Home Blog Page 9201

Licencohen 17 mijë mësimdhënës

0

MeimdhensitMinistria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka arritur që deri më tani të bëjë licencimin e më shumë se 17 mijë mësimdhënësve. Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, ka thënë se ky proces është realizuar me shumë sukses.
“Faza e parë e realizimit të komponentës së dhjetë të procesit të licencimit që ka të bëjë me shpërndarjen e licencave është realizuar me sukses. Deri më tani kemi arritur t’i shpërndajmë mbi 17 mijë licenca. Licencimi nuk është vetëm leje e thjeshtë pune, por mbi të gjitha është një mundësi për zhvillim ose përparim në karrierë”, ka thënë për “Epokën e re” Mustafa.

Ai ka deklaruar se me udhëzimin administrativ 05/2010 është paraparë të jenë katër shkallë të licencave.

“Kemi startuar me shkallën e parë të licencave që nënkupton se në të ardhmen mësimdhënësit nëse i plotësojnë kriteret të cilat kërkohen mund të kalojnë në shkallët e tjera të licencave dhe çdo kalim nga një shkallë e licencës në tjetrën do të përcillet me rritje page prej 10-përqindësh”, ka treguar Mustafa.

Sipas tij, procesi i licencimit ka pasur shumë anë pozitive. “E para, sepse është krijuar baza e të dhënave me të gjitha shënimet e mësimdhënësve të Republikës së Kosovës. Baza e të dhënave, përveçse përfshinë të dhënat themelore për një mësimdhënës, ajo përmban edhe kualifikimin e tij, numrin e trajnimeve që i ka kaluar, sa prej atyre trajnimeve janë akredituar nga Këshilli Shtetëror i Licencimit të Mësimdhënësve dhe varësisht prej rezultateve në lëndë të caktuara ne bëjmë analiza”, ka shtuar ai.

Sipas zëvendësministrit Mustafa, me krijimin e kësaj baze të të dhënave do të jetë më i lehtë edhe kalimi i një mësimdhënësi nga një komunë në komunën tjetër. Por, ai ka bërë me dije se jo gjithçka ka shkuar mirë.

“Ky proces i ka pasur edhe vështirësitë e veta, sepse janë edhe disa dilema të cilat Këshilli Shtetëror i Licencimit dhe MASHT-i duhet t’u japë përgjigje, p.sh: çfarë do të ndodhë me ata mësimdhënës të arsimit profesional, pastaj me disa drejtime jo të arsimit profesional”, është shprehur ai. Po ashtu, Mustafa ka thënë se është duke u diskutuar se çfarë do të ndodhë me mësimdhënësit të cilët, ta zëmë, e japin lëndën e Biologjisë, por që i kanë përfunduar studimet në Biologji aplikative, jo në programin mësimor të Biologjisë.

“Është ideja që ata nuk i kanë ndjekur studimet në profilin mësimor. Kemi raste të shumë të pedagogëve që punojnë si mësues. A do të licencohen ata? Nëse po, a do të licencohen si mësimdhënës apo pedagogë? Nëse licencohen si mësimdhënës ata që janë në proces, çfarë do të jetë numri i trajtimeve që ata do të obligohen t’i ndjekin, sidomos në lëndët matematikë dhe gjuhë shqipe? Çfarë do të ndodhë me ata që i kanë përfunduar studimet në kolegje private? A janë ato programe që ata i kanë përfunduar të akredituara? Pra, janë disa çështje për të cilat po presim që Këshilli i Licencimit t’i japë përgjigje dhe t’i shndërrojë në një vendim që do të jetë i obliguar ta zbatojnë të gjithë”, është shprehur Mustafa. Ai ka thënë se e kupton shqetësimin e mësimdhënësve që kanë këtë problem, por MASHT-i nuk ka arsye t’i trajtojë më shumë urgjencë.

“Në fund të fundit, kur ata kanë shkuar në një drejtim joarsimor me kohë e kanë ditur se vendi i punës primar nuk do të jetë arsimi. Natyrisht ne jemi duke analizuar modalitetet e ndryshme. Ta zëmë, për pedagogë ka propozime që ata të cilët kanë më shumë se tre vjet përvojë pune si mësues të licencohen si mësues, por me kusht që p.sh në një periudhë njëvjeçare të detyrohen t’i ndjekin së paku 100 orë mësim plotësues nga një program i hartuar nga Fakulteti i Edukimit”, ka thënë Mustafa.

