24.9 C
Prizren
E martë, 1 Korrik, 2025

60 vjet nga vdekja e gjuhëtarit shqiptar, Aleksandër Xhuvani

Sot shënohet 60 vjetori i vdekjes së gjuhëtarit shqiptar, Aleksandër Xhuvani.

Veprimtarinë e nisi si mësues në Kolegjin Arbëresh të Shën Dhimitër Koronës, për t’u kthyer më pas në Shqipëri, ku filloi të jepte mësim në Normalen e Elbasanit.

Aleksandër Xhuvani lindi në Elbasan më 14 mars 1880 në një familje të njohur për kontributin kombëtar e kulturor. Mësimet e para i kreu në vendlindje, të mesmet, në Çatillë të Maqedonisë. Më pas studioi filologji në Athinë, ku edhe u diplomua. Është një nga pionierët e arsimit dhe të gjuhësisë shqiptare.

Qe anëtar i Komisisë Letrare të Shkodrës, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, anëtar i Institutit për Studime Shqiptare, dekan i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë pranë Institutit të Studimeve, anëtar i redaksisë së Buletinit të Shkencave Shoqërore. Në kulmin e veprimtarisë si gjuhëtar e pedagog, Universiteti Shtetëror i Tiranës i dha titullin Profesor Doktor honoris causa.

Që nga viti 1905, kur botoi artikullin e parë në revistën “Albania” të Faik Konicës e deri në fund të jetës, vijoi shkrimet publicistike, gjuhësore, pedagogjike dhe letrare. Për një farë kohe drejtoi organin e Elbasanit “Kopshti letrar”; më pas botoi shumë studime mbi veprat e letërsisë së viteve ’30. La një trashëgim të çmuar veprash gjuhësore, pedagogjike, teoriko-letrare. Po kujtojmë disa prej tyre:

“Libri i gjuhës shqipe” 1924; “Njohuritë e para të sintaksës shqipe” 1925; “Fillimet e pedagogjisë didaktike” 1926; “Pestaloci” 1927; “Fillime të stilistikës dhe të letërsisë së përgjithshme (me Kostaq Cipon) 1930; “Fillimet e psikologjisë 1933 etj.

Me studimin e jetës së tij janë marrë Bardhyl Graceni në monografinë “Aleksandër Xhuvani: jeta, vepra” Tiranë 1980 dhe Hajrullah Koliqi në monografinë “Aleksandër Xhuvani”.

Po të krahasojmë shkrimet e para, që na zbulojnë bindjet e tij të formuara, e shkrimet më të vona, do të vërejmë menjëherë se edhe ai, pavarësisht nga rrethanat, që e shpëtuan nga prangat dhe i krijuan kushte të favorshme pune, duhet ta ketë ndjerë thellë në shpirt peshën e tmerrshme të diktaturës, që për njerëz si ai donte të thoshte vdekje e mendimit të lirë e e krijimtarisë së lirë. Këtë e dëshmon fakti se miqtë më të mirë i pat në radhët e intelektualëve me formin perëndimor, ndërmjet të cilëve, me gjuhëtarin e madh të panjohur, Atë Viktor Volajn, asokohe Rektor i Kishës françeskane në Tiranë, me të cilin takohej rregullisht për të diskutuar mbi probleme gjuhësore e letrare, ndonëse asokohe takimet me një frat mund të konsideroheshin veprimtari armiqësore. Falë Profesor Xhuvanit, Atë Viktori vijoi, fshehurazi e pa emër, bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave duke dhënë një kontribut të madh për Fjalorin e shqipes.

Mjafton të kujtojmë këtu fjalimin që Xhuvanit mbajti mbi varr të Atë Gjergj Fishtës, për të treguar qartë vlerësimin e e tij të thellë për kontributin e klerit katolik e personalisht të Kangëtarit të Lahutës:

“Si vetimë u përhap an’ e kand të Shqipnisë lajmi i hidhët i vdekjes së poetit t’onë Kombëtar, At Gjergj Fishtës dhe e mahniten mbeti sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të “Lahutës së Malcisë” që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fisit tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu, i vjetërsisë. E me të drejtë i kan thënë Fishtës “Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e Spartanëve për luftë, njashtu dhe epopeja e “Lahutës”, odet dhe elegjitë e “Mrizit të Zanave” e të poezive të tjera kanë mbledhë në zemër të djelmnisë sonë dashuninë e pamasë për truellin e të parëve dhe për gjuhën amtare. Këto dy ideale: Atdhedashunia dhe rujetja e gjuhës si dritë e synit, lavrimi dhe përdorimi e saj kanë qenë polet rreth së cilave shtrihej vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veçse ne arsimtarëve që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi mësue nxënësve poezitë e tij, që e çmon ma mirë veprën zamadhe të tij, e cila sot si një far i madh dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë sonë, si një Ungjill shkëndimadh morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj”. Prof. Aleksandër Xhuvani vdiq më 2 nëntor 1961. / KultPlus.com

Më Shumë

Policia shqipton gjobë për zjarrvënie në Malishevë – apel për parandalim të djegieve

Policia e Kosovës ka njoftuar se Stacioni Policor në Malishevë është duke ndërmarrë masa të vazhdueshme për të parandaluar djegiet që, sipas tyre, shkaktojnë...

Dy persona kapen me marihuanë në Fortesë të Rahovecit

Policia ka trajtuar një rast të posedimit të paautorizuar të narkotikëve në fshatin Fortesë të Rahovecit, ku dy persona janë kapur me substancë të...

Lajmet e Fundit