23.8 C
Prizren
E diel, 28 Prill, 2024

Skena e pavarur kulturore, e pafuqishme dhe pa përkrahje

Mentaliteti i vështrimit të artit e kulturës si zbukurim, luks e komoditet duhet të largohet. Përtej kësaj, ky është momenti që bota institucionale të kthehet në bashkëpunëtor në realizimin e projekteve kulturore të dobishme të cilat me vite janë ndërtuar e kultivuar, thonë artistët, derisa kërkojnë që shteti të krijojë një strategji kulturore të cilën ka 16 vjet që përmendet.

Festivale dhe aktivitete kulturore janë anuluar ose shtyrë për vitin tjetër për shkak të shkurtimit të buxhetit ose mospërkrahjes nga MKRS-ja, derisa kjo e fundit nga 9 deri më 16 nëntor hapi konkursin për fazën e dytë të subvencioneve.

Drejtori i “Prishtina Jazz Festival”, Ilir Bajri, thotë për “Zërin” se skena kulturore dhe komuniteti në përgjithësi ndihen të pafuqishëm dhe pa përkrahje.

“Mendoj që ky është momenti ideal që bota institucionale të kthehet në partner e bashkëpunëtor në realizimin e projekteve e aktivitete të dobishme shoqërore të cilat komuniteti dhe aktivistët kulturorë me vjet e kanë ndërtuar e kultivuar me mund e vullnet. Kur dëgjoj se ‘Skena Up’, ‘Dam Festi’ e festivale tjera që për vite me radhë kanë kultivuar e stimuluar zhvillim në komunitet e shoqëri, më vjen keq që nuk çuditemi secili prej nesh për këtë situatë por zhytemi menjëherë në konflikte verbale e akuza”, ka thënë Bajri, sipas të cilit Ministria e Kulturës është ajo që duhet të ketë një plan të qartë zhvillimor kulturor.

“Ministria duhet të përpilojë dhe konceptojë në bashkëpunim me komunitetin artistik e kulturor, sidomos me ato organizata e ata individë që kanë dëshmuar se aktivitetet kulturore të organizuara mirë janë të dobishme dhe i mundësojnë shoqërisë përparim e zhvillim”, është shprehur Bajri, i cili shtoi se mentaliteti i vështrimit të artit e kulturës si zbukurim, luks e komoditet duhet të largohet.

“Problemi që duhet të trajtohet është raporti mes institucionit dhe qytetarit, në këtë rast në mes të Ministrisë së Kulturës dhe komunitetit artistik e kulturor. Përderisa nuk ulemi në tavolinë e t’i diskutojmë idetë e vizionet e përbashkëta, zor që do të ndryshojë diçka për të mirë”, ka thënë Bajri, sipas të cilit festivali është ndihmuar shumë nga artistë të muzikës xhaz, por Kosova është ajo që institucionalisht nuk tregohet e interesuar për të zhvilluar këto lloj raporte.

“Bashkëpunimi dhe asistenca e artistëve dhe menaxherëve të tyre na kanë ofruar mundësi më të mëdha për të mësuar më shumë se si duhet të zhvillohet festivali në tërësi. Por bota institucionale në Kosovë është rigide dhe jokomunikative e për këtë arsye i tërë diskursi reduktohet në aspekte teknike e financiare që bëhen shpesh arsye për keqkuptime e konflikte të panevojshme”, ka thënë Bajri, duke shtuar se për shkak problemeve teknike e organizative festivali është shtyrë.

“Kjo ishte një prej ideve të propozuara nga miqtë e festivalit nga vendet e tjera dhe ajo periudhë do të ishte më e lehtë për përpilimin e programeve të festivalit dhe koordinimin me artistë, grupe e agjentë të tyre”, ka thënë Bajri, duke treguar se nuk ka aplikuar për fazën e dytë të subvencioneve.

Vullnet Krasniqi, menaxher i festivalit “Skena Up”, thotë se vendimi i Ministrisë për të shkurtuar buxhetin për festivale, ka bërë që për sivjet ky festival të mos mbahet, por të shtyhet për vitin tjetër.
“Vendimi i Ministrisë për të shkurtuar buxhetin për festivale na ka bërë që ta shtyjmë festivalin”, është shprehur Krasniqi, duke shtuar se përkrahje këtë vit nuk kanë pasur fare.

