SHKRUAN: FATON MEHMETI
Mendësia e abuzimit me pushtetin, liderët tanë pa personalitete të formuara e gjejnë politikën të vetmen mënyrë për të cilën janë ” të aftë ” të merren. Kjo edhe shpjegon mungesën e dorëheqjes së Hashimit dhe lidershipit shqiptar në përgjithësi.
Për të dalë nga izolimi i mungesës së relevancës në skenën politike të vendit, shpeshherë liderët shqiptarë, si në Kosovë dhe në Shqipëri, shpikin kauza apo situata nga me të ndryshmet. S’ka rendësi si do jetë fundi, mungesa e dhënies se përgjegjësisë në një shoqërie deri në skajshmëri e nënshtruar, udhëheqësit politikë mediokritetin e tyre mundohen ta shesin për trimëri, vizion të dobishëm për vendin. Një ndër politikanët më mediokër, që nuk shquhet për asnjë aftësi pas rrëmujës dhe intrigave është Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Pa dashur të përmend këtu veprimet e tij mediokre, po ndalem tek rasti i fundit, formimi i ushtrisë së Republikës se Kosovës. Hashimi ndërmori këtë iniciative, duke qenë aq i bindur sa edhe vuri bastin se ” o bëhet ushtria o jap dorëheqjen “. Derisa e para edhe mundet të ndodhë një ditë , kjo e dyta s’ka shanse të ndodhë. Gjithsesi për hir të korrektësisë së postit të presidentit të vendit duhet t’i përmend Hashimit se ushtria pa ndryshime kushtetuese nuk mund të bëhet, dhe kjo ka qenë e ditur që nga fillimi.
Mungesë lidershipi Derisa Thaçi ka dërguar në Parlament një Projektligj për krijimin e ushtrisë së rregullt, në bazë të së cilit ligji nuk do të kërkonte votat miratuese nga pakicat, ashtu siç i kërkojnë ndryshimet kushtetuese. Mirëpo, thirrja nga Zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, që liderët kosovarë të mos miratojnë projektligjin, bëri që Thaçi të ndryshonte mendje. Kjo mungesë lidershipi, tip aventurier pa karizëm dhe ide përbën rrezik të futjes së vendit në një qorrsokak. Derisa Hashim Thaçi e humbi bastin do të duhej t’i qëndronte premtimit të tij për dhënie dorëheqjeje, të cilën e premtoi vetë. Dorëheqja është akt moral i preferuar të ndodhë pas çdo dështimi, dhe fakti që politika po injoron presionin publik, nga masa kritike e publikut, flet për mendësinë dhe aplikimin e politikës sipas formatit të lindjes, ndërkaq vlerat perëndimore janë vetëm pjesë e retorikës boshe.
Mendësia e abuzimit me pushtetin Më kujtohet ish- presidenti amerikan Bill Klinton, i cili në librin e tij thotë “Politika është një profesion i përjetshëm”… dhe ashtu është… ” ndodh që nëse ti nuk merresh me politikë,politika do të merret me ty ” Mirëpo , në politikë ka edhe rregulla të pashkruara, të cilat janë edhe bazamenti i funksionimit të demokracisë, ndër to edhe dorëheqja. Mendësia e abuzimit me pushtetin, liderët tanë pa personalitete të formuar e gjejnë politikën të vetmen mënyrë për të cilën janë ” të aftë ” të merren. Kjo edhe shpjegon mungesën e dorëheqjes së Hashimit dhe lidershipit shqiptar në përgjithësi. Për ta përmbyllur lajtmotivin me këtë thënie: “Dorëheqja është shprehje e denjë e kurajës. Jo gjithkush e zotëron atë”, kështu deklaronte Napoleon Bonaparta.
(Kosova Sot)