18.8 C
Prizren
E mërkurë, 29 Prill, 2026
Home Blog Page 8873

Pjesëtarët e MUP-it serb në Kosovë, në punë deri më 31 dhjetor

0

Policia serbeQeveria e Serbisë ka miratuar konkluzionin sipas të cilit të punësuarve në Ministrinë e Brendshme të Serbisë (MUP), të cilët jetojnë në Kosovë, marrëdhënia e punës do t’u ndërpritet më 31 dhjetor, transmetojnë mediat serbe.

Në komunikatën e lëshuar pas mbledhjes së Qeverisë së Serbisë, theksohet se Qeveria ka angazhuar MUP-in që, me qëllim të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit, të rregullojë statusin e të punësuarve në MUP, të cilët jetojnë në Kosovë.

Të punësuarve në MUP, siç transmeton Koha.net, të cilët jetojnë në Kosovë, më 31 dhjetor do t’u ndërprite marrëdhënia e punës dhe atyre “do t’u “sigurohet e drejta në pension në shumën 60 për qind e rrogës së tyre mesatare të realizuar gjatë këtij viti”, thuhet në konkluzionin e Qeverisë së Serbisë.

Edmond Zhulali, i kënaqur me prurjet në festivalin e këngës në RTSH

0

EdmondZhulali-rtshDrejtori artistik i Festivalit të këngës në RTSH në një intervistë për faqen zyrtare të këtij festivali ka deklaruar se në edicionin e sivjetmë ka stile të ndryshme muzikore. Sipas tij juria do ta ketë shumë të vështirë të zgjedhë këngën fituese, që është edhe kurora e Shqipërisë që e çon vendin në Festivalin Europian.

Ndonëse është bërë me dije edhe më herët, por a mund të na tregoni edhe për miqtë e faqes festivali-rtsh.al, se si është konceptuar këtë vit Festivali i Këngës?

Siç dihet nga publiku, janë miratuar 16 këngë. Ndërkohë është bërë e ditur edhe struktura e festivalit e cila do të jetë në tri net, në datat 26, 27 dhe 28 dhjetor në Pallatin e Kongreseve. Pjesë e Festivalit do të jenë edhe duetet që do të këndohen nga këngëtarët konkurrues në bashkëpunim me këngëtarët e zgjedhur nga ne, të cilët kanë një eksperiencë shumë të madhe edhe në skenën e Festivalit të Këngës. Këngët që do të këndohen në duet, janë këngë të Festivalit ndër vite por që nuk janë kënduar në festival nga këngëtarët konkurrues dhe ata të ftuar.

A mund t’i japim një përgjigje të gjithë atyre që pyetën me dyshim se pse këtë vit janë vetëm 16 këngë në konkurrim?

Ka patur efektin e vet kjo formulë. Është hera e pare që zgjidhen vetëm 16 këngë për t’u kënduar në Festivalin e Këngës. Por e gjitha ka qenë e paramenduar sepse në fillim është vendosur për strukturën e festivalit e më pas janë zgjedhur këngët sipas asaj që kërkonte formula e këtij viti. Për mua ka qenë shumë e vështirë pasi bie një barrë shumë e madhe mbi drejtorin artistik por mendoj që është bërë një punë shumë e mirë sepse ne arritëm që të kemi një juri shumë profesionale. Ky është festivali i katërt që drejtoj dhe jam përpjekur të ndërtoj gjithçka mbi drejtësinë dhe ndershmërinë, sepse duke qenë edhe vetë një konkurrues në shumë festivale kam kërkuar që gjithçka të jetë e barabartë. Pra në këtë këndvështrim përgjegjësia ka qenë shumë e madhe. Çdo artist pjesëmarrës në festival pavarësisht kontributeve në karrierën artistike duhet të ndjehet i barabartë dhe i vlerësuar në të gjithë fazat e zhvillimit të festivalit. Mbi të gjitha, mendoj që është detyrë e drejtorit artistik të krijojë një marrëdhënie korrekte dhe një ambient sa më bashkëpunues ndërmjet të gjithë artistëve dhe stafit realizues të festivalit.

