7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Arifi: Shteti po çlirohet nga nëntoka e PDK’së

Avni ArifiQeveria në largim po funksionon me logjikën e nëntokës. Deklaratat e zyrtarëve të PDK’së se i kanë 70 vota në Parlament bazohet në idenë e blerjes apo rekrutimit të deputetëve të tjerë. Por, vullneti i të zgjedhurve të popullit është konfirmuar në seancën konstituive të Kuvendit. Ky realitet presim të legjitimohet me vendimi e ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese. Me Vetëvendosjen ende ka mundësi bashkëpunimi megjithëse dallimet janë të pakapërcyeshme. Këshilltari Kryesor i Ramush Haradinajt, Avni Arifi, flet për Express.
Express: Të martën udhëheqësit e LDK’së, AAK’së dhe NISMËS kanë pasur takim. Çka konkretisht është folur në këtë takim?

A.Arifi: Faktikisht, në takimin e djeshëm janë biseduar tri çështje që janëaktuale dhe të rëndësishme për Kosovën dhe për zhvillimet e mëtutjeshëm që e presin shtetin tonë. E para, ishte vakuumi i shkaktuar institucional që ne po e konsiderojmë se është i shkaktuar krejtësisht nga PDK’ja. E dyta, ishte për aspektet që kanë të bëjnë me aspektet e programit zhvillimor që do ta ketë Qeveria në ardhje për synimet drejt integrimeve euroatlantike. Ne konsiderojmë se vakuumin institucional është shkaktuar nga PDK’ja. Ata janë në kërkim të një të drejte që as nuk ju takon as nuk ka çka ju duhet. Nuk ju takon për arsye se ekziston në Parlamentin e Kosovës një shumicë parlamentare, e cila ka lidhur koalicion pa PDK’në. Kurse, nuk ka çka ju nevojitet sepse edhe po ta fitonin atë të drejtë, ata nuk mund ta votojnë Kryetarin e Kuvendit pasi s’kanë numrat.

Express: Pas këtij takimi të tri partive opozitare, Adem Grabovci tha se formimi i Qeverisë pa PDK’në është absurde?

A .Arifi: Logjika e qeveritarëve në shkuarje se janë lind në pushtet dhe do të jenë gjithmonë në pushtet është manifestuar disa herë. Ajo çka kemi dëgjuar nga ish-Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së ishte një shprehje e një karakteri të funksionimit të nëntokës. PDK po mundohet që në do formë të mbetet në pushtet vetëm për të mbajtur kapjen e Shtetit. Por, kësaj i ka ardhur fundit dhe PDK do të mbetet në opozitë dhe Shteti do të lirohet nga kapja e PDK’së.

Express: Çka i bien e nëntokës?

A .Arifi: Kjo i bien se të gjithë 63 deputetët e LDK-VV-AAK-NISMA kanë bërë deklaratë të përbashkët se nuk do të bëjnë koalicion me PDK’në dhe as nuk do të shkojnë në konsultime me PDK’në dhe e kemi edhe seancën e 17 korrikut ku u pa saktësisht se kah janë votat, atëherë, me çfarë logjike thuhet se i kanë votat. Kjo është logjikë nuk sqarohet ndryshe përpos logjikës së nëntokës se do të blejmë apo rekrutojmë deputetë

Express: Grabovci tha se i kanë 70 vota?

A .Arifi: Nga vijnë ato vota, kush janë ato vota e në të njëjtën kohë i ke deklarimet e deputetëve. Por, e sigurt është se ata nuk i kanë votat por i kanë vetëm deklarata për t’ia bërë qejfin vetës.

Express: Megjithëkëtë, vullneti i deputetëve është vullnet i lirë dhe mund të mos i nënshtrohen askujt?

A .Arifi: Pikërisht për këtë po e themi, se këta deputetë e kanë shprehur vullnetin njëherë. E keni parë 17 korrik 83 deputetë kanë qëndruar në sallë, 65 deputetë kanë votuar ndryshe.

Express: Cilat janë pritjet e juaja nga Gjykata Kushtetuese lidhur me seancën konstituive?

A .Arifi: Presim që Gjykata Kushtetuese të legjitimojë vullnetin e shprehur nga deputetët në seancën konstituive. Mandati i deputetit fillon shumë më herët se sa seanca konstituive. Atë ditë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë votuar dhe 2/3 e deputetëve kanë qëndruar në sallë. Është një zgjedhje tërësisht legale dhe legjitime dhe konsiderojmë se nuk ka asnjë arsye pse Kryetari aktual të mos e vazhdojë mandatin e fituar me votën e shumicës së deputetëve.

Express: Pas mandatimit të Ramush Haradinajt për Kryeministër ka pasur edhe batuta se qysh i jepet një pozitë kaq e rëndësishme një njeriu partia e të cilit ka dalë e katërta në zgjedhje?

