizuar për qytetarët, vetëm disa ditë pasi është shpallur i pafajshëm në rastin “Kleçka”.

Limaj ka thënë se Kleçka është vendi ku kanë dhënë jetën shumë dëshmorë për lirinë e Kosovës. “Vendi ku jemi sot, është vendi i lirisë, i themelimit të njësive të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ky është vendpushimi i parë ku ne e kemi bërë me dëshmorin Ismet Jashari dhe sot është një vend siç e shini ju ku janë dëshmorët”, ka thënë Limaj për RTK.

I pyetur për të ardhmen e tij politike, Limaj ka thënë se do të jetë aktiv në politikë. “Patjetër, do ta vazhdojë punën time për vendin”, ka thënë Limaj.

Eksploatimi i rërës “vret” lumenjtë e Kosovës

0

NaimCahani-kdiNaim CAHANAJ

Lajmi i vitit për dashamirët e mjedisit: “Dita e tretë e muajit janar 2012 është data e fundit kur duhet të largohen makineritë e shfrytëzuesve ilegalë të rërës dhe zhavorrit nga lumenjtë e Kosovës”. Kështu tha më 2 nëntor ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, në konferencë me gazetarë.

Vendimi u miratua po më 2 nëntor të vitit 2011 nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Mirëpo pasoi një vendim i Gjykatës Supreme të Kosovës, sipas të cilit pezullohej vendimi qeveritar dhe çështja mbeti zvarrë… Në anën tjetër ekologët paralajmërojnë se eksploatimi pa kritere i rërës nga shtretërit e lumenjve kosovarë në tërë periudhën e pasluftës ka shkaktuar masakrim, pra “mbytje” të ambientit…

Eksploatimi i egër i rërës nga shtretërit e lumenjve ndikon drejtpërdrejt në degradimin e rrjedhës së sipërme dhe në drejtim të rrymës duke shkaktuar ndryshim të dhunshëm të rrjedhës së lumit, pra duke degraduar tërë sistemin e lumenjve, shkakton erozion dhe përmbytje të tokave bujqësore dhe qendrave të banuara, pra rrezikon edhe jetë njerëzish; Ndikon në shkatërrimin e bimëve të kultivuara përgjatë shtretërve të lumenjve apo luginave, pra botës bimore e shtazore që jetojnë në lumenj.

Agjensia WRR (Water Resorces Research) në një artikull të botuar nga V. J. Galay, më 9 qershor 2010 vlerësonte se degradimi i shtratit të lumejve mund të vazhdojë në drejtim të rrymës si dhe në rrjedhën e sipërme varësisht nga shkaku i degradimit.
Pra pasojat e degradimit nuk ndihen vetëm në vendin ku eksploatohet rëra porse shumë kilometra më larg përgjatë rrjedhës së lumenjve.

Shkaqet e degradimit që shkojnë në drejtim të rrymës, janë të lidhura kryesisht me ndryshimet në variablat e pavarura të kanalit të lumit, të tilla si rritja e shkarkimet e ujit, uljes së madhësisë së materialit të shtratit dhe ulje e sasisë së shkarkimit të materialit të shtratit të lumit..

Këto shkaqe degraduese janë të lidhura të gjitha me një rritje të imponuar në shpatin e lumit që mund të ndodhin si rezultat i natyrës por edhe të ndryshimeve që bën faktori njeri. Degradimi nga faktori njeri, dmth. marrja e zhavorit (materialit të shtratit lumor) mund të inicojë degradimin në rrjedhën e sipërme duke përparuar përgjatë tërë rrjedhës së lumit, duke e shkurtuar atë ose duke i ndërruar drejtimin e natyrshëm dhe kështu vjen tek degradimi i tërë një sistem lumenjsh.