A është shuar vërtetë MUP-i serb në veri?

0

Mitrovice-VeriuPolicia e Kosovës ka njoftuar se Serbia i ka mbyllur te gjitha zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në veri të Kosovës.
Megjithatë partitë politike dhe ekspertë të sigurisë, shuarjen e këtyre zyrave e shohin me një skepticizëm të madh. Sipas tyre, këto struktura do të vazhdojnë të funksionojnë në Kosovë, por pak më ndryshe, shkruan “Express”.

Erzen Vraniqi, zëdhënës i lëvizjes Vetëvendosje, thotë se ata nuk kanë mundur ta verifikojnë këtë njoftim nga burime të pavarura, prandaj edhe nuk mund të thonë nëse njoftimi i policisë për mbylljen e atyre zyrave është i vërtetë.

“Pavarësisht kësaj, marrëveshja e dëmshme me Serbinë parasheh integrimin formal të strukturave paralele serbe në struktura të Kosovës, prandaj ato do të vazhdojnë të funksionojnë dhe ti japin llogari Serbisë, por tani nën petkun e ri, atë të Kosovës”, thotë Vraniqi për “Express”.

Derisa për ekspertin e sigurisë Arben Qirezi, mbyllja e zyrave paraqet vetëm njërin aspekt të pushimit të funksionimit të institucioneve paralele. Problemi më i madh për të tash mbetet integrimi i atyre njerëzve që kanë punuar në këto institucione paralele, që sipas policisë, kanë pushuar së ekzistuari.

“Në këtë kontekst hyn edhe personeli qoftë ai i uniformuar apo edhe ai civil i MUP-it serb i cili ka funksionuar apo funksionon ende sikurse në veri ashtu edhe në pjesët e tjera të Kosovës. Pasi ky është aspekti tjetër i marrëveshjes së arritur në Bruksel”, thotë Qirezi për “Express”.

Megjithëse, sipas tij, mbyllja e këtyre zyrave nuk do të ndikojë edhe aq shumë në stabilizimin e sigurisë në veri. Sipas Qirezit, nuk janë zyrat e Serbisë ato të cilat mënyrë të drejtpërdrejtë e kanë cenuar më së shumti sigurinë në veri.

Sigurinë atje, Qirezi thotë se e kanë cenuar më shumë strukturat e rrugëve të cilat kanë qenë në njëfarë koordinimi të organeve zyrtare të Serbisë.

“Tash varet nga vullneti politik i Serbisë që të heq dorë nga politika e destabilizimit të Kosovës”, thotë Qirezi, sipas të cilit Serbia tash duhet të jetë e gatshme që jo përmes mbylljes fizike të zyrave të kontribuojë në qetësimin e situatës në veri.

“Serbia tash duhet që t’i shpërbërje plotësisht strukturat e veta paralele dhe ta ndërpresë ndërprerjen e njerëzve të cilët nuk pajtohen në krijimin e një qetësie në veri në mënyrë që organet kompetente të Kosovës, të mund të ndërmarrin veprime ligjore që i takojnë”, pohon ai.

Mbyllen të gjitha zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në veri të Kosovës. Kështu të paktën bëhet e ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës në Prishtinë. Zëdhënësi Baki Kelani ka deklaruar se zyrat e MUP-it serb janë mbyllur nga vet ata të cilët i kanë hapur, që do të thotë nga zyrtarët e MPB së Serbisë. Ky proces është monitoruar nga EULEX-i, në një rast edhe nga Policia e Kosovës.

“Mbylljet e para kanë qenë në Leposaviq dhe më pas kanë vijuar me Zveçanin, Zubin Potokun dhe javën e kaluar me Mitrovicën”, ka thënë Kelani.

Një pjesë e zyrtarëve të këtyre strukturave pritet të punësohen në Drejtorinë Rajonale të PK-së në veri.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, bazuar në marrëveshjen politike kohë më parë emëroi serbin Nenad Djuric ushtrues detyre të komandantit të policisë për rajonin e veriut. Policia e Kosovës konfirmon se Djuric ka nisur punën si drejtor policor, por shprehet e rezervuar për sa i përket strukturës organizative që do të ketë drejtoria policore në veri.

“Policia e Kosovës ka pasur zyrtarët e vetë që kanë operuar, ndërsa ushtrimi i detyrës së komandantit për veriun do të jetë për stacionin policor që ka ekzistuar atje”, ka sqaruar Kelani.

