11.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Albert Rohan: Kosova e pavarur ka ecur përpara

Albert RohanKosova në këto gjashtë vjet ka fituar njohje të gjerë ndërkombëtare. Kështu thotë në një intervistë ekskluzive për Radio Kosovën, ish ndërmjetësi për zgjidhjen e statusit të Kosovës, diplomati austriak, Albert Rohan. Janë bërë përparime në institucionet e shtetit, ndërsa është shënuar përparim edhe në marrëdhëniet fqinjësore me Serbinë. Rohan, në gjashtë vjetorin e pavarësisë porosit udhëheqjen e Kosovës që tani e tutje të koncentrohet më shumë në planin ekonomik dhe social – të përmirësimit të jetës së njerëzve dhe sidomos në krijimin e mundësive për vende të reja të punës.
Radio Kosova: Zoti Rohan, Kosova mbushi gjashtë vjet pavarësi. Si i shihni ju këto gjashtë vjet rrugëtim të Kosovës së pavarur?

Albert Rohan: Unë, Kosovën e shoh sot si një shtet që ka fituar njohje të gjerë ndërkombëtare. Shoh përparime në institucionet e themeluara të shtetit të Kosovës. Gjithashtu, shoh përmirësim të marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë. Në përgjithësi, Kosova e pavarur ka ecur përpara. Për mendimin tim, ajo që mund të konsiderohet ana e dobët është aspekti social dhe ekonomik, fusha këto ku janë shënuar ngecje. Mendoj se në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të jetës sociale në vend, Qeveria e Kosovës duhet të tregojë përkushtim më të madhe se deri më tani. Po ashtu, në drejtim të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të bëhet me shumë dhe kjo kërkohet edhe nga ana e Bashkimit Evropian në kuadër të procesit euro-integrues. Në këtë kuadër, unë uroj fillimin e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, e cila shpresojmë të nënshkruat këtë vit.

Radio Kosova: Përmendët përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, por Serbia zoti Rohan, ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, ka një vit që zoti Thaçi dhe zoti Daçiq zhvillojnë bisedime me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, ka edhe një marrëveshje të arritur me 19 prill të viti të kaluar. Si e shihni ju dhe si e vlerësoni këtë dialog që po zhvillohet midis Kosovës dhe Serbisë, siç dihet me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane Ashton.

Albert Rohan: Shikoni, unë besoj dhe këtë e kam thënë gjithmonë, se dialogu është i pashmangshëm dhe i patejkalueshëm. E përsëris se nuk ka alternativë tjetër, përveç dialogut. Duhet të pranojmë se Serbia ka një ndikim dhe luan një rol kur është në pyetje çështja e anëtarësimit të Kosovës në OKB, pastaj vetëm përmes dialogut mund të vije deri te pika kur Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Të gjithë e dimë për lidhjet midis Serbisë dhe Rusisë dhe për faktin se Rusia gjithmonë do ta mbështesë pozicionin e Serbisë. Prandaj, është e ditur se një ditë është dashur të uleni në tryezë me Serbinë, prandaj dialogu që po zhvillohet midis dy kryeministrave është rruga e vetme për ta arritur hap pas hapi deri te normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes dy vendeve, sepse kjo nuk mund të arrihet brenda natës. Është një dialog që duhet të vazhdojë për të përfunduar një ditë me njohjen e ndërsjellë dhe të plotë mes dy vendeve.

Radio Kosova: Në nëntor dhe dhjetor kishim zgjedhjet lokale që u mbajtën në veri. Mendoni se po shkohet drejt një zgjidhje përfundimtare përmes këtij dialogu edhe për çështjet kontestuese të komunave të banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës?

Albert Rohan: Para së gjithash, mendoj se as një prej çështjeve kontestuese në veri nuk mund të zgjidhet brenda natës. Për këtë kërkohet kohë. Këto zgjidhje janë proces dhe mund të arrihen vetëm përmes një procesi. Janë procese që kërkojnë kohë dhe kjo mund të shihet nëse krahasojmë sot zhvillimet aktuale në veri me ato para tre vitesh. Janë zhvillime që kanë lëvizur shumë përpara, por padyshim, kjo ka ndodhur ngadalë. Me kalimin e kohës shpresojmë se ky proces do të mbarojë me integrimin e plotë të veriut në strukturat e institucioneve të Kosovës.

Radio Kosova: Zoti Rohan, pa dyshim politikanët serbë kanë bërë një transformim politik. Nga nacionalistë të vijës së ashpër dhe antishqiptarë, Nikoliq, Vuçiq e Daçiq janë shndërruar në demokrate dhe po dialogojnë me kryeministrin Thaçi. Si e shpjegoni ju këtë metamorfozë politike?

Albert Rohan: Është një shenjë e mirë. Kjo ka ndodhur edhe në vende të tjera. Nuk është fenomen vetëm në Ballkan. Ka ndodhur edhe në të kaluarën në shumë raste dhe në shumë vende kur politikanët përgjegjës kanë ndryshuar dhe janë transformuar në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur me kalimin e kohës. Para së gjithash, mendoj se ata janë shndërruar në radhë të parë në politikanë pragmatikë, që duan të bëjnë më të mirën për vendin e tyre, por edhe për veten e tyre në pozitat ku janë. Mendoj se politikanët që qeverisin në Beograd, tani e kanë kuptuar se me parullat e vjetra nacionaliste të kohës së Millosheviqit nuk mund të arrihet më asgjë. E vetmja rrugë për Serbinë është ajo e integrimit evropian dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën, si kusht për këtë integrim. Ata e kanë kuptuar se tashmë për të arritur këtë, u duhet një leksik dhe një diksion i ri, prandaj ata janë shndërruar në politikanë pragmatikë, që e kanë kuptuar se çfarë është mirë për vendin e tyre, dhe këtë po e bëjnë. Kjo është Ok., sepse kështu veprojnë politikanët pragmatikën në të gjitha vendet.