Në raportin e parë të pasluftës për gjendjen e mjedisit 2006-2007, publikuar më 2008 nga Ministria e Ambientit (Mahyr Jagcilar) thuhej se nga aktivitetet antropogjenë shtretërit dhe brigjet e lumenjve ne Kosovë i janë nënshtruar eksploatimit te pakontrolluar te rërës, e cila ka shkaktua degradimin e këtyre sipërfaqeve. Shkallë më të lartë të degradimi nga eksploatimi i rërës kanë “Drini i Bardhë” dhe “Lumëbardhi i Pejës”.

Sipas këtij raporti thuhej se gjendja është përmirësuar pas nxjerrjes se Vendimit me të cilin ndërpriten këto aktivitete në distancë 50 metra nga shtrati i lumit.

Mirëpo, të dhënat flasin se degradimi më i madh i shtretërve të lumenjve në Kosovë ka ndodhur pikërisht në këto vite 2008 – 2012.
Kjo periudhë e eksploatimit barbar, të kundërligjshëm të shtretërve të lumenjve shkon edhe më thellë në kohë, që nga paslufta e këtej.
Tek më 2 nëntor të vitin 2011 Qeveria e Kosovës, me kërkesën e Ministrisë së Mjedisit dhe Palnifikimit Hapësinor (MMPH) kishte marrë një vendim për ndalimin e eksploatimit të kundërligjshëm të rërës nga shtretërit e lumenjve kosovarë. Pra, deri më 2012 ndonëse ishin bërë kallzime penale ndaj degraduesëve, edhe pse askush nuk ishte amnistuar – askush nuk ishte ndëshkuar, e kjo sipas zyrtarëve të MMPH-së është rezultat i të bërit sehir të gjykatave, që nuk kishin ndërmarrë asnjë hap në ndjekjen dhe ndëshkimin e eksploatuesëve të kundërligjshëm të zhavorit.

“Paditë janë proceduar për gjykatë ndaj këtyre operatoreve, kurse këtyre padive u kanë paraprirë edhe vendimet nga MMPH-ja ndaj këtyre operatorëve. Askush nuk është amnistuar dhe në mungesë të reagimit nga gjykatat ka ardhur deri te inicimi i tillë që MMPH-ja të kërkojë nga Qeveria të nxjerrë një vendim të tillë”, pati thënë Gazmend Avdiu, këshilltar për media në MMPH.

Vendimi i Qeverisë kosovare u kishte dhënë afat operatorëve që merren me eksploatimin e rërës që deri më 3 janar të vitit 2012 të largojnë makineritë e tyre të vendosura përgjatë lumenjve. Madje kjo ministri ishte kërcënuar se nëse do të shpërfillej ky afat, do të kërkohet edhe ndihma e trupave të KFOR-it për të konfiskuar makinerinë e operatorëve ekonomikë, që kanë shkatërruar lumenjtë e Kosovës, tash e dymbëdhjetë vjet. Me atë vendim qeveritar parashihej që përveç konfiskimit të makinerive do të ndëshkoheshin edhe me një gjobë që mund të shkonte deri në 100 mijë euro.

Ministria e Mjedisit kishte një listë prej 103 kompani eksploatuese që operonin në ata pak lumenj që i ka Kosova, e nga të cilat vetëm 1/3 ka qenë të licensuara. Fatkeqësisht edhe kompanitë e licencuara kanë rezultuar të jenë brutalisht jashtë kushteve të licencave që posedojnë dhe si pasojë Ministria e Mjedisit ka i ka marrë 32 vendime për ndalimin e aktiviteteve, do të thotë, të eksploatimit dhe 28 padi kundërvajtëse ndaj kompanive që kanë pasur licencë për këtë punë, por që nuk iu kanë përmbajtur kritereve mjedisore.

Licencat e tyre do të jenë të pavlefshme për një periudhë kohore prej 1 deri në 3 vjet, për t’i dhënë një mundësi natyrore rehabilitimit të shtretërve të lumenjve. Natyrisht që në degradimin e dhunshëm të lumenjve kanë operuar edhe shumë kompani të palicensuara, sepse askush nuk i ka kontrolluar. Marrjes së vendimit qeveritar për ndalimin e eksploatuesve të rërës nëpër lumenj i ka paraprirë kërkesa e Ministrisë së Mjedisit, duke u bazuar në një raport inspektimi të kryer në tetor të vitit 2011.

