14 C
Prizren
E diel, 5 Prill, 2026
Home Blog Page 9109

“EC Ma Ndryshe” kundërshton grumbullimin e të hollave nga nxënësit

0

Ec Ma Ndryshe Elmendina BaxhakuOrganizata Joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, gjatë muajve të kaluara ka pranuar ankesa individuale nga prindërit e nxënësve në lidhje me mjetet që kërkohen nga menaxhmentet e shkollave publike të Prizrenit për pagesën e sigurimit fizik, mirëmbajtjes, rregullimit të sanitarive apo pagesa tjera shtesë. Monitoruesja Elmedina Baxhaku tha se prindërit janë ankuar edhe për mungesë të transparencës në menaxhimin dhe shpenzimin e këtyre mjeteve shtesë.

“EC Ma Ndryshe” përmes mekanizmit të qasjes në dokumentet zyrtare ka kërkuar informata nga Drejtoria Komunale për Arsim rreth kësaj praktike. DKA-ja e ka arsyetuar atë me ekzistimin e “Udhëzimit Administrativ nr. 28/2012 të datës 31.10.2012, që ka të bëjë me Këshillin e Prindërve” dhe dokumentin ia ka bashkëngjitur përgjigjes së saj”, tha Baxhaku.
“EC Ma Ndryshe”, sipas saj, konsideron se sigurimi fizik, mirëmbajtja, sikurse edhe riparimi i sanitarive hyjnë në kategorinë e shërbimeve dhe jo të projekteve, të cilat duhet të ofrohen nga shkollat e institucionet përgjegjëse për arsimin parauniversitar. “Ashtu si e parasheh UA përkatës mjetet nga nxënësit respektivisht prindërit mund të grumbullohen, por për realizimin e projekteve që do të shkonin në dobi të avancimit të mësimnxënies dhe mësimdhënies në shkollat publike”.

Baxhaku tha se përderisa praktika e grumbullimit të hollave për pagesën e sigurimit fizik, mirëmbajtjes, rregullimit të sanitarive apo pagesa tjera të ngjashme vazhdon nga viti në vit, menaxhmentet e shkollave, këshillat e prindërve por edhe vet DKA-ja ende nuk e kanë zhvilluar ndonjë fushatë serioze për vetëdijesimin apo tejkalimin e vështirësive me të cilat ballafaqohen shkollat, që po ashtu parashihet në UA 28/2012.

“EC Ma Ndryshe’ kundërshton grumbullimin e të hollave nga nxënësit për pagesën e sigurimit fizik, mirëmbajtjes, etj., në shkollat publike të Prizrenit duke u bazuar në argumentin se prindërit e tyre janë taksapagues dhe se të njëjtit detyrohen që shërbimin e njëjtë ta paguajnë dy herë. Prandaj kërkon nga mekanizmat dhe institucionet përgjegjëse që t’i japin fund kësaj praktike”, tha Baxhaku.

Ajo i bërë thirrje DKA-së dhe kryetarit të komunës së Prizrenit që të shfrytëzojnë pushimet verore dhe të vendosin dialog të afërt me MASHT-in, në mënyrë që lëshimet paraprake gjatë ndarjes së buxhetit për DKA-në e Prizrenit, të mos përsëriten më, por të ketë planifikim shumë preciz të pozicioneve buxhetore për rojet e natës, personelin ndihmës, pedagogët, psikologët, etj. në shkollat publike të komunës së Prizrenit.

“EC Ma Ndryshe” rekomandon shkollat, këshillat e prindërve dhe DKA-në që praktika e mbledhjes së fondeve për projekte të caktuara nga bashkësia dhe donatorët të përcillet me nivel të duhur të transparencës, duke i publikuar të dhënat për projektin, kohëzgjatjen, mjetet e grumbulluara dhe të shpenzuara dhe detajet tjera në tabelat e shpalljeve në shkolla, në ueb faqen zyrtare të komunës dhe në mjetet lokale të informimit./PrizrenPress.com/