“Shteti duhet të krijojë një strategji kulturore të cilën ka 16 vjet që veç e përmend, por nuk e bën. Shteti këto 16 vjet ka mbështetur festivale që i duhen e ia ndritin fytyrën ndërkombëtarisht, por ka mbështetur më shumë ngjarje e festivale të cilat janë pa ndonjë vlerë.

Këtë vit ka munguar komplet përkrahja”, ka thënë Krasniqi, sipas të cilit, shteti në këto vite ka dështuar në sferën e kulturës.

“Shteti në këto vite si në çdo sferë tjetër, edhe në atë të kulturës ka dështuar të mbështesë dhe të punojë për atë çfarë i duhet këtij vendi”, është shprehur Krasniqi, duke cekur se “Skena Up” është festivali i vetëm në Ballkan që u dedikohet studentëve të filmit dhe teatrit.

“Duke qenë se studentët në Kosovë janë të izoluar dhe nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit për të parë punën e kolegëve të tyre apo për të ndjekur ndonjë punëtori, festivali e ka ofruar këtë për ne në Kosovë. MKRS-ja ka qenë sponsori që ka mundësuar ardhjen e studentëve ndërkombëtarë dhe profesorëve në Kosovë”, ka thënë Krasniqi, ku sivjet në këtë festival kanë aplikuar rreth 800 studentë të huaj.

“Studentët e huaj që kanë aplikuar sivjet e që kanë qenë afro 800 të tillë u kemi dërguar një letër ku i kemi sqaruar situatën, dhe për botën normale, gjendja e Kosovës dhe çka ndodh në Kosovë është e pakuptueshme absurde dhe tmerruese”, ka thënë Krasniqi.

Me datën kur duhej të ishte hapja e festivalit “Skena Up”, u shfaq filmi gjerman i vitit 1927 nën regji të Fritz Lang në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Filmi që u përcoll nën tingujt e pianistit gjerman Graf v. Brothmer “Metropolis” ka qenë ngjarje e organizuar nga Ambasada Gjermane e planifikuar të mbahej gjatë “Skena Up”.

“Por pas shtyrjes së festivalit ata e kanë mbajtur ngjarjen dhe ne e kemi përkrahur duke ftuar njerëz”, është shprehur Krasniqi, duke cekur se kjo ishte protestë ndaj mungesës së përkrahjes për këtë festival.

Besa Luzha kishte thënë se trajtimi i institucioneve të pavarura nga MKRS-ja këtë vit ka qenë gabim.

“Është shumë me rëndësi që Ministria e Kulturës duhet ta pranojë përfundimisht që ka gabuar në mënyrën se si i ka ndarë fondet”, është shprehur Luzha, sipas të cilës duhet të definohen realisht e saktësisht sa ka buxhet të ndarë për këtë sektor të kulturës, më pas një respekt më të madh për skenën e pavarur, të mos trajtohen institucionet kredibile dhe individë privatë dhe të shihet cilat institucione ofrojnë më shumë aktivitete.

Krahas kësaj, Ministria e Kulturës në nëntor të këtij viti ka hapur konkursin për ndarjen e subvencioneve. Sipas Ndue Ukajt, këshilltar i Ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, në këtë konkurs kanë aplikuar gjithsej 190 projekte. “Projektet fituese do të shpallen këto ditë”, ka thënë ai. /Zëri

Më Shumë

Alarmojnë shkencëtarët: Moti në Evropë më i paqëndrueshmi, pritet krizë klimatike

Shkencëtarët për ndryshime klimatike kanë paralajmëruar se një krizë klimatike pritet të përfshijë Evropën në vazhdim. Ata thonë se temperaturat po rriten në mënyrë drastike,...

S’është në Evropë, por në Kosovë – fshati Bellanicë shembull për të tjerët

Nuk është në Evropë por në Kosovë. Bëhet fjalë për fshatin Bellanicë në Malishevë. Bukuria, pastërtia e pamja mahnitëse janë disa nga karekteristikat e këtij...

Lajmet e Fundit