7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Amnistohen “kaubojt” në Kosovë

Betim MusliuBetim Musliu
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vitin e kaluar në kuadër të Forumit për Siguri pati publikuar analizën “Kontrolli i Armëve të Vogla dhe të Lehta (AVL) në Kosovë: Progresi dhe Sfidat”. Llogaritet se në Kosovë qarkullojnë diku rreth 350.000 armë në posedim të paligjshëm të qytetarëve.

Këta të fundit shpesh për teke personale i përdorin ato në ahengje, rrugë e shkolla, duke bërë që armët të jenë shkaktari kryesor për pjesën dërrmuese të krimeve në Kosovë. Për ta luftuar dukurinë e armëve të paligjshme, Kosova miratoi në vitin 2009 Ligjin për Armët dhe pati hartuar edhe Strategji Kombëtare për Kontroll dhe Grumbullim të AVL-ve.

E gjithë kjo politikë shtetërore e Republikës së Kosovës po shkon huq. Protagonistët e bartjes së armëve të paligjshme në të gjithë Kosovën, tashmë po amnistohen me ligj. Për këtë vendosën “përfaqësuesit e popullit” në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ata votuan me shumicë votash Projektligjin për Amnisti. Ky ligj ishte një nga detyrimet e Kosovës si rezultat i arritjes së marrëveshjes në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Duke ditur qëllimin politik, besoj nuk do të kishte kundërshtime që më në fund të shpallej një amnisti për t’i dhënë mundësi integrimit të serbëve që jetojnë në veri të vendit në institucionet e Kosovës. Por, asgjë më shumë se ky qëllim politik nuk do duhej të përfshinte amnistia që ajo të përkrahej, pasi do të kishte qëllim të qartë politik, të bazuar në kritere dhe dokumente ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës ka dërguar dy herë me shpejtësinë e dritës Projektligjin për Amnistinë në Kuvend, duke shkelur çdo kriter dhe rregull të bërjes së ligjeve, pa asnjë diskutim publik. Si i tillë, Ligji i Amnistisë përfshiu krime ordinere, që nuk i shërbejnë asnjë qëllimi politik.

Shembull, pse të amnistohen ata qytetarë apo zyrtarë të shtetit që mbajtën armët si kauboj dhe nuk hezituan t’i përdorin ato për pikë të qejfit apo që ta bënin edhe vetëgjyqësinë. Qytetarët që e desht\ën dhe respektuan Republikën për të gjitha këto vite duan shtet ligjor dhe jo Teksas ku kaubojt që u sollën me armë të paligjshme mbeten të pandëshkuar dhe promovohen për aktivitetin e tyre kriminale.

Posedimi i armëve nuk duhet të amnistohet në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Përjashto pjesën e veriut të Mitrovicës, në pjesën tjetër të Kosovës armët nuk janë përdorur për qëllime politike por thjesht për kaubojllëk apo qërim hesapesh. Pavarësisht këtij fakti, ligji në pjesën e parë të tij, armët e paligjshme i amniston pa kushtëzim që kjo vepër penale të jetë kryer në kuadër të veprës tjetër penale “Thirrje për Rezistencë”, siç kushtëzohen një sërë veprash tjera me këtë krim politik.

Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk adresuan problemet thelbësore që ndërlidhen me Projektligjin për Amnistinë. Për fat të keq, gjashtë pikat e adresuara nga Instituti i Kosovës për Drejtësi nuk u përfillën as në projektligjin e rishikuar. As projektligji që u votua nuk u përmbahet qëllimeve të caktuara politike. Kjo është pasojë e asaj se projektligji në fjalë prapë nuk u përmbahet principeve të përcaktuara në dokumente ndërkombëtare për zbatimin e amnistisë (raporti i Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut).