Çeku përsërit se viti 2013 do të jetë viti i Ushtrisë së Kosovës

0

AgimCeku5-30Ministri i FSK-së Agim Çeku, tha sot se nuk tërhiqet nga deklarata e thënë prej tij më herët se viti 2013 do të jetë viti i Ushtrisë së Kosovës. Ai i bëri këto komente pas takimit me ambasadorin e Britanisë në Kosovë, Jan Clif. Ndërkohë, ambasadori anglez, tha se është duke vazhduar rishqyrtimi i sektorit të sigurisë në Kosovë, e që do të finalizohet në fund të vitit.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ian Clif, tha pas takimit me ministrin e Forcës së Sigurisë se Mbretëria e Bashkuar ka pritur që vendimi i NATO-s për kapacitetet e plota operacionale të FSK-së, të ndodh më herët. Mirëpo, ai e përshëndeti dhe e vlerësoi të rëndësishëm vendimin e marrë javën e kaluar, duke theksuar se janë arritur kapacitetet e duhura të FSK-së.

“Tani jemi në fazën kur vazhdon rishqyrtimi i sektorit të sigurisë dhe kjo do të finalizohet deri në fund të vitit. Do të shohim se cilat do të jenë rezultatet. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbështes punën e Ministrisë dhe gjithë FSK-së. E rëndësishme është që të theksohet se kjo është një fazë e re për Kosovën dhe raportet e saj me NATO-n”, tha Clif.

Clif nuk ka dashur që të përgjigjet në pyetjen nëse FSK-ja tani është gati të bëhet ushtri, duke thënë se në cilësinë e ambasadorit nuk mund të jap vlerësime të tilla.

Ndërkaq, Ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku, tha se nuk zmbrapset nga deklaratat e mëhershme që ky vit do të jetë i Ushtrisë së Kosovës, duke theksuar se janë në procesin e rishikimit strategjik të FSK-së.

“Asnjëherë për asgjë nuk jemi zmbrapsur, jemi duke punuar në atë drejtim. Ky është një proces i thellë, i cili kërkon kohë, punë dhe koordinim. Jemi duke identifikuar nevojat reale të sigurisë të Kosovës dhe mundësitë e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtar. Ky proces pritet të përfundojë deri në fund të vitit dhe menjëherë do të dalim me rekomandime, ku i rekomandojmë qeverisë partnerëve tanë në NATO, se çka ne mendojmë se duhet të ketë Kosova në aspektin për të qenë e sigurt dhe për të qenë në gjendje të kontribuojë në ruajtjen dhe ndërtimin paqes kudo në botë”, tha ai.

Ndërsa sa i përket vendosjes së FSK-së në veri të vendit, ministri Çeku theksoi se pjesë e marrëveshjes Kosovë -Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, është që dërgimi i FSK-së në veri të ndodhë vetëm në koordinim me KFOR-in. Ai tha se FSK është në funksion të zbatimit të marrëveshjes. Ditë më parë, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Rasmussen, kumtoi vlerësimin e Këshillit Veriatlantik se Forca e Sigurisë së Kosovës ka përmbushur kapacitetet e saj operacionale dhe është plotësisht e aftësuar që të përmbushë detyrat e caktuara nga mandati i saj në bazë të standardeve të përcaktuara nga NATO-ja.

Trafikimi i shqiptarëve biznes ditor

0

RefugjatKosovarët që duan të shkojnë ilegalisht në Evropë duhet të paguajnë 1200 deri në 1500 euro për person. Organizimi nis nga Prishtina, përmes Beogradit e Suboticës, drejt kufirit hungarez.
Po pinin kafenë e mëngjesit në bufenë e Stacionit të Autobusëve në Suboticë(Serbi), derisa po prisnin dy autobusë me qytetarë nga Kosova që ia kishin mësyrë ilegalisht Evropës.

Të gjendur vetëm dymbëdhjetë kilometra larg kufirit me Hungarinë, së paku dhjetë burra, serbë e romë, me padurim pritnin arritjen e kosovarëve. Nga kosovarët që ia kishin mësyrë ilegalisht Evropës, për disa qytetarë serbë në Suboticë, tashmë është bërë përfitim i mirë. Hiç më keq nuk po mbesin as disa serbë të tjerë në Beograd bashkë me disa shqiptarë që organizojnë udhëtimin e kosovarëve nga Prishtina.

