Të gjitha këto fjalë janë kthyer në forma bosh, pa përmbajtje. Ato që tridhjetë vjet më parë konsideroheshin si ëndrra nga brezi i kohës. Tani nuk flitet fare për qytetarë, por vendin e kanë zënë pjesëtarët në mitingje ulur në karrige plastmasti.
Gazetarit të pavarur i thërrasin kadri.
Opozita quhet “tufë qorrash” dhe budallenjsh!
Profesorët janë bandë kopjacësh që meritojnë veting
Bujqit që kanë rendimente qesharake në prodhime quhen fermerë.
Burri dhe gruaja që rrinë pas banakut të ndonjë kioske quhen biznesmenë familjarë.
Ca vende urbane që ngjajnë si kampe përqendrimi për autovetura quhen parkingje.
Një megafon që transmeton gjithë ditën këngë të viteve 1970 quhet media publike.
Gjithë ditën dëgjon këngën “Margjelo”!
Ata që lenë atdheun duke ikur nga sytë këmbët quhen emigrantë ekonomikë të integruar në tregun e lirë.
Njeriu që bosi e vendos në një listë që ua paraqet votuesve të rrallë dhe që ngre e ul dorën sipas uljes dhe ngritjes të syve të shefit quhet deputet.
Ngritja e kullave quhet rritje ekonomike.
Dhënia e pasurive kombëtare privatëve quhet partneritet.
Letra pa asnjë vlerë në tregun e punës quhen diploma.
Ne kemi shkuar në fis!
Vendimmarrja ne kohën e diktaturës varej nga nja njëzet a tridhjetë veta. Nga sa veta varet sot?
Këmbë artisti i huaj nuk shkelte dot në Shqipëri në diktaturë? Sa artistë në vit vijnë nga jashtë në skenat tona sot?
Bëheshin ndoca dhjetëra filma me metrazh të gjatë shqiptarë. Sa filma shqiptarë, drama etj. prodhohen sot me markën shqiptare?
Në diktaturë punohej kot në jo pak raste, por edhe bëheshin vepra të mëdha. Sot rrihet kot.
Diktatura të përgjonte dhe të mbyllte gojën duke të kërcënuar me shkop, internim, vrasje. Sot administrata ka mbyllur veshët dhe nuk dëgjon.
Nuk kishte në diktaturë media të lira dhe pluralitet mediash dhe diversifikim opinionesh në media. Çfarë qëndrimi mban pushteti ndaj mediave sot?
Nuk jemi kthyer në fis?
Ku është tregu i lirë sot? Po njësoj si në kohët e vjetra ku pushteti e kontrollonte ekonominë.
Në fis!
Kthyer atje ku ishim! Fjalët ndryshojnë!