Mbyllja e zyrave të MUP-it serb bëhet në kohën që Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për amnisti, i cili është garant për të gjithë serbët se nuk do të ndiqen penalisht për vepra penale që ndërlidhen me thirrje për rezistencë ose cenim të rendit kushtetues, me përjashtim të vrasjes.

Thaçi me kujdestar në Kuvend

0

Thaci5-21Kryeministri HashimThaçi, ka vendosur të shtojë prezencën e Qeverisë në punimet e Kuvendit.

I vetëdijshëm për marrëdhëniet e tij me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, por edhe me mos qëndrimin e ministrave gjatë gjithë kohës së punimeve në Kuvend, ka vendosur që për këtë çështje të angazhojë kujdestar, njërin nga zëvendësit e tij.

Vendimi pritet të merret qysh në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, ndërsa gazeta Tribuna ka siguruar dokumentin me anë të të cilit, kryeministri njofton kabinetin e tij se tash e tutje një njeri do të përkujdeset për punët në Kuvend dhe do t’i raportojë Qeverisë në detaje se çka ndodhë atje

Daçiq: Serbët në Kosovë të dalin në zgjedhje me një listë

0

Ddacic5-20Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se në zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë, më 3 nëntor, serbët duhet të marrin pjesë me “një listë të përbashkët”, e jo të të paraqiten me më shumë parti.

Sipas tij, këto zgjedhje janë të rëndësishme, meqë pos tjerash, do të vendosin se kush do ta udhëheq edhe Bashkësinë e komunave serbe në Kosovë.

Mëtutje, në një intervistë për televizionin beogradas, B92, ai e ka mbrojtur politikën e qeverisë së tij ndaj Kosovës.

“Serbia nuk do ta mbrojë me tanke Kosovën”, tha Daçiqi dhe shtoi se “sikur këtë ta kishte dashur, do ta mbronte kur është shpallur pavarësia”.

Ai theksoi se tash Serbia ka ardhur në situatë ku “ose do ta humbin ardhmërinë tonë dhe të qëndrojmë në bajoneta, ose do ta zgjidhim këtë çështje në mënyrën më të padhimbshme”.

Mbi 2500 gjuhë në zhdukje

0

FestivaliFolklorikSmithsonianInstituti Smithsonian njofton se mbi 2 mijë e 500 gjuhë do të zhduken deri në fund të këtij shekulli dhe për këtë arsye Smithsonian, që është muzeu dhe qendra më e madhe studimore në botë, i kushtoi një vëmendje të veçantë këtyre gjuhëve në Festivalin e vet vjetor Folklorik. Sapo dëgjoi muzikën, Patricia Joseph u ngrit menjëherë të vallëzonte.

“Gjithmonë më vinte të kërceja kur dëgjoja këtë lloj muzike, por diçka më frenonte. Por këtu ndjehem e çliruar. Është një vend i pazakontë dhe do të kalojmë këtu thuajse gjithë ditën”.

Edhe kënga është e pazakontë, me vargjet në një gjuhë që po shkon drejt zhdukjes. Është pjesë e Festivalit Folklorik Smithsonian, një aktivitet i përvitshëm ku nderohet kultura botërore në Parkun Kombëtar në Uashington. Këtë vit, një vëmendje e posaçme i është kushtuar 2 mijë e 500 gjuhëve nga gjithë bota që parashikohet të zhduken deri në fund të shekullit.

Përfaqësuesit e gjuhëve të ndryshme përdorën forma të larmishme arti për t’u shprehur në gjuhët e tyre, përfshirë muzikën ritmike të gjuhës Quechua të Amerikës së Jugut …të kënduarin e veçantë të gjuhës Tuvan në Siberi…dhe vallëzimin e veçantë të gjuhës havajane. Aaron Sala është një nga muzikantët e gjuhës në zhdukje të Havait.

“Është një përvojë e mrekullueshme që të njohim kultura të tjera që po punojnë për të ruajtur mbijetesën dhe zhvillimin e gjuhëve të tyre”.

Por përfaqësuesit e këtyre kulturave nuk po përpiqen vetëm të stimulojnë shqisën e dëgjimit. Përveç muzikës, festivali ekspozon shumë objekte artizanale autentike, si për shembull një mulli që bluan orizin.

Elisabeth Ostler nga Merilendi thotë se festivali me objektet e artit dhe muzikën u jep mundësi amerikanëve që të mësojnë për kulturat e ndryshme botërore.