Raporti i këtij inspektimi ishte alarmant: Segmente të tëra të lumenjve në Kosovë janë sjellë deri tek kolapsi ekologjik si pasojë e eksploatimit të pamëshirshëm.

“Për pasojë eksploatimi ka shkaktuar përmbytjet e shpeshtuara, shkatërrimin dhe në fund humbjen e tokave bujqësore, si dhe degjenerimin e rrjedhës natyrale të ujërave. Nga shkatërrimet e pakontrolluara ka ardhur deri te humbja e jetës dhe pasurisë së qytetarëve tanë”, pati thënë ministri Dardan Gashi.

Më 16 janar 2012, kolegji prej tre gjyqtarësh i Gjykatës Supreme të Kosovës vendos të shtyjë ekzekutimin e vendimit të qeverisë pas pranimit të kërkesës së shoqatës “Zhavorri”, përfaqësuese e kompanive që nxjerrin rërë – për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës nr 02/46. Aktvendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës, i cili thirret në emër të mbrojtjes së interesit publik, është befasues kur konsiderohet se vendimi i Qeverisë është marrë me qëllim të ndalimit të degradimit të mëtejmë të shtretërve të lumenjve, tokave bujqësore, dhe mbrojtjes së biodiverzitetit të tyre.

MMPH dhe KPMM konkludojnë se pavarësisht këtij aktvendimi të Gjykatës Supreme, i cili e pezullon përkohësisht zbatueshmerinë e vendimit të Qeverisë, ligjet e tjera, të cilat i rregullojnë sferat përkatëse dhe konform kompetencave ligjore, janë të vendosura që edhe më tutje të vazhdojnë aktivitetin e vet, në mbrojtje të lumenjve dhe hapësirave rreth tyre.

Të gjitha kompanive eksploatuese të rërës dhe zhavorrit nga lumenjtë dhe hapësirat përreth tyre u janë pezulluar licencat e eksploatimit nga ana e KPMM-së, si pasojë e moszbatimit të kushteve të lejeve në vazhdimësi nga ana e këtyre operatorëve. Pavarësisht vendimit i cili është i pezulluar, ata nuk kanë të drejtë që të vazhdojnë aktivitetin e tyre.

Në ndërkohë, 22 OJQ për mbrojtjen e mjedisit reaguan ndaj vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës.

“Ne mendojmë se situata aktuale është alarmante dhe se duhet vepruar tash dhe menjëherë. Zgjidhjet duhet kërkuar në rend të parë nga institucionet, si në nivel qendror (ministritë) ashtu edhe në atë lokal (komuna). (…) U bëmë optimist, kur pamë se institucionet kanë filluar të ndërrmarrin masa konkrete ndaj disa prej abuzuesve të mëdhenj të mjedisit -më konkretisht eksploatuesve të rërës në lumenj të Kosovës.

Por, u zhgënjyem pa masë kur e kuptuam se kjo ndërmarrje, e para në drejtim të ndaljes së një degradimi aq të dukshëm dhe të dëmshëm që reflektoi edhe deri në humbje jetësh njerëzore është kundërshtuar nga Gjykata Supreme e Kosovës, dhe është kthyer pas realizimi i saj” – thuhej në deklaratën e shoqërisë civile..

Pas ankesës së Qeverisë së Kosovës, Gjykata Supreme dhe me avokimin e shoqërisë civile kosovare dhe të Këshillit të Europës, kjo gjykatë e revokon vendimin për pezullim, kështu që, për këtë problematikë mbeti në fuqi vendimi qeveritar që është njëherësh një dritë në fund të tunelit – apo një shpresë se lumenjtë kosovarë do ta mbijetojnë vdekjen!

