Abdyl Frashëri hyri ndërkohë edhe në fushën e historiografisë ndërkombëtare. Madje, këtu ai hyri si triumfator kundrejt fyerjeve, shpifjeve dhe denigrimeve që kishte pësuar nga qarqet publicistike evropiane gjatë viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Zhvillimi i mëtejshëm që pati gjatë dhjetëvjeçarëve të mëvonshëm Lëvizja Kombëtare Shqiptare dhe e drejta e qytetarisë që ajo fitoi më në fund në opinionin publik ndërkombëtar u dhanë një goditje serioze paragjykimeve politike negative që ekzistonin gjatë viteve të Krizës Lindore, në radhët e armiqve të saj.
Dy shikime mbi Lidhjen
Sa më tepër kalonin dhjetëvjeçarët, aq më tepër përmbyseshin denigrimet e fabrikuara për konsum propagandistik në ngarkim të Abdyl Frashërit dhe aq më shumë ngrihej lart personaliteti i tij historik, si një udhëheqës patriot i pavarur, i pavarur si nga Lindja, ashtu edhe nga Perëndimi. Megjithatë, jo të gjithë studimtarët e huaj u treguan të prirur për të marrë në konsideratë kokëfortësinë e fakteve. Edhe pse Abdyl Frashëri nuk u bë objekt studimi më vete, disa pendë të huaja e konsideruan atë si udhëheqësin patriot të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Një ndër përfaqësuesit më të hershëm të kësaj tendence, Th. Ippen, e cilësoi Abdylin si “promotorin kryesor të idesë së bashkimit kombëtar” 10, kurse E. Vaina e ngriti edhe më lart, duke e quajtur “shpirtin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”. Krahas tyre, pati historianë të tillë si A. Galanti 12 dhe E. Barbariç 13, të cilët edhe pse e çmuan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, heshtën për Abdyl Frashërin. Përkundrazi, historianët dhe publicistët nacionalistë të vendeve të prekura nga lufta e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit vazhduan t’i pranonin si para flori denigrimet e viteve të Krizës Lindore në dëm të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Rrjedhimisht, ata vazhduan ta trajtonin Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si një krijesë të Portës së Lartë, brenda së cilës vepruan, nga njëra anë pashallarët konservatorë sulltanistë të lidhur politikisht me Portën e Lartë, nga ana tjetër, krerët patriarkalë të malësive, të zhveshur sipas tyre nga ndërgjegjja kombëtare, të cilët aspironin të ruanin privilegjet e vjetra në kuadrin e Perandorisë Osmane. Në këtë mes Abdyl Frashëri nuk ishte gjë tjetër, sipas tyre, veçse një përçues i udhëzimeve të Stambollit.
Abdyli, bardh e zi
Si të gjithë udhëheqësit e lëvizjes çlirimtare, Abdyl Frashëri tërhoqi që në valën e punës së tij revolucionare, edhe breshërinë e armiqve të kombit të vet. Në fillim, penat e huaja skeptike e pritën me sarkazëm platformën e tij politike dhe e quajtën atë utopi. Kur Lidhja Shqiptare e Prizrenit hodhi shtat dhe kur armët e saj tronditën Traktatin e Berlinit, shpërthyen kundër tij fyerjet, denigrimet, shpifjet. Zëdhënësit e Fuqive të Mëdha dhe publicistët e monarkive ballkanike, të cilët e kishin bërë zakon të shikonin te çdo lëvizje shqiptare gishtin e huaj, e akuzuan Abdyl Frashërin si vegël të Portës së Lartë. Pastaj, kur Abdyl Frashëri shpalosi flamurin e luftës çlirimtare kundër Perandorisë Osmane, penat lindore dhe perëndimore heshtën. Atëherë, armën e shpifjeve dhe të denigrimeve e morën në dorë qeveritarët osmanë. Edhe këta, sipas zakonit të tyre, u përpoqën të justifikoheshin përpara opinionit të tyre publik për çka po ndodhte në Shqipëri, duke e akuzuar udhëheqësin shqiptar si agjent të fuqive evropiane. Por vepra ideologjike, politike dhe organizative e Abdyl Frashërit, e cila ishte njëjtësuar me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në tërësi, kishte lënë rrënjë aq të thella në Shqipëri dhe jehonë aq të fuqishme jashtë saj, sa nuk mund të shuhej as me sulme, as me heshtje. Për hir të platformës së tij ideologjike dhe praktikës së tij revolucionare, Abdyl Frashëri mbeti edhe më pas po ai që kishte qenë gjatë viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – një patriot i madh dhe një udhëheqës i nderuar. Emri dhe vepra e tij vazhdoi të frymëzonte patriotët shqiptarë në luftën e tyre kombëtare për çlirimin e atdheut të robëruar nga zgjedha shekullore osmane dhe për mbrojtjen e trojeve të tyre amtare nga lakmitë shoviniste fqinje. Sikurse shkruante Dervish Hima, më 1889, shpirti i Abdyl Frashërit vërtitej në qiellin e Shqipërisë për t’u kujtuar shqiptarëve detyrën që kishin ndaj atdheut. Vlerësime të larta për të ndeshen vazhdimisht në thirrjet luftarake dhe në shkrimet publicistike që dolën gjatë viteve të fundit të sundimit osman 3. Ai pati nga bashkatdhetarët e vet jo vetëm konsiderata politike, por edhe homazhe letrare. Këngët popullore, të cilat u thurën për Abdyl Frashërin që gjatë viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vazhduan të këndoheshin në të katërta anët e atdheut, duke arritur deri në ditët tona.
Punimi i panjohur, si u zhdukën dorëshkrimet
Profesor Kristo Frashëri përmend ndër të tjera edhe një punim prej rreth 30 faqesh, fatkeqësisht, sot të panjohur, shkruar më shumë se një shekull më parë nga Abdyl Frashëri. Ai ishte i shkruar në shqip në një defter”. Aty Abdyli përshkruante në bazë të kujtimeve të prindërve të tij, gjenealogjinë dhe historinë e familjes së Dukollarëve të Frashërit, bir i së cilës ishte edhe ai vetë. Gjithnjë sipas birit të tij, pas Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, këto punime në dorëshkrim ai i solli nga Stambolli në Shqipëri dhe së bashku me shumë dokumente të tjera të Abdyl Frashërit i vendosi në shtëpinë e motrës së vet, Eminesë (vajza e Abdyl Frashërit), që banonte në Fier, martuar me Karaman Vrionin”, shkruan profesori. E nga ana tjetër, ai tregon mënyrën se si ky dorëshkrim, për fat të keq u zhduk. “Gjatë Luftës së Parë Botërore, më 1916, ato humbën, nuk dihet nëse u dogjën ose u grabitën, në rrethanat e rrëmujës që u krijua nga luftimet e zhvilluara midis ushtrive austriake dhe italiane në Myzeqe”. Sipas prof.Kristos, kërkimet e mëvonshme të Mithatit pas luftës për të rënë në gjurmët e tyre nuk dhanë rezultat, ashtu sikundër nuk patën vlerë as kërkimet që vetë historianët kanë ndërmarrë pas çlirimit. Si rrjedhim, punimet kryesore të Abdyl Frashërit, të mbetura në dorëshkrim, të cilat për fat të keq nuk u shfrytëzuan nga askush për nevoja studimore, mund të konsiderohen përfundimisht të humbura./Kristo Frashëri/