“Në përgjithësi ne jemi të izoluar nga kulturat e tjera. Kemi kaq shumë gjëra që mund të vlerësojmë”.

Ajo shpreson që të rinjtë, siç janë shtatë fëmijët e saj të frymëzohen nga festivali dhe të sjellin ndryshim në botë./voa/

Sulmohet përsëri muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe

0

Manastiri-gjuhes shqipeËshtë sulmuar përsëri muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir.

manastiri_alfabetioVandalë të panjohur gjatë mbrëmjes së djeshme kanë qëlluar nga vetura në lëvizje drejt Muzeut, duke thyer xhamin e derës së hyrjes. Incidentin e konfirmon edhe drejtori i Muzeut Gazmend Hoxhaj,i cili thotë se bëhet fjalë për dëme të vogla materiale.

“Kjo ngjarje ndodhi të shtunën në mbrëmje. Është thyer vetëm xhami i derës së hyrjes prej veturës afër muzeut”, tha Gazmend Hoxhaj, drejtor i Muzeut, transmeton Alsat-M.

Kjo është hera e dytë të vandalizohet Shtëpia e Alfabetit në më pak se dy muaj. Sulmuesit e para dy muajve, si edhe ata të një nate më parë vazhdojnë të shëtisin të lirë. Edhe përkundër sulmeve të shpeshta, nuk është bërë asgjë në shtimin e sigurisë dhe mbrojtjes të Shtëpisë muze. Ajo nuk është e siguruar as me kamera e alarme. Madje ky institucion i vetëm historik i shqiptarëve të Maqedonisë nuk ka as edhe një rojë. Sipas drejtorit Gazmend Hoxhaj, sigurimi fizik i Shtëpisë së Alfabetit do të mundësohet vetëm me buxhetin e vitit 2014, që do të thotë se 6 muajt e ardhshëm ky muze do të mbetet i pambrojtur. Ndërkohë ka reaguar edhe Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë. Kryetari i kësaj shoqate Skender Asani dyshon se sulmet e tilla nuk janë të rastësishme por të sinkronizuara mirë për të ushtruar presion psikologjik ndaj shqiptarëve të Maqedonisë.

“Rezulton që shqiptarët e Maqedonisë të kenë vetëm një muze të tyre të etnokulturës, gjuhës dhe traditës së tyre. Për fat të keq ai në mënyrë sistematike dhunohet, sulmohet, dhe ne në reagimet tona permanente kemi thënë se ky akt nuk është punë e individëve ose grupeve, por është një sulm i cili koordinohet prej një qendre dhe në momentet e duhura ai vazhdimisht sulmohet për ti dhënë mesazh shqiptarëve jo vetëm të Maqedonisë por edhe të rajonit”, deklaroi Skender Asani, Kryetar i Shoqatës së Historianëve.

Asani i bëri thirrje qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës të mos rrinë duarkryq por të reagojnë në lidhje me këtë akt, ndërsa Qeverisë së Maqedonisë që të mbrojë muzeun. Shoqata e Historianëve do të kërkojë edhe nga UNESCO që të kujdeset për këtë muze. Ndryshe, pas demolimit të muzeut dy muaj më parë, sapo kishin përfunduar riparimet e tij cilat u mbuluan nga Qeveria.

Libri me kujtimet e Syrja Vlorës: Ismail Qemali figura brilante që mundi të unifikonte politikanët shqiptarë

0

syrja-vloraNjë nga redaktorët e librit me kujtime të Syrja Vlorës, historiani Marenglen Verli shprehet se bëhet fjalë për një figurë shumë të spikatur të fillimshekullit XX, pavarësisht se mbi të nuk dihet shumë. Fatkeqësisht kujtimet e tij kanë pritur shumë dekada në arkivat e Institutit të Historisë, derisa panë dritën e botimit. Ato janë përkthyer rreth viteve ’40. Ndonëse nuk është e sigurt, sipas Verlit, shenjat të çojnë te poeti Ali Asllani.

“Syrja bej Vlora është një figurë e njohur, personalitet i fillimshekullit, kushëri dhe rival i Ismail Qemalit, vëlla i kryeministrit të fundit osman deri në vitin 1908, drejtor i Doganave Osmane, një nga ata pronarë të mëdhenj që deshën të fusnin metodat kapitaliste në vitet ’20-’30 në Shqipëri etj. Pra, një figurë e spikatur e dekadave të para të shekullit të shkuar” , shprehet ai.