MMPH në qershor të vitit 2013 ka ushtruar edhe një kallëzim penal kundër NTP “Vëllezërit Morina”, eksploatues të rërës dhe zhavorit nga fshati Xërxë të Komunës së Rahovecit. Gjatë inspektimeve rutinore nga inspektorët e MMPH është konkluduar se operatori nuk ka zbatuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e aktiviteteve që kanë të bëjnë me eksploatimin, seperimin e rërës dhe zhavorit në lumenjtë dhe hapësirat përreth lumenjëve në gjithë territorin e Kosovës.

“Gjatë vizitës inspektuese, ku të pranishëm ishin edhe inspektorët nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, është kuptuar se operatori nuk posedonte licencën e punës nga KPMM. Për më tepër, kishte refuzuar të japë informacion se nga ku është duke e marrë rërën të cilën më pas e përpunonte në seperatorin e tij”, thuhej në njoftimin e MMPH-së. Megjithatë hapat e tillë janë shumë të vegjël karshi katastrofës mjedisore që po e shkaktojnë personat dhe kompanitë e papërgjegjshme.

Vrasja e një njeriu është krim ndaj humanitetit – vrasja e një lumi është krim ndaj natyrës!

(Autori është menaxher i projektit në Institutin Demokratik të Kosovës, KDI.)

PK-ja akuzon pushtetin për ndërtimet e egra në Prizren

0

PKPartia Konservatore e Kosovës ka kundërshtuar zhvillimin e deritanishëm urban të Prizrenit, i cili është i shëmtuar me një strukturë të rrezikuar skajshmërisht nga veprimet e paligjshme dhe ndërtimi i pakontrolluar stihik.
Përgjegjësi për Urbanizëm dhe Zhvillim Hapësinor,Shend Kabashi,tha se deri më tani planifikimet urbane në komunën e Prizrenit kanë qenë në kundërshtim të ligjit për planifikim hapësinor.

Sipas tij, komuna ka pasur në dispozicion planin zhvillimor urban 2004-2014 i cili është hartuar pa ekzistimin e planit zhvillimor komunal të Prizrenit. “Hartimi i planeve rregullative urbane duke u bazuar në planin zhvillimor urban të lartpërmendur ka degraduar qytetin tonë duke krijuar një kaos të vërtet urbanistik”, tha Kabashi.

Sipas tij, ndërtimet e pakontrolluara e kanë shndërruar Prizrenin në një komunë të gjymtuar dhe si shembuj më të mirë janë ndërtimet e larta shumëkatëshe në qytet dhe villat luksoze të partiakëve në Prevallë.

Kryetar i Partisë Konservatore të Kosovës, Munir Basha tha ndërkaq disa herë ka ngritur këtë çështje edhe në Asamblenë Komunale. “ Kërkesa jonë ka hasur në veshtë të shurdhër të qeverisë komunale, sepse kjo gjendje kaotike është krijuar dhe ka vazhduar në kohën e tre mandateve të fundit të qeverisjes komunale në Prizren”, tha Basha.

Sipas tij, për kete gjendje kaotike urbanistike fajtor nuk është vetëm buxheti i vogël i kësaj drejtorie,siç thotë drejtori i Urbanizmit, Sadik Paçarizi. “ Mbi gjitha, fajin dhe pergjegjesinë kryesore e ka kjo klasë politke, të cilës i mungon vizioni dhe vullneti politik për të ruajtë këtë qytet si dhe fakti që qeverisja komunale është në shërbim të interesave partiake,klanore dhe kriminale ”, tha Basha.

