Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocave, e cila shënohet më 1 mars, aktivistja për të drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, Resmije Rahmani – Biba, ka bërë thirrje për ndërgjegjësim dhe veprim në aspektin e qasjes, të drejtave dhe barazisë.
Sipas saj, kjo ditë duhet të shërbejë si frymëzim shtesë për njohjen dhe vlerësimin e kontributit të çdo personi, pavarësisht pengesave.
“Të gjithë ne që çdo ditë kapërcejmë pengesat me forcën, këmbënguljen dhe guximin tonë, jemi dëshmi se kufijtë ekzistojnë vetëm nëse ne i lejojmë ato. Kjo ditë nuk është vetëm një kujtesë për sfidat me të cilat përballemi, por edhe një mundësi për të ngritur së bashku zërin për më shumë qasje, të drejta dhe barazi. Le të frymëzojë forca dhe këmbëngulja jonë, që e gjithë shoqëria të njohë vlerën e çdo personi, pavarësisht pengesave në rrugë”, është shprehur ajo.
Aktivistja për të drejtat e njeriut ka inkurajuar angazhimin për një shoqëri më gjithëpërfshirëse.
“Le të vazhdojmë të jemi të guximshëm, të vendosur dhe të zëshëm në betejën për një botë më të mirë dhe më gjithëpërfshirëse!”, ka shkruar Rahmani.
Dita Ndërkombëtare e Përdoruesve të Karrocave shërben për të promovuar një kuptim më të drejtë të sfidave me të cilat përballen personat me vështirësi në lëvizje si dhe për avokim për mjedise dhe politika më të qasshme për këtë kategori të shoqërisë. /Telegrafi/