Anëtarët e Mekanizmit Kundër Dhunës në Familje (MKDHF) në Suharekë mbajtën sot takimin e parë për vitin 2025, ku u diskutuan dy çështje kryesore: analiza e rasteve të dhunës në familje gjatë tremujorit të parë të vitit dhe çështje të ndryshme që lidhen me parandalimin dhe trajtimin e këtyre rasteve.
Takimin e hapi koordinatorja e MKDHF-së, Habibe Bytyçi, e cila prezantoi rendin e ditës dhe i dha fjalën nënkryetares së Komunës së Suharekës, Mihrije Suka. Në fjalën e saj, Suka theksoi shqetësimin për numrin në rritje të rasteve të dhunës në familje dhe theksoi nevojën për një qasje më efektive nga niveli qendror.
“Rastet e dhunës janë alarmante, sidomos kohët e fundit. Pavarësisht përpjekjeve tona në nivel lokal, ky problem kërkon më shumë angazhim nga institucionet qendrore. Shpresojmë që këto raste të reduktohen sa më shumë,” u shpreh ajo.
Komandanti i stacionit policor të Suharekës, kapiten Afrim Sylaj, prezantoi statistikat për tremujorin e parë të vitit, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ai theksoi se është vënë re një rritje e rasteve të dhunës, ku rastet recidiviste mbeten një sfidë e madhe.
Përfaqësues të Qendrës për Punë Sociale (QPS) ndanë informacion mbi rastet e trajtuara dhe vlerësuan bashkëpunimin e mirë me policinë dhe institucionet e tjera përkatëse. Nga ana tjetër, prokurorja Mejreme Hoxha nga Prizreni kërkoi që raportet policore të jenë më të detajuara për të lehtësuar trajtimin efektiv të rasteve në procedurat ligjore.
Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu strategji për uljen e numrit të rasteve të dhunës në familje dhe përmirësimin e vetëdijesimit të qytetarëve mbi pasojat e saj. Anëtarët e MKDHF-së theksuan rëndësinë e një bashkëpunimi më të fortë ndërinstitucional dhe të fushatave sensibilizuese për parandalimin e dhunës në familje./PrizrenPress.com/