Pak më lart përmendët këngëtarët big të ftuar. Si padashur, janë mësuar disa nga emrat e të ftuarve. Ju, a mund të na bëni me dije cilët do të jenë ata?
Unë nuk e njoh fjalën “padashur”. Unë njoh vetëm rregullat e festivalit të cilat i respektoj në mënyrë absolute. Ajo që mund të them është se ata janë emra shumë të njohur dhe mjaft të dashur për publikun. Megjithatë do të ketë një prezantim publik të këngëtarëve të ftuar për duetet si dhe për prezantuesit e këtij viti. Surprizat e kanë bukurinë kur shfaqen në kohën e duhur.
I rikthehemi edhe njëherë garës. Duket se është bërë një përzgjedhje e kujdesshme që brenda kësaj gjashtëmbëdhjetëshe të ketë edhe emra të njohur të skenës dhe talente të rinj.
Unë mund të them se e gjitha kjo është vetëm një përzgjedhje vlerash artistike e jo strukturore. Gjej rastin të falënderoj jurinë e cila me shumë përkushtim dhe profesionalizëm zgjodhi këto këngë që kanë krijuar një hartë shumëngjyrëshe të artistëve. Në mesin e tyre janë Luiz Ejlli dhe Frederik Ndoci, dy këngëtarët që kanë përfaqësuar më herët Shqipërinë në Eurosong. Dua të përmend edhe këngëtarë të tjerë të karrierës si Orges Toçe dhe Sajmir Braho. Këngëtarët e rinj dhe të talentuar si Renis Gjoka, grupi Lynx, Klodian Kaçani por edhe mjaft vajza të cilat shquhen për një interpretim shumë të mire vokal siç janë Hersi Matmuja, Marjeta Billo, Rezarta Smaja, Xhejsi Jorgaqi, Blerina Braka, motrat Kumrija. Këtë vit kemi dhe tre duete, Besiana Mehmedi dhe Shkodran Tolaj që vijnë nga trevat shqiptare të Maqedonisë. Po kështu dhe dueti Lindi Islami dhe Venera Lumani. Dueti i tretë është ai i kantautorit Etmond Mancakut dhe Entela Zhulës. Të gjithë këta këngëtarë do të interpretojnë live me shumë sukses. Kemi një garanci absolute në këtë drejtim sepse të gjithë konkurrentët kanë treguar që janë interpretues shumë të mirë me cilësi vokale të larta. Elementi kryesor i Festivalit të RTSH-së është realizimi live i të gjithë komponentëve si Orkestra, back vocal-et dhe solistët. Është kjo ajo që e bën këtë festival, unik në Shqipëri me vlera të pakrahasueshme dhe që i ka dhënë edhe një dimension tjetër sidomos në rrethet artistike të Eurovision-it. Këtë vit Festivali i 52-të i këngës në RTSH do të transmetohet direkt në eurovision.tv.

Çfarë mund të na thoni për krijimtarinë muzikore në këtë festival ?

Këngët këtë vit janë shumë të bukura. Ka stile të ndryshme muzikore dhe kjo është besoj edhe pak fat kur krijimtaria vjen me frymëzim dhe profesionalizëm. Juria do ta ketë shumë të vështirë të zgjedhë këngën fituese, këngën që do të fitojë çmimin e madh, kurorën e mrekullueshme të Festivalit që është edhe kurora e Shqipërisë që të çon në Festivalin Europian. Një ëndërr shumë e bukur… Shpresoj të fitojë më i miri dhe ta mbështesim të gjithë këngën fituese. Ky do të jetë dhe kurorëzimi i punës sime dhe stafit me të cilët po punoj duke filluar nga drejtori i festivalit, z. Alfons Zeneli, e duke vijuar me regjisorin Petri Bozo, skenaristen Alda Bida, skenografin Adnan Kastrati, kolegët e mi Alfred Kaçinari dhe Shpëtim Saraçi me të cilët e kemi ndërtuar këtë festival që është aktiviteti më i rëndësishëm i RTSH-së dhe i mbarë këngës shqiptare.

Ju vjen keq që këtë vit nuk mund të jeni konkurrues?

Jam i privuar këtë vit pasi është vendosur që drejtori artistik të mos jetë konkurrues. Do kisha patur shumë dëshirë të isha pjesëmarrës në festival si kompozitor. Të jep emocione jashtëzakonisht të mëdha. Por e dua edhe këtë rol që kam sivjet në Festival pasi është puna që dua dhe do e kryej me përgjegjësi absolute.

