7.2 C
Prizren
E shtunë, 1 Shkurt, 2025

“Sonatë për gruan e një tjetri” merr çmimin kombëtar

“Sonatë për gruan e një tjetri” është shpallur vepra më e mirë letrare në Shqipëri. Ky roman i Henrik S. G. ka marrë çmimin kombëtar “Vepra letrare shqipe – 2017”.

Aida Baro me përkthimin e “Armëpushimi” të Primo Levit u shpall si “Vepra letrare më e mirë e përkthyer”. Ceremonia e ndarjes së çmimeve kombëtare të letërsisë është mbajtur të mërkurën pasdite në “arTurbina” në Tiranë. Sivjet ka qenë edicioni i pestë i kësaj ngjarjeje, që konsiderohet ndër më të rëndësishmit në vlerësimin e veprave letrare në Shqipëri.

“Për trysninë e fortë evokative të prozës së tij, për veçantinë e universalitetit që shpalos dhe një rrëfim ku personazhet dhe lexuesi krijojnë harmoninë e luhatjes mes dëshirës, të dëshirës dhe kohës së pamjaftueshme për veten dhe kujtesën”, ka lexuar ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furxhi, arsyetimin e jurisë me të cilin Henrik S.G. i është ndarë çmimi.

“Pa artin e mirëfilltë do ishim vetëm vegla pune të regjimit të kaluar”, ka thënë Henrik S. G. teksa ka pranuar çmimin. Shkrimtari, emri i të cilin është Henrik Gjoka pas daljes nga burgu në vitin 1991, jeton e shkruan në Francë. Është shkrimtar i njohur si autori i romanit “Gjuetia e pëllumbave” si emblemë e brezit të humbur të pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Është fitues edhe i çmimit letrar “Petro Marko”. Ka shkruar disa romane, me të cilët ka plotësuar të gjithë ciklin e gjatë e të tmerrshëm të sundimit diktatorial për 50 vjet në Shqipëri, si romani “Metaformoza e një brezi të humbur”, botuar në vitin 2007.

Në ceremoni ka folur edhe për përgjegjësinë e krijuesve, përderisa brezin e tij e ka cilësuar si “brez që është rritur me art”.

Fituesja e çmimit “Vepra letrare më e mirë e përkthyer”, Aida Baro, ka thënë se libri për të cilin ka marrë çmimin nuk ka qenë thjesht një përkthim. “Ka qenë më tepër një studim i gjithë jetës së tij në kampin e përqendrimit të Auschwitzit, por edhe i filozofisë së tij. Levi nuk është thjesht një shkrimtar. Një sfidë le të themi e kurorëzuar në këtë mënyrë, do të thotë që ia kam dalë mbanë dhe jam shumë e lumtur”, ka thënë ajo.

Kryetari i jurisë, Parit Teferiçi, ka thënë se ishte e vështirë përzgjedhja e fituesve.

“Megjithëse bëhej fjalë për një vit të vakët për sa i përket letërsisë shqipe, por edhe cilësisë artistike dhe në origjinalitet që është i shumëpritur”, ka thënë ai. Pos tij, Juria e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë kishte në përbërje anëtarët: Alma Mile, Olimbi Velaj, Agim Baçi, Albert Gjoka.

Para një jave po kjo juri bëri të ditur listën e shkurtër me 5 libra të përzgjedhur nga autorët shqiptarë dhe me 5 libra të përkthyer, të cilët vazhduan garën për çmimet. Për veprën letrare shqipe 2017 në garë ishin: Adriatike Lami me “Burri që më do mua”, Entela Tabaku me “Poemë e huaj”, Kim Mehmeti me “Anemona” dhe Stefan Çapaliku me “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”.

Ndërsa në listën finale për çmimin “Vepra letrare më e mirë e përkthyer” ishin: “Orlandi i çmendur” i Ludovico Ariostos, përkthyer nga Abedin Preza, “Trilogjia e binjakëve” e Agota Kristof, përkthyer nga Alket Çuni,

“2666”- Roberto Bolaño, përkthyer nga Bashkim Shehu dhe “Largësi shpëtimi”, Samanta Schweblin, përkthyer nga Erion Karabolli.

Më Shumë

Murati njofton se janë ekzekutuar pagat në sektorin publik me rritje

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se të premten janë ekzekutuar pagat në sektorin publik me rritje. Ministri ka bërë të ditur se rritja...

Profesori i UP-së zbulon një insekt, e emërton Tinodes lumbardhi

Profesori i Departamentit të Biologjisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore të Universitetit të Prishtinës, Halil Ibrahimi, me ekipin e tij, zbuloi një insekt të...

Lajmet e Fundit