13.6 C
Prizren
E enjte, 18 Shtator, 2025

Portret: Frederik Ivanaj, një mik i kujtesës

LUAN RAMA

Frederik IvanajFrederik Ivanaj është një mik. Një mik kujtese, që e rigjeta pak ditë më parë në krah të Duomo-s, në qendër të Firences, në Piazza Elisabetta 6, dy hapa nga shtëpia e Dantes dhe Beatrices, të cilat t’i tregon me dëshirë, pasi Ivanaj është një pinjoll dashurie e arti. Është një kujtesë si qelqi i Baccara-së, është pasionanti i kinemasë që kam njohur në korridoret e Kinostudios kur bisedonim për kinematografinë dhe regjisorët e mëdhenj, Ejzenshtaini, Jean Renoir, Rosellini, Fellini … Flisnim për kamerën, pas së cilës ai u lidh aq shumë, nga një film në tjetrin, në kërkim të dritës dhe njeriut të thjeshtë të shtëpisë përdhese prej balte, fytyrës së gëzuar e të trishtë, pasi aty ishte piktura, arti i kompozimit dhe drita e figurës, ajo e artit. Një djalosh tepër simpatik dhe i uritur pas arteve. Pasi të uriturit shpesh vdesin urie. Jo pak artistë kanë ikur kështu nga dashuria për artin.

Në shtëpinë time në Tiranë është ende një tablo e tij, një buzëdet i jugut të Vlorës me ca shtëpi të braktisura, një penelatë e hedhur që ka lënë pas erë, dallgë, dhembjen e një bukurie peizazhi të shkretuar. Ivanaj e donte shumë poezinë. Kjo dashuri më kujton tani “Zanoret” e Arthur Rimbaud, zanoret e tij ishin ngjyra dhe ngjyrat e Ivanaj-t shpesh ktheheshin në zanore poetike. Frederik Ivanaj-n e gjeta në Firence të dashuruar, në Piazza Elisabetta 6. I dashuruar pas Anarita-s, piktore dhe ajo, dashuri e lindur që në vitet ‘90 në sheshet e Firences, nga arti, për artin, duke punuar bashkë dhe humbur në botë ngjyrash, ndjesish, ëndrrash.

Kur kishte zbarkuar në Firence më 1989-n, në sajë të një vize të rastit, Ivanaj ishte ngarkuar me pikturat dhe penelat e tij. Katër shokë të tij piktorë e ndihmuan dhe e kishin përcjellë në tragetin e Durrësit, Muharremi, Deliaj, Bregu, që të gjithë piktorë që dhe ata janë sot në shtegtim, edhe ata në qiejt e botës, por që gjithnjë peneli sjell të kaluarën e tyre, dhembjen, nostalgjinë, ngjyrën e dheut ku u rritën, vdekjen e atit. Peizazhet e portretet e para ai i ekspozoi atje, para kangjellave të Palazzo Vecchio e Dumo-s, ndoshta që t’i shikonte dhe Davidi i madh. Menjëherë u shfaqën policët dhe me mirësjellje i thanë se mund të ekspozonte gjetiu. Por për artistin, gjithë qyteti bëhet i tij, pasi është arti që e shtyn të vendosë tablotë e tij. Artisti shqiptar jetonte kështu me ëndrrën e artit, pikturonte, dashuronte, ndërtonte jetën e tij të artistit. Jo pak shqiptarë që zbarkuan pas viteve ‘90 gjetën strehë në dhomën e tij, një dhomë që çuditërisht zgjerohej shumë nga humanizmi i tij, aty flinin, aty hanin, aty flinin, një zemër e hapur në formën e një atelieje gati për të hedhur ngjyrat në të. Frederik Ivanaj është fisnik. Është pinjoll i një familjeje fisnike. Mirash Ivanaj nuk e kishte menduar që një nga nipat e tij do të udhëtonte kaq larg për të ekspozuar një ditë tablotë e tij në Firence dhe do të kishte një galeri të tij aq pranë botës së Rinascimento-s, sepse kur bisedon me Fredin, nuk mund të mos flasësh për piktorët e “cinquecento”-s apo “seicento”-s si Leonardo, Raffaello, Tiziano, Boticcelli e më pas Caravaggio etj. Shpirti i tyre ka shumë nga aroma e Rinascimento-s. Mirash Ivanaj kur ta dëgjojë, do të ngrihet nga varri dhe do të marrë udhën e largët drejt galerisë së tij, thjesht për ta përgëzuar pinjollin e tij që iku para se dyert shqiptare t’i hapeshin botës.

Një cikël i vjetër i tij me peizazhet dhe imazhet e Duomo-s apo Santa Croce-s më risjellin në mendje poetikën flu të serisë së Claude Monet rreth katedrales së Rouen-it në Normandi. Imazhe flu, poetike, ajrore, ashtu si në një varg të Rimbaud që shkruante për “katedrale në qiell” …

Frederik Ivanaj është një djalosh pasionant, edhe pse nuk është më ai i viteve ‘80, kur zbarkoi në korridoret e Kinostudios. Shumë vite kanë kaluar me ethen e krijimit. Tani që po shkruaj këto dy rreshta është mesnatë dhe duke lënë penën mënjanë pyes veten: Përse duhej të shkruaja tani në mesnatë? … Ndoshta pse doja ta përshëndesja dhe se më ishte larg tashmë? … Ndoshta tani ai fle … si lumi i Arno-s që dremit nën Ponte Vecchio. Përkulur nën harqet e tij, Ponte Vecchio fle dhe ai …

Më Shumë

Hapen aplikimet për Bootcamp-et e Inteligjencës Artificiale në Prizren

Komuna e Prizrenit, në bashkëpunim me Agjencinë për Zhvillim Rajonal Jug (RDA South), ka hapur aplikimet për fazën e dytë të Bootcamp-eve të Inteligjencës...

Pesë vite më parë, mbylli perden përgjithmonë aktori Adem Mikullovci

Më 15 shtator 2020, pikërisht sot para pesë viteve, vdiq aktori Adem Mikullovci. Ai iku për t’u përjetësuar gjithmonë përmes veprave që la pas...

Lajmet e Fundit