17.9 C
Prizren
E martë, 20 Maj, 2025

PDK-ja në Dragash ngre dyshime për tenderin e vizitës së kuvendarëve në Austri, Komuna i mohon pretendimet

Dega e PDK në Dragash përmes një reagimi ka adresuar dyshimin për keqpërdorim të parasë publike dhe përzgjedhje të operatorëve me favorizim nga drejtuesit e Komunës për realizimin e vizitës së kuvendarëve në Austri.

Por këto pretendime janë hedhur poshtë nga menaxhmenti i Komunës së Dragashit.

Partia opozitare në reagimin e saj ka shprehur qëndrimin se “kur vizitat shndërrohen në mjete për keqpërdorim, ato humbin çdo vlerë”.

“Dega e PDK në Dragash nuk është kundër vizitave jashtë vendit që sjellin përvojë, njohuri dhe rezultate konkrete për komunën. Por rasti i fundit i raportuar gjerësisht në media ngre dyshime serioze për keqpërdorim të parasë publike dhe përzgjedhje të operatorëve me favorizime të hapura”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Tutje theksohet se “këshilltarët komunalë nuk janë përgjegjës për procedurat e prokurimit” dhe se “ata kanë rol në avancimin e politikave dhe proceseve që shërbejnë në të mirë të qytetarëve”.

“Përgjegjësia ligjore dhe morale për mbikëqyrjen e prokurimeve i takon Kryetarit të Komunës, i cili është i obliguar të sigurojë që çdo procedurë të zhvillohet në mënyrë të ligjshme, transparente dhe në funksion të interesit publik. Kryetari ka për detyrë të punojë për afirmimin e komunës, të ndërtojë imazhin e saj dhe të krijojë mundësi zhvillimi – jo të krijojë situata ku qytetarët ndihen të turpëruar nga raportimet në thuajse të gjitha mediat vendore, që tashmë paraqesin Dragashin si një komunë me praktika të dyshimta e të padenja, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës”, thuhet në reagim.

Në të njëjtën kohë dega e PDK-së ka pretenduar se kryetari synon që ta marrë nën kontroll Zyrën e Prokurimit.

“Dyshohet se Zyra e Prokurimit ka qenë që nga fillimi synim i Kryetarit për ta marrë nën kontroll të plotë, gjë që vërtetohet edhe nga dorëheqja e detyruar e menaxherit të mëparshëm të prokurimit. Sipas informacioneve që qarkullojnë, ai pritet të zëvendësohet nga ish-drejtori i administratës – zyrtar komunal dhe bashkëpunëtor i ngushtë i kryetarit. Kjo lëvizje nuk është rastësore. Ajo duket të jetë pjesë e një strategjie të qëllimshme për kapjen e plotë të prokurimit komunal, me qëllim të kontrollimit të tenderëve dhe realizimit të interesave të ngushta politike e personale, në kurriz të qytetarëve dhe të parasë publike. PDK në Dragash kërkon urgjentisht hetim të pavarur dhe mbajtje të përgjegjësisë institucionale”, thuhet në reagim, raporton Telegrafi.

Zyra për Informim e Komunës së Dragashit lidhur me vizitën e asamblistëve në Austri ka sqaruar se “vizita të tilla janë organizuar çdo vit nga të gjitha qeveritë komunale, ku asambleistët hartojnë agjendën e vizitës dhe miratojnë shumën e buxhetit”.

“Kësaj radhe, asambleistët e të gjitha partive politike kanë votuar për një vizitë studimore në Austri. Pasi KRPP-ja e ka aprovuar kërkesën për tender, Zyra e Prokurimit ka ndjekur procedurat e hapura të tenderimit. Në këtë tender ka konkurruar vetëm një kompani, e cila i ka plotësuar të gjitha kriteret e përcaktuara me ligj, duke dorëzuar edhe referenca për vizita turistike jashtë vendit. Pasi janë ndjekur të gjitha procedurat dhe afatet ligjore, Zyra e Prokurimit ka lidhur kontratën me këtë kompani. Sa u përket pretendimeve të Degës së PDK-së në Dragash, ku apostrofohet kryetari i Komunës, ju informojmë se kryetari as nuk shpall dhe as nuk jep tenderë. Këtë funksion e kryen Zyra e Prokurimit si zyrë përgjegjëse për zhvillimin e të gjitha procedurave të tenderimit, duke respektuar dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në komunikatën e Zyrës për Informim të Komunës së Dragashit.

Gjithashtu është theksuar se në vizitën në Austri “nga njëzet asambleistët pjesëmarrës, gjashtë prej tyre kanë qenë nga PDK-ja, ku njeri nga ta ka qenë edhe udhëheqës i vizitës studimore”.

“Kjo është e vërteta e vetme mbi vizitën studimore në Austri dhe për Zyrën e Prokurimit. Të vërtetë tjetër nuk ka! Lidhur me pretendimet tjera të Degës së PDK-së për Zyrën e Prokurimit, kryetari i Komunës do të japë sqarime në seancën e radhës të Asamblesë Komunale, në pikën eventuale të rendit të ditës”, përfundon komunikata e Zyrës për Informim të Komunës së Dragashit.

Procedura e prokurimit për vizitën e kuvendarëve të Dragashit në Austri, sipas të dhënave në platformën elektronike të Prokurimit Publik është iniciuar më 27 mars 2023, me vlerën e parashikuar për 22 mijë eurove.

Afati për dorëzimin e ofertave ka qenë data 17 prill 2025. Njoftimi për dhënie të kontratës është publikuar me 16 maj 2025. Ndërkaq njoftimi për nënshkrimin e kontratës është publikuar me 19 maj 2025.

Komuna e Dragashit javën e shkuar ka njoftuar lidhur me takimet e realizuara me homologët në Austri. /Telegrafi/

Më Shumë

Liria siguron barazhin për Superligë

Liria ka shënuar një fitore të rëndësishme ndaj Rilindjës 1974 me rezultat 2:0, duke hedhur një hap vendimtar drejt objektivit madhor – ngjitjes në...

Performanca fantastike e 34 nxënësve me çifteli, mësuesi nga Dragashi frymëzon brezat

Në një kohë kur teknologjia po e zbeh interesimin e të rinjve për trashëgiminë kulturore, një mësimdhënës në fshatin Kuk të Dragashit po e...

Lajmet e Fundit