Ai tregon se , “Kujtimet përfshijnë kryesisht periudhën mes viteve 1912-1920. Ai e trajton me ngjyra shumë të ndezura këtë periudhë. Ngjarje, personalitete parë sipas këndvështrimit të tij, dihet që kujtimet e kanë subjektivizmin brenda vetes. Mendohet të jenë shkruar rreth viteve ’20-’24. Janë në osmanishte dhe mendohet të jenë përkthyer në gjysmën e dytë të viteve ’40, menjëherë pas lufte”, shprehet ai për gazetën “Panorama”.

 Verli shprehet se , “Si në çdo botim të memuareve, lexuesit do të gjejnë gjëra shumë interesante. Do të lexojnë mbi figura, si Ismail Qemali, Esat Toptani, Ahmet Zogu, Pren Bib Doda etj. Nuk do të ketë gjëra që do të çudisin dynjanë, por ka detaje, imtësi, trajtime në thellësi të personaliteteve, që ai i ka njohur nga afër. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për personalitete shqiptare, por diplomatë austro-hungarezë, osmanë, të vendeve fqinje etj.

Meqënëse Syrja bej Vlora njihet si rival politik i Ismail Qemalit,  Verli pohon se , Përmes këndvështrimit të Syrja bej Vlorës, Ismail Qemali vjen me të mirat dhe të këqijat e tij. Por e rëndësishme është që edhe ai bie dakord se ai ishte figura brilante që mundi të bënte atë që bëri, pra të unifikonte politikanët shqiptarë dhe me një pragmatizëm të spikatur dhe përvojë shumë të madhe, të realizonte pavarësinë.”

Syrja Bej Vlora lindi në Vlorë në vitin 1860 dhe vdiq më 1940-n. Pinjolli i familjes së njohur të Vlorajve, që i kishte dhënë Perandorisë Osmane pashallarë e vezirë. Ishte i biri i Mustafa Pashë Vlorës dhe i vëllai i Vezirit të madh, Ferit Pashë Vlorës (1903-1908), kushëri i Ismail Qemalit, por njëherësh rival i tij politik, babai i Eqrem bej Vlorës, kunat i Esat Pashë Toptanit (i kishte marrë motrën për grua), drejtor i përgjithshëm i Doganave osmane, deputet në Parlamentin osman pas vitit 1908, ambasador i Shqipërisë në Vjenë më 1914 etj. Syrja Vlora është i ati i Eqrem Bej Vlorës.

Mora me veti

0

Skender Berisha

E mora me veti e futa në shpirt një
copë re Prizreni dhe një copë qiell
ti kem aty përditë po edhe pak diell
s’mund të bëj pa ta mbetem si gdhë

kur të erret edhe sytë kur më erren
sytë e lodhur grisë kur t’më shterren
në shaminë e palosur i ruaj e i puth
s’mundem më s’e dergjëm këtë fruth

nata zemrat kur zë mirë e t’i mbush
unë s’dëgjoj zë as s’më thërret kush
kalurojnë fëmijë e zogj të hazdisur
nxjerr shaminë me atë qiell t’qendisur

para më del një fytyrë e shkëlqyer
pak e mrrolur më fort e përmalluar
shtegu i parkut më ndahet më dysh
lisat e paqtë dridhen më dalin dyfish

Skender Berisha
14 korrik 2013,Prizren

Deputetët serb i ‘fusin hundët’ në Brezovicë

0

Brezovica-teleferiketDeputeti serb i Lëvizjes Socialiste në Kuvendin e Serbisë, Dragan Todoroviq ka deklaruar sot se duhet të gjendet mënyra që potencialet e Brezovicës të futen në funksion dhe të “parandalohet uzurpimi me objekte ilegale që po ndërtojnë shqiptarët”.

Todoroviq se bashku me grupin e deputetëve të Kuvendit të Serbisë këtë vikend kanë qëndruar në Kosovë, kurse sot kanë marrë pjesë në liturgji në manastirin e Zoçishtës.

Më pas ata kanë vizituar Rahovecin dhe Hoçën e Madhe.

Deputetët dje kanë qëndruar në Shtërpcë ku kanë takuar strukturat ilegale të qeverisë lokale, si dhe kanë vizituar edhe qendrën e skive në Brezovicë, si dhe ndërtimin e lagjeve të vikendit, që sipas tyre, janë ndërtuar nga shqiptarët.