Rasip e Ragip Azizi, dy vëllëzër romë nga Fushë Kosova, trafikimin e shqiptarëve drejt Evropës e kanë bërë biznes ditor, shkruan Zëri.

Me këtë punë ata merren për gati një vit. Por, puna u është shtuar dukshëm që nga janari i këtij viti.
Të dy flisnin rrjedhshëm gjuhën shqipe, duke ua bërë më të lehtë që të afrohen kosovarëve për t’i dërguar përmes Serbisë e më pas nëpërmjet Hungarisë drejt Evropës.

I presin autobusët me kosovarë

Dy romët që janë lindur në Fushë Kosovë, por që aktualisht jetojnë në Suboticë, janë në mesin e grupit të organizuar që transporton shqiptarë ilegalisht për në Hungari. Ata biznesin e zhvillojnë kryesisht në kafenenë e stacionit të autobusëve. Në këtë të fundit e njohin thuajse të gjithë klientelën. Ndonjë person i paparë në atë zonë më herët, potencialisht mund të jetë mundësi për biznes për ta. Dy vëllezërit nuk hezitojnë të paraqesin ofertat e tyre.

“A di shqip? A je nis për të shkuar andej (Hungari)?”, thotë Rasim Azizi teksa i afrohet tavolinës. Porosit një kafe e ulet në tavolinë, duke menduar se bashkëbiseduesja kishte qëllim kalimin ilegal të kufirit.

Plazhi i Gjeneralit, sekreti i fundit në bregdetin e Kavajës

0

Kavaja-plazhi-gjeneralitPlazhi i Gjeneralit është një pjesëz prej bukurive të panumërta që të ofron bregdeti shqiptar.

I përket komunës Synej të rrethit të Kavajës dhe çfarë e bën të veçantë dhe shumë ekzotik është largësia nga zonat e banuara dhe izolimi që i bëjnë kodrinat dhe natyra e paprekur. Nardi Xhemani, administrator i një biznesi lokal, tregon: “Si fillim njihej vetëm nga banorët e zonës dhe peshkatarët. Ka 8 vite që shfrytëzohet, ka pushues ditorë dhe vendas. Ka edhe të huaj që e frekuentojnë.”

Vizitorët janë të shumtë. Ka edhe nga ata që nisen prej së largu për të pushuar deri këtu në këtë gji të vetmuar. Një prej tyre është edhe Gianpaolo, i cili gjatë një turi pushimesh nëpër bregdetin shqiptar, ka vendosur të ndalet me famijen e tij edhe tek Plazhi i Gjeneralit: “Disa miq shqiptarë më kanë sjellë këtu para 4 vitesh për herë të parë. Më pëlqeu dhe sivjet kam ardhur me familjen. Është bukur. Është pak si mjedis fshati këtu, akoma pak i egër. Për këtë më pëlqeu, megjithatë ka edhe disa shërbime.”

Një breg i vogël prej rreth 400 metrash ky plazh, e megjithatë ka shumë për t’i ofruar pushuesve: “Ka qetësi dhe uji është i pastër këtu. Natyra është e bukur dhe është i përshtatshëm për një pushim familjar.”

Intrigon shumë ky plazh edhe me historinë, traditat vendase dhe toponimin që mban.

“Kemi dëgjuar që një gjeneral italian e ka përdorur dhe për këtë arsye ka marrë këtë emër. Për ne është interesante edhe se kalojnë disa fshatra dhe ne shohim si jetojnë fsahatarët e Shqipërisë”, thotë një pushues nga Kosova, transmeton TCH.

Për këdo që dëshiron të vizitojë këtë plazh, distanca deri këtu është 12 kilometra nga rruga kryesore në Kavajë. Infrastruktura rrugore lë për të dëshiruar, megjithatë ja vlen të sakrifikosh për pak qetësi.

“Është pak i izoluar, duhet të vish me ushqime nga shtëpia, por është pastër, është këndshëm”, shprehet një pushuese.

Me disa masa modeste edhe komuna është përpjekur tu vijë në ndihmë pushuesve që zgjedhin këtë plazh të vetmuar. Komuna ndihmon në mirëmbajtjen e rrugës dhe mundëson praninë e forcave të rendit edhe të një mjeku.