Ai premtoi se Partia Konservatore, Prizrenit do ta kthejë shpresen me parandalimin e keqpërdorimeve të tilla partiake dhe to të zbatojë projekte madhore urbanistike dhe hapësinore qe do te kthejne frymen autentike të qytetit, sikurse: rikonstruimi i Sheshit të Arastas dhe te tjera./PrizrenPress.com/

 

Liberalizimi i vizave, mision i paarritshëm edhe për 2014-n

0

Vizat-schengenMospërmbushja e kritereve të përcaktuara me udhërrëfyesin e Bashkimit Evropian, mund ta lërë Kosovën pa u përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave edhe gjatë vitit 2014, tërheqin vërejtjen deputetë dhe njohës të proceseve integruese evropiane.

Po ashtu, për shkak të zgjedhjeve në institucionet e BE-së, Kosovës i sugjerohet të shpejtojë me përmbushjen e objektivave brenda këtij viti, në mënyrë që të kualifikohet për procesin e liberalizimit para se institucionet e BE-së të përfshihen në zgjedhje.

Në bazë të dinamikës dhe punës që është bërë në Kosovë, kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk pret ndonjë zhvillim pozitiv sa i përket përfshirjes së Kosovës në zonën e Shengenit gjatë vitit 2014.

“Ajo që unë po e shoh tash, është se ka shumë pak mundësi që Komisioni Evropian vitin e ardhshëm t’i japë Kosovës impulse tjera pozitive. Pritja ime më e madhe është që të përfundojnë negociatat dhe dialogu mbi liberalizimin e vizave të qartësohet. Mirëpo, me këso qeverisje vështirë që do të arrihet diçka”, ka thënë Haziri.

Se Kosova mund të përmbushë kriteret në një afat më të shpejtë dhe të zërë hapin e fundit drejt liberalizimit të vizave, me mjaft pesimizëm është shprehur edhe Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

E vetmja mënyrë që Kosova të kualifikohet për këtë proces, është përmbushja e objektivave të udhërrëfyesit deri në dhjetor, ka theksuar Doli në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

“Procesi i liberalizimit të vizave, marrë parasysh edhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian mund të zgjatet dhe do të mund të përfshijë kohën edhe për pjesën e dytë të vitit 2014. Kjo është një frikë reale dhe institucionet e Kosovës duhet të tregohen shumë më serioze që të përfundojnë të gjitha obligimet që kanë në kuptim të liberalizimit të vizave deri në dhjetor të këtij viti”, është shprehur Doli.

Gjatë takimit të fundit të Komitetit Drejtues për Liberalizim të Vizave, kryeministri Hashim Thaçi u ka kërkuar më shumë angazhim ministrave në përmbushjen e kritereve nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave.

“Javët dhe muajt në vijim janë vendimtar për procesin e liberalizimit të vizave, shumicën e kritereve tashmë i kemi zbatuar kështu që të mos lejojmë të vonohemi në këtë proces, mos të lejojmë që për shkak të neglizhencës dhe mosangazhimit, të vonohet lëvizja e lirë e shtetasve tanë pa viza në BE”, ka theksuar Thaçi.

Në anën tjetër, Dren Doli i ka rikujtuar Qeverisë dhe kryeministrit të Kosovës se retorika e tyre nuk mjafton për përmbushjen e kritereve. Sipas tij, objektivat janë të qarta dhe se BE-ja kërkon hapa konkretë në rrafshin e sundimit të ligjit dhe luftimit të dukurive negative.

“Kosova është dashur që nga fillimi të tregohet më serioze dhe të përgatitet për sfidat që e presin në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Duhet të tregohet seriozitet maksimal që kriteret e mbetura, sidomos ato të përfshira në kreun mbi rendin dhe sigurinë publike dhe që lidhen kryesisht me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të përmbushen sa më parë”, ka thënë Doli.

Krahas ngecjeve në përmbushjen e kritereve dhe zgjedhjeve në institucionet e BE-së vitin e ardhshëm, këtë vit vlerësohet se kishte edhe dy zhvillime që mund të ndikojnë në shtyrjen e një vendimi pozitiv të Brukselit për përfshirjen e Kosovës në liberalizim.

