11.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Ashton e kënaqur me zbatimin e marrëveshjes

Thaci-Ashton-kosoveShefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton deklaroi se ka ende shumë punë për të bërë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mirëpo tha se është e kënaqur me atë që është bërë deri më tani. Këto komente, Ashton i bëri në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, të cilin e ka përgëzuar për guximin e treguar në negociatat e zhvilluara në Bruksel. Ajo i cilësoi këto negociata si mjaft të vështira.

Ashton tha se pavarësisht ngecjeve, janë marrë hapat e nevojshëm për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, sipas afateve kohore.

“Mendoj se janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për zbatimin e kësaj marrëveshje. Marrëveshja politike është përkthyer në veprime konkrete që duhet të zhvillohen. Unë tregoj respektin për shumë grupe punuese që kanë kaluar shumë ditë duke punuar se bashku që ta kthejnë atë marrëveshje në veprime konkrete. Duhet të dihet se çka duhet të ndodhë dhe kur duhet të ndodhë. Unë jam shumë e kënaqur. Është pak e komplikuar kohë pas kohe, por jam e kënaqur sepse ekziston vullnet. Ka edhe shumë për të bërë por jam shumë e kënaqur me atë që është bërë deri më tani”, tha ajo, transmeton RTK.

Ashton theksoi se procesi për normalizimin e marrëdhënieve duhet të vazhdojë me përkushtim, ndërsa tha se gjatë verës do të ketë edhe takime të tjera ndërmjet kryeministrave Thaçi e Daçiq.

Ndërsa sa i përket Ligjit për amnisti, Ashton tha se është çështje e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës dhe nuk dëshiron të përfshihet në këtë çështje.

“Unë jam e interesuar që të sigurohem se ajo për çka është arritur marrëveshja të zbatohet dhe shpresoj se zbatimi i ligjit do të jetë demonstrim jo vetëm nga ana e parlamentit por edhe nga Qeveria”, tha ajo.

Kryeministri Hashim Thaçi nga ana e tij theksoi nevojën për miratimin e Projektligjit për amnisti.

“Duhet të kemi parasysh rrethanat politike dhe aspektet legale. E gjitha çka është përfshirë është përfshirë në kuadër të kushtetutës dhe ligjeve dhe është me interes që e gjithë skena politike është unike në procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Ftoj të gjithë të dalin mbi interesat politike në interes të shtetit të normalizimit të gjendjes në veri. Zëri i arsyes fton të aprovohet ligji për amnisti nesër”, tha ai.

Kryeministri Thaçi shprehu zotimin se Kosova do t’i kryej obligimet e veta duke përfshirë edhe Ligjin për amnisti. Me këtë rast ai falënderoi baroneshën Ashton për vendimin e Këshillit të BE-së për fillimin e negociimit të MSA për Kosovën, duke thënë se ky vendim do të jetë një inkurajim i ri për institucionet e Kosovës.

Ndërsa baronesha Ashton tha se të gjitha shtetet anëtare të BE-së janë mirënjohëse për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se për këtë edhe e kanë marrë vendimin për fillimin e negociatave për MSA-në.

Më Shumë

Dyshohet për tejkalim të autorizimeve policore, IPK rekomandon suspendimin e rreshterit policor në Prizren

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një rreshteri të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren, pas dyshimeve për tejkalim të autorizimeve...

Julia Fox për lidhjen me Kanye West: Më la shije të hidhur!

Ylli i “Uncut Gems” Julia Fox tha për revistën InStyle se lidhja në fakt i la “një shije të keqe”. Dhe tani, për shkak...

Lajmet e Fundit