Plazhi është joshës edhe për një fakt. Ka një respekt për natyrën dhe anon nga plazhet familjare që ofron qetësi e ndryshon nga shumë plazhe të tjera.

Përtej detit kristal dhe bregut ranor, është panorama e këtij plazhi ajo që të jep një ndjesi të plotë qetësie dhe shplodhjeje, çka i jep kuptimin e plotë pushimeve.

Licencohen 17 mijë mësimdhënës

0

MeimdhensitMinistria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka arritur që deri më tani të bëjë licencimin e më shumë se 17 mijë mësimdhënësve. Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, ka thënë se ky proces është realizuar me shumë sukses.
“Faza e parë e realizimit të komponentës së dhjetë të procesit të licencimit që ka të bëjë me shpërndarjen e licencave është realizuar me sukses. Deri më tani kemi arritur t’i shpërndajmë mbi 17 mijë licenca. Licencimi nuk është vetëm leje e thjeshtë pune, por mbi të gjitha është një mundësi për zhvillim ose përparim në karrierë”, ka thënë për “Epokën e re” Mustafa.

Ai ka deklaruar se me udhëzimin administrativ 05/2010 është paraparë të jenë katër shkallë të licencave.

“Kemi startuar me shkallën e parë të licencave që nënkupton se në të ardhmen mësimdhënësit nëse i plotësojnë kriteret të cilat kërkohen mund të kalojnë në shkallët e tjera të licencave dhe çdo kalim nga një shkallë e licencës në tjetrën do të përcillet me rritje page prej 10-përqindësh”, ka treguar Mustafa.

Sipas tij, procesi i licencimit ka pasur shumë anë pozitive. “E para, sepse është krijuar baza e të dhënave me të gjitha shënimet e mësimdhënësve të Republikës së Kosovës. Baza e të dhënave, përveçse përfshinë të dhënat themelore për një mësimdhënës, ajo përmban edhe kualifikimin e tij, numrin e trajnimeve që i ka kaluar, sa prej atyre trajnimeve janë akredituar nga Këshilli Shtetëror i Licencimit të Mësimdhënësve dhe varësisht prej rezultateve në lëndë të caktuara ne bëjmë analiza”, ka shtuar ai.

Sipas zëvendësministrit Mustafa, me krijimin e kësaj baze të të dhënave do të jetë më i lehtë edhe kalimi i një mësimdhënësi nga një komunë në komunën tjetër. Por, ai ka bërë me dije se jo gjithçka ka shkuar mirë.

“Ky proces i ka pasur edhe vështirësitë e veta, sepse janë edhe disa dilema të cilat Këshilli Shtetëror i Licencimit dhe MASHT-i duhet t’u japë përgjigje, p.sh: çfarë do të ndodhë me ata mësimdhënës të arsimit profesional, pastaj me disa drejtime jo të arsimit profesional”, është shprehur ai. Po ashtu, Mustafa ka thënë se është duke u diskutuar se çfarë do të ndodhë me mësimdhënësit të cilët, ta zëmë, e japin lëndën e Biologjisë, por që i kanë përfunduar studimet në Biologji aplikative, jo në programin mësimor të Biologjisë.

“Është ideja që ata nuk i kanë ndjekur studimet në profilin mësimor. Kemi raste të shumë të pedagogëve që punojnë si mësues. A do të licencohen ata? Nëse po, a do të licencohen si mësimdhënës apo pedagogë? Nëse licencohen si mësimdhënës ata që janë në proces, çfarë do të jetë numri i trajtimeve që ata do të obligohen t’i ndjekin, sidomos në lëndët matematikë dhe gjuhë shqipe? Çfarë do të ndodhë me ata që i kanë përfunduar studimet në kolegje private? A janë ato programe që ata i kanë përfunduar të akredituara? Pra, janë disa çështje për të cilat po presim që Këshilli i Licencimit t’i japë përgjigje dhe t’i shndërrojë në një vendim që do të jetë i obliguar ta zbatojnë të gjithë”, është shprehur Mustafa. Ai ka thënë se e kupton shqetësimin e mësimdhënësve që kanë këtë problem, por MASHT-i nuk ka arsye t’i trajtojë më shumë urgjencë.