A .Arifi: Shpeshherë, pajtohem me ju, se ka shumë njerëz që e shohim zgjedhjen e njerëzve në funksione kyçe si zgjedhje që duhet të jetë refleksion edhe i votës. Realisht, ajo edhe ka ndodhur faktikisht. Në Kuvendin e Kosovës, z. Haradinaj e ka shumicën parlamentare që e përkrahë për të qenë Kryeministër i Republikës së Kosovës.

Express: Por, në zgjedhje ka më pak se 10 përqind të votave?

A .Arifi: Ka mundur t’i ketë edhe 5 përqind të votave. Në logjikën demokratike çdokush që mbërrin pragun zgjedhor mund të jetë bartës i çdo funksioni shtetëror, duke përfshirë edhe pozitën e Kryeministrit. Ne kemi mundur t’i kemi edhe pesë përqind, por në rast se partnerët e koalicionit vijnë në përfundim se personi i caktuar është person i duhur për të qenë Kryeministër, atëherë, s’ka kurrfarë arsye demokratike pse të mos jetë personi i tillë Kryeministër apo President i Republikës. Mos harroni se në shumë vende të botës dhe Europës, partitë që kanë edhe shumë më pak vota, që kanë 6 ose 7 përqind të votave, marrin funksione shumë më të rëndësishme se sa është funksioni i Kryeministrit të vendit. Shohim për shembull në vende të mëdha, Ministri i Jashtëm vjen nga një parti që është e vogël, e pozicioni i Ministrit të Jashtëm për atë vend është shumë jetik dhe këtë pozitë e merr partia që ka vetëm 5 përqind të votave. Pra, duhet të ndërpresim praktikën që të mendohet se vetëm personi që është Kryetar i një partie dhe që merr më së shumti vota. Kjo është çështje e konstelacionit të brendshëm të partive. Është çështje e asaj se si vijnë partitë në koalicion dhe pastaj në përfundim se kush duhet të jetë Kryeministër për të bërë një Qeveri funksionale.

Express: Para zgjedhjeve nacionale shumëkush ka thënë se AAK do të jetë në një Qeveri me PDK’në. Çka ndodhi që AAK nuk arriti të bëjë marrëveshje me PDK’në kur dihen bisedimet mes Thaçit dhe Haradinajt pas kthimit të këtij të fundit nga Haga?

A .Arifi: Dua t’ju sigurojë dhe të përmendi një aspekt se AAK është e vetmja parti në Europën Juglindore që i është ofruar qeverisja me një ofertë jashtëzakonisht të madhe, shumë më e madhe se sa votën që e kishte diku 10 përqind në vitin 2010 dhe Aleanca ka refuzuar që të qeveris me PDK’në.

Express: Por, më vonë i jeni ofruar PDK’së për të marrë pozitën e Kryeministrit?

A .Arifi: Kjo është tërësisht një keqinterpretim i atyre që dëshirojnë të jetë ashtu. Aleanca kurrë nuk ka pranuar që të jetë pjesë e konceptit qeverisës të Thaçit. Aleanca pas kthimit të liderit Haradinaj i ka ofruar dalje nga kjo situatë PDK’së dhe Kryeministrit Thaçi. I kemi ofruar mundësi të ndaljes së keqqeverisjes dhe i kemi mundësuar atyre ta dorëzojnë qeverisjen. Kjo formë e shpegimit kurrë nuk ka depërtuar te qytetari i Kosovës sepse i është thënë qytetarëve të Kosovës se Aleanca po dëshiron t’i bashkohet PDK’së. Ne s’kemi dashur t’i bashkohemi por e kemi kërkuar të kundërtën. Kemi ofruar një ndalje të keqqeverisjes së PDK’së. Para zgjedhjeve, pyetjet direkte që i janë bërë z. Haradinaj, se a do të bëni koalicion me PDK’në, ne kemi thënë se nuk do jemi pjesë e qeverisjes së PDK’së. Ka qenë e justifikueshme pse njerëzit kanë menduar se ne mund të jemi kandidat për partner koalicioni. Kjo ka qenë e mundur pasi politika e jonë, që ende besoj në atë politikë, se pavarësisht kush do të jetë në Qeveri, për temat nacionale nuk do të mendojmë nga baza partiake. Në këtë kuptim, ne e kemi mbështetur Qeverinë Thaçi në dialogun me Serbinë, në integrime në BE dhe në procesin e reformës zgjedhore.

Express: A prisni që edhe PDK të mbështesë Qeverinë LDK-AAK-NISMA të mbështesë temat që ju i keni mbështetur nga pozicioni i opozitës?

A.Arifi: Jo vetëm nga PDK’ja, por ne presim nga të gjitha partitë politike mbështetje për tema të tilla. Ne nuk jemi penduar që kemi dhënë një mbështetje të tillë Qeverisë në largim. Çdoherë edhe në të ardhmen, sepse jeta është e gjatë, ne nuk pretendojmë të jemi gjithmonë në Qeveri, por kushdo që të jetë në Qeveri, mund të llogarisë se kur janë në pyetje temat nacionale, AAK do t’i përkrahë të gjithë.

