18.6 C
Prizren
E mërkurë, 2 Korrik, 2025

15 mars 1875/ Faik Konica, propagandues i çështjes kombëtare

Më 15 mars të vitit 1875 u lind në Konicë, Faik bej Konica, propagandues i çështjes kombëtare, studjues i historisë kombëtare dhe i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar.

Ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

Sistemi komunist për pesëdhjetë vjet e ndaloi kthimin e eshtrave të tij në tokën shqiptare. Noli dhe Lamja i vogël (Sejfulla Maleshova) nuk mund të bënin asgjë. Më 4 mars 1946 Noli i shkruante Lames që të ndikonte tek autoritetet shqiptare të plotësohej amaneti i Konicës. Pasi Malëshova nuk mundi të bënte gjë, ndërhyri vet tek autoritetet shqiptare dhe fatkeqësisht, për arsye politike, nuk gjeti mirëkuptim.

Eshtrat e tij u kthyen në atdhe, në një ditë maji të vitit 1995 dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri. Kështu u plotësua amaneti i Konicës, të anatemuarit, njeriut “që hodhi baltë mbi letërsinë shqiptare” , “shkrimtarit reaksionar”, sikurse u quajt paturpësisht, i cili u letua nga letrat shqipe për motive politike. Në këtë turp morën pjesë edhe shkrimtarët e kritikët letrarë, të cilët kurrë nuk do të kenë forcë, përmes kritereve estetike, ta zhvendosin nga maja e kulturës shqiptare. Atje është i përgjithmonshëm. I veçanti– Faik Konica.

Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.

Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike./kb

Më Shumë

Suhareka mbështet edicionin e 4-të të Shkollës Verore Ndërkombëtare në Prizren

Komuna e Suharekës ka konfirmuar për të katërtin vit radhazi mbështetjen financiare për Shkollën Verore Ndërkombëtare të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, duke dëshmuar...

Kuklibegu ndriçohet

Fshati Kuklibeg është bërë me ndriçim publik, si rezultat i përfundimit të një tjetër projekti nga Komuna e Dragashit. Lajmin e ka bërë të ditur...

Lajmet e Fundit