“Në fund të fundit, kur ata kanë shkuar në një drejtim joarsimor me kohë e kanë ditur se vendi i punës primar nuk do të jetë arsimi. Natyrisht ne jemi duke analizuar modalitetet e ndryshme. Ta zëmë, për pedagogë ka propozime që ata të cilët kanë më shumë se tre vjet përvojë pune si mësues të licencohen si mësues, por me kusht që p.sh në një periudhë njëvjeçare të detyrohen t’i ndjekin së paku 100 orë mësim plotësues nga një program i hartuar nga Fakulteti i Edukimit”, ka thënë Mustafa.

A është shuar vërtetë MUP-i serb në veri?

0

Mitrovice-VeriuPolicia e Kosovës ka njoftuar se Serbia i ka mbyllur te gjitha zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në veri të Kosovës.
Megjithatë partitë politike dhe ekspertë të sigurisë, shuarjen e këtyre zyrave e shohin me një skepticizëm të madh. Sipas tyre, këto struktura do të vazhdojnë të funksionojnë në Kosovë, por pak më ndryshe, shkruan “Express”.

Erzen Vraniqi, zëdhënës i lëvizjes Vetëvendosje, thotë se ata nuk kanë mundur ta verifikojnë këtë njoftim nga burime të pavarura, prandaj edhe nuk mund të thonë nëse njoftimi i policisë për mbylljen e atyre zyrave është i vërtetë.

“Pavarësisht kësaj, marrëveshja e dëmshme me Serbinë parasheh integrimin formal të strukturave paralele serbe në struktura të Kosovës, prandaj ato do të vazhdojnë të funksionojnë dhe ti japin llogari Serbisë, por tani nën petkun e ri, atë të Kosovës”, thotë Vraniqi për “Express”.

Derisa për ekspertin e sigurisë Arben Qirezi, mbyllja e zyrave paraqet vetëm njërin aspekt të pushimit të funksionimit të institucioneve paralele. Problemi më i madh për të tash mbetet integrimi i atyre njerëzve që kanë punuar në këto institucione paralele, që sipas policisë, kanë pushuar së ekzistuari.

“Në këtë kontekst hyn edhe personeli qoftë ai i uniformuar apo edhe ai civil i MUP-it serb i cili ka funksionuar apo funksionon ende sikurse në veri ashtu edhe në pjesët e tjera të Kosovës. Pasi ky është aspekti tjetër i marrëveshjes së arritur në Bruksel”, thotë Qirezi për “Express”.

Megjithëse, sipas tij, mbyllja e këtyre zyrave nuk do të ndikojë edhe aq shumë në stabilizimin e sigurisë në veri. Sipas Qirezit, nuk janë zyrat e Serbisë ato të cilat mënyrë të drejtpërdrejtë e kanë cenuar më së shumti sigurinë në veri.

Sigurinë atje, Qirezi thotë se e kanë cenuar më shumë strukturat e rrugëve të cilat kanë qenë në njëfarë koordinimi të organeve zyrtare të Serbisë.

“Tash varet nga vullneti politik i Serbisë që të heq dorë nga politika e destabilizimit të Kosovës”, thotë Qirezi, sipas të cilit Serbia tash duhet të jetë e gatshme që jo përmes mbylljes fizike të zyrave të kontribuojë në qetësimin e situatës në veri.

“Serbia tash duhet që t’i shpërbërje plotësisht strukturat e veta paralele dhe ta ndërpresë ndërprerjen e njerëzve të cilët nuk pajtohen në krijimin e një qetësie në veri në mënyrë që organet kompetente të Kosovës, të mund të ndërmarrin veprime ligjore që i takojnë”, pohon ai.

Mbyllen të gjitha zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në veri të Kosovës. Kështu të paktën bëhet e ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës në Prishtinë. Zëdhënësi Baki Kelani ka deklaruar se zyrat e MUP-it serb janë mbyllur nga vet ata të cilët i kanë hapur, që do të thotë nga zyrtarët e MPB së Serbisë. Ky proces është monitoruar nga EULEX-i, në një rast edhe nga Policia e Kosovës.

“Mbylljet e para kanë qenë në Leposaviq dhe më pas kanë vijuar me Zveçanin, Zubin Potokun dhe javën e kaluar me Mitrovicën”, ka thënë Kelani.