Express: Ka pasur paralajmërime se nëse PDK mbetet në opozitë atëherë deputetët e saj nuk do ta përkrahin themelimin e Gjykatës Speciale?

A .Arifi: Jo, nuk presim. Nuk kemi arsye të besojmë se PDK do të jetë opozitë konstruktive. PDK ka qeverisur me vendin, e di rëndësinë e vendimeve që janë në interes nacional. Nuk besoj se do të shkojë në zgjidhje afatshkurtra dhe partiake por do të reflektojë në zgjidhjen e problemeve nacionale.

Express: Si do të ndërtohet qeverisja e z. Haradinaj me liderin e NIMSËS z. Limaj i cili po përballet me akuza për korrupsion. Po ashtu, ju keni deklaruar për Isa Mustafën se e ka degraduar Prishtinën?

A .Arifi: Ka shumë çështje që shtjellohen në mënyrën se si ju po e thoni.

Express: Këto janë gjëra faktike: z. Limaj akuzohet për korrupsion e Isa Mustafa ka humbur tri palë zgjedhje, dy nacionale e një herë në Prishtinë?

A .Arifi: Shikoni, koalicioni nuk është pajtim për çdo temë në asnjë vend të botës dhe as ne nuk bëjmë përjashtim. Koalicioni LDK-AAK-NSIMA është një koalicion i cili është bashkuar rreth një programi, rreth një koncepti qeverisës zhvillimor. I cili koncept i anashkalon dallimet ndërpartiake që kemi. Ne jemi grumbulluar rreth një programi, rreth një ideje që të ndalim keqqeverisjen e vendit, t’i japim perspektivë zhvillimit, të krijojmë vende të reja të punës dhe të funksionojmë si Qeveri që është afër qytetarit të Kosovës. Asnjëherë në asnjë koalicion nuk do të ketë pajtim të të gjitha partive për gjithçka. Por, ne jemi bashkuar për shkak të pikave që na bashkojnë dhe ka rezultuar në krijimin e bllokut të shumicës parlamentare.

Express: A keni folur ende për ndarjen e pozitave qeveritare përpos atyre që janë përmendur në Marrëveshjen e tri partive?

A .Arifi: Ende nuk është biseduar për pozita të tilla. Por, ekziston ajo ndarja parimore sipas rezultateve zgjedhore.

Express: Kohëve të fundit edhe zyrtarët e listës “Srpska” kanë vendosur disa kushte për të hyrë në Qeverinë e re. Ndërkohë, kemi ftohje të raporteve të bllokut me Vetëvendosjen. Çka është duke ndodhur saktësisht?

A .Arifi: Lista “Srpska” nuk ka vendosur kushte. Ne nuk i shohim si kushte. Në bisedimet që kemi pasur me ta, asnjëherë, ato nuk i shohim si kushte. Në fakt, ekziston një entuziazëm te lista “Srpska” që të japin shërbime më të mira për komunitetin të cilit i takojnë. Këtë e shohim si entuziazëm dhe çdo gjë si pozitive sepse ato e shohin si mundësi të bëjnë më shumë se sa që kanë bërë deri më tash pjesëtarët e komunitetit të tyre. Është tërësisht që këtë entuziazëm ta manifestojnë edhe në formë që reflekton edhe në kushte.

Express: E me Vetëvendosjen çka është duke ndodhur?

A .Arifi: Me Vetëvendosjen kemi pasur bisedime të njëpasnjëshme. E keqja më e madhe është se me Vetëvendosjen kemi më shumë gjëra që na bashkojnë se sa që na ndajnë. Ato që na ndajnë nuk po mund t’i kalojmë. Të paktën në bisedimet që kemi pasur deri te zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit ka rezultuar se nuk mund t’i tejkalojmë dallimet dhe kjo u dëshmua me votën e Vetëvendosjes. Prej asaj kohe s’kemi pasur ndonjë takim formal, por kemi pasur vetëm komunikim informal më shumë, qoftë të liderëve, qoftë të njerëzve të partisë. Këto bisedime ka shanse që prapë të ringjallen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ekziston vullneti i koalicionit LDK-AAK-NISMA që të fillojnëedhe një herë bisedimet me Vetëvendosjen për përfshirjen e tyre në Qeveri.

Më Shumë

Sot votimi historik për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sot me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, do të...

“Kolla e keqe”, infektologu Ramadani tregon tri fazat që kalon i infektuari

Ka arritur në 14 numri i të prekurve nga sëmundja infektive Pertussis, e njohur në popull si kolli i keq. Instituti Kombëtar i Shëndetit...

Lajmet e Fundit