Koalicioni vendor i organizatave jo-qeveritare kosovare për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” ka vlerësuar se procesi zgjedhor në Komunën e Prizrenit është zhvilluar në frymë demokratike, deri në mbylljen e vendvotimeve.
Naim Cahanaj nga DnV ka bërë të ditur se procesi zgjedhor në përgjithësi është zhvilluar mirë, përkundër trendit jo edhe aq të kënaqshëm të daljes së votuesve.
“Vlerësimi i përgjithshëm është se ka qenë një proces me notë kaluese, për të mos thënë shkëlqyeshëm për shkak të asaj se kemi pasur kryesisht vendvotime që janë hapur me kohë. Procesi ka shkuar shumë mirë, megjithëse ka pasur një trend të daljes jo shumë të kënaqshëm. Por po shpresojmë se me lëvizjet e fundit ndoshta do të rritet kuota e daljes së përgjithshme të votuesve në vendvotime dhe të ushtrojnë të drejtën e votës”, ka thënë Cahanaj.
Sipas tij, ka pasur edhe ca vonesa në hapjen e vendvotimeve të caktuara.
“Në anën tjetër kemi parë aty këtu një lloj mungese të organizimit të përgjithshëm të KKZ-së, sidomos në trajnimin e komisionerëve. Po ashtu ka pasur raste të vonesave në ardhjen e komisionerëve për të marrë përgjegjësinë për hapjen me kohë të vendvotimeve të caktuara”, është shprehur Cahanaj.
Pavarësisht kësaj ai ka nënvizuar se imazhi i përgjithshëm ka qenë pozitiv dhe ka kërkuar që kjo frymë të mbizotëroj edhe gjatë numërimit të votave.
“Meqë nuk ka pasur ndonjë incident që mund të prish imazhin e përgjithshëm të këtij procesi mund të vlerësohet që ky proces sic thashë një notë të shkëlqyeshme ose kaluese dhe shpresojmë që gjatë procesit të numërimit të votave mos të ketë ndonjë incident që do të prishte imazhin e përgjithshëm të organizimit të zgjedhjeve në Komunën e Prizrenit”, ka deklaruar Cahanaj.
Për ditën e zgjedhjeve parlamentare të Kosovës, DnV në nivel vendi ka akredituar 500 vëzhgues statikë të cilët po mbështeten nga 50 ekipe mobile dhe dhjetëra vullnetarë në Qendrën e Thirrjeve. /Telegrafi/