Faleminderit dhe suksese.

Faleminderit ju dhe vizitorëve të faqes zyrtare të Festivalit të Këngës./PrizrenPress.com/

Sekretari i OBI-t bën thirrje për njohjen e Kosovës

0

Ekmeleddin Ihsanoglu-sekretari OKBSekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim Islamik, Ekmeleddin Ihsanoglu, ka kërkuar nga vendet anëtare që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë në një të ardhme të afërt, pasi mbi 30 vende tashmë e kanë marrë këtë vendim.Sekretari Ihsanoglu këto komente i ka bërë në Sesionin e 40-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm që po mbahet në Republikën e Guinesë Conakry.

“Ka shumë sfida para nesh. Jo vetëm për vendet tona por edhe Organizatën që e përfaqësojmë. Më duhet ta them se është koha për njohjen e Kosovës. Tani mbi 30 vende të kësaj organizate e kanë marrë vendimin për njohjen e pavarësisë”, ka thënë Ihsanoglu.

Në këtë Samit po merr pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Marrëveshje jashtë institucionale

0

visar ymeriVisar Ymeri shprehet kundër marrjes së vendimeve jashtë institucioneve. Duke iu referuar takimit të sotëm në Ambasadën Amerikane për reformën zgjedhore, Ymeri thotë se praktikat e tilla kanë prodhuar dy presidentë jokushtetues e një presidente nga zarfi.

Liderët kryesor politik të Kosovës, në një takim të organizuar nga Ambasada Amerikane, kanë rënë dakord për shumë çështje që ndërlidhen me reformën zgjedhore, finalizimi i të cilave deri tash ka mbetur peng i mospajtimeve të tyre.

Por, në këtë takim ka munguar Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili nuk ka qenë i ftuar, megjithëse subjekti i tij politik përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës me disa deputetë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, nuk ka dashur të flas për mungesën e ftesës për liderin e tij, Albin Kurti, por deklaroi për lajmi.net se praktikat e tilla të marrjes së vendimeve jashtë institucioneve është në kundërshtim me demokracinë e brendshme dhe me sovranitetin institucional.

“Ne insistojmë që Kosova të ndjekë rrugë institucionale jo vetëm të marrjes së vendimeve, por edhe të diskutimit të këtyre çështjeve”.

“Kjo mënyrë që po e shohim të shndërrohet në praktikë të diskutimit mes një numri të politikanëve jashtë hapësirave të institucioneve të Kosovës, pra as në ndërtesën e Kuvendit e as të qeverisë, shkon drejtpërdrejt në kundërshtim me sovranitetin institucional, demokracinë e transparencën, si dhe në kundërshtim edhe me demokracinë e brendshme të subjekteve politike”.

“Praktikat e tilla i kanë prodhuar dy presidentë antikushtetues dhe një presidente nga zarfi”.

“Këto po i shkaktojnë shumë dëme Kosovës”.

Ymeri thotë se Lëvizja Vetëvendosje që nga fillimi i punës së Komisionit ad-hoc për reformën zgjedhore (nga viti 2011) i ka pasur publike dhe të dorëzuara në këtë Komision qëndrimet e qarta të saj për sa i përket sistemit zgjedhor dhe çështjeve për administrimin e zgjedhjeve.

“Çështjet e përmirësimit të sistemit zgjedhor asnjëherë nuk janë penguar a bllokuar nga Lëvizja Vetëvendosje, por përkundrazi janë shtyrë nga ne”.

“Janë pikërisht subjektet politike të marrëveshjes jashtë institucionale (pra PDK’ja e LDK’ja) ato që e kanë penguar më së shumti përmirësimin e sistemit zgjedhor”.

Tri kompani mirëmbajnë rrugët gjatë dimrit në Prizren

0

Kosove-boraaKomuna e Prizrenit ka përzgjedhur tri kompani për pastrimin e rrugëve gjatë dimrit. Zëdhënësi i Kuvendit Komunal Ymer Berisha thotë se këto tri kompani do të kujdesen që rrugët të jenë të qarkullueshme edhe në rast të reshjeve të borës.

