Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për të parën herë mbi arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, pas akuzave për tenderime korruptive nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit SPAK.
Në një koment që i ka kthyer një ndjekësi në Facebook, Rama shpjegon se atij nuk i bën përshtypje arrestimi i Kokës. Përkundrazi, ai dhe Qeveria mbështesin pa kushte Reformën në Drejtësi dhe nuk do të bëhen mburojë për askënd, nën petkun e Partisë Socialiste.
“Impiantet moderne të përpunimit të mbetjeve, që i kanë hapur rrugën e shpëtimit afatgjatë nga ndotja e rëndë e plehrave zonës së Elbasanit, Tiranës e Fierit gjithashtu, edhe Reforma ne Drejtësi po se po, janë vepra të shumicës sonë qeverisëse”, shton Rama.
Ai vijon duke thënë se për këto investime, do të jetë gjithnjë krenar. Ndaj, euforia baltosëse e atyre që bëjnë politikë, sipas tij, me akuza e me moton “shpif e shpif”, nuk i bën përshtypje.
“Investimi në Elbasan është aty”, vijon më tej kreu i Qeverisë. “AI do të shërbejë për të vazhduar mbrojtjen e zonës nga ndotja. Ndërsa, nga ana tjetër, çështja e ish-ministrit me SPAK-un dhe drejtësia, nuk është as politike, as partiake, as kolektive, por individuale”.
Ndër të tjera, kreu i PS-së, ka parashtruar sërish faktin se pavarësisht se kush përballet me drejtësinë ndër eksponentët socialistë, nuk do ta ketë partinë nga pas.
“Cilido qoftë, pa dallim partie, duhet të përballet vetë me drejtësinë! Dhe cilido qoftë ndër ne, që merret si i pandehur nga organet e pavarura të drejtësisë, duhet të ballafaqohet me drejtësinë bashkë me avokatin e vet, sepse PS-ja nuk është zyrë avokatie e askujt”.
/Albanianpost.com