Todoroviq ka thënë, siç transmeton Orainfo, se “të mirat e shtetit në Brezovicë nuk janë shfrytëzuar edhe as nuk janë vënë në funksion dhe se duhet të gjendet mënyrë që tërë këtë potencial ta aktivizojmë dhe ta ruajmë nga ndërtimi i objekteve pa leje”.

Ulqini nuk u takon më kosovarëve!

0

Ulqini-plazhiQysh në dekadat e socializmit jugosllav, Ulqini ishte qyteti bregdetare ku gjatë verës shtegtonte thuajse e tërë Kosova. Kosovarët këtu sillnin zhurmën, zakonet e veta si edhe këngëtarët e tyre të preferuar që u këndonin aq sa për të mbajtur gjallë kosovarinë “kreshnike” dhe për t’i mbushur xhepat me euro.

Por, Ulqini i sotëm me asgjë nuk i ngjan atij të dikurshmit që kryesisht kishte ngjyrat e vendbanimeve kosovare. Ulqini i kësaj vere ka më shumë boshnjak, polak, e të huaj të tjerë, kështu që shqiptarët nga Kosova e Maqedonia janë aq të rrallë sa e kalon ditën pa të përshëndetur ndonjë vendas apo i njohur…

Mbase nuk janë vetëm çmimet ato që i çuan kosovarët ta “dorëzojnë” Ulqinin. Ndonëse krahasuar me vendet turistike të Shqipërisë, Ulqini duket më i shtrenjtë arsyeja pse shqiptarët nuk vijnë në pushime në këtë vend duhet kërkuar edhe diku tjetër . Këtu një krevat shkon nga 5 euro deri në 15 euro për një natë. Varësisht në cili krahë u zë gjumi dhe ku doni të flini, diku në brendi të qytetit apo pranë Plazhës së Madhe.

Përpos shtretërve për fjetje, edhe ato të plazheve kanë çmime goxha të larta për xhepin e një kosovari – 5 deri në 10 euro. Kështu që rrezitja mund t’ju kushtoj po aq sa edhe fjetja e natës dhe pushuesit nga dita në ditë e kupton se në Plazhin e Madhë të Ulqinit ka mbetur i pa privatizuar vetëm ajri që thithë dhe deti ku lahet. Pra, zallin e kanë pushtuar privatistët që kanë vënë shenja kufizuese të stilit” ‘Ndalohet luajtja me top përpara çadrave”, “Mos u shtrini përpara çadrave”, apo edhe Mos u shtrini në dy krevate më shumë se dy persona….. Andaj nëse vini me çadrën tuja nën sqetull dhe me top për të lozur fëmijët e juaj, duhet të vendoseni diku “mbrapa” hapësirave ku çdo gjë paguhet. Dhe të mbeteni me shpresë se privatistëve të plazheve nuk u është kujtuar t’u venë shenjë atyre që përdorin çadrat me pagesë që të shohin mos ka ndonjë notues “ilegal” në hapësirën ujore që e kanë shënuar si të veten.

Ulqini i ditëve të para të korrikut është thuajse gjysmë i zbrazët. Për këtë “fajin” kryesor e ka koha jostabile si dhe muaji i Ramazanit. Por, sigurisht që “fajtorë” për këtë janë edhe çmimet e larta si dhe vendimi i kosovarëve që vendpushimin që ua kujton kohët e shkuara ta zëvendësojnë me të mirat që ua solli demokracia – të pushojnë në plazhet e mëmëdheut – Shqipërisë.

Të pandryshuara mbeten vetëm spotet komerciale që mund ti shohësh gjithandej nëpër televizione të ndryshme, aty ku propagandohet për shërbime cilësore dhe traditë të turizmit. Mirëpo, efekti i këtyre promovimeve jo reale të financuara nga kompani të ndryshme të udhëtimit është zbehur dukshëm. Pavarësisht se të gjitha këto spote komerciale janë në gjuhë shqipe, ato sivjet kanë hasur në veshin e shurdhër të kosovarëve..

Mungesa e turistëve i bënë të pakënaqur pronarët që japin me qira shtëpitë e tyre si dhe ata të restoranteve dhe objekteve tjera turistike. Thuajse të vetmit që nuk shprehin pakënaëqsi janë familjet rome që mirëmbajnë tualetet publike pranë plazheve. Mbase shkaku se turistët mund të sjellin me vete ushqim, çadra…., se ata mund të hanë më rrallë për të kursyer, por nuk mund assesi të venë nën kontroll përdorimin e këtyre objekteve kur ta kërkon trupi./almakos/