Rrugët e qytetit janë të ndara në tri zona, dhe secilës kompani i takon nga një zonë në të cilën do t’i mirëmbajë rrugët. Ndërkaq në këtë ndarje janë përfshirë edhe 74 fshatrat e Komunës së Prizrenit.

“Në raste emergjente, nëse reshjet e borës do të vazhdojnë disa ditë me radhë dhe menaxhimi i situatës do të bëhej i pamundshëm nga tri kompanitë e kontraktuara”

Kompanitë që janë përzgjedhur t’I mirëmbajnë rrugët gjatë stinës së dimrit kanë siguruar kripën industriale, dhe janë të gatshme për reshjet eventuale të borës.

Mjetet për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit janë pjesë e pozicionit buxhetor të tërësishëm në vlerë prej 670 mijë eurosh, e që përfshin fshirjen e larjen e rrugëve si dhe pastrimin e borës./PrizrenPress.com/

 

Gërmohet për varrezë masive, të vrarë nga lufta në Kosovë

0

Varreze masiveTë martën në Rashkë të Serbisë në një lokacion ku dyshohet që mund të ketë trupa të viktimave të vrarë nga lufta e fundit në Kosovë, do të vazhdojnë gërmimet nga një ekip i përbërë nga ekspertë të Departamentit të Mjekësisë Ligjore të kryesuar nga Drejtori i këtij Departamenti, Arsim Gerxhaliu dhe një ekip ekspertësh nga EULEX-i.

Kështu bëhet e ditur në një njoftim të Ministrisë së Drejtësisë.

Gërmimet ku është punuar edhe para dy muajve, kësaj radhe pritët të zgjasin pesë ditë, ndërsa nëse ky lokacion rezulton negativ, në pranverë të vitit të ardhshëm, po ashtu në Rashkë pritët të hapen edhe dy lokacione tjera të dyshuara.

Këtë javë temperaturat deri -10 gradë

0

BoraMeteorologu Mendim Rugova, në një prononcim për Telegrafin ka theksuar se sonte në orët e vona të mbrëmjes pritet përkeqësim i motit, me të reshura të dobëta shiu dhe bore, që do të zgjasë edhe gjatë ditës së nesërme.

Sipas tij, fillimisht do ketë reshje shiu, që më pastaj gjatë ditës do të shndërrohen në borë. “Nesër në mbrëmje pritet kthjellim i motit, ku temperaturat do të zbresin nën zero gradë celsius”, ka theksuar ai.

“Nga dita e mërkurë do të mbajë mot kryesisht i kthjellët. Të mërkurën dhe të enjten temperaturat minimale do të shkojnë nga –shtatë gradë celsius deri në -10 gradë celsius, ndërsa maksimalet nga zero gradë celsius deri në katër gradë celsius”, tha ai.

Të premten dhe gjatë ditëve të fundjavës do të mbizotërojë mot i kthjellët, me ngritje graduale të temperaturave.

“Gjatë ditëve të vikendit pritet që temperaturat të arrijnë deri në shtatë gradë celsius në Prishtinë, ndërsa në Dukagjin temperaturat do të lëvizin nga nëntë gradë celsius deri 10 gradë celsius”, tha Rugova.

Haradinaj, letër të hapur kryeprokurorit Kabashi

0

Ramush Haradinaj 1Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosvës (AAK), Ramush Haradinaj, i ka shkruar sot letër të hapur Kryeprokurorit të Kosovës, Ismet Kabashi.

Në letrën e z. Haradinaj thuhet:

