Drejtori për Emergjenca dhe siguri në Komunën e Prizrenit Bedrija Ejupagiç, ende nuk e ka marr aktakuzën e prokurorisë themelore në Prizren. Ai për Gazetaere thotë se lajmin për ngritjen e aktakuzës e ka marr nga mediet.
“Pres ta marr zyrtarisht aktakuzën” tha Ejupagiç për Gazetaere, duke shprehur keqardhje që emri i tij i plotë doli në media.
Kjo aktakuzë e ngritur kundër këtij drejtori nuk do ta largojë atë nga kjo pozitë, së paku jo deri në fund të mandatit pasi kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, as nuk do ta largojë dhe as nuk do ta suspendojë nga puna drejtorin.
“Edhe kjo lëndë ka karakter ligjor, dhe më pak është në vullnetin ose në qëndrimin e një politikani ose lidershipi në një komunë” tha zëdhënësi i Komunës së Prizrenit Ymer Berisha.
Sipas Berishës Komuna do të jetë bashkëpunuese me drejtësinë ndërsa presin sjellje korrekte edhe të drejtorit Ejupagiç.
“Aktakuza e ngritur është për drejtorin e Sigurisë dhe Emergjencës, me rastin e rrënimit të shtëpisë ku për pasojë vdiq një fëmijë. Ne normalisht që i besojmë autoritetit të gjyqësorit. Do të jemi bashkëpunues dhe besojmë në sjelljen korrekte edhe të drejtorit edhe të komunës në përgjithësi. Gjykata ka marr vendim që ta gjej kush është përgjegjësi. Ne presim qe drejtori do të lirohet nga aktakuza” tha Berisha.
I pyetur për përgjegjësinë e Komunës në këtë rast Berisha tha se përgjegjësia e secilit të punësuar në Kuvendin Komunal është individuale.
“Komuna e Prizrenit në secilën politikë publike vazhdon ta thotë se përgjegjësia e secilit të punësuar në komunë është individuale. Kërkesa e lidershpitit është që e gjithë veprimtaria e të gjithë zyrtarëve në Komunë të jete ekskluzivisht e bazuar në ligjin për vetëqeverisjen lokale dhe ligjet tjera. Të gjithë ata që e tejkalojnë kërkesën ligjore politika nuk është e interesuar ti mbrojë” shprehet Berisha.
Edhe drejtori Bedrija EJupagic thotë se nuk i ik drejtësisë dhe përgjegjësisë.
“Jam i gatshëm të mbrohem me dokumentet që i kam. I kam të gjitha raportet” tha Ejupagiç për Gazetaere, duke shprehur besimin se ka njerëz të ndershëm që do ta vlerësojnë kush ka të drejtë dhe kush është fajtori.
Ai i ka dyshimet e tij për ngritjen e aktakuzës vetëm kundër tij por thotë se do të flas më vonë.
“Diku në prapavijë diçka po fshihet, por për këtë do të flas më vonë. Ende nuk mund të them asgjë pos që besoj në njerëz të drejt dhe në njerëz të mirë, që do të vlerësojnë drejtë se kush është fajtori”, tha ai.
Tragjedia e një viti më parë ku humbi jetën Xheneta trevjeçare, u shkaktua nga shembja e një shtëpie të vjetër në rrugën “Marin Barleti”, në pjesën e vjetër të qytetit të Prizrenit