Një pjesë e zyrtarëve të këtyre strukturave pritet të punësohen në Drejtorinë Rajonale të PK-së në veri.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, bazuar në marrëveshjen politike kohë më parë emëroi serbin Nenad Djuric ushtrues detyre të komandantit të policisë për rajonin e veriut. Policia e Kosovës konfirmon se Djuric ka nisur punën si drejtor policor, por shprehet e rezervuar për sa i përket strukturës organizative që do të ketë drejtoria policore në veri.

“Policia e Kosovës ka pasur zyrtarët e vetë që kanë operuar, ndërsa ushtrimi i detyrës së komandantit për veriun do të jetë për stacionin policor që ka ekzistuar atje”, ka sqaruar Kelani.

Mbyllja e zyrave të MUP-it serb bëhet në kohën që Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për amnisti, i cili është garant për të gjithë serbët se nuk do të ndiqen penalisht për vepra penale që ndërlidhen me thirrje për rezistencë ose cenim të rendit kushtetues, me përjashtim të vrasjes.

Thaçi me kujdestar në Kuvend

0

Thaci5-21Kryeministri HashimThaçi, ka vendosur të shtojë prezencën e Qeverisë në punimet e Kuvendit.

I vetëdijshëm për marrëdhëniet e tij me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, por edhe me mos qëndrimin e ministrave gjatë gjithë kohës së punimeve në Kuvend, ka vendosur që për këtë çështje të angazhojë kujdestar, njërin nga zëvendësit e tij.

Vendimi pritet të merret qysh në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, ndërsa gazeta Tribuna ka siguruar dokumentin me anë të të cilit, kryeministri njofton kabinetin e tij se tash e tutje një njeri do të përkujdeset për punët në Kuvend dhe do t’i raportojë Qeverisë në detaje se çka ndodhë atje

Daçiq: Serbët në Kosovë të dalin në zgjedhje me një listë

0

Ddacic5-20Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se në zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë, më 3 nëntor, serbët duhet të marrin pjesë me “një listë të përbashkët”, e jo të të paraqiten me më shumë parti.

Sipas tij, këto zgjedhje janë të rëndësishme, meqë pos tjerash, do të vendosin se kush do ta udhëheq edhe Bashkësinë e komunave serbe në Kosovë.

Mëtutje, në një intervistë për televizionin beogradas, B92, ai e ka mbrojtur politikën e qeverisë së tij ndaj Kosovës.

“Serbia nuk do ta mbrojë me tanke Kosovën”, tha Daçiqi dhe shtoi se “sikur këtë ta kishte dashur, do ta mbronte kur është shpallur pavarësia”.

Ai theksoi se tash Serbia ka ardhur në situatë ku “ose do ta humbin ardhmërinë tonë dhe të qëndrojmë në bajoneta, ose do ta zgjidhim këtë çështje në mënyrën më të padhimbshme”.

Mbi 2500 gjuhë në zhdukje

0

FestivaliFolklorikSmithsonianInstituti Smithsonian njofton se mbi 2 mijë e 500 gjuhë do të zhduken deri në fund të këtij shekulli dhe për këtë arsye Smithsonian, që është muzeu dhe qendra më e madhe studimore në botë, i kushtoi një vëmendje të veçantë këtyre gjuhëve në Festivalin e vet vjetor Folklorik. Sapo dëgjoi muzikën, Patricia Joseph u ngrit menjëherë të vallëzonte.

“Gjithmonë më vinte të kërceja kur dëgjoja këtë lloj muzike, por diçka më frenonte. Por këtu ndjehem e çliruar. Është një vend i pazakontë dhe do të kalojmë këtu thuajse gjithë ditën”.

Edhe kënga është e pazakontë, me vargjet në një gjuhë që po shkon drejt zhdukjes. Është pjesë e Festivalit Folklorik Smithsonian, një aktivitet i përvitshëm ku nderohet kultura botërore në Parkun Kombëtar në Uashington. Këtë vit, një vëmendje e posaçme i është kushtuar 2 mijë e 500 gjuhëve nga gjithë bota që parashikohet të zhduken deri në fund të shekullit.