I nderuar z. Kabashi,
Qe një kohë të gjatë në mediat tona shohim njerëz të profileve të ndryshme, të cilët akuzojnë hapur qytetarë të Kosovës si akterë të vrasjeve, të zhvatjes, fajdeve dhe krimeve të rënda të sanksionuara me Kodin Penal të Kosovës.
Po ju drejtohem juve, jo si kryetar i një partie politike parlamentare, por si një qytetar i rëndomtë i Kosovës, me pyetjet më fundamentale që bëhen në një shoqëri me nivelin më bazik të respektimit të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë:
– Kur një person akuzon personin tjetër për vrasje, ju si Prokurori e Shtetit, a e ndjeni veten të obliguar që, konform detyrës zyrtare, të filloni hetimet për ndriçimin e krimit të supozuar?
– Kur një medium, njeri i politikës apo përfaqësues i shoqërisë civile, akuzon personin e tretë për zhvatje, haraç, fajde dhe vepra të tjera kriminale, a konsideroni se, konform ligjit dhe obligimeve kushtetuese, jeni të obliguar të veproni për të zbardhur të vërtetën dhe ndriçuar krimin e supozuar, të denoncuar publikisht?
Z. Kabashi,
Një shoqëri demokratike nuk mund të stabilizohet dhe të jetë funksionale, nëse organet e drejtësisë nuk e kryejnë punën e vet.
Kur të pafajshmit akuzohen dhe denigrohen, ndërsa fajtorët mbesin të lirë dhe të paprekshëm, shoqëria rrënohet moralisht. Rrënohet motivi i njerëzve për t’u angazhuar në punë të ndershme, dhe inkurajohet më tej krimi, korrupsioni dhe zhvatja.
Unë, si qytetar i Kosovës, i jap vetës të drejtë të kërkoj nga ju përgjegjje. Ju e udhëheqni institucionin që ka për obligim të mbrojnë jo vetëm dinjitetin tim si qytetar, por edhe të mbrojë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e këtij vendi, që të mos lejojë që njerëzit e pafajshëm të dënohen moralisht dhe fajtorët të mbesin të lirë e të paprekshëm, thuhet në fund të letrës së kryetarit Haradinaj, adresuar kryeprokurorit të Kosovës, Ismet Kabashi.

Mendon për koalicione

0

RagipBegaj-IQPMKryetari i ri i Malishevës Ragip Begaj, ende nuk ka filluar negaociatat për koalicion me subjektet e tjera politike. Ai thotë se është në pritje të certifikimit të zgjedhjeve nga KQZ-ja.

“Për koalicionet në Kuvendin Komunal, do të konsultohemi edhe me anëtarët e tjerë.Numrat ndoshta do të diktojnë ndonjë marrëveshje të mundshme për të bërë shumicën në Kuvend, edhe pse nuk do të duhej, sepse këshilltarët duhet të luajnë rolin për çka edhe janë votuar”.

Ragip Begaj nga Iniciativa Qytetare për Malishevë, në zgjedhjet e fundit lokale është zgjedhur kryetar i ri i Malishevës. Ai ka arritur që të mposhtë kandidatin e PDK-së, Isni Kilajn dhe atë të LDK-së, Sali Morina.

Begaj thotë se do të bashkëpunojë me të gjitha subjektet politike.

“Jemi të hapur për bashhkëpunim me të gjithë”.

Kuvendi Komunal në Malishevë do t’i ketë 31 këshilltarë. Për të arritur shumicën në Kuvend,Begajt i duhen edhe 6-7 këshilltarë./PrizrenPress.com/

More: FSK e Kosova – storie suksesi

0

CekuMoreMinistri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së) Agim Çeku, priti sot  zotin Jonathan More, drejtor i Zyrës për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit.

Ministri Çeku me këtë rast falënderoi angazhimin e SHBA-së për ndihmën në ngritjen e FSK-së në aspektin strategjik, përmes një bashkëpunimi shumë të dobishëm dhe intensiv. Ai po ashtu e informoi mysafirin nga SHBA-të me sukseset e arritura të FSK-së duke filluar nga plotësimi dhe njohja e Kapaciteteve të Plota Operacionale, bashkëpunimin e mirë me NATO-n, KFOR-in dhe pjesëmarrjen aktive të Kosovës në nismat rajonale të sigurisë. Po ashtu në këtë takim ai foli edhe për procesin e Rishikimit të Sektorit Strategjik të Sigurisë së Kosovës (RSSSK), duke vlerësuar se ky proces deri më tani është zhvilluar sipas dinamikës së paraparë dhe në drejtimin e duhur.

More nga ana e tij shprehu kënaqësinë për arritjet e deritashme të Ministrisë dhe FSK-së dhe konfirmoi gatishmërinë e SHBA-ve për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit të më ejmë, duke vlerësuar se FSK dhe Kosova janë një storie e mirë suksesi.