Projektligji i rishikuar përmban dështimet e njëjta me projektligjin i cili u debatua më 4 korrik 2013 në Parlamentin e Republikës së Kosovës, ku prapë nuk është përcaktuar data e fillimit, nuk është përcaktuar territori, nuk kemi argumentim të qëndrueshëm për veprat që do të amnistohen, mohohet e drejta për mjet efektiv ligjor, nuk janë specifikuar kategoritë e individëve, dhe nuk është bërë ndonjë kushtëzim që do ta ndërlidhë këtë amnisti me të drejtën për të ditur të vërtetën.

Këto janë elementet kryesore të cilat do t’i jepnin formë qëllimit dhe projektligjit në tërësi. Pa këto elemente, projektligji është i mangët dhe me qëllim të mjegulluar. Rrjedhimisht, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës me votimin e tyre hapën rrugën për një ligj që më shumë do promovoj kriminalitetin në vend sesa integritetin territorial dhe integrimin e komunitetit serb në tri komunat në veri.

Këto gjashtë elemente nuk do e kufizonin aspak kërkesën e personave të cilët në mënyrë paqësore kanë bërë thirrje për rezistencë, mirëpo do i kufizonin vetëm përfitimet e personave të cilët kanë kryer krime ordinere. Devijimet e këtij projektligji nuk i përgjigjen gjendjes në terren dhe zhvillimeve politike, por më shumë ndërlidhen me amnistinë e krimit ordiner në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Një fakt shqetësues është presioni i vazhdueshëm ndërkombëtar për luftimin e kriminalitetit në Kosovë. Në këtë rast presioni për të votuar amnistinë, e cila përfshin edhe amnistinë e veprave kriminale ordinere, paraqet paradoks në vete. Pikërisht mungesa e rezultateve në luftën kundër këtyre dukurive kriminale e ka lënë Kosovën në geto dhe pa perspektivë të qartë evropiane. Sidoqoftë, llogaridhënia për këtë ligj mbetet tek “përfaqësuesit e popullit”, pavarësisht faktit se vazhdimisht janë munduar që t’ia faturojnë ndërkombëtarëve.

Ky është rasti i dytë që Republika e Kosovës merr përgjegjësi kushtetuese për zbatimin e instituteve të reja të së drejtës penale në Kosovë. Posa na u dha mundësia ta zbatojmë faljen në Kosovë, për fat të keq këtë e bëmë në mënyrën më të mbrapshtë, duke dëshmuar pazotësi për ndërtim të shtetit ligjor. Aq kriminelë të kategorive të rënda, të pafalshëm, i falën për tri vjet reshtë ish-Presidenti Fatmir Sejdiu dhe ish-Presidenti në detyrë Jakup Krasniqi saqë Komisioni Evropian na kritikoi dy vjet në Raportin e Progresit. Dhe amnistia është rasti i dytë, të cilën sërish dëshmuam se dimë ta zbatojmë, ama vetëm mbrapshtë.

T’u kthehem armëve në fillim dhe amnistisë në fund. Republika e Kosovës mund të bëjë edhe 100 ligje tjera, madje edhe 100 strategji për të luftuar dukurinë e armëve të paligjshme në vend. Por ato nuk do të vlejnë nëse politikat e Republikës së Kosovës, amnistojnë këtë lloj të kriminalitetit, duke zhvlerësuar punën e vet dhe të sistemit të drejtësisë, duke promovuar këtë lloj dhe lloje tjera të kriminalitetit dhe duke fyer rëndë të gjithë qytetarët e kësaj Republike që respektuan ligjin, për ta ndërtuar shtetin ligjor, i cili i lufton dhe nuk i amniston armët e paligjshme./Zëri/

Më Shumë

Osmani: Pesë policë të Kosovës po mbahen peng nga Serbia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pesë policë të Kosovës “po mbahen peng” nga Serbia, shtet të cilin e cilësoi si “shovinist”. Në ceremoninë...

Sot votimi historik për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sot me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, do të...

Lajmet e Fundit