Së pari, ishte rritja e migrimeve ilegale dhe numrit të azilkërkuesve nga Kosova për në vendet e BE-së dhe së dyti, rekomandimi i Parlamentit Evropian që edhe për vendet e Ballkanit tashmë të përfshira në liberalizimin e vizave, mund të kthehet regjimi i mëparshëm nëse nuk i zbatojnë kriteret evropiane.

Të gjitha këto zhvillime vlerësohet se i zvogëlojnë gjasat që qytetarët e Kosovës të kalojnë fazën e izolimit drejt qarkullimit të lirë nëpër vendet e Bashkimit Evropian.

“Sculp’Edu” përcjell mesazh me muzikë në Prizren!

0

SculpFest9-18Edicioni i dytë i “Sculp’Edu” organizon sonte ndejë shoqërore në Prizren, me fillim në ora 21:00 tek lokacioni “Qarshia&BarAca”, në të cilën si ngjarje kyç do të jetë: “Performanca me Bager”. Përmes këtij aktiviteti “Sculp’Edu” apelon për vetëdijesimin e masave në drejtim të pengimit të degradimit të qytetit, e cila në vazhdimësi është duke u degraduar.

“Struktura urbane e Prizrenit, e sidomos e zonës historike është duke u transformuar si pasojë e aktivitetit degradues urbanistik në dhjetë vitet e fundit. Kjo veprimtari është duke e shkatërruar trashëgiminë kulturore dhe potencialin turistik të qytetit tonë të lashtë dhe historik”, thuhet në njoftim.

Në këtë eveniment do të këtë muzikë Jazz me: Ilir Bajri, Vocal – Eldita Tarhani, Enes Bajramliq, Drums and Saxaphone – Dukagjin Muhagjeri./PrizrenPress.com/

PDK-ja në Malishevë formoi shtabin zgjedhor

0

Kilaj9-21Dega e Partisë Demokratike të Kosovë në Malishevë, e udhëhequr nga kryetari dhe kandidati për kryetar të Malishevës, Isni Kilaj, ka mbajtur sot një takim pune, me kryesinë e degës, Këshillin Drejtues, kryetarët e nëndegëve dhe kandidatët për Asamblenë Komunale, ku është zgjedhur edhe Shtabi Zgjedhor, i cili kryesohet nga Skënder Hoti kryetar i shtabit dhe Naser Krasniqi, nënkryetar (të dy anëtar të Kryesisë së Degës). Përveç Shtabit zgjedhor, u bë edhe zgjedhja e trupave tjera përcjellëse, që janë të mobilizuar në zgjedhje.

“Atmosfera është jashtëzakonisht e mirë dhe elektorati i PDK-së është shumë stabil, që po vazhdon të rritet në numër, çdo ditë e më shumë. Jemi shumë mirë dhe kërkoj që fushata dhe dita e zgjedhjeve, të jetë e mirë dhe e qetë, por duhet të punojmë që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë sa më masive”, tha Kilaj.

Kilaj bëri të ditur, se shtabet janë formuar edhe nëpër nëndegë të PDK-së, në fshatra dhe përveç kësaj janë caktuar edhe 1 500 aktivistë, të cilët do punojnë gjatë fushatës zgjedhore./PrizrenPress.com/

Të rinjtë e RDK-së, vizituan Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë

0

shkodrani ne varrezaRinia Demokratike e Kosovës në Prizren, ka filluar sot aktivitetet e saj. Të rinjtë e këtij subjekti politik i kanë vizituar Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë, si dhe Kompleksin e Dëshmorëve në qytet.

Kryetari i RDK-së në Prizren Shkodran Kryeziu, tha vizitat te varrezat e dëshmorëve kanë për qëllim nderimin për të gjithë të rënët për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

“Vendi i Varrezave në Landovicë do mbetet vend i shenjtë, ku gjithmonë do përulemi, për ata të cilët kanë derdhë gjak për këtë vend”, tha Kryeziu. /PrizrenPress.com/