9.8 C
Prizren
E diel, 26 Prill, 2026

Presidentja Osmani: Në Suharekë, më 26 mars 1999, 48 anëtarë të familjes Berisha u masakruan nga regjimi gjenocidal serb

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot 25-vjetorin e masakrës tragjike që ndodhi në Suharekë, ku më 26 mars 1999, 48 anëtarë të familjes Berisha u masakruan nga regjimi gjenocidal serb. Ajo theksoi se ky krim ishte një akt i pastër gjenocidi, ku burra, gra dhe fëmijë u shënjestruan vetëm për shkak të etnisë së tyre shqiptare.

Në përkujtimin e saj, Osmani ka shprehur dhimbjen për viktimat, duke përmendur fëmijët që humbën jetën në atë natë të tmerrshme: “Në atë natë të tmerrit, u vranë mizorisht edhe 19 fëmijë. Çanta e Altinit, këpucët e Redonit dhe biçikleta e Kushtrimit, janë kujtimet e fundit të fëmijëve të pafajshëm që u shuan dhunshëm”.

Vetëm tre anëtarë të familjes arritën të mbijetojnë nga kjo tragjedi: Vjollca Berisha, i biri i saj Gramoz dhe Shyhretja. Ata shpëtuan duke u hedhur nga një kamion në lëvizje, i cili po transportonte trupat drejt Prizrenit. Sipas rrëfimeve të Vjollca Berishës, në atë kamion ishin edhe të tjerë të plagosur rëndë, por që ende ishin gjallë.

Presidentja Osmani theksoi se të mbijetuarit janë dëshmi e gjallë e krimit dhe e pritjes për drejtësi: “Të mbijetuarit janë dëshmi e krimit dhe e pritjes për drejtësi, prandaj dhimbja nuk do të shuhet kurrë, e as zëri ynë nuk do të heshtë”, tha ajo.

Në fund, Osmani nënvizoi se “nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa drejtësi,” duke bërë thirrje për të siguruar që krimet e kryera nga regjimi serb të dënohen dhe të mos harrohen kurrë.

Më Shumë

Vizitohen objektet publike në Prizren që do t’i nënshtrohen projektit të efiçencës së energjisë

Komuna e Prizrenit ka nisur zbatimin e një projekti të rëndësishëm për përmirësimin e efiçencës së energjisë në ndërtesat publike, në bashkëpunim me Bashkimin...

Nesër ditë zie në Kosovë për vdekjen e Rexhep Qosjes

Në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosjës, dita e nesërme është shpallur si ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës. Kështu ka...

Kohë lufte

Lajmet e Fundit