Përfaqësuesit e gjuhëve të ndryshme përdorën forma të larmishme arti për t’u shprehur në gjuhët e tyre, përfshirë muzikën ritmike të gjuhës Quechua të Amerikës së Jugut …të kënduarin e veçantë të gjuhës Tuvan në Siberi…dhe vallëzimin e veçantë të gjuhës havajane. Aaron Sala është një nga muzikantët e gjuhës në zhdukje të Havait.

“Është një përvojë e mrekullueshme që të njohim kultura të tjera që po punojnë për të ruajtur mbijetesën dhe zhvillimin e gjuhëve të tyre”.

Por përfaqësuesit e këtyre kulturave nuk po përpiqen vetëm të stimulojnë shqisën e dëgjimit. Përveç muzikës, festivali ekspozon shumë objekte artizanale autentike, si për shembull një mulli që bluan orizin.

Elisabeth Ostler nga Merilendi thotë se festivali me objektet e artit dhe muzikën u jep mundësi amerikanëve që të mësojnë për kulturat e ndryshme botërore.

“Në përgjithësi ne jemi të izoluar nga kulturat e tjera. Kemi kaq shumë gjëra që mund të vlerësojmë”.

Ajo shpreson që të rinjtë, siç janë shtatë fëmijët e saj të frymëzohen nga festivali dhe të sjellin ndryshim në botë./voa/

Sulmohet përsëri muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe

0

Manastiri-gjuhes shqipeËshtë sulmuar përsëri muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir.

manastiri_alfabetioVandalë të panjohur gjatë mbrëmjes së djeshme kanë qëlluar nga vetura në lëvizje drejt Muzeut, duke thyer xhamin e derës së hyrjes. Incidentin e konfirmon edhe drejtori i Muzeut Gazmend Hoxhaj,i cili thotë se bëhet fjalë për dëme të vogla materiale.

“Kjo ngjarje ndodhi të shtunën në mbrëmje. Është thyer vetëm xhami i derës së hyrjes prej veturës afër muzeut”, tha Gazmend Hoxhaj, drejtor i Muzeut, transmeton Alsat-M.

Kjo është hera e dytë të vandalizohet Shtëpia e Alfabetit në më pak se dy muaj. Sulmuesit e para dy muajve, si edhe ata të një nate më parë vazhdojnë të shëtisin të lirë. Edhe përkundër sulmeve të shpeshta, nuk është bërë asgjë në shtimin e sigurisë dhe mbrojtjes të Shtëpisë muze. Ajo nuk është e siguruar as me kamera e alarme. Madje ky institucion i vetëm historik i shqiptarëve të Maqedonisë nuk ka as edhe një rojë. Sipas drejtorit Gazmend Hoxhaj, sigurimi fizik i Shtëpisë së Alfabetit do të mundësohet vetëm me buxhetin e vitit 2014, që do të thotë se 6 muajt e ardhshëm ky muze do të mbetet i pambrojtur. Ndërkohë ka reaguar edhe Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë. Kryetari i kësaj shoqate Skender Asani dyshon se sulmet e tilla nuk janë të rastësishme por të sinkronizuara mirë për të ushtruar presion psikologjik ndaj shqiptarëve të Maqedonisë.

“Rezulton që shqiptarët e Maqedonisë të kenë vetëm një muze të tyre të etnokulturës, gjuhës dhe traditës së tyre. Për fat të keq ai në mënyrë sistematike dhunohet, sulmohet, dhe ne në reagimet tona permanente kemi thënë se ky akt nuk është punë e individëve ose grupeve, por është një sulm i cili koordinohet prej një qendre dhe në momentet e duhura ai vazhdimisht sulmohet për ti dhënë mesazh shqiptarëve jo vetëm të Maqedonisë por edhe të rajonit”, deklaroi Skender Asani, Kryetar i Shoqatës së Historianëve.

Asani i bëri thirrje qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës të mos rrinë duarkryq por të reagojnë në lidhje me këtë akt, ndërsa Qeverisë së Maqedonisë që të mbrojë muzeun. Shoqata e Historianëve do të kërkojë edhe nga UNESCO që të kujdeset për këtë muze. Ndryshe, pas demolimit të muzeut dy muaj më parë, sapo kishin përfunduar riparimet e tij cilat u mbuluan nga Qeveria.