Radio Kosova: Si mendoni për procesin zgjedhor që do të ndodhë në mars në Serbi. Mund ta dëmtojë procesin e dialogut Kosovë – Serbi, rezultati që mund të dalë nga zgjedhjet?

Albert Rohan: Mendoj se tani para zgjedhjeve në Serbi, do të ketë një pauzë të dialogut dhe pastaj menjëherë pas zgjedhjeve, sapo të formohet qeveria e re, ma thotë mendja, se procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën do të vazhdojë. Sepse, besoj e dini, se në kuadër të procesit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është diçka që Serbisë i thuhet jo një herë, por që i përsëritet Serbisë përditë nga ana e BE-së. Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është njëra nga kërkesat që Bashkimi Evropian e shtron në mënyrë të përsëritur dhe do ta shtrojë si kusht në mënyrë të vazhdueshme, prandaj besoj se normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës do të përparojë.

Radio Kosova: Për këtë dialog që po zhvillojnë dy kryeministrat Thaçi dhe Daçiq dhe baronesha Ashton që po i ndërmjetëson, janë propozuar edhe për çmimin Nobel për paqe edhe nga fraksioni social-demokrat i Parlamentit Evropian. A besoni se kjo iniciativë do ta ndihmojë procesin?

Alberet Rohan: Parimisht mendoj se çmimi Nobel merret për një punë të përfunduar dhe jo për një punë që është në gjysmë. Ata të tre kanë bërë shumë përpjekje dhe nominimi është pikërisht një shenjë mirënjohje për atë që kanë bërë deri më tani. Por, mendoj, se duhet të pritet derisa të përfundojë dhe të përmbyllet i tërë procesi negociator që duhet të rezultojë me normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Sidoqoftë, ndoshta këtë e di më mirë Komiteti i Nobel-it.

Radio Kosova: Zoti Rohan, gjashtë vjet pas shpalljes së pavarësisë BE ende nuk po flet me një zë të vetëm për Kosovën pasi kemi pesë vende të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, ndërsa në anën tjetër kemi 106 vende të botës që tashmë kanë njohur pavarësinë tonë. Ju i keni kritikuar disa herë këto pesë vende?

Albert Rohan: Po, po, është një problem ky. Unë e kam kritikuar këtë veprim të këtyre pesë vendeve në mënyrë të përsëritur dhe e kritikoj prapë. Po e kritikoj edhe tani. Konsideroj se ky është një qëndrimi i pakuptueshëm dhe i paarsyeshëm nga këto pesë shtete evropiane. Deri më tani ato kanë pasur disa mundësi dhe raste që ndryshonin qëndrimin e tyre në raport me Kosovën. Njëri prej rasteve ka qenë verdikti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pastaj gjithashtu përfundimi i pavarësisë së mbikëqyrur ndërkombëtare ka qenë gjithashtu një rast i humbur për këto vende dhe personalisht mendoj se është momenti i fundit që këto pesë vende të ndryshojnë më qëndrimin e tyre dhe ta njohin pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, duhet shtuar faktin se ato në as një rast deri më tani nuk kanë penguar procesin e afrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian. Pra, ato në të vërtetë nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por as nuk kanë penguar procesin e Asociim – Stabilizimit midis Kosovës dhe Bashkimin Evropian, që është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe kjo gjë është pozitive.

Radio Kosova: Zoti Rohan, ju jeni përkrah zotit Ischinger dhe Ahtisaari, kumbarë i pavarësisë së Kosovës. Çfarë mesazhi do të jepnit sot për Popullin e Kosovës dhe Institucionet e vendit në gjashtë vjetorin e pavarësisë?

Albert Rohan: Maszhi im do të ishte i dyfishtë. Nën një: duhet të jeni të kënaqur me ato që janë arritur përgjatë gjashtë viteve të pavarësisë, Kur të kihet parasysh fakti se Kosova është themeluar si një shtet i ri, ku është dashur të ndërtohet gjithë çka nga themeli, atëherë, mund të thuhet se janë bërë të arritura të madha. Kjo mund të thuhet edhe për njohjet ndërkombëtare që kanë ardhur përgjatë këtyre vite. Është arritur mjaft edhe në planin ndërkombëtar. Me një fjalë, ka mjaft arsye për të qenë të kënaqur me të arriturat e shënuara. Në anën tjetër: ka mbetur edhe shumë punë për tu bërë, shumë gjëra për tu rregulluar e për të rënë në vend të vetë. Para së gjithash, ka mbetur për të bërë shumë në planin ekonomik dhe social – të përmirësimit të jetës, njerëzit kanë nevojë për vende të reja të punës – në këtë drejtim duhet të bëhet shumë. Vendi ka nevojë për investime të huaja. Unë personalisht, sikur të isha kryeministër i Kosovës, tani do të koncentrohesha në këto fusha – pra: zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e gjendjes sociale, sepse këto tani janë gjërat më të rëndësishme për njerëzit në Kosovë. Këto janë dy mesazhet e mia të cilat po ua dërgoj me këtë rast.(RTK)

Më Shumë

Aksident në autostradën “Ibrahim Rugova”

Një vetaksident ka ndodhur sot në autostradën “Ibrahim Rugova”. Nga ky rast nuk raportohet se ka ndonjë person të lënduar, por vetëm me dëme materiale. E...

Del në ankand xhaketa ikonike e Michael Jacskonit te “Thriller”

Një prej xhaketave origjinale të Michael Jacksonit që i ka veshur në videoklipin e këngës “Thriller” ka dalë në ankand online. Xhaketa kuq e zi...

Lajmet e Fundit