3.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

93 vite më parë, si u shpall Zogu, Mbret i shqiptarëve

 

Shqipëria ishte i vetmi vend ballkanik që nuk ishte monarki. Prandaj dhe më 1 shtator 1928, Zogu braktisi emrin e tij Ahmet, bashkë me ‘u’-në nga Zogu dhe e kurorëzoi veten ‘Zog I, Mbret i Shqiptarëve’. Ky titull shkaktoi shtangie në Beograd. Ndërsa jugosllavët nuk kishin ndonjë kundërshtim ndaj një ‘Mbreti të Shqipërisë’, ata e akuzuan Zogun për nxitje të prirjeve irredentiste midis shqiptarëve kosovarë duke e quajtur veten Mbret të të gjithë shqiptarëve. Sidoqoftë, ata e njohën atë, në mënyrë që ai të mos shtyhej më tej drejt Italisë.

Për t’i dhënë një peshë solemniteti këtij momenti midis nënshtetasve të tij tejet apatikë, Zogu shpalli tri ditë festime me hedhje fishekzjarresh dhe manifestime ‘spontane’ në qytetet kryesore. Një dekret zyrtar përcaktonte se: ‘E gjithë popullata duhet të marrë pjesë… asnjë burrë apo grua nuk duhet të qëndrojë i ulur nëpër kafene apo restorante gjatë manifestimeve; të gjithë duhet t’i bashkohen manifestimeve popullore’. Si rrodhën ngjarjet…Më 30 gusht 1928, mblidhet Komisioni i posaçëm. Në përfundim të mbledhjes u formua një komision i posaçëm për hartimin e neneve kryesorë të Statutit të ri.

Më 1 shtator 1928, në orën 09:00, votim në këmbë për Mbretin
U zhvillua mbledhja e katërt e Asamblesë Kushtetuese. U lexua raporti i komisionit, i cili kishte përgatitur nenet kryesore të Statutit të ri. Me propozim të Mihal Kasos pas leximit të çdo neni votimi u krye në këmbë.

Kështu, në orën 9:12, Asambleja Kushtetuese votoi unanimisht duke e shpallur Shqipërinë, Mbretëri demokratike, parlamentare, të trashëgueshme dhe Zogun I, Mbret të shqiptarëve.

Gjithashtu, u aprovua edhe formula e betimit të Mbretit. Duartrokitjet dhe njëqind e një të shtëna topi përshëndetën vendimin.

1 shtator 1928, në ora 17:00, ceremoniali i kurorëzimit mbret.

Një komision me deputetë nga të nëntë prefekturat e vendit, i kryesuar nga Pandeli Evangjeli, u nis drejt Pallatit, që pas kësaj date u quajt Mbretëror (sot Akademia e Shkencave), për t’i komunikuar formalisht Mbretit vendimin e Asamblesë Kushtetuese. I përcjellë nga brohoritjet popullore të rastit, komisioni kaloi mes një kompanie të gardës, veshur me uniforma të kuqe, dhe hyri në Pallat. Në orën 10:00, të datës 1 shtator 1928, Ahmet Zogu pranoi kurorën. Betimi i Mbretit në Parlament do të bëhej më 1 shtator 1928, në ora 17:00, por në fakt u bë 20 minuta më përpara, siç duket për arsye sigurie. Festimet e pasdites së 1 shtatorit 1928 filluan që në orën 14:00, dhe zgjatën tre ditë. Repartet e ushtrisë ishin rreshtuar, populli kishte dalë në rrugë, ndërsa disa aeroplanë hidhnin fletushka nga ajri. Në orën 16:00, u dëgjua buçitja e trumbetave dhe më pas Himni kombëtar.

Pse mbret i shqiptarëve dhe jo i Shqipërisë…

Në fakt ka qenë një lëvizje e menduar prej kohe, por e përmendur më 29 gusht në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, shpallja e Ahmet Zogut, Mbret i shqiptarëve dhe jo i Shqipërisë, gjë që kishte një kuptim të qartë kombëtar dhe politik. Po të quhej i Shqipërisë , kufizohej brenda kufijve të territorit të atëhershëm, por ai kishte synim të mbretëronte e dhe në territoret jashtë Shqipërisë, madje edhe diasporën.

…Dhe pse Zogu i Parë dhe jo Ahmet Zogu

Gjatë gjithë votimit, por edhe më pas të betimit të Mbretit, deputetët qëndruan më këmbë në kundërshtim me zakonin e mbretërve në Evropë, për të evidentuar emrin, Ahmet Zogu zgjodhi mbiemrin (Zog I) për emërtim zyrtar. Emri Ahmet iu duk i papërshtatshëm për drejtimin që kishte vendosur t’i jepte vendit.

Ashtu siç del qartë!

Vendosje e kësaj forme regjimi, nuk ishte imponim, rastësi apo dëshirë e dikujt, por ishte domosdoshmëri absolute e parapërcaktuar që me Shpalljen e Pavarësisë dhe që në Kongresin e Lushnjës, ku rolin e kryetarit të shtetit e kishte lozur Këshilli i Lartë i Regjencës.
Në këto momente politike të trazuara, në një shtet të ri, ku nuk po gjendej si duhet as stabilitet i brendshëm dhe as i jashtëm, ishte domosdoshmëri dhe e padiskutueshme të vendosej kjo formë regjimi, si thamë më sipër, e parapërcaktuar më parë dhe më e përshtatshmja për ne.

FJALIMI I PARË I AHMET ZOGUT SI MBRET

Dalshim faqebardhë para historisë…

Sot po ju drejtohem si shok, bashkëpunëtor të idealit të përbashkët. Nëse në fjalimin tim nuk do të gjeni fjalët e nalta të krenave të ndershëm të stolisur me Kunorë, të mos çuditeni. Se unë shoh në Kryesinë e Shtetit shqiptar, në cilindo titull qoftë, shembëlltyrën besnike të popullit dhe shërbyesin e palodhur të Atdheut. Sot, në minutën kur ngarkohem me detyrën e rëndë dhe të naltë të shtetit, prej vullnetit e dëshirës së popullit të shfaqur me vendimin e ndërgjegjes Suej, do të veproj duke marrë parasysh përgjegjësinë morale, të cilën herët a vonë di ta çmojë populli shqiptar, për lartësimin e vendit….. Bota e ka marrë vesh se po të lihen të qetë edhe bijtë e Shqipërisë, mund të krijojnë një shtet. Mbas sotit detyrën e kemi më të rëndë, se duhet t’ i tregojmë botës se edhe shqiptari, si çdo popull i qytetëruar, mund ta marrë kulturën, e cila është pasuria e të gjithëve dhe ideali i botës mbarë. Vetëm në këtë mënyrë, duke i siguruar vendit tonë një të ardhme të lirë, mund të paguajmë një detyrë historike. Në regjimin e ri Shqipëria ka për të qenë një faktor paqësor në Ballkan. Relacionet që ekzistojnë sot me shtetet fqinje e dashamirëse, shpresojmë se do t’i forcojmë edhe më tepër.

Unë, bashkë me ju shokë të mi, jo vetëm që do të mbrojmë të drejtat kombëtare, por edhe kur të jetë nevoja, me ju bashkë do ta shtyjmë popullin trim shqiptar për t’ia arritur qëllimit të lartë, atë ideal që na ka falur natyra e na i ka shënuar historia, duke lartësuar vendin në sheshin e qytetëruar. Si të mbaroni detyrën e shenjtë, të ktheheni në vendet tueja e t’i thoni popullit Sovran se Prijsi i tij e sheh veten si çdo shqiptar. Me sa shpejtësi dhe entuziazëm e keni vënë në Fronin e Gjergj Kastriotit, aq me shpejtësi e kënaqësi keni për ta gjetur gjithmonë gati për t’i sakrifikuar të gjitha, nëse është nevoja, edhe jetën mbas dëshirës të tij dhe për të mirën e vendit. Zotninj, dalshim faqebardhë para historisë!

93 vite nga shpallja e Mbretërisë së Shqipërisë

Më 1 Shtator të vitit 1928 Asambleja Kushtetuese e Shqipërisë e dalë nga zgjedhjet e gushtit të atij viti shpalli krijimin e Mbretërisë Demokratike Parlamentare të trashëgueshme në Shqipëri. Duke përkujtuar atë ditë, pretendenti për fronin mbretëror Leka Zog I evokoi sukseset e Shqipërisë gjatë kohës së Mbretërisë së parë shqiptare. “Mbreti Zog kur krijoi shtetin shqiptar, vuri ligjin dhe i dha popullit qetësinë e begatinë. Monedha dhe pasaporta shqiptare u njoh kudo në botë”, bëri të ditur në një konferencë për mediat, pretendenti për fronin mbretëror Mbreti Leka Zog I.

Në konferencën që vjen pas disa vitesh për pretendentin e fronit, Leka Zog I kërkoi bashkëpunim të dy partive shqiptare në prag të hyrjes së vendit në Bashkimin Evropian. Më 1 Shtator 1928, Asambleja shpalli kryetarin e Republikës, Ahmet Zogu si Mbret të shqiptarëve. Ahmet Zogu lindi më 8 Tetor 1898 në Burgajet të Matit në një kështjellë të ndërtuar rreth shekullit XV. Pas 1 Shtatorit 1928 u thirr formalisht Naltmadhnia e Tij Zog I, Skënderbeu III, Mbreti i Shqiptarëve.

I lindur në 8 Tetor 1895 dhe vdekur në 9 Prill 1961, Zogu ishte politikan shqiptar, Ministër i Brendshëm (30 janar 1920–14 nëntor 1920), Kryeministër i Shqipërisë (1922-1924), President (1925-1928) dhe Mbreti i parë i Shqipërisë (1928-1939). Më 27 prill 1938, u martua me konteshën hungareze Geraldina Appony. Më 9 prill 1939, duke mos pranuar kushtet e pushtimit fashist, Ahmet Zogu u largua nga Shqipëria. Një ditë më pas, ai dhe familja e tij u vendosën në Greqi, duke nisur kështu jetën në ekzil, kohë kur filloi organizimin e rezistencës së armatosur. Mbreti Ahmet Zogu vdiq në 9 Prill 1961.

PërgatitiGazeta Telegraf

Më Shumë

Moti sot me diell dhe vranësira, temperaturat minimale 0 gradë Celsius – maksimalja deri në 16

Moti sot parashihet të jetë me diell dhe vranësira të pakta në orët e para të mëngjesit. Më pas pritet shtim i vranësirave, të cilat...

Distria e fillon Evropianin me fitore bindëse

Distria Krasniqi e ka filluar me fitore bindëse paraqitjen në Kampionatin Evropian të xhudos në Zagreb. Disitra është bartëse e parë në kategorinë deri